Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Haxhi Sulës nga Tirana, i cili në vitin 1975, pas një zënke me dhëndrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, morri rrugën në drejtim të pyjeve të Krrabës, me qëllim për t’u arratisur nga Shqipëria, por u kap nga ushtarët në fshatin Pëllumbas dhe u dënua me shtatë vite burg, duke u dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Borshit. Historia e rrallë e arratisjes së Haxhi Sulës nga burgu i Borshit, ku pasi goditi ushtarin në vend-roje dhe i morri mitralozin e lehtë, u largua në drejtim të rrugës nacionale ku me forcë detyroi një shofer “ZIS”-i dhe të dy morën rrugën për në drejtim të Nivicës, ku dhe u rrethuan nga forcat ushtarake e ato vullnetare, në një operacion të madh që e drejtonte nga helikopteri zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, i cili së bashku me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiun. Arrestimi i Haxhiut në fshatin Nivicë, ku e lanë forcat dhe ra pandjenja, e përmendja pasi një shofer me emrin, Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit të makinës dhe ja futi në vrimën e plumbit, duke i prishur shpretkën që i’a hoqën më vonë në Spitalin e Burgut. Ri dënimi i Haxhiut dhe vuajtja e dënimit në burgun e Burrelit, nga ku ai u lirua në vitin 1986, pas dy amnistive dhe tentative tjetër e arratisjes nga kufiri në vitin 1988 në fshatin Skënderbe të Librazhdit, ku njërin nga shokët e tij e shqeu qeni i kufirit, kurse tjetrin e bënë shoshë me plumba…?!
Incidenti me dhëndrin e Kadri Hazbiut
Historia e gjatë e mundimeve të Haxhi Sulës drejt burgjeve komuniste, e ka zanafillën diku aty nga viti 1975, pas një incidenti në qendër të Tiranës, e cila papritmas do t’i ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Isha vetëm 23 vjeç kur nisi odiseja ime e gjatë drejt ferrit komunist. Në pranverën e vitit 1975, teksa isha duke shëtitur në Bulevardin “Qemal Stafa” në Tiranë, një vajzë e pashme që po mësonte biçikletën, erdhi dhe u përplas me mua. Unë me tepër mirësjellje e qortova, duke i thënë që ta mësonte më larg biçikletën dhe jo aty, pasi do të përplasej me ndonjë automjet. Por pas pak aty pranë më ndali dhëndëri i Kadri Hazbiut dhe më goditi. Unë nuk durova dhe i’u përgjigja me të njëjtën mënyrë, por sapo mësova se kush ishte, ika me vrap dhe dola te kodrat e liqenit, e më pas drejt pyjeve të Kërrabës ku qëndrova i fshehur për katër ditë e net me radhë. Ditën e katërt, duke menduar se do të harrohej ajo punë, zbrita nga pyjet e Kërrabës dhe fshehurazi erdha deri afër shtëpisë sime në Tiranë. Aty pashë se forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishin rrethuar shtëpinë me katër makina policie, duke kujtuar se unë do të kthehesha aty. Operacioni për kapjen time e drejtonte vetë zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, së bashku me Kadri Ismailatin, një nga shefat e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pas asaj që pashë aty, fillimisht u tmerrova dhe nuk po dija se çfarë të bëja, por e mblodha vetën në sekondë dhe menjëherë u nisa për në drejtim të pyjeve të Elbasanit, me mendimin për t’u arratisur nga kufiri në zonën e Librazhdit. Por në fshatin Pëllumbas, më rrethuan ushtarët e një reparti të Ministrisë së Mbrojtjes, që i kishin ngritur në alarm pas ngjarje sime. Ata, me disa breshëri të gjata automatiku më urdhëruan që të dorëzohesha. Nga që kisha disa ditë pa vënë gjë në gojë, fuqitë më kishin lënë dhe nuk kisha mundësi që t’ju bëja asnjë rezistencë ushtarëve, të cilët më kapën e më lidhën menjëherë. Njëri prej tyre më tha: ‘Ke rënë në fole grerëzash’. Pas kësaj, më nisën për në Tiranë, ku më mbajtën tre muaj në Hetuesi, krejt të vetëm dhe me një batanije të hollë. Pas hetuesisë, më mbajtën edhe gjashtë muaj në spitalin e burgut, duke më kuruar plagët që m’i kishin shkaktuar vetë nga të rrahurat. Më pas, më nxorën në gjyq, duke më dënuar me shtatë vite burg, me akuzën për “tentativë arratisje”. Pas më mbajtën një javë në “Kaushin” e Burgut 313 të Tiranës, më nisën për në burgun e Borshit në Sarandë”, kujtonte Haxhiu, incidentin me dhëndrin e Ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, që e “përplasi” së pari në burgjet e regjimit komunist.
Arratisja nga burgu i Borshit
“Më ishte mbushur mëndja: ose të arratisesha, ose të vdisja aty, rrugë tjetër nuk kishte. Pasi provova dhe bëra dy përpjekje, të dyja më dështuan, por nuk u pikasa nga asnjeri. Rasti i tretë më erdhi kur një nga nënoficerët më urdhëroi, që të ngarkoja thesin me pleh fare pranë telave të rrethimit. Unë fshehurazi futa disa ushqime brenda në thes dhe u nisa për të zbatuar urdhrin e tij. Në ato momente në kokën time fillova të bluaja shumë gjëra, por e vetmja gjë që më mundonte, pa të cilën unë nuk mund të bëja dot asnjë hap në drejtim të telave, ishte arma. Më ishte fiksuar dhe ngulitur në kokë, se po të kisha në dorë një automatik, nuk kishte njeri që të më ndalte dot që të arratisesha nga ai kamp. Përgjova ushtarin e rojës që ishte mbi tarracë e i gjeta rastin, kur ai u afrua dhe e godita në kokë që ta trullosja. Ai ra në tokë por nga që ishte shumë i fuqishëm, u ngrit prap dhe më mbërtheu në trup. Unë e qëllova me grusht dhe e hodha në një hendek aty pranë. Ai menjëherë sapo ra aty, nxori pistoletën që kishte në brez, ndërkohë që unë më parë kisha kapur mitralozin e tij të lehtë, me zinxhirin e plumbave të futur në fole dhe dy të tjerë që i kishte rezervë në kuti. Kur i preka ato me dorë, prej gëzimit më shkuan lot në sy. U nis pa e ditur se ku po shkoja, por vetëm e vetëm, që që të largohesha sa më shumë prej aty. Mendjen e kisha vetëm në drejtim të kufirit, rrugë tjetër për mua tashmë nuk kishte”, dëshmonte Haxhi Sula.
Ndjekja nga ushtarët dhe çetat vullnetare
“Teksa kisha kapërcyer telat e rrethimit të jashtëm të burgut dhe qëndroja me mitraloz në dorë, aty afër meje në çast se nga u gjendën disa të dënuar, që i gjithë kampi i njihte si spiunë, apo bashkëpunëtorë të komandës, të cilët me të butë, e më të lutura, më bënin thirrje që të dorëzohesha. Unë qëllova disa herë në ajër mbi kokat e tyre dhe ata u shtrinë të gjithë barkas në baltë. Nga breshëritë e të shtënave, i gjithë ajri përreth meje mbante era barut. Nuk kishte shumë kohë për t’u menduar se në kamp u dha alarmi me sirenë dhe ushtarë e shërbimit nga kullat e rojës, filluan të qëllonin me breshëri në drejtimin tim. Unë sakaq ja kisha dhënë vrapit në rrugën kryesore dhe aty pashë një makinë tip “Zis” të ndaluar, ku shoferi i saj duket që po mundohej të eliminonte ndonjë defekt. Ju afrova dhe i thashë që ta niste menjëherë makinën. Ai shtangu dhe mbeti i hutuar nga fjalët dhe paraqitja ime me mitraloz në dorë. Ja përsërita fjalët dhe ai pasi vështroi edhe njëherë nga gryka e mitralozit, me të shpejtë u hodh për tek timoni. Makina çuditërisht u ndez në moment dhe ai më pyeti se për ku do të shkonim. Unë i’u përgjigja tre herë: drejt Konispolit. Ai vazhdoi: po ku?! Unë i thashë me zë të fortë: në drejtim të kufirit. Ai si nëpër dhëmbë foli disa fjalë, që mezi i kuptova. Më duket sikur më tha se: po e merrja në qafë, pasi kishte shtatë fëmijë për të ushqyer. Unë hipa në karroceri dhe i dhashë urdhër të nisej menjëherë. Ai bëri ashtu siç i thashë unë dhe ndërsa makina fluturonte, mua se si më dukej vetja ashtu me mitraloz në dorë dhe mezi mbushesha me frymë nga ajri i pastër i detit, që shtrihej poshtë rrugës automobilistike. Pas pak, përpara nesh në të dy anët e rrugës, u dukën një grup ushtarësh që si duket i kishin nxjerrë për të më ndjekur mua. Qëllova me breshëri dhe ata u fshehën poshtë rrugës. Bashkë me ushtarët kishin dalë dhe çetat vullnetare. Të gjithë qëllonin kundër makinës dhe xhamat e spondet e saja, u bënë shoshë nga plumbat e tyre. Ndërsa makina nisi të çante përpara si avion, sikur shoferi të kishte një mëndje me mua, më dukej se rruga çahej dhe nga ato të çara, dilnin ushtarë dhe vullnetarë civilë që qëllonin drejt nesh. Ndërkaq morëm një udhë në drejtim të pyllit dhe atëherë mendova se shoferi nuk do të më tradhtonte, sepse dashje pa dashje, ai ishte lidhur me mua dhe nuk kishte më kthim pas. Aty në të hyrë të fshatit Nivicë, u dëgjuan krisma dhe thirrje të tjera. U futëm në pyllin majtas dhe aty na doli përpara një makinë “Gaz-51”, i mbushur me ushtarë. Qëllova me breshëri në drejtim të gomave të makinës dhe nga presioni ajo u përmbys, dhe ushtarët fluturuan nga spondet, sikur të ishin lodra. Ne ecëm dhe pak përpara dhe pasi dëgjuam tri të shtëna pushke, të cilat ishin alarm për fshatarët, lamë makinën dhe i thashë shoferit, që të më ndiqte pas nëpër përrua”.
Ndjekja me helikopter nga Feçor Shehu
”Ndërsa unë e pyesja shoferin sa larg ishte kufiri nga aty, ai duke belbëzuar më thoshte se i kishte lënë fëmijët pa bukë në shtëpi. Unë mundohesha t’i jepja zemër, që të shpejtonim, duke i broçkullitur ç’më vinte në gojë, por gjithmonë duke e urdhëruar. Teksa ecnim, dëgjuam zëra shumë afër. Shoferi më tha: ”Ke sjellë në kufi, si ushtarët shqiptarë dhe ata grekë. Do hapësh luftë mes tyre. Unë i thashë që të më ndiqte dhe pastaj po të donte, mund të kthehej. Ai mu përgjigj: Ku të mbytem pastaj?! ‘Atëherë nxito me mua’, ju drejtova dhe pashë një grup tjetër ushtarësh, që kishin zënë pozicionet tek një parcelë aty para nesh. Ata më qëlluan dhe një plumb rikoshetë më kapi në trup dhe më dogji shumë (nga kjo plagë më pas, më kanë hequr gjashtë metër zorrë). U hodha në përrua dhe nisa të mbrohem duke qëlluar me breshëri. Po më mbulonte gjaku. Shoferit i ra të fikët, apo bëri vetë kur më pa ashtu dhe unë i hodha ujë përroi e ai u përmend. “Lërmë të vdes”, mu lut ai me sy gjysëm të mbyllur. Befas pashë të na afroheshin ushtarë me komandantin e tyre oficer Pajtim A. Të pozicionuar ata qëllonin në drejtimin tim. Më kapi dhe një plumb tjetër, pak poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi shënonte saktë nga pozicioni i tij. Këpuca më qe mbushur me gjak dhe këmba më llapuçitej aty brenda. Mezi mblodha fuqitë dhe qëllova dhe një herë më tepër për t’i trembur. Ndërkaq drejt meje po afroheshin dy tanke, kurse mbi krye fluturonte një helikopter, ku ishin Feçor Shehu dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiu. Për të shfryrë dufin, i harxhova të gjithë fishekët. Aty afër pashë një “Zetor” dhe u afrova për të hipur, por nga që kisha humbur shumë gjak, më lanë fuqitë dhe ngela aty pa ndjenja. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e Forcave Vullnetare dhe më lidhën fort. Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën e matjes së vajit dhe ma futi thellë tek vrima e plagës. Më preku shpretkën duke ma nxjerrë jashtë përdorimit (tani nuk e kam më atë). Ashtu i plagosur, i pafuqishëm, i dorëzuar nga dhimbjet, rrija shtrirë në tokë brenda një rrethi ushtarësh e civilësh, që më shihnin me habi, si të isha një qenie tjetër, e jo njeri. Herë pas here më hidhnin ujë dhe unë përmendesha e shihja fytyra kureshtarësh mbi mua. Pastaj më lidhën fort dhe më plasën në një “Zetor” të mbushur me pleh të lagur që m’u ngjit me gjakun në fytyrë. Tek sheshi i fshatit Bamatat, u ndodha i shtrirë nën këmbët e Feçor Shehut e Jashar Menzelxhiut. Doktori që po më mjekonte, kërkoi që të më zgjidhnin, por nuk ja plotësuan dëshirën. Pastaj më nisën për në Tiranë te Spitali i Burgut (në pavijonin 7-të), ku doktorët firmosën se isha i përgjegjshëm”.
15 vite burg dhe vrasja misterioze
Pas asaj aventure të rrezikshme, Haxhi Sulën e nisën për t’i bërë gjyqin në Sarandë, ku kishte kryer dhe “krimin” e arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit. Në Qafën e Ballshit, policët e zbritën për të pirë ujë, duke ja zgjidhur duart. Ai teksa ndjehej i lirë, ju hodh një polici për t’i marrë automatikun. Gjatë përleshjes policët e tjerë e goditën nga mbrapa dhe e lidhën përsëri. Gjyqi e dënoi në fillim me vdekje dhe më pas ja zbriti në 15 vite burg, pasi një i afërm i tij, ishte Kryetar i një Dege të Brendshme, ku një pjesë të madhe të dënimit ai do ta vuante në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por kjo nuk ishte Aventura e vetme e Haxhiut në drejtim të kufirit. Pasi përfitoi nga dy amnistitë që u dhanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për një pjesë të burgosurve politikë në vitet 1982 dhe 1986, Haxhi Sula u lirua nga burgu pasi kishte vuajtur për më shumë se njëmbëdhjetë vjet dënimin, si i burgosur politik. Pas daljes nga burgu ai mundi që të sistemohej në punë në fonderinë e Uzinës së Autotraktorëve “Enver Hoxha” në Tiranë, ku zakonisht dërgoheshin për “edukim” personat që sapo kishin dalë nga burgjet.
Tentativa e katërt e arratisjes
Por edhe pse u sistemua me punë pas daljes nga burgu dhe gjeti ngrohtësinë e familjes, Haxhi Sula e kishte mendjen përsëri tek kufiri dhe “bota e lirë”, e çdo ditë teksa kthehej nga puna i lodhur, mendonte dhe bënte nga një plan arratisje. Gjë të cilën do ta bënte realitet pak muaj më vonë, por që fatkeqësisht ajo tentativë arratisje do të rezultonte fatale jo vetëm për Haxhiun, por edhe për gjithë grupin e tij, prej shtatë vetash që mbetën të përgjakur në telat e klonit. Haxhiu përlotej dhe e kishte të pamundur që të na e tregonte atë histori tragjike ku humbën jetën shokët e tij të ngushtë dhe atë histori na e plotësoi, bashkëshortja e tij, Vjollca Giçi Sula, e cila na tregonte: “Koha e lirimit të Yllit nga burgu në vitin 1986, shënon dhe me njohjen e martesën tonë. Që në takimet e para, Ylli më tregonte për jetën e tij të vështirë dhe plot peripecira që kishte kaluar nëpër burgje. Unë i thosha që ta harronte atë kohë, por ai nuk e kishte të lehtë për arsye se atë vazhdonte ta ndiqte dhe ta survejonte Sigurimi i Shtetit edhe pas lirimit nga burgu. Në atë kohë kudo që shkonim ne të dy, e kishim ndonjë njeri të Sigurimit që na ndiqte nga pas, në çdo hap që hidhnim. Sapo uleshim në ndonjë stol në lulishtet e Lushnjes ku banoja unë, apo në Tiranë kur vija për të takuar si të fejuar, që ishim ai më thoshte të ktheja kokën prapa dhe më tregonte njeriu, që na ndiqte. Ylli nervozohej shumë nga ajo gjë dhe herë-herë fliste me zë të lartë, që ta dëgjonin njerëzit e Sigurimit, duke sharë mbarë e mbrapsht. Duke mos pasur asnjë lloj sigurie për jetën dhe duke qenë në ankth se mos nga çasti në çast, do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit, aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1989, Ylli vendosi që të arratisej nga Shqipëria. Planin për arratisje ai e kishte bërë me një shokun e tij të ngushtë që quhej Kujtim Xhaja, i cili vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Yllin, nën hijen e ullinjve në oborr. Bashke me Yllin e Kujtimin, në grupin që do të arratisej bënin pjesë dhe katër persona të tjerë të cilët ishin: Agim Sula, (vëllai i vogël i Haxhiut) Bani, nipi i tyre (djali i vëllait të Haxhiut, Metit), Petro Pishtari, Ilir Serjani (student) dhe një person tjetër nga lagja e jonë, që fatkeqësisht nuk ja mbaj mënd emrin. Nga i gjithë grupi prej shtatë vetash, përveç nipit të Haxhiut, Banit, të gjithë të tjerët kishin vuajtur nëpër burgjet e regjimit komunist, si të dënuar politik. Agimi kishte bërë gjashtë vite burg dhe punonte në Kombinatin e Mishit, Kujtimi nëntë vjet, Petro kishte bërë burg e internim dhe sapo ishte liruar, ndërsa të tjerët kishin bërë më pak vite burg. Plani i Haxhiut për t’u arratisur në atë kohë, u bë për arsyen se ne kishim djalin të shtruar në spital dhe Ylli mendonte se Sigurimit të Shtetit, nuk do t’i shkonte mëndja se ai do të arratisej në atë kohë, që kishte djalin e sëmurë”.
Zbulimi i grupit në klon
“Në atë kohë që Haxhiu me gjashtë pjesëtarët e tjerë të grupit, vendosën përfundimisht të arratiseshin dhe caktuan edhe datën kur do niseshin në drejtim të kufirit, ata u betuan se për planin e tyre nuk do t’i tregonin as dhe njerëzve më të afërt të familjeve. Por Haxhiu ishte i vetmi që më tregoi mua, duke më dhënë dhe porositë se si duhej të veproja në rast se atyre do t’u dështonte plani i arratisjes. Takimi i fundit dhe nisja për në drejtim të Librazhdit, u bë nga shtëpia jonë, në një mëngjes shtatori të vitit 1988. Njoftimi për ditën e nisjes u bë vetëm një natë përpara, në mënyrë që të eliminohej çdo dyshim për secilin nga pjesëtarët e grupit. Ata u nisën me tren dhe siç më ka treguar Haxhiu, kur zbritën në Librazhd, u ndanë në dy grupe dhe lanë vendin e takimit në fshatin Rrajcë, që ndodhet vetëm pak km. në lindje të qytetit të Përrenjasit. Haxhiu me shokët e tij kishin vendosur për t’u arratisur ditën e dielë, për arsye se ushtarët e kufirit ishin më të shkujdesur. Pas takimit në fshatin Rrajcë, ata u nisën në drejtim të kufirit shtetëror, që ndodhet më sipër atij fshati, në sektorin e quajtur Skënderbe. Në atë sektor që ndodhet fare afër kufirit, ata mbërritën rreth orës tre e gjysëm të natës. Pasi arritën aty, Haxhiu nxori pincat, që kishte marrë me vete për të prerë telat e klonit dhe në momentin që i kishin prerë ato, Petro Pishtarit i ngeci mënga e xhaketës në telin e korrentit që ishte dhe teli sinjalizues i klonit, që jepte sinjalin në postën më të afërt për shkelje kufiri. Menjëherë pas dhënies së sinjalit, u bë alarm dhe nga dy postat kufitare të Rrajcë-Sutaj dhe Rrajcë-Skënderbe, u nisën rreth 60 ushtarë, të ndarë në dy grupe. Ata kryen rrethimin e plotë të tyre dhe për rreth dy orë pa pushim, qëlluan me automatikë pa e ndaluar për asnjë çast zjarrin”, kujton Vjollca Sula.
Vrasja e Kujtimit, Iliriani e shqyen qeni
“Përreth dy orë që ata ishin nën zjarrin e automatikëve të ushtarëve të kufirit, asnjë prej tyre nuk lëvizi nga vendi, por të gjithë shtrëngoheshin, sa më fort pas gurëve e shkëmbinjve. Në një moment aty rreth orës 05 e 30, kur po zbardhte dita, Ilirian Serjani u çua në këmbë, për të kaluar klonin, por ai u kap i gjallë nga rojet kufitare. Njëri nga ushtarët e lidhi me tela dhe një tjetër i vuri grykën e nxehtë, të automatikut në gojë dhe i tha: “A do të vdesësh nga ky, apo nga qeni i kufirit?”. Iliriani krejt i tmerruar iu përgjigj: Nga qeni. Pas asaj kufitarët i ndërsyen qenin e madh të kufirit, i cili i’u hodh përsipër dhe pasi e shtriu për tokë, filloi ta shqyente. Në atë kohë, Haxhiu që ishte disa hapa më larg, mbuloi sytë me duar, ngaqë nuk e shikonte dot shokun e tij, që klithte nga hungërimat e qenit që e kafshonte pa pushim. Teksa shikonte Iliriani të mbytur në gjak dhe me copëra mishi e rrobash në dhëmbët e qenit, kafshoi fort buzën e tij sa i plasi gjaku. Në atë kohë nga alarmi që ishte dhënë, aty ishte grumbulluar pothuaj i gjithë fshati Rrajcë, duke u orientuar nga ulërimat e qenit. Duke parë Iliriani nën dhëmbët e qenit, vëllai i Haxhiut, Agimi, së bashku me Kujtim Xhajën, u ngritën dhe vendosën të dorëzoheshin. Por në ato momente në drejtim të tyre u derdhën dy karikator automatiku dhe Kujtimi mbeti i vdekur në vend, me rreth 60 plumba në trup, e gjaku i rridhte rrëke, sikur ta kishin sharruar. Siç më tregonte Haxhiu, në pak minuta, trupi i vdekur i Kujtimit u bë i verdhë, i bardhë, e më pas ngjyrë mavi. Në atë çast që u vra Kujtimi, Haxhiu u ngrit në këmbë dhe me një thikë të vogël në dorë, u afrua të godiste qenin që nuk e lëshonte Iliriani, por në atë moment disa ushtarë i’u hodhën përsipër dhe e lidhën me tel me gjemba, duke e goditur me dru ku të mundnin. Pas Haxhiut u kapën dhe të tjerët, e ashtu të lidhur me tela me gjemba këmbë e duar, ata i hipën në një makinë ushtarake, që kishte ardhur me ushtarë të tjerë për përforcim të kufirit. Pasi i sistemuan të gjithë në karrocerinë e makinës, bashkë me Iliriani, që nuk kuptohej në ishte i gjallë apo kishte vdekur, kufomën e Kujtim Xhajës, ushtarët e lidhën me tel pas makinës dhe e tërhoqën zvarrë, në një pjesë të madhe të rrugës nën vështrimin e fshatarëve. Më pas kufomën e tij e hipën në makinë dhe u vunë tek këmbët e shokëve të tij, që ashtu të lidhur i mbanin të shtrirë në karroceri. Më pas ata i çuan në qelitë e Degës së Brendshme të Librazhdit, ku për më shumë se një muaj, ata u torturuan mizorisht. Pas një muaji ata i nxorën në gjyq dhe i dënuan për “tradhti të lartë”, me dënime nga pesë vjet e poshtë”, e përfundon dëshminë e saj rrëqethëse, Vjollca Giçi Sula, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në shtatorin e vitit 1989, kur shtatë djem tiranas që kishin vuajtur më parë në burgjet e regjimit komunist, morën rrugën për në drejtim të klonit, ku u përgjakën nga plumbat e ushtarëve dhe qentë e kufirit, që ruanin të paprekur “parajsën e socializmit të Enver Hoxhës”.
Lirimi nga burgu më 28 mars 1991
Haxhi Sula ishte nga të fundit të burgosur politik, që u liruan në 28 marsin e vitit 1991, nga burgu i Spaçit, pasi organizoi një grevë urie në tarracën e njërës prej godinave të atij burgu, së bashku me David Lumën, Paulin Bërdicën e Gjin Shllakun. Pas burgut, Haxhiu u kthye në Tiranë pranë familjes, bashkëshortes, Vjollca dhe vajzës së vogël, duke e filluar ta ndërtonte jetën nga e para. Kishte shumë pasion poezinë dhe provoi të shkruante jo pa sukses, duke arritur të botonte disa libra, me poezi dhe kujtime nga burgjet e regjimit komunist, ku kishte kaluar afro 15 vite të jetës së tij, në moshën më të mirë. Por, në marsin e vitit 1997, teksa kishin filluar trazirat e mëdha, një dorë misterioze e qëlloi për vdekje, aty fare pranë shtëpisë së tij tek “Oxhaku”, në afërsi të Shkollës së Bashkuar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016