Dashnor Kaloçi
Pjesa e katër
Memoria.al publikon historinë e panjohur të Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni, ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarakë në Gardën Mbretërore, kurse djali xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë. Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vendit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët. Nikolla doli partizan, u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, luftoi deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Dëshmia e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947, së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, pasi komunistët i’u dogjën kullat e tyre dhe ja internuan të familjen në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj. Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria, për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, pasi u rikthye në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi ) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare .
Zoti Ndue, pasi Alush Lleshanaku me Haki Blloshimin u gjendën te Ura e Zogut ku shkuan më pas?
Pasi kanë mbërrit te Ura e Zogut dhe janë orientu mirë se ku ishin, Alushi me Blloshmin me do pare që kanë pas me vete, kanë ble nga një berr aty në Pazar të Milotit dhe të veshun si fshatar që kishin dal për pazar, janë nis në këmbë rrugës automobilistike, duke përshku Laçin, Ujën e Bardhë afër Mamurrasit, Zezën, Fush-Krujën, Vorën, Tiranën, kanë kalu mbas Kazermave të Ali Rizajt e kanë dalë në Krrabë, e në pyjet e Elbasanit, ku pas disa kohësh, duke mos pas radio-trasmetuese, kanë kanë kalu kufirin tokësor e kan dal prap në Greqi.
Po ju me Ndue Pjetër Gjomarkajn, ku shkuat pasi u takuat bashkë?
Unë me Ndue Pjetrin, jemi kthy prap mbrapsht në ato zona ku kishim ra me parashuta, me shpresën se mos gjenim radion dhe materialet e tjera që mendonim se avioni i kishte shkarku menjëherë pas nesh me parashuta. Për dy ditë rresht, nga data 16 deri më 17 shkurt, nuk kemi lënë vend pa kërku dhe kur mendonim se nuk kishim më shpresë me i gjet, pak pa u errur, kemi pa radion në fund të një shkëmbi që ishte afro 300 metër i lartë. Jemi ul aty dhe pasi e kemi marrë radion, jemi mundu me bë një instalim dhe lidhje provizore me Qendrën e “Bllokut Kombëtar Indipendent” në Romë, por fatkeqësisht nuk ja arritëm dot, pasi radio nuk punonte, ndoshta dhe nga një dëmtim që kishte pësu nga rrokullisja poshtë në atë shkëmb të thepisur.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Pasi nuk e vumë dot radion në punë, u nisëm përsëri me kërku parashutën tjetër që kishte ushqimet, veshmbathjet, e gjëra të tjera të nevojshme për ne. Ishte një i ftohtë i madh me temperatura nën zero, por në nuk kishim asnjë shpresë tjetër përveç asaj se mund të gjenim atë parashutë. Por fatkeqësisht çdo kërkim i joni rezultoi pa rezultat, pasi vonë do merrnim vesh se atë parashutë, avioni nuk dihet se përse, nuk e kishte shkarkuar menjëherë pas nesh, por e kishte hedhur në Pyjet e Macukullit, pas Alushit dhe Blloshmit.
Pasi humbët shpresat se mund ta gjenit parashutën, çfarë bëtë?
Duke i humbur të gjitha shpresat se mund ta gjenim parashutën e dytë dhe pasi nuk mund të rrinim më në atë mal nga frika se mund të ishin vëzhguar lëvizjet tona, më datën 17 shkurt në mbramje ne vendosëm të largoheshim që aty. Unë mora në shpinë radion me pajisjet e saj që peshonte rreth 35. kg. e Ndue Pjetri ecte para meje duke shkel borën me ma lehtësu sadopak udhëtimin. Mbas një rruge të gjatë dhe shumë të vështirë prej terrenit të thepisun, ne mbërritëm në katundin Kumbull-Selitë, të cilin nuk kishim pas rast me shku më parë. Nga aty kemi vazhdu përsëri udhëtimin dhe aty nga ora tre pas mesnate kemi arrit në katundin Mërkurth të cilin e njihshim shumë mirë, por nuk ndaluam fare aty dhe kemi vazhdu rrugën pa ndalu fare, deri sa aty nga ora tetë e mëngjesit të datës 18 shkurt, kemi mbërrit në Bjeshkën e Oroshit. Nga lodhja e madhe duke përshku gjithë atë rrugë si dhe nga mërzitja prej asaj disfate që pësuam, ishte gati duke na dal shpirti, por na mbante gjallë shpresa se do të lidheshim me radio dhe do të takoheshim me Alushin e Blloshmin për t’u riorganizua e me vazhdu misionin tonë.
A mundët të lidheshit me radio?
Aty në Bjeshkën e Oroshit gjetëm një vend të përshtatshëm dhe e vumë radion në funksion, por fatkeqësisht nuk mundëm dot të lidheshim me Qendrën në Romë. Mbasi kaluan minutat e caktuara që ishin parashiku për të lidhur atë ditë me Qendrën, ne u gjendëm në vështirësi të mëdha dhe pothuaj të pashpresë, pasi e para nuk dinim asgjë mbi situatën ku ndodheshim, nuk kishim asnjë rezervë ushqimore dhe po ashtu na mungonte edhe municioni, pasi në rast se do të binim në ndonjë përpjekje me Forcat e Ndjekjes, ne kishim vetëm nga një “Mashinë” të vogël dhe dy karikatorë me fishek të cilat do t’i harxhonim në pushkët e para. Në këtë situatë, vendosëm që të linim radion diku aty në Bjeshkën e Oroshit, në një vend të sigurt duke e mbulu në tokë dhe të dy me Ndue Pjetrin, u nisëm me qarkullu në ato katunde, me mujt me u taku dhe me hy në lidhje me grupet e tjera të rezistencës antikomuniste që e dinim se vepronin ende në ato anë. Puna e parë që na duhet të bënim, ishte të gjenim një njeri që të ishte teknik për radion që të kishim mundësi me u lidh me Qendrën në Romë.
A takuat njeri?
Pasi zbritëm nga Bjeshka e Oroshit me shumë vuajtje kemi ra në katundin Ndërshen-Orosh, ku në një familje të këtij katundi, gjetëm një mikpritje shumë bujare dhe aty jemi njoh edhe me situatën ku gjendeshim si dhe morëm njoftimin e lajmet e zeza për humbjen e jetëve të shokëve tanë të malit që ishin vrarë në luftime me forcat komuniste të Ndjekjes, si: Frrok Mëlyshi, Mark Ndue Bajraktari, Pjetër Llesh Gjoni, Ludovik Saraçi, Mark Cara, Bardhok Marka Gjoka, Pjetër Paloka, Gjin Paloka, Nikoll Gjet Ndoj etj. Po kështu morëm vesh se disa kryetar çetash antikomuniste ndër më kryesorët, si Bilal e Halit Kola, Ndrec Lufi e Marka Bib Vokrri, për t’i shpëtuar ndjekjeve të forcave komuniste në atë terror të madh që kishte ndërmarrë qeveria e Tiranës ndaj popullsisë së atyre zonave që strehonin e mbanin me bukë njerëzit e malit, ishin detyruar dhe kishin dalë në Jugosllavi që në tetorin e vitit 1948. Po kështu një numër i madh familjesh dhe njerëzish që përkrahnin shokët tanë të rezistencës antikomuniste, ishin pushkatu, burgos apo internu nga qeveria komuniste e Tiranës. Këto lajme na trishtuan dhe gjendja jonë dukej fare e pashpresë.
Çfarë vendosët të bënit pas këtyre lajmeve që morët?
Pas kësaj edhe pse i zoti i shtëpisë, miku ynë trim dhe bujar na luti që të rrinim aty nja dy tre ditë me marr veten nga lodhja e madhe dhe gjendja e vështirë shpirtërore që na e shtuan ato lajme të zeza, ne e falenderuam dhe i thamë se na duhej të vazhdonim rrugën për në drejtim të Kthellës, pasi ai na dha ushqim me vete për dy ditë.
U larguat pas kësaj nga aty?
Pasi kemi marrë pak veten duke u orientu se ku jemi, ne të dy morëm rrugën për në drejtim të Kthellës dhe kur mbërritëm aty trokitëm tek një shtëpia e mikut tonë bujar dhe guximtar, i cili na priti si jo ma mirë për aq pak kohë që ne kemi ndej aty. Ka qenë data 20 shkurt 1949 kur kemi hy në Kthellë dhe miku ynë na ka tregu çdo gjë që kishte ndodh gjatë asaj kohe me grupet e rezistencës antikomuniste që vepronin në ato zona. Pas tre ditësh ai na mundësoi takimin me disa nga shokët tanë të malit, si: Preng Dod Gjinin, Bib Marka Bibën, Preng Zef Tarazhin dhe Ndue Nikoll Prengën. Këta të katër që ishin miq tanët besnik dhe të sprovuar në disa përpjekje të armatosura me forcat komuniste të Brigadave të Ndjekjes, kishin ndërlidhje me me grupet e tjera antikomuniste që në atë kohë vepronin në rajonin e Lezhës, si: Dedë Kolziu, Llesh Marka Doda, Llesh Marka Tuci dhe Gjon Marka Tuci. Pasi jemi marrë vesh me anë të korrierëve tanë besnik, me këta të katërt ne jemi takuar më datën 15 mars në vendin e quajtur Pylli i Qafë Mollës në Mirditë, ku kemi zhvillu një mbledhje që ka zgjatur disa orë.
Çfarë vendosët aty?
Aty në atë mbledhje ne më shumë diskutuam dhe analizuam situatën tepër të vështirë ku ndodheshim ne dhe ato pak grupe të rezistencës antikomuniste në krahinën e Mirditës të udhëhequra nga: Ndue Bajraktari, Marka Dod Lleshaj, Gjok Dod Përbrunga e Marka Jak Bajraktari, si dhe ato të Pukës nën udhëheqjen e Pal e Ndoc Mirakajt. Ndërlidhja jonë me ato grupe bëhej mjaft e vështirë si prej motit të dimrit pasi Bjeshka e Oroshit kishte më shumë se një metër e gjysëm borë me ngrica, ashtu dhe prej mungesës së ushqimit nga kriza e madhe e bukës që mbizotëronte në ato zona. Në këto kondita tepër të vështira ku ndodheshim pasi ishte paralizuar çdo gjë edhe për shkak të ndjekjes së forcave komuniste që vepronin në ato krahina, ne vendosëm dhe u shpërndamë në dy grupe. Në grupin e parë ku bënte pjesë Preng Dod Gjini, Dedë Kolziu e Gjon Marka Çupi, Ndue Nikoll Prenga dhe unë me Ndue Pjetrin, u nisëm për në Bjeshkën e Oroshit me marrë radio-trasmetuesen që kishim lënë atje të fshehur në një vend të sigurt.
Po grupi tjetër?
Grupi tjetër i përbërë nga Llesh Marka Tuci, Llesh Marka Doda, Bib Marka Biba dhe Preng Zef Tarazhi, u ngarkuan me furnizimin me ushqime në një qendër (pik-takimi) që do ta formonim në Pyllin e Qafë-Mollës, si dhe të vendosnin ndërlidhjet me grupet e tjera.
Ju, arritët ta merrnit radio-marrësin?
Ne pas shumë vuajtjesh për shkak të vështirësive që na krijonte bora e madhe gjatë udhëtimit tonë, më në fund shkuam dhe e morëm radion atje ku e kishim lënë, por në kthim, për shkak të motit të keq që nisi me shira të rrëmbyeshëm, nuk mundëm që ta kalonim dot lumin Fan që ishte bërë shumë i rrëmbyeshëm. Kështu ne mbetëm pa shku në vendin e caktuar në Qafë Mollë, që kishim para caktu si pike-takimi ku do mblidheshim përsëri.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Ne u detyruam dhe pritëm nja dy ditë që të stabilizohej disi moti duke qëndruar në zonën e Buklit të Mirditës dhe më pas ne si grup morëm vendim që të kalonim lumin e Fanit në urën e Karmës së Peshqeshit. Kështu, në mbrëmjen e datës 22 mars u nisëm për në atë drejtim, duke udhëtu vetëm natën nën një shi të rrëmbyeshëm dhe errësirë të plotë. Karma është një vend shumë i vështirë për të udhëtuar nga terreni i thyer e shkëmbinjtë e thepisun dhe aty kemi mbërrit duke dalë drita. Nga që nuk mundeshim dot me udhëtu ditën nga frika se zbuloheshim dhe mund të na rrethonin forcat komuniste të Reparteve të Ndjekjes, u detyruam dhe e bëmë kalimin afër urës së Karmës sapo zbardhi dita. Ne na duhej të largoheshim sa më shpejt prej asaj zone, pasi rrezikoheshim prej forcave komuniste të Sigurimit të Shtetit, që prej aty ishin shumë afër Qendrës së Shën Palit.
A u kuptuat prej tyre?
Ashtu siç dhe e parashikuam, fatkeqësisht u zbuluam, pasi aty nga ora 9 e mëngjesit aty afër nesh kaluan disa çobanë dhe prej tyre ne rrezikoheshim shumë. Ne ramë në hall, pasi po t’i kapnim, do të bëhej alarm, po mos t’i kapnim, nuk kishim siguri, pasi ata mund të na kallëzonin dhe situate jonë bëhej shumë e rrezikshme.
Si vendosët…?!
Ne nuk i kapëm me një shpresë të kotë se ata nuk na kishin pa, ose dhe po të na kishin pa, nuk do të na kallëzojshin. Por fatkeqësisht, një nga çobanët i quajtur Gj. B. Ll. Që ishte spiun i Bardhok Bibës, qysh përpara, pasi na kishte hetuar mirë grupin tonë, menjëherë shkoi në Shën Pal, ku ishin në gatishmëri shumë forca komuniste operuese, gati për të vepru në çdo kohë që t’u jepej sinjali.
Çfarë ndodhi pasi ai person, lajmëroi për ju në Shën Pal?
Në orën 12 të asaj dite (23 mars 1949) grupi ynë i gjend i rrethu prej një fuqie ushtarësh të Forcave të Ndjekjes që arrinin në afro 500 veta. Ne ndodheshim në një pozicion të pafavorshëm qoftë për të sulmu, qoftë për t’u tërheq dhe vështirësitë na i shtonte më tepër edhe moti, pasi temperaturat në atë fund marsi ishin nën zero. I gjithë vendi aty është me shkëmbinj të thërmuar dhe të tjerë shumë të lartë saqë ishte tepër e vështirë me i pa majat e tyre dhe nuk kishte asnjë lloj shtegu me kalu. Lumi i Fanit të Vogël që kalon në ato zona duke i pre si me thikë shkëmbinjtë e thepisun deri në thellësi, ishte një tjetër pengesë e fortë natyrale që na dilte para nesh. Nga ana tjetër e lumit ku shkëmbinjtë me njëri tjetrin ishin jo ma larg se 500 metër në vijë ajrore në majat e maleve, forcat komuniste kishin vu mitralozat e rëndë dhe qëllonin pa pushim me një zjarr të dendur.
Çfarë bëtë në atë situatë të vështirë që ndodheshit?
Për më shumë se tetë orë rresht ne të katër kemi qendru pa lëviz fare në ato pozicione që kishim zënë me të shpejtë, nën zjarrin e pandërprerë të forcave komuniste që ishin të shumta në numër, pasi plumbat e tyre na vinin nga të katër anët.
Nuk tentuan t’u sulmonin gjithë ato forca komuniste që i’u kishin rrethuar?
Ata tentuan disa herë të na sulmonin, por nuk na thyen dot dhe tërhiqeshin përsëri, pasi linin ndonjë të vrarë aty.
Pati të vrarë aty nga ana e Forcave të Ndjekjes?
Në sulmin e parë që ata tentuan, mbeti i vrarë në vend aspiranti i Sigurimit të Shtetit, Qemal Hoxha, që mbulonte me shërbim rrethin e Shën Palit. Bashkë me të në atë sulm, mbetën të vdekun edhe një rreshter i Brigadës Speciale të Sigurimit dhe katër ushtarë. Mund të ketë pas dhe të tjerë të vrarë, por këto i kemi pa me sytë tanë.
Çfarë ndodhi pas këtyre humbjeve nga ana e Forcave të Ndjekjes?
Aty nga ora tetë e mbrëmjes kur nata kishte mbulu vendin e nuk dukej asgjë, duke pa dhe situatën kur ne po na mbaroheshin edhe ato pak municione që kishim, vendosëm me sulmu përpjetë me dal në Majën e Malthit, pasi në atë situatë kur zjarri i tyre u ndez me më shumë furi, nuk kishim më asnjë shpresë me ngel kush i gjallë nga ne. Radion dhe pajisjet e saj e ndamë në dy pjesë, një e mora unë dhe një Ndue Nikolli, por duke mos pas asnjë mundësi komunikimi me njëri tjetrin, grupi ynë u shpërnda në dy drejtime të ndryshme me shpëtu kokën gjithsecili. Preng Dod Gjini dhe Ndue Pjetër Gjomarkaj janë nis në një drejtim, ndërsa unë me Gjon Marka Çupin e Ndue Nikollin në një drejtim tjetër.
Patët të dëmtuar nga ana juaj gjatë asaj tërheqje?
Fatkeqësisht pak minuta pas asaj tërheqje u plagos Ndue Nikolli dhe unë u detyrova me i ardh në ndihmë duke ja marr pajisjet e radios dhe bashkë me radion që kisha i fsheha diku me të shpejtë por në një vend të sigurtë dhe prej aty mundëm të largoheshim pa pësu asnjë dëm tjetër./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016