Nga ANTON PAPLEKA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Botimet zyrtare të derisotme tregojnë se historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të komanduar nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha në vitin 1910. Në tekstin “Historia e Shqipërisë”, për shkollat e mesme, Tiranë, 1973, për këtë ngjarje shkruhet në mënyrë të përgjithshme dhe të përciptë: “Pasi ra kryengritja e Kosovës, korparmata turke, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, kaloi në korrik në vilajetin e Shkodrës për të kryer edhe këtu çarmatimin e popullsisë dhe rekrutimin e ushtarëve”.
Për këtë fakt, Pal Duka-Gjini shkruan: “Tri dit rresht batalionet e visë sulmuese mbetën pa bukë të rregullt. Mbetën pa bukë, përse Mehmet Shpendi me Shalë ua kishte pre rrugën dhe me armë të veta të pathyeshme s’i lente rahat ditë as natë”. Në ditët e para të korrikut të vitit 1910, Bedri Pasha, valiu i Shkodrës, i kishte thirrur në selinë e tij bajraktarët dhe krerët e Dukagjinit, të cilët i kishte këshilluar të mos e kundërshtonin kalimin e ushtrisë së Shefqet Turgut Pashës nëpër viset e tyre. Në fund të mbledhjes, ai u kishte dhënë nga një mexhite të bardhë për krye.
Me t’u kthyer nga Shkodra krerët e bajraktarët, në Dukagjin ishte dhënë kushtrimi për t’u mbledhur kush ishte burrë, që t’i dilnin përpara Shefqet Turgut Pashës dhe të mos e linin të bënte në krahinën e tyre atë që kishte bërë në Kosovë, në Gash e në Krasniqe. Të mbledhur te kisha e Abatit, dukagjinasit kishin rrahur benë se pa mbetur në gra e në çika (pa u shfarosur të gjithë meshkujt), nuk do ta linin ushtrinë e huaj të kalonte nëpër viset e tyre. Ata që ishin të zotët për luftë kishin marrë armë, sëpata e kazma, kishin zënë shtigjet në qafa e lugje, kishin prerë drurë për të penguar kalimin e kalorësve, kishin hapur hendeqe, gropa e llogore.
Forcat e afta për luftë ishin vendosur në disa pozicione: djemtë e Thethit kishin zënë Qafën e Pejës dhe Qafën e Valbonës; Lugun e Ndërmajnës e ruanin Lekaj, Abat, Pecaj, Vuksanaj e Pjoll; Qafën e Agrit e të Agrorit i mbronin Gimaj, Nënmavriq, Lotaj e Plani; në Qafën e Brashtës kishte zënë pritat Shoshi; në Qafën e Shterziqes, qëndronin luftëtarët nga Toplana e Dushmani. Burrat që rrinin ditë e natë në pozicione, furnizoheshin me ushqime nga gratë e tyre.
Në letrën që Padër Çiril Cani, famullitar i Shalës, i shkruante më 14 korrik 1910 Padër Kamil Libardit, famullitarit të Shoshit, ndër të tjera thuhet: “Shaljanët e kanë qitë cekën (kanë vendosur) me u ba copë e grimë e me qindrue për Atdhe me çdo flije; por un drue se s’kan me mujtë me e mbajtë për shum kohë, mbasi vendet për qëndresë kanë nji ball (front) fort të haptë e, prandaj u duhet me u da ndër logje të ndryshme: në të Ndërmajës, t’Agrit e t’Agrorit, e shka â ma zi nuk kanë veç pak ushqim. Dje u ka pas’hi nji frigë e madhe kah i kan bombardue pa prâ, në rrezik me mbytë edhe shumëkënd. S’ndihet tjetër për gjith anësh veç kushtrim…”.
Për organizimin e qëndresës së Dukagjinit, merita kryesore i takon kryetrimit Mehmet Shpendi. Këtë gjë e pasqyron edhe epika historike: “Mehmet Shpendi del në thep,/ Mizalltia po i kërcet,/ djelve t’vet po u bërtet;/- Bini djelm, mbi kët hyrjet,/se djelt e ri asqer po i merr;/ Lyp redifë e mustafes,/ Lyp xhelep e lyp të dhetë,/ Lyp të dhetë e lyp nizamë,/ Por nuk muj për me ia dhanë,/ N’ato gryka paska dalë,/ N’ato gryka për shefi,/ Kërcet pushka me buri!”
Nuk ka dyshim se pjesëmarrja në këtë qëndresë të armatosur kundër ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës ka qenë më e gjerë sesa është paraqitur në disa shkrime të botuara deri më sot. Sipas Lulash Palushajt, duke luftuar me Prelë Tulin, në Qafë të Agrit janë vrarë e plagosur tre vetë nga Malësia e Madhe: Kolë Marash Vata, Zef Lani, Gjon Pllumi…!
Malësorët e armatosur, që qëndronin në gryka e në shkrepa, bënin sulme të befasishme kundër osmanlinjve, të cilët i vrisnin për t’ua rrëmbyer pushkët moderne (mauzer) dhe fishekët. Këto goditje të pandërprera, pasiguria që ndienin në atë luginë të ngushtë, të rrethuar nga male të ashpra që dukej sikur nga çasti në çast do t’u binin mbi kokë, ua ligështuan zemrën ushtarëve të huaj: “More pashë, na paç në qafë,/ Qysh na çove në Palç e Salcë,/ S’do t’na lëshojnë kurrnji të gjallë!”
Shefqet Turgut Pasha u informua se në thellësi të maleve të panjohura që ngriheshin para tij kishin zënë pritë mijëra luftëtarë që ishin betuar të vdisnin me armë në dorë. Për t’iu shmangur ndonjë shpartallimi të mundshëm, atij iu mbush mendja se ishte më e udhës të hiqte dorë nga vazhdimi i marshimit nëpër Dukagjin. Pas luftimeve që zgjatën njëzet e dy ditë, rrethanat e detyruan të merrte një nga vendimet më të rënda në jetën e tij si ushtarak: të jepte urdhër për t’u tërhequr.
Përbindëshi që ishte dyndur nga Anadolli, mblodhi gjymtyrët e kthetrat, pastaj u turr drejt Drinit, sikur donte të lante në rrjedhën e tij njollat e gjakut që kishte derdhur kudo ku kishte shkelur. Pasi kaloi në vaun e Drinit, ushtria otomane çau përmes maleve të Pukës dhe iu afrua Shkodrës.
Me t’u shuar shungullima e topave dhe e krismave të armëve, në luginën e Nikaj-Mërturit ra qetësia. Përsëri njerëzit mund të flisnin e të qeshnin lirisht në katundet e tyre. Madje mund të këndonin me lahutë ose me çifteli. Dhe ishte e natyrshme që krye-kënga e asaj kohe të bënte fjalë për zmbrapsjen e ushtrisë otomane:
“Në Gjakovë po rrahka teli,/ Në Stamboll po shkon haberi,/ Shkon haberi në shtat’krajli:/- S’mun e shkela kët Shqipni,/ s’mun e shkela kët’ soj robit,/s’po m’druen pushkën, as s’po m’druen topin!/ I gjuej me top, gjylen ma kap,/ Mitralozit i thotë turraç…”!
Kushtrimi i luftës për liri do t’i thërriste nikaj-mërturësit në beteja të reja, siç qe kryengritja e Malësisë së Veriut në vitin 1911. Në librin “Malësori këndon”, Gjergj Hasanaj shkruan: “Malësorët me në krye Dedë Gjon Lulin, të ndihmuar nga malësorët e Shalës, Shoshit, Nikajve, Mërturit dhe Krasniqes, vendosën të mos i zbatojnë urdhrat e valiut të Shkodrës në lidhje me pagimin e taksave dhe dorëzimin e armëve”.
Midis nëntëmbëdhjetë krerëve të fiseve pjesëmarrëse në kryengritje, që firmosën dokumentin e hartuar e të miratuar në Gerçe, më 12 qershor 1911, figurojnë emri i Bashë Bajramit, bajraktar i Nikajt dhe ai i Bekë Delisë, bajraktar i Mërturit.
Shpirti liridashës dhe dëshira për përparim i shtynë banorët e Nikaj-Mërturit t’i përgjigjeshin në mënyrë masive kushtrimit të kryengritjes që shpërtheu më 1912. Në një letër që Sali Hidri (Hoxha) i ka dërguar Ismail Qemal Vlorës, thuhet: “Kur u ngrys, erdhën vojvoda i Mërturit që bëhet 600 shtëpi, Prelë Tuli bashkë me bajraktarin dhe më lajmëruan se 500 burra patriotë po marshonin për Gjakovë nga një rrugë tjetër më e shkurtër”.
Gjatë luftimeve të përgjakshme që u zhvilluan në Çabrat të Gjakovës, më 12 maj 1912, u përsërit akti heroik i Mic Sokolit. Duke parë se një top i ushtrisë otomane po u shkaktonte humbje të mëdha kryengritësve, trimi nga Nikajt, Ndue Zenel Paplekaj, thirri: “Qat top me ma lanë mue,/Se gjallë a dekë kam me e pushue!”
Në pamundësi për t’u ngritur përmendore mermeri ose bronzi, trimat që ranë për atdhe malësorët i përjetësuan në bronzin e vargjeve epike: “Ndue Zeneli trim ish kanë,/ Frymën topit ia ka zanë./ U hodh Ndou në grykë të topit/si rrufeja mes flakës së barotit”. Në betejën e Çabratit u vra edhe Ramë Ndou (Rrahaxhi) nga Raja e Mërturit.
Kryengritësit nga Nikaj-Mërturi morën pjesë në luftimet dhe marshimet që vazhduan deri në Shkup, që ndikuan për të shembur Perandorinë Otomane dhe për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar.
Ndihmesa që dhanë banorët e Nikaj-Mërturit në këto ngjarje madhore apo në ngjarje të tjera të rëndësishme vërteton më së miri se qëndresa e tyre kundër ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës më 1910 nuk qe një episod i shkëputur, i rastësishëm, po qe një dëshmi e gjallë e shpirtit të tyre të paepur, e gatishmërisë për t’u flijuar për të mbrojtur dinjitetin vetjak dhe atë kombëtar./ Memorie.al













