Esat Myftari
Pjesa e pestë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Arrestimi nga Dega e Punëve të Brendshme e Lezhës
“Xhip”-i ndaloi në oborrin e Degës. Shefi i hetuesisë dhe operativi zbritën me njëfarë ngutje të pashpjegueshme. I pari u zhduk shpejt në zyrën e tij me dritare që shikonin nga rruga, kurse i dyti thirri “këndej”, e bani me shenj kah pjesa e prapme e ndërtesës. Kur këmbët e tija shkelën tokën dhe ai po mundohej të drejtonte trupin mbas atij udhëtimi të gërmuqtë, polici e kapi për krahu dhe e urdhëroi të ecte. E dorëzuan te kryeroja që priste në një qëndrim si të ngrimë, m’u te praku i korridorit.
– Mark, merre! – i tha operativ Naim Reçi dhe vetë sakaq humbi në korridorin gjysmë të errët.
Ia hoqën hekurat. Kryeroja i tha Ridvanit të hiqte edhe rripin e pantallonave e të zbrazte mbi tavolinë gjithçka që kishte nëpër xhepa. Prej andej ai nxori një krehër të vogël e një shami hundësh, kurse prej xhepit të mbrapa 1600 lekë të vjetra, futë në palën e një kulete të vogël të kaftë. Ishte shuma që i kishte mbetë prej rrogës.
– Vetëm kaq? – e pyeti kryeroja, tue rrudhë ballin në shenj habie.
– Vetëm kaq, – ia ktheu thatë Ridvani.
Kutia e madhe prej plastmasi po mbushej me mbeturinat e jetës së tij civile. Në fakt, ata e kishin fut në makinë ashtu sikurse e kishin gjetë në vendin e punës: me pantallona doku të vjetra, me këmishën e trashë me katrorë e një triko të hollë, thurë me dorë. Ishte e bukur, prej lesh deveje, që i jepte një hije të veçantë qytetarie dhe që i’a kishte çue për kujtim njena prej kushërirave të shumta. Kujtim prej Peje, pati shkrue ajo në një rrip letre, futë në këllëf.
– Kët mbaje, – i tha krye roja për trikon, mbasi i hodhi një shikim të ithtë lëvizjeve të tij, – dhe tash ndigjo: ne e dimë që je njeri i poshtër, por, kur të hysh në birucë, do të gjesh një armik tjetër të pushtetit shumë ma të poshtër se vetja jote, more vesh?!
Ridvani nuk i’u përgjigj me zë por me buzë sajoi një nënqeshje të idhët e sarkastike. Kur u përplas dera mbrapa shpinës së tij dhe çelësi u rrotullue në dry, Ridvani e pa vetën përfundimisht në birucë, ballë një personi shtatmesatar, që e priste në këmbë e po i ofronte një çehre miqësore. Fytyra e tij e rrumbullakët, pothuaj e tultë, nuk reflektonte asgjë nga ato tregimet që kishte lexue nëpër libra e pa nëpër filma mbi të burgosurit në hetuesi.
Në qeli me një të panjohur…!
Ai ia shtriu dorën dhe ia shtrëngoi të tijën me forcë.
– Simon Ziu! – u prezantue me za të sigurtë.
– Ridvan Myftari! – ia ktheu ky dhe u panë në sy.
Kur zu vend mbi shtratin prej dërrase, mbulue me dy plafa të hollë, të pa push e tanë duhmë, u mbështet për muri. Ma në fund, pati mundësinë të drejtonte shpinën. Mbështetja për muri i pëlqeu e po i ngjante masazhit që herë mbas here i bënte Rozi me ato duar të holla, shprehimisht nazike e të shkathëta. Dhe nxori një ofshamë të butë, çliruese.
– Mirë se na erdhe – i tha Simoni dhe vuri dorën e djathtë në zemër. – Unë jam prej Bregdetit, vazhdoi ai, por me banim mbi dhjetë vjetë në Bushat. Jam një lloj sinteze shqiptare. Po ty, nga të kemi?
– Prej Kosove – iu gjegj Ridvani.
– O, prej Kosove, – thirri ai dhe në fytyrë i’u nde një buzëqeshje e lehtë, – je i pari kosovar i gjallë që takoj, por për vendin tënd kam lexuar e dëgjuar mjaft. Për motive politike?
– Agjitacion-propagandë, ma merr mendja – tha Ridvani.
– Jo për tjetër?!
– Pse, pak të duket?
– Ohh, te neve, kjo figurë krimi është si ajo sëmundja e dikurshme që prekte kryesisht bujarinë e kamur, e cila ishte në gjendje të plotësonte tekat e bacilit.
– Po ti?
-Akuza kundër meje është e rëndë e poshtëruese: më thërrasin këlysh monarko-fashist! – tha me një automatizëm e shpërfillje të ftohtë.
– Grek je?
Ai ndryshoi pamje.
– Ç’grek ore, unë jam pinjoll i fisit të madh Nika, me ngulim të hershëm në Bregdet, thonë madje që para kohës osmane e me rrënjë mirditore. Jemi një varg brezash të ndryshëm që i kemi dhënë shumë Shqipërisë. Por këtyre, kur u leverdisë, të bëjnë edhe bir Venizellosi. E kupton? – pyeti ai tue harku vetullat.
Në këto e sipër u hap sporteli i derës. Në katrorin e tij u shfaq përsëri fytyra e kryerojës, që i drejtoi sytë kah Ridvani.
Pyeti:
– E pin cigaren?
– Po.
– Sa paketa don me t’ble?
– Një.
Kryerojes i lëvizi muskuli në cepin e majtë të mustaqeve.
– Si, – shfryu ai, – do t’bahem unë korrieri yt?! Sot një e mbas nesër një?! O bleji njëherësh e ne t’i ruajmë në vend të sigurt, ose asnjë!
– Mirë, – i’u përgjigj Ridvani, – që të mos ju shqetësoj, gjatë hetuesisë nuk do të tymos aspak.
Kryeroja hapi sytë e gogësiu:
– Hë! – dhe ia përplasi para turinjve sportelin.
Kur u kthye për te vendi i vet, pa Simonin kah po qëndronte në këmbë e me duar të kryqëzuem në parzëm.
– Ridvan, – ndigjoi zanin pëshpëritës të tij, – kujdes me mënyrën se si u përgjigjesh këtyre xhahilëve, se të këpusin në mes për hiçgjë. Edhe kur ngrihesh për të shkuar te sporteli, bëj kujdes të sajosh një ecje e pamje të përvuajtur që të mendojnë se je natyrë e përkulshme. E kanë shumë zët të mbahesh me dinjitet ose me natyrshmërinë e jetës së lirë. E kupton? Për këta, ne jemi kreatura prej plasteline. E, po qe prej Veriut, menjëherë të thonë: “Kujt i shet ti këto bajraktarllëqe”?!
Ridvani po matej t’i hapte rrugë kuvendit me të ngase e preku në një pikë të ndjeshme, kur përsëri u hap sporteli, por tash doli fytyra e njohur madhoshe, me rrathë të irnosur poshtë syve, por që nuk mund ta përcaktoje nëse këta rrathë vinin shkaku i netëve intensive apo i orgjive, që thuhej se i kalonte në fshehtësi. Ishte krye hetuesi Gjoleka, i urryeri i qytetit të vogël verior, i njohur për shakat e tija të trasha.
– Këtu! – thirri me zë të shtjerrun, shoqërue me një lloj gumëzhitje gjoksi.
Ridvani u afrue.
– Erdha të të them se ti vërtet je dënuar, nëntë vjet në mungesë në ato palo gjykata jugosllave, por ne këtu do ta shtojmë edhe një mbi to, në mos e dyfishim.
Mbas habisë së çastit, Ridvani i’a ktheu disi i befasuem:
– Të shohim se çdo të thotë në fund gjyqi.
– Hë, – gjëmoi ai tanë qesëndi, – do të ndodhë kështu si po të them unë! Ne jemi ata që vendosim.
Ridvani heshti.
– Dhe do ta kuptosh se këtu nuk të pi ujë gojëtaria si në ato orët e edukimit në Tale. Kishe gjetë disa çupëlina mendjelehta e disa mësues të qulltë, kurse këtu grosha hahet kokërr më kokërr – tha dhe prej gojës së tij erdh e u përplas mbi fytyrën e Ridvanit një frymë e ngrohtë rakie.
Biseda në qeli me krye hetuesin e rrethit të Lezhës
Ishte kontakti i parë i tij me këtë rul që ecte kujdesshëm mbi fatin e njerëzve, por që kurrë nuk i’a kishte ndigjue zanin. Krye hetuesi kishte trup të pa simetri, me ije të dala si të një gruaje provinciale që s’ban asnjë përpjekje për rregullime, por që punët e veta i kryente në heshtje të padepërtueshme. Para se të instalohej këtu, atij i kishte përspejt nami si hetues i aftë dhe i rrezikshëm që dërgohej prej qendrës për raste të ndërlikueme. Në Durrës kishte rehatu disa marinarë për në kampin e Spaçit, kurse në Dibër një grup tjetër të rinjsh për implikime kufitare – këto zona ishin veçan të bekueme për fantazitë e konspiracioneve – ndaj ardhja e tij në Lezhë i kishte detyrue njerëzit të vrisnin mendjen, se për kend kishte ardhë pikërisht në qytetin e tyre. Lezha në të vërtetë ishte një qytet paqësor e afrues, që lagej prej Drinit e ofronte detin me një plazh pothuaj të virgjër, por që kishte një të metë të madhe, cilësue si blasfemi: manifestimet publike, madje edhe kur rastiste me ardhë ndonjë anëtar Byroje, nuk i shoqëronte me duartrokitje, përveç disa aparatçikëve që mundoheshin me kompensue diçka me zellin e tyre. Dhe që kishte një zotësi fantastike korruptive: me peshk, kofshë viçi e dhurata të vogla shoqërue me humor të lehtë, thyente pararojat e drejtuesve dhe i pajiste me bark të vogël të rrumbullakët si një sferë shalqini. Por deri në ato çaste, Ridvani nuk kishte ndigjue për ndonjë aferë të bujshme. Para gjashtë muajsh vërtetë i’a kishin dënue me 10 vjet privim lirie shokun ma të ngushtë – peng me të pabesë Prizreni – por gjyqi i tij kishte dalë një parodi e çuditshme edhe për naivin ma të madh.
Megjithatë, kur u kthye në vend pati një parandjenjë të rëndë. E trembi energjia instiktive e krye hetuesit dhe ajo bindje e tij për plotfuqishmërinë e vet.
Erdh mbrëmja. Terri jashtë qe dendësue – dritarja e vogël nuk jepte pamjen qoftë edhe të një ylli të vetëm, ndonëse kur zbriti prej “Xhip”-it qiellin e kishte lanë të kthjelltë – ndaj e kishte të pamundur me përcaktue se ç’orë ishte. Bashkëvuajtësi kishte heshtë, ishte mbulue për një sy gjumë, madje filloi me lëshue edhe gërhima të mprehta me tinguj metalikë që ai e kishte fort për iri, kurse llamba e vogël mbi derë që lëshonte dritën e marrtë po i ngjante syrit të keq të përrallave. E megjithatë, si natë e parë që ishte, nuk mund të shahej fort. Fundja, ai kishte lanë përjashta, një herë e mirë, gjithçka që e kishte ngacmue e trazue deri dje: ai nuk do të merrej ma me hijet që endeshin matanë dritares së tij apo që i shtiheshin si të tilla, nuk do të ishte ma i shtërnguem me u lexue nxënësve tekstet e mërzitshme të shkrimtarëve vendas që glorifikonin të tashmen, nuk do detyrohej të siguronte copa të preme revistash për këndin e kuq të klasës ku ishte kujdestar, të lante pjatat e veta apo të dilte në kronin e fshati për t’i shpërla teshat e trupit e çarçafët e shtrojës, të fërgonte vezë me djath a gjizë e të përcillte bukën e misrit me pak raki, e ndonjë thelb hudhre, me përjashtim të netëve kur vendosej që Rozi do të kalonte natën me te dhe ai, në vend të hudhrave, do u vërsulej shkopinjve të vegjël të kanellës si punë deserti. Tashti të gjitha këto do të zëvendësoheshin me parafabrikate burgu: ujë të vakët me pak sheqer të skuqun sa për të zbut hidhësinë, ndonjë supë me zarzavate të pakta a grosh me disa kokrra lojcake që refuzonin me u zanë rob në lugën e tij, apo fletë të kalbura lakre në shëllirën e fortë. Dhe nuk do të ankohej: tekembramja, regjimi i ri i jetës për të cilin kishte ndigjue tregime të shumta, i përligjte të gjitha. E luti gjumin dhe ai i erdh majë gishtave, i lehtë si nji puhi vere, ndoshta pse qe pashit ankthi i netëve të mëparshme, kur gjithçka sugjeronte pasiguri. Dhe i erdh me qeshë kur pa se edhe gjanat ma të imta, ato që nuk i kishin zgjue askujt interes, madje as që kishte dijeni kush për to, kishin qenë ridimensionue në trunin e tij të lodhun e të agjituem.
Kur agoi dita, atë e zgjoi një thirrje e egër, me jeh paksa kërcënues. Megjithatë Ridvani nuk brofi i trembun, ai vetëm ndërroi krah dhe i dha me këmbë dy batanijeve që iu kishin ngatërrue e mezi po i ndante.
– Çou! – ndigjoi të përsëritej thirrja me ton të forcuem e rojës, dhe ai u ngritë pa ditë nëse duhej me marrë qëndrim gatitu apo mund të rrinte lirshëm. Po s’pati nevojë me e zgjatë me këtë hamendje, mbasi roja e mbylli sportelin dhe u largua me hapin e vet kumbues. Kur e ndigjoi përsëri thirrjen e tij në birucën tjetër, me po të njëjtin tonalitet, e kuptoi se qe futë në mengenën e rutinës që nuk dihej se sa do të zgjaste.
Marrja në pyetje prej hetuesit
Nja dy orë mbas mëngjesit, dera u hap dhe kryeroja Mark e njoftoi se po e priste hetuesi. Ai e urdhëroi të zgjaste duart përpara dhe me to mbushi dy hapësirat e hekurave të vjetra, mbetje e kohës italiane. Nuk ia shtrëngoi shumë.
– Kur duart lidhen përpara, për të burgosurin ësht një privilegj – i tha kryeroja me të qeshur të lehtë e të largët.
Ridvani nuk iu gjegj, por shikoi përpara në zbrastinën e korridorit, i bindun se po futej në një përplasje të panjohur e gjithsesi të pabarabartë.
Në dhomën e hetuesit, ku kishte vërshue një diell i qeshun, Ridvani dalloi edhe një person tjetër që e njihte me të pame, por që kurrë nuk kishte pasë rast me mësue diçka ma shumë për të. Ishte kryeprokurori i Lezhës, një prej atyre krijesave që kalonte nëpër rrugët e qytetit me hijen e rëndë të njeriut që ishte në dijeni të shumë intimiteteve të qytetarëve. Ai ishte ul afër dritares, kurse hetuesi kishte zanë vendin rreth tavolinës së punës dhe prej andej e urdhëroi Ridvanin të ulej në stolin e ngjitun me bulona për dysheme. Kryeroja Mark, mbasi ia hoqi hekurat, bashkë me to në dorë, e lëshoi zyrën.
Ra një heshtje e shkurtë dhe e ndeme. Hetuesi dukej sikur po formulonte diçka me vete, kurse kryeprokurori kishte shtri këmbët e ua kishte ngulë sytë majave të këpucëve. Dukej si një shtesë kote e orendive të zyrës. Që të dy këta burra që po e merrnin në dorë çështjen e tij ishin trup vegjël, tepër ezmer, si një tandem me përbetime të fshehta.
– Ja pra, ra lepuri në qerre – e theu heshtjen hetuesi. – I pandehur Ridvan Shaqir Myftari, akuzohesh me nenin 73 të Kodit Penal të RPS të Shqipërisë për agjitacion e propagandë. Ngrihet kjo akuzë mbasi materialet e grumbulluara deri më tani, dëshmojnë katërcipërisht për aktivitetin tënd të vazhdueshëm armiqësor. Kjo seancë i kushtohet kryesisht njohjes tënde me akuzën. Por për lehtësi procedure neve kemi menduar të bëjmë një përjashtim.
Si bani një grimë pushim, nxori prej sirtarit një tufë letra formati, dy lapsa të mprehun mirë dhe i la mbi syprinën e zezë të tavolinës.
– Do t’i marrësh këto letra dhe, si i ngeshëm që je, do të na shkruash për proçesin e transformimit tënd ideologjik e politik. Ne e dimë se ke ardhur nga Jugosllavia si mik i joni – të paktën kështu je paraqitur te neve – por ja ku ke përfunduar.
Pse? Cilat ishin shkaqet? Apo ka motive më të thella që ne nuk i dimë? Dije se në varësi të shkallës së sinqeriteti tënd varet edhe graviteti i fajit tënd dhe lartësia e ndëshkimit që do marrësh nga gjykata jonë popullore.
Hetuesi u ngrit në këmbë dhe ia zgjati letrat, por Ridvani mbeti ndejë e nuk lëvizi vendit.
– Dëgjon? – thirri ai.
Mbas kësaj, edhe Ridvani, u ngrit në këmbë.
– I refuzoj! – tha me zë aspak të ngjirun.
– Si?
– Nuk kam pasë asnjë metamorfozë, jam ai që kam qenë gjithmonë e kudo.
– Ashtu?!
– Po.
– Atëherë e paç vetën më qafë, – i tha hetuesi, – Por s’ka gjë, shpejt do shohim se si do të cicërosh.
– Zotni hetues, nuk jam ndonjë trim, por edhe xhuxh nuk jam. Unë këtu mbroj nderin tim e të prindërve të mij! – ia ktheu Ridvani.
Si i tha këto fjalë, edhe vetë u habit nga shpërthimi i subkoshiencës së tij dhe nuk e deshi veten. E pakta, ai tashti nuk kishte të drejtë t’i referohej të atit, sepse kishte ardh në Shqipni pa vullnetin e tij. Madje, m’sheft tij!
Hetuesi mbeti i shtangun, uli letrat mbi tavolinë dhe shtypi sustën.
Kryeroja hyni në çast, pothuaj me rrëmbim. Dukej se tanë kohës kishte qëndrue mbrapa derës.
– Merre këtë majmun! – e urdhëroi.
Por, kur po e fuste në birucë, kryeroja i fryu te veshi:
– Nuk shtyhet mali me gjoks, or ti!
Simoni e priti me shikim pyetës, por nuk nxori asnji fjalë. Ndoshta e trembi fytyra ende e mërdheztë e Ridvanit. Edhe ky i’u përgjegj me heshtim: qe pendue, madje po i vinte turp për fjalët e fryme që i kishte shqiptue në atë dhomë të mallkueme. Ende po i tingëllonin në vesh fjalët e veta si një emfazë e kotë, boshe, fyle e prej axhamiu. Si nuk i shkoi nëpër mend se ku e kujt po i fliste?! Atyne që ishin regjë në shqemen e torturës njerëzore. Por, mbi të gjitha, i erdh keq që e kishte përmend të atin. Ai e kuptoi vrik se s’kishte pasë të drejtë t’i lëkundte eshtrat e babës në varrin e qet e të panjohur të tij, por zogu tashmë kishte fluturue. Sepse i ati kishte qenë përherë i kujdesshëm ndaj tij, për ma tepër, qysh të vogël, ndër gjashtë djemtë e vet, e kishte veçue si djalin shpresëmadh të moteve pleqnore. Ridvani shkoi e u shtri në vigun e vet prej druni, la mbrapa shpine Simonin dhe u ndodh me vështrim kah ekrani i përhimë i murit. Fryma e të atit, me sa duket, nuk kishte mujtë me durue ma: kishte kapërcye murane e kufij dhe po ia zhvillonte në ekran çastin e ndamjes së tyne, çastin e mashtrimit të tij të madh: Ridvani i ri, me kostum të zi e këmishë të bardhë huazue prej vëllait të madh, këmishë nga ma të shtrenjtat që ishte ble ndonjëherë në familjen e tyne e me këpucë të bame për marak prej tij, i cili, tue ec rrugës qendrore të Pejës, po takohej me të. I ati po vinte me hap të randuem sepse kishte pas nji goditje të lehtë në tru dhe prandaj shkjeponte një fije me këmbën e majtë. Vetë mjeku ishte mjaftue me një këshillë të thjeshtë, të pa-alarm, por me shum kuptim: “Baba juaj do qetësi, prandaj mundohuni t’i siguroni mjedis të gëzueshëm në familje! Kjo ka shumë rëndësi!”
– Për hajr! – i tha ai gjatë këtij takimi të largët e të mjegullt – për ku je nisë kështu, Ridvan djali? Teshat po të rrikan për bukuri.
– Më kanë thirrë prapë në “Rilindje”, më sa duket do ta rifilloj punën.
– Fort mirë. Besoj tash do të jeshë ma i kujdesshëm.
-Patjetër, babë. Jam mbush mend, – ia ktheu Ridvani i filmit, buzagaz e tanë rreshk.
Dhe, meqë do të ndahej prej tij, ishte mundue t’i fiksonte edhe një herë miset e të atit e ti qepte përgjithmonë në kujtesë: vetullat kaleshe të harkueme paksa mbi tëmthat, sytë e vegjël të larmë, supet që kishin fillue me u përkulë e me nxjerrë një farë gunge të lehtë në kurriz, por që ai, atëherë – o, qoftë për atëherë! – nuk kishte dashtë me i lexue si paralajmërim kobi.
Mbas pak, ndërsa po fshinte djersën e ballit, trupi i të atit përsëri qe kthye në frymë e zhdukë shqimit!
Edhe ekrani, sakaq, u kthye në suva të thjeshtë me njolla e ndonjë shkarravitje, imitim testament shpirtnor. Ridvani, mbas kaq e kaq vitesh, qau për herë të parë e thirri me pëshpërimë, i turpnuem e tanë pendesë: Më falë, babë! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016