Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të 28 nëntorit të vitit 1912, kur patrioti kurbinas, Gjin Pjetër Pervizi, me porosi të Dom Nikoll Kaçorrit ngriti flamurin në Milot të Kurbinit, në prani të gjithë popullit të asaj zone, ngjarje e cila është e pasqyruar në një letër që Gjin Pjetri i’a dërgon arqipeshkvit të Durrësit, Preng Bianki, ku midis të tjerash shkruhet: “I ndritshim Imzot Preng Bianki, Arqipeshkv i Durc-Kurbinit. Unë kam pas mbledhë katundet e Kurbinit, Turk e t’Krishtenë e jemi ba m’nji fjalë: mandej kam shkue vetë i katërti, si prej myslimanëve ashtu dhe të krishterësh, edhe krenë e malcorë të Bregut të Matës i kam pas me vedi, e kam vojtë n’Mirditë: e atje janë mbledhë parsimi i 12 bajrakë, dhe paria e 7 bajrakë të Pukës e kemi lidhë një tifakë qysh m’urë t’Droes e m’ujë të Drinit t’Bardhë kah ana e Prizrenit e rrokull sikur kap Vau i Dejës edhe Plav e Guci janë lidh me ne: Hot e Grudë, Kastrat e Shkrel kan marrë e kan dhanë me bajrakët q’i i kanë afër vedit e na kanë çue letër m’ Kuvendt q’i kjem mbledh q’i çka të bëni ju, kemi me ba edhe na, e kanë than edhe q’i jemi marrë vesh me male të Epra dhe ata m’kët fjalë janë. Prap edhe Matja sikur jemi lidh na ashtu asht lidhë. Mas Ismail Qemalit e D. Nikoll Kaçorrit q’i janë veçilat tonë t’ Shqypnies, ne mas tyne po lidhena abulla t’qindrojmë edh’ majmë besën e atyne t’cillët kanë ngrehë bajrakun e Shqypnies n’Durrc edhe na për at flamur t’luftojmë.
110 vjet më parë më 28 nëntor të vitit 1912, teksa plaku patriot Ismail bej Qemali ngrinte flamurin në Vlorë dhe shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, në të njëjtën orë të asaj dite, një tjetër patriot shqiptar ngrinte flamurin kombëtar në Milot të Kurbinit, ku ishin mbledhur përfaqësues dhe delegatë nga të gjitha krahinat e Veriut të Shqipërisë. Ai ishte Gjin Pjetër Pervizi nga Skuraj i Kurbinit dhe flamuri që ngriti atë ditë në Milot, ishte me porosi të Dom Nikoll Kaçorrit, krahut të djathtë të Ismail Qemalit, i cili më 28 nëntor 1912 u zgjodh nënkryetar i qeverisë së Vlorës.
Kjo ngjarje e madhe e historisë së popullit shqiptar e cila është ruajtur në kujtesën historike të zonës të Kurbinit, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, është lënë krejt në harresë dhe në të gjitha librat e historisë së asaj kohe nuk është përmendur kurrë.
Letra për argjipeshkvin e Durrësit
Ngjarja e 28 nëntorit 1912 ku plaku patriot Gjin Pjetër Pervizi ngriti flamurin kombëtar në Milot të Kurbinit, veç kujtesës së popullit e cila nuk e la të zhdukej fare nga memoria historike, pasqyrohet më së miri edhe nga një dokument arkivor i cili bëhet publik ekskluzivisht nga Memorie.al. Edhe pse në këtë dokument që po e botojmë më poshtë është shkruar fare pak mbi atë që ka ndodhur në Milot plot 110 vite të shkuara, aty krijohet një tablo e qartë e veprës patriotike të atdhetarit Gjin Pjetër Pervizi.
Kopje e letrës së Gjin Pjetrit drejtue Preng Biankit, argjipeshkëv i Durrësit:
Populli i Milotit thotë se Gjin Pjetri ka ngreh flamurin në Milot njëkohësisht me Ismail Qemalin në Vlorë.
Skuraj 21 Dhetuer 1912
I ndritshim Imzot Preng Bianki, Arqipeshkv i Durrc-Kurbinit
Unë kam pas mbledhë katundet e Kurbinit, Turk e t’Krishtenë e jemi ba m’nji fjalë: mandej kam shkue vetë i katërti, si prej myslimanëve ashtu dhe të krishtenësh, edhe krenët e malcorë t’Bregut të Matës i kam pas me vedi, e kam vojtë n’Mirditë: e atje janë mbledhë parsimi i 12 bajrakë, e edhe parija e 7 bajrakë të Pukës e kemi lidhë një tifakë qysh m’urë t’Droes e m’ujë të Drinit t’Bardhë kah ana e Prezrenit e rrokull sikur kap Vau i Dejës e edhe Plav e Guci janë lidh me ne: Hot e Grudë, Kastrat e Shkrel kan marrë e kan dhanë me bajrakët q’i i kan afër vedit e na kan çue letër m’ Kuvendt q’i kjem mbledh q’i çkaf të bani ju, kemi me ba edhe na, e kan than edhe q’i jemi marrë vesht me male të Epra e edhe ata m’kët fjalë janë.
Prap edhe Matja sikur jemi lidh na ashtu asht lidhë. Mas Ismail Qemalit e D. Nikoll Kaçorrit q’i janë veçilat tonë t’ Shqypnies, ne na mas tyne po lidhena abulla t’qindrojmë edh’ majmë besën e atyne t’cillët kanë ngrehë bajrakun e Shqypnies n’Durrc e edhe na për at flamur t’luftojmë.
E prandaj kemi lidhë një besë t’fort me shoqipojnë. Po të baj rigja, qi çfarëdo gjevapi qi t’ket lujtë m’atë anë, t’më shkruejsh me nji letër e t’ma çojsh. Tuej t’marrë dorën e tuej t’puth myhyrin, po e mbylli letrën ma shum dashuni e tuej t’u falë me shëndet fort un i dashtuni i yt. (shërbtuer i përvujt i yti Prëndi) Gjin Pjetri. Ti bajsh me dije beglerët qi t’a lidhin edhe ata tifakun sikuer e kem lidh na”.
(A.Q.SH. Fondi 143 Viti 1912 Dosja 975 fleta 1)
Vlersimi i Gjin Pjetrit nga Mbreti Zog në vitin 1937
Që nga ajo kohë dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, plaku patriot nga fshati Skuraj i Kurbinit, Gjin Pjetër Pervizi, ka qenë një nga figurat atdhetare më të vlerësuara si nga populli i krahinës së Kurbinit, ashtu dhe nga regjimi në fuqi i asaj kohe. Kjo gjë shihet më së miri edhe nga dokumentet arkivore të pa botuara ndonjëherë të cilat i përkasin periudhës së Monarkisë së Zogut, apo më saktë të vitit 1937, kur me rastin e 25 Vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit u përkujtua me ceremoni zyrtare në të gjithë vendin. Në pragun e 28 nëntorit 1937, ditë e cila u festua me bujë të madhe sipas dekretit Mbretëror të Mbretit Zog, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë u propozuan për dekorime shumë atdhetarë të cilët ndër vite kishin luftuar me armë në dorë apo kishin dhënë kontributin e tyre në dobi të çështjes shqiptare.
Në pjesën më të madhe të propozimeve për dekorime që u bënë asokohe për patriotët e rrethit të Krujës, (i cili nga ana administrative varej nga qyteti i Durrësit) midis të tjerash shkruhej: “Ka marrë pjesë me Gjin Pjetrin e Kurbinit në ngritjen e Flamurit në Milot në 28 nëntor 1912”, “Ka qenë bashkë me Gjin Pjetrin në Luftën e Bregut të Matës kundra taborit turk në 1911”, etj, etj. Në një nga ato dokumente të asaj periudhe ku është propozuar për dekorim patrioti Seid Selim Aga nga Kruja (1853-1929), midis të tjerash shkruhet:
“Në vitin 1912 ka shpërnda libra shqipe bashkë me Baba Meleq Shëmbërdhenjin nëpër katunde dhe e ka përcjellë këtë bashkë me Zejnel Kalanë dhe Gjin Pjetërin, tuj e mshef e dërgue në Ulqin”.
Vërtetohet si mbas vendimit Nr. 10 dt. 27. 7. 937 të Komisionit për kremtimin e 25 vjetorit të vetëqeverimit forume në Krue.
Antar e Sekretar i Komisionit
(Hysen Kalaja) Kryetar i Komisionit, Nënprefekti (Ramadan Minzalli)
(A.Q.SH. Fondi 143 Viti 1937 Dosja 47 Fleta 42)
Siç shihet edhe në këto dokumente arkivore që bëhen publike për herë të parë, në pjesën më të madhe të propozimeve për dekorime, plaku patriot Gjin Pjetër Pervizi, merret si pikë referimi për patriotët e tjerë për të cilët thuhej se kishin luftuar apo kishin qenë bashkëpunëtorë të tij. Veç këtyre dokumenteve që i përkasin vitit 1937, emri i patriotit kurbinas përmendet shpesh edhe në shënimet historike të klerikut të famshëm katolik, At Bernardin Palaj, i cili së bashku me kolegun e tij, At Donat Kurtin, kanë mbledhur e botuar “Visaret e Kombit”. Midis të tjerash në shënimet e Palajt, shkruhet:
“Kshtu thonë t’gjith kta, jua thotë abati mbarë Shqypnisë katolike i mbledhje t’ Shpalit: Ded Gjo Lulit, Mehmet Shpendit, Prel Tulit, Gjin Pjetrit, Padër Pal Dodës, kryetarit të Kuvendit të Rrbigut (Rubikut), Gjo Shkurt Lufit t’Selitës etj etj”.
Ndryshe nga të gjitha qeveritë shqiptare të para viteve 1944, të cilat e kanë përkujtuar dhe nderuar veprën e patriotit Gjin Pjetër Pervizi, regjimi komunist e la atë krejt në harresë për ta përmendur shumë rrallë.
Regjimi komunist e la në harresë patriotin Gjin Pjetër Përvizi, prej gjeneral, Prenk Pervizit, ish-Ministër i Mbrojtjes në vitin 1943-‘44!
Plaku patriot Gjin Pjetër Pervizi nga Skuraj i Kurbinit dhe ngjarja e 28 nëntorit 1912, ku në prani të delegatëve dhe përfaqësuesve nga të gjitha trevat e Veriut të Shqipërisë, ai ngriti flamurin kombëtar në Milot, është përmendur fare pak gjatë viteve të regjimit komunist. Edhe pse për historiografinë zyrtare të asaj periudhe ajo ngjarje nuk ka qenë e panjohur, ajo përkujtohej rrallë vetëm në qytezën e vogël të Milotit në jubiletë e Ditës së Flamurit.
Shkak për lënien në harresë të figurës së patriotit Gjin Pjetër Pervizi dhe veprës së tij atdhetare si prijës i fshatarëve Kurbinas në luftërat kundër turqve për liri e pavarësi, u bënë disa nga nipat e stërnipat e tij, të cilët pas vitit 1945, luftuan me armë në dorë kundra regjimit komunist. Por më kryesorët që “ia nxinë” biografinë plakut patriot kurbinas, ishin gjeneral Prenk Pervizi, Ministër i Mbrojtjes në 1943-’44 dhe Ndue Gjergji, i cili deri në 1951, kryesoi rezistencën antikomuniste në zonën e Kurbinit.
Por edhe pse historiografia zyrtare e regjimit komunist për vite me radhë e la në heshtje veprën e patriotit Gjin Pjetër Pervizi, ajo nuk mundi ta fshinte atë tërësisht nga memoria historike. Aty nga fillimi i viteve ’80, emrin e tij iu akordua një shkolle 8-vjeçare në qytetin e Laçit, ku me iniciativën private të një mësuesi në oborrin e saj u vendos edhe një bust i vogël i tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016