Nga Fred Brandt
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shefi im në Pec (Pejë), komandanti i trupave gjermane, më tha se kishte marrë urdhër nga komanda superiore në Beograd që, në Alpet shqiptare, në perëndim të Gjakovës, të ndërtonim një pikëmbështetje. Njëri ndër qëllimet kryesore të pikëmbështetjes ishte, mjete të tjera lufte, nga oficerët anglezë të Inteligjent Servisit. Ngritjen dhe mbajtjen e kësaj pikëmbështetje të ushtrisë gjermane, në Alpet shqiptare, komandanti, ma ngarkoi mua me disa ushtarë nga Taxhikistani. Nga Peja deri tek vargmali, pas të cilit do të ngrihej pikëmbështetja, ishin 75 km. distancë por, vetë pikëmbështetja do të ngrihej akoma më thellë, pas një qafe në lartësinë 1800 m. Rruga për tek qafa kalonte rreth 30 km larg Valbonës dhe ishte shumë e pyllëzuar. Na duhej të kalonim përmes atij pylli të dendur ku, në rastin më të mirë, kishin kaluar vetëm kafshë ngarkese.
Pas dy ditësh u shpërndamë. Majori Neel dhe Nikë Sokoli u kthyen drejt perëndimit, për të takuar shqiptarët e gëzuar, për vendimet e marra. Unë vazhdova drejt veriut, për tek njerëzit e mi. Terreni ishte i huaj për ne dhe i kontrolluar nga luftëtarët. Një major anglez, i stacionuar aty, na dha shoqërues deri në veri të Bihaçit (Bytyçit).
Kaluam nga Prizreni dhe Gjakova, për të arritur në Pejë, me qëllim që unë të informoja shefin e garnizonit të trupave gjermane, nga i cili varesha edhe unë, për vendimet e marra në takim. Ai ishte dakord me kontaktet dhe vendimet e mia dhe do t’ia bënte të ditura komandës superiore në Beograd. Edhe për përforcimin e pikëmbështetjes, do të bisedonte me ata.
Pas një jave, në Pejë, erdhi një kolonel nga Beogradi. E informova për situatën. Ai u dakordësua me mendimet, qëndrimet dhe propozimet e mia. Ai më dha të drejtë vendimmarrje dhe 20 ushtarë taxhikistanas, për përforcimin e pikëmbështetjes në Nikaj. “Anglezët kanë plotësisht të drejtë”, tha ai. “Me gjashtë burra nuk mund të mbahet asnjë pikëmbështetje”. Fjala e tij e fundit ishte: “Vazhdoni kështu!“
Në fund të qershorit, tek majori Neel, erdhi një leitnant nga Inteligjent Servisi, i quajtur Hibberdine, i cili fliste mirë gjermanisht. Ai solli edhe një radio-transmetues, i cili ishte lidhur direkt me Barin. Me dëshirën e angleze dhe me miratimin e komandës time eprore, në fund të korrikut, u bashkuam me anglezët, në një vendqëndrim të përbashkët. Afër nesh u vendos Nikë Sokoli, me disa luftëtarë të tij. Ata furnizoheshin me ushqime dhe mjete të tjera nga anglezët.
Deri në atë kohë, unë isha furnizuar me ushqime dhe mjete të tjera nga garnizoni i Pejës, me shumë vështirësi, me kafshë transporti por, tani rruga ishte bllokuar nga partizanët. Ishte e pamundur. Që nga ai moment, edhe ne na furnizonin anglezët. Majori Neel më dha 3 mitraloza të rëndë, 2 granatahedhës, 25 automatikë dhe një sasi të madhe municioni, duke na armatosur kështu, për luftime të gjata kundër bandave dhe partizanëve komunistë shqiptarë.
Gjatë gjithë gushtit qëndruam në atë vend-dislokimi. Pastaj majori Neel mori urdhër që të vendosej diku afër Skutarir (Shkodrës). I deklarova mbështetjen me ushtarët e mi, gjatë marshimit për në vendqëndrimin e ri. “Kaq i sigurtë dhe i qetë, nuk jam ndjerë kurrë në Shqipëri, si tani, nën sigurinë e ushtarëve tuaj“, më tha ai. Për këtë, ai duhej ta pranonte kontrollin tim mbi veprimtarinë e tij dhe nuk guxonte të ndërmerrte veprime luftarake kundër trupave gjermane, për aq kohë sa ishim bashkë. Edhe Nikë Sokoli me njerëzit e tij, u bashkua në marshimin tonë.
Në fillim të shtatorit, e ngritëm bazën tonë, në lartësinë 1600 m. në malet e thepisura të Shillakut (Shllakut), në veri të Shkodrës. Disa kilometër më poshtë, shtrihej një pllajë e cila shërbente shumë mirë si vend-hedhje me parashutë. Në këtë kohë, majori Neel mori urdhër që të hidhte në erë një bazë karburanti të trupave gjermane dhe urën mbi lumin Drin. Këtë urdhër ai mund ta zbatonte vetëm me ndihmën e shqiptarëve. Por, unë ua kisha bërë të ditur anglezëve se, nëse ata nuk u qëndrojnë kushteve, për të cilat ne kishim rënë dakord, marrëdhëniet tona ndërpriteshin. Ata nuk mund të vendosnin për mua. Edhe taxhikët e mi, kundërshtonin veprimet luftarake kundër trupave gjermane megjithëse leitnanti Hibberdine mundohej me të gjitha mënyrat që t’i bindte për këtë.
Gjithnjë e më shumë, afër dislokimit tonë, në pllajën malore, ku ishte edhe një burim uji i mrekullueshëm, një gjë e rrallë kjo, shfaqeshin udhëheqës të partizanëve nacionalistë. Thuajse çdo ditë unë shkoja atje, jo më si mbështetës i Nikë Sokolit por, si komandant i bazës angleze, dhe si “Kolonel”, gradë të cilën ma kishin vënë vetë anglezët. Trajtohesha si i barabartë midis të barabartëve. Shpejt u njoha me simpatizantët e një bajraktari, para të cilit, vetë Nikë Sokoli mburrej me mua, si mik i tij.
Për një gjë, të gjithë shqiptarët, ishin të një mendimi: Duhej të krijohej një ushtri nacionale veriore – kundër partizanëve komunistë të jugut. Por, nga do të vinin armët dhe materialet e tjera për këtë ushtri? Për këtë vendosa të diskutoj me anglezët. Prej kohësh isha lidhur ngushtë me shqiptarët dhe e ndaja merakun tim me ata.
Në darkë, gjatë ngrënies në tavolinë, e hapa temën me majorin Neel dhe ia shpreha hapur mendimin tim: “Pas largimit të trupave gjermane, në Shqipëri, të krijojmë dhe mbështesim një qeveri nacionaliste”. Ai u mrekullua nga kjo ide dhe premtoi se, do të vihej menjëherë në kontakt me Barin, për të marrë miratimin e tyre. Pas dy ditësh, erdhi përgjigjja nga Bari: Unanimitet i plotë.
Shqiptarët e veriut do të furnizoheshin me të gjitha materialet e nevojshme, edhe me armë dhe ne duhej të bënim kërkesat për gjërat që duheshin. Të nesërmen, në luginë, ua bëra të ditur shqiptarëve vendimin e marrë, nga ne dhe anglezët. Gëzimi ishte i madh.
Kur erdhi momenti që të diskutohej për udhëheqësin që do të drejtonte forcat, problemi ra mbi mua. Isha i paanshëm dhe dakord për të gjitha partitë. Për myslimanët unë isha një besimtar i Allahut dhe në të vërtetë unë isha një mik i anglezëve, i komandantit të tyre, plus kësaj edhe një “Kolonel”.
Në ato ditë, shqiptarët më paralajmëruan për rrezikun: SD (shërbimi i sigurisë për drejtuesët ushtarakë të Abëehrit) kishte vënë një shumë të madhe për kokën tim, të gjallë ose të vdekur. Kjo nuk më çuditi fare. Çdo ditë dëgjoja në radio, ndjekjen dhe arrestimin e oficerëve të Abëehrit gjerman. Nëse unë isha vetëm një drejtues i vogël, ku prej disa muajsh bashkëpunoja me anglezët, çfarë provash kisha unë në dorë se e gjitha ajo që bëja unë, ishte me urdhër nga komanda ime eprore?
Asgjë nuk kisha. Dhe tani që shefi im ishte larguar nga Peja, as që mund ta mendoja se komandanti i Abëehrit në Beograd, mund të dëshironte që të më kujtonte mua. Për një javë, shqiptarët ishin pushtuar nga një gëzim i madh. Nga të gjitha krahinat e vendit erdhën përfaqësues të ndryshëm, të cilët tregonin gatishmërinë për t’u bashkuar dhe luftuar me ne. U krijuan edhe njësitë luftarake. Nikë Sokoli, me trupat e tij, u vendos afër Shkodrës. Tani ishin 2.000 trupa në anën tonë. Të gjithë prisnin furnizimin me materiale nga Anglia.
Por, nuk erdhi asgjë me përjashtim të një radiogrami nga Bari, ku thuhej që: Majori Neel, bashkë me mua dhe udhëheqësit shqiptarë, të shkonim në Alessio (Lezhë) nga ku do të na transportonin me anije luftarake angleze për në Bari, për bisedime të rëndësishme. Ne na garantonin për siguri fizike. Ishim gjatë udhëtimit kur erdhi një radiogram tjetër: Ne duhej të ndryshonim kursin e lëvizjes, jo nga Lezha por, nga Mali i Zi, në zonën e Beranës, ku ishte një aeroport fushor anglez. Nga aty do të fluturonim për Itali.
Të gjithë shqiptarët hezitonin të kalonin nga Mali i Zi, nga serbët, armiqtë e tyre të vjetër për vdekje. Kështu që marshuam, majori Neel, përkthyesi i tij italian dhe unë me tre taxhikistanasit e mi. Pas disa ditë marshimi, arritëm në Guci. Aeroporti në Beran ishte dorëzuar nga anglezët për arsye të tërheqjes së trupave gjermane. Situata aty ishte aq e rrezikshme sa ne vendosëm të kthehemi në Shkodër. Sipas radiogramit të radhës, na njoftuan se, të gjitha premtimet e dhëna për shqiptarët e veriut, tërhiqeshin. Qeveria angleze nuk do të dërgonte as armë dhe as materiale të tjera për ushtrinë nacionaliste shqiptare.
Gjithçka mori fund. Majori Neel mori urdhër që, të largohej menjëherë nga Shkodra dhe të vendoset në brigjet e Adriatikut. Mua dhe taxhikistanasit e mi, na lejonin që ta shoqëronim. Nëse do ta bënim këtë, ne do të na sigurohej statusi i robërve të luftës. Ishte fillimi i tetorit 1944. Për herë të fundit zbrita në fushë, për t’u takuar me miqtë e mi shqiptarë, me qëllim që t’i vija në dijeni për lajmet e fundit. Ishte një hap i vështirë për mua dhe një orë e vështirë lamtumire, ora në të cilën u thërrmuan të gjitha shpresat tona. Një lamtumirë përgjithmonë. Mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse të pranoja ofertën e anglezëve.
Unë nuk mund të qëndroja vetëm, në këtë vend pa kokë, i cili do të tronditej shumë shpejt nga luftime të ashpra midis forcave të brendshme. Pas disa ditësh arritëm në bregdet, në derdhjen e Drinit, në një zonë kënetë dhe lagunë të pakalueshme. Nga aty, na muarën dy anije të vogla lufte. Me ne erdhën edhe dy udhëheqës nacionalistë shqiptarë, me qëllim që të provonin dhe një herë që t’i bindnin anglezët për ndihma. Por, edhe misioni i tyre dështoi.
Përfundimisht: Të gjithë anglezët e braktisën Shqipërinë dhe shqiptarët u muarën me vetveten. Dola në kuvertën e anijes dhe po shikoja alpet shqiptare, aty ku unë qëndrova për tetë muaj si ushtar gjerman, si “Brandenburgas”, me luftëtarët shqiptarë, ku përmbusha detyrën time, të ngarkuar nga shefi im.
Kush ishte Fred Brandt?
Dr. Fred Herman Brandt, u lind në Sankt Petersburg dhe u rrit në Letoni. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte pjesëtar i trupave gjermane Vermachtit. Si Entomolog, (studiues dhe koleksionues insektesh), në vitin 1937 – 1939, shkoi në Iran për të studiuar për fluturat. Në atë periudhë ai shkruajti disa punime shkencore.
Në vitin 1939, Brandt, u emërua komandant i batalionit të Brandenburgut. Shërbimin e tij të parë, në krye të batalionit, ai e kreu në Afganistan. Në fillim të vitit 1944, Brandt me taxhikistanasit e tij, nga garnizoni në Beograd, u komandua në Alpet e Shqipërisë, në Nikaj, për të ndërtuar një pikëmbështetje ushtarake. Atje, ai, çuditërisht, ndërtoi marrëdhënie miqësore me oficerët e shërbimit të fshehtë anglez. Në fillimin e tetorit 1944, kur ai humbi kontaktin me shefin e tij në Pejë, kohë kjo në të cilën shpërtheu një fushatë arrestimesh të oficerëve gjermanë në radhët e ushtrisë, u dorëzua tek oficerët anglezë dhe u evakuua në jug të Italisë, si rob lufte.
Në vitin 1957, gazeta britanike “Sunday Pictorial” bënte të ditur një lajm për Brandtin: I zgjuari, koloneli i fluturave, hiqej sikur merrej me flutura por, në të vërtetë ai ishte koloneli Brandt, një spiun mjeshtër, i cili mundohej që të ndërtonte rrjetin e vdekjes për agjentët anglezë. Ky i çmendur ishte një agjent i regjur i nazizmit, njëri ndër agjentët dhe tradhtarët më të rrezikshëm të kohës. Në vitin 1973, Brandt, spiuni mjeshtër, e bëri të ditur këtë material, mbi qëndrimin dhe veprimtarinë e tij në Nikaj dhe Shqipëri./ Memorie.al
Përktheu Lekë Imeraj – shkrimtar dhe përkthyes














