Nga Sheradin BERISHA
Pjesa e parë
Memorie.al / Dihet mirëfilli se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), Serbia angazhoi një superstrukturë të gjerë forcash ushtarake-policore…, kundër popullit Shqiptarë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto forca përbënin një kombinim kompleks të strukturave policore speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, njësive ushtarake speciale të Ushtrisë serbe, njësive të shumta paramilitare si dhe të një spektri forcash të tjera vullnetare që vinin nga vendet ish-sovjetike si nga: Rusia, Bjellorusia, Ukraina, pastaj Rumania etj., etj. Dhe, tërë kjo superstrukturë kriminale kishte vetëm një kokë komanduese të përbashkët, e ai ishte kryekrimineli (lexo: krye-varrmihësi i Kosovës) Sllobodan Millosheviq.
Për të argumentuar përfshirjen e kësaj superstrukture në veprimtaritë kriminale dhe si të tilla me përmasa gjenocidale, në vijim po referohem një raporti të organizatës “Human Rights Watch”. Në raportin e tetorit 2001, kjo organizatë hulumtuese (faktmbledhëse) për krimet në Kosovë, shkruan: “Ushtria Jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Sipas ligjit, ajo kishte nën varësinë e saj policinë dhe forcat paraushtarake, megjithëse zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ushtruan dukshëm një influencë të rëndësishëm gjatë fushatës.
Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë duke koordinuar dhe lehtësuar kështu “spastrimin etnik” (në Kosovë). Policia dhe forcat paraushtarake u përfshinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, për të cilën kishin mbështetjen e artilerisë së ushtrisë (serbe-vërejtja ime). Gjatë këtyre operacioneve burrat veçoheshin nga gratë dhe fëmijët për t’u marrë në pyetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ekzekutoheshin në vend.”
Sipas këtij raporti Ushtria serbe ishte nën kontrollin e plotë të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, i përbërë nga presidentët e Serbisë, Malit të Zi dhe “Jugosllavisë” dhe që kryesohej nga kryetari jugosllavë Millosheviq. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë ishte gjenerali Dragoljub Ojdaniç. Ojdaniç pas përfundimit të luftës, do të emërohet si Ministër i Mbrojtjes së UJ-së, dhe në këtë post qëndroi deri në tetor të vitit 2000.
Cila ishte struktura ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë?!
Ushtria serbe (në tërësinë e saj) përbëhej prej tri të ashtuquajturave armata, dhe prej tyre armata e tretë ishte bartëse e përgjegjësive për luftën (1998-1999) në Kosovë. Për çudi edhe gjatë ripushtimit të Kosovës (Vilajetit të Kosovës) në tetor të vitit 1912, qeveria serbe në krye me radikalin Nikolla Pashiq dhe mbretin Peter Karagjorgjeviq, angazhoi armatën e tretë serbe në krye më gjeneralin famëkeq Bozhidar Jankoviq (udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Narodna Odbrana”).
Ndërsa në vitin 1912-1913 komandant i armatës së tretë serbe ishte gjeneral B.Jankoviq, në vitin 1998-1999 komandant i po armatës së tretë ishte Gjeneral-Kolonel Nebojsha Pavkovic. Ndërkaq komandant i Korpusit të Prishtinës që përbënte superstrukturën ushtarake të armatës së tretë serbe në Kosovë, ishte gjeneral-major Vlladimir Llazareviç. Korpusin ushtarak të Prishtinës (sipas raportit “Human Rights Watch”) e përbënin: pesë brigada, një njësi policore ushtarake dhe një regjiment aviacioni.
Cila ishte struktura e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it) gjatë luftës në Kosovë?!
Gjatë luftës në Kosovë, Struktura e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (Ministarstvo Unutrashnjih Poslova, apo siç thirrej shkurt MUP), drejtohej nga Ministri Vlajko Stojiljkoviç.
Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë bënin pjesë policia e rregullt e Kosovës, e komanduar nga Streten Lukiç; Forcat policore speciale (Posebne Jedinice Policije, apo PJP) e që komandoheshin nga Gjen. Lt. Obrad Stevanoviç dhe Forcat Antiterroriste (Specijalna Antiteroristiçka Jedinica, apo SAJ), të cilat komandoheshin nga kolonel Zhivko Trajkoviç. Ndërkaq kreu i sektorit të Sigurimit Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte Gjeneral Vlastimir Gjorgjeviç…!
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kishte gjithashtu edhe shërbimin e sigurimit (policinë sekrete), UDB-ën, e cila padyshim ishte syri dhe veshi i regjimit pushtues serbë në Kosovë. Deri në janar të vitit 2001, në krye të sigurimit të shtetit të Serbisë ishte Gjeneral-kolonel Radomir Markovic, ndërsa kreu i Sigurimit të Shtetit serb (UDB-së) në Kosovë gjatë luftës ishte z. David Gajiç.
Shërbimi sekret i Serbisë UDB-a, për të zbuluar aktivitetin e UÇK-së, në radhët e veta ka rekrutuar edhe shqiptarë. Ky shërbim famëkeq në Kosovë dislokoi gjithashtu edhe të ashtuquajturën “njësi operative speciale”, JSO-në (“Jedinica za Specijalne Operacije”), e cila i ndihmoi në forma të ndryshme njësitë kriminale paramilitare, të njohura si “Beretat e Kuqe” apo “Djemtë e Frenkit” (emërtim ky që u morë sipas Frenki Simatovic, një personalitet kyç në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe njihej si themeluesi i këtij grupi).
Gjatë luftës kjo njësi speciale “JSO”-ja komandohej nga Milorad Lukoviç, i njohur me nofkën “Legija”. Kush e projektoi operacionin e koduar ”Patkoi” dhe cilat forca militare dhe paramilitare serbe morën pjesë në realizimin e këtij operacioni shfarosës për shqiptarët?! Operacionin e koduar “PATKOI” e ka projektuar Shtabi i Ushtrisë Jugosllave (serbe) dhe më pastaj është miratuar nga kreu politik në krye me Sllobodan Millosheviqin.
Ky projekt është bazuar pothuajse plotësisht në platformat antishqiptare të projektuara qysh në vitin 1844 nga Ilia Garashanini « Naçertanija » e deri te Memorandumi” i Akademisë së Shkencave të Serbisë » kreatorë i secilës ishte akademiku serbë Dobrica Qosiç.
Operacioni “Patkoi” është planifikuar të zbatohet në tri faza:
-Faza e parë ishte paraparë që të kryhej gjatë muajit janar 1999, e që kishte për qëllim spastrimin etnik nga popullsia shqiptare pjesën veriore të Kosovës.
-Faza e dytë ishte planifikuar gjatë muajit shkurt për ta përfshirë pjesën qendrore të Kosovës, përkatësisht Drenicën dhe rajonet përreth, ku përveç vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare, kishte për qëllim edhe shkatërrimin e njësiteve të UÇK-së.
-Faza e tretë gjatë marsit dhe prillit 1999, kishte për qëllim për të realizuar spastrimin etnik të Kosovës. Për këtë qëllim, hapi dy vendkalime kufitare, atë me Shqipërinë në Qafë të Morinës dhe me Maqedoninë në Bllacë.
Në operacionin “Patkoi” përpos korpusit të Prishtinës, morën pjesë edhe forcat e mëdha nga Serbia dhe Mali i Zi, si: Korpusi 21 i Nishit i përbërë nga Brigada e Blinduar 211(Nish) në përbërje prej 1258 trupa, 75 tanke, 13 topa dhe 4 RBV, Brigada 150 e Vranjës e përbërë prej 1300 trupa, 72 topa dhe 12 RBV, Brigada e motorizuar 78 e Vranjës e përbërë nga 1316 trupa dhe 31 tanka, Brigada e 2-të e Nishit e përbërë nga 1600 trupa dhe 10 tanke, Brigada 175 e Leskovcit e përbërë nga 1600 trupa dhe 18 tanke, Brigada e motorizuar e 4-të e Pirotit e përbërë nga 1600 trupa, 31 tanke dhe 18 topa, Njësiti i inxhinierisë 352 i Prokuples nga 1000 trupa dhe Njësiti i Logjistikës 85 i Nishit i përbërë prej 1000 trupash.
Korpusi 37 i Uzhicës me Brigadën e 37-të të motorizuar të Rashkës që kishte në dispozicion 1695 trupa, 31 tanke dhe 18 topa dhe Brigada 19 e Pozhegës e përbërë nga 1600 trupa dhe 18 topa. Në Kosovë kishte ardhur edhe Korpusi 24 i Kragujevcit, i cili përbëhej nga Brigada 80 e Kragujevcit me 1600 trupa dhe 18 topa. si dhe Korpusi 12 i Novi – Sadit që në përbërje kishte: Brigadën e 18 të Novi – Sadit që në përbërje kishte Brigadën e 18 të Novi – Sadit me 1600 trupa dhe 18 topa.(shih gazetën “Zëri”, 25 maj 2005, f.21 – 22 dhe “Koha ditore”, 31 dhjetor 1999, f.11)
Në Kosovë ishte stacionuar edhe Armata e parë e Beogradit, e cila në përbërje të vetë kishte: Brigadën 252 të blinduar të Kralevës, me 1121 trupa, 82 tanke, 12 topa dhe 4 RBV. Këtu ishte edhe Korpusi special i Beogradit me Brigadën e parë të Blinduar, Brigada speciale 72 dhe Brigada 63 e parashutistëve. E para kishte 1184 trupa, 112 tanke, 12 topa dhe 4 RBV, e dyta kishte 1189 trupa, ndërsa ajo e parashutistëve 460 trupa. Për të shkuar në Kosovë, ishte angazhuar edhe Korpusi 2 i Podgoricës, ku bënin pjesë : Brigada e 5-të e motorizuar me 1478 trupa dhe 31 tanke. Brigada 1 B/4 alpiniste e Kollashinit me 350 trupa dhe Brigada 4 e Policisë ushtarake e Podgoricës me 359 trupa.(po aty)
Plani 1 + Plani 2 i Operacionit “PATKOI”
Përveç forcave ushtarake të lartpërmendura, në operacionet në Kosovë, shtyllën më të rëndësishme dhe mbështetëse të regjimit të varrmihësit Sllobodan Millosheviqit e kishin udhëhequr forcat speciale të policisë, të cilat forca prej fillimit të luftës, kishin kryer operacionet e spastrimit etnik në Kosovë. Komandanti i forcave speciale të policisë në Kosovë(siç kemi theksuar më lartë) ishte gjeneralmajori Sreten Llukiq.
Gjatë këtij operacioni famëkeq ishin të angazhuar gjithashtu edhe forca të ndryshme paramilitare serbe, me detyrë që të vrasin, të djegin e të plaçkitin dhe të dëbojnë shqiptarët nga vatrat e tyre stërgjyshore. Ndër njësitë paramilitare serbe ishin : “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit, “vullnetarët e ardhur nga Republika serbe e Bosnjes dhe shumë vullnetarë dhe mercenarë të ardhur nga ish-vendet sovjetike.
Ndërkaq në njësitë paramilitare serbe janë rekrutuar vullnetarisht edhe të gjithë serbët dhe malazezët lokal – vendës (kishte edhe njësi të veçanta kriminale vendëse – lokale), të cilët në bashkëveprim me forcat e tjera militare – policore serbe kanë kryer masakrat më barbare (mizore) në historinë e njerëzimit mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare.
Ashtu siç vura në spikamë edhe më lartë, të gjitha njësitë paramilitare qenë nën kontroll të plotë të kreut shtetëror serbë. Për këtë fakt flasin shumë argumente. Pas përfundimit të luftës, shumë paramilitarë serbë (por edhe të huaj) kanë dhënë intervista për gazeta të ndryshme, dhe pa hezitim kanë deklaruar, se gjatë luftës në Kosovë, shpeshherë zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe të policisë serbe iu jepnin lista me emra të shqiptarëve, të cilët duheshin ekzekutuar prej tyre !!!
Shpërblimi dhe gradimi i kriminelëve nga kryekrimineli Millosheviç!
Në prag të përfundimit të luftës në Kosovë, kreu shtetëror serb shënoi qindra ngritje në detyrë dhe shpërblime për personelin e policisë dhe të ushtrisë serbe, duke përfshirë këtu dhe udhëheqësit më të lartë (bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviçit)) si: Dragoljub Ojdanic, Nebojsha Pavkovic, Vladimir Lazarevic, Obrad Stevanovic, Sreten Lukic, Vlastimir Gjorgjeviç, Zhivko Trajkoviç, si dhe shumë komandantë brigade në Korpusin e Prishtinës etj.
Më 7 qershor 1999, (vetëm 2 ditë para nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake në Kumanovë, ndërmjet NATO-s dhe Serbisë) kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviç, dekoroi e u shprehu mirënjohje e mbështetje 911 pjesëtarëve të MUP-it për siç thotë “shtypjen e terrorizmit në Kosovë e për mbrojtjen e vendit nga agresioni“ !!!
Midis atyre që u dekoruan, ishin:
- Tre gjeneralë,
- Shtatëmbëdhjetë kolonelë,
- Shtatëmbëdhjetë lejtënantë kolonelë,
- Njëzetë majorë,
- Tridhjetë kapitenë,
- Dyzetë e pesë lejtënantë,
- Tridhjetë e shtatë nën-lejtënantë,
- Pesëdhjetë rreshterë majorë,
- Gjashtëqind e pesëdhjetë e dy nënoficerë, dhe
- Dyzet pjesëtarë të strukturave tjera të MUP-it serb./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













