Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Në mars të vitit 1965, një delegacion i lartë kinez i kryesuar nga kryeministri, Çu En Lai, mbërriti për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ajo ishte vizita e tij e dytë zyrtare në vendin e vogël komunist ballkanik dhe u zhvillua nga data 27 deri më 29 mars 1965 në Tiranë, ku ai u prit nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Haxhi Lleshi etj., të cilët dolën për ta pritur mikun kinez që në aeroportin e Rinasit, nën tingujt e bandës muzikore dhe truprojave ushtarake të nderit. Takimet zyrtare u mbajtën në selinë e Kryeministrisë, ku përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike dhe qeverisë shqiptare, si; Beqir Balluku, Hysni Kapo, Spiro Koleka, Adil Çarçani, Gogo Nushi, Haki Toska, Manush Mysfiu, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Behar Shtylla, dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Nesti Nase etj..
Po çfarë u bisedua në takimet me kryeministrin kinez, cilat ishin kërkesat prioritare të bërë nga qeveria shqiptare për ndihma dhe kredi nga Republika Popullore e Kinës dhe përgjigjja e Çu En Lait lidhur me sa i kërkohej? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore ku ndodhet proces-verbali i takimit në fjalë, i cili është nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilin po e publikojmë me disa shkurtime.
Mars 1965
Proces-verbali i bisedës mes shokut Çu En Lai dhe udhëheqësve të partisë e të shtetit shqiptar, 27 – 29 mars 1965.
Shoku Çu En Lai dhe udhëheqësit e tjerë të Partisë Komuniste kineze, u takuan me udhëheqësit shqiptarë, në selinë e kryeministrisë.
Pala Shqiptare: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Haki Toska, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Behar Shtylla, dhe ambasadori në Kinë, Nesti Nase
Pala kineze: kryetari Çu En Lai, anëtarët e Komitetit Qendror Xie Fuzhi, Zhang Hanfu, Zhao Jimin, Çu Jien Guo dhe Li Xianian.
Takimi i parë nisi më 27 mars 1965, në 16.30. Të gjithë pjesëmarrësit u ulën dhe shoku Enver Hoxha i kërkoi shokut Çu En Lai, të nistë takimin sipas axhendës së takimeve të tilla.
SHOKU ENVER HOXHA: Më lejoni shokë kinezë të falënderoj shokun Çu En Lai, për prezantimin e tij të mrekullueshëm që jo vetëm na kënaqi, por dhe rriti besimin dhe forcën tonë. Me anë të analizës së tij korrekte marksiste-leniniste, shoku Çu En Lai hodhi dritë mbi shumë çështje që na shqetësojnë për situatën ndërkombëtare, luftërat çlirimtare dhe luftërat e partive tona marksiste-leniniste kundër imperializmit e revizionizmit.
Prezantimi i tij provon edhe një herë se dy vendet tona janë në union të plotë mendimi e veprimi, mbi të gjitha çështjet. Shoku Çu En Lai qartësoi shumë mirë shkaqet e luftës në Indokinë dhe agresionin imperialist, me të cilin përballen popujt e Azisë. Kjo analizë qartësoi shumë gjëra për ne, pasi dy popujt tanë janë të lidhur nga marksizëm-leninizmi. Të jini të sigurt shoku Çu En Lai, se partia jonë do të jetë mike dhe aleate e Kinës, në kohë të mira e të këqija.
SHOKU ÇU EN LAI: Është e vërtetë, dy vendet tona kanë mendim të përbashkët për luftën ndaj imperializmit dhe revizionizmit, për mbështetjen e luftërave çlirimtare të popujve dhe për strategjitë, taktikat dhe kursin e përgjithshëm të veprimit. Takimet mes dy palëve tona ndihmojnë në rritjen e kuptimit me njëri-tjetrin dhe të koordinimit të aktiviteteve. Në e kuptojmë mendimin tuaj për krijimin e Vietnamit të Jugut dhe për këtë kanë menduar dhe udhëheqësit e forcave jugore të mbrojtjes. Por ne mendojmë se duhet të shohim se si do të reagojnë sovjetikët ndaj këtij testi, a do ta mbështesin vërtet luftën çlirimtare të Vietnamit, apo e mbrojnë atë vetëm për ta shitur më pas?
SHOKU ENVER HOXHA: E keni gjykuar këtë çështje korrektësisht.
Sesioni mbyllës i bisedimeve, 29 mars 1965, ora 9.00
SHOKU ENVER HOXHA: Para se të nisin, mendoni se do të dalim me një deklaratë të përbashkët, komunikatë apo as njërën as tjetrën?
SHOKU ÇU EN LAI: Do të ishte më mirë të dilnim me një deklaratë të përbashkët, pasi çështjet kryesore do të përfshihen në fjalimet tona.
SHOKU ENVER HOXHA: Shumë mirë atëherë, shokët e Ministrisë së Jashtme do të nisin punën për përgatitjen e deklaratës, nëse ju nuk keni një gati.
SHOKU ÇU EN LAI: Po, mund t’ju japim një kopje për të cilën të vendosin me tej ministrat tanë të Jashtëm shoku Behar dhe shoku Hanfu. Mendoj se sot duhet të diskutojmë dhe çështjet tona të bashkëpunimit ekonomik, përmes Shqipërisë dhe Kinës. Nuk e di nëse ju Hoxha dhe shokët shqiptarë jeni dakord.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk kemi asnjë kundërshtim.
SHOKU ÇU EN LAI: Ne jemi në dijeni të sukseseve ekonomike të arritura prej jush, të prezantuara nga shoku Hoxha në përvjetorin e 20-të të çlirimit. Ndjemi të lumtur për sukseset tuaja pasi ato janë dhe sukseset tona, ashtu si dhe sukseset e Kinës janë dhe sukseset tuaja. Në lidhje me bashkëpunimin tonë ekonomik, dua të saktësoj diçka: Para se të nisesha për në Shqipëri, lexova dhe një herë letrën e shokut Shehu dhe përgjigjen që ne ju kthyem.
Ne nuk kemi arritur të bëjmë një analizë të plotë dhe kur shoku Spiro Koleka të vijë në Pekin, do ta studiojmë dhe do marrim hapat e nevojshëm. Kanë kaluar më shumë se dy javë që prej bisedimeve mes specialistëve ekonomikë të dy vendeve tona dhe ata kanë arritur në disa konkluzione. Ata kanë biseduar dy herë mes tyre, por megjithatë ka disa probleme që ende nuk kanë gjetur zgjidhje. E kam fjalën për disa çështje, disa prej të cilave i kanë diskutuar me shokun Mehmet Shehu e Beqir Balluku gjatë vizitës sime këtu vitin e kaluar. Unë ju kërkoj falje se nuk kam pasur kohë t’i shikoj me detaje pasi kam qenë shumë i zënë me çështjet e situatës ndërkombëtare.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne e kuptojmë që kemi probleme të rëndësishme në dorë dhe ju falënderojmë për atë që keni bërë.
SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj i kërkoj shokëve Shehu e Koleka, të më kuptojnë. Por kjo gjithsesi nuk do të thotë se ne nuk i japim rëndësi, apo se kërkesat tuaja të bashkëpunimit ekonomik kanë rëndësi dytësore. Gjatë dy ditëve të fundit jam takuar dy herë me specialistët tuaj dhe kemi folur për problemet. Gjithsesi sot dua të jap disa opinione të mia të pjesshme, të cilat nuk përfshijnë rrezen e plotë të qëndrimit tonë.
Së pari, ne i kuptojmë dëshirat dhe kërkesat e popullit e partisë shqiptare, për përshpejtimin e ndërtimit të socializmit në Shqipëri. Shoku Hoxha kishte të drejtë në pikëpamjen e tij se Shqipëria është një post i izoluar socialist larg Lindjes dhe gjithashtu pika ekstreme jugperëndimore e kampit socialist, e rrethuar nga armiq. Duke gjykuar nga ky fakt, ju jeni të justifikuar me dëshirën për të përshpejtuar ndërtimin e socializmit dhe forcimin e ushtrisë.
Ne e kuptojmë që Shqipëria kërkon të arrijë të zhvillojë ekonominë e saj me forcat e veta dhe Kina nuk mund të rrijë indiferente ndaj kësaj. Aktualisht ju nuk keni forcën e duhur për të përmbushur nevojat tuaja. Shqipëria ka disa aftësi por ato nuk janë të mjaftueshme, prandaj ne sigurisht duhet të ndihmojmë, veçanërisht në një kohë kur vendet e tjera socialiste po refuzojnë, ose nuk mund të japin ndihmën që mund të japë Republika e Kinës. Me këtë ndihmë Shqipëria mund të bëhet më e fuqishme dhe të luajë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare.
Ne jemi plotësisht dakord me ato që shoku Hoxha përmendi. Baza e ekonomisë shqiptare, ashtu si dhe e jona është bujqësia, ndërsa industria është një vegël ndihmëse dhe përforcuese. Edhe ne kur nisëm zhvillimin e industrisë në Kinë rreth vitit 1959, kishim shumë mangësi dhe bëmë gabime. Një prej tyre për shembull ishte përgjithësim i eksperiencave tona. Dua t’ju flas për gabimet që hasëm ne në punën tonë, duke përfshirë dhe ato në ndihmën që jepnim për vendet e tjera. Shokët Komitetit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, mund t’ju flasin më shumë në detaje, por me sa di unë, gabimet kryesore kanë qenë në katër fusha:
Së pari, gjashtë viteve të fundit, prej mesit deri në 1963, ne nuk kemi arritur të mbledhin të dhëna të sakta ekonomike për vendin tuaj, për terrenin sipërfaqësor dhe nëntokësor. Studimet janë bërë pa u mbështetur mjaftueshëm në të dhënat e veçanta ekonomike e politike të vendit tuaj. Një mangësi për shembull është masa e vogle tokës së punueshme në Shqipëri, e cila nuk i korrespondon projekteve që kërkojnë prodhim të madh bujqësor dhe rrjedhimisht toka të gjera të kultivueshme.
Për këtë arsye, është shtuar volumi i punës së kërkuar për ndërtimin e projekteve dhe koha e kompletimit të tyre. Këto probleme i kanë përmendur dhe shoku Mehmet Shehu dhe Spiro Koleka në diskutimet e tyre. Çështja tjetër është se nëse diçka e papritur ndodh, si për shembull nisja e një lufte, objektet e reja duhet të ndërtohen në vende të sigurta, që ne të jemi të gatshëm të përballemi me armikun. Së pari, projektet nuk duhet të nderohen në tokë të mirë dhe të zënë sa më pak tokë të kultivueshme që është e mundur.
Në rast nevoje zhvendosja e popullsisë duhet të jetë sa më e vogël, pra nuk duhet të kemi zhvendosje masive të popullatës. Kjo do të thotë se projektet duhet të ndërtohen rrëzë maleve, e gjithsesi jo në mënyrë të përqendruar, por larg njëra-tjetrës. Një tjetër faktor është se projektet duhet të plotësojnë popullatën e zonave të ndërtimit, dhe banorët të jenë në favor të ndërtimit të objektit të ri. Kjo është një ndihmë që vjen në mënyrë indirekte.
Qëllimi ynë është që fabrikat, minierat, impiantet dhe ndërmarrjet ekonomiket ndihmojnë popullsinë lokale, për shembull gjatë fushatave bujqësore, fabrikat të ndihmojnë popullsinë lokale me mjete transporti, ose kur popullsia fshatare është e lirë, të ndihmojë në punën në fabrika. Kohët e fundit kemi punuar sipas këtij koncepti dhe rezultatet kanë qenë të mira. Ne kemi organizuar takime kombëtare mbi çështjen e prodhimit të pambukut, pasi një aeroport u ndërtua në një zone, duke zënë rreth një të tretën e tokës së brigadës lokale bujqësore.
Aeroporti ishte vërtet i nevojshëm, por ne arritëm të reduktonim masën e tokës së zënë prej tij me 20 hektarë dhe gjithashtu hartuan direktiva që aeroporti t’i vinte në ndihmë komunitetit lokal. Ne kemi më shumë se 100 aeroporte, por ato zënë një masë minimale toke të mirë, me qëllim rritjen prodhimit bujqësor. Ne kemi më shumë se 15 vjet me projekte të reja ndërtimi, por vetëm katër vitet e fundit kemi hartuar direktivat e reja të kursimit të tokës. Ju të gjithë keni qenë në Kinë dhe keni parë se shumë impiante dhe fabrika tonat zënë tokë të rëndësishme.
Këto projekte janë ndërtuar në planin tonë të parë pesë-vjeçar dhe shumicën e dizajnit e kanë kryer sovjetikët. Me këtë dua të them se gabime të tilla ndodhin, por në rastin e Kinës ose Bashkimit Sovjetik, janë më pak të rëndësishme, pasi këto vende kanë territor të madh. Ndërsa për Shqipërinë, përveç çështjes së hapësirës, ju duhet të keni parasysh dhe mundësin e luftës së papritur. Objektet tuaja të rëndësishme duhet të ndërtohen në vendndodhje sekrete, të padukshme me sy të lirë, dhe mundësisht rrëzë maleve. Kjo është në interes të popullit tuaj dhe favorizohet nga ana ushtarake.
Toka në Shqipëri është e kufizuar dhe ajo e kultivueshme akoma më shumë. Ne kemi hartuar 29 projekte për ju, por ato nuk i janë përshtatur kushteve specifike të Shqipërisë. Edhe ne fillimisht kemi mësuar nga eksperienca sovjetike dhe për këtë jemi mirënjohës. Por pasi ne bëmë “hapin e madh përpara”, ne nisëm një revolucion në fushën e ndërtimit, që ishte të mos kopjonim më nga të tjerët. Por realisht, edhe pas vitit 1959, ne nuk i kemi kushtuar çështjes së ndërtimit vëmendjen e duhur, dhe në disa aspekte mund të shihen praktikat e vjetra që përdoren edhe sot, në një formë përgjithësimi të eksperiencës sovjetike, edhe në rastet kur shihet se dizajni nuk i përshtatet kushteve të Kinës.
Kjo vazhdon të ndodhë në ndërtimin e projekteve kineze, me gjithë udhëzimet që kemi hartuar për eliminimin e gabimeve dhe kujdesin në detaje. Sigurisht që praktika të tilla nuk do të ishin të dobishme as për ju, pasi Shqipëria ka kushte dhe ekonomi të specializuar. Industria juaj mekanike ka pak kapacitet për koordinim të aktiviteteve mes ndërmarrjeve pasi, duhet theksuar që shfrytëzimi juaj i burimeve duhet përmirësuar.
Mungesa e studimeve
Por si mund ta zgjidhin në të ardhmen problemin e mungesës së studimit të kushteve? Duhet të theksojmë se revolucioni në fushën e dizajnit është ende në progres në vendin tonë, siç mund t’ju ketë informuar ambasadori shqiptar Nesti Nase. Ne po organizojmë vazhdimisht konferenca të gjera të specialistëve tanë, për përmirësimin e projekteve të ndërtimit. Për ndërtimin e objekteve tuaja industriale duhet marrë në konsideratë çështja e dizajnit. Specialistët kinezë duhet të vijnë këtu dhe të sigurohen për terrenin dhe kushtet e Shqipërisë, në mënyrë që të mësojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Një tjetër reformë industriale në Kinë është ajo e përpunimit të naftës, ku ne kemi bëra hapa të mëdha në fushat e naftës në verilindje të Kinës. Shokët rumunë dinë shumë për naftën tonë atje, ku ne këtë vit presim të nxjerrim 10 milionë ton naftë bruto. Besoj se ambasadori juaj në Kinë e ka ndjekur në parlament, se unë kam përsëritur se duhet të mësojmë nga fryma punëtore e impiantit të Daçing. Por gjithsesi mbeten vështirësi teknike, pasi pajisjet tona industriale janë relativisht të vjetra, në një kohë kur vende si Shqipëria kërkojnë që të pajisen me objekte teknike të avancuara.
Duhet theksuar se këto dhjetë vjetët e fundit, pra pas ardhjes në fuqi të Hrushovit, BRSS-ja nuk ka vazhduar asistencën e tij të mëparshme ndaj Kinës, si në fushën e dizajnit dhe në asistencën teknike, dhe kjo ka pasur efektin e saj. Ne jemi përpjekur të ngremë nivelin tonë teknik, duke marrë nga çfarëdo eksperience, përfshi dhe atë të vendeve perëndimore. Kjo do të thotë se kur të ndërtojmë bazën tonë të mjaftueshme teknike, do të krijojmë dhe avancojmë teknologjinë tonë. Siç ka ndodhur në fakte industrinë tonë të nxjerrjes së naftës, ku thuajse nuk kemi pasur ndihmë dhe pajisje nga vendet e tjera.
Por në fund ne mësuam të nxirrnim dhe të përpunonim naftën tonë. Edhe shokët rumunë e kanë vlerësuar avancimin tonë në këtë fushë. Ne e pranojmë se kemi arritur disa gjëra, por ende kemi shumë për të bërë, siç janë fushat e kimikateve apo prodhimi i fibrave sintetike, ku rumunët janë më të avancuar. Po jua përmend këto për të treguar se objektet kineze të ndërtuara këtu me ndihmën tonë, janë të një niveli teknik të dobët, dhe jo aq të avancuara do të duhej të ishin, prandaj kostot e punës dhe forca punëtore e kërkuar do të jetë më e madhe.
Vizita ime në Afrikë vitin e kaluar më la shumë përshtypje. Dihet se teknologjia atje nuk është e avancuar, por ka disa uzina me teknologji të lartë, siç janë rafineritë me kapacitet 1 milionë ton naftë në vit, në Gana e Marok, apo uzina e lëngëzimit të gazit dhe ajo e montimit të automjeteve në Algjeri. Ata kanë një bazë ekonomike, sepse kursejnë shumë forcë punëtore dhe janë të thjeshta për t’u operuar. Sigurisht që ndërtimi i tyre ka kërkuar kapitalin e huaj, por kjo është një çështje tjetër. Ndërtime të tilla do të ishin të favorshme për vendin tuaj.
Sipas llogaritjeve tona, objektet e planifikuara pritet të zënë një hapësirë prej 660.000 metra katrorë. A është e mundur pra të kursejmë më shumë hapësirë? Sigurisht që është e mundur, por kjo kërkon një studim edhe më të detajuar pasi nuk i dimë mirë kushtet e terrenit ku objektet do të ndërtohen. Një studim më i detajuar do të na kursente tokë, forcë punëtore, volum ndërtimi investime etj. Për tokën e ndërtimit, pajisjet, materialet dhe të gjithë aktivitetin, shpenzimet llogariten në rreth 11.800 milionë lekë, sipas një llogaritjeje të përgjithshme që ne kemi bërë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne e kemi llogaritur buxhetin në 9.900 milionë lekë.
SHOKU ÇU EN LAI: Shumë mirë, kjo mund të studiohet. Unë përmenda vetëm një llogaritje të 37 objekteve dhe Komisioni i Planifikimit mund të punojë më me saktësi. Nga informacionet që kemi, duket se deri në fund të vitit 1964, volumi i punës prej 2.5 miliardë lekë, është arritur. Kjo do të thotë se as çereku i punës nuk është kryer. Duhet ndërtuar të paktën një grup objektesh. Unë u kam ndarë ato në katër grupe, por nëse kjo është korrekte apo jo, është ende për t’u parë.
SHOKU ENVER HOXHA: Sipas llogaritjeve tona, vetëm 43 për qind e punës do të mbetet për planin e katërt pesë vjeçar, pra më pak se gjysma.
SHOKU ÇU EN LAI: Natyrisht, përmenda ato që janë kompletuar deri në fund të vitit të shkuar. Një tjetër çështje është furnizimi me materiale dhe pajisje, që ju të nisni futjen në punë të objekteve. Sipas idesë që kemi ne mbi ndërtimin dhe shfrytëzimin e objekteve, do të kërkohet një volum transporti prej rreth 100. 000 ton në vit. Ndërsa pas përfundimit të ndërtimit të tyre, ju do të keni nevojë për një forcë punëtore prej rreth 15.000 njerëz. Pas përfundimit të objekteve ju do të keni nevojë t’i furnizoni ato me energji, dhe gjatë sezonit të thatësirave ju nuk mund t’i furnizoni ato. Sigurisht që për këtë do të ndihmojë ndërtimi i termocentralit në Fier, me kapacitet 74.000 kv.
Nëse përfundohet shpejt ky termocentral, ju do të keni energji të konsiderueshme, edhe pse shumica e saj është llogaritur për fabrikën e fertilizuesve azotikë. Një çështje tjetër është transporti, e cila nuk do të ekzistojë vetëm në kohën e ndërtimit të objekteve, por dhe gjatë funksionimit të tyre, pasi do të jenë të nevojshme transporte të lëndës së parë dhe materialeve të tjera, si ato të importit dhe aty që vijnë nga zona të ndryshme të vendit. Nevojat totale të këtyre 37 objekteve kërkojnë një volum prej 66 milionë ton në vit. Hekurudhat në Shqipëri janë të pamjaftueshme, prandaj kjo do të sjellë ngarkesë të madhe të infrastrukturës. / Memorie.al













