Dashnor Kaloçi
Memoria.al publikon historinë e panjohur të Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni, ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarakë në Gardën Mbretërore, kurse djali xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë. Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vendit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët. Nikolla doli partizan, u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, luftoi deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Dëshmia e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947, së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, pasi komunistët i’u dogjën kullat e tyre dhe ja internuan të familjen në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj. Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria, për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, pasi u rikthye në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi ) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare .
Zoti Ndue, në fillim të kësaj interviste, na thoni sa vjeç jeni?
Unë jam plot 109 vjeç, ja ku e kam dhe mund ta shihni pasaportën, datëlindja 1911, por me regjistrimet që janë gjetur në librat e Kishës ku jam regjistru, figuroj dy vjet më i madh, pra kam lindur në vitin 1909 dhe i bie të jem jam 111 vjeç.
Cila është origjina e familjes tuaj?
Ne jemi nga Thkella (Kthella) e Mirditës dhe babai jonë, Gjon Mëlyshi, ka qenë bajraktar i Thkellës sikur i kanë pa thanë atëherë të parit të fisit, që i printe gjithë atyre fshatrave që përmblidhte bajraku.
Gjatë kohës së Monarkisë së Zogut, si kanë qenë raportet e fisit tuaj Mëlyshi me atë regjim?
Shumë të mira kanë qenë pasi ne kemi pa punën tonë, pa u përzier në punët e politikës së qeverisë.
Nga familja Mëlyshi, ka pasur me poste dhe funksione qeveritare gjatë kohës së Monarkisë?
Me poste dhe funksione nuk kemi pas, por ushtarakë të Monarkisë së Zogut ka qenë vëllai im, Nikolla, i cili ka shërbye deri në Gardën Mbretërore të Zogut me gradën e togerit dhe më pas si kapiten. Po kështu edhe kushrini ynë i parë (djali axhës tonë), Frrok Mark Mëlyshi, ka qenë oficer i Monarkisë dhe të dy bashkë me Nikollin tim, kanë marrë pjesë edhe në rezistencën që i’u bë italianëve më 7 prill 1939, kur u sulmua Shqipëria nga Italia fashiste. Frroku ka qenë në Durrës me forcat vullnetare dhe ka marrë pjesë aty aq sa ç’mund t’ju bëhej rezistencë italianëve, pasi kishte gjithë atë ushtri Italia dhe Zogu me atë ushtri që kishte nuk mund të ndeshej me ta, sepse do bëhej gjakderdhje e madhe.
Gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-‘44, çfarë qëndrimi mbajti familja Mëlyshi?
Frroku edhe Nikolli kanë qenë oficerë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare që ka qenë atëherë dhe kanë marrë pjesë edhe në luftën italo-greke me batalionet shqiptare që shkuan në front dhe që dezertuan më vonë me Spiro Moisiun, Prenk Pervizin etj. Nikolli vëllai im, doli partizan në Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës dhe ka qenë në Brigadën e VII-të Sulmuese me komandant Gjin Marka Tomën, e ka luftu deri në Jugosllavi. Nikolli, si ish-oficer ka pas detyrë të lartë në Shtabin e Brigadës së Gjin Markut dhe me gradë kapiten. Kurse Frroku ka qenë edhe me Xhandarmërinë dhe ka luftu së bashku me major Dod Nikollën, kundra forcave partizane në Jug të Shqipëri, kurse nga fundi i Luftës është bashku me Gjon Marka Gjonin në Shkodër dhe ishte një nga ata që morën hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit) dhe major Ndrec Prengës nga komunistët e Vasil Shantos. Nikolli pasi u kthye nga Jugosllavia, ka qenë me detyrë në Shkollën e Oficerëve në Tiranë si pedagog, kurse Frroku nuk u largua nga Shqipëria, por doli në mal në arrati me forcat Mark Gjon Markut, pasi komunistët e kërkonin ta arrestonin sepse ai kishte luftu kundër tyre.
Ju personalisht, gjatë periudhës së Monarkisë dhe atë të pushtimit të vendit, me çfarë jeni marrë?
Duke qenë se vëllai, Nikolli, ka qenë gjithmonë me detyra ushtarake larg familjes sonë, unë kam qenë i detyruar të qëndroja në shtëpi në fshat, deri në vitin 1947 që dola në arrati në mal.
Përse dolët në arrati?
Dola në arrati sepse pas mbarimit të Luftës komunistët nuk na panë me sy të mirë, pasi nuk i’a falnin kollaj djalit të xhaxhait tonë, Frrokut, që kishte luftu kundër tyre dhe ishte në mal që nga mbarimi i luftës. Për këtë shkak në vitin 1947, edhe pse Bardhok Biba u mundu me na mbrojt për shkak se djali i Nikollit, Pal Mëlyshi ishte me komunistët, ne na i dogjën kullat, pasi ne kishim dal në mal në arrati. Me ne në arrati doli dhe vëllai Nikolli, pasi edhe atë donin ta arrestonin edhe pse ishte ushtarak drejtues në Shkollën e Oficerëve në Tiranë, por atë e njoftoi një mik besnik i tij dhe ai mundi të largohet nga Tirana fshehurazi dhe erdhi në Mirditë e u bashku me ne.
Kur dolët në mal në vitin 1947, kë latë në shtëpi dhe ç’ndodhi me familjen tuaj?
Në shtëpi kam lënë gruan time, Marën, bijë te familja e Gjon Marka Gjonit dhe tre vajzat, ku më e madhja ishte Bardha 7 vjeç dhe dy të tjerat pas saj, Lizita dhe Agetina, nga dy vjet diferencë njena nga tjetra. Ato fillimisht i kanë marrë dhe i kanë dërgu në Shpal të Mirditës, pastaj i internuan në Lezhë dhe më pas në berat e prej aty në Tepelenë, ku kanë ndenj deri sa është mbyll ai kamp i tmerrshëm. Më pas i kanë dërgu po në internim në fshatin Bardhej të Shkodrës dhe aty janë stabilizu e janë rrit vajzat nën kujdesjen e të amës së tyre, bijë e fisit Gjonmarkaj, duke e ndihmu dhe njerzit e saj. Por kanë heq shumë keq, duke punë në punët më të vështira dhe u thoshin se jeni të bijat e diversantit.
Kur u arratisët nga Shqipëria?
Deri sa u vra Bardhok Biba, në fillimin e gushtit të vitit 1949 dhe atëherë u detyruam me u arratis e me dal në Jugosllavi, pasi ndjekja e forcave komuniste ndaj nesh dihet që do ishte e fortë pas vrasjes së Bardhokut, për të cilën unë nuk kam qenë dakord dhe nuk kam pranu me firmos për vrasjen e tij.
Përse nuk ishit dakord?
Po nuk fitohej asgjë me vrasjen e Bardhokut dhe ajo gjë vetëm dëme do na sillte, pasi dihej se hakmarrja e komunistëve ndaj familjeve tona do të ishte e fortë, ashtu siç ndodhi dhe në të vërtetë me familjet tona e mbarë Mirditën, ku u pushkatuan 14 burra dhe me qindra të tjerë u burgosën e internuan. Një nga ata 14 burra që u pushkatuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e Bardhokut, ishte dhe vëllai im, Llesh Mëlyshi.
Pse vendosët të dilnit në Jugosllavi dhe jo në Greqi?
Grupi ynë e kishte të pamundur të dilte në Greqi, pasi ishte një rrugë e gjatë nga malet e Mirditës për në Jug të vendit në kufi me Greqinë, pasi do të binim në pritat e Forcave të Ndjekjes dhe do kishim humbje të mëdha. Kështu u vendos me dal në Jugosllavi, pasi që në 1948-ën kur Jugosllavia u prish më Rusinë, këtu te ne u hap fjala se ata ishin lidh me Anglinë dhe Amerikën dhe nga Jugosllavia bëhej shumë më lehtë kalimi për në shtetet e Perëndimit. Nisur nga këto që fliteshin atëherë, shumë grupe luftëtarësh të rezistencës antikomuniste mësynë drejt kufirit, pasi thuhej se aty në Jugosllavi emigrantët politik lëviznin lirshëm dhe pa asnjë problem. Kështu në atë kohë patën gjet strehim politik në Jugosllavi, edhe një grup i madh mirditas e matjanë me në krye Marka Bib Vokrrin, Ndrec Lufin, Bilal e Halit Kolën, etj.
Çfarë itinerari përshkuat për t’u arratisur në Jugosllavi?
Pas vrasjes së Bardhok Bibës në mbrëmjen e 7 gushtit 1949 jemi mbledh të gjithë në Shqopën e Munellës dhe prej aty kemi kalu disa fshatra e katunde të Mirditës, kemi dal në Bjeshkën e Kaçinarit e Kushnenit dhe kemi mbërrit në katundin Shkozë. Nga aty në Fushë-Arrëz, Kryezi, në Bjeshkën e Kryeziut e të Dardhës, ku jemi taku me Pal e Ndoc Mirakaj e grupin e tyne që bënin rezistencë në atë zonë. Pasi kemi pushu pak aty, ata na kanë furnizu me ushqime për dy ditë dhe na dhanë edhe 11 njerëz të tyre besnik me vete, që të na udhëhiqshin rrugën me dal deri në Jugosllavi. Na ka shoqëru edhe vetë Pal Mirakaj me Mark Zogun deri sa jemi afru kufirit dhe më datën 17 gusht, plot 53 burra kemi dalë në Jugosllvi pa asnjë dam.
Pasi dolët në Jugosllavi, ku u dorëzuat?
Rojet kufitare jugosllave na kanë shoqëruar në komandën e tyre në Babaj të Bogës dhe aty pasi na morrën armët na kanë dhënë bukë e cigare e na regjistruan të gjithëve me në krye Ndue Pjetër Gjonmarkaj që ne u thamë se ishte kryetari i grupit tonë. Po atë natë na erdhën disa oficer të UDB-së të veshur civila dhe me dy kamiona na morën të gjithëve dhe na dërguan në Gjakovë, ku pasi kemi pushu 24 orë, na morën përsëri dhe na dërguan në burgun e Prizrenit ku na mbajtën 23 ditë të izoluar, duke na marrë në pyetje të gjithëve një nga një. Të gjithë ne lëshuam nga një deklaratë se ishim emigrant politik dhe kishim dalë në Jugosllavi se na rrezikohej jeta, pasi na ndiqte regjimi komunist i Tiranës.
Më pas ku ju dërguan?
Nga aty na lidhën të gjithëve dhe na dërguan në burgun e madh të Nishit, ku kishte rreth 2000 të burgosur me dënime që arrinin në 101 vjet, por sipas ligjit jugosllav të asaj kohe, ai dënim zbritej në 21 vjet.
Si u trajtuan në atë burg, çfarë kushtesh kishte?
Në burg të gjithë të dënuarit pa përjashtim ishin të detyruar të punonin nga 8 orë në ditë dhe për ata që punonin ushqimi nuk ishte i keq, kishte 600 gr. bukë në ditë dhe gjella nuk ishte e keqe. Ndërsa për ata që s’donin të punonin, ushqimi ishte më i dobët. Po kështu kishte dhe dënime disiplinore me izolim në biruca që quheshin “Bela Kuce”, për të gjitha ata që kundërshtonin rregulloren e policinë.
Sa u mbajtën dhe ku ju dërguan më pas?
Na kanë mbajtur deri aty nga muaji qershor i vitit 1950. Por fillimisht aty në Nish nga muaji prill erdhi oficeri I UDB-së Zhivko Çarkiç dhe na ka marrë në pyetje përsëri të gjithëve një për një. Më shumë ai u morr me Ndue Pjetër Gjomarkajn që e kishim kryetar grupi dhe atë e ka shtërngu më shumë duke e pyet për vrasjen e Bardhok Bibës, por Nduja ka rezistu dhe nuk ka pranu asgjë. Pas Ndues, kanë marrë në pyetje Mark Jak Bajraktarin i cili u ka thënë: “Bardhok Biba ka qenë i dënuar me vdekje nga organizata jonë dhe më vjen keq, që nuk kam pas mundësi me e vra me dorën time, pasi ai ka qenë këlysh i Stalinit dhe jo shqiptar”.
Pas përgjigjes që i dha Marku, çfarë ndodhi?
Majori Çarkiç nuk e vazhdoi më proçesin e pyetjeve ndaj grupit tonë të shqiptarëve dhe e mbylli fare atë. Kjo gjë bëri që pak ditë më vonë, aty nga muaji qershor, në kampin e Nishit ku ishim ne erdhi majori i UDB-së, Çedo Mihjoviç dhe thirri Ndue Pjetër Gjonmarkun, Ndue Bajraktarin, mua (Ndue Mëlyshin), Mark Dodë Lleshjan, Marka Jak Bajraktarin dhe Pjetër Kol Preçin.
Çfarë ju tha majori i UDB-së?
Pasi na thirri në zyrë, na tha se gjatë asaj periudhe që ne ndodheshin në Jugosllavi nëpër kampe dhe burgje, kishim kaluar vështirësi, pasi sipas tij, gjendja në Jugosllavi ishte ende e turbullt, por ne nuk duhet të mërziteshim shumë, pasi kryesorja ishte fakti që ishim gjallë, sepse jo në pak raste na ishte rrezikuar jeta. Pas kësaj hyrje që bëri, ai kaloi në temë duke na thënë se ai personalisht kishte ndërhyrë për çështjen tonë dhe biseduar me Ministrinë e Brendshme, që të na lironte nga burgu, me kusht që ne të formonim gjashtë grupe të vogla me nga tre persona dhe të hynim me misione sekrete në Shqipëri./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016