Nga Adrian CIVICI
Kur filloi të flitej hapur për “tregun” dhe “ekonominë e tregut në Shqipëri”? Si jemi përballur ne si ekonomistë të formuar me planifikimin e centralizuar dhe pronën shtetërore me tregun e lirë, perëndimin kapitalist dhe debatet e shkollave të ndryshme ekonomike për këto koncepte të reja në fillimet e tranzicionit radikal “nga plani te tregu” në vitin 1991” ?
Për tregun dhe ekonominë e tregut, në Shqipëri, kryesisht në ambjentet universitare e intelektuale, filloi të flitej hapur, ose deri diku hapur, në vitet 1986-1990-të.
Më shumë se sa “konceptet për tregun e lirë” dhe “ekonominë tregut”, flitej për teoritë ekonomike që argumentonin apo legjitimonin politikat më të mira ekonomike në një ekonomi jo socialiste, flitej për “ekonominë politike të kapitalizmit” dhe ekonomistë si Adam Smith, David Rikardo, John Maynard Keynes, Friedrih Hayek, Milton Friedman, John Galbraith apo Douglass North, flitej për ekonominë amerikane dhe vendeve perëndimore europiane që gjithë zhvillimin dhe mirëqënien e tyre e kishin siguruar falë ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit, etj.
Në atë kohë në Shqipëri kishin filluar të hynin “fshehurazi” libra të makroekonomisë, mikroekonomisë, tregjeve financiare, gazeta e revista të ndryshme ekonomike perëndimore, kryesisht britanike, italiane dhe amerikane, etj.
Cila ishte ideja, njohuritë apo përkufizimi jonë për tregun dhe ekonominë e tregut në ato vite? Vështirë të thuash se kishim ndonjë ide të qartë dhe të strukturuar, me përjashtim të bindjes se ishte dicka krejt e kundërt dhe e ndryshme nga ekonomia e centralizuar dhe planifikuar.
Gjatë viteve të universitetit, dhe më vonë në periudhën 1982-1990, mundësitë për të lexuar libra apo revista që flisnin për ekonominë e tregut apo kapitalizmin, ne i kishim shumë të limituara.
Në biblioteka kishte shumë pak libra “perëndimorë” dedikuar kësaj problematike, sepse ato konsideroheshin libra të ndaluar nga rregjimi socialist dhe nuk lejoheshin të hynin në Shqipëri.
Përvec kësaj dhe mundësitë për ti lexuar ishin tejet të kufizuara. Për libra të tillë kërkohej “autorizim i vecantë” nga drejtuesit e bibliotekave, i cili jepej vetëm për ata që “e kishin të nevojshme të lexonin libra të tillë pasi duhej të kritikonin ashpër sistemin kapitalist dhe shfrytëzimin e egër të klasës punëtore në vendet borgjezo-revizioniste”, apo nga ata që “kishin biografi të mirë” dhe i shërbenin zellshëm Partisë dhe shokut Enver.
Ne të “tjerët”, qofshin pedagogë universiteti, intelektualë, studiues, specialistë e ekspertë të fushave të ndryshme, etj., përdornim lloj lloj mënyrash për të gjetur mundësitë që të shihnim apo të lexonin literaturë të tillë “të ndaluar”.
Krijonim miqësi të vecanta me individët që mund të na jepnin hua këto libra apo revista, gjenin “miq” apo “lidhje familjare” me punonjëset e bibliotekave të cilat na krijonin mundësi të shihnim librat e ndaluar, futeshim në dhomat e fondit të librave gjoja për të gjetur ndonjë libër apo gazetë të vjetër, na mbyllnin disa orë në zyrat e bibliotekave për të lexuar këto lloj librash, na i jepnin të mbështjella me gazeta apo me kopertina të tjera vetëm për 24 orë për ti lexuar në shtëpi, etj.
Gjithshka ishte e vështirë dhe e rrezikshme, aq më tepër që PPSH dhe kasta e lartë politike e vendit deklaronin se “në sferën ekonomike, modeli socialist ishte më i avancuar dhe më human se ai kapitalist, kështu që, studiuesit dhe intelektualët shqiptarë nuk kishin asnjë nevojë të lexonin libra ekonomie të vendeve borgjezo revizioniste”, “përkundrazi, ekonomistët dhe politikanët e vendeve kapitaliste e revizioniste duhej të lexonin veprat e Enver Hoxhës për ekonominë, në mënyrë që duke studiuar ato dhe njohur rezultatet spetakolare të zhvillimit ekonomik e social të Shqipërisë socialiste, të kishin mundësi të përmirësonin dhe jetën në vendet e tyre”.
Përballja ime e parë e “vërtetë” me kuptimin dhe shpjegimin e tregut dhe ekonomisë tregut ndodhi në mars të vitit 1991, kur gazeta “Republika”, gazetë e Partisë Republikane të sapo formuar, më kërkoi të bëja një artikull të gjatë shpjegues e polemizues dedikuar objektivit të saj primar “dështimit total të ekonomisë socialiste dhe reformave gjysmake të qeverisë komuniste shqiptare dhe Presidentit Ramiz Alia, dhe vendosjen e tregut të lirë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri”.
Ky ishte ndoshta artikulli i parë i plotë mbi reformat ekonomke dhe ekonominë e tregut që botohej në Shqipëri. U përpoqa rreth tre-katër javë që të lexoja sa më shumë që mundesha nga literatura e huaj që trajtonte këtë problem, sidomos eksperienca e disa vendeve të tjera të Europës qëndrore e lindore që e kishin filluar më parë këtë proces, dhe mbi të gjitha platformat dhe analizat e disa institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore në këtë drejtim.
Në thelbin e tyre, njohuritë e mia për kapitalizmin dhe tregun e lirë, në atë kohë ishin disi të mangëta dhe të fragmentarizuara. Gjithshka përmblidhej në një grup njohurish e elementesh të tregut si “vend ku këmbehen në mënyrë të lirë mallrat dhe shërbimet”, ku “cmimet janë të lira dhe përcaktohen nga ekuilibri kërkesë-ofertë”, “ku nuk egziston planifikimi i centralizuar, por veprohet në kushtet e lirisë ekonomike”, “ ku Shteti është vetëm një nga aktorët e tregut”, “ku paraja ka një rol krejt në ndryshëm nga roli i saj në ekonominë e centralizuar”, etj.
Paqartësitë në lidhje me tregun dhe funksionimin e tij në një ekonomi kapitaliste mu shtuan akoma më shumë dhe nga një moment në dukje humoristik, por në realitet, shumë i dhimshëm e sfidues. Në muajt e parë të vitit 1991, asistova në disa leksione të hapura makroekonomie që po zhvillonin disa profesorë amerikanë në Tiranë.
Mbasi foli rreth një orë për tregun dhe institucionet e tij në ekonomitë kapitaliste, lektori amerikan u përball me një seri pyetjesh sa të cuditshme aq dhe naive nga salla. Përgjigjen e tij e kujtoj dhe sot: “keni të drejtë që jeni të konfuzuar dhe të paqartë, sepse ndërsa unë po flas dhe shpjegoj tregun, ju të gjithë keni në mendje pazarin”.
Ndërkohë, në selinë e Partisë Demokratike në “rrugën e Kavajës” u organizuan disa seanca bisedash e leksionesh për “ekonominë e tregut dhe kapitalizmin” gjatë të cilave na shpërndanë dhe disa libra, dedikuar kryesisht mikro dhe makroekonomisë, bankave dhe tregjeve financiare, etj. Këto ishin kontakti im i parë “serioz” me konceptet e reja të tregut të lirë dhe ekonomisë së tregut.
Por, të gjitha këto “njohuri” për tregun e lirë ishin akoma të pakta për të marrë përsipër një artikull të saktë e të vlefshëm, aq më tepër në një gazetë që përfaqësonte një Parti tipikisht të djathtë.
Një kolegu im, pedagog në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, që kishte qënë student i Gramoz Pashkos, ndoshta i vetmi pedagog i këtij fakulteti që kishte vite që fliste e diskutonte hapur me studentët e tij për teoritë e ndryshme ekonomike, tregun, kapitalizmin, Smith-in, Hayek-un, Keynes-in, demokracinë, më rekomandoi të lexoja katër gjëra të rëndësishme përpara se të përpiqesha të krijoja një mendim të konsoliduar për tregun e lirë dhe kapitalizmin: idenë e tregut në ekonominë politike klasike, teorinë neoklasike të tregut, thelbin e reformave të FMN dhe Bankës Botërore në Amerikën Latine në vitet 1980-të, dhe konceptet themelore për tregun në teorinë e “ekonomisë së zhvillimit”.
Në ndihmë na erdhi dhe Ambasada amerikane në Tiranë, e cila organizoi disa takime me ekonomistë e pedagogë ekonomie të disa universiteteve, për të na folur për kapitalizmin, ekonominë e tregut, reformat e tranzicionit dhe rolin e institucioneve ndërkombëtare në këtë proces.
Në këto takime që organizoheshin në zyrat e Partisë Demokratike në rrugën e Kavajës, pjesëmarrësve ju shpërndaheshin dhe disa libra mbi politikat ekonomike e financiare në SHBA, Makro dhe Mikroekonomia, etj. Në ato muaj të parë të fillimit të tranzicionit, në shumë rafte bibliotekash apo zyra të ndryshme të administratës e universiteteve gjeje këto libra të shpërndara nga Ambasada amerikane dhe PD.
Librat e tjerë që gjeta dhe munda të lexoj në ato muaj ishin: “Les grands courants de la pensée économique” me autor Alain Samuelson, “The New Classical Macroeconomics” të Kevin D. Hoover, dhe “Lectures on Macroeconomics”, me autorë Olivier Jean Blanchard dhe Stanley Fisher. Po hyja në një botë njohurish e konceptesh pothujase tërësisht të panjohur e mjaft të komplikuar për një ekonomist të formatuar me tezat marksiste dhe kritikën e ashpër të ekonomisë dhe sistemit kapitalist.
Duke ju referuar ekonomisë politike klasike, fillova të konsolidoj teorikisht idetë e para: tregu është vendi i këmbimit të mallrave dhe shërbimeve ku formohet vlera e tyre e këmbimit…tregu është vendi ku “lexohet” cmimi i mallrave, formohen në mënytrë lirë cmimet e tyre…tregu është vendi ku vleftësohet kapitali…është vendi ku plotësohen në mënyrën më optimale interesat e aktorëve ekonomikë…në treg paraja ka vetëm rolin e një “vele” me ndikim vetëm në fiksimin e nivelit të përgjithshëm të cmimeve…tregu ka kryesisht karakter nacional…tregu vetërregullohet sipas konceptit të “dorës së padukshme”…ndërhyrja e Shtetit në ekonomi duhet të jetë minimale….fitimet në tregëti burojnë nga avantazhet krahasuese..teoria e avantazheve absolute të Smithit, etj.
Ndërkohë, sipas teorisë neoklasike, vizioni i tregut që ndesha, ishte krejtësisht i transformuar. Përtej ndryshimit në shpjegimin e formimit të vlerës, tregu shpjegohej si vendi ku takoheshin “në vazhdimësi dhe pambarimisht” aktorët ekonomikë në kuadër të mekanizmit kërkesë-ofertë dhe arritjes së cmimit ekuilibër; tregu ishte vendi ku negocioheshin dhe rinegocioheshin kontratat, avantazhet, preferencat, kufizimet, etj, deri në arritjen e “ekuilibrit të përgjithshëm”; tregu i jep sinjalet e tij kryesore nëpërmjet cmimeve; tregu është vendi i socializmit të individit, vendi që lidh individin me shoqërinë; detyra e Shtetit është vetëm “korrigjimi i devijimeve apo imperfeksioneve të tregut”, ndërkohë që vetë Shteti është thjesht një nga aktorët e tregut; politika ekonomike më e preferuar e teorisë neoklasike rekomandohej ajo që mbështetej në filozofinë “laissez-faire”; etj.
“Përballja” e tretë me ekonominë e tregut erdhi nga leximet e artikujve të ekonomistit amerikan Jeffrey Sachs, autorit të “terapisë së choc-ut” si zgjidhja më eficente e krizave ekonomike në disa vende të Amerikës latine, Poloni dhe Rusi, si dhe disa analizave dedikuar “programeve të axhustimit strukturor” dhe “Konsensusit të Ëashingtonit” të FMN dhe Bankës Botërore të zbatuar në disa vende të Amerikës latine gjatë viteve 1980-të, programe që më sa po kuptohej në vitin 1991, do zbatoheshin edhe në vendet e Europës qëndrore e lindore, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.
Këtë situatë e përforcuan shumë dhe debatet e polemikat që shkaktoi shprehja e Gramoz Pashkos, një nga drejtuesit kryesorë të PD-së, i sapo ardhur nga një vizitë “entuziaste” në SHBA, në një miting të PD në Berat në mars të vitit 1991 se ““Morëm garanci se, nëse PD-ja i fiton zgjedhjet, Shqipërisë do t’i jepet një çek i bardhë”.
Natyrisht që kjo ishte një metaforë e keqkuptuar dhe keqinterpretuar, por që në thelbin e saj, nënkuptonte faktin se nëse Shqipëria do bënte reformat e sugjeruara nga FMN dhe Banka Botërore në kuadrin e “Programeve të axhustimit strukturor” (PAS) që synonin zgjerimin e doktrinës liberale edhe në vendet e Europës qëndrore dhe lindore ish-socialiste, ekonomia shqiptare mund të përfitonte investime kolosale perëndimore.
Gjatë vitit 1991, Shqipëria po bëhej gati të negocionte një marrëveshje speciale me FMN dhe Bankën Botërore për fillimin e procesit të tranzicionit “nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë”, marrëveshje për realizimin e një serie reformash fondamentale nën moton stabilizim-liberalizim-privatizim, në themel të të cilave qëndronin: rivendosja e ekuilibrave makro ekonomikë, reduktimi i deficitit buxhetor të qeverisë, qarkullimi i lirë i monedhave, liberalizimi i tregëtisë dhe heqja e barrierave doganore, eleminimi i kontrollit të cmimeve, eleminimi i subvencioneve sidomos ato të sektorit publik, privatizime masive të sektorit shtetëror të ekonomisë, ngritjen e një kuadri ligjor e institucional për garantimin e të drejtave të pronësisë, zvogëlimin e prezencës shtetërore në treg dhe ekonomi, krijimin e një banke qëndrore të pavarur, etj.
Rënia e « Murit të Berlinit » dhe fundi i shek.X-të e përballi Shqipërinë dhe gjithë vendet e tjera ish-socialiste lindore me një fenomen të ri historik : tranzicionin nga ekonomia e planifikuar dhe centralizuar drejt ekonomisë së tregut. Megjithëse disa tentativa të pjesshme drejt kësaj rruge kishin ndodhur edhe më parë – Jugosllavia në vitet 1960-80-të, Gjermania Lindore, Cekosllovakia, Hungaria e deri diku Polonia në vitet 1960-70-të – rruga e re e nisur dukej plot me të panjohura.
Një shprehje e mjaft e gjetur e ekonomistit rus A. Zinoviev në vitin 1990 që përpiqej ti jepte një sens tranzicionit, bëri xhiron e botës : « ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj…». Vështirësia më e madhe qëndronte në mungesën totale të një « teorie tranzicioni », të studimeve e analizave për këtë fenomen të ri dhe krejtësisht të pastudiuar më parë.
Për të kuptuar ku ndodhej Shqipëria dhe gjithë vendet ish-komuniste në vitet 90-91, dëshiroj të perifrazoj një deklaratë të Michel Candesy, shefi i FMN-së në atë kohë, i cili në një takim me kryeministrat dhe ministrat e këtyre vendeve tha: “është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet dot me dy kërcime sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjizorë të një vepre që quhet tranzicion”.
Asnjëherë në histori nuk ishin angazhuar në mënyrë paqësore dhe me vullnet të plotë politik e social kaq shumë institucione, programesh reformash intensive e radikale, nuk ishin implikuar kaq shumë ndryshime në raportet sociale, në format e pronësisë, në marrëdhëniet e punës, pagës e fitimit, në rrishpërndarjen e pasurisë, etj.
Sot, tre dekada mbas fillimit të këtij procesi, pranohet nga të gjithë se « tranzicioni drejt ekonomisë së tregut dhe demokracisë parlamentare është historia më e vecantë e ndryshimeve institucionale, ligjore e sociale në kuadrin e një operacioni radikal të inxhinerisë ekonomike e politike ».
Mungesa e një teorie të përgjithshme tranzicioni, e një manuali udhërëfyes për rrugët dhe reformat kryesore ishte problemi më i madh për aktorët politikë e socialë të cdo vendi, aq më tepër në një vend totalisht të izoluar nga bota sic ishte Shqipëria e fillimit të viteve 1990-të./Memorie.al