Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sejfi Vllamasit me origjinë nga Kolonja, i cili pasi u shkollua në vendlindjen e tij dhe më pas në gjimnazin turk të Edrene-së. U njoh dhe lidhi miqësi të ngushtë me Fan Nolin, që studionte në gjimnazin grek të atij qyteti, më pas ai i dërgoi një letër Portës së Lartë, ku i kërkonte një të drejtë studimi dhe ajo iu plotësua duke u dërguar në Vjenë. Ai u diplomua në Universitetin Bujqësor të atij qyteti duke iu akorduar titulli “Bej Diplom”, dhe pas diplomimit, Sejfiu u morr me kërkime shkencore në fushën e Veterinarisë dhe arriti të shpik një ilaç për sëmundjen e deles, për të cilën iu akordua titulli “Doktor në Shkencat Zooveterinare” dhe 2000 napolona ari si shpërblim, të cilat nuk i pranoi dhe i këmbeu me një muaj pushime, duke shkuar në një kamp me të fejuarën e tij.
Arrestimi i Sejfiut në vitin 1947 dhe dënimi i tij me dhjetë vite në burgun e Burrelit ku ai shkroi kujtimet e tij, të cilat pas daljes nga burgu do t’i daktilografonte dhe do t’i përmblidhte në një libër me titull, “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942”. Dalja e Sejfiut nga burgu dhe internimi i tij në 1957-ën në Fermën e Gosës në Kavajë, ku ai i doli përpara Enver Hoxhës dhe i kërkoi që t’i jepej pensioni patriotik, që ia kishin hequr me pa të drejtë. Vdekja e Sejfiut në qytetin e Fierit në vitin 1975-së në moshën 96 vjeçare, ku në varrimin e tij mes dhjetëra qytetarëve fierakë që shkuan për ta nderuar atë, ishte dhe profesor Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë.
“Kur Enver Hoxha mbeti në gjendje të mjerueshme ekonomike në Paris pasi iu pre bursa nga ana e Ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, sepse ai nuk mundi që të merrte dot asnjë provim, kunati i tij, Bahri Omari, i telefonoi xhaxhait tim, Sejfi Vllamasit që asokohe ishte në Francë, dhe i tha; Sejfi, të lutem ma mbaj ca kohë atë rebelin tim, Enverin, sa ta rregullojmë gjëkundi në ndonjë punë’. Xhaxhai im e kishte mik të ngushtë Bariun dhe e mbajti për disa kohë Enverin me shpenzime e veta në apartamentin e tij në Paris, deri sa Omari me anë të disa miqve të tij, e rregulloi Enverin me punë pranë legatës shqiptare në Bruksel”.
Kështu dëshmon për Memorie.al, nipi i Sejfi Vllamasit, (djali i vëllait Aliut, të cilin Sejfiu e adoptoi si djalin e tij pasi ai nuk kishte fëmijë) i cili na tregon mbi jetën e xhaxhait të tij që nga periudha si emigrant antizogist në Francë, atë gjatë viteve të regjimit komunist, që nga takimi me Enver Hoxhën në Hotel “Dajti”, arrestimin e burgun e gjatë në Burrel pasi u akuzua si agjent i anglo-amerikanëve, dhe peripecitë e tij në internime e deri sa vdiq në gjendje të mjeruar në qytetin e Fierit në janarin e vitit 1975.
Kthimi në Shqipëri në 1942
Pas një kohe të gjatë prej 15 vitesh në emigracionin politik si fanolist, pasi i kishte refuzuar disa poste Mbretit Zog, në vitin 1942, Sejfi Vllamasi u kthye përfundimisht në Shqipëri. Lidhur me këtë, nipi i tij Faslli Vllamasi (ish inxhinier mekanik) kujton: “Sapo erdhi në Shqipëri, Sejfiu së bashku me gruan e tij Naxhie Angoni, u vendosën në shtëpinë e mikut të tij, Prof. Aleksandër Xhuvanit, i cili kishte një vilë tek rruga e Elbasanit. Gjatë periudhës së Luftës, Sejfiu nuk u përzje fare me asnjë forcë politike, por qëndroi krejtësisht indiferent, duke jetuar me një pension jetik të cilin ja kishte lidhur kryeministri Mustafa Kruja, për veprimtarinë e tij patriotike në vitet 1920-të. Ai pothuaj nuk dilte fare nga shtëpia e merrej vetëm me studime, pasi kishte një bibliotekë shumë të pasur. Pasi qëndroi disa kohë në shtëpinë e prof. Xhuvanit, Sejfiu mori një apartament me qera tek pallatet e Lanës, ku qëndroi deri në fillimin e vitit 1945, kur regjimi komunist që erdhi në fuqi, e përzuri që andej duke i konfiskuar dhe një pjesë të pajisjeve të shtëpisë. Gjatë viteve të Luftës në Tiranë banonte dhe xhaxhai tjetër Muharremi, (si qeraxhi tek Halil Mëniku) që ishte më i vogli nga katër vëllezërit Vllamasi. Enver Hoxha ishte mik i ngushtë i familjes sonë Vllamasi dhe më kujtohet se aty nga viti 1942, xhaxhai Muharremi, e kishte thirrur atë për drekë në shtëpi, së bashku me Dr. Ymer Dishnicën. Gjatë asaj dreke Enveri i kërkoi babait tim Aliut, një nagant të bukur që ai e mbante me vete, por babai nuk ja dha, duke i thënë se e kishte kujtim nga vëllai Muharremi. Pas kësaj, Enveri i tha: ‘Ali, mbaje nagantin, por ta përdorësh duke luftuar për ne’. Dhe kështu ndodhi, babai Aliu u bë Kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit Novoselë të Kolonjës dhe së bashku me Hajrulla Taren, dhe Ceno e Muharrem Malukën etj., organizuan Lëvizjen Antifashiste në fshatrat e krahinës sonë. Po kështu edhe ne djemtë e nipat e tij, u lidhëm me Lëvizjen e dolëm të gjithë partizanë. Atë drekë në shtëpinë e xhaxhait, Muharremit, në Tiranë, e prishi Halil Mëniku, pasi kur pa Enver Hoxhën aty iu drejtua xhaxhait duke i thënë: ‘Muharrem, ç’i ke këta që i ke mbledhur këtu…”?! rrëfen Faslliu, mbi miqësinë që kishte Enver Hoxha me familjen Vllamasi.
10 vjet në burgun e Burrelit
“Aty nga prilli i vitit 1945, Sejfiu së bashku me xhaxhanë tjetër Muharremin (dikur kishte qenë nënkryetar i Shoqatës “Bashkimi” me Avni Rustemin), shkuan në Hotel “Dajti” dhe takuan Enver Hoxhën. Gjatë bisedës ata i thanë atij se kishin shkuar vetëm për t’i thënë që të mos e pushkatonte Bahri Omarin, pasi ai kishte qenë një diplomat dhe patriot i shquar. Enveri pasi i dëgjoi deri në fund, iu përgjigj: ‘Sejfi, thuaj shyqyr që nuk të gjetëm dhe ty dokumenta komprometuese, se nuk do ta kishim kursyer një plumb’?! Më pas biseda nuk vazhdoi më dhe ata u ndanë. Nuk kaloi më shumë se dy vite dhe në majin e 1947-ës, organet e Sigurimit të Shtetit e arrestuan edhe Sejfiun, duke e akuzuar se kishte bërë agjitacion e propagandë dhe se kishte pasur lidhje me misionet anglo-amerikane. Pasi e mbajtën për pak kohë në hetuesi në Tiranë, atë e nxorën në gjyq me dyer të mbyllura dhe në përfundim e dënuan me dhjetë vite burg politik, duke i shtuar dhe akuzën se përse ai nuk i kishte denoncuar dy baxhanakët e tij, deputetin Riza Dani dhe ish ministrin Xhevat Korça, të cilët ishin arrestuar disa kohë para tij. Akuzat ndaj Sejfiut ishin të gjitha të sajuara, sepse ai nuk fliste kurrë me asnjeri, por arrestimi i tij erdhi si pasojë e dënimit të dy baxhanakëve, Riza Danit e Xhevat Korçës. Të gjithë dënimin prej dhjetë vitesh, Sejfiu e vuajti në burgun e Burrelit, ku në qelinë e tij kishte pranë, Sefedin Dumen (ish-komandant i Milicisë në Kolonjë, xhaxhai i Petrit Dumes dhe babai i Bakiut “Dëshmor i luftës”, i cili vdiq në burg), si edhe baxhanakun e tij Xhevat Korçën. Nga burgu i Burrelit Sejfiu u lirua në vitin 1957, duke e vuajtur dënimin e plotë, pa iu falur asnjë ditë. Gjatë atyre dhjetë viteve që Sejfiu qëndroi në qelitë e burgut të Burrelit, ai përpiloi dhe shkroi librin “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942″ (që tashmë është bërë i njohur dhe i famshëm duke u ribotuar dy herë në 1994 dhe 2000), në të cilën ai përshkruan me objektivitet ngjarjet kryesore dhe personazhet e politikës shqiptare të asaj kohe”, kujton Faslli Vllamasi.
Takimi me Enverin në stallën e derrave
Mbas mbarimit të dënimit sapo u lirua nga burgu i Burrelit në vitin 1957, Sejfiu erdhi dhe u vendos në një dhomë te Tirana e Re, ku e priste e shoqja e tij Naxhija, e cila e kishte ndjekur atë gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në Burrel. Lidhur me këtë periudhë kohe, Faslli Vllamasi kujton: “Edhe pas daljes nga burgu, organet e Sigurimit të Shtetit nuk e lanë Sejfiun që të prehej i qetë në hallet e pleqërisë. Në atë apartament në Tiranën e Re, atë nuk e lanë më shumë se një vit, sepse mbasi ishte acaruar shumë ‘lufta e klasave’ (pas Konferencës së Tiranës), organet kompetente i “sugjeruan” atij që për t’i shpëtuar ndonjë burgu të dytë, të largohej dhe të shkonte në Gosë të Kavajës për të punuar në stallat e derrave në profesionin e tij, për të cilin ishte diplomuar në Vjenë. Sejfiu iu bind “sugjerimit” që i’u bë dhe së bashku me gruan u vendos në Gosë të Kavajës, duke punuar si veteriner në stallën e derrave të asaj Ndërmarrje Bujqësore. Gjatë atyre viteve që ai punonte aty si veteriner, në ato stalla vajti për një vizitë Enver Hoxha, të cilit Sejfiu i doli përpara dhe i kërkoi që atij t’i jepnin pensionin që ja kishin ndërprerë padrejtësisht kur e kishin futur në burg, pasi ai ishte në moshën 80 vjeçare dhe nuk kishte mundësi të punonte dot. Enveri iu përgjigj Sejfiut, duke i thënë: ‘Puno Sejfi, se nuk të takon pension’. Mbas asaj vizite që bëri Enveri aty në Fermën e Gosës, Sejfiun e hoqën që andej dhe e internuan për shumë vjet fshatrave të Elbasanit në Cërrik e Belsh, si dhe në Ballsh të Fierit. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij të gjatë, të cilën Sejfiu e kaloi në qytetin e Fierit, ai shoqërohej dhe pinte kafenë e mëngjesit me babain e Pirro Gushos, Sekretarit të Parë të Fierit, i cili sapo ishte riatdhesuar nga mërgimi i gjatë i SHBA-së. Kjo periudhë kohe korrespondon dhe me një udhëtim të Enver Hoxhës për në Gjirokastër, për të cilin në kujtimet e tij të botuara në vitin 1984 në librin “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së Re”, midis të tjerash ai shkruan: ‘Teksa isha duke udhëtuar për në Gjirokastër, aty në të hyrë të Fierit, pashë në rrugë Sejfi Vllamasin, i cili ishte përkulur nga një pleqëri e thellë dhe i thashë: Vuaj se ke shëtitur të gjithë botën”. Po kështu në atë libër Enver Hoxha shkruan afro 15 faqe për Sejfiun dhe vëllanë e tij, Muharrem Vllamasin, duke i sharë ata dhe i etiketuar si ‘borgjezë e bixhozçi’ etj., dhe më pas i lavdëron ata”, kujton Faslliu, nipi i Sejfi Vllamasit, në lidhje me qëndrimin që Enver Hoxha mbante ndaj ish mikut të tij të dikurshëm, që e kishte mbajtur me bukë gjatë viteve kur ai mbeti pa asnjë të ardhur në Paris, të cilin herë e shante dhe herë e lavdëronte në kujtimet e tija.
Vdes në Fier, Aleks Buda në varrim
Sejfiu ndonëse kaloi shumë peripecia në jetën e tij me vitet e gjata të burgut e internimeve të herë pas hershme, ai mundi të jetoi shumë gjatë dhe vdiq në moshën 97 vjeçare, në banesën e tij në qytetin e Fierit, ku kaloi vitet e fundit të jetës. Lidhur me këtë, nipi Faslliu, kujton: “Pas shumë internimeve nëpër fshatra të Elbasanit dhe të Fierit, më në fund në një moshë të thellë Sejfiun e lanë të banonte në qytetin e Fierit. Në ato vite ai u muar dhe me librin e tij “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942″ të cilin e kishte shkruar në burgun e Burrelit dhe nga dorëshkrim e shtypi vetë atë në tre kopje. Një kopje ai e dorëzoi në Institutin e Historisë, një kopje tjetër ja dha vëllait tim të madh, Novruzit, dhe kopjen e tretë e mbajti për vete. Megjithëse Sejfiu ishte një kundërshtarë i vendosur i komunizmit, ai nuk fliste dhe nuk shante kurrë regjimin në fuqi. Me miqtë e tij të ngushtë ai bisedonte dhe ju thoshte shpesh: ‘Djema, mbahuni fort e qëndroni, se komunizmi dogmatik në Shqipëri ka rënë në një humnerë të thellë’. Kundërshtia e tij ndaj komunizmit, nuk kishte ardhur për shkak të trajtimit që iu bë atij personalisht, ajo e kishte zanafillën që në mesin e viteve ‘20-të kur ai debatoi gjatë me Fan Nolin, se përse ai ishte vënë në krye të KONARE-së dhe pse kishte shkuar në Krime me delegacionin e saj. Në qytetin e Fierit ku Faslliu kaloi vitet e fundit të jetës në një mjerim të tejskajshëm, atë e donin dhe e respektonin të gjithë. Kjo gjë u vërtetua kur ai vdiq në janarin e vitit 1975, ku në varrimin e tij, megjithëse nga ne pjesëtarët e familjes nuk mundi që të shkonte asnjeri, (pasi na kishte njoftuar vetë më përpara me telegrame, që të mos i shkonim, pasi e dinte se pushteti na përndiqte prej tij), morën pjesë me qindra vetë, në shenjë respekti që kishin pasur për të. Po ashtu në varrimin e tij, mori pjesë dhe ish Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Alekas Buda, duke e nderuar si një nga miqtë e tij më të afërt. Kur nuk kishin kaluar më shumë se dy vjet nga vdekja e tij, organet e policisë me urdhër nga lart, tentuan të nxirrnin nga shtëpia gruan e tij, Naxhijen, që kishte mbetur krejt e vetme (pasi ata nuk patën fëmijë). Nga mërzitja e madhe se mos ajo do të përfundonte përsëri internimeve, në një gjendje shpirtërore të turbullt, i dha fund jetës, duke u varur veten në shtëpi, me kollaren e të shoqit, të cilin e kishte dashur aq shumë dhe nuk e kishte braktisur kurrë edhe në çastet më të vështira të jetës”, kujton Faslliu fundin tragjik të familjes së xhaxhait të tij, Sejfi Vllamasi, njërit prej personazheve dhe aktorëve kryesorë të politikës shqiptare së gjysmës së parë të shekullit të XX-të, i emigruar për 15 vjet jashtë Shqipërisë si kundërshtarë i Zogut, i cili u persekutua edhe nga Enver Hoxha, njeriu me të cilin kishte ndarë kafshatën e gojës në Paris.
Kush ishte Sejfi Vllamasi?
Sejfiu u lind në fshatin Novoselë të Kolonjës në 24 shtator të vitit 1879. Arsimin fillor ai e kreu në fshatin e lindjes në gjuhën turke dhe më pas me ndihmën e xhaxhait të tij, Ademit, ai vazhdoi gjimnazin në Edrene, që asokohe ishte kryeqendra e Turqisë. Pas vdekjes së xhaxhait të tij, për Sejfiun u kujdesën duke e ndihmuar edhe financiarisht, bashkëpatriotët e tij, atdhetarë nga më të njohurit e Kolonjës e më gjerë, si Neim Demisha (Topollaj), Shahin Kolonja dhe Veliko Mesika. Gjatë viteve të gjimnazit turk, Sejfiu u njoh dhe me bashkatdhetarin e tij, Fan Nolin, që studionte në gjimnazin grek të Edrenesë, me të cilin lidhi një miqësi të ngushtë. Pas mbarimit të gjimnazit me rezultate të larta, Sejfiu i bëri një letër Portës së Lartë, duke i kërkuar një të drejtë studimi, gjë e cila ju plotësua nga qeveria turke, e cila e dërgoi për të vazhduar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Vjenës në Austri, në degën e Veterinarisë. Sejfiu i mbaroi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe në përfundim ju akordua titulli “Bej Diplom”. Edhe gjatë periudhës së studimeve në Vjenë, Sejfiun e ndihmuan financiarisht, Nasuf Bej Novosela dhe Shahin Kolonja. Mbas diplomimit, Sejfiu u morr me kërkime shkencore në fushën e Veterinarisë dhe arriti të shpik një ilaç për sëmundjen e deles, për të cilën iu akordua titulli “Doktor në Shkencat Zoo-veterinare” dhe 2000 napolona ari, të cilat nuk i pranoi dhe i këmbeu me një muaj pushime, duke shkuar në një kamp me të fejuarën e tij. Në vitin 1905, Sejfiu e la Vjenën dhe u kthye në Shqipëri, ku u emërua kryeveteriner i Tiranës. Në vitin 1905, ai mori pjesë në Komitetin e Manastirit se bashku me Bajo Topullin, Fehim Zavalanin, Gjergji Qirjazin etj.Për aktivitetin e tij atdhetar në ato vite, ai u arrestua nga Porta e Lartë së bashku me Halit Bërzeshtën dhe u internuan në Anadoll, ku qëndroi tre vjet deri në 1908-ën, nga ku mundi të lirohet me trazirat e Hyrjetit. Gjatë viteve 1908-1912, Sejfiu zhvilloi një aktivitet të dendur patriotik në dobi të çështjes shqiptare, duke bashkëpunuar ngushtë me Ismail Qemalin, Seit Najdenin, Fuat Bej Dibrën, Spiro Dinen etj., të cilët përpunuan platformën e politikës e cila çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në Luftën e Parë Botërore, me ndërhyrjen e Sejfiut pranë konsullit anglez, u bë e mundur të ndaloheshin masakrat e dy batalioneve greke tek popullsia myslimane e Kolonjës, për të cilën Fan Noli kritikoi Kishën Ortodokse greke, si të implikuar në ato ngjarje. Në vitin 1914-të, Sejfi Vllamasi u emërua Prefekt i Shkodrës dhe gjatë asaj kohe mori pjesë në luftën e Koplikut dhe më pas u zgjodh në Komitetin që u formua në Shkodër për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar. Po kështu në vitin 1918-të, ai u zgjodh edhe në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, ndërsa në vitin 1920-të, Sejfiu mori pjesë në Kongresin e Lushnjes, si një ndër figurat kryesore nga ku u zgjodh tre herë Senator. Më pas gjatë viteve 1920-1924, ai u zgjodh si deputet i Kolonjës në Parlamentin shqiptar, duke qenë dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Popullore. Mbas vitit 1924, me dështimin e qeverisë së Fan Nolit, Sejfiu emigroi jashtë Shqipërisë me grupin e politikanëve të njohur si fanolistë e antizogistë, si: Bahri Omari, Sheh Karbunara, Qazim Koculi, Qazim Mulleti, Hasan Prishtina etj. Nga viti 1924 deri në vitin 1942 ai u vendos në disa shtete të Europës, si Francë, Austri, Zvicër, Itali etj. Në vitin 1942, ai u rikthye në Shqipëri dhe u mbyll në jetën e tij private duke u shmangur plotësisht nga politika, për t’i përkushtuar shkrimit të kujtimeve të tij të cilat vite më pas i përmblodhi në librin, “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942”. Libër i cili u botua vetëm pas viteve ’90-të dhe konsiderohet si një nga veprat më të mira dhe me objektivitet të ngjarjeve të asaj periudhe kohe në të cilat i përshkruan Vllamasi./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016