Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumentin me siglën “Tepër Sekret të vitit 1962, ku kryetari i Shoqërisë Komisionarë, Vangjel Pecani, informon Enver Hoxhën lidhur me pasurinë përrallore të Vangjel e Kostandin Zhapës, si dhe mënyrën se si mund të përfitohej ajo nëpërmjet trashëgimtarëve të tyre që ishin në Shqipëri. Si dhe frikën që kishte udhëheqja e lartë e Tiranës lidhur me tentativat për përvetësimin e asaj pasurie, ku ndërmjet të tjerash ne raportin sekret, thuhej: Ka rrezik, se në qoftë se do të zvarritet çështja dhe do të bëhet bisedë e lirë kudo ky problem i kësaj pasurie, si dhe mendimet e tyre personale, mund të bjer në vesh të Legatës turke në Tiranë para kohe dhe që nga ana e tyre mund të merren masa para se neve të fillojmë nga veprimi dhe kur ne ta kemi mbaruar punë, do të mund të ndodhemi para ndonjë fakti që do të na duhet kohë për ta sqaruar”.
Ashtu siç është e njohur tashmë, që me ardhjen e tij në pushtet në nëntorin e vitit 1944, qeveria komuniste e e Tiranës kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, filloj sekuestrimet e shtetëzimin e pasurive e pronave të paluajtshme të mjaft shtetasve të saj, si dhe atyre të huajve që mbarimi i luftës i gjeti në Shqipëri, si vila, shtëpi banimi, toka, ferma, punishte, miniera etj etj. Gjë e cila e “ecte paralel” me ligjin “Mbi tatimin e luftës”, ku të gjithë tregtarët dhe shtresa e pasur e shoqërisë shqiptare, u detyrua që të paguante shuma të mëdha parash, nën akuzën se ata “ishin pasuruar padrejtësisht në kohë lufte, në kurrizin e popullit”?! Ata tregtarë apo familje të pasura që nuk pranonin të paguanin “tatimin mbi fitimin e luftës”, përfunduan burgjeve e internimeve, ndërsa disa të tjerë që nuk tregonin se ku e kishin fshehur floririn, i vdiqën në tortura ne qelitë e errtë të Sigurimit të Shtetit. Kësaj “reforme” siç e konsideronte qeveria komuniste e Tiranës, disa vjet më vonë ia shtua edhe ajo e “ndërrimit të monedhës”, e cila bëri që mjaft nga tregtarët apo të pasurit e asaj kohe, të nxirrnin dhe dorëzonin paratë e tyre, pasi në rast të kundërt ato nuk kishin me vlerë?! Pas kësaj grabitje në masë që iu bëri qeveria komuniste e Tiranës shtetasve të saj, që nga fillimi i viteve ’50-të e në vazhdim, me anë të Shoqërisë Komisionare, Tirana zyrtare filloi të interesohej për pasuritë e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, kudo ata i dispononin nëpër shtete të ndryshme të botës. Gjë e cila bëri që mjaft nga familjet e njohura shqiptare që dispononin mjaft prona të paluajtshme jashtë, si; Vangjel Manushi, Vllazën Dabërdaku, Mediha Libohova, Enver Libohova, Ihsan Libohova, Ismail Tartari, Behire Vila, Vllazën Gurashi, Leka, Ali Hasho, Emine Shaska etj., të lëshonin prokura dhe ato të shkonin në favor të shtetit shqiptar, i cili me anë të Shoqërisë Komisionare, i shiste ato, apo i jepte me qera. Dhe si rezultat, vetëm nga sekuestrimi e shtetëzimi i pronave të familjeve të lart përmendura, shteti shqiptar përfitoi vetëm në vitin 1961, plot 1 milion e 276.000 mijë dollarë. Pas kësaj, “oreksi” i qeverisë shqiptare u rrit ndjeshëm dhe po në atë vit, filloi tentativa e saj, për përftimin e pasurisë së vëllezërve Vangjel dhe Kostandin Zhapa, pasuri e cila ishte e shtrirë në disa shtete, si Rumani, Greqia dhe Turqia. Pasuri e cila edhe sipas raportit sekret të kryetarit të Shoqërisë Komisionare, Vangjel Pecani, ishte bërë “mollë sherri” midis këtyre tre shteteve që para vitit 1900?! Lidhur me këto dhe tentativa e shtetit shqiptar, për të manipuluar trashëgimtarët e Zhapajve të famshëm me origjinë nga Labova e Zhapës, në Gjirokastër, të cilët jetonin në Shqipëri, na njeh ky dokument arkivor që publikohet për memorie.al në faqet e të cilit ku Enver Hoxha ka vënë dhe shënimin e tij?!
SHOQERIA KOMISIONARIA TEPER SEKRET
Tiranë, më 10.XI.1961
Landa: MBI PASURINE E ZHAPAJVE NE TURQI
Kjo pasuri ndodhet në Stamboll, Turqi. Një pjesë e mirë e trashëgimtarëve të kësaj pasurie të konsiderueshme ndodhen në vendin tonë dhe një pjesë në Greqi. Si mbas të thënave kjo mund të jetë në miliona dollarë si pasuri e tundshme dhe e patundshme.
Duke qenë kështu, kjo ka kaluar karakterin privat, mbi interesimin rreth t’ardhurave dhe gjithmonë ka qenë problem politik midis Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë.
Trashëgimtarët janë Vangjel dhe Konstandin Zhapa nga Labova e Gjirokastrës, të cilët nga të varfër, në një mënyrë ose në një tjetër, arritën të bëhen milionerë, të vdesin të pa martuar, bile dhe njëri i çmendur. Kjo ka ndodhur gati 100 vjet më parë.
Qeveria Greke që ka përfituar gjithmonë më anë të fesë, njërit prej këtyre i ka marrë një testament sekret dhe me atë del trashëgimtare. Ky ka qenë objekt diskutimesh midis Rumanisë dhe Greqisë, pse dhe Rumania pretendonte duke i quajtur qytetarë të sajë. Arriti puna deri aty, sa këto dy shtete të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike midis tyre aty nga viti 1900.
Më 1896, gjykata e shkallës së dytë e Rumanisë, mbas 20 vjet seancash ka hedhur poshtë si pretendimet e Rumanisë, ashtu dhe ato të Greqisë dhe gjithë pasurinë ja kaloj trashëgimtarëve.
Emrat e trashëgimtarëve përmenden në vendimin e gjyqit. Shumica e pasardhësve të tyre janë në vendin tonë dhe arrijnë të jenë nja 60 persona. Deri para luftës këta merrnin nga njëfarë të ardhure, ndërsa mbas luftës këto u ndërprenë dhe vuri dorë përsëri qeveria turke dhe greke.
Më 1956, në grindjet politike midis Turqisë dhe Greqisë doli dhe çështja e kësaj pasurie dhe se kush do të vinte dorë mbi të. Bashkia e Stambollit, ku ndodhet kjo pasuri, doli me një vendim që të mos e prek kush për një kohë prej dhjetë vjetësh dhe e la në administrimin e Patriakanës, me konditë që në rast se brenda kësaj kohe nuk do të dilnin trashëgimtarë, kjo i mbetet Patriakanës.
Duke qenë se ne kemi në dorë:
- Vendimin e gjykatës së Rumanisë, që përcakton trashëgimtarët dhe këto ndodhen shumica në Shqipëri:
- Dokumentet bankare, në sasi të vogla, por që ne mendojmë se janë të mjafta, që trashëgimtarët kanë të ardhura prej kësaj pasurie:
- Të dhënë ku Vangjel dhe Kostandin Zhapa kanë lënë pare për të martuar tre vajza nga katundi i tyre:
- Busti i Vangjel Zhapës, ka qenë ngritur në fshatin e tyre për kujtim të tij dhe se ky katund është shqiptar, nuk dinë fare greqisht, rrëzon pretendimin se ata kanë qenë grekë etj.
Të gjitha këto ne i kemi mbledhur dhe në bazë të tyre për të ndalur në emër të trashëgimtarëve kemi përgatitur:
- Aktin e trashëgimtarëve.
- Prokurën e përgjithshme.
Nga ana tjetër, nëpërmjet Legatës, kemi gjetur dhe një zyrë avokatore me influencë në qarqet qeveritare turke, e cila zyrë avokatore, ka qenë e interesuar që më parë rreth pasurisë së Zhapajve dhe trashëgimtarëve të saj.
Duke qenë të përgatitur kështu, kemi ftuar të interesuarit të kryejnë formalitetet, pa asnjë shpenzim nga ana e tyre, dhe të firmosin prokurën që kishim përgatitur ne, se Komisionarë.
Prokura është e përgjithshme dhe me të drejta të plota, për administrim, depozitim të hollash dhe deri në shitje, të lëna si zakonisht kur bëhen prokura për Turqi (në këtë rast), Sekretarit të Dytë të Legatës, shokut Lik Seiti. Të gjithë prokurat që ne i dërgojmë jashtë shtetit, i përpilojmë me këtë përmbajtje me qëllim për lehtësi pune.
Për arsye se prokura ka edhe të drejtën e shitjes dhe të depozitimit të të hollave, dhe duke dyshuar se gjithçka mund të ndodhë kur këto i besohen një personi të vetëm, qytetarët Irakli Noçka, Sofokli Papajani, Qirjako Harito, Vangjel dhe Minella Karajani, dhe disa persona të tjerë, (gjithsej 18 veta), të influencuar prej këtyre refuzojnë që t’a nënshkruajnë prokurën.
Shumica e tyre, 42 veta, kanë pranuar ta nënshkruajnë pa vënë asnjë konditë dhe me besim të plotë.
Arsyet e hartimit të prokurës në këtë formë janë:
- Duke e parë nga zhvillimi i ngjarjeve rreth kësaj pasurie se ka qenë problem qeverish dhe jo personash, përfaqësuesi jonë në këtë rast është nëpunësi i Legatës tonë-nuk mund të luftojë pa mos qenë i plotfuqishëm.
- Në rast se mungon plotfuqishmëria gjyqet burokratike trashëguese të Turqisë ose nga nxitja e pretendueseve, mund të kërkohen që të paraqiten trashëgimtarët para gjyqit. Kjo, sipas mendimit tonë, do të jetë shumë e vështirë për neve. Ne mendojmë se edhe sikur të duam t’i dërgojmë, mjafton që për disa prej tyre të mos lejojë qeveria turke, çështja mund të zvarritet me vite dhe si konsekuencë ka rrezik të përfundojë në disfavorin tonë.
Shembull të kësaj natyre, të luftës ekonomike-politike, ne po i jetojmë në praktikën e përditshme të punës sonë me SHBA, Egjiptin, Turqinë, Italinë, etj, të cilat jo vetëm kanë vënë ligje te rënda për sa i takon nxjerrjes së valutës, sidomos për vendin tonë, por është kërkuar edhe personi fizik që të dalë para gjyqit ose të tërheqë të hollat mbasi, thonë ata, shteti i detyron trashëgimtarët për lehtësim prokurash dhe nuk ua dorëzon paratë etj.
Kundrejt një lufte të tillë, neve na duhet të nxjerrim metoda të ndryshme pune për sigurimin e valutës, të cilat dhe na kushtojnë mjaftë.
- Duke marrë parasysh, se një numër i mjaft trashëgimtarëve janë në moshë të kaluar dhe mund të vdesin, duam që t’i ruhemi formaliteteve të mëvonshme të trashëgimisë, të cilat mund të komplikojnë më shumë çështjen dhe na sjellin ngatërresa të brendshme, duke i dhënë njëkohësisht palës tjetër kohë dhe materiale që mund të dëmtojnë interesat tona.
- Nga ana e trashëgimtarëve ka një pretendim, i cili neve na duket praktik, të cilët thonë që të krijohet nga radhët e tyre një komision prej katër pesë vetash, që të shkojë në Stamboll për të ndjekur çështjen aty deri sa të marrë fund. Ne nuk jemi dakord me një mendim të tillë, duke marrë parasysh harxhimin valutës dhe sidomos për një çështje që s’ka filluar akoma, që paraqitet kaq e komplikuar si për jashtë shtetit, ashtu si dhe vetë trashëgimtarëve këtu.
Ne jemi të mendimit, se shokët Papajani, Noçka, Karajani, dhe të tjerë, nuk duhet të shikojnë çështjen me një sy të tillë.
Ka rrezik, se në qoftë se do të zvarritet çështja dhe do të bëhet bisedë e lirë kudo ky problem i kësaj pasurie, si dhe mendimet e tyre personale, mund të bjer në vesh të Legatës turke në Tiranë para kohe dhe që nga ana e tyre mund të merren masa para se neve të fillojmë nga veprimi dhe kur ne ta kemi mbaruar punë, do të mund të ndodhemi para ndonjë fakti që do të na duhet kohë për ta sqaruar.
SHOQERIA KOMISIONARIA
KRYETARI
(Vangjel Pecani)
…………………………………………………………………………………………………………………………………………..
Shënimi i Enver Hoxhës (Dakord)
Ta shikoj shoku Enver
Unë do të isha i mendimit që sh. Abdyl Këllezi të thërras Q. Hariton, S. Papajanin, vëllezërit Karajani, etj për të biseduar dhe për t’i bindur që të lëshojnë prokurë të përgjithshme për trajtimin e pasurisë së Zhapajve.
Vangjel Pecani
19.XI.1962
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Sh. Pjetër
Me sa na njoftuan të gjithë kanë nënshkruar prokurën. Ndiqeni me kujdes.
…….Iljazi
Të na njoftojnë se çfarë po bëhet/Memorie.al
P……
6.12.961
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016