Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të përfaqësimit të shtetit shqiptar në “Panairin e Lindjes”, i cili që nga viti 1929, filloi të zhvillohej çdo vit në Bari të Italisë, ku tregtarët, fermerët dhe industrialistët e vegjël shqiptar, ekspozonin aty mallrat dhe prodhimet e tyre më të mira si: vajguri, bitum, lëndë drusore, lesh, bulmetra, ullinj, vezë, punime artizanati etj. Interesimi i madh i ministrisë së Ekonomisë Kombëtare të kryesuar prej Dhimitër Beratit për pavijonin shqiptar dhe vlerësimet e funksionarëve të lartë të asaj kohe, për pjesëmarrjen e vendit tonë në atë eveniment të rëndësishëm, i cili shikohej si një “Portë që lidhte Shqipërinë me Perëndimin”.
Kjo pjesëmarrje e rritur e prodhimeve shqiptare, gjen shpjegimin kryesor si thashë, në rëndësinë e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve, q’i bashkon Adriatiku”. Kështu shprehej në mes të tjerash ministri i Ekonomisë Kombëtare Dhimitër Berati, në një shkrim të tij, të shkruar enkas për Revistën e “Panairit të Lindjes” dhe të publikuar me autorizimin e tij nga revista “Diana” e Tiranës në vitin 1934.
Demir Alizoti: Shqipëria dhe Panairi i Barit
“Midis atyre shteteve që qysh në fillim të krijimit të këtij tregu ndërkombëtar me rëndësi, nuk ka munguar të përfaqësojë prodhimet e veta në çdo manifestim vjetor, ka qenë, pa fjalë Shqipëria. Vendi i jonë me të vërtetë si një shtet i ri, ka treguar një guxim dhe nuk është shmangur nga një shfaqje e tillë. Kjo tregon haptas se Shqipëria e sotme, ka filluar dhe kjo të eci drejt një qytetërimi Oksidental e drejtuar prej prijësit të saj, me energji dhe me plot vullnet. Në Shqipërinë e re në çdo degë shifet një zhvillim dhe përparim radikal. Mund të thuhet pa u fshehur e drejta se në këto kohët e fundit ose më mirë të themi, brenda 10 vjetorit të parë të regjimit Zogist, Shqipëria si kurdoherë çdo degë e saj më tepër ato që formojnë Ekonominë Kombëtare, i ka trajtuar dhe zhvilluar në mënyrë të dukshme. Bujqësia, që është baza e ekonomisë kombëtare, mbasi përfaqëson për Shqipërinë koefiçentin e parë të prosperitetit të saj, tashti vonë me udhëzimet teknike, me shpërndarjen e mijra veglave të ndryshme, me përhapjen e farërave të fidanëve, me krijimin e organizatave kooperative etj., ka filluar të ndryshojë gjendjen e saj primitive. Ashtu dhe blegtoria me masat e marruna për përmirësimin e racës së bagëtive, për luftimin e sëmundjeve etj, ka mbërritur në një shkallë të lavdërueshme. Industria që para vjetit 1925 nuk ishte gjë tjetër veçse një industri e vogël shtëpiake, sot është zhvilluar jo vetëm nga pikëpamja e përmirësimit nga gjendja e saj e mëparshme, por dhe u krijuan dhe industri të reja moderne, u krijuan rafineria për vajrat, u muarrën masa për përmirësimin e bulmetit me krijimin e stacioneve moderne të qumështit etj. Më pas janë zhvilluar edhe industri të reja si të sapunit, të leshit, të mobilieve, të duhanit, të tullave, alkoolit, të birrës, çimentos, etj, e që të cilat pak a shumë i bëjnë ballë nevojave të vendit. Pra ky zhvillim i shpejtë i dha shkak vendit t’onë të prezantohet për çdo vjet në Panairin e Lindjes me prodhimet e ndryshme kombëtare.
Panairi i Lindjes; Vet-vetiu nga emri tipik, kuptohet se ky panair pasqyron politikën tregtare të Mbretërisë Italiane n’Orient dhe ka për qëllim të propagandojë në Ballkan e n’Orinet produktet e industrisë italiane. Krijimi i këtij panairi, që sot ka krijuar një interes në të gjithë botën, mbas pesë manifestimeve konsiderohet si një fryt i një historie tradicionale për tregun e Barit. Gjithë entet e ndryshme t’ë atij qyteti; qysh me kohë aq më tepër mbas vjetit 1900, inspiroheshin në një organizëm të tillë. Dhe kësisoj u vendos krijimi në vendin e duhur ose më mirë të themi në kryeqytetin e Puljes; sepse ky qytet qysh në kohërat e para ka vënë në komunikim me varkat e tij jo vetëm qytetet e Adriatikut, por edhe të Orientit e që sot këto vise formojnë sferën e vërtetë të lëvizjes tregtare të Panairit të nalt-përmendur. Ideja e krijimit të këtij panairi u ekzekutua prej Qeverisë fashiste, dhe me dekretin e 3 Tetorit 1929 u realizua dëshira e popullit të atij rajoni. Ky panair, pra siç thamë ka për qëllim të verë në lëvizje gjithë posibilitetin për një marrëveshje zhvillimi e fitimi midis Italisë dhe shteteve të tjera dhe aq më tepër në mes të tregjeve Ballkanike, Afrikane e Aziatike. Dhe në këtë mënyrë duke marrë parasysh dhe pozicionin gjeografik të Barit, e jo vetëm por edhe rëndësia që ka për komunikimin me shtetet e nalt-përmendura, u vendos qendra e kësaj organizate n’atë vend. Pra, dhe për Shqipërinë ky panair që në pikëpamjen gjeografike ndodhet kaq afër sidomos ne skelën e parë të vendit t’onë, ja një rëndësi të madhe dhe ca më tepër sepse shtetet që marrin pjesë aty përbëjnë tregjet më të favorshme për një pjesë të madhe t’artikujve t’onë t’eksportimit. Veç kësaj, lehtas, me shpejtësi e jo me shpenzime të konsiderueshme, mund të vihen në komunikim reciprok prodhimet e sidomos tregtarët për çdo marrëveshjet. Më së funt kur shihet statistika e jonë e eksportimit, do të konstatohet se ¾ e këtyre prodhimeve hyjn e dalin me ndërmjetësin e skelës, ku zhvillohet prej 6 Shtatorit e deri më 21 Shtator të çdo vjeti. Panairi i sipërpërmendur. Panairi i Barit vit nga vit pati një sukses dhe zhvillim të konsideruar të kësisoj sipërfaqja e përgjithshme që në vjetin 1930 ishte 115.000 m2. në vjetin 1934 arriti në 186.000 m2. ashtu dhe eksportet e huaja nga të 134 të vjetit 1930, në 1934 mbërrin në 1327 veta. Pra kjo lë të kuptohet rëndësinë që merr vet nga vjet ky Ent Autonom, pa dyshim nën drejtimin e kuptueshëm dhe plot zell të kryetarit të saj të ndershëm, Z. Grand. Uff. Laroca.
Gjykimi i Ministrit t’ Ekonomisë Kombëtare, Dhimitër Berati
“Kemi përshtypjen se Panairi i Lindjes, zë, që tani, një vend nderi midis Panaireve të tjerë më të vjetër; Panairi i Lindjes ka ditur të krijojnë me një herë një traditë që mot për mot bëhet më konkrete dhe imponohet me fuqi më të madhe “Fiera”, në gjuhën shqipe thuhet “Panair”, por mund të shtohet se kjo fjalë ka diçka t’asaj ndjesie fetare që ndeshet n’origjinalin e “Panaireve”, veçanërisht në Ballkan, ku organizohen pranë manastireve në rastin e disa festave fetare. Ndër ato manifestime shkohet për të nderuar Shenjtin që kremtohet, por shkohet edhe për të bërë punë; për të shitur prodhime ose për të blerë. Në qoftë se Panairi i Lindjes ka filluar të ketë një “traditë”, të vetën, të njohur prej atyre që marrin pjesë, një ndjesi e tillë fetarie Levantine duhet t’a kërkojmë edhe mundet, me një farë mënyre, të ketë fuqinë e vet. Me arsye më të madhe se suksesi më i mirë i Panairit të Lindjes i atribuohet edhe vendit të përshtatur, zgjedhur si qendër e përshtatshme. Panairi i është përgjigjur pa ndonjë të metë, një nevojës së dukshme; organizimi i tij, nga ana tjetër, ka shpërblyer plotësisht të tëra kërkesat e një shfaqje të tillë moderne. Bari, që Duçe-ja e me arsye “unazë lidhjeje midis Perëndimit dhe Lindjes”, ka një situatë veçanërisht të dobishme për të shërbyer si pikë pjekje (pikë-takimi, shënimi ynë), midis tregtarëve të Perëndimit, të Ballkanit dhe të Lindjes së Afërme. I pajisur me rrugë të panumërta komunikimi, i lidhur me mjetet më të përparuara të transportit me qendrat më të largëta, Bari ka filluar të zërë rëndësinë që ka pasur dikur Trieshti (Triestja), si treg i shitjes të prodhimeve ballkanike. Për çka i përket Shqipërisë, veçanërisht është e natyrshme që Bari dhe panairi i tij të kenë një rëndësi të rëndit të parë. Durrësi, skelë kryesore e Shqipërisë, është lidhur me Barin me vaporet e Shoqërisë Adriatika të lundrimit, që ka ngrehur shërbime të përditshme. Tirana, kryeqyteti i saj, është lidhur gjithashtu me anë komunikimesh ajrore; tri herë në javë prek aerodromet e Brindisi-t e të Tiranës tri motori i vijës Romë-Selanik-Athinë. Mjafton të japim ndonjë tregim për të kuptuar pastaj, rëndësinë e Bari-t kundrejt tregtisë shqiptare. E me të vërtetë shtoj se, në shumicën e përgjithshme t’eksportimeve shqiptare, shtatëdhjetë përqind, ndër këta pesë vjetët e fundit, është drejtuar nga Italia dhe kryesisht nga skela e Barit, duke përfaqësuar kështu një vlerë, në shifra prej gati tridhjet milionë frangash ari. Lëvizja e importimeve që arrijnë nga Italia, kryesisht në transportim prej Bari, kapet po në atë periudhë, në një shumë prej gjashtëdhjetë e katër milionësh franga ari, domethënë afër dyzet e pesë përqind e shumës së përgjithshme t’importeve t’ona. Asgjë më mirë se këto shifra, nuk mund të shpjegojë marrëdhëniet që ekzistojnë midis Barit dhe Shqipërisë. Ato marrëdhënie nuk kufizohen, ndërkaq vetëm në tregti. Ç’këmbimet tregtare, relativisht mjaft të gjera, dhe komunikatat mjaft të shpeshta, i kanë dhënë gjallëri gjithfarë lidhjeje që e bëjnë Barin qytetin me të cilin studentët shqiptarë gjen mënyrën të vazhdojnë studimet, pa u larguar fort prej Vendit të tij, i sëmuri shkon atje të shërohet, tregtari shkon atje të gjej një treg për prodhimet ose për të blerë të tjera. Shqiptarët gjejnë atje lehtësisht bashkatdhetarët të vendosur prej shumë kohësh; mundin të këndojnë për ditë botimin shqip të fletores shumë të rëndësishme “La Gazzetta del Mezzogiorno” dhe çdo mbrëmje mund të dëgjojë lajmet që transmetohen në gjuhën shqipe, prej stacionit të Radio-Barit. Nga gjithë ç’kam shënuar është e lehtë të mendohet interesi i madh që lidh tregtarin shqiptar me Panairin e Lindjes, qoftë importues ose eksportues. Aty gjen kështu një shfaqje të madhe t’organizuar, mund të thuhet dy hapa larg vendit të tij dhe është shumë e dobishme me përfitue edhe nga afrimi me botën tregtare që mblidhet atje, prej vendeve të afërta të largëta që na interesojnë njëllojsisht. Tërë këto shpjegojnë akoma shtimin e shpejtë t’eksportuesëve shqiptarë të cilët, njëzet e dy, më 1930, vit i parë i Panairit, kanë marrë pjesë, mbas katër vjetësh, në një sasi katër herë më të madhe. Kjo pjesëmarrje e rritur e prodhimeve shqiptare, gjen shpjegimin kryesor si thashë, në rëndësinë e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve, q’i bashkon Adriatiku. Por do të ishte një gabim mos me e marrë në konsideratën e detyrueshme edhe elementët e një natyrës tjetër, e që për këtë nuk janë më pak themelore, domethënë miqësinë në mes të dy Popujve që banojnë në të dy brigjet e Adriatikut edhe historinë plot ngjarje të një rendësije të përbashkët për të dy Popujt”.
Dr. Terenc Toçi: Panairi i Barit shembull pune për ne
“Duhet që na, Shqiptarët, ta këqyrim Panairin e Barit nga një pikëpamje e naltë, e gjanë sintetike. Ai na tregon se vullneti i mirë e i fort bashkë me dashnin e punës bajnë mrekullina! Ç’ka kenë Bari tash pesëmbëdhjetë vjet e ç’është sot? Këtu duhet që të ndalet vërejtja jonë tue ia sjellë mënden edhe përparimin shqiptar. Në Bari gjejnë ngadhënjimin e punës së popullit; ndër ne shohim se të gjithë përparimet – rrugat, urat, pallatet, transformimet, – janë prodhimi i nji Regjimi atnuer e i hekurt dhe se iniciativa private nuk ka luajt ndonjë veprimtari të madhe. Duhet, pra qi me shembullin e Barit, edhe na të lëvizim. I kemi edhe ne cilësinat t’ona; n’Amerikë e më shumë vise t’Evropës si edhe në Misir, kemi treguem sa jemi të zot për vepra konstruktive (ndërtuese), qi e nderojnë dhe e lartësojnë kombin tonë në të gjitha shfaqjet e jetës. Pra, që të kemi besim në vetveten, duhet që t’a ndjejmë e që ta ushqejmë Krenin e racës sonë! Fushat t’ona, për shumë kohë do të jenë Bujqësia dhe Blegtoria! Neper këto do të tregojmë zotsin t’onë tue ngrehun monumente të lavdërueshme si Panairi i Barit… E atëherë dhe na do t’a fitojmë krejt plotësisht, vendin t’onë në historinë e dheut”.
Gino Mazzoni: Panairi i Lindjes një urë bashkëpunimi dhe miqësie
“Dihet se n’Italin fashiste çdo nisiativë behet menjëherë një problem kombëtar dhe i përbotshëm, gjithashtu edhe Panairi i Lindjes që në vitin e parë të jetës së tij ai mbërriti caqet e interesit ndërkombëtar. Panairi i Lindjes është një manifestim i përbotshëm që guximi dhe vendosja për punët e italianeve, duke ndjekur urdhrat e nalta, për caktimin e trekëndëshit mesdhetar, nën shërbimin e Barit si krye të urës me Orientin, për një konsolidim të fortë miqësie në paqe. Panairi i Lindjes është një afernacjonal për bashkëpunimin ndërkombëtar, një pilastër ure i ngritur për t’u dhënë rast njerzvet dhe ideve të afrohen dhe të kuptohen. Panairi i Lindjes, në emrin e tij të shkëlqyeshëm shpreh nevojën e punës të kuptuar në sensin më të gjerë industrial-bujqësor, intelektual – të pellgut mesdhetar . Puna është shprehur në mundësitë dhe potencialit tregtare dhe në gjerësinë e tregtisë, duke qenë kjo provë e një prodhimi të pasur dhe oportun dhe në shumë raste një garanci paqe dhe bashkëpunimi ne mes dy popujve. Shqipëria gjithnjë prezente në Panairin e Lindjes, këtë vit do të ket një ditë të vetën; nisjativë shumë e bukur. Për këtë meritë jo e vogël i takon përfaqësuesit të përgjithshëm të Panairit në Shqipri, Z. Kom. Dr. N. Lorusso Attoma si dhe K.T.A.M-it”.
N. Lorusso Attoma: Traktate Italo-Shqiptare dhe veprimi i Panairit të Lindjes
“Pjesëmarrja shqiptare në Panairin e Lindjes. – Shqipëria ka qenë gjithmonë prezente në tërë shfaqjet e manifestimit të madha panairi barez, – ka karakteristikat e veta të veçanta që meritojnë të vihen në dukje të nënvizohen. Kur kujtohet tradita mijëvjeçare e marrëdhënieve midis të dyja brigjeve të Adriatikut, duket qartazi përcaktimi; “Porta e Shqipërisë në Perëndim”. Përfaqëson njohjen dashurore nga ana e shqiptarëve të funksionit të dyfishtë me shumë rëndësi që Bari ka lojtar në çdo kohë, duke kontribuar me efikasitet në konsolidimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare italo-shqiptare, të cilat zhvillohen sot mbi një plan bashkëpunimi konkret dhe dobiprurës. Shfrim natyral për prodhimin shqiptar kryesisht bujqësor dhe blegtoral, Bari i lidhur me këto anë me komunikata detare të përditshme përfaqëson skelën drejt së cilës dërgohen një pjesë e madhe prodhimet shqiptare, që në vazhdim të marrëveshjeve tregtare q’ekzistojnë midis të dy Shteteve dhe lehtësirave dhënë atyre, gjejnë në tregun italian shitje të gjerë e të sigurt. Më 1929, në fillimet e të parit Panair të Lindjes, me gjest krejt miqësor, Autoritetet bareze erdhën në Tiranë për të ftuar Qeverinë Shqiptare të marrë pjesë në nisiativën bareze. E qysh nga Panairi i parë pjesëmarrja shqiptare ka qenë e përzemërt dhe entuziastike. Pjesëmarrja shqiptare në Panairin e Lindjes është vënë si vjet nën patronazhin e një përvjetori të lavdishëm të historisë kombëtare: më 28 nëntorin e ardhshëm bien i 25 përvjetor i shpalljes së independencës shqiptare. Një çerek shekulli më parë në Vlorë, patrioti Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë shqiptarë ngritën për herë të parë simbolin kuq e zi të pavarësisë së fituar, mbas pesë shekuj sundimi të huaj të vështirë, Shqipëria do ta festoj sivjet përvjetorin historik me një varg realizimesh të kryera në të gjitha fushat. Pranë datës 28 nëntor 1912 është një tjetër datë e shkruar me germa të arta në historinë e Shqipërisë së re: 24 dhjetor 1924. Kjo është data e hyrjes në Tiranë e Mbretit Zog në krye të trupave fitimtare. Nga viti 1924 fillon për Shqipërinë periudha e rilindjes së vërtetë. Në trembëdhjetë vjet Regjimi zogist Shqipëria – e ndihmuar me dashamirësi nga Italia Fashiste – ka mundur të kryejë dhe të kapërcejë etapat e para të vështira nga lodhja rindërtonjëse duke u drejtuar me ngutje nga rruga e përparimit. Të gjitha manifestimet shqiptare do t’i kushtohen pra festimeve të ardhme kombëtare. Prandaj edhe salloni shqiptar në të tetin panair – besuar kujdesjes së comm. Demir Alizoti, zav, sekretar i Përgjithshëm i Ekonomisë Kombëtare – dekoruar në mënyrë artistike nga prof. Scarano – don të përfaqësojë me paraqitje sintetike e të plotë të aktiviteteve dhe të realizimeve shqiptare. Në fundin e sallonit një ritrat (portret), i madh i Mbretit të Shqipërisë N.M.T. Zog i I-rë, do të tërheqë vërejtjen e vizitorëve. Në të mëngjër e në të djathtë të ritratit të Sovranit dy harta gjeografike të Shqipërisë dhe pastaj nga ana tjetër, mbi muret, fotomontazhe artistike dhe gjeografike do të ilustrojnë Shqipërinë nga pikëpamja panoramike, – artistike, arkeologjike, folkloristike, ekonomike, etj. Mbi rafte të murit do të rreshtohen prodhimet që ushqejnë eksportimet shqiptare, si lesh, lëkura, ullinj, dru, vezë, katran, vajguri, shqeme, duhan, etj. Industria shqiptare në lindje të saj e sipër do të përfaqësohet me mostra interesante. Punimet e artizanëve, me argjend e dru, do të gjejnë vend pranë halijave tipike dhe karakteristike pranë mëndafshtave, etj. Tani sinteza e ritmit të zjarrtë t’aktivitetit që mbretëron sot në Shqipëri; ja kuptim i mostrave që do të organizohen në pavijonin shqiptar. Për sa i përket interesimit me të cilin zhvillohet Panairi i Lindjes ndiqen nëpër ambientet shqiptare, do të shtojmë se disa ditë shtypi shqiptar merret me tregun pangjirik barez të tetin manifestim. Interesimi polarizohet sidomos mbi përgatitjet për pjesëmarrje në “Ditën Shqiptare”. Jemi në gradë të lajmërojmë se organizmi i shëtitjes kolektive të autoriteteve dhe tregtareve me rastin e “Ditës së Shqipërisë’, q’edhe sivjet po bëhet nga K.T.A.M.-i (Komiteti i Turizmit dhe Automobilizmit të Mbretërisë), në bashkëpunim me Delegacionin e E.N.I.T. dhe të Panairit të Lindjes në Shqipëri, vazhdon aktivisht. Ministria e Ekonomisë Kombëtare u ka drejtuar instruksione të gjitha Odave të Tregtisë për t’i dhënë rëndësinë e duhur manifestimit dhe dobisë së pjesëmarrjes t’eksponatëve të klasave industriale e tregtare të të gjitha krahinave. Shk. T. Toçi, Ministër i Ekonomisë Kombëtare, duke vërtetuar pjesëmarrjen e tij në “Dita e Shqipërisë”, ka deklaruar: “Shqipëria, që në Barin shef pararojën e një Kombi miqsh të sinqertë e të fuqishëm, e ka pritur me besë dhe entuziazëm nisiativën bareze edhe ka qenë prezente çdo vjet, qysh nga e para ditë, me dashuri q’është e këmbyer mirë”. Ugare më të mirë nuk mundte t’a shoqërojnë këtë fazë të gjallë organizonjëse të “Dita e Shqiptare”, që ka qysh tani një traditë simpatike. Shqiptarët të mbledhur vjet në Bari janë propagandistët më të nxehtë, gazetat e përkrahin përzemërsisht aktivitetin e organizatorit duke i kushtuar artikuj dhe komente manifestimit t’ardhshëm që do të riafirmojë në realitetin të ndritur: Italija dhe Shqipëria, vëllazërisht njëra pranë tjetrës. Bari dhe Panairi i Lindjes do të jenë të lumtur të hospitojnë më 13 shtatorin e ardhëm për “Ditën e Shqiptare”, Ministrin Toçi, personalitetet, prodhonjësit dhe tregtarët shqiptarë, vendin fqinj, mik e aleat, dhe miqtë shqiptarë do të gjejnë me po atë pritje vëllazërore, e plot kujdesje, që u ka rezervuar gjithmonë e që shërben për të çimentuar për së tepërti ato, lidhje tradicionale të marrëdhënieve mijëravjeçare, kulturave e tregtare midis dy brigjeve q”Adriatiku bashkon e nuk i ndan”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016