Dashnor Kaloçi
Memorie,al publikon historinë e panjohur të Rustem Ymer Skënderit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi u shkollua në Fakultetin e Drejtësisë në Selanik, ku studentët shqiptarë e zgjodhën si përfaqësues për ngritjen e flamurit në Vlorë në 1912-ën, ai pati një bisedë të gjatë me Ismail Qemalin, u përjashtua nga fakulteti pasi merrej me shpërndarjen e librave shqip, që ia jepte ish-mësuesi i tij, Hoxh Vokrri, (Najdeni) . Karriera politike dhe administrative e Rustemit nga 1915-ta si sekretar i Bashkisë së Dibrës, e deri në prillin e ‘39-të, si kryetar i bashkisë e prefekt në Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës, ku ai dha një kontribut të veçantë, në hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të atyre qyteteve. Dëshmia e të birit, Mensurit, për karrierën Rustemit, mikut të ngushtë të Mbretit Zog, që si kryebashkiak i Durrësit më 7 prill ’39-të, mbajti një fjalim nga ballkoni i Bashkisë, ku dënoi pushtimin, gjë për të cilën u internua nga italianët në ishullin e Ventotenes dhe pas mbarimit të Luftës edhe nga komunistët, duke e internuar në fshatrat e Myzeqesë, Radostimë, Shtyllas dhe Kuç të Kurveleshit, ku kaloi një jetë të vështirë.
Familja Ymeri nga Dibra e Madhe
Rustem Ymer Skënderi, u lind në vitin 1892 në qytetin e Dibrës së Madhe, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, një nga më të njohurat e asaj krahine. Babai i Rustemit, Ymer Skënderi, me bashkëshorten e tij Ruzhdien, kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Rasimin e Nafien. Në fillimet e shekullit të kaluar, familja Skënderi banonte në qendrën e qytetit të Dibrës së Madhe, ku ata njiheshin si një familje e pasur dhe aristokrate. Duke vazhduar traditën e të parëve të familjes së tij, Ymer Skënderi, u kujdes që edhe dy djemtë e tij: Rustemi dhe Rasimi, të studionin në shkollat e larta. Djali i madh, Rasimi, pasi u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë së Stambollit, në vitet e para të shekullit të kaluar, u kthye në Shqipëri së bashku me bashkëshorten e tij turke dhe gjatë periudhës së Monarkisë, ai shërbeu si jurist e më pas avokat, në disa rrethe të vendit. Ndërsa i vëllai Rustemi, mbaroi shkollën e mesme turke në qytetin e Dibrës së Madhe, ku nën kujdesin e patriotit të madh, Hoxhë Vokrit (Najdenit), përveç turqishtes, mësoi edhe gjuhën frënge. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Rustemi u dërgua të vazhdonte studimet e larta në qytetin e Selanikut, por pas disa vitesh studimi, ai u përjashtua nga fakulteti, për shkak se shpërndante libra në gjuhën shqipe, të cilat atij ia jepte ish-mësuesi i tij, patrioti Hoxh Najdeni. Po kështu në përjashtimin e tij nga universiteti i Selanikut, ndikoi edhe veprimtaria patriotike që ai kryente në rrethin e studentëve shqiptarë, që ishin grupuar në një shoqëri e cila kryesohej nga patrioti Dervish Hima. Pas përjashtimit nga fakulteti, Rustem Ymeri filloi punë në një fabrikë pijesh alkoolike dhe asnjëherë nuk i shkëputi kontaktet me rrethin e studentëve shqiptarë të Selanikut dhe patriotët e tjerë që ishin vendosur atje si emigrantë.
Rustemi në Shpalljen e Pavarësisë
Nisur nga veprimtaria e madhe patriotike në dobi të çështjes shqiptare që Rustem Ymeri, zhvilloi gjatë asaj periudhe që ishte në Greqi, në nëntorin e vitit 1912-të, emigrantët shqiptarë e zgjodhën atë si përfaqësuesin e tyre dhe e deleguan për të marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Lidhur me këtë, i biri i tij, Mensur Ymeri, dëshmonte: “Gjatë bisedave të lira që Ismail Qemali zhvilloi pas mbledhjes themeluese me përfaqësuesit e ndryshëm, që kishin shkuar për të marrë pjesë në aktin e Shpalljes së Pavarësisë, plaku i Vlorës bisedoi gojarisht me babanë tim, Rustemin, duke i kushtuar atij një vëmendje të veçantë dhe në fund të bisedës e cilësoi atë si një nga të rinjtë me të ardhme, që mund të jepte kontributin e tij në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar. Pas largimit nga qyteti i Vlorës, Rustemi u kthye në vendlindjen e tij, për t’ju ndodhur pranë familjes, pasi ishte informuar për reprezaljet që kishin ndërmarrë forcat serbe në atë krahinë. Nga fillimi i vitit 1913-të e deri në fillimin e vitit 1914-të, babai qëndroi në Dibrën e Madhe, ku bashkë me shumë patriotë të tjerë dibranë, u angazhua në veprimtari të ndryshme, për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar të porsaformuar. Si rezultat i asaj veprimtarie, ai u arrestua nga forcat serbe, por mundi që të shpëtonte prej tyre gjatë kohës, që ata po e transportonin me një karrocë për në burgun e qytetit të Dibrës së Madhe. Në shenjë hakmarrje për arratisjen e tij, forcat serbe ia dogjën shtëpinë në qendër të qytetit dhe pas kësaj, ai e kishte të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në Dibrën e Madhe. Pas kësaj, Rustemi bashkë me familjen dhe dy kushërinjtë e tij: Ferit dhe Qazim Skënderin, u shpërngulën që andej dhe erdhën në qytetin e Tiranës, ku blenë një shtëpi në vendin e quajtur “Mëhalla e Dibranëve”, dëshmon Mensur Skënderi, për babanë e tij, Rustemin.
1918-1939, prefekt e kryetar Bashkish
“Në vitin 1915-të, Rustemi u regjistrua në një kurs të cilin e hapi Aleksandër Xhuvani, për përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe, me të rinj nga e gjithë Shqipëria. Pas mbarimit të atij kursi, Rustemi doli vullnetar dhe shkoi për të hapur shkollën e parë shqipe në fshatin Brezhdan të Dibrës së Madhe, ai punoi për afro një vit e gjysëm dhe më pas ai u thirr në qytetin e Peshkopisë, ku ishte emëruar në funksionin e Sekretarit të Bashkisë. Gjatë asaj kohe Rustemi u njoh dhe u martua më nënën tonë, Edije Bardulla, e cila ishte bijë nga një familje shumë e njohur për tradita atdhetare në qytetin e Peshkopisë. Më pas, Rustemi shkoi në qytezën e vogël të Shijakut ku ishte caktuar si mësues dhe në fillimin e vitit 1918-të, ai u largua që andej dhe shkoi në qytetin e Pogradecit, se ishte emëruar me detyrën e nënprefektit. Edhe në atë qytet ai nuk qëndroi për më shumë se një vit, sepse nga mesi i vitit 1919-të, Rustemi shkoi në qytetin e Lushnjes, ku ishte emëruar po me të njëjtën detyrë, që kishte kryer në qytetin e Pogradecit. Janari i vitit 1920-të, e gjeti Rustemin në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Lushnjes dhe gjatë asaj kohe, ai u mor personalisht me përgatitjen e kongresit, që u mbajt në atë qytet. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1939-të, për më shumë se njëzet vjet me radhë, babai im Rustemi, shërbeu në funksionet e prefektit, nënprefektit dhe kryetarit të bashkisë, në disa nga rrethet më kryesore të vendit, si në Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës. Rustemi konsiderohej si një nga funksionarët më të aftë të administratës së pushtetit vendor të Monarkisë dhe gjatë asaj periudhe, prej afro njëzet vjetësh, me insistimin e Mbretit Zog, ai shërbeu në disa rrethe të vendit, ku situata paraqitej më problematike. Gjatë atyre viteve, në bashkëpunim të ngushtë me ministritë përkatëse, Rustemi i’u kushtoi një vëmendje të veçantë planeve rregulluese të qyteteve ku shërbeu, si: Shkodrës, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit. Me fondet e akorduara nga qeveritë e asaj kohe, ai u kujdes dhe ndërtoi disa nga rrugët e qendrat kryesore të atyre qyteteve, fotot e të cilave ne i kemi akoma edhe sot në albumet e familjes sonë. Nga ato ndërtime mund të përmend: shatërvanin në qendër të Durrësit dhe bulevardin përpara Prefekturës së qytetit të Shkodrës. Po kështu, gjatë atyre viteve, babai i kushtoi një interes të veçantë edhe problemeve të arsimit dhe kulturës, pasi ai kishte qenë vetë mësues. Ai u përpoq dhe ndihmoi me bursa shtetërore shumë të rinj dibranë, që vazhduan studimet jashtë shtetit, ku një ndër ta ka qenë edhe Dr. Hiqmet Dibra, të cilin babai e mbajti në shtëpinë tonë në Tiranë. Po kështu gjatë periudhës së Monarkisë, babai u kujdes edhe për shkollimin tonë. Unë dhe vëllai tjetër, Ymeri, u diplomuam në Liceun Francez të qytetit të Korçës, kurse motra jonë, Myzejeni, mbaroi shkollën “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Përveç kryerjes së detyrave shtetërore, Rustemi ishte shumë i dhënë edhe pas librave dhe në shtëpinë tonë, ne kishim një bibliotekë shumë të pasur. Kur ishte në Korçë, babai përgatiti një fjalor të madh katër gjuhësh, të cilin ia botoi Dhori Koti. Gjatë atyre viteve, ai u mor shumë edhe me shkrime publicistike, të cilat i botonte në shtypin shqiptar dhe në atë italian, me pseudonimin “Dushkani”. Për punën e mirë që kishte bërë, në vitin 1938-të, Mbreti Zog e dekoroi babanë me “Urdhrin e Skënderbeut”.
Kryetar i Bashkisë së Durrësit në 1939
Gjatë atyre viteve që Rustemi shërbeu në ato qytete të mëdha të Shqipërisë, përveç miqësisë së madhe që kishte me Mbretin Zog, ai krijoi miqësi edhe me shumë nga personalitete të tjera të politikës dhe artit, si: Lef Nosin, Aleksandër Xhuvanin, Padër Gjergj Fishtën, deputetin Selim Mborja, botuesin korçar Dhori Koti, tregtarin Petraq Katro, vëllezërit Benusi nga Shkodra, familjen korçare Turtulli etj. Mensur Skënderi, kujton një miting në qytetin e Shkodrës, ku Rustemi për herë të parë, po fliste me letër përpara, miku i ngushtë Padër Gjergj Fishta, që ishte pranë tij, iu afrua dhe ia hoqi letrën nga dora duke i thënë: “Nuk të shkon ty zoti Rustem të lexosh, ti flet më mirë pa letër”. Pas kësaj, të pranishmit që ishin në atë ceremoni shpërthyen në ovacione. Karriera e gjatë prej më shumë se njëzet vjetësh e Rustem Ymerit në funksionet e kryetarit të bashkisë dhe prefektit, u ndërpre në prillin e vitit 1939-të, kur ai ishte në detyrën e kryebashkiakut të Durrësit. “Shtatë prilli ’39-të, e gjeti Rustemin në funksionin e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Durrësit dhe në mëngjesin e asaj dite, ai doli në ballkonin e Bashkisë dhe mbajti një fjalim para popullit që ishte grumbulluar atje. Në fjalën e tij ai dënoi hapur pushtimin fashist të Shqipërisë dhe foli ashpër për një zyrtar të lartë të Durrësit, i cili kishte dalë në Portin Detar për t’i pritur pushtuesit italianë. Në atë kohë dikush nga turma qëlloi me pistoletë në ajër dhe babai iu drejtua atij, duke i thënë që atë fishek ta ruante për tradhtarët. Në fund të fjalës së tij, Rustemi i bëri thirrje popullit që të rrëmbente armët dhe t’i prisnin me plumba agresorët italianë, që kishin mbërritur me anijet e tyre të luftës, fare pranë brigjeve shqiptare, duke u thënë se kishte dhënë urdhër, që të hapeshin depot e armëve për vullnetarët që donin të luftonin. Si rezultat i kësaj, disa ditë më vonë ai u arrestua nga autoritetet italiane dhe u burgos në burgun e Barit në Itali, e më pas në kampin e internimit në ishullin e Ventotenes. Pas arrestimit të babait, ne si familje na internuan në qytetin e Beratit, ku u strehuam në shtëpinë e familjes Haznedari, me të cilët babai kishte pasur një miqësi të ngushtë, që nga koha kur kishte qenë Kryetar Bashkie atje. Nga burgu i Ventotenes, babai u lirua vetëm në fillimin e vitit 1941 dhe autoritetet italiane e sollën po të internuar në qytetin e Beratit, ku ai çdo mbrëmje paraqitej në Kuesturë. Lirimi i tij nga Ventotene dhe sjellja e tij në Berat, u bë pasi ne si familje paguam një sasi të madhe floriri. Që nga ajo periudhë e deri në mbarimin e Luftës, babai qëndroi në shtëpi duke u marrë vetëm me librat dhe nuk pranoi të merrte asnjë detyrë shtetërore, gjatë kohës së regjencës. Ndonëse Rustemi nuk mori pjesë personalisht në Luftë, ne tre fëmijëve, ai nuk na pengoi aspak që të inkuadroheshim në mënyrë aktive në Lëvizjen Antifashiste”, kujton Mensur Ymeri, për babanë e tij Rustemin.
Internimi nga komunistët
Pas mbarimit të Luftës, komunistët që erdhën në pushtet nuk e trazuan personalisht Rustem Ymerin, por i’a sekuestruan pothuaj të gjithë pasurinë, si 22 dynym tokë dhe një shtëpi në fshatin Rinas, etj. Nga viti 1945-së e deri në vitin 1951, Rustemi jetoi në qytetin e Durrësit, ndonëse fëmijët e tij ishin në Tiranë dhe kishin mundur që të merrnin të drejta studimi për jashtë shtetit. Gjatë asaj kohe, ai dhuroi për bibliotekën e qytetit, pjesën më të madhe të librave të bibliotekës së tij, pasi pas sekuestrimit të shtëpisë, nuk kishte se ku t’i mbante. Vetë Rustemin nuk e lejonin që të banonte në Tiranë, ai shikohej si njeri i dyshimtë dhe njihej si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut. Por “qetësia” për Rustem Ymerin nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1950-të, regjimi komunist filloi goditjen ndaj tij. “Në vitin 1950-të, babanë e arrestuan por nuk e mbajtën të izoluar në qeli dhe e internuan në fshatrat Radostimë, Shtyllas dhe Kuç të Kurveleshit. Në ato kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba, ku ishin mbyllur pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare, ai qëndroi për pesë vjet me radhë, në kushte nga më të vështirat. Kur e arrestuan Rustemin në Tiranë, na bënë edhe një kontroll në shtëpi, ku na sekuestruan shumë nga dokumentet e fotografitë, që babai kishte ruajtur prej vitesh. Nga internimi babai u lirua në vitin 1954, por edhe pas asaj kohë, ai rrinte me ankthin e arrestimit, sepse gjatë zhvillimit të gjyqit të Hamit Matjanit, njëri nga të pandehurit, deponoi se kishte pasur porosi nga Mbreti Zog, që kur të vinte në Shqipëri, të takohej me Rustem Ymerin. Ndonëse kishim blerë një shtëpi në Tiranë, babanë nuk e lejonin të banonte me ne, dhe ai jetoi në qytetin e Durrësit, në shtëpinë e nipit të tij, Shaban Skënderit dhe mbesës Mevlude Stërmillit (Skënderi)”, e përfundonte rrëfimin e tij, Mensur Ymeri, për babanë, Rustemin, i cili u nda nga jeta në vitin 1972 në qytetin e Tiranës, ku ai mezi mundi që të vinte në fundin e viteve ’60-të. Ish-funksionari i lartë i Monarkisë së Zogut, Rustem Ymeri, që kishte kundërshtuar pushtimin fashist, u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga miq e të afërm të tij, që kishin ardhur nga të gjitha rrethet ku ai kishte shërbyer si prefekt e kryetar bashkie./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016