Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kostë Çekrezit, i cili pasi kishte kaluar një jetë të tërë në mes peripecive dhe vuajtjeve të pafundme, që veç të tjerave i’a sillte edhe të qenit larg vendlindjes e të afërmve atje në dhe të huaj, prej nga ku ai ishte larguar që në vitin 1935, kur kishte tentuar dhe dështuar në një përpjekje të tij për të kryesuar një kryengritje të armatosur kundër Mbretit Zog, krahas veprimtarisë politike në dobi të çështjes shqiptare së cilës ai i ishte kushtuar prej vitesh, aty nga viti 1951, vendosi që t’i rikthehej edhe një herë pasionit të tij të parë, gazetarisë dhe publicistikës. Profesion të cilin e kishte ushtruar për më shumë se tre dekada. Madje duke drejtuar dy tre nga gazetat më të njohura të Shqipërisë së atyre viteve dhe diasporës së saj në SHBA-ve, ku ndryshe nga shumë kolegë të tij që kishin bërë kompromise me regjimin, ai ishte munduar dhe kishte luftuar për të drejtën e fjalës dhe për t’ia hequr asaj “prangat” e rënda. I mbyllur në banesën e tij e cila nuk ishte më shumë se tre milje larg prej Shtëpisë së Bardhë, ai përfundoi së shkruari librin “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku merrte në analizë të gjitha ngjarjet, peripecitë, rreziqet e shumta dhe pushtimet që kishte kaluar Shqipëria që nga “ngrehja” e shtetit të parë shqiptar në nëntorin e 1912-ës, ku në shumë prej atyre ngjarjeve, në mos protagonist, ai kishte qenë vetë dëshmitar okular.
Pasi kishte kaluar një jetë të tërë në mes peripecive dhe vuajtjeve të pafundme që veç të tjerave i’a sillte edhe të qenit larg vendlindjes e të afërmve atje në dhe të huaj, prej nga ku ai ishte larguar që në vitin 1935, kur kishte tentuar dhe dështuar në një përpjekje të tij për të kryesuar një kryengritje të armatosur kundër Mbretit Zog, krahas veprimtarisë politike në dobi të çështjes shqiptare së cilës ai i ishte kushtuar prej vitesh, aty nga viti 1951, vendosi që t’i rikthehej edhe një herë pasionit të tij të parë, gazetarisë dhe publicistikës. Profesion të cilin e kishte ushtruar për më shumë se tre dekada me radhë në rininë e tij. Madje duke drejtuar dy tre nga gazetat më të njohura të Shqipërisë së atyre viteve dhe diasporës së saj në SHBA-ve, ku ndryshe nga shumë kolegë të tij që kishin bërë kompromise me regjimin, ai ishte munduar dhe kishte luftuar për të drejtën e fjalës dhe për t’ia hequr asaj “prangat” e rënda. I mbyllur në banesën e tij e cila nuk ishte më shumë se tre milje larg prej Shtëpisë së Bardhë, ai përfundoi së shkruari librin “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku merrte në analizë të gjitha ngjarjet, peripecitë, rreziqet e shumta dhe pushtimet që kishte kaluar Shqipëria që nga “ngrehja” e shtetit të parë shqiptar në nëntorin e 1912-ës, ku në shumë prej atyre ngjarjeve, në mos protagonist, ai kishte qenë vetë dëshmitar okular. Nisur nga fakti se në atë libër, i cili pothuajse është i panjohur për shqiptarët, trajtohen, shtjellohen dhe analizohen me hollësi disa nga ngjarjet dhe situatat më kritike që ka kaluar Shqipëria gjatë shekullit të kaluar, kemi përzgjedhur për botim disa pjesë të atij libri, duke i dhënë ato pa asnjë ndryshim nga varianti origjinal i përdorur prej autorit të tyre.
Pjesë nga libri i Kostë Çekrezit, “Plani i tretë për coptimin e Shqipërisë”.
Gjatë jetës së saj shekullore, Shqipëria ka kaluar përmes një vargu periudhash kritike. Por krizat më të mëdha i ka kaluar, në syt t’onë sidomos në këto dyzet vjetët e fundme (ky shkrim është botuar në vitin 1951, shënimi ynë), të jetës së saj pothua se gjysëmrisht indipendente. Tri kanë qenë këto kriza që kanë cenuar ekzistencën e saj: 1912, 1919, 1939. Të dy të parat u kapërcyen me shumë a pak sukses, po të marrim parasysh se nga kanosja e zhdukjes së saj të krejt dolli prapë se prapë një far soj shteti, ndonëse me krahina të mëdha të begatshme të mbetura përjashta. Kështu, më 1912, dy ose tre muaj pas njohjes triumfale t’autonomisë së Shqipërisë me katër vilajete nga ana e Turqisë, aleatët ballkanikë (Bullgari, Greqi, Mal i Zi-Serbi), vendosën copëtimin e krejt të saj. Të gjithë e dinë se qysh u anullua ai Plan i Parë i Coptimit. Por është e rastësishme të përmendet se, sado që Austria ishte ajo që mori nisjativën për të shpëtuar gjysmën e Shqipërisë nga thojtë e fqinjëve, ishte Anglia ajo që me anë të Ministrit të saj për Punët e Jashtme, Sir Edvard Grey, gjeti dhe imponoi formulën e ngrehjes dhe njohjes së Shqipërisë së Parë Indipendente. Por tre vjet më vonë, (Prill 1915), po në ato qytete ku ishte njohur ndërkombtarisht independenca e Shqipërisë, u nënshkrua një traktat i ri, i famshmi Traktat i Fshehtë i Londrës. Me anën e atij traktati copëtohej për herën e dytë Shqipëria në favor të Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me vendim të katër Fuqive të Mëdha (Angli, Francë, Itali dhe Rusi), që e kishin garantuar indipendencën dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar. Dhe më 20 janar 1920, Konferenca e Paqes e mbledhur në Paris mori vendimin e fundit për të vënë në veprim dispozitat e Traktatit të Fshehtë të Londrës.
Presidenti i SHBA-së, Willson, shpëton Shqipërinë
Siç dihet këtë herë shpëtimi i Shqipërisë erdhi nga ndërhyrja e Presidentit Willson, të Shteteve të Bashkuara, i cili u kishte deklaruar luftë të pa mëshirshme gjithë traktateve dhe marrëveshjeve të fshehta. Por kur erdhi puna për të shpëtuar Shqipërinë nga Plani i Dytë i Coptimit, Woodrow Willson’ nuk u kënaq duke e denoncuar Traktatin e Fshehtë të Londrës. Përkundrazi ay mori përsipër të mbrojë Shqipërinë dhe indipendencën e saj në bazë të Parimit të Kombeve. Po në kohën (Janar 1920) që Presidenti Willson merrte anën e Shqipërisë në të tri Notat Adriatike të famshme, në Lushnje ishte mbështjellë një Kongres i përbërë nga patriotët më të njohur t’asaj kohe. Ndonëse nuk kishte asnjë dijeni-për këtë jam siguruar nga i ndyeri Qazim Koculi, një nga pjestarët më syhapët të mbledhjes – mbi qëndrimin dhe deklaratat e Presidentit Willson, Kongresi i Lushnjes mori një sërë vendimesh që pajtoheshin pikë për pikë me parimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Por sa vleftë do t’u mbetej atyre vendimeve të Kongresit pa ndërhyrjen dramatike të Woodrow Willson, ajo është një çështje të cilës nuk i mbetet vend për bisedim në këtë vepër të shkurtër. Fakt është që Shqipëria e kaloi me sukses edhe atë krizë që neve na dukej e pakapërcyeshme në dhjetor 1919. Shqiptarët e kanë pasur zakon dhe ky është një faktor psikologjik – që të mallkojnë Fuqitë e Mëdha për intrigat dhe pabesitë e tyre, dhe të thuren në sharje kundër fqinjëve të tyre të “panginjur” dhe “gjakpirës”, sepse këta janë munduar të ç’dukin racën arbnore me planet e tyre satanike. Por shqiptarët harrojnë se çdo komb ka brenda vetes në trupin e tij krimbin e lëngimit dhe të vdekjes së vet. Prandaj, ndofta nuk u pëlqen të shkojnë në mëndje faktin se ata vetë ose udhëheqësit e tyre u japin shkak të huajve dhe fqinjëve që të përfitojnë nga grindjet e mosmarrëveshjet e një kombi të përçarë. Për shembull, sa ishin ata që dëshironin dhe ishin gati të luftonin për një Shqipëri indipendente më 1912, dhe sa ishin që kundërshtonin atë ide? Po ashtu, gjatë kohës që polli krizën e 1912-ës, shqiptarët ndofta kanë harruar se ishte një udhëheqës prej racës së tyre, Esat pashë Toptani, që jo vetëm shkaktoi shpartallimin dhe dështimin e Shqipërisë së parë, por ishte dhe në favor t’aplikimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, me konditë që ay të mbetej zot i Shqipërisë së Mesme. “Ah, po ay ishte tradhtar”, do të protestojnë shumë zëra. Po kush e bëri tradhtar atë bir babe dhe nëne shqiptare? E vërteta është që nuk ka komb që të mos ketë nxjerrë tradhëtorë në një kohë ose në një tjetër. Por ndër kombet e tjerë tradhëtorët mbulohen prej shumicës së madhe besnike, që është gjithmonë gati të mbrojë Shtetin dhe institutet e tij kombëtare.
Kriza e tretë e copëtimit të Shqipërisë më 1939-ën
Fatkeqsisht, duket sikur në Shqipëri tradhëtorët janë të zotërit t’a bëjnë shumicën me vete ose së paku të duket se e kanë shumicën me vete në mënyrë që të provohet sikur shumica është duke hapur varrin me duart e veta. Ishte nën këto kondita që mahisi gjatë sundimit të Zogut edhe u ç’pif kriza e tretë më 1939. Ajo krizë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, përfundoi në formulimin e Planit të Tretë të Coptimit. Për të dytën herë brenda 25 vjetëve, ishte prapë qeveria angleze ajo që mori nisjativën e krasitjes së trupit të Shqipërisë me anën e zotimit që i dha Mbretit të Greqisë se krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës do të njiheshin si pjesë të mbretërisë helenike në fund të Luftës së Dytë Botnore që thuhej se bëhej për liri e drejtësi. Forma dhe fjalët ekzakte të këtij premtimi nuk dihen, mbasi e gjith marrëveshja duhej mbajtur krejt e fshehtë, nga frika e qortimit të opinionit ndërkombëtar dhe veçanërisht t’opinionit t’Amerikës dhe të Presidentit Roosevelt. Por grekëve nuk u durohej dhe kështu ata shpallën kërkesat e tyre që në vitin 1941, pikërisht kur Greqia ishte e okupuar prej Gjermanëve dhe Shqipëria prej italianëve. Hapat që e prunë punën gjer n’ atë pikë përbëjnë pjesë të dramës ose më mirë me thënë të tragjedisë së madhe që u luajt në kurriz të Shqipërisë në periudhën e fundme të regjimit zogist, siç do të shpjegohet në kapitullin që vijon.
Regjimi Zogist, Fashist, dhe Komunist
Në çdo tragjedi a dramë përfytyrohen, zakonisht tre aktorë kryesorë: një “hero”, një “heroinë” dhe një “hor”. I pari mundohet të shpëtojë heroinën nga dredhitë e fatit ose nga intrigat e poshtra të horit që përpiqet të shtojë rrezikun e saj. Për shembull, në dramën e njohur “Othello” të Willjam Shakespeare-it, përkthyer në shqip prej Fan S. Nolit, gjenerali i zi i Venetikut është heroi, e bukura Desdemone heroinë dhe i famshmi Jago, lot rolin e horit. Por në tragjedinë e gjallë të Shqipërisë që gjeti kulmin e saj ditën e së Premtes së zezë, 7 Prill 1939, kërko sa të duash për të gjetur se cili është hero dhe cili hor. Për një çast u duk sikur Zogu do të luante rolin e heroit, por ndaj fundit edhe ay vrapoj të shpëtonte kokën e vet dhe arkat e arit që mori, duke lanë heroinën në mëshirën e horave. Për ta kuptuar qartazi rolin që luajti secili, është nevojë që të shpjegohen rastet nën të cilat mori formë komploti i drejtuar kundër indipendencës së Shqipërisë. Që regjimi i Zogut do të mbaronte në mënyrë violente atë e dinte i madh e i vogël; sepse një regjim i bazuar në forcë, nuk mund të rrëzohet vetëm në bazë të forcës. Në rastin e këtij regjimi forca vinte jo aq nga brenda, se sa nga jashtë, d.m.th. Italia fashiste së cilës i jepte dorë të mbante Zogun në fuqi me çdo mjet që kishte në dispozicion të saj. Në fakt brenda në dhjetë vjetët e parë të regjimit zogist ishin bërë katër lëvizje kryengritëse. Për të përballur këto plasje të brendshme, Zogu nuk ç’piku dot ndonjë mënyrë tjetër veçse të futet thellë e më thellë në mbrojtjen e Musolinit, kështu që çdo lëvizje e brendshme mbaronte me një traktat të ri ose me marrëveshje të fshehtë midis Tiranës dhe Romës në një shkallë të tillë që independenca e Shqipërisë arriti të mbetet vetëm si një fjalë, një teori, një hije, dhe jo një realitet.
Politika e Zogut, vasale e asaj italiane
Kështu në fushën e politikës së jashtme, regjimi i Zogut mori një qëndrim të tillë që nuk mundej veçse t’egërsonte dhe armiqësonte Fuqitë e Perëndimit, të mëdha të vogla. Për shembull, delegacioni shqiptar në Lidhjen e Kombeve ishte porositur që të votonte rradhazi ashtu siç votonte delegacioni i Duçes, dhe në një tog raste Italia mbeti në pakicë me votën e saj dhe me atë të delegacionit të Zogut. Edhe në pikën kritike të invadimit brutal t’Etihopisë prej forcave fashiste, delegacioni i Zogut hodhi votën çdo herë në favor të Italisë, fort çuditërisht pa marrë aspak parasysh se agresioni i Italis n’atë rast krijonte precedent të sigurt për shkeljen e ardhme të Shqipërisë nga ana e legjioneve këmishë-zeza, ashtu siç ngjau vetëm katër vjet pas konfliktit rreth Et’hiopis. Një njeri si Zogu që pandehet se është i zgjuar, duhet ta kishte kuptuar atë rrezik për veten e tij, në mos për Shqipërinë. Kur u takova me të në Paris në gusht 1939, e preka këtë pikë në bisedë e sipër, dhe nuk u habita aspak kur Zogu më tha se u ishte drejtuar Fuqive të Perëndimit për të kërkuar ndihmën e tyre kundër përgatitjeve ushtarake që po bënte Italia për ditën e 7 prillit, por që ato bënë veshin shurdhër. Nga ana tjetër, në sheshin e politikës së brendshme, vetëm fashistëve dhe simpatizonjësve t’Italis u dëgjohej zëri dhe u shkonte fjala në punët e Shtetit. Kushdo që guxonte të kritikonte Fashizmin – qoftë dhe vetëm si teori, – konsiderohej si armik i regjimit zogist dhe në shumicën e rasteve damkosej si “komunist”, për t’i bërë qejfin Duçes, natyrisht mbasi edhe Musolini i ndiqte si komunist ata që kundërshtonin regjimin e tij.
Parathënia në librin “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”
Gjate viteve të qëndrimit të tij në SHBA-ve, Kostë Çekrezi pati një veprimtari të denduar publicistike dhe politike në dobi të çështjes shqiptare. Veç të tjerash këtë na e bën të ditur edhe vetë ai në parathënien e librit “Plani i tretë i coptimit të Shqipërisë”, ku midis të tjerash shkruan: “Kur po dalin në dritë këto rradhë, janë mbushur plot gjashtë vjet që kur u shtërngova të largohem nga “SHQIPËRIA E LIRË” (është fjala për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, shënimi ynë), dhe pothuaj nga çdo përzierje në çështjen shqiptare. Me gjith atë, gjatë kësaj kohe e kam mbajtur gishtin në damarin e lëvizjes shqiptare që nga zemra e kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – fshati ku jetoj është vetëm tre milje nga Shtëpia e Bardhë; kam mbajtur letërkëmbim me një rreth të ngushtë miqsh; jam takuar dhe fjalosur me delegatët e qeverisë së Tiranës pranë Kombeve të Bashkuara; kam botuar disa artikuj mbi çështjen t’onë në gazetat amerikane; dhe në dy raste kam botuar dhe përhapur dy qarkore më datë 15 Maj 1947 dhe 1 Qershor 1950. Simbas detyrës së gazetarisë, në rradhë të parë së cilës i kam shërbyer më se 30 vjet, artikujt anglisht dhe dy qarkoret ua dërgova për njoftim dhe komentim redaksive të “DIELLIT” të cilin unë e bëra të përditshëm më 1915 – dhe të “LIRIS” të cilin unë e rrita nga djepi qysh në 1941. Por asnjera nga këto dy gazeta nuk pati bujarinë as të përmendëte se mori ato artikuj, ose qarkoret në fjalë. Dhe kjo ndofta vlen se këto dy fletore – që thonë se përfaqësojnë mendimin e shqiptarëve t’ Amerikës, nuk pranojnë asnjë botim që mund të cënojnë monopolin që kanë vendosur organizatat e tyre. Ku është koha ku unë pranoja për botim kritikat më t’ë ashpra dhe atakimet më t’ë egra kundër vetes s’ime në shtyllat e “LIRIS”…?! Ndërkohë një tog miqsh e dashamirë më këshilluan që të nxjerr një gazetë të tretë këtu në Amerikë; dhe shumë janë ata që më kanë shtytur ta ngreh edhe një organizatë të tretë. Por eksperienca ime më ka bindur, se në këtë qarkun e këtushëm nuk mund të mbahet më tepër se një gazetë ose një organizatë. Nga ana tjetër, dhe si përgjigje në dëshirat e këtyre atdhetarëve, janë shtuar edhe dy gazeta të tjera në qytetin e New York, si qendër botimi. Përveç këtyre, japin dhe marrin një tog fletushkash që dalin pa rregull nga qendra dhe zyra të paqena, përveç një numri buletinesh që na vijojnë kohë e pa kohë nga vende të largëta si Australia, Argjentina dhe Kanadaja. Botimi i kaq organeve me tendenca të kundërta është një simptomë e padyshimtë e lëngatës së rëndë nga e cila vuan gjith çështja shqiptare. Për të gjitha këto arsye, arrijta në përfundimin se ardhi tamam koha që të çonj edhe njeherë zërin t’im në mbrojtje t’Atdheut të përbashkët me botimin e këtij libri. Shpresonj dhe lutem tek i madhi Zot që ky botim të dalë në krye të qëllimit për të cilin po del në dritë: të tregoj gjendjen e vërtetë të çështjes shqiptare”.
Lyon Villgas, Virginia, Gusht 1951. Costë A. Çekrezi
Çekrezi, publicisti dhe politikani i njohur që u arratis nga Shqipëria në 1935, pasi organizoi Kryengritjen e Fierit Kostë Çekrezi u lind në vitin 1893 në fshatin Ziçisht të rrethit të Korçës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, ndërsa veprimtaria publicistike dhe politike e tij e ka zanafillën në dhjetë vjetshin e dytë të shekullit të kaluar, kur ai ishte emigrant në SHBA-ës dhe studioi e u diplomua në Universitetin e famshëm të Harvardit. Gjatë asaj kohe ai u lidh ngushtë me Shoqatën “Vatra” të shqiptarëve të Amerikës, ku i’u besua drejtimi i gazetës “Dielli” si kryeredaktor i saj. Në vitin 1920, ai u kthye në Shqipëri bashkë me shumë anëtarë të tjerë të Shoqërisë “Vatra”, të cilët i’u përgjigjën thirrjes “atdheu në rrezik” e bërë nga ana e qeverisë së kryeministrit Sulejman Delvina e dalë nga Kongresi i Lushnjes, për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës, kundër italianëve. Pas Kongresit të Lushnjes, Çekrezi i’u përkushtua përsëri gazetarisë, duke qenë një nga penat e spikatura të atyre viteve, sidomos në drejtim të lirisë së shtypit. Nga viti 1926 deri në vitin 1928, ai drejtoi gazetën “Telegraf” dhe nga viti 1929 deri në 1932, gazetën “Ora”. Në vitin 1931, Kostë Çekrezi u arrestua nga regjimi i Zogut, duke u akuzuar si një nga organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Vlorës, e cila kishte si synim rrëzimin e Mbretit Zog. Pas lirimit nga burgu, ai vazhdoi të merrej me publicistikë, duke shkruar një sërë artikujsh në shtypin e kohës. Në vitin 1935, Kostë Çekrezi u arratis nga Shqipëria dhe iku në Itali, pasi ai me rrethkomandantin e xhandarmërisë së Fierit, toger Musa Kranjen, ishin dy nga krerët kryesorë të Kryengritjes së Fierit, e cila kishte si synim rrëzimin e Mbretit Zog. Në momentin e shpërthimit të kryengritjes, Çekrezi me Kranjen i shpëtuan arrestimit pasi u morën nga italianët dhe me një motoskaf dolën në Itali. Pasi qëndroi disa kohë në kampet e përqëndrimit në Francë, në vitin 1942, Çekrezi emigroi në SHBA-ve, ku vazhdoi të merret me publicistikë e politikë, duke u angazhuar tërësisht në problemet e çështjes shqiptare. Ai vdiq në Virginia të SHBA në vitin 1959, në moshën 67 vjeçare./Memorie.al
Vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016