Nga Gëzim Çela
Memorie.al/Spaçi i ngjante një “koloseu” natyral: muret e të cilit nga lindja putheshin me qiellin, shkallët e këtij “koloseu” gjigant zbrisnin me vërtik të poshtë, duke lënë pas zgafellat e galerive të zeza si ngjyra e vdekjes. Aty të burgosurit me tri turne nxirrnin bakër e pirit. Rrokullima e këtyre shkallëve vazhdonte deri sa përplasej diku në hone dhe ndalonte pak, sa për të marrë frymë, përpara arenës së skllevërve, e rrethuar me një varg të pafund shtyllash betoni të ngjizura me mijra tela gjembash dhe karakollë me ushtarë të armatosur që rrethonin arenën e fjetoreve të kampit.
Shkallët e këtij “koloseu” vazhdonin pastaj përsëri të poshtë për t’u ndalur më në fund te një grykë përroi që e kishte zanafillën te lartësitë e Munellës. Dhe për të plotësuar anën tjetër të këtyre shkallëve, muret e këtij “koloseu” ngjiteshin prapë përpjetë nga perëndimi, për t’i dhënë qiellit të puthurën e fundit, duke i zvogëluar kështu diellit hapësirën qiellore që ndriçonte kampin tonë.
23 maj 1973
Revolta ishte thyer. Në anën e këtij “koloseu” ishin grumbulluar disa qindra të burgosur, të lidhur me zinxhirë, dy e nga dy, të ulur në tokë. Kurse në tribunën e tij, përtej telave me gjemba, në një lartësi të spikatur, ishin ulur patricët e kuq, me në krye zv. ministrin, Feçor Shehu. Operativi, me një listë të gjatë në dorë, lexonte emrat e atyre që do të ri arrestoheshin si pjesëmarrës në revolt, ndërsa gishti i madh i zv. ministrit, i kthyer poshtë, përcaktonte se kush duhej arrestuar.
I ulur në tokë dhe i lidhur me zinxhirë, së bashku me një tjetër, dëgjova nga goja e operativit me zë të lartë, që thirri emrin tim. Me bisht të syrit pashë gishtin e madh të Feçorit që ishte drejtuar nga toka.
Menjëherë një polic me hekura gjermane m’u afrua, duke çarë përmes grumbullin e të burgosurve. Më zgjidhi nga shoku që isha i lidhur me të njëjtin zinxhir, për të m’i future të dyja duart mbas shpine në hekurat gjermane. M’i shtrëngoi me sa fuqi kishte.
Dy policë të tjerë, më kapën dhe më tërhoqën zvarrë, deri sa më ngjitën në karrocerinë e një kamioni të mbuluar, që priste para derës së kampit. Na sistemuan duke na ngjeshur si në një kuti sardeleje, na lidhën edhe një herë tjetër, me një zinxhir të gjatë, njëri me tjetrin, nëpërmjet hekurave që mbante secili pas shpine. Mbyllën spondin e pasëm të kamionit dhe autokolona me të burgosur u nis, e shoqëruar nga makina të tjera plot me ushtarë, që mbanin mitralozat dykëmbësh mbi kabina.
Autokolona mori rrugën drejt Tiranës. Rruga ishte e gjatë, çdo lëvizje që bënim na shkaktonte dhimbje në kockat e duarve.
Zbritëm në oborrin e burgut, na rreshtuan me kokë të mbështetur pas murit, ku na prisnin për gjahun e tyre disa dhjetëra hetues. Mbasi m’u tha edhe një herë emri, një dorë polici më kapi për zverku, më shtyu me forcë drejt korridorit të errët të burgut të ri: kurse të tjerët na qëllonin me grushte. Hapën derën e një qelie dhe më përplasën në dysheme me duart gjithnjë të lidhura me hekura mbas shpine.
Hetuesia filloi vrullshëm dhe ishte e qartë se do të na dënonin. Por fati im nuk dihej: do të më shtohej dënimi, apo do të pushkatohesha?… Hetuesit vinin çdo natë nëpër qeli dhe na njoftonin se në gjyqin e parë, që u zhvillua në Spaç brenda ditës, kishin pushkatuar 4 vetë, prandaj ky fat i priste edhe disa nga ne. Dhe këtë mandat të kobshëm e thonin me një kënaqësi sadiste e demoniake…
Por diçka tjetër më shqetësonte më shumë, a do ta merrte vesh nëna, se do të më shtohej dënimi me disa dhjetëra vite të tjerë, duke iu shuar kështu shpresa se do të kthehesha ndonjëherë në shtëpi, pranë saj, pasi ajo ishte e moshuar. Më 21 maj, ditën kur filluan shenjat e para të revoltës, kisha bërë takim me nënën.(Përkonte me ditëlindjen time, prandaj dhe kishte ardhur). Kjo më jepte një farë shprese, mbasi nëna më vinte për të më takuar një herë në dy muaj. Kështu që, kur të vinte herën tjetër, mbasi të isha dënuar, nuk do t’i tregoja.
Zhvillimi i seancave të hetuesisë bëhej me goditje të përqendruar, mbasi pas grupit tonë ishin dhe tre grupe të tjera. Ishin dy hetues të rangut të lartë, një nga Prokuroria e Përgjithshme dhe një nga Ministria e Brendshme. Dhe ashtu ndodhi, na larguan nga burgu i Tiranës, pasi përfunduan të ashtuquajturën hetuesi dhe na nisën me një auto-burg në drejtim të paditur.
Një pikëpyetje na mundonte, për ku? Përpara ndonjë skuadre pushkatimi, siç kishin bërë me grupin e parë, në ndonjë sallë gjyqi, në burgun e Burrelit, apo do të na kthenin prapë në Spaç, duke e quajtur çështje të mbyllur revoltën tonë?…
Këto ishin biseda që bëheshin ndërmjet pesimistëve dhe optimistëve, ndërsa makina vazhdonte rrugën drejt të panjohurës. Përpiqeshim me shqisën e instinktit të kuptonim se ç’drejtim merrte makina (pasi asgjë nuk shihnim)… Kur u afruam afër urës së Fanit, shpresat na u shtuan. Dy ishin tashmë mundësitë: Burreli ose Spaçi… Por makina vazhdoi drejt, duke e lënë urën në krahun e majtë…Na priste Rrësheni, pra gjyqi.
Nga qelitë e degës, na çonin në sallën e kulturës të degës, ku zhvilloheshin seancat gjyqësore, që zgjatën për 20 pjesëtarët e grupit tonë 2 deri 3 ditë, duke më dënuar 15 vjet të tjera.
Në një prej atyre ditëve, kur isha në sallën e gjyqit, nga jashtë më erdhi papritur një vikamë e thekshme gruaje që qante dhe ulërinte. Ky zë vinte nga rruga, nëpërmjet dritares, megjithëse ishte e mbyllur. Një drithërimë rrëqethëse e përshkoi gjithë qenien time. M’u duk si zëri i nënës…
Kur zbritëm poshtë në qeli, i them shokut, me të cilin isha ulur afër në sallën e gjyqit:
- Dëgjove ndonjë zë gruaje që bërtiste në rrugë?
- Ai m’u përgjigj:
- Jo… me siguri të kanë bërë veshët. Po të ishte kështu si thua ti, do ta kisha dëgjuar edhe unë…
Fjalët e tij më ngushëlluan dhe mendova se ajo që kisha dëgjuar ishte një iluzion auditive. Gjithashtu, u justifikova me arsyetimin se nëna s’kishte pse të vinte, ende, nuk ishin bërë dy muaj nga takimi i fundit.
S’kishin kaluar veçse pak orë, kur sporteli i derës së qelisë u hap ngadalë dhe një kokë polici zuri vrimën e saj…Pyeti me gjysëm zëri. Kudo sundonte një heshtje varri.
- Është Gezim Çela këtu?
- I bëra shenjë me kokë se po. Sporteli u mbyll përsëri ngadalë e pa zhurmë, ashtu siç edhe ishte hapur. S’po arrija të kuptoja. Ç’kishte ndodhur me mua?! Një ankth përvëlues dhe një parandjenjë e çuditshme më kishte pushtuar… diçka do të ndodhte…
U hap prap sporteli dhe këtë herë, një pako e vogël u zgjat drejt meje. E mora, me duart që më dridheshin. Po, unë nuk kisha si të gabohesha! Ajo klithmë e thekshme kishte qenë e nënës sime! Më së fundi, nëna më kishte gjetur!
Kisha lexuar vite më parë një tregim të mrekullueshëm të Maksim Gorkit me titull “Pushteti i nënës”. Po më dukej vetja si personazh në atë tregim, sepse po ndodhte vërtetë ashtu, ku një nënë qëndronte krenare përballë Timur Lengut të çalë, mongolit që linte pas gjurmëve të tij lumenj të kuq gjaku dhe ngrinte piramida me kafka njerëzisht. Ajo i kërkon atij të birin.
- Si ke arritur deri këtu? – pyeti mbreti i hordhive.
- Ke ardhur nga shumë larg, nga brigjet e deteve të Jugut, duke kaluar pyje, shkretëtira, lumenj, male, si ke shpëtuar nga egërsirat dhe nga njerëzit që janë më të egër se ato?
- Nëna i përgjigjet:
- Po edhe egërsirat kanë një zemër dhe me instiktin e tyre e kuptuan se isha nënë dhe kërkoja tim bir, prandaj m’u përulën e më lëshuan rrugë.
Pasi e dëgjoi, Timur Lengu urdhëroi që t’ia sillnin të birim…
Komunistët ishin treguar më të egër se Timur Lengu. Ata nuk e kishin lënë nënën time të më takonte…
Pas disa vitesh, kur dola nga burgu, e pyeta nënën time se si arriti të më gjente. Ja ç’kishte ndodhur: Pas disa ditësh që ishte takuar me mua, nënës i kishin mbërritur në vesh fjalët për protestën tonë. Ajo ishte nisur përsëri e tmerruar drejt Spaçit. Por kampi ishte rrethuar nga ushtarë me helmeta si në gjendje lufte. Askush nuk lejohej t’i afrohej komandës. Megjithatë, pas një këmbënguljeje të madhe, nëna mori këtë përgjigje:
- Yt bir nuk ndodhet këtu. Kërkoje në Ministrinë e Punëve të Brendshme!
Nëna kishte shkuar në ministri, por atje nuk kishin pranuar ta sqaronin se ku ndodhesha. Pas pritjes disaditëshe në dyert e ministrive, Degës së Punëve të Brendshme dhe burgjeve, me ankthin që i shtohej, ngaqë askund nuk po ia mbanin pakon për mua, dhe sidomos, pasi ajo pako nuk iu pranua as në degën e Rrëshenit, nëna i humbi shpresat se mund të isha gjallë. Ajo filloi të klithte me gjithë forcën e shpirtit. Ishin ato vikama që i kisha dëgjuar nga salla e gjyqit. Këta lot e britma e detyruan kryetarin e gjykatës që ta lejonte për të future pakon në birucë. Kjo e siguroi nënën time se unë isha në jetë.
Përsëri më shkon mendja te tregimi i Gorkit dhe them me vete:
- Si do ta kishte vazhduar ai këtë tregim?/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016