Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon letrën e Mehmet Shehut të datës 9 gushtit 1949, ku ai nëpërmjet nënkolonel Beqir Ndout, Drejtorit Politik të Ushtrisë, informon Enver Hoxhën mbi nisjen e operacionit në Mirditë, pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba. Si dhe kujtimet e Nikoll Mëlyshit, një nga eksponentët kryesorë të rezistencës antikomuniste në vitet e para të pasluftës (personazhit real të filmit “Operacioni Zjarri”) për masakrën e Mirditës, të botuara në 1976-ën në Detroit të SHBA-së, ku ishte si emigrant politik
Kujtimet e Nikoll Mëlyshit të botuara në 1976-ën SHBA
BARDHOK BIBA NE MIRDITE
Bardhok Biba, qi rrjedh prej një fisi të Kapedanëve të Mirditës, patë vazhdue shkollën e mesme në gjimnazin e Shkodrës, por mbas dy vjetësh e patën përjashtue për sjellje të këqija. Ma vonë, me ndërmjetësinë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, kje pranue në Shkollën Teknike të Tiranës, ku më aty u filtrue pak në doktrinën komuniste.
Ky edhe këtë shkollë e la në mes pa e krye, dhe filloj tuj shëtit der më derë nëpër popull, kundër vullnetit të babës dhe vëllaut të madh të tij, tue folun nëpër popullin e Mirditës fjalë të bukura komuniste mbi përmirësimin e jetës së popullit. Populli i Mirditës, megjithëqë i pashkollë e kishte kuptue se Bardhoku ishte tuj ba propagandë komuniste, por mbasi ishte prej fisit të Kapedanëve dhe vetëm ai ishte në krejt bajrakët e Mirditës, e nuk kishte tjetër n’atë kohë dhe se ai djal i ri nuk mund të bahet i rrezikshëm në t’ardhmen, e bante edhe me qederë.
Kur Bardhoku u ba 28 vjeç, u takua me komunistët e Tiranës dhe u ba komunist i betue. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, qarkullonte prapë nëpër katunde Mirditë e Kthellë, tuj u përpjek me shtij helmin komunist në popull, por prap nuk ja vente kush rëndësinë dhe s’kishte mujt me ba kërkënd me veti, e bile populli i atyne krahinave filloj tuj e përbuz dhe ja nepshin nji grim buk si qenit. Shpesh herë e kan pasë në dor autoritetet e vendit me e kap e me e zhduk nga jeta, por prap e kanë lanë se është i fisit të Kapedanit. Kështu Bardhoku përfitoj prej rasteve dhe kur komunizmi i ardhun nga Shqipnria e Jugut, Bardhoku i doli përpara Mehmet Shehut në Lurë dhe Mehmet Shehu, me formë propagandë, për t’i mbushë mendjen popullit, i qetë përpara një toge partizanësh dhe e pret me për nder armët, tue i thanë popullit se ky asht i kushërini i Kapedanit të Mirditës, dhe kur hyni komunizmi në Mirditë, Bardhoku u paraqit si ma i madhi i asaj krahine.
Bardhoku ka pas disa cilësina të veçanta; në popull gjithmonë paraqitej gjakftohtë, tregohej shumë i urtë, i ambël në bisedim, shumë i sgjutë, njeri miklues sa qi me ta pi gjakun me pambuk; punët i bante të mbulueme, tue hjedh gurin dhe tue mësheh dorën, me qëllim që fajet t’ua ngarkonte komunistave jugorë të Mirditës.
Bardhoku kryesonte nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe kishte fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia kishte dhanë me letër të bardhë Mehmet Shehu për ekzekutimin e urdhnave të tij. Me dhelpni e kopili i rrente disa të rinj e prej tyre përfitonte për çështje zbulimi, mbi lëvizjet e kundërshtarëve të vendit. Parashihej se ai do të shtinte në dorë rininë e Mirditës dhe Kthellës. Një pjesë e popullit nuk i kuptonte ende të zezat e Bardhok Bibës, e mendojshin se asht ashtu siç tregohej para tyne dhe se gjoja ai po i pshtonte disa njerëz nga litari prej rrezikut të vdekjes, sepse ashtu ishte metoda komuniste që zhvillonte ky tip në popull. Masa e populli, sidomos rinia, nuk kishte mbërrit ende me e kuptue se ai ishte xhelati që u kishte pi gjakun e sa qindra bashkëvëllezërve të vet në rajonin e Mirditës e të Kthellës, tue pushkatue njerëz të pa procese dhe pa gjyqe, burgime, rrahje shtazore, internime, grabitje dhe zhdukjen e moralit malësuer, tue mobilizue vajza dhe gra të reja nëpër brigade punët. E komunistët për të zhdukë doket dhe zakonet e vendit, i dërgojshin të rejat katundare të zeza me ba këngë dhe valle në çdo orë pushimi dhe për ma keq dhe zi, komisari i puntoris, caktonte një burrë dhe një grue si në punë ashtu dhe në banesë…?! E sa të tjera këso lloj punësh të zezash. Në të tilla raste, Bardhok Biba dërgonte dhe gruan e vet, Mrikën, për me u duk para popullit i sinqertë. Të gjitha këto mënyrë të shkatërrimit moral, zbatoheshin me urdhër e firmë të Bardhok Bibës. Bardhoku vazhdonte me metodat e veta; gjithmonë masakrimet në popull me urdhër të kasapëve të kuq të Tiranës, sepse populli i krahinave tona ishte konsiderue prej Hoxhës dhe Shehut, një popull fajtor?! Dhe si të tillë të pabindun, e kishin dënue gjithë popullin mbarë. Në anë tjetër, Bardhok Bibës, kur i paraqitej rasti bante edhe hakmarrjet e veta personale dhe nuk mundi me ja korigjue kush. Kështu që i shpërvoli krahët dhe i zhyti në gjakun e pastër të vllazëneve të vet të pafajshëm, për me fitue mirbesimin prej Partisë dhe për të qenë anëtar i Komitetit Qëndror të krye kasapëve të Tiranës, e me sigurue pozitat e veta si kryetar i Komitetit të Partisë Komuniste në Mirditë e Kthellë, deputet i krahinës dhe me gradën Kapiten i Sigurimit në Mirditë.
Megjithëse në një situatë të vështirë, Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Ndue Mëlyshi, bashkë me shokët e tyne, me shumë vuajtje dhe sakrifica, mundën me ba një mbledhje për të gjithë luftëtarët e malit të Mirditës, të Kthellës dhe të Lezhës më datën 1 korrik 1949 në Shqopën e Munellës-Mirditë. Në këtë mbledhje muerën pjesë si kryetar çetash; Ndue Bajraktari, Mark Dod Lleshaj, (Gjini), Marka Jak Bajraktari, Ded Kolziu, Llesh Marka Tuci, dhe Gjok Dod Përbrunga. Muerën pjesë dhe 60 luftëtarë dhe kaluan bashkë pa u nda për dy ditë. U muerën vesh mirë për gjendjen e kritikëshme dhe humbjen e luftëtarëve në luftën e përditshme. Si do që kje, vendosën; ripërtëritjen e Nën komitetit Krahinor të Mirditës, që ishte formue prej Dr. Mark Gjon Markajt në mars 1945 dhe mbas humbjes së Markut më 14 qershor 1946, të vazhduem prej Llesh Gjomarkut me 10 gusht 1946, mbas humbjes së Lleshit më 9 gusht 1947, prej kryetarëve të çetave në tetor 1948, në Kodrën e Rrëshenit të Kthellës, tue i zëvëndësue me; Ndue Bajraktarin, Frrok Mëlyshin, Marka Jak Bajraktarin, Marka Dod Lleshin, Preng Dod Gjinin. Në një mbledhje tjetër me 1 korrik 1949, u ba riformimi kështu: Ndue Pjetër Gjomarkaj si kryetar, Ndue Bajraktari si nënkryetar, Ndue Mëlyshi, Marka Dod Lleshaj, dhe Marka Jak Bajraktari, anëtar të shtrenjtë (të ngushtë). Luftëtarët e tjerë, anëtarë të gjanë. Mbas përfundimit të këtij riformimi, mbledhja vendosi edhe njëherë dënimin dhe ekzekutimin e Bardhok Bibës, për të hjek qafe këtë njeri kaq të rrezikshëm të Mirditës.
U caktue një mbledhje e dytë për datën 7 Gusht 1949 dhe me kaq u shpërndanë çetat nëpër drejtime të ndryshme. Ndue Pjetër Gjonmarkaj muer pjesë në grupin e Ndue Bajraktarit dhe Ndue Mëlyshi në grupin e Preng Dod Gjinit.
LIDHJA KOMBËTARE E MALEVE DHE VRASJA E BARDHOK BIBËS
Në natën 6 gusht 1949 u mblodhën bashkë 53 luftëtarë, në pikën e caktueme, Shqopa e Munegjës Mirditë. Më datën 7 Gusht 1949, në orët e mëngjesit, Nënkomiteti Krahinuer i Mirditës, merr një lajm: qi Bardhok Biba atë ditë do të kalonte prej katundit Simon për në Shën Pal të Mirditës! Informata e lajmëtarit kje e ekzakte: Bardhoku kishte qenë me mbajt një konferencë në Kaçinar, prej andej udhëtonte me 30 polic roje për në Simon, Peshqesh, Shën Palë.
Nënkomiteti i Mirditës, që ndodhi në Shqopën e Munegjës, menjëherë mori një vendim dhe pa humb kohë dërgoi organin e shpagimit me i vue pritat në prruen e Valmirit. Organi i shpagimit zbatoi urdhnin: vrau Bardhok Bibën dhe pranë kufomës së tij la letër-vendimin me firmën Kryetarit të Nënkomitetit Krahinuer të Mirditës. Bardhoku u vra në orën 2 mbas dreke të datës 7 Gusht 1949 dhe ky grup, 53 vetësh, mbasi bani këtë aksion, niset fill për Jugosllavi. Më datën 7 Gusht 1949, kalojnë kufinin dhe pa dam hyjnë në Jugosllavi. Bashkë me Bardhokun u plagosën edhe dy polic vendas që mobilizojshin popullin si punëtorë për me i dërgue në punë të detyrueshme.
OPERACIONI NE MIRDITE PËR HAKMARRJEN E BARDHOK BIBËS
Qeveria komuniste e Tiranës tue marr si shkak hakmarrjen e Bardhok Bibës (por jo pse iu dhimbtë aq tepër ose patë nevojë për Bardhok Bibën, pse ma vonë ndoshta do ta vriste ajo vetë, si shumë gjerarkë të tjerë të mëparshëm), kështu që dërgoi reparte të forta ushtarake nga Tirana, për të ba një operacion në stil të gjanë në Mirditë. Vetëm e vetëm për të ba hata në atë popull kreshnik të Gjergj Kastriotit (HERO). Në këtë operacion ka marrë pjesë Divizioni i parë që ishte me qendër (fushimi) në Qafë Shtambë e qi komandohej prej kolonel, Hito Çakos nga Vlora, si dhe Brigada Speciale, qi ishte në Mirditë për ndjekjen e Luftëtarëve të Lirisë, e komandohej prej Majorit, Luftar Bolena nga Vlora.
Operacioni drejtohej kryesisht prej vetë kasapit të kuq, Mehmet Shehut, bashkë me nënministrin e Brendshëm, Kolonel Kadri Hazbiu, me detyrë nënkomandant operacioni. Në operacion kanë marrë pjesë si vëzhgusa dy kolonela rusë; Sovoloski dhe Voleskini (me gjak shqiptari s’i ngini).
Ngjarjet e zeza të zhvillueme në atë operacion janë këto: kanë arrestue në masën e popullit të Mirditës e të Kthellës, ma tepër se 500 burra, kanë internue, gra e fëmijë nëpër kampet e internimit në Tepelenë dhe në Lushnje, ma tepër se 300 shtëpi familje. 400 burra i kanë nisë nëpër burgje terror të Shkodrës, 100 të tjerë janë dënue randë, me burgime të gjata.
Më datën 18 Gusht 1949 janë ekzekutue në vendin ku asht vra Bardhok Biba, pa i gjykue aspak, këta persona të pafajshëm: janë 14 fatosa nga më të mirët e kësaj krahine: Llesh Mëlyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Belshi, Dodë Marka Biba, nga Kthella: Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka, Zef Vila nga Mirdita.
Prej këtyne 14 personave, 4 janë vjerr në konop në vendin ku është vra bardhok Biba dhe po në atë vend 10 të tjerë janë pushkatue të lidhun me konop, nga dora gjakësore e ……..i cili i mori leje Mehmet Shehut për t’iu dhanë vëllazënvet të krahinës së vet, nga një plumb ballit….?!
Fatosat e vramun e të pushkatuem, qi i ndau Mehmet Shehu nga gjini i familjes së tyne, të gjithë grumbull i hodhën në një gropë, ende ishin ma se gjysa gjallë, e pa u dalë shpirti dhe ………pastaj janë mbule me dhe.
Në ekzekutimin e këtyne 14 fatosave kanë mbledh popullin burra dhe gra, Mirditas e Kthellas ma tepër se 2000 vetë, dhe Mehmet Shehu ka mbajtë një fjalim dhe asht betue në “Vorrin e Bardhok Bibës”, se pa i mbushun 101 të pushkatuem në Mirditë për (gjoja) hakmarrjen e Bardhokut, nuk kam me e lëshue Mirditën dhe Kthellën, dhe as që nuk e laj të lirë nga operacioni. Ndoshta fati i atij populli të pafajshëm kreshnik, luejti një rol të jashtëzakonshëm, për me p’shtue gjithë ai popull pa u pushkatue, sepse pikërisht më datën 18 Gusht 1949, ushtrije greke bani provokime në kufinin Greko-Shqiptar, me rastin qi ajo shkuli nga pozicionet e malit Gramoz, komunistët e vet Grekë të cilët ikën nga ushtria greke dhe hynë për të shpëtuar kokën në Shqipni, në zonën e Bilishtit. Kështu ushtria greke dashti me i ndjek komunistat e vet disa km. nëpër tokën shqiptare, por organizatorët e misionit amerikan nuk e lejuen. Megjithatë alarmi u ba dhe Tirana u friksue dhe kërkoj me urgjencë Mehmet Shehin me Divizionin e Parë që ishte në Mirditë, që të paraqitet në Tiranë dhe prej aty u nis për me shkue në kufinin e Grekut. Kështu qi në Mirditë mbetën vetëm Brigadat speciale që ishin ma përpara për ndjekjen e luftarve të malit.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
Letra e Mehmet Shehut për Enverin
Telegram shifër, N-kolonel Beqir Ndout për komandantin
Sonte fillon operacioni në 24 katunde të Mirditës e cila ka gjithsej 33 katunde. Arrestimet marrin fund më datë 11 në mëngjes dhe janë 31 të kategorisë së parë, 84 të kategorisë së dytë dhe 17 të kategorisë së tretë. Ata të kategorisë së parë janë për dënim me vdekje sipas parashikimeve t’ona, sado që mund të ekzekutohen 15 ose 17. Ata të kategorisë së dytë janë për burgim dhe ata të së tretës janë për internim. Gjithashtu do të internohen edhe 9 familje të Gjon Markut dhe 15 arrestime në rrethin e Leshit.
Gjykata ushtarake mund të vijë në Rrëshen më datë 12 gusht. Lutemi ndërhyni në Presidium për të aprovuar tre të dënuarit me vdekje të Burrelit dhe na njoftoni telegrafisht që t’i ekzekutojmë.
Unë sot shkoj në Shkodër për çështjen e Peros dhe do të kthehem prapë këtu./Memorie.al
Rrëshen, 9.8.1949
Mehmet
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016