• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, May 5, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova

“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Më 10 maj 1933, në sheshin e Operës së Berlinit, në prani të mbi 70.000 vetëve të eksituar, u hodhën në flakë më se 25.000 libra, të mbi 400 autorëve…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Debatet e ashpra me kunatin tim, ushtarak i lartë, pse dëgjoja këngë greke dhe incidenti kur fola kundër flamujve…”/ Kujtimet e gazetarit të Radio-Tiranës dhe kryeredaktor i ‘RD’-së

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e dytë

                                       NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                                     PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje për t’u regjistruar ne bataljona partizane, ju sekuestrohen pasuria, dhe ju digjet shtëpia që kini në Terovë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i shtatorit 1944

“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin…”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.    

                                                         Vijon nga numri kaluar

Të njëjtën praktikë, përsa i takon censurimit të krijimtarisë artistike, ushtruan nazistët edhe në vendet e pushtuara prej tyre si në Francë, në Belgjikë apo gjetiu. Vetëm në Francë, si pasojë e operacioneve policore “u konfiskuan 713.382 libra, të cilët u asgjësuan….! Mëse dhjetë shtëpi botuese të cilësuara si anti-naziste ose çifute u mbyllën…! Në 28 shtator 1940 hartohet Lista Otto e detyruar të zbatohej në të gjitha libraritë, shtëpitë botuese dhe bibliotekat…! Si pasojë u sanksionuan 1.600 tituj, midis të cilave, të tilla që kritikonin Gjermaninë ose të gjykuara si anti-gjermane…! Në korrik të vitit 1941, iu nënshtruan ndjekjes dhe asgjësimit botime të autorëve anglezë, amerikanë, polonezë…!

Më 8 korrik 1942 doli një Listë e dytë, që sanksiononte 1.170 libra, ndërsa më 10 maj 1943 Lista Otto 3 ndaloi edhe 739 botime të tjera”. Në vitet e diktaturës naziste apo të totalitarizmit nazist, Gjermania u mbulua nga një terror i vërtetë që mbështetej edhe nga ligji. Njihet fakti se nga 1 dhjetori i vitit 1933, në Gjermani u miratua me ligj shkrirja e shtetit me Partinë Naziste. Dhe, përderisa e vërteta ishte monopol i Partisë, d.m.th. përderisa pranohej vetëm një e vërtetë, përderisa Hitleri dhe Partia Naziste ishin një, d.m.th. Hitleri, atëherë çdo mendim, çdo vepër letrare e artistike, që cënon këtë “parim” të quajtur ndryshe edhe si “Führerprincip”, ndiqet, burgoset, shtypet, asgjësohet.

Një numër shkrimtarësh si Erich Mühsami, Kurt Hilleri, Willi Bredeli etj., u arrestuan dhe u mbyllën burgjeve apo përfunduan në kampet famëkeqe të përqendrimit. Ernst Wiecherti, që në vitet 1933, 1935, guxoi të nxiste studentët e Universitetit të Munihut që të kritikonin regjimin nazist, u arrestua dhe internua në Buchenvald. Ernst Wiecherti është edhe autor i romanit Der weiße Büffel oder Von der großen Gerechtigkeit (Bufi i bardhë apo drejtësia e madhe) i cili në formën e një legjende denoncon regjimin nazist. Midis shkrimtarëve më të njohur të kohës, të përndjekur nga regjimi nazist sepse kanë fyer vlerat e mbrojtura nga Partia Naziste, mund të kujtojmë edhe Johannes R.Becherin, Hans Lorbeerin, Ernst Tollerin, Erich Mühsamin.

Jean-Michel Palmieri, në fjalën e tij në Seminarin e M-A Macciocchi – Paris VIII- Vincennes 1974-1975, UGE Edition-Collection 10-18 1976 – përmend sa më sipër duke shtuar se linçimit brutal dhe të përgjakshëm nga ana e të rinjve nazistë në uniformë iu ekspozua edhe Tucholsky, ndërsa Else Lasker-Shüleri është rrahur për vdekje. Të tjerë si Ludwig Renni apo Carl von Ossietzky u kërcënuan me vdekje ose vdiqën si pasojë e trajtimit çnjerëzor nga ana e regjimit nazist. Po kështu shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në vitin 1944. Përballë një gjendjeje të tillë shumë shkencëtarë, arkitektë, profesorë të universiteteve gjermane, shkrimtarë, poetë, etj. marrin rrugët e mërgimit.

Midis tyre është edhe Bertold Brechti, poeti dhe dramaturgu Franc Werfeli, Leonard Franku, shkrimtar pacifist, laureat i disa çmimeve, Georg Kaiseri, poet dhe dramaturg, Alfred Momberti, poet, René Schickele, romancier antimilitarist, Fritz von Unruhi, romancier dhe dramaturg, laureat i disa çmimeve letrare. Në të vërtetë, “është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të citosh një autor gjerman apo austriak të njohur botërisht, që nuk ka emigruar”. “Marrja e pushtetit nga Hitleri në vitin 1933 si dhe “anshlusi” (aneksimi) i Austrisë në vitin 1938, u shoqërua nga një emigracion në masë i elitave intelektuale dhe ekonomike të këtyre dy vendeve: rreth 500.000 vetë u larguan nga vendi, prej të cilëve më se një e katërta (130.000) në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë eksod, shkrimtarët përfaqësonin vetëm një minoritet të vogël, rreth 1500 vetë, por midis tyre janë mendjet më të ndritura të Republikës së Weimarit…! Historiani Peter Gay do të shprehet me fjalët: “Largimet që shkaktoi Hitleri përfaqësonin zhvendosjen më të rëndësishme të inteligjencës, të talentit dhe të dijes, të cilën bota kurrë nuk e ka 8 njohur”. Disa shkrimtarë, opozitarë të nazizmit, gjithsesi qëndruan në Gjermani. Midis më të njohurve prej tyre janë Gerhard Hauptmanni, Erich Kästneri dhe Wolfgang Koeppeni. Ata u detyruan, në rastin më të mirë, të kufizohen në trajtimin e temave jopolitike, të shkruajnë për t’i fshehur veprat e tyre ose të heshtin, d.m.th. të mos kenë të drejtën të shkruajnë.

Kështu, p.sh., Erich Kästnerit, autor i njohur për botimet e tij për rininë, për denoncimin e militarizmit dhe të ekstremit të djathtë, me një vendim të Dhomës Letrare të Rajhut, iu ndalua e drejta për të shkruar. Po citojmë në vazhdim vendimin përkatës : “Presidenti i Dhomës Letrare të Rajhut, zotit Erich Kästner… si pasojë e një vendimi të ri të Dhomës, autorizimi i veçantë për të shkruar që ne ju kemi dhënë…ju tërhiqet. Ju, pra, nuk keni më të drejtë të ushtroni veprimtarinë tuaj si shkrimtar në kuadrin e kompetencave të dhëna nga Dhoma Letrare e Rajhut. Çdo shkelje e këtij ndalimi profesional do të sanksionohet me dënime të rënda, në përputhje me artikullin 28 të dekretit të parë në zbatim të ligjit të Dhomës Letrare”.

Në Gjermaninë naziste, në shtator të vitit 1933, u krijua Dhoma e Kulturës e Rajhut. Kjo Dhomë kontrollonte të gjithë krijimtarinë dhe veprimtarinë artistike dhe kulturore në vend. Ajo përbëhej nga Dhoma e Filmit e Rajhut, nga Dhoma e Muzikës e Rajhut, nga Dhoma e Teatrit, Dhoma e Shtypit, Dhoma e Letërsisë, Dhoma e Arteve të Bukura dhe nga Dhoma e Radiodifuzionit. Përsa i takon letërsisë, çdo lloj botimi sheh dritë vetëm nëse është në përputhje me kërkesat e Dhomës Letrare, pas një censure “pozitive” paraprake dhe pas miratimit prej saj. Për botimet me karakter teorik, miratimin e jep Komisioni i Kontrollit të Partisë, për mbrojtjen e letërsisë nacional-socialiste. Nëpërmjet këtyre institucioneve u kërkohet autorëve, por edhe masës së lexuesve, braktisja e çdo reflektimi kritik ndaj realitetit dhe nënshtrimi tërësisht ndaj skemave të parafabrikuara, të shërbyera nga ideologjia dhe ideologët nazistë.

Atyre, së pari, u kërkohet të rrënjosin në mendjen e çdo gjermani, madje të çdo fëmije, rolin “shpëtimtar” të Hitlerit, ungjillëzimin e Main Kampf. Kështu, p.sh., në librin e Maria Schmidtit dhe Hermine Morgenrothit me titull : Kinder, was wiß ihr vom Führer? (Fëmijë, ç’dini ju mbi Fuhrerin tonë?) botuar në vitin 1933, autorët shkruajnë: “Kur Gjermania nënshkroi armëpushimin dhe duhej të përgjunjej përpara kërkesave të armiqve të saj, Adolf Hitleri, i sëmurë rëndë kishte zënë shtratin. Gjatë përfundimit të luftës anglezët kishin hedhur bomba të rrezikshme të mbushura me gaz toksik. Një nga këto bomba shpërtheu përpara fytyrës së Adolf Hitlerit. Ai ndjeu një djegie të fuqishme, u lëkund, pastaj gjithçka u errësua; ai u verbua për javë të tëra.

Ndërsa qëndronte i shtrirë në shtratin e tij në spital duke u bërë ballë vuajtjeve të mëdha, ai dëgjoi të flitet mbi poshtërimin e popullit të tij. Ju të gjithë e dini që në këto ditë nga më të vështirat në jetën e tij, Adolf Hitleri dëgjoi për herë të parë në zemrën e tij një zë të brendshëm. Ishte dita e madhe kur Zoti i vërtetë e zgjodhi si shpëtimtar të popullit të tij. Ndërsa qielli i riktheu shikimin, ai braktisi dhomën e të sëmurit, vendosi pa lëkundje të nxjerrë popullin gjerman nga mjerimi si dhe ta udhëheqë drejt një shkëlqimi të ri. Për të punuar rëndë për kryerjen e misionit të tij, Hitleri u kthye në këtë qytet, të cilin ai e dashuronte si vendin e tij të lindjes, në Munih…! Kështu ditë pas dite, Adolf Hitleri kërkonte të bindë masat. Ato dëshironin ta dëgjonin dhe thonin: “Është ai që ka të drejtë”!

Po në vitin 1933, Erich Beieri boton një libër mbi Hitlerin, të shkruar për fëmijët dhe rininë gjermane. Libri i thur himne dhe lavdi kreut nazist, jetës së tij, rinisë së tij në Austri dhe marrjes së pushtetit nga nazistët në Gjermani në janarin e vitit 1933. Një tjetër libër për Hitlerin është Mit Adolf Hitler auf Festung Landsberg (Me Adolf Hitlerin në fortesën e Landsbergut) botuar në vitin 1939, i shkruar nga Hans Kallenbachi, një nga pjesëmarrësit e puçit ushtarak të vitit 1923 të organizuar nga Hitleri. Libri ka njohur së paku katër botime deri në vitin 1943. Autori shkruan kujtimet e tij për kohën kur, së bashku me Hitlerin, ishin burgosur pas dështimit të puçit për rrëzimin e qeverisë së Weimarit. Librat kushtuar Hitlerit janë të shumtë. Një i tillë është edhe Adolf Hitler: Das Werden einer Wolksbewegung (Adolf Hitler: organizimi i një lëvizje popullore).

Autori i tij është Philip Bouhleri, një gjeneral SS, që në vitin 1939 u ngarkua nga Hitleri të zbatojë programin “Aktion T4” për shfarosjen e të sëmurëve mendorë dhe të atyre me të meta fizike. Libri është botuar në vitin 1932 dhe ribotuar, më pas, disa herë. Në faqen 49, autori shkruan: “I adhuruar si Zot nga masa e partizanëve e tij, i urryer nga armiqtë e tij të frikësuar, i admiruar nga rrethi tij për cilësitë si shef, luftëtar dhe njeri…! Adolf Hitleri gjendet sot në krye të lëvizjes popullore gjermane, të cilën ai diti ta farkëtojë. Si kancelar ai ka udhëhequr Bashkësinë racore popullore gjermane në pragun e një ere të re. Një i panjohur, një anonim mori përsipër të sfidojë një sistem, të përballojë një epokë të re…”!

Fritz Steubeni është një tjetër emër në listën e gjatë të autorëve që janë frymëzuar nga ideologjia raciste, naziste. Botimet e tij arritën në vitet ´30-të një tirazh prej 790 mijë kopjesh. Në vitin 1933 ai shkruan, nën pseudonimin Erhard Wittek, romanin Durchbruch anno achtzehn. Ein Fronterlebnis (Depërtim në vitin tetëmbëdhjetë. Një përvojë e vijës së parë). Ngjarjet në roman zhvillohen në frontet e Luftës së I-rë Botërore. Në qendër është batalioni i I-rë i regjimentit të pushkatarëve von Steinmetz, sulmi përfundimtar fitimtar i ushtrisë gjermane për marrjen e Chemins des Dames ne maj 1918, heroizmi gjerman, figura e vullnetarit të vogël Schmidt I-rë që, me zemrën e tij të madhe, u bën ballë të gjitha tmerreve të luftës, figura e von Ravensteinit, shef i batalionit, kurajoz, largpamës dhe gjithnjë i vëmendshëm.

Pavarësisht se ngjarjet vendosen në vitet e Luftës I Botërore dhe Hitleri nuk është personazh i këtij libri, kopertina dhe komentet, që i bëhen atij në formë pas thënieje apo plotësimi, e bëjnë krejtësisht të qartë vazhdimësinë midis Fuhrerit dhe batalionit Steinmetz. Mund të përmendim këtu edhe falënderimin e shprehur, po në kopertinë, ndaj Fuhrerit të Rajhut. Vetë autori shfaq, me këtë rast, keqardhjen dhe dënon veten për faktin se nuk e ka përcjellur në roman, që në fillim, rëndësinë e mesazhit nazist. Ai nuk nguron të shtojë se, sikurse shprehet, Gjermania i detyrohet Hitlerit, këtij “njeriu unik”, që e “ribëri papritmas të pastër”.

E përditshmja e Partisë Naziste “Völlischer Beobachter”, e organe të tjera të shtypit nazist, duke përcjellë mendimin nazist për këtë botim, vlerësojnë në ballinën e librit faktin se: “Rajhu e ka gjetur veten e tij. Sipas kritikës naziste, edhe konceptet, që mungojnë në roman, gjithsesi janë të pranishme aty, veçanërisht ai i ‘Führertum’ (fakti i të komanduarit). Madje ky koncept, si edhe ai i Sozialismus der Front (Socializmit të Frontit) të pranishëm në libër, vlerësohen si përcaktues në themelimin e asaj, që njihet në terminologjinë naziste si Volksgemeinschaft (bashkësi e popullit)”.

Edhe ideologu dhe teoricieni nazist Curt Rosteni, në librin e tij Vom Bonzentum zum Dritten Reich (Nga epoka e mandarinëve në Raihun e Tretë) botuar në vitin 1933, ngre lart rolin e Hitlerit në zhvillimin, vetëm brenda disa muajve, të ekonomisë gjermane apo edhe arritjet në fushën sociale. Libri ka si objektiv kryesor të tregojë përgjegjësinë, fajin e qeverisë së Weimarit në rrënimin e Gjermanisë dhe në korruptimin e shpirtit gjerman! Curt Rosteni, autor i disa librave, nuk përmbahet në elozhet dhe super elozhet ndaj Hitlerit.

Ende pa shfletuar faqen e parë të Vom Bonzentum zum Dritten Reich, në parathënien e shkruar nga vetë autori, lexohet: “Kjo vepër synon të japë një përmbledhje të gjithçkaje, që udhëheqësi ynë arriti për popullin gjerman gjatë disa javëve pas ardhjes së tij në pushtet, pavarësisht vështirësive të mëdha, që kundërshtonin dëshirat e tij gjithnjë të sinqerta. Në veçanti do të tregohet se si vullneti dërrmues i udhëheqësit i zgjoi shokët dhe i nxori nga kaosi i krerëve marksistë drejt ngadhënjimit të Rajhut të Tretë. Libri synon të jetë një kujtesë e qëndrueshme e kohës kur kancelari ynë i popullit, Adolf Hitler, ia doli të bashkonte popullin gjerman pas 14 vitesh keqadministrimi, korrupsioni dhe copëzimi të paparë në sferën politike dhe etnike.

Qielli i dhuroftë udhëheqësit tonë të nderuar bekimet e tij të pasura, ndërsa ai vazhdon detyrën e tij të vështirë. Berlin, 1 korrik 1933. Dr Roast” Në të njëjtën linjë është edhe H. Thimmermanni. Në librin “Der Sturm auf Langemarck” (Stuhia në Langemarck) ai përshkruan hyrjen e trupave gjermane në Francë, duke përdorur një gjuhë të njohur naziste, revanshiste si: “më në fund ju fituat”, “atë që nuk e arritëm ne dikur, pavarësisht përkushtimit tonë të dhimbshëm, e arritën trashëgimtarët tanë”. Më tej, pasi i thur himne ushtrisë naziste, shprehet me një fjalor të ngjashëm, himnizues, duke iu drejtuar “Fuhrerit të saj me të vërtetë të madh”

Përpos shkrimtarëve, autorëve të romaneve, të librave me karakter të hapur ideologjik apo politik e racist, madhështisë së Fuhrerit i kanë kënduar me zjarr e imagjinatë të shfrenuar edhe mjaft poetë gjermanë të kohës. Kështu, p.sh., Josef Weinheberi i kushton një poemë kreut nazist me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Autori kalon në delir. Ja disa nga vargjet e kësaj poeme: “Gjeni i Gjermanisë, zemra dhe koka e Gjermanisë,/ Nderi i Gjermanisë kaq kohë ka qenë rrëmbyer./ Fuqi e shpatës, i vetmi tek i cili toka ka besim./ Pesëdhjetë vjet dhe një vepër ariane./ Mbinjeri, ti je rritur nga vuajtja./ I pagabueshëm dhe shenjtor, ti sulmon qiejt./ Shpëtimtari ynë, Dhimbja jonë, ti që mposht forcat e errëta,/ Mblidh edhe ti frytet e veprës tënde, prano këtë kurorë dhe këto këngë : Pusho në dashurinë tonë dhe jetë të gjatë ty”.

Një tjetër poet delirant, Herbert Böhmi, i kushton Hitlerit një poemë, me të njëjtën frymë. Midis vargjeve të tij lexon: “Një trumbetë përshkon Gjermaninë,/ Dhe ai që i bie, është ai, që udhëheq,/ Dhe ata, që e ndjekin, e ndjekin në heshtje,/ Ata janë zgjedhur prej tij./ Nën flamurin e tij ata i japin besë,/ Besnikëri dhe bindje,/ Me trumbetën e tij, ai përcakton fatin e tyre/ Me një fytyrë ariane./ Dhe nëse dikur ai marshonte në errësirë/ I vetëm për të hapur rrugën,/ Agimi sot zbardh,/ Ne vërshojmë drejt tij./ Të zgjuar nga rrahjet e trumbetës së tij,/ Ne jemi fara e Rajhut të ri,/ Ne mbjellim vendin tonë,/ Dhe, nga Zoti, do të jemi së shpejti të gatshëm për veprim,/ Fyhreri ynë përparon drejt dritës,/ Me të gjithë energjinë e tij,/ Nga dridhmat e trumbetës së tij ,/ Ti, Bashkësi racore popullore gjermane, / kthehesh në pasion”.

Poetët nazistë nuk i kursenin lavdet për Hitlerin, por edhe ai nuk mungonte t’i nderonte me tituj dhe me praninë e tij në ceremoni festive formalisht letrare, por që faktikisht shërbenin si tribuna propagandistike të regjimit. Një artikull i botuar në Berliner Lokal-Anzeiger të datës 2 maj 1936, ndihmon disi për të krijuar një ide për sa më sipër. Artikulli merr shkas nga ceremonia madhështore e organizuar me rastin e dhënies së Çmimit Kombëtar të Librit për vitin 1935-1936, poetit leitnant-kolonel SA, Gerhard Schuman, për përmbledhjen e tij poetike Wir aber sind das Korn (Ne jemi fara). / Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin...”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959

Next Post

“Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje për t’u regjistruar ne bataljona partizane, ju sekuestrohen pasuria, dhe ju digjet shtëpia që kini në Terovë...”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i shtatorit 1944

Artikuj të ngjashëm

“Në korrik 1944, në Shqipërinë e Veriut u zhvilluan luftime të ashpra, mes Divizionit SS ‘Skanderbeg’ dhe forcave komuniste, ku …” / Ditarët e oficerit të lartë gjerman, Helmuth Greiner, 1943-1944
Dossier

“Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje për t’u regjistruar ne bataljona partizane, ju sekuestrohen pasuria, dhe ju digjet shtëpia që kini në Terovë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i shtatorit 1944

May 5, 2026
“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin…”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959
Dossier

“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin…”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959

May 5, 2026
“Më 10 maj 1933, në sheshin e Operës së Berlinit, në prani të mbi 70.000 vetëve të eksituar, u hodhën në flakë më se 25.000 libra, të mbi 400 autorëve…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur Bashkim Trenova
Dossier

“Më 10 maj 1933, në sheshin e Operës së Berlinit, në prani të mbi 70.000 vetëve të eksituar, u hodhën në flakë më se 25.000 libra, të mbi 400 autorëve…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur Bashkim Trenova

May 4, 2026
“Vëllai ynë, Aliu, me disa djem të tjerë të ‘Ballit’, u vranë nga çeta e Zylyftar Veleshnjes dhe pasi u futën të gjithë në një gropë, u thanë fshatarëve…”/ Historia tragjike e fisit të famshëm nga Berati
Dossier

“Shumica e fshatrave afër rrugës kryesore Leskovik-Korçë ishin me Ballin Kombëtar dhe ishin djegur tashmë nga italianët e gjermanët, për shkak se partizanët….”/ Dokumentet e panjohura britanike

May 3, 2026
“Në hetuesi më takuan me gruan time polake dhe duke qarë, ajo më tha: ‘E shikon atë njeri atje’, dhe vështroi nga Ferhat Matohiti, ai…”/ Dëshmia tragjike e vëllait të aktorit dhe regjisorit të famshëm
Dossier

“Komandanti Brigadës në Durrës, Faik Kolasi ka miqësi me shokun Kiço Mustaqi, në Komitetin Qendror me Gafurr Çuçin, me raki e qingja të pjekur, apo gjela deti…”/ Letra anonime dërguar  Kadri Hazbiut në ’81-in

May 2, 2026
“Majori Maclean, kapiten Smiley dhe unë, kaluam gjithë ditën duke bindur Mehmet Shehun që t’i sulmojë ata 20 gjermanë, por ai dhe komandantët e tij të batalioneve kishin frikë…”/ Dokumentet e panjohura britanike
Dossier

“Majori Maclean, kapiten Smiley dhe unë, kaluam gjithë ditën duke bindur Mehmet Shehun që t’i sulmojë ata 20 gjermanë, por ai dhe komandantët e tij të batalioneve kishin frikë…”/ Dokumentet e panjohura britanike

May 2, 2026
Next Post
“Në korrik 1944, në Shqipërinë e Veriut u zhvilluan luftime të ashpra, mes Divizionit SS ‘Skanderbeg’ dhe forcave komuniste, ku …” / Ditarët e oficerit të lartë gjerman, Helmuth Greiner, 1943-1944

“Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje për t’u regjistruar ne bataljona partizane, ju sekuestrohen pasuria, dhe ju digjet shtëpia që kini në Terovë...”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i shtatorit 1944

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme