1928 – Në Bashkimin Sovjetik, fillon zbatimi i të ashtuquajturave Planet Ekonomike 5 Vjeçare. Qeveria komuniste sovjetike e drejtuar nga Joseph Stalin, nëpërmjet këtyre planeve ekonomike do të kishte si synim zhvillimin bujqësor, rural, dhe industrial të BRSS-së brënda një periudhe të shkurtër kohore. Por pavarësisht arritjeve, këto plane patën një kosto tejet të lartë ekonomike dhe njerëzore. Vetëm në Ukrainë si pasojë e urisë së madhe në vitet 30-të do të humbnin jetën 6 milionë njerëz.
1930 – Lind aktori irlandez me famë botërore Richard Harris. Harris do të bëhej i njohur në kinematografinë ndërkombëtare me rolet e spikatura të tij në filmat Hunchback of Notre Dame, Gladiator, Harry Potter, dhe The Barber Of Siberia. Gjatë karrierës së tij ai do të nominohej në mjaft çmime si ato Oscar, Golden Globe, Grammy, etj. Richard Harris do të vdiste në Londër në moshën 72 vjeçare në vitin 2002.
1949 – Shpallet në sheshin Tien An Men të Pekinit, Republika Popullore e Kinës. Pas një lufte të përgjakshme civile 4 vjeçare, udhëheqësi komunist kinez Mao Ce Dun nëpërmjet një rezolute të mbajtur para Komitetit Qëndror të PKK-së, deklaron krijimin e Republikës Popullore si forma e vetme udhëheqëse kushtetuese e Kinës në 70 vitet e ardhshme.
1969 – Për herë të parë në historinë e aviacionit civil botëror, avioni Concorde 001, nëpërmjet një fluturimi ajror të linjës Toulouse-Londër thyen rekordin e shpejtësisë së zërit duke arritur maksimumin e tij prej 2200 km në orë. Ky model i ri avioni shumë shpejt, do të bëhet ndër më të përdorurit në mbarë botën, përsa i përket transportit civil ajror për shkak të komoditetit dhe shpejtësisë që ofronte. Concorde do të tërhiqej nga qarkullimi në vitin 2003 pas disa aksidenteve tragjike.
1975 – Në kryeqytetin e Filipineve Manila, do të zhvillohej një nga ndeshjet më të famshme të boksit në botë. E etiketuar ndryshe si Thriller në Manila, ndeshja e zhvilluar midis dy kampionëve të padiskutueshëm të botës për peshat e rënda Muhammad Ali dhe Joe Frazier, do të thithe vëmëndjen e miliona sportdashëve në mbarë botën. Ali do të arrinte të fitonte ndaj Frazier pas 14 raundeve me Knock Out.
1991 – Gjatë Luftës Civile në ish-Jugosllavi fillon ajo që do të quhet dhe si rrethimi 8 mujor i Dubrovnikut. Qyteti i lashtë turistik kroat buzë Detit Adriatik, do të provonte luftimet e ashpra 245 ditore nga ajri, deti dhe toka, ndërmjet ushtrisë kroate dhe asaj serbo-malazeze. Në këtë rrethim do të humbnin jetën rreth 500 ushtarë dhe civilë, si dhe do të dëmtohej rëndë një pjesë e trashëgimisë kulturore botërore e qytetit.
2017 – Referendumi për Pavarësi i mbajtur në rajonin e Katalonjës në Spanjën veri-lindore do të deklarohej i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Ky referendum do të kishte si qëllim ndarjen e këtij rajoni nga shteti spanjoll, dhe shpalljen e tij si shtet më vete, me Barcelonën kryeqytet, për ta shkëputur përfundimisht nga juridiksioni i Madridid zyrtar.
2018 – Vdes në moshën 94 vjeçare këngëtari, kantautori, dhe aktori franko-armen Charles Aznavour. I cilësuar ndryshe edhe si Frank Sinatra i Francës Aznavour, gjatë gjithë karrierës së tij do të shiste rreth 180 milionë disqe, si dhe do të interpretonte në 68 filma kinematografikë. Gjatë karrierës së tij 60 vjeçare ai do të fitonte 25 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në zhanerin e muzikës dhe kinematografisë.