Nga Fazli Hajrizi
Pjesa e parë
Memorie.al / Kishte disa muaj që po e kërkoja me ngulm Ago Agajn dhe askush nuk po më ndihmonte dot, për të gjetur adresën e tij. U rashë telefonave në të katër anët e kontinentit ku jetonin shqiptarët, pyeta individë e shoqata në New York e qytete të tjera, por pa rezultat. Disa më thoshin se jeton në New York, ca të tjerë më këshillonin që të pyesja Baba Rexhepin, se ai mund të më çonte në gjurmët e Agos. –“Para dy vjetësh është vendosur në Florida”, – më tha në telefon kryetari i Teqesë. –“Në Florida? Një fjalë goje. Në Jug apo në Veri. Po ec e gjeje tani se në cilën pjesë të atij shteti jeton”! Por, nuk thonë kot se rastësia shpesh është mbreti i gjithçkaje.
Ishte qershori i vitit 1993, kur shkova në Clearwater (Florida) për të shkruar diçka për komunitetin që jetonte atje. E kishim shtruar bisedën në “Palace Family Restaurant” me një grup bashkatdhetarësh. Pyeta edhe këtu, siç e kisha bërë shumë herë të tjera, nëse e dinte kush se ku jetonte Ago Agaj.
– “E di unë, – tha me nxitim pronari i restorantit, Shemzi Balla. – Jeton në një shtëpi pleqsh, nja katër milje larg prej këtu. Nëse doni, mund t’ju çoj me makinë…”.
Unë sikur nuk doja t’u besoja veshëve. Më ngjante se u çlirova nga një peshë e rëndë, pas një kërkimi aq të gjatë.
– “Sa më parë që të jetë e mundur”, – thashë pa u menduar fare.
Makina çante përpara me shpejtësi duke lënë pas automjetet, shtëpitë dhe drurët që parakalonin si në ekran. Shemzi Balla me duart në timon, herë-herë hidhte ndonjë fjalë sa për të thyer heshtjen:
– “Ago Agaj është plakur, 96 vjeç, por duket ende i fortë. Me sytë nuk është mirë, por mendjen e ka lot të kthjellët. Do të gëzohet shumë për vizitën që do t’i bëni…”.
Dritat elektrike në tortura tregoni se dita po thyhej.
– “Arritëm. Kjo është shtëpia e pleqve”, – bëri me dorë Shemziu drejt një ndërtese, që dukej si e përhumbur midis të tjerave që e rrethonin.
Po trokiste nata kur ne arritëm dyert e saj në rrugën “Betty Lane”. Dy pleq, në dy skaje të hyrjes së kësaj shtëpie, ulur në karroca, po flisnin me vete, sikur të kishin përpara një grumbull njerëzish që i dëgjonin me vëmendje. Fjalët i shoqëronin me ndonjë dënesje dhe lëvizje duarsh në formë të pakontrolluar. Pasi njoftuam se kë kërkonim, shkuan ta marrin. Pas pak kohe Ago Agaj po vinte në karrocë, me një shikim të papërqendruar, i shoqëruar nga kujdestarja e shtëpisë. Karrocën e shtynte gruaja, por ai përpiqej ta bënte edhe vetë këtë punë.
– “Ku janë”? – pyeti ai kur rrotat e para të karrocës puthën betonin e pjesë së jashtme të ndërtesës.
– “Jemi këtu”, – iu përgjigjëm njëherazi.
Pasi u përqafua me ne, nxori shaminë, hoqi syzet me xham të trashë dhe fshiu lotët. Pastaj, me dorën e djathtë, nxori një cigare nga pakoja në xhepin e majtë të këmishës, një tel të hollë dhe cigarishten.
– “Nuk do të vdes pa u çliruar Kosova, – tha ndërsa po bëhej gati të ndizte cigaren. – Nuk kalon natë pa derdhur lot për atë pjesë të Shqipërisë etnike, e cila po shtypet nga thundra e serbit. Pa më tregoni, ç’të reja kemi atje këto ditë”? – pyeti me një zë të shuar që mezi dëgjohej. Folëm për gjendjen në Kosovë. Ai dëgjonte me vëmendje. Dukej se po përshkohej nga një ndjenjë kënaqësie për qëndresën e shqiptarëve. Kur pushova së foluri, ai mori frymë thellë dhe lëshoi një rënkim të zgjatur:
– “Më kanë lënë sytë. Mezi shoh. Deri para ca muajsh e kaloja kohën duke lexuar libra e gazeta. Tani lajmet e ditës m’i japin nipi dhe im vëlla që vijnë këtu çdo ditë. Sot më duket se ka ardhur gazeta ‘Illyria’. Pa më thoni, kush është ai njeri që boton gazetën”?
I tregova shkurtimisht për botuesin, për punën që bën redaksia e për shpërndarjen e saj në të katër anët e botës. Ai sikur nuk ngopej me atë që po dëgjonte e kërkonte të tjera.
– “I çoni botuesit dhe anëtarëve të redaksisë përgëzimet e mia për gazetën. Ua them pa rezerva se keni një gazetë të shkëlqyer. Është fat i madh që e kemi”.
Kështu filloi biseda me Agon. Pasi piu një gotë ujë dhe e çoi deri në fund cigaren që e thithte me aq ëndje, i kërkova të më tregonte diçka nga jeta e vet. Isha i papërgatitur për këtë intervistë, ngaqë nuk e prisja se do ta takoja këtë njeri që kishte lindur në shekullin e kaluar e, po i afrohej fundit të këtij shekulli. Ai heshti për pak çaste. Pastaj treti vështrimin diku, si të ndillte kujtimet, larg nga vendlindja e tij:
– “Kam lindur në Malësi të Vlorës, në Labëri, më 7 mars, 1897. Mësimet e para i mora në vendlindje, ato të lartat në Vjenë në degën e Agro-kulturës. Në Vjenë shkova më 1909. ‘Harro armët e qëndisura me serm të të parëve tu! Nuk ke të bësh më me ato’, më thanë atje. ‘Ti do t’i shtrohesh punës që të përpiqesh për vete, për familjen dhe për atdheun tënd. Duhet të mësosh’. Si mbarova shkollën e Agro-kulturës, nuk munda të kthehesha në Shqipëri për shkak të luftës. Punova një vit në Moldavi e, një vit në Poloni. Në Shqipëri u ktheva vetëm më 1919-ën. Menjëherë iu bashkova patriotëve të kohës së luftonin kundër pushtuesit italian.
Mora pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe në Luftën e përgjakshme të Vlorës, më 1920. Përkraha Revolucionin Demokratik të Qershorit, më 1924. Disa vite punova agronom në Shqipëri dhe në Kosovë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kam qenë ministër i Bujqësisë. Kur gjermanët kontrollonin një pjesë të Kosovës, shkova vullnetar në Mitrovicë, ku më emëruan prefekt të qytetit. Në qershor 1944, mora pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit. Po atë vit u arratisa nga vendlindja. Njëzet vjet jetova në Egjipt, prej nga emigrova në Amerikë”.
Ago Agaj e tregoi shkurt e me një frymë biografinë e vet, pa stërhollime, pa detaje e pa mburrje. Por, unë doja më shumë. Mezi e kisha pritur takimin me këtë njeri, që kishte përjetuar gjithë ato ngjarje të rëndësishme. Ndaj dhe nuk u kënaqa sa duhet me stilin e tij tepër telegrafik. Nisa ta pyes përsëri duke u përpjekur të gërmoj hollësi të tjera nga jeta e tij e gjatë dhe e pasur. Ago Agaj më dëgjoi me vëmendje dhe pranoi me kënaqësi. Ishte tepër i saktë. Ai nuk kishte nevojë të “korrigjojë” veten. Nuk i ngatërronte as datat, as njerëzit. Ishte vërtet për t’u habitur: një 96-vjeçar me një kujtesë të tillë! Biseda rrodhi e qetë nëpër lumin e ngjarjeve, që personazhi ynë kishte përjetuar. Ja si më tregoi një ngjarje që kishte ndodhur menjëherë pas kthimit në atdhe:
– “Ishte 28 nëntori i 1920-ës, – tha ai. – Karabinieria italiane u ndesh me vlonjatët e paarmatosur. Kërkonin t’u merrnin flamurin shqiptarëve, të cilin e mbante në dorë një burrë nga Kumanova. Karabinierët e rrëzuan përtokë kumanovarin dhe e shqyen flamurin copë-copë. Njëri nga oficerët mori një pjesë të flamurit, ia lidhi qenit të tij për bishti dhe e shëtiti nëpër Vlorë. Atëherë vlonjatët shpërthyen. Filloi rezistenca për shpëtimin e Vlorës, sepse ajo dhe Tepelena kishin mbetur si pjesë e pandashme e Italisë. Këto pjesë Italia i kishte fituar kur tradhtoi lidhjen austro-gjermane dhe u kthye me aleatët. E gjithë Shqipëria u deklarua më vete, por gjithmonë me një qeveri pro-italiane në Durrës.
Në janar të vitit 1920, u bë Kongresi i Lushnjës. Në Kongres u vendos për pavarësinë e Shqipërisë dhe rrëzimin e kabinetit të Durrësit. Kongresi i Lushnjës qe një akt me rëndësi të madhe, sepse rrëzoi kabinetin italian të Turhan Pashës. Në këtë mbledhje, Mustafa Kruja foli me lot në faqe: ‘Unë, tha ai, votoj për Turhan Pashën, domethënë për Italinë, sepse ajo është në rrezik e do të na hajë ngadalë, kurse serbi do të na shfarosë menjëherë’. Atëherë u ngrit Mehmet Konica dhe tha se Italia duhet të dalë nga Vlora, sepse po qëndroi ajo këtu, Jugun do ta marrë Greqia dhe atëherë ç’mbetet për Shqipërinë? Dhe ai dha dorëheqje bashkë me Dr. Turtullin. Pastaj filloi Lufta e Vlorës”.
– “Unë kam marrë pjesë në atë luftë, – tregon Agaj. – Heronjtë e luftës kundër italianëve qenë kryesisht vlonjatët. Në ndihmë na erdhi edhe Hysni Toska nga Mallkastra, me njerëzit e tij dhe zuri frontin verior. Frontet e tjera i mbanin jugorët. Kishim nevojë të madhe për ushqim. Vlonjatët atë vit nuk e punuan tokën, sepse ishin në luftë. Gruri mbeti në ara në pritje të draprit pa u korrur. Xhafer Ypi, prefekt i Beratit, na dërgonte misër me qerre dhe kjo e zbuti pak rrezikun e urisë. Vlonjatët s’kishin asgjë përveç guximit të tyre, dëshirës për liri e atdhe. Pra, Lufta e Vlorës është dhe mbetet një faqe e ndritur e historisë. Për këtë ngjarje kam shkruar një libër”, – thoshte Ago Agaj.
– Më 1924 ndodhi Revolucioni Demokratik i Qershorit. Si e përjetuat atë ngjarje? – e pyeta z. Agaj
– “Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koculin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë. Qëllimi, me sa më dukej mua atëherë, ishte që ta merrnin fuqinë jugorët e jo krahu i veriut. Noli qe historian e poet i mirë, por dështoi për shkak të pazotësisë në politikë. Zogu erdhi afër Tiranës e ai, kryeministri i vendit, i binte fyellit.
Kur imzot Noli shkoi në Lidhjen e Kombeve për të kërkuar ndihmë financiare, i thanë të bënte zgjedhjet. Populli duhet të të japë besimin. U kthye në Shqipëri dhe iu drejtua Rusisë për ndihmë. Ajo mezi priste për këtë. Moska nuk kishte përfaqësues të saj në shtetet e Evropës, ndërsa në Tiranë erdhën një nga 10-15 organizatorë rusë. Tani vonë është dëgjuar nga përkrahësit e Nolit, se ata i solli ministri i Jashtëm, Gurakuqi. Kjo lëvizje shqetësoi Italinë dhe shtetet e tjera, të cilat ndërhynë pranë Serbisë që të përkrahte Zogun. Dhe e përkrahën me paratë e kompanive të vajgurit.
– Kush i vrau Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin?
– “Për Luigj Gurakuqin puna është kështu. Siç ka dalë nga aktet rezervate britanike, ambasadori anglez u përpoq që kryengritja e vitit 1924 në Shqipëri të mos bëhej dhe e pa se çelësi i kryengritjes ishte Shkodra. Vajti në Shkodër, foli me Gurakuqin dhe raportoi: ‘U mundova, por Gurakuqi është në anën e Italisë’. Luigji (Gurakuqi) u arratis në Itali dhe Zogu mendoi se, si mik i italianëve, do ta rrëzonte nga froni. Gurakuqin e vrau një shkodran, i vëllai i Tom Stambollës. Emrin nuk ia di”.
– Po Bajram Currin?
– “Zogu nuk ka dorë në vrasjen e tij. Nuk e vriste ai Bajram Currin, një patriot të admiruar në Malësi të Gjakovës. Bile ai dërgoi një grup xhandarësh ta merrte në dorëzim. Ai u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë. Vrasësit u takuan në Gjakovë me një oficer të thjeshtë, të dalë prej shkollës italiane me emrin Ibrahim. Ata i thanë oficerit se bejlerët u kishin premtuar njëmijë napolona, por 500 i mbajtën për vete e, 500 na i dhanë.
Dua që me këtë rast të jap një vlerësim për figurën e madhe të Ahmet Zogut. Vendi i tij në histori është në shkallën më të lartë. E dini atë këngën: “Rroftë Ahmet Zogu, rroftë shpëtimtari i mëmëdheut/ Brez pas brezi u kujtoftë/ Nip stërnip i Skënderbeut…”. Kjo këngë këndohej që kur Zogu ishte ministër i Punëve të Brendshme. Një korçar e shkroi këtë poezi, e cila më vonë u bë edhe këngë”.
Ndërrojmë temën e bisedës. Ago Agaj ka dëshirë t’i rikthehet Kosovës. Si zor të ketë tjetër dëshmitar të gjallë që mund të përshkruajë gjendjen e kësaj treve nën pushtimin gjerman, apo luftërat e Shaban Polluzhës kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit. Bashkëbiseduesi ynë ka marrë pjesë vetë në luftë dhe i ka parë me sy tmerret e saj. Ka qenë në krye të administratës së Mitrovicës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhafer Devës.
– “Desha me këtë rast që edhe juve t’ju rrëfej për trimëritë e kosovarëve kundër serbëve, sidomos të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Burra të mirë e trima kanë qenë. Kemi luftuar bashkë. Kur unë isha prefekt i Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjermanët erdhën në Kosovë, këta patriotë më erdhën në ndihmë, se Mitrovica nuk mund ta bënte vetë luftën. Ja, edhe këtu i ke në libër”, – tha Agaj, duke më zgjatur librin “Xhafer Deva – Jeta dhe veprimtaria”. Gjithë veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai e ka përshkruar me një stil të ngrohtë në disa faqe libri.
“Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut, prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën”, – fillon shkrimi i tij dhe vazhdon: “Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini, që m’u bë si vëllai i madh në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqipëtarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima, më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”.
Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën. Kur ajo u bashkua me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë, pjesa më veriore e saj, prefektura e Mitrovicës, kishte mbetur si provincë autonome nën Serbinë. Kjo provincë përfshinte dhe tri nënprefektura: Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri me popullsi shumicë shqiptare. Shkaku që ajo ishte shkëputur nga Kosova qenë minierat e pasura të Trepçës, për të cilat Gjermania, sidomos gjatë luftës, kishte nevojë të madhe dhe nuk mund t’i linte në dorën e Italisë që sundonte Shqipërinë bashkë me Kosovën, pas bashkimit të tyre.
Autoritetet gjermane, të nxitura energjikisht nga Xhafer Deva, i kishin akorduar kësaj province shqiptare që drejtohej nga Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, një autonomi, e cila ekzistonte në kartë, por nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim për shumë arsye. Një nga shkaqet ishte mungesa e elementit shqiptar të përgatitur për administratë. Ago Agaj me një grup specialistësh vullnetarë nga Shqipëria si, veterinerë, doktorë, mësues, nëpunësa finance etj., vendosën të shkonin atje për të ndihmuar në organizimin e prefekturës.
Në këtë libër ai ka shkruar edhe për shumë ngjarje të tjera të asaj kohe që mund t’u hynin në punë historianëve për të ndriçuar këtë periudhë deri dje të mjegulluar apo të trajtuar në mënyrë të njëanshme. Aty mund të mësojmë për Xhafer Devën ‘shqiptarin më të shkëlqyer të gjeneratës së tij’; për Shaban Polluzhën ‘viganin kokëlidhur si rugovasit me fytyrë të ngrysur, ekspresioni i së cilës nuk të lejonte t’ia bëje fjalën dy’; Asllan Boletinin, djalin më të ri të Isa Boletinit, që ishte ‘Isai i përtëritur, me sytë e mëdhenj plot flakë’ dhe për më shumë bij të tjerë të nderuar të kësaj zone; për luftën e shqiptarëve kundër çetnikëve e për heroizmin e tyre, për përpjekjet e Ago Agajt për të nxjerrë në shesh intrigat serbe në sytë e gjermanëve etj.
Disa ditë pasi arriti në Mitrovicë, Ago Agaj qe dëshmitar i një gjykimi të tre shqiptarëve, të cilët akuzoheshin se gjoja kishin vrarë disa ushtarë gjermanë. Jeta e tre fshatarëve varej nga vendimi që do të merrnin gjykatësit gjermanë, ndërkohë që, siç do të vërente Agaj, përkthimi i fjalës së të akuzuarve ishte i gabuar.
– Qëndrimi i oficerëve sa vinte e dukej më i ashpërsuar, ndërsa fshatarët, nga ana tjetër, po mërziteshin e po shqetësoheshin përherë e më tepër. Sa e kuptova situatën dhe konstatova se acarimi po vinte si pasojë e përkthimit të gabuar, unë nuk durova dot më pa e vënë në dukje me zë të lartë këtë gabim, që mund t’u kushtonte jetën shqiptarëve. Atëherë kërkuan që të përktheja unë. Procesi nisi përsëri dhe fshatarët dolën të pafajshëm. Populli u ngrit në këmbë nga gëzimi. Ajo që më bëri përshtypje e më gëzoi ishte mirëkuptimi që treguan gjermanët. Dukej që ata nuk kishin mëri ndaj nesh dhe nuk dëshironin që të dënoheshin shqiptarët e pafajshëm”, – tregonte Agaj, i cili dita-ditës po bëhej më shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë sa që sot, kur kujton atë kohë, nuk përmbahet nga emocionet.
Deri tani nuk ia kishte treguar kujt këto ngjarje. Prej shumë vitesh ai po jetonte me veten e tij e me kujtimet e së kaluarës në këtë shtëpi, i vetmuar, i zhytur në mendime, natën e ditën. Bashkëkohësit e tij nuk janë më në këtë botë.
– “Më falni se jam i emocionuar, – tha ai dhe filloi të fshinte lotët që i rridhnin fytyrës. – Pleqëria bën të vetën. A e dini si thonin dikur? ‘Si plak njëqind vjeç’. Unë jetoj këtu i vetëm. S’kam me kë të flas. Shok kam veten time, asnjë tjetër. Më duket se jam kështu qysh prej njëqind vjetësh…”!
– “Të gjithë jemi nga pak të emocionuar”, – ia ktheu Shemzi Balla.
– “Shqiptarët përherë më kanë konsideruar më shumë si kosovar, se sa si vlonjat dhe shumë prej tyre më kanë quajtur; ‘vlonjati nga Kosova’. Mendoj se Ismail Qemali pati të drejtë që u përpoq më shumë për Vilajetin e Kosovës, se sa për atë të Janinës. Mbreti Zog më ka thënë njëherë se po të kishte Kosovën me vete, Italia nuk do të guxonte ta sulmonte. Shqipëria e ka Kosovën si mburojë. Ajo ka tri gryka: Grykën e Ibrit, të Çakorrit dhe atë të Kaçanikut. Po zure ato, s’ka pse të bën syri tërr! Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, aty qenë përfaqësues nga të gjitha anët e Shqipërisë etnike. Përfaqësues i Kosovës ka qenë emëruar Mit’hat Bej Frashëri. Aty ishte edhe Isa Boletini, ai që tha se kush prek Ismail Qemalin, më prek mua. Kush përpiqet ta vrasë atë, unë e shfaros” – tregonte Agaj. / Memorie.al
Clearwater (Florida)
Vijon numrin e ardhshëm












