Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe shkodrane, Çekaj, që njihet ndryshe me mbiemrin Summa, më 23 prill të vitit 1895, pas një propozimi të Ministrisë së Jashtme të Francës, që i’a kishte dërguar Konsulli i saj në Shkodër, Hekardt, i pari i asaj familje, Mikel Çeka, u dekorua me Medalje Ari, nga Presidenti i Francës, Feliks More, me motivacionin: “Për shërbimet e bëra për interesat franceze nga viti 1856, deri në 1895-ën, si përkthyes e ndihmës i Konsullit francez në Shkodër”. Si u ruajt deri në ditët tona shtëpia e madhe e Çekajve, që ndodhet tek Arra e Madhe në qytetin e Shkodrës, e cila është një muze i gjallë me relike, dokumente, foto, objekte etj., ku pasqyrohet historia e asaj familje dhe pinjollët e saj, që bënë emër të madh edhe në Evropë.
Shtëpia mbi 200-vjeçare e Çekaj-ve te Arra e Madhe në Shkodër
Shtëpia e Çekaj-ve, e cila mendohet se është ndërtuar më shumë se dyqind vjet më parë, ndodhet diku në Lagjen Arra e Madhe, të qytetit të Shkodrës në Rrugën “Vaso Pasha” dhe ajo ndërtesë në tërë kompleksitetin e saj, duke përfshirë konstruksionin dhe vlerat historike që mbart, mund të themi se është unike në Shqipëri. Aty në atë shtëpi-fortesë, të rrethuar me mure të larta, banojnë së bashku me familjet e tyre, dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çeka, të cilët janë dhe pinjollët e fundit të Çekejve, që njihen si ndër më të vjetrit e qytetit të Shkodrës. E ndodhur përballë me konviktin e shkollës së Gjuhëve të Huaja, shtëpia e madhe dykatëshe e Çekajve nga pamja e jashtme, nuk të ngjall ndonjë kureshtje të madhe, pasi sheshpamja e saj pengohet nga muri rrethues. Por gjithçka ndryshon kur futesh brenda dhe vetja të duket sikur je në ndonjë Muze Etnografik, apo kështjellë të vjetër mesjetare, të cilat shumë rrallë i ndesh në qytetet tona. Veç të tjerash në dhomat e sipërme të asaj shtëpie, me hapësira të bollshme ku gjithçka është e gdhendur në dru nga mjeshtrit shkodranë, këtu e dyqind vite të shkuara, janë të ekspozuara edhe disa orendi, relike, objekte, foto dhe dokumente të rralla, që hedhin dritë mbi historinë dhe pinjollët e saj, që u nderuan dhe u vlerësuan edhe nga shteti francez, që nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII-të. Ajo shtëpi tipike shkodrane ka humbur shumë nga origjinaliteti dhe formën e saj të parë, vazhdon ta ruaj ende, vetëm njëra nga dhomat ku çdo gjë është e paprekur, që nga shekulli i kaluar. Aty mbizotëron tavani i varur me gdhendje dhe oxhaku i madh i stolisur me ornamente, e deri sënduku i pajës, apo siç njihet ndryshe nga shkodranët e vjetër si “Arka e Venedikut”, nga që familjet e pasura aristokrate të asaj kohe, e blinin pajën e nuses në Itali. I gjithë ansambli arkitekturor që mbizotëron aty, që nga ndërtimi dhe zbukurimet me gdhendje në dru, e deri tek mobiliet e reliket e vjetra, të ruajtura me shumë kujdes prej më shumë se dy shekujsh, e detyruan Institutin e Monumenteve të Kulturës, që në vitin 1966, atë shtëpi ta shpallnin Monument Kulture. Ndonëse me profesion ekonomist, por me një pasion prej historiani, Engjëll Çeka, prej vitesh ka hulumtuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuaj të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë, rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera që disponon ajo familje, përbëjnë një pjesë të gjallë të historisë, jo vetëm të Çekajve, por dhe të atij qyteti me tradita të lashta.
Origjina, dinastia dhe trashëgimia e familjes Çekaj (Summa)
Lidhur me origjinën e hershme të familjes Çekaj, apo siç njihen ndryshe edhe me mbiemrin tjetër Summa, janë bërë disa hulumtime nga studiues të ndryshëm, por ai që i ofrohet më tepër së vërtetës dhe konsiderohet nga më të saktit, është ai që ka bërë studiuesi i njohur shkodran, Emil Shiroka, në vitin 1984. I cili, përveç dëshmive të ndryshme gojore dhe hipotezave, që janë trashëguar ndër disa breza, si të vetë asaj familje, ashtu dhe atyre të tjera shkodrane, është mbështetur gjithashtu mbi dokumenta të ndryshme arkivore dhe i’u është referuar studimeve të tjera, që janë bërë më përpara rreth kësaj familje. Sipas studimit të Emil Shirokës, thuhet se origjina e hershme e familjes Çekaj, është nga lagja Bojej e fshatit Summë, që sot është nën juridiksionin e Postribës në Malësinë e mbi Shkodrës. Kur turku shkeli për herë të parë dhe e pushtoi Shkodrën (bashkë me Kalanë e saj) pjesa më e madhe e popullsisë së këtij qyteti me burra, gra, fëmijë dhe pleq, emigruan për në Itali, duke u larguar nga Liqeni në Bunë dhe në Detin Adriatik. Disa familje të tjera u ngjitën lart në bjeshkë të Malësisë së Shkodrës. Në atë kohë thuhet se ndër të vetmit që qëndroi në qytet dhe nuk u largua, ishte një pasanik shkodran, të cilit Venediku e thërriste me emrin Çeka, që ka kuptimin e fjalës “qarë”. Një nga interpretimet e ndryshme, që i bëhet kësaj fjalë, ndoshta dhe ajo më e sakta, është se ai njeri kishte fituar shumë dhe ishte bërë i pasur, duke “lozur me qarin”. Ky njeri për të mos e humbur gjithë atë pasuri të madhe, që kishte vënë prej kohësh, thuhet se bëri një kompromis me turqit, duke ndërruar besimin dhe nga katolik u kthye në mysliman. Mbas pesë viteve, Veziri i Shkodrës, i cili ishte i emëruar nga Turqia dhe ishte me kombësi e shtetësi turke, për ta provuar atë, nëse i qëndronte besnik fesë myslimane, e detyroi që të shkonte për haxhillëk në Qabe. Ky person i quajtur Çeka, e pranoi kërkesën e Vezirit dhe pasi u kthye nga Qabeja, njerëzit në Shkodër e thërritën Haxhi Çeka. Rreth origjinës dhe trashëgimisë së trungut të kësaj familje, ka dhe disa hipoteza të tjera, ku në njërën prej tyre thuhet se: në fshatin Summë, në atë kohë jetonin dy vëllezër, të cilët quheshin Sokol (Kolë) dhe Pjetër Summa. Veziri i Shkodrës kishte të dhëna, se këta vëllezër rridhnin prej një familje bajraktarësh dhe u dërgoi fjalë, që të shkonin për ta takur në Shkodër, në sarajet e tij. Fjalës së Vezirit, që ishte dhe sundimtari i Shkodrës, i’u përgjigj vetëm njëri nga vëllezërit, Sokoli, kurse Pjetri, nuk erdhi në Shkodër. Veziri i premtoi Sokolit se do t’i jepte toka dhe pasuri, me konditë që ai të bëhej mysliman dhe pasi Sokoli e pranoi atë propozim, Veziri e mbajti pranë vetes. Pas disa kohësh, Veziri i tha Sokolit, që të shkonte në fshatin Summë dhe t’i mbushte mendjen edhe vëllait Pjetrit dhe gjithë fshatit, që të zbrisnin në Shkodër, ku do të ndërronin fenë, siç kishte bërë dhe ai. Por kur Sokoli shkoi dhe i’a trasmetoi Pjetrit mesazhin që kishte marrë nga Veziri, Pjetri u indinjua shumë dhe për t’i shpëtuar ndonjë hakmarrje të mundshme të Vezirit, u largua nga fshati dhe për dhjetë vjet, qëndroi i fshehur ndër miqtë e tij e nëpër male. Duke u mërzitur nga jeta e keqe, që bëri për afro dhjetë vjet nëpër male, Pjetri vendosi dhe zbriti në Shkodër, e shkoi drejt e në shtëpinë e Haxhi Çekës, për të cilin kishte dijeni se, nga katolik ishte kthyer në mysliman. Pjetër Summa i tha Haxhiut, se kishte shkuar aty për t’i rënë në dorë dhe për t’i kërkuar besë, ta mbronte nga i vëllai i tij Sokoli, i cili donte që t’i ndërronte besimin. Haxhi Çeka e mori në besë Pjetrin dhe e mbajti në shtëpinë e tij, duke i thënë se nuk e detyronte njeri, për të ndërruar fenë. Kështu, Pjetër Summa qëndroi për afro tre vjet në shtëpinë e Haxhi Çekës dhe mbas tre vjetëve, Haxhiu i dha dhe të hollat, për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pjetri e ndërtoi shtëpinë e tij ngjitur me atë të Haxhiut, por kur e morën vesh turqit,shkuan për t’ja shëmbur, Haxhi Çeka u doli përpara dhe i’u tha se ajo ishte shtëpia e tij. Turqit ikën duke thënë se ajo është shtëpia e Çekës dhe që nga ajo kohë Pjetër Summës, i mbeti mbiemri Çeka, e në të gjithë Shkodrën, ai filloi të thirrej Pjetër Çeka. Kurse jashtë qytetit e nëpër fshatra dhe jashtë Shqipërisë, ku ai shkonte për tregti, njihej dhe thërritej me emrin Pjetër Summa. Prandaj që nga ajo kohë edhe sot ajo familje njihet me dy mbiemrat, Summa dhe Çekaj.
Aktiviteti tregtar i Pjetër Çekajt dhe djemve të tij
Pjetër Çeka u martua dhe i lindën pesë djem: Preçi, Hila, Ejlli, Kola dhe Simoni. Dy djemve të mëdhenj, Preçit dhe Hilës, Pjetri u dha zanatin e rrobaqepësit, kurse djalin e tretë, Ejllin, e dërgoi në Romë, ku pasi u shkollua për xhakua (prift) erdhi e shërbeu në Shkodër dhe më vonë në fshatin Shirq, ku dhe vdiq e u varros në kishën e Shënapremtes. Djali i dytë, Hila, nuk ishte i kënaqur nga puna e rrobaqepësit dhe më pas u muar me tregti lëkurësh, ku pasi mblodhi një sasi shumë të madhe, shkoi dhe i shiti në Venedik. Me paratë që fitoi nga shitja e lëkurëve, Hila bleu shumë mall, të cilin erdhi dhe e shiti në Shkodër, në gjashtë dyqanet që i bleu së bashku me vëllezërit e tij. Nga paratë që fitonte prej shitjes së lëkurëve në Itali, Hila blinte mall manifakture dhe vinte e shiste në Shkodër. Pasi u fuqizua ekonomikisht, përveç Shkodrës, Hila filloi t’i shiste mallrat që sillte nga Italia dhe në Gjakovë, Prizren, Shkup, Tetovë etj., ku hapi agjensitë e tija, që njiheshin me firmën “Summa” (Çeka) dhe punësoi njerëz të besuar nga Shkodra. Llogaritë e firmës, vëllezërit Çekaj (Suma) i mbante Simoni, që ishte më i vogli i vëllezërve, por më i zoti prej tyre, ndonëse kishte fare pak shkollë. Pasi fituan nga kjo lloj tregtie, vëllezërit Çekaj blenë dyqane, vreshta dhe toka të cilat shtriheshin në Bushat, Vrakë, Çelepie, Lezhë, e deri në Zejmen. Hila ndërtoi një shtëpi të madhe me gjashtë dhoma, në qytetin e Shkodrës, në atë vend ku sot njihet me emrin Arra e Madhe.
Dokumentet e Francës të ekspozuara në shtëpinë Çekajve
Në shtëpinë e vjetër dhe karakteristike shkodrane të Çekajve, ajo ç’ka të bie më tepër në sy përveç fotografive të vjetra të varura në muret e asaj dhome të madhe, janë dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht. Njëri prej atyre dy dokumenteve, mban datën 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën Konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllain e gjyshit të Engjëllit, Filip Çekën. Në atë dokument të titulluar “Patentë Mbrojtje”, shkruhet:
“Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Suma, shtetas otoman, lindun dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2, në regjistrin e veçantë për të huajt e mbrojtur nga kjo Konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë, ne i japim atij këtë dhuratë për t’i shërbyer aty ku ja jep e drejta”.
Shkodër, më 8 shkurt 1854
Nga zotni Konsulli De Diagruan
Këtë dokument Konsullata franceze e Shkodrës i’a ka akorduar Filip Summës, për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë, kur nuk ishte më shumë se 30-vjeç. Kurse dokumenti tjetër i cili i përket vitit 1895, është një Medalje Ari, e cila i është dhënë gjyshit të Engjëllit, Mikel Çekës (Summa), ku shkruhet:
Ministria e Punëve të Jashtme
Presidenti i Republikës Franceze
Mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme
Dekreton:
Një Medalje Nderi prej Ari, që i është lëshuar Z. Summa, përkthyes ndihmës i Konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat franceze, nga 1856 në 1895.
Shefi i shërbimit të Protokollit Sh. Croziej
Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895.
Feliks Fore. Y Hanoto
Kush ishte Filip Çeka?
Filipi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1826 dhe ai ishte djali i Pjetër Çekës, familja e të cilit radhitet ndër më të vjetrat shkodrane, që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrat e pagëzimit, që janë mbajtur nga familja Kamsi. Nga tre dokumente pagëzimi të kishës, që ruan familja e që i përkasin viteve 1830, 1871 dhe 1898, pjesëtarët e kësaj familje, njihen dhe me mbiemrin Suma dhe kanë lidhje fisnore me fisin Sokoli të Shkodrës. Kjo gjë vërtetohet edhe nga të dhënat e ditarit të Mustafa Boriçit, që është ruajtur nga qershori i vitit 1844, ku ai midis të tjerash ka shkruar: “Fitova davanë me tregtarin Ndoc Çeka”. Duke qenë se asokohe ishte në modë që familjet e pasura dhe ato aristokrate t’i dërgonin fëmijët e tyre, në shkolla private e më pas në ato fetare edhe Filipi, mendohet të jetë arsimuar, në këto shkolla. Por deri më sot familja Çeka nuk disponon asnjë lloj dokumenti shkollor të Filipit dhe këtë gjë e bazon në logjikën e familjeve të asaj kohe, që i dërgonin fëmijët në ato shkolla për të mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila u imponohej për nevoja të tregtisë.
Filipi me përfaqësinë e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit
Nga studimet e ndryshme që janë bërë, Filip Çeka njihet dhe si një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë shkodrane, që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Kështu nga viti 1854 kur Filip Çeka u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës dhe deri në vitet 1878, kur ai figuron në shumë dokumente si një nga organizatorët kryesorë të Degës së Shkodrës, për Lidhjen e Prizrenit, nuk ka ndonjë të dhënë se me çfarë është marrë në atë kohe. Në një studim të historianëve të njohur, profesorëve Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, citohet një dokument që është shkruar, një muaj përpara se të mbahej Lidhja e Prizrenit. Ajo është një protestë që shkodranët, i’a kanë dërguar ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të tjerash thuhet: “Ne, katolikë e myslimanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, pëlqejmë më mirë të asgjësohemi, se sa të vdesim, të poshtëruar e të skllavëruar”. Ndonëse në atë dokument nuk jepen emrat e nënshkruesve të tij, kemi të drejtë të mendojmë se aty është dhe dora e vëllezërve Çeka, Filipit dhe Mikelit, nisur nga fakti se ata kanë ditur frëngjishten dhe Filipi ka qenë ndër organizatorët e asaj proteste. Kjo gjë bëhet e besueshme nisur dhe nga fakti se Filipi ka pasur lidhje me qarqet e huaja diplomatike, që kanë qenë asokohe në Shkodër. Sipas dokumenteve historike, më 15 qershor, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, në oborrin e Medresesë, që ndodhej pranë Pazarit të Vjetër të Shkodrës, është zhvilluar një manifestim popullor, ku është lexuar dhe një peticion, që paria shkodrane ia dërgoi Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Duke parë firmëtarët e atij peticioni, shihet dhe emri i Filip Summës, çka pohohet edhe nga studiuesi Xhafer Belegu, në veprën e tij “Akte të Rilindjes”. Po kështu në një studim të akademikut Kristo Frashëri, ku ai jep me përafërsi emrat e anëtarëve më aktivë të Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, që dërgoi përfaqësinë e saj në Lidhjen e Prizrenit, radhitet dhe emri i Filip Summës. Një dokument tjetër që vërteton pjesëmarrjen e Filip Summës në përfaqësinë e Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, është dhe ai i vëllezërve Çoba, ku midis të tjerash thuhet: “Na të premen, (premten) u mblodhme e i vuni populli katër vetë, F. Çekën, N. Shirokën, Simon e Gjok Muzhani. Edhe dje kan kenë në komision edhe i kan prit fort mirë”. Në bazë të këtyre dokumenteve dhe materialeve historike, emri i Filip Çekës, figuron në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, që nga korriku i vitit 1878 e deri në fund, pavarësisht nëse ka qenë i ngarkuar me detyra apo jo. Mos pjesëmarrja e tij në delegacionin e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, ndoshta ka qenë e kushtëzuar prej statusit të tij prej “gjysëm diplomati” nga lidhjet që ai kishte me Konsullatën Franceze të Shkodrës. Po kështu nga dokumentet arkivore, Filipi njihet dhe si pjesëmarrës me trupat vullnetare shkodrane në Luftën e Plavës e Gucisë, përkrah Jusuf Sokolit dhe ai figuron edhe si pjesëmarrës në Luftën, për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët në vitin 1879, ku shkodranët në shenjë solidariteti dërguan dy formacione me vullnetarë. Në njërin prej tyre, ishte Filipi 60 vjeçar, i cili së bashku me Jusuf Sokolin, kishin nën komandë 40 vullnetarë shkodranë. Filipi vdiq në Shkodër në vitin 1895 dhe për nder të tij, në shtëpinë muze, që aktualisht banon Engjëlli, me të vëllanë Mikelin, në vitin 1989, u vendos një pllakë përkujtimore, që e cilëson atë si organizator të Degës së Shkodrës, për Lidhjen e Prizrenit.
Filip Çeka (i riu), nënprefekt i Monarkisë së Zogut në Ersekë
Pas Filip Çekës dhe vëllait të tij Mikelit, një nga pasardhësit e tjerë të trungut të familjes së njohur shkodrane, është dhe babai i Engjëll Çekës, Filip Çeka, i cili u lind në vitin 1898, në atë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që i’u bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez De Guard, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër. Filipi kishte dhe një motër, Gjystinën, e cila u dorëzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin. Filipi u shkollua në shkollën Tregtare të Shkodrës, të cilën e mbaroi në vitin 1920, nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës. Më pas Filipi punoi si Drejtor i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte një ndër njerëzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934, Filipi kaloi si kontingjent i Ministrisë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si Kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna. Me ardhjen e gjermanëve ai u emërua nënprefekt i Lushnjes, ku punoi vetëm një muaj dhe u largua, pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve. Ndërsa gjatë viteve të regjimit komunist deri në 1960-ën, Filipi punoi si llogaritar në Korçë, Fush-Arrëz e Bushat, gjithmonë i survejuar nga Sigurimi i Shtetit, si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016