Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa nga historitë e panjohura të masakrave ndaj popullsisë autoktonet myslimane çame në qytetet e Paramythia, Pargës, Filatit, Margëlliçit, etj., të kryera nga shovinistët grekë në fillimin e viteve ’40 të shekullit të kaluar. Dëshmia e Sali Bollati, me origjinë nga Paramythia dhe me banim në SHBA, ish-pedagog në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe për shumë vite si Kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, lidhur me masakrat e forcave të gjeneralit Napolon Zerva ndaj familjes së tij, ku ai ka qenë një dëshmitar okular i dhunës ç’njerzore që ata ushtruan ndaj popullsisë çame të pambrojtur, duke kryer aty një spastrim etnik, me shpërngulje masive nga trojet e tyre amtare.
“Gjyshin tim, Muharem Bollatin 82 vjeçar, e zvarritën nëpër shkallë dhe e vranë në oborrin e shtëpisë, babain tim 52 vjeç, e torturuan dhe e vranë brenda në xhami, vëllain 13 vjeçar e vranë gjithashtu aty ku ishte fshehur, në një kaçube, ndërsa në burgun e Paramythias ku na mbajtën për 6 muaj, bashkë me dhjetëra të tjerë, vdiq gjyshja 76 vjeçare, vëllai 5 vjeç dhe motra 2 vjeçare. Kushërirën tonë, Sanije Bollatin, e dogjën të gjallë, ndërsa plakut Osman Murati, mbasi i rropën për së gjalli lëkurën, i’a ngjitën përsëri me kripë. Këto janë një pjesë e torturave dhe masakrave që kryen në qytetin tim e më pas, me të njëjtin duf shtazor, edhe në qytetin e Pargës, të Margëlliçit e në fund në Filat dhe në tërë fshatrat e Çamërisë”.
Kjo është dëshmia rrënqethëse e Sali Bollati me origjinë nga Çamëria dhe me banim në SHBA, i cili për disa vite kur ishte në Tiranë, ka kryesuar Shoqatën Patriotike Atdhetare “Çamëria”. Lidhur me krimet ç’njerëzore që u bënë nga shovinistët grekë në kurriz të popullsisë çame, na njeh intervista ekskluzive e zotit Bollati, për Memorie.al, i cili përveçse është dëshmitar okular dhe i ka provuar ato në kurrizin e familjes së tij, prej vitesh ai ka mbledhur dhe një sërë dëshmish nga autorë të ndryshëm që janë marrë me çështjen çame dhe i kanë publikuar ato në disa libra.
Zoti Bollati, në fillim të kësaj interviste, a mund të na thoni diçka shkurtimisht për veten tuaj?
Unë kam lindur në vitin 1936 në qytetin Paramythia të Çamërisë, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Që nga ajo kohë, si rezultat i masakrave të shovinistëve grekë ndaj popullsisë myslimane të shqiptarëve të Çamërisë, ne u shpërngulëm nga trojet tona në Greqi dhe erdhëm në Shqipëri. Unë jam diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ku më pas punova dhe si pedagog. Nga viti 1998, unë jam vendosur me banim në SHBA, ku dhe jetoj aktualisht.
Ç’mund të na thoni për Çamërinë dhe politikën që ka ndjekur shteti helen ndaj popullsisë së saj myslimane?
Për gati 50 vjet me radhë, mbi banorët autoktonë të Çamërisë është derdhur një vrerë i madh me shpifje nga më të ndyrat. Sa viktima, sa krime, sa masakra ka përjetuar popullsia e asaj treve! Dhe sikur të mos mjaftonte gjenocidi i skajshëm grek, sa shpifje të paskrupullta u thurën në adresë të atij populli, që kaloi nëpër kalvarin e vuajtjeve të papërfytyrueshme gjatë një shekulli që qe tepër i trishtë për të. Një fat i kobshëm i bëri njerëzit e asaj krahine, objekt i shfrimit ç’njerëzor të një mase të madhe fanatikësh të droguar nga urrejta fetare. Tehu i goditjes kanë qenë çamët e besimit islam. Grekët nuk arrinin ta konceptonin dot se si dy komunitete, me besime të ndryshme, t’i takonin të njëjtit popull. Dhe në funksion të idesë së tyre fikse e të prapambetur, ushtruan një diskriminim të thellë në gjirin e popullsisë çame, duke u përpjekur, me të gjitha mënyrat, të ngjallin përçarjen ndërmjet tyre.
Si kanë jetuar çamët myslimanë me ata ortodoksë në trojet e tyre amtare në Greqi?
Në krahinën e Çamërisë, si në të gjitha krahinat e tjera shqiptare, ka ekzistuar një harmoni dhe mirëkuptim i plotë ndërmjet çamëve ortodoksë dhe atyre myslimanë. Të njohura kanë qenë vazhdimësitë farefisnore, me përkatësi në të dy besimet, të shumë familjeve si: Robajt, Kleftatë e të tjerë. Madje edhe nga familje të pasura si Pronjat-ët ka pasur martesa shqiptarësh të feve të ndryshme. Një dukuri që dëshmonte se: veç tokës ku kishin lindur, ata i bashkonte gjuha, këngët e valet, zakonet dhe traditat. Të paharruara kanë mbetur luftimet e bejlerëve të Çamërisë kundër Pashait të Janinës për të mbrojtur vëllezërit shqiptarë të Sulit. E kjo ndodhi sepse tek ata ishte e fortë ndjenja e përkatësisë së njëjtë etnike me suliotët trima e të papërkulur. Në kontrast me këtë qëndrim shqiptar, ai grek ishte krejt tjetër. Në pajtim me politikën shoviniste të “Megalidhëse”, që nga pushtimi i Çamërisë më 1913, autoritetet greke i kanë konsideruar çamët-ortodoksë si grekë, ndërsa ata mysliman si turko-shqiptarë. Persekutimet, shpronësimet, ndalimi dhe mos-hapja e asnjë shkolle në gjuhën shqipe kishin të vetmin qëllim, të mohonin shqiptarinë e Çamërisë.
Si do ta komentonit akuzën që bëhet rëndom se “çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë” dhe cila është arsyeja e vërtetë e shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e tyre?
Një pohim që dëshmon për një logjikë të vajtueshme. Fatkeqësisht këtë gjë e bëri përpara disa viteve edhe zoti Nikolla Gejxh, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Arsyeja e vërtetë e masakrimit dhe e shpërnguljes me forcë të popullsisë myslimane të Çamërisë nga trojet e saj etnike mijëvjeçare, qëndron në politikën shoviniste greke të “Megalidhesë”. Në synimet e vjetra greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, kishte një pengesë tejet shqetësuese për hartuesit e programit helenizues të Ballkanit: krahina shqiptare e Çamërisë. Ajo krahinë, me histori, toponime, tradita, kulturë dhe gjuhë shqipe, si për shqiptarët çamë-ortodoksë. Këtë po e ilustroj me dëshminë e studiuesit S. Muselimi, të shkruar në “Istoriko Peroato ana tis Thesprotia” – botuar në Janinë më 1974-ën, i cili në mes të tjerash shkruan: “Dhespoti i Thesprotisë më 1870 detyrohet të përkthejë pjesë të Dhjatës në gjuhën shqipe, sepse besimtarët që vinin në kishë nuk kuptonin asnjë fjalë greqisht”. Ashtu edhe për shqiptarët çamë myslimanë, e kthente në një absurditet të gjallë të gjithë idenë e zgjerimit të madh të Greqisë drejt Veriut. Duhej “pastruar” pa tjetër ajo krahinë nga shqiptarët autoktonë, për të bërë të mundur realizimin e programit të aneksimit të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Një program që ka mbetur në agjendën e pothuajse të gjitha forcave politike greke edhe në ditët tona.
Diçka më konkretisht për trajtimin që i’u bë popullsisë shqiptare të Çamërisë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore?
Më 1940-ën, ende pa shpërthyer lufta Italo-Greke, mijëra meshkuj shqiptarë të Çamërisë, nga 13 deri në 70 vjeç, u internuan në ishujt e Egjeut dhe në Peloponez. Atje u keqtrajtuan dhe u masakruan nga autoritetet greke për të vetmin faj se ishin shqiptarë, duke lënë në mëshirën e fatit fëmijët, gratë e nënat e tyre, për t’u keqtrajtuar edhe më mizorisht. Shumë prej tyre gjetën vdekjen në kampet greke të përqendrimit. Ndërsa djemtë çamë që thirreshin për të kryer shërbimin ushtarak, në radhët e ushtrisë greke, nuk pajiseshin me armë, por vetëm me kazma e lopata, për të punuar si skllevër. Kjo gjë është pohuar edhe nga studiuesja Miranda Vickers, në studimin e saj “Albanian Modern History”. Këta shtetas greke diskriminoheshin e persekutoheshin vetëm se ishin shqiptarë.
Sa vjeç jeni larguar nga Çamëria dhe a e mbani mënd atë kohë?
Isha vetëm 4 vjeç kur në qytetin tim të lindjes, në Paramythia, mbas 31 vjet pushtimi grek, u ngrit Flamuri Shqiptar. Njerëzit, të ngazëllyer, këndonin Himnin e Flamurit. Ne fëmijët kërcenim e lodronim, ndërsa më të mëdhenjtë qanin nga gëzimi se mbaruan edhe vuajtjet nën pushtimin grek, e më së fundi do ta ndjenim veten shqiptarë në vatrat tona, pa u thelluar shumë se në çfarë situate u ngrit flamuri ynë aq i dëshiruar. Pas një terrori të gjatë dhe persekutimi deri në kufijtë e durimit, ardhja e një regjimi më të butë, ndonëse edhe ai pushtues, por që pranonte etnitetin shqiptar të krahinës, nuk kishte si të mos e çorientonte një pjesë të njerëzve të thjeshtë, që në fund të fundit nuk e kishin atë horizont që kemi ne sot, për të gjykuar se edhe ata që erdhën, ishin prapë pushtues. Por këtu duhet nënvizuar një fakt tjetër shumë domethënës. Pa kaluar shumë kohë, djemtë më të ndërgjegjshëm çamë, formuan një nga formacionet e para të luftës kundër pushtuesit fashist, Çetën “Çamëria.
Cili ka qenë kontributi i popullsisë çame kundër pushtuesve gjermanë?
Horizonti i gjerë atdhetar, përkushtimi, zgjuarsia dhe sakrifica e të rinjve trima çamë, duhen vlerësuar edhe më shumë në krahasim me ato të një partizani grek, ndaj kombit të të cilit gjermanët qenë sjellë me një barbari të skajshme dhe që ishte e natyrshme të përfshihej pa mëdyshje në njësitet partizane. Ndërkohë që shqiptarët e Çamërisë, ndonëse kaluan nga një pushtim, më egër në një pushtim më të butë, përsëri ata e përbuzën atë duke dalë maleve, për liri e duke ngritur çetën e lartpërmendur. Ajo çetë luftarake, në shkurt të vitit 1943, u rrit në Batalionin “Çamëria” që ka kryer luftime të ashpra kundër pushtuesit. Legjendare ka mbetur lufta 56 ditore kundër forcave gjermane në gusht-shtator 1943. Eshtë e vetmja luftë frontale anti-gjermane në tokat shqiptare. Në sajë të trimërisë së djemve dhe vajzave çame, gjermanët nuk mundën të shkelin Shqipërinë nga ana e Çamërisë, por u detyruan të kalojnë nga Tri Urat në Leskovik (Shih “Historia e LANÇ”, Tiranë 1986). Dhe këta djem e vajza çame vazhduan luftën kundër pushtuesit në radhët e Divizionit të VI-të të Ushtrisë Nacionalçirimtare shqiptare deri në dëbimin e tij. Njëkohësisht mbi 500 djem të tjerë çamë u rreshtuan në radhët e ELAS-it, ku përbënin shumicën në Regjimentin XV-të, së bashku me maqedonasit e Greqisë, kundër pushtuesve nazistë. Kjo është e vërteta e të ashtuquajturit “bashkëpunim” me pushtuesit. Nëse nga radhët e popullsisë çame, të vuajtur nën regjimin grek që nga viti 1913, kanë dalë disa elementë të ekzaltuar nga propaganda fashiste për gjoja bashkimin e Shqipërisë, a mund të ketë ligj në botë, parimor apo moral, që për veprat e këtyre individëve të torturohet, përdhunohet, masakrohet dhe shpërngulet masivisht një popull i tërë?
Po vetë grekët, a patën bashkëpunuar me nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Nuk janë çamët fajtorë për bashkëpunim me pushtuesit, fajtorë për këtë ishin vetë grekët që nxorën nga gjiri i tyre, Ralisin, Zervën dhe gjithë ata aleatë të shumtë me nazi-fashistët që u vunë nën urdhrin e tyre kundër popullit që i lindi. Le të kujtojmë, për shembull, bashkëpunimin masiv të forcave të djathta greke me nazistët, nën drejtimin e famëkeqit gjeneral Zerva. Pushtuesit gjermanë ngritën në Athinë qeverinë kuislinge të Ralisit. Anglezi M. Mazower, në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944”, (London 1993) midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke të Zervës me pushtuesit nazistë. Aty ai shprehet: “Në Athinë anëtarët e EDES-it, të komanduar nga Zerva, hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend dhe për më tepër, për të pastruar Greqinë nga elementët komunistë. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e EDES-it mbanin lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit”. Po sipas dokumenteve britanike të përshkruar në librin e mësipërm, anglezët këmbëngulën që Zerva të ndërpriste lidhjet me qeverinë kuislinge të Athinës, por ai vazhdoi lojën e dyfishtë, duke u shtrirë se po angazhohej fuqimisht në luftë kundër pushtuesve nazistë, nga ana tjetër pakësonte veprimet luftarake ndaj forcave lokale gjermane, madje mbante një oficer ndërlidhës pranë shtabit gjerman në Janinë.
Në librin e Woodhouse të titulluar “The struggle for Greece”,(London 1976) në mes të tjerash shkruhet: ”Me fillimin e luftës civile, dokumentet gjermane nuk lënë asnjë dyshim se Zervas, ka bërë një armë pushtim me ta për disa muaj të cilin e ka gjykuar krejtësisht në mënyrë të gabuar, sikur nuk ishte në kundërshtim me detyrimet e tij kundër aleatëve”. Janë pikërisht këto personazhe të forcave të EDES-it të gjeneralit Zervas, të ndihmuara nga ato të kolaboracionistit, kolonel Derlitis, komandant i Batalionit të Sigurimit që filluan sulmet dhe masakrat kundër fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë me synim spastrimin etnik të asaj popullsie. Ja seç shkruan studiuesja greko-gjermane, Georgia Kretsi: ”Më 27 qershor 1944, forcat e Divizionit 10 të EDES-it, të komanduara nga Kamaras, me miratim edhe të forcave gjermane që po tërhiqeshin, hynë në Paramythia. EDES proklamoi se të gjithë çamët myslimanë do të jenë të lirë e nuk do të keqtrajtohen dhe se pronat e tyre do të mbrohen. Krejtësisht në mënyrë të pabesë (mënyra tradicionale greke) filluan spastrimin brutal etnik. Vetëm në këtë qytet mbi 300 çamë myslimanë, njerëz të pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, gjetën vdekjen.
Cili ishte fati i familjes suaj kur ajo ishte në Greqi. Çfarë mbani mënd nga ajo kohë?
Unë e kam të fiksuar në kujtesën time që në fëmijëri, një dëshmi torturuese, të rëndë, sfilitëse, ngjethëse që pati ndodhur me familjen time. Në vitin 1940, gjyshin tim, Muharem Bollatin 82 vjeçar, e zvarritën nëpër shkallë dhe e vranë në oborrin e shtëpisë, babain tim 52 vjeç e torturuan dhe e vranë brenda në xhami, vëllain tim 13 vjeçar e vranë gjithashtu aty ku ishte fshehur, në një kaçube. Ndërsa në burgun e Paramythisë ku na mbajtën për 6 muaj bashkë me dhjetëra të tjerë, më vdiqën gjyshja 76 vjeçare, vëllai 5 vjeç dhe motra 2 vjeçare. Kushërirën tonë, Sanije Bollatin, e dogjën të gjallë, ndërsa plakut Osman Murati, mbasi i rropën së gjalli lëkurën, ia ngjitën përsëri me kripë. Këto janë vetëm një pjesë e torturave dhe masakrave që kryen në qytetin tim, e më pas, me të njëjtin duf shtazor, edhe në qytetin e Pargës, të Margëlliçit e në fund në Filat dhe në tërë fshatrat e Çamërisë. Jani Shara (I. Sarras), në librin e tij “Istoria tis Periohis Igoumenitsa”, botuar në Athinë më 1985, midis të tjerave shkruan “Familja e Muharem Bollatit, që u masakrua në mënyrë shtazarake, nuk ka pasur asnjë faj”. Ndërsa Napolon Zerva krenohet për mizoritë e tij, duke i shkruar një miku më 1956-ën: ”Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha” (S. Muselimi “Istoriko Peripati ana ti Thesprotia”, Janinë 1974).
Po pas Luftës së Dytë Botërore, cili ishte qëndrimi i zyrtar i Greqisë ndaj gjeneralit famëkeq, Napolon Zerva?
Në qeveritë e Athinës të pasluftës, ka qenë ministër edhe Napolon Zerva. Më pas, në sajë të presioneve ndërkombëtare, sidomos të SHBA-ve, pasi u zbuluan lidhjet e tij me nazistët, Zerva u detyrua të japë dorëheqjen nga qeveria greke. Megjithatë ai mbeti një “figurë e nderuar” nga autoritetet greke. Statuja e tij, me fytyrë e duar të drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë martire. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016