Dokumentari “Demonët e Ginës”, paraqet historinë e një personazhi thuaj fare të panjohur, Shpëtim Gina, gazetar, dramaturg, skenarist dhe libretist, i cili në fillimin e viteve ’70-të, falë talentit të jashtëzakonshëm, me punën, veprat dhe krijimtarinë e tij, “tronditi” institucionet artistike të Tiranës, si Teatrin Popullor, Teatrin e Operas dhe Baletit, Institutin e Lartë të Arteve dhe RTSH. Gina ishte një nga më të kërkuarit e shefave dhe drejtuesve të lartë të këtyre institucioneve kulturore dhe artistike, ku në periudhën kohore 1971-1974, ai la gjurmët e tij. Por pikërisht këto gjurmë që ai la në këto institucione kulturore dhe artistike në bashkëpunime me emrat shumë të njohur të asaj kohe, fatkeqësisht humbën apo u tretën në pluhurin e kohës. Në gusht të vitit 1974, Shpëtim Gina humbi jetën në rrethana ende të paqarta, diku në lumin Drojë të Mamurrasit, ku ishte dërguar për të kryer zborin ushtarak.
Që nga ajo kohë e më pas, deri në fund të periudhës së regjimit komunist, emri i Shpëtim Ginës nuk u përmend asnjëherë.