Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të inxhinierit Maks Uçi, i diplomuar jashtë për Gjeologji-Miniera, i cili në vitin 1972 filloi punë në guroren e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ku u bë problem për sjelljet dhe qëndrimet e tij, që binin ndesh me “vijën e Partisë” dhe për atë gjë u bë një mbledhje për “ta demaskuar” para kolektivit të punës, ku morën pjesë edhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës. Dëshmia e rrallë e Sejfulla Tetës nga Fushë-Kruja, për “mbledhjen demaskuese” ku ai u kërcënua me arrestim nga Sekretari i Parë i rrethit, pasi mbrojti inxhinierin rebel, që ishte vazhdimisht në krah të punëtorëve, gjë e cila solli dënimin e tij, duke e transferuar në guroren e qytetit të Laçit, ku ai humbi jetën në rrethana misterioze natën e vitit të ri 1980, pikërisht atë ditë që kishte marrë transferimin për në Tiranë. Si vendosi Sejfulla Teta me shokun e tij, Pirro Priftin për të hedhur dinamitin në ambasadën jugosllave në Tiranë më 23 prill të vitit 1981 dhe si e kryen atë veprim pa u kuptuar nga policia dhe Sigurimi i Shtetit?! Arrestimi më pas i Pirro Priftit dhe shokëve të tij nga Fush-Kruja, pas tentativës për t’u arratisur nga rrethi i Kukësit dhe i vetë Sejfullait, i cili u akuzua se: “së bashku me një grup intelektualësh me origjinë nga Kosova, si Shefqet, Estref dhe Selim Kelmendi, si dhe Namik Luci, kishin bërë planin për të vrarë me atentat, udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, gjatë vizitës që ai do bënte në Muzeun e Skënderbeut në Krujë”?!
Zoti Sejfulla, ku keni lindur dhe cila është origjina e familjes suaj?
Unë kam lindur në vitin 1949 në Fushë-Krujë, prej nga është dhe origjina e familjes sonë dhe ku vazhdoj të jetoj akoma në trojet e të parëve të mi. Babai im është quajtur Ahmet Teta, por mua më ka marrë dhe më ka rritur xhaxhai, Ali Teta, i cili ka qenë një nga burrat më të njohur në zonën e Fushë-Krujës. Aliu ka qenë një nga miqtë më të ngushtë të Abaz Kupit dhe roje personale i tij gjatë kohës së Luftës.
Pas mbarimit të Luftës ku kanë punuar familjarët tuaj?
Babai im, axha dhe të gjithë të tjerët kanë punuar në kooperativë. Vetëm njëri nga xhajat e mi, Ramazani, ka punuar në ndërtime, deri sa u gjet i vrarë në shtëpinë e tij më 31 dhjetor të vitit 1952. Vrasja e tij mbeti enigmë për shumë vjet. Por në të vërtetë atë e vrau shteti në mënyrë që ta kishte familjen tonë nën thundër e të nënshtruar.
Kur e mësuat të vërtetën e vrasjes së xhaxhait tuaj?
Nga Sigurimi i Shtetit, unë e mësova rastësisht në vitin 1966, kur një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e tij, kishte pohuar atë në pije e sipër.
Kur keni filluar punë për herë të parë dhe ku keni punuar?
Unë kam filluar punë që në vitin 1966, kur nuk isha më shumë se 17 vjeç. Në fillim kam punuar si montator, mekanik dhe më pas për shumë vjet si ekskavatorist.
Pakënaqësitë e para kundër regjimit komunist të asaj kohe, kur kanë lindur te ju?
Që pas vrasjes së xhaxhait tim në 1966, unë nuk e kam dashur më atë regjim. Pakënaqësitë filluan të më shtohen akoma dhe më shumë, kur fillova të punoja me të burgosurit politikë në Fabrikën e Çimentos. Aty kam njohur Bedri Spahiun e shumë prej tyre, për të cilët ndjeja një keqardhje për mënyrën se si i trajtonin.
Në vitet e më pasme, bisedonit me të tjerë kundër regjimit në fuqi?
Një nga njerëzit që më ka folur për herë të parë kundër regjimit, ka qenë Maks Uçi, vëllai i profesor Alfred Uçit, të cilin e kam njohur për herë të parë në vitin 1972, kur atë e sollën si inxhinier gjeolog, në guroren e Krujës ku punoja unë. Maksi, ishte diplomuar jashtë shtetit dhe ai kishte kulturë perëndimore. Maksi i donte shumë punëtorët dhe ai nuk i duronte dot padrejtësitë, që u bëheshin atyre nga administrata. Maksi na thoshte shpesh se: ‘rendimenti në punë arrihej nga teknologjia e përparuar dhe jo nga puna e krahut’. Në të gjitha konfliktet që kishte në mes punëtorëve dhe administratës, Maksi mbante krahun e punëtorëve, prandaj drejtoria filloi ta kishte halë në sy. Gjatë një mbledhje në gurore, Maksi tha se: ‘punëtorët paguheshin shumë pak, prandaj nuk mund t’u kërkohej shumë punë’. Nga ky qëndrim i tij, drejtoria organizoi një mbledhje për ta demaskuar, ku merrnin pjesë rreth 400 punëtorë. Në mbledhje Maksi bëri një debat me Ymer Limanajn, (sekretarin e dytë të Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës), që kishte ardhur si i deleguar. Unë isha në radhë të parë dhe më thanë të çohesha e të flisja se si e njihja inxhinier Maksin, me një fjalë t’i bënim biografinë atij.
Folët ju?
Po, ‘çfarë biografie t’i bëj unë Maksit, kur ky është nipi i Petro Nini Luarasit. Maksi ka bërë shkollën jashtë dhe biografinë i’a ka bërë Partia’. Pasi fola kështu, vazhdova më tej duke thënë se: Maksi, mbronte punëtorët dhe luftonte dallaveraxhinjtë’. Në këtë kohë, sekretari i dytë më pyeti se kush ishin dallaveraxhinjtë dhe unë i thashë se ‘ata ishin sekretarët e partisë, që nuk të linin të punoje, duke të përmendur partinë dhe porositë e saj shumë shpesh’. Pas kësaj, sekretari i parë i rrethit që erdhi aty, më kërcënoi duke thënë: “Këtu ka vend për arrestime”.
Si u mbyll ajo mbledhje?
Mua deshën të më arrestonin, ndërsa Maksin e transferuan në guroren e Laçit. Pasi punoi për gjashtë muaj në Laç, Maksit i erdhi transferimi për të shkuar si specialist në Ministri. Natën e vitit të ri 1980, pasi kishte bërë dorëzimet, kishte marrë rrogën dhe ishte ulur me dy shokë, për të pirë ndonjë gotë e për t’i qerasur me rastin e largimit. Por ai nuk mundi të kthehej në Tiranë, pasi u gjet i vdekur në rrugën nacionale, (tek peshorja e kromit) në të dalë të qytetit të Laçit. Sipas policisë, atë e kishte përplasur një makinë e Kukësit, e cila ishte larguar pa i dhënë ndihmë dhe trupi i tij u la për disa orë në shi, aty në mes të rrugës. Sapo u dha lajmi i vdekjes së tij, vëllai im, Rizai, shkoi i pari dhe e mori trupin e tij. Maksit i’u bë një varrim madhështor në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri Mehmet Shehu. Vetëm nga Kruja, shkuan disa autobuzë me punëtorë në varrimin e tij.
Përveç versionit të policisë, si u përfol atëherë vdekja e Maks Uçit?
Kudo në popull atëherë thuhej se Maksin e vrau Sigurimi dhe për të hequr dyshimet, i bënë një varrim të madh. Me rastin e gjashtë mujorit të vdekjes së Maksit, unë së bashku me Selim Alikon, që ishte teknik gjeolog, shkuam për të pirë një kafe, tek shtëpia e të vëllait, profesor Alfred Uçit, (prapa godinës së Shkencave të Natyrës), ku mes shumë njerëzve me kujtohet që ishte dhe Servet Pëllumbi. Në një moment që ishte qetësi, unë i thashë Alfredit: ‘More, po si u bë puna e Maksit se ngeli enigëm. Çfarë di ti’?! Alfredi më tha: “Më shumë dini ju që keni punuar me të, sesa unë që e kam vëlla”. Unë i’a ktheva: “Deri sa kjo punë mbeti enigëm, atë e ka vra Sigurimi”. Pas kësaj, Alfredi u çua menjëherë në këmbë dhe i’u drejtua atyre që ishin në shtëpi, duke u thënë: “Ky është një dashamirës i yni dhe nuk i ka me të keq këto fjalë që tha”. Alfredi donte të më mbronte, pasi shumica e atyre njerëzve që kishin ardhur aty, ishin të Sigurimit. Ato fjalë që thashë, aty m’i përmendën edhe kur më arrestuan në vitin 1982.
Bisedonit me tjetër njerëz kundër regjimit komunist?
Urrejtja ime ndaj regjimit komunist në fuqi, filloi të shtohej dhe ajo arriti kulmin aty nga viti 1981, kur ekonomia e familjes sonë po rrënohej plotësisht. Kështu unë nuk nguroja të flisja dhe të shprehja pakënaqësitë e mia në një rreth të ngushtë, ku mes të cilëve ishte dhe një djalë i ri, rreth 23 vjeç, i quajtur Pirro Prifti, me origjinë nga Piqerasi, që punonte si punëtor në Ndërmarrjen e Ujërave. I ati i tij, ishte mekanik dhe punonte me mua, ndërsa Pirro, vinte tek unë, pasi kishte dëshirë që të merrte ndonjë zanat, por atë nuk e lejonin dhe e linin punëtor. Pirro nuk e kishte biografinë e keqe, pasi nëna e tij kishte qenë partizane, por ai vetë kishte fituar një urrejtje të madhe ndaj regjimit. Kështu, bashkë me Pirron dhe disa shokë të tjerë, unë flisja vazhdimisht kundër regjimit. Në atë grup shokësh, gjatë një bisede aty në gurore, ne vendosëm që të merrnim dinamit dhe ta hidhnim në ambasadat e huaja që ishin në Tiranë.
Për çfarë arsye vendosët të hidhnit dinamit nëpër ambasada?
Gjatë bisedave tona, dikush tha se edhe ambasadat e huaja që ishin në Tiranë, kishin faj për gjendjen e keqe ku ndodhej Shqipëria, pasi ato nuk e ngrinin zërin në shtetet e tyre kudo në botë, për të treguar se si jetonin shqiptarët dhe se si shtypeshin ata. Kjo ishte arsyeja që ne vendosëm të hidhnim bombat. Por ne nuk donim të vrisnim njeri me këtë veprim, pasi qëllimi ynë ishte vetëm për të bërë zhurmë. Për këtë veprim, më i gatshmi nga të gjithë u tregua Pirro, prandaj dhe unë vendosa që bombat t’i hidhja me të.
Si e bëtë planin e hedhjes së bombave dhe si e realizuat atë?
Në fillim ne vendosëm të mbushnim një fugon me dinamit dhe ta afronim atë para kryeministrisë në Tiranë, por kjo gjë mbeti vetëm në kuadrin e fjalëve. Më pas unë bisedova vetëm me Pirron dhe thamë ta fillonim nga ambasadat. Kështu pasi bëmë planin, morëm nga dy gjysma llokumi dhe aty nga data 22 apo 23 prill e vitit 1980, shkuam në Tiranë me autobuzat e linjës së Fushë-Krujës. Atë ditë në Tiranë kishte një ndeshje futbolli të përfaqësues sonë, me një ekip të huaj, (Gjermaninë më duket) dhe binte shi. Unë me Pirron pasi zbritëm nga autobuzi i Fushë-Krujës tek Zogu i Zi, rreth orës 20.00, në këmbë ecëm përgjatë Rrugës së Durrësit, e dolëm deri afër qendrës me mendimin për t’i hedhur bombat që kishim me vete, tek ambasada e Kubës.
Po pse nuk i hodhët aty?
Nuk i hodhëm, pasi na u duk vendi i hapur dhe i papërshtatshëm, e kishim frikë se mos na kapnin. Kështu vendosëm të ktheheshim tek ambasada jugosllave dhe aty brenda pamë se kishte lëvizje e zhurmë të madhe. Kur u afruam aty, Pirro më tha: pasi t’i hidhnim llokumet e dinamitit brenda ambasadës, të futeshim e të ngjisnim shkallët tek pallati ngjitur me murin e ambasadës, ku ai njihte një vajzë. Dhe po të na pyeste njeri, ne do të thonim se po shkonim për të kërkuar atë që të fejohej me Pirron. Kështu ne, sa u futëm në hyrje të pallatit, hodhëm llokumet e dinamitit, të cilat bënë një zhurmë të shumë të madhe. Pas kësaj, Pirro ngjiti shkallët e pallatit për t’u futur tek shtëpia e vajzës, kurse unë u largova me shpejtësi nga Rruga e Durrësit, për në drejtim të Zogut të Zi.
Patët rrezik të diktoheshit nga policia?
Jo nuk pata asnjë rrezik, pasi unë u largova me vrap dhe nuk më pa njeri. Në ato momente aty në Rrugën e Durrësit, nuk kishte shumë njerëz, pasi siç thashë binte një shi imët dhe rruga pothuaj ishte e zbrazur. Po kështu deri sa mbërrita tek Zogu i Zi, unë nuk pashë asnjë këmbë polici.
Po shoku juaj Pirro Prifti, nuk ju ndoqi pas?
Jo ai nuk erdhi pas meje, por u fut tek një pallat fare pranë ambasadës, ku ne ndezëm dinamitin para se ta hidhnim dhe siç thashë, aty ai njihte një vajzë. Në atë kohë Pirro kishte shumë lidhje të tilla, pasi ishte djalë i pashëm.
Për ku u larguat më pas?
Kur shkova tek Zogu i Zi, qëndrova tek stacioni ku ndalonte autobuzi i linjës së Fushë-Krujës dhe me atë autobus udhëtova deri në shtëpinë time në Fushë-Krujë”.
Nisur nga ngjarja që kishte ndodhur në Tiranë, gjatë rrugës, a pati kontrolle nga policia?
Jo nuk na ndaloi asnjë kontroll policie, pasi ndoshta nuk ishin bërë akoma njoftimet e policisë, por siç mora vesh disa ditë më vonë, pas autobuzit me të cilin kisha udhëtuar unë, kishin filluar kontrollet e shpeshta të policisë nëpër rrugë.
Biseduat me njeri për atë që kishit bërë në Tiranë?
Kur mbërrita në shtëpi, Radio-Televizioni Shqiptar, po jepte lajmin e vënies së bombës në ambasadën jugosllave. Unë i thashë axhës tim, Ali Tetës: “Si thu or axhë, kush do ta ket vu dinamitin atje ke jugosllavt”?! Axha m’i nguli sytë dhe më tha: “Na nji që e urren qeverinë, se këta jan ba shumë të mërzitshëm dhe nuk po na lejnë të jetojmë si robt”. Për të humbur dyshimet tek axha, unë nuk ja zgjata më, por i ktheva kurrizin duke mos e parë në sy dhe shkova për të fjetur në dhomën time, pasi në atë kohë isha i martuar dhe me fëmijë.
Kur u takuat me shokun tuaj, Pirro Priftin dhe çfarë biseduat?
Me Pirron unë u takova pas nja dy ditësh, në guroren e Krujës dhe ai më tha: “Sef, shokët që kemi folur, po na rrinë shumë larg, prandaj duhet t’i japim drejtim e të ikim jashtë, se do të na arrestojnë. Pse të kapemi ne për këta legenë”?! Pirro ishte shumë i shqetësuar për atë që kishim bërë dhe më kërkonte me çdo kusht që të arratiseshim.
Si e pritët sugjerimin e Pirros për t’u arratisur?
Unë i thashë Pirros ta mendonim atë punë dhe duke parë e duke bërë. Por me thënë të drejtën, nuk kisha dëshirë të arratisesha, pasi isha i martuar dhe me fëmijë, e i dija se ç’i priste ata pas arratisjes sime.
Si veproi Pirro më pas, a bëri tentativë të arratisej nga Shqipëria?
Pirro e kishte ndarë mendjen dhe ai bisedoi me disa shokë të tjerë për t’u arratisur, të cilët u treguan krejt të gatshëm. Kështu ato ditë ai gjeti një djalë nga Kukësi, i cili i mori përsipër që t’i shoqëronte deri afër kufirit. Pas kësaj së bashku me një 6-7 shokë të tij nga Fushë-Kruja, si Lut Kelmendin, Kujtim Dokun, Fatmir Dacin etj., u nisën me një makinë në drejtim të Kukësit. Kur mbërritën atje, në mes të qytetit ata i kishte parë një djalë nga Fushë-Kruja, i cili punonte si oficer i Sigurimit në Kukës, me detyrë Punëtor Operativ. Sa i kishte parë ata, ai u kishte thënë: “Ou, paska zbarkuar gjithë Fushë-Kruja këtu në Kukës”. Pas atyre fjalëve, ata ishin trembur se mos ai do i kallëzonte në polici dhe pasi kishin fshehur në një lulishte, pushkën që kishin me vete, ishin kthyer mbrapsht duke ardhur në Fushë-Krujë. Të gjitha këto, ata m’i treguan një ditë pasi erdhën në Fushë-Krujë dhe unë u thashë: “Qenkeni treguar shumë budallenj, që nuk keni ikur dhe jeni kthyer mbrapsht. Po pse ju paskeni pritur që të merrni leje në Degë të Brendshme për t’u arratisur”?! Pas dy muajve, ata i arrestuan të gjithë bashkë me Pirron. Gjatë hetuesisë, ata i kishin trajtuar shumë keq, duke i torturuar dhe futur në elektro-shok. Pas kësaj ata ishin detyruar që t’i tregonin të gjitha çfarë kishin bërë.
Po pas arrestimit të këtyre, ju nuk kishit frikë se do të tregonin edhe për ju?
Unë nuk kisha asnjë dyshim se ata mund të më nxirrnin edhe mua, por kisha bërë ndërmend të thoja se nuk dija gjë për ta. Por desha të shtoj se: pas arrestimit të Pirro Priftit dhe shokëve të tij, Sigurimi i Shtetit, arrestoi edhe një grup tjetër prej katër vetash, duke i akuzuar ata si “agjentë të UDB-së jugosllave, që kishin dashur t’i bënin atentat udhëheqësit më të lartë të Partisë, Enver Hoxhës”. Të katër ata ishin intelektualë dhe me origjinë nga Kosova, si: Selim Kelmendit, Estref Kelmendit dhe Shefqet Kelmendit ishin me profesion mësues dhe kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa Namik Luca, ishte inxhinier kimist, banonte në qytetin e Laçit dhe punonte në Uzinën e Superfosfatit. Në atë kohë pas arrestimit të tyre, u përfolën shumë gjëra, duke thënë se ata ishin grupi më i rrezikshëm, që ishte zbuluar ndonjëherë nga Sigurimi i Shtetit, pas atij të Mehmet Shehut. E përmenda këtë grup, pasi kur më arrestuan në 23 shtator të vitit 1982, hetuesia më akuzoi e konsideroi edhe mua si një nga pjesëtarët kryesorë të atij grupi./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016