Nga Esat Myftari
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Debati me majorin për letërsinë ruse dhe plagjiaturën e Krupskajas
– Bukur – thirri Ridvani.
Si e plotësoi formularin për pjesët e tjera, majori e mbylli dosjen dhe i ofroi Ridvanit nji cigare. Ky e mori me dëshirë dhe e pyeti:
– Tarabosh?
– Jo, “Partizani”, sepse ashtë ma i mirë – tha majori.
Kur po merrte me dalë, Ridvani i kërkoi nëse mund ta kishte “Zërin” e asaj dite dhe ndonjë libër derisa të vinin ata të Tiranës për ta marrë. Majori i premtoi se librat do t’i kishte nesër kurse “Zërin” mbas pak minutash.
Ridvanit mezi i’u durue ta hapte gazetën për të cilën kishte ndigjue aq shumë dhe për artikujt që herë mbas here i kishte ndigjue në “Radio Tirana”. U habit me formatin e madh të gazetës që ngjante me atë të “Le monde”-it, por nuk po u besonte syve kur pa që s’kishte ma shumë se katër faqe, ndërkohë që “Rilindja” e tij kishte shkue në gjashtëmbëdhjetë faqe. E ndeu gazetën mbi tavolinë dhe filloi ta shikonte shtyllë mbas shtylle për të pa strukturën dhe ndamjen e rubrikave. Gjaja e parë që konstatoi ishte mungesa e portreteve të protagonistëve të politikës ndërkombëtare si dhe pasqyrimi i saj në faqen e fundit. Prandaj nuk i’ deshën shumë minuta që të merrte vesh se dallimet qenë të mëdha si në dizajnë ashtu dhe përmbajtje dhe se do ta ndjente mungesën e shtypit me të cilin qe rritë qysh i vogël.
Të nesërmen, majori i erdh në dhomë me tre libra në duer dhe i vuni mbi tavolinë.
– I kërkove, ti solla! – i tha.
– Shumë faleminderit – i’a ktheu Ridavni.
Librat ishin: “Reshteri trim, Vollodja”, “Edukimi i rinisë” dhe “Empriokriticizmi”. Meqë libri i Krupskajas ishte ma i holli e i ribotuem rishtaz, e hapi të parin. Por kur lexoi thanjën latine në krye të faqes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, si thanje të Krupskajas, thirri:
– O, jo, kjo asht thanje latine!
Majori u nxeh.
– Ç’thua, ore! Krupskaja plagjiatore?!
– Nuk thashë se asht e tillë, por mendoj se do të jetë ndonji lapsus i përkthyesit!
– E pamundur!
– Kështu të paktën e di un – bani tërheqjen e butë Ridvani.
– Po “Zëri”, si t’u duk?
– Gazetë e fortë – tha Ridvani.
– Doemos, është organ i Partisë.
– Por me pak fletë.
– Natyrisht, sepse ne kursejmë. Mos i shiko jugosllavët që subvencionohen prej Perëndimit. Ne gjithçka e bëjmë me forcat tona.
– Por ama jeni të lirë! – tha Ridvani, i sigurt se do t’i bahej qejfi majorit.
Katër ditë ma vonë erdh prej Tirane nji “Xhip” i madh, i përshtatshëm për rrugë malore dhe e mori shkelsin e kufinint me emnin Ridvan Myftari, kosovarin e trentë që mendonte me e lëvizë nji mal me gjoksin e tij të ngushtë e pa muskuj të zhvilluem gjithaq.
Përfundimet
Mëngjesin e nji dite korriku, roja e njoftoi Ridvanin se mbas pak orësh do të baheshin konkluzionet e bisedimeve disa mujore. Qe vu në dijeni gjithashtu se do të merrte pjesë edhe “i madhi”, nji term që në ato kushte thoshte shum e fjalët e të cilit do të kishin peshën e vulës. Ridvanin e kaploi galdimi, sepse ata shtat muej intensivë bashkëbisedimi e kishin lodhë bukur mirë. Jo vetëm që kishte firue në peshë, por edhe po i pakësohej zelli e freskia mendore. Gjithnji e ma tepër po ndalej për të rilexue tekstet e për të shpeshtue pikëpyetje me mend, sepse ndryshe prej ditëve të para, tashti po mungonin reagimet e tyne. Mbi të gjitha, nuk po e vinin ma në dijeni për zhvillimet në Kosovë.
Vetëm nji herë pati nji ngadhnjim të madh (kështu të paktën e përceptoi Ridvani!) kur pa në gazetën “Zëri” materialet e tija të botueme në faqen e katërt dhe që u transmetue dy herë në ditë: në mengjes e në mbramje. Artikulli që përpilue prej gazetarit të njohun Javer Malo, natyrisht të përziem edhe me ndonji episod tjetër, por kjo qe ba vetëm sa për të humbë gjurmë. Vetë nënkolonel Sakipi i erdhë të nesërmen paradite për vizitë e i tregoi se artikulli kishte pasë jehonë të madhe dhe se atë mbramje rrugët e Pejës qenë zbrazë në orën e transmetimit të tekstit. Ma shum se për veten, Ridvani u ngroh për faktin se shokët e tij do ta kuptonin se shqetësimet e tyne paskan gjetë mirëkuptim në Tiranë. Prandaj, fundi qe kunorizue me nji sukses jo të vogël.
Aty kah ora dhjetë ata erdhën me dy makina: me nji “Xhip”, ku duhej të ishte rangu ma i ulët dhe me nji veturë bojë hini e perde të lëshueme dritaresh me “të madhin” e nënkolonelin. Me ta ndigjue zhurmën e makinave, Ridvani iu afrue dritarës dhe prej mbrapa perdeve të dhomës u hodhi shikimin e vet kureshtar. Ata zbritën të qetë e disi të çinteresuem, pa shkëmbye fjalë midis tyne. Roja hapi me ngadalë derën e dhomës dhe e porositi t’i priste aty, sepse ashtu e donte protokolli. Ridvani tundi kryet në shej pohimi dhe e kuptoi mirëfilli se shkrimet e tija nuk paskan qenë lojë, se me to qe marrë nji shtet, ndryshe nuk shpjegohej angazhimi i aq personave dhe harxhimi i tanë atyne pareve për shkakun e tij.
Biseda në Tiranë me ushtarakët madhorë për gjendjen në Jugosllavi
Të posa-ardhunitë e përshendetën me shumë ngrohtësi. Nënkolonel Sakipi, madje, shfrytëzoi momentin dhe i shkeli lehtë synin, sikur donte me i thanë: më ke këtu! “I madhi”, për të cilin roja i kishte lanë me kuptue se ishte gjeneral, qe nji burrë truphollë, hundë krrutë, me lëkurë të errët e sy shumë të lëvizshëm dhe që paraqitej, në nji farë dore, si mëkambës i ministrit.
Ata u ulën rreth tavolinës së madhe në pesë karriket e përgatituna ma parë. Mbi to qe shtrue nji cohë e trashë me pushë bojërozë, e në mes nji vazo porcelani kinez, me nji tufë drandofilesh të verdhë, këputë në lehen para verandës. Përveç të “madhit”, të tjerët Ridvani i njihte mirë, të paktën për ftyrë, se ata, secili në mënyrën e vet e për landë të caktueme, vinin herë mbas here e merreshin me redaktimin e tyne, para se t’i shtypnin në makinë shkrimi.
Ridvani i njomë e katër eprorët me flokë të ramë ose gjys të zbardhun, dukeshin si në nji mbledhje të pazakontë koncili, ku do të shqyrtonin ndonji problem të ndërlikuem. Ridvanit i banë vend të veçantë përballë “të madhit”. Gjykue simbas kësaj vendosjeje, dukej se biseda kryesore do të zhvillihej vetëm midis tij dhe atij. Shoqnuesit e tij, përfshi edhe nënkolonelin, u mblodhën midis supeve të tyne dhe po ndigjonin në heshtje. Ridvanit i kishte takue me të rrallë me marrë pjesë në takime të këtilla eprorësh edhe në Prishtinë, natyrisht në cilësinë e gazetarit fillestar, pra pa pjesëmarrje aktive. Por, edhe kur trajtoheshin tema shum serioze atje, me të rrallë kishe ndërhymje të lehta e të shkujdesuna për të lehtësue atmosferën, kurse këtu gjithçka po zhvillohej në nji farë rregulli e hipër-disipline të çuditshme.
– I kam lexuar me vëmendje materialet tuaja, filloi “i madhi”, dhe përgjithësisht jemi të kënaqur e mirënjohës për to. Ke dhënë një pasqyrë panoramike por edhe analitike e të përditësuar për gjendjen në Kosovë dhe në Jugosllavi. Për më tepër, ke shpjeguar me korrektesë disa gjëra që ne i kishim jo fort të qarta. Ndoshta si pak kush nga emigrantët kosovarë. E çmojmë mbi të gjitha seriozitetin dhe sinqeritetin tënd, mbrapa të cilave fshihet puna dhe përkushtimi i yt. Besoj se edhe kolegët e mij që janë këtu, do t’i kenë përcjell, sipas rasteve, vlerësimet tona. Ata lëvizën me kry në shej pohimi, ndonji madje edhe qeshi me përzmërsi. Por, kuptohet, vazhdoi ai, kemi edhe disa vërejtje që sot do t’i shpreh në mënyrën më dashamirëse por edhe të hapët. Së pari, nga pikëpamja organizative: format, për të cilat bën fjalë ti, na duken pak arkaike e të zbërthyeshme pa mundime.
Së dyti, nga pikëpamja e vlerësimit të situatës, ju na e bini luftën si shumë afër e të domosdoshme. Pra, përgjithësisht, ka nji alarm që neve na duket i pa argumentuar! Por a e dini se ç’do të thotë kjo konkretisht?! Shkurt: t’ia fusësh flakën edhe Kosovës edhe Shqipërisë! Së treti, do të thosha se ka edhe një mungesë studimi të rrethanave ndërkombëtare nëpër të cilat po kalojmë. Ti e kupton, besoj, se ne tani jemi futur në një epokë të re!
Ridvani nuk i priste këto vërejtje kaq të vona, pavarësisht se sa ishin të vërteta. I trazuem përbrenda, pa nga oficerët e tjerë rreth tavolinës, por nuk dalloi ndonji emocion rasti në ftyrat e tyne. Nuk po u lëvizte asnji muskul. Ngjanin me lojtarë pokeri! Edhe nënkoloneli kishte ulë shikimin mbi pëllambët e tij leshtore e s’po bante ver me gojë. Atëherë Ridvani mori zemër e ia ktheu fishekun:
– Prandaj ne nuk bamë veprime materiale pa u këshillue me ju. Po flas për kohën sa isha atje. Por, ama, nji lajm e meritonim prej jush meqë kishim dërgue dy njerëz e në kohë të ndryshme për ket qëllim.
Zhgënjimi i Ridvanit…?!
Në vend të përgjigjes, ai ia lëshoi mizën e dytë:
– Ishit të sigurt se nuk keni pasë infiltrime?
-Dorën nuk e ve në zjarr, – i’u përgjigj pa intonim Ridvani, – Fundja, ka alamet shtete, me gjithë ato institucione sigurije, që bijnë viktima të aferave të tilla. Por, nëse ju keni pasë dijeni, asht dashtë me na sinjalizue.
– Dyshimi është kërkesa e parë e sigurisë – ia ktheu “i madhi” me gaz të lehtë në buzë. Por, ne po flasim për gjasa, jo për njerëz konkretë. Ka dhe nji diçka tjetër: në shkrimet tueja, ti i ke mëshuar si shumë faktit që grupi juaj, në pjesën e tij më të madhe, përbëhet prej personash me prindër ose të afërm të pushkatuar. Mos mban kjo erë sektarizëm?
– Jo – tha Ridvani – sepse nuk ka pasë kusht të tillë. Nga ana tjetër, sikurse e dini, gjithçka asht ba mbi baza vullnetare.
– Këta prindër të tyre të pushkatuar, mos ishin bashkëpunëtorë me gjermanët? Nuk po flas detyrimisht të njësive ndëshkuese, por si rekrutim nëpër lista, qofshin ato edhe të vdekura.
Ridvani nuk po u besonte veshëve. Vallë përse kishte ardhë ky sot? Për t’i relativizue burgimet në Kosovë? E kuptoi se duhej t’i përgjigjej troç:
– Ata u pushkatuen jo pse ishin me gjermanët, por pse ishin për Kosovën shqiptare!
“I madhi” u thartue në ftyrë.
– Po literatura që përdorni, mos është e dyshimtë? – vazhdoi ai me serinë e sulmeve.
– Mendoj se jo. Përkundrazi, asht nji letërsi që neve na mungonte. Me faktet dhe formulimet e tyne ne i kemi afrue njerëzit dhe u jemi kundërvu serbëve pushtues. Nuk jemi nda keq. Flas për gjykimin dhe shijen tonë të atjeshme. Ne kaq na pëlqenin ato libra sa fragmente të tana i mësonim përmendësh.
– Por autorët që ju i cilësoni si të parapëlqyer e të traditës, e pashë listën që kishe bërë, ne i kemi kaluar nëpër procese gjyqësore dhe ata kanë vuajtur dënimet e tyre. – tha dhe qeshi me t’madhe, sikur po nxirrte prej gjoksti nji afsh kënaqësije.
– Mundet, por ne nuk e dinim! – pohoi thatë Ridvani.
-Të besoj dhe të mirëkuptoj! Si shumë të kishin pëlqye “Raca shqiptare” dhe “Kosova – djep i shqiptarizmit”. Por, mos të vijë keq, ata ishin copë racistash, nën ndikimin e ideologjisë gjermane!
Ridvanit po i shkonin mornicat në kurriz.
– E lexova në “Zërin”, komentin e djeshëm për arrestimet në Kosovë – tha Ridvani, ma tepër si kontrapunkt.
– Ishin katër prej shokëve tuej, apo jo?
– Po, katër, me sa thuhej aty!
– Ne nuk u befasuem gjithaq, megjithëse kishim nji farë shprese se përmasat nuk do të ishin të tilla – spjegoi ai.
– As unë – tha Ridvani.
– Por në fakt, – vazhdoi “i madhi” – s’ka si të ishte ndryshe, sepse manifestimet masive e të egra, kanë çmimin e tyre. Ishte hera e parë që Kosova përuronte nji reagim të këtillë kolektiv dhe që e mbështeti atë guximshëm në sallat e gjyqeve. Për këtë ata, shokët e tu, meritojnë përgëzime dhe ishte nji sukses kolosal për të gjithë ne. Ato gjygje bënë bujë të madhe në mbarë Kosovën. Por opinioni publik është i ndarë më dysh: njëra palë mendojnë se nga mungesa e përvojës kanë rënë në kurthin e shërbimeve sekrete jugosllave; pala tjetër mendojnë se në organizimin dhe drejtimim e tyre kanë pasë gisht organet tona dhe se mbas zbulimit të tyne ne i paskemi lënë në baltë. Por sipas analizës tonë – këtë po ta themi pa doreza – një pjesë e mirë e gabimit në të vërtetë u takon juve, sepse jeni vet ekspozuar si shumë, sikundër e ke pohuar edhe vetë ne njenin prej shkrimeve tueja. Sidoqoftë, gjëja më e bukur e këtyne proceseve ka qenë trimëria dhe mbrojtja e hapur e kauzës nga ana e të pandehurve. Veç kësaj, duhet shënuar edhe një sukses i madh politik: spikatja e Adem Demaçit si figura qendrore e gjithë kësaj lëvizjeje, çka do të thotë se tash e mbas lëvizja ka një lider. Në të gjitha teoritë revolucionare kristalizimi i nji lideri shënon pikënisjen e suksesit. Natyrisht, këto janë përshtypje që burojnë nga shtypi i atjeshëm dhe që përkojnë me burimet tona. Dakord?
Biseda për Adem Demaçin dhe romanin e tij, “Gjarpërinjtë e gjakut”
– Përveç romanit të tij, “Gjarpijt e gjakut”, Ademin, personalisht, nuk e njoh. Sa i përket dobësive tona, mendoj se ato kanë qenë të pashmangshme, por, e përsëris, po të kishte qenë ndërhyrja e shpejtë, disa gjana ndoshta edhe mund të shpëtoheshin. Fjala vjen, unë deri më sot nuk kam marrë ndonjë përgjigje prej jush në pyetjen se si shkoi puna e ndërlidhjes me ta me anë të parrullave të deponueme këtu.
Mbasi kjo pjesë e fundit i përkiste nënkolonel Sakipit, ai iu drejtue Ridvanit:
– Pa dyshim që kërkesa asht çue në vend.
Por në zanin e nënkolonelit nuk kishte siguri, gja që nuk i shpëtoi Ridvanit pa e vu re.
“I madhi”, nga dëshira për të mos e zgjatë ma tej ket diskutim, i bani pyetjen tjetër edhe ma të çuditshme e të pa takt:
– Sipas teje, si duhet të veprojmë tash e mbas me grupin tuaj?
Ridvani, me supe paksa të lëshueme, u përgjegj avash e me zymti:
– Si po e shihni, unë, tashma, jam jashtë zhvillimeve.
– Të shof ca të mërzitur, por këto punë kështu e kanë, i dashur Ridvan. Vërtetë mund të pasojë nji periudhë pushimi, ri konsolidimi, por unë mendoj se ti nuk do të jesh më asnjëherë jashtë zhvillimeve të këtilla. E gjithë jeta jote do të jetë në shenjën e këtyre ngjarjeve. Gjatë këtij pushimi sigurisht që ti do të shkosh për studime për aftësimin tënd të mëtejmë, por përsëri, nji ditë, do të jesh i nevojshëm për Kosovën. Ky është mendimi ynë kolektiv.
– Kisha shpresë për ndryshe! – tha me za pothuej të shuem Ridvani.
– Lufta do të jetë e gjatë dhe ne s’guxojmë të lodhemi. O, sa situata të këtilla që kemi pasë gjatë luftës, por kurrë nuk u përkulëm ndaj dhe fituam mbi armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm.
Me këtë krahasim disi përdhunues, Ridvani e kuptoi se nuk i kishte mbetë tjetër veçse me iu kthye guackës së vet. Kurr nuk e kishte mendue se kjo do të ndodhte kaq shpejt. E pa se i kishin mbarrue rezervat dhe se rrokullisja që kishte ndodhë në Kosovë e çonte drejt nji shtegu të ri, të pashkelun e të pandriçuem ende. Pati kujtue se ishte zot i rezervës së vet, por, tash e mbas, iu tha kjartë e brutalisht, se ajo i takonte urithëve operativë që do të ndrroheshin sipas nevojave ciklike dhe se gjithçka me ato materiale do të bahej mbrapa krahve të tij, krejtësisht pa dijeninë e tij. Por kuptoi edhe nji diçka tjetër, të paimagjinueshme e tepër lënduese: se mbrenda vetë grupit të oficerëve e zyrtarëve të tjerë që ishin marrë me të drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbrapa perdes, përgjatë shtat-tetë muejve të qëndrimit aty, kishte qenë i paranishme mozaiku krahinor e ndopak fetar në raport me të.
Me këtë litani të ftohtë edhe u mbyll biseda. Oficerët u çuen njeni mbas tjetrit dhe dolën prej dhomës me keqardhje për gjendjen e këtij djaloshi kosovar që po e shikonte fundin kaq zemërthyes të utopisë së tij, të cilin po e shfaqte me tanë pamjen e vet.
Sigurisht që asnjeni s’deshi të ishte në lëkurën e tij.
Mbas nja tre orësh, në mjediset e vilës, nënkolonel Sakipi shtroi nji drekë të begatë për nder të largimit të tij të shpejt dhe mbylljes së këtyne bashkëbisedimeve. Ishin vetëm për vetëm. Nënkoloneli po merrej vetë me shtrimin e tavolinës, nuk la ta ndihmonte as roja e vilës. Sot Ridvani asht mysafiri im ekskluziv, i tha. Kurse Ridvani po rrinte si mbi therra: ende nuk po pajtohej me faktin që gjatë gjithë bisedës në tavolinë, ai nuk kishte ndërhy me asnji fjalë zbutëse a korrigjuese ndaj të madhit.
Kur u shtruen në tryezë, nënkoloneli i tha rojës të shkonte në dhomën e vet dhe të dukej vetëm kur të mbaronte dreka. Vetë e kishte hapë radion dhe kishte zgjedhë nji simfoni meqë, sikurse tha ai, “muzika e saj asht difuze, kështu që mbushë butë e butë hapsinën, por edhe mbyllë shumë vrima, madje edhe ato shumë të voglat”.
Qeshi idhët dhe befas thirri:
– Mirë se na erdhe, Pejë!
– Mirë se ju gjeta, Plavë!
I tokën gotat me venë të kuqe.
– Sot më pëlqeve në mënyrë të veçantë. Ishe i matun, i sakt dhe, besa, trim!
– Falemiderit, por asnjeni prej jush nuk tha ndonji mendim.
– Që të mos i shkokëlojmë këto punë, po ta citoj përkufizimin e nji biogarfi francez për Demonstrohenin. Ai thotë: Demosteni ishte i madh kur mësoi me folë, por u ba i pakapërcyeshëm kur mësoi me heshtë!
Ridvanit i ngjiti në çast aluzioni. Gjithë qenja i qe eçtue për nji ngushllim, ndaj, pa e kuptue, e çoi me rrëmbim gotën e venës dhe e thau me fund. Gogësiu pak e i dolën do stërpikë buzëve, por shpejt i fshiu me picetë, ama përmbrenda ndjeu nji lirim të madh e nji lloj shpagimi për ofendimet e tavolinës së bisedimeve. Dreka vazhdoi edhe pak kohë – gotat u mbushën e u zbrazën edhe dy-tre here të tjera, por mandej ra sipari dhe Ridvani u këputë si thes mbi tavolinë.
Kur në darkë vonë i doli gjumi, pa se ishte në krevat dhe se goja i mbante erë thartinë. Pranë shtratit pa rojën ulë në karrike që po i rrinte te kryet, me ftyrë të brengosun.
– Çka më paska ndodhë? – pyeti Ridvani e zani i doli gërvishtës.
– Pive shumë.
– Bana ndonji gjest të papëlqyeshëm?
– Jo, gjeste nuk bane, por fole mjaft!
– Fola?!
– Si nji orator!
– E përse paskam folë?
– Nuk e di, se isha në dhomën tjetër.
– Hiç, asgja nuk të kapi veshi?
– Mbaj mend vetëm se ke përsërit dy-tre herë me za të naltë: ju nuk e doni Kosovën!
– Aha – ia bani Ridvani.
-Mos u shqetëso, fundja ishe vetëm me nënkolone lin.
– Asht hera e dytë që e humbi kështu vetën në pije. Kjo më ka ndodh edhe nji here në Pejë në dasmën e nji kushërini, por atëherë e kishte fajin daja se pati ngulë kambë që ta shoqnoja.
– Atëherë, po të isha në vendin tand, kurr ma nuk i kisha shti në gojë pijet alkoolike! – e këshilloi ai.
– Ke të drejtë – pranoi Ridvani – Kurr ma!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016