Pjesa e katër
Memorie.al / Në vitin 1962 Enver Hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush. Të dhënat janë bërë publike nga CIA. Në dokument tregohet dhe se si Nexhmije Hoxha më 1952, propagandonte që të lexoheshin libra me ndikim sovjetik.
Gusht 1952
Konferenca paramilitare
Më 18-19 maj 1952, organizata paramilitare shqiptare SHNUM (Shoqëria për Ndihmë të Ushtrisë dhe Mbrojtjes) mbajti konferencën e dytë të përvitshme, që prej krijimit në dhjetor 1949. Ajo është formuar sipas modelit sovjetik të DOSARM, dhe sipas statutit të saj, ka si qëllim zhvillimin e frymës patriotike mes klasave punëtore dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, si dhe përgatitjen e tyre për mbrojtjen e Shqipërisë. SHNUM drejtohet personalisht nga Enver Hoxha dhe ka bërë avancime të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit.
Fjalën hapëse në konferencë e mbajti kolonel Sadik Bekteshi, i cili analizoi arritjet dhe statusin e organizatës, duke përmendur në veçanti arritjet në mësimet e përdorimit të radios dhe telefonit, të drejtimit të automjeteve, ndihmës mjekësore, sporteve ushtarake dhe qitjes. Ndër anët negative ai theksoi punën e pakënaqshme të SHNUM-it në ruajtjen e lidhjeve me njësitë lokale dhe disiplinën e ulët nga disa njësi.
Kritika të tjera u ofruan nga delegatë të SHNUM-it në Pogradec, të cilët folën për mungesën e mbështetjes së njësive të tyre nga selia qendrore, duke theksuar se për 9 muaj kryesia kombëtare nuk kishte dërguar asnjë përfaqësues, për të ndjekur punën e kryer në Pogradec.
Një tjetër folës, kolonel Taki Koloneci, tha se SHNUM-i ashtu si homologët e tyre sovjetikë të DOSARM, veprojnë mbi bazë vullnetare, prandaj kritikoi faktin që drejtuesit e saj marrin rroga. Myfit Topore i degës së Tiranës, tha se organizata mund të evitojë pagesat e mëdha të rrogave, duke vepruar totalisht mbi bazë vullnetare.
Drejtoria e SHNUM-it përbëhet nga 11 persona: kolonel Petrit Dume, gjeneral Spiro Moisiu, kapiten Pandeli Varezi, sekretari i Sindikatave Xhelo Muftiu, Llazar Lipivani, Mërkur Çelo dhe Vera Pojani, e Kryqit të Kuq Shqiptar.
Nëntor 1952
Konferenca e Lidhjes së Shkrimtarëve
Konferenca e katërt e autorëve shqiptarë u mbajt në 14-15 shtator 1952 në Librarinë Kombëtare në Tiranë, ku morën pjesë mes të tjerëve; Manush Myftiu, kandidat i Byrosë Politike, Nexhmije Hoxha, anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, Fadil Paçrami, autori Gjergji Gulia dhe një delegat i Shoqatës së Miqësisë shqiptaro-sovjetike.
Pas fjalimit hapës të Dhimitër Shuteriqit, u bë zgjedhja e zyrtarëve të rinj. Më pas Shefqet Musaraj mbajti raportin e aktiviteteve të Lidhjes dhe vlerësoi shkrimtarë të dalluar prozë, si Kin Dushi, Zihni Sako, Fatmir Gjata e Dhimitër Shuteriqi, si dhe poetët Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Luan Qafzezi e Andrea Varfi.
Në dramë u citua Kol Jakova, si autori i pjesë “Halili dhe Hajria”. Musaraj analizoi defektet e shkrimtarëve shqiptarë dhe i këshilloi ata t’i përmbaheshin modeleve sovjetike në përpjekjen e tyre për socializmin dhe paqen. Nexhmije Hoxha foli për nevojën e letërsisë militante socialiste, të rekomanduar nga modeli sovjetik dhe të udhëhequr nga Enver Hoxha.
Konferenca vlerësoi arritjet e autorëve shqiptarë dhe zhvillimin e kritikës dhe auto-kritikës, në besnikërinë e tyre ndaj partisë dhe miqësinë me BRSS-në. Gjithsesi konferenca theksoi disa dobësi në organizmin e shkrimtarëve dhe kërkoi takime më të shpeshta.
Ajo nxiti departamentet e letërsisë të zbatonin udhëzimet e konferencës dhe kërkoi që shkrimtarët të pasqyronin jetën e klasës punëtore, të rinjve, grave dhe ushtarëve. Konferenca kërkoi gjithashtu që në kuadër të planit pesë-vjeçar të zgjerohej përdorimi i eksperiencë sovjetike dhe të përmirësohej dhënia e llogarisë. Lidhja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë për materialet letrare estetike, përkthimet, pastërtinë e gjuhës shqipe dhe punën për ndërtimin e socializmit.
Nëntor 1958
Maqedonia kockë sherri
Çështja e Maqedonisë po ngrihet përsëri si një element irritues në marrëdhëniet e Jugosllavisë me Bullgarinë. Teoricieni komunist bullgar Dimitur Ganev, tha në një fjalim të fundit se Jugosllavia po tenton denacionalizimin e popullsisë së Maqedonisë. Shtypi shqiptar ka akuzuar gjithashtu se Jugosllavia po persekuton minoritetin e saj në Maqedoni, por të marra të dyja së bashku akuzat besohet se janë pjesë e fushatës anti-Tito të Bllokut sovjetik.
Jugosllavia ka protestuar ndaj ambasadorëve të Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndërsa në tetor shpalli krijimin e Kishës Orthodokse Maqedonase, brenda republikës. Çështja e identitetit kombëtar, rivalitetit territorial dhe interesave të Bllokut, janë pjesë e çështjes komplekse maqedonase që ka prishur marrëdhëniet në Ballkan për shumë gjenerata.
Vetë termi Maqedoni i referohet një zone të papërcaktuar mirë gjeografike në gadishullin ballkanik, ashtu si dhe popullit sllav të republikës jugosllave të Maqedonisë. Zona kryesore e saj është përgjithësisht e pranuar por nuk mund të përkufizohet saktësisht pasi nuk është homogjene për nga popullsia, ekonomia dhe gjeografia.
Por pozita e saj është me interes si për Jugosllavinë dhe për Bashkimin Sovjetik, si një korridor i mundshëm ajror apo tokësor mes Shqipërisë sovjetike dhe Bllokut të gjerë në veri. Gjatë kohës që Jugosllavia ishte besnike e Bllokut sovjetik, interesat e Bllokut ishin të sigurta, por me distancimin e saj në 1948, Shqipëria ka mbetur e shkëputur nga Blloku dhe e ekspozuar ndaj influencave të mundshme antagoniste të Perëndimit, ose faktorëve të tjerë.
Megjithëse çështja e patriotizmit të sllavëve maqedonas është një aspekt i rëndësishëm i problemit, rajoni ka gjithashtu bullgarë, shqiptarë, turq dhe vlleh rumanisht-folës. Edhe mes grupeve të një etnie ka dallime gjuhësore dhe fetare. Shqiptarët dhe turqit janë komunitete myslimane.
Jugosllavia pretendon se sllavët e Maqedonisë flasin një gjuhë të ndryshme nga serbishtja, por dallimet e saj me të janë shumë të vogla. Ndërsa Bullgaria thotë se sllavët e Maqedonisë kanë trashëgimi të njëjtë me ta dhe flasin një gjuhë shumë të ngjashme me bullgarishten. Greqia nuk e njeh kombësinë maqedonase, por vetëm “sllavët maqedonas”, siç janë dhe komunitetet verilindore të Greqisë.
Deri para luftërave ballkanike të 1912-1913, maqedonasit nuk kishin një identitet kombëtar dhe ishin joshur ose shtypur nga serbët dhe bullgarët, por prej krijimit të Organizatës Revolucionare Maqedonase, vendi ka krijuar ndërgjegjësimin kombëtar dhe aspiron për pavarësi politike.
Megjithëse këmbimet verbale mes Jugosllavisë e Bullgarisë duken vetëm si një përplasje propagande, ato sinjalizojnë se me gjithë një dekadë qetësie relative, Maqedonia mbetet një pikë e nxehtë. Çështja e Maqedonisë pritet të mbetet në nivelin e “luftës së ftohtë” mes tyre dhe një mjet influence për sllavët e Maqedonisë.
Shtator 1960
Blloku sovjetik shton presionin
Regjimi i Hoxhës në Shqipëri, i cili prej kohësh është vënë nën presion për të braktisur qëndrimin pro-kinez në debatin Kinë-BRSS, tashmë po vihet në një tjetër formë trysnie, me kritikat e shumta që vijnë nga vendetë ndryshme të Bllokut sovjetik. Në një fjalim të publikuar së fundmi të Komitetit Central së Gjermanisë Lindore, shefi i partisë Walter Ulbricht, denoncoi në veçanti Shqipërinë për pikëpamje dogmatike dhe sektariane në konferencën e Moskës.
Ky akuzim publik konfirmon raportimet se delegacioni shqiptar i drejtuar nga Sekretari i Partisë, Hoxha, ka mbajtur anën e Kinës në debatin me BRSS-në, megjithëse prej shumë muajsh presioni politik dhe ekonomik nga Moska. Raportimet janë të ndryshme në lidhje me masën e “deviacionit” të Tiranës.
Disa burime thonë se Tirana ka kritikuar politikën e brendshme të jashtme të Gjermanisë Lindore, gjë që ka irrituar jo vetëm sovjetikët, por edhe kinezët, të cilët këshilluan më tej shqiptarët të heshtnin. Delegacioni shqiptar i largua nga Moska rreth një javë më herët se të tjerët.
Kritikat e hapura mes vendeve të Evropës Lindore, nuk ishin parë në Bllok që prej kohës së ndarjes së Jugosllavisë. Ndërsa kritikat e hapura për Shqipërinë nga Gjermania Lindore, të cilat u mbështetën dhe nga vende të tjera satelite, ishin një paralajmërim që Tirana të vendoset në të njëjtën linjë me Moskën.
Kongresi i katërt i Partisë Komuniste shqiptare fillimisht i programuar për në dhjetor, tashmë është shtyrë për në 13 shkurt. Por duke parë deklaratën e Ulbricht, ka mundësi që gjermano-lindorët dhe të tjerët të mos dërgojnë delegacione të nivelit të lartë në Shqipëri, prej dyshimit se kongresi mund të përdoret si forum për pikëpamje dogmatike dhe sektariane.
Gjithsesi përgatitjet për kongresin kanë nisur dhe liderët e regjimit mund të jenë duke modifikuar politikat për të zbutur debatin me Moskën dhe njëkohësisht për të mos kompromentuar qëndrimet e tyre tradicionale radikale.
Qershor 1961
Tërheqja sovjetike, thekson izolimin e Shqipërisë
Përpjekjet e Moskës për të izoluar Shqipërinë nga Blloku sovjetik dhe palë të tjera miqësore me sovjetikët, morën një kthesë më të drejtpërdrejtë dy javët e fundit me nisjen e asaj që mund të bëhet tërheqja totale e personelit ushtarak sovjetik nga Shqipëria.
Ky reagim është nxitur me shumë gjasa armiqësia e hapur e Shqipërisë dhe ngacmimet e personelit sovjetik në vend, si dhe nga gjyqi i spiunëve i kohëve të fundit në Tiranë, me nënkuptime të qarta anti-sovjetike. Me gjithë kërcënimin e nënkuptuar sovjetik, se Shqipëria do të përjashtohet nga çështjet e Bllokut, ndihma e vazhduar ekonomike dhe morale nga Kina e aftëson atë të durojë presionin e Moskës.
BRSS-ja me sa duket po zbaton planet për tërheqje nga baza e Vlorës, teksa tetë nga 12 nëndetëset sovjetike janë larguar, dhe nuk ka sinjalizime për zëvendësime në rrugë të kundërt. Tre nga nëndetëset që kanë mbetur në bazën e Vlorës raportohet të jenë vënë nën flamurin shqiptar.
Përveç asaj që duket si tërheqje nga Vlora, BRSS-ja mund të jetë duke planifikuar reduktimin e personelit ushtarak, teknik e diplomatik në të gjithë Shqipërinë. Ambasada e SHBA-së në Moskë, raporton se atasheu ushtarak shqiptar atje është larguar në fund të majit, me shumë gjasa i dëbuar.
Ka raportime se dhe atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë dhe stafi i tij, janë larguar në fund të majit siç ka ndodhur dhe me studentët shqiptarë në Bashkimin Sovjetik. Antagonizmi shqiptar dhe ngacmimet drejt personelit sovjetik me shumë gjasa kanë kontribuar në përshpejtimin e prishjes. Prej fillimit të vitit raportohet se ambasada sovjetike është mbajtur nën masa të rrepta mbikëqyrjeje nga organet e sigurisë, duke ndjekur këdo që hynte apo dilte nga ndërtesa.
Raportimet thonë se dy zyrtarë të vegjël të ministrisë së Jashtme shqiptare, janë ekzekutuar për kalimin e dokumenteve sekrete te zyrtarë të ambasadës sovjetike, ndërsa nga baza e Vlorës raportohet se në një rast, autoritetet shqiptare kanë ndaluar kalimin e një treni me furnizime për personelin e atjeshëm ushtarak.
Tërheqja e teknikëve rusë që kanë asistuar në zhvillimin ekonomik të vendit sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik, duket se i përshtatet teorisë së zëvendësimit të Bashkimit Sovjetik me Kinën si sponsor kryesor ekonomik i Shqipërisë.
Sipas marrëveshjes së gjerë të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kinës të nënshkruar në prill, Kina pritet të dërgojë një numër të paspecifikuar teknikësh në Tiranë. Deri tani është ende e paqartë se në ç’masë do të zbatohet ku bashkëpunim, por raportimet e gjashtë muajve të fundit tregojnë për ardhjen e një numri të konsiderueshëm personeli kinez.
Raportimet bëhen edhe më të besueshme prej refuzimeve të Shqipërisë së bashkëpunimit të ofruar nga komunistët italianë, si dhe me disa vende satelite sovjetike si Polonia e Çekosllovakia. Ka gjithashtu sinjalizime se në gjashtë muajt e fundit Çekia ka anuluar kredinë e premtuar për zhvillimin e industrisë minerare, ndoshta prej një kërkese të Tiranës për krijimin e fabrikave për përpunimin e mineraleve në Shqipëri.
Kinezët raportohet të kenë premtuar në marrëveshjen e fundit ndërtimin e një impianti përpunimi mineralesh. Gjithsesi vendet satelite nuk po ushtrojë presion të njëllojtë ndaj Shqipërisë. Gjyqet propagandistike të 15-27 majit, përgjithësisht u injoruan nga mediat sovjetike dhe ato satelite. Por gazeta e Sindikatës bullgare të punës më 28 maj, lavdëroi dënimet e dhëna për “tradhtarët” shqiptarë.
Ditët e para të gjyqit Gjermania Lindore kishte pasqyruar në media një lajm të vogël nga gjyqi. Komunistët kinezë thyen heshtjen e tyre më 2 qershor me një editorial të gjatë në të përditshmen shtetërore, ku vlerësonin masat e Tiranës dhe dënimet. Ndërsa disa gazeta kineze kishin përcjellë pjesë vendimet e gjyqit.
Mars 1975
Shqipëria paralajmëron sovjetikët kundër ndërhyrjeve
Tirana ka publikuar së fundmi një artikull ku sugjerohet thuajse hapur se Bashkimi Sovjetik ka nxitur veprimin e disa individëve brenda Partisë Komuniste, ndoshta duke iu referuar ministrit të larguar të Mbrojtjes Beqir Balluku. Artikulli i të përditshmes partiake “Zëri i Popullit” është shkruar nga Fiqirete Shehu, anëtare e Komitetit Qendror dhe bashkëshorte e ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu.
Zonja Shehu shpërthen kundër atyre që quan armiq të huaj dhe tentativave të tyre për të përçarë partinë nga brenda. Ajo shkruan se meqenëse nuk është e lehtë të veprosh hapur “armiqtë po përdorin njerëzit tanë, anëtarë të partisë, të cilët na kundërshtojnë, por duke mbajtur flamurin e partisë në dorë ata në fakt përpiqen të shtrembërojnë mësimet e saj. Siç ka treguar eksperienca, ata kërkojnë t’i rekrutojnë ata për qëllimet e tyre”.
Më tej artikulli citon si shembuj armiq të betuar si Liri Belishova, e cila është spastruar prej simpative të saj pro-sovjetike, pas prishjes së Shqipërisë me Moskën në 1961. Denoncimet anti-sovjetike janë një mjet i zakonshëm për propagandën e Shqipërisë, por artikulli i fundit ka si qëllim rritjen e vigjilencës në fushatën e nisur që verës së shkuar me spastrimin e Ballukut. Arsyet për largimin e tij nuk janë bërë publike por besohet se ai ka kritikuar kinezët për vonesa të ndihmës dhe ka folur në mbrojtje të afrimit me sovjetikët.
Lajmet për makinacione sovjetike e alarmojnë Tiranën më shumë se çdo gjë tjetër dhe artikulli mund të jetë gjithashtu një reagim ndaj zbulimeve të fundit për ndërhyrje të sovjetikëve në qeverinë e Jugosllavisë. Tani që doli në dritë rasti i gjashtë i ndërhyrjeve sovjetike në Jugosllavi, artikulli i Shehut mund të sinjalizojë spastrime të tjera në radhës e aparatit shtetëror, teksa regjimi ksenofob i Hoxhës lufton me të gjitha forcat armiqtë e vërtetë ose imagjinarë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













