Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e tetë
– TË VËRTETAT QË BESOJ, AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Agron Aranitasi dhe Radio Televizioni Shqiptar
Duhej të vinte viti 1978, që Ramizi të kuptonte se çfarë ishin në gjendje të bënin magnetoskopët “Ampeks”. Atë vit Enver Hoxha bëri një vizitë të gjatë në Gjirokastër dhe Sarandë. Vizitës iu kushtua një rëndësi e madhe. Populli duhej të shihte se ai gëzonte shëndet të mirë, pasi, prej kohësh, gjendja e tij shëndetësore ishte bërë shqetësuese. Enveri, gjatë vizitës, mbajti disa fjalime, por, në ndryshim nga kohët e shkuara, e folura e tij nuk ishte më e rrjedhshme, i merrej shpesh goja, belbëzonte, bënte gabime të shumta, madje ndodhte të humbiste edhe fillin e mendimit. Të gjitha këto duhet të pastroheshin gjatë montazhit.
Me montazhin merrej vetë Ramiz Alia. Ai vinte çdo ditë në televizion dhe punonte me vajzat montazhiere. Realisht ai u kthye në një regjisor montazhi. Panxo, Pandora Gjylapi (Bega), ia kishte marrë dorën mirë montazhit me “Ampeksët”. Po përmend Panxon (si ajo kishte edhe të tjera), sepse, ato ditë, kur bëhej “spastrimi” i lapsuseve të Enverit, ishte ajo që punoi me Ramizin. Pasi mbaroi montazhi, Ramizi dukej shumë i kënaqur. Habitej për cilësinë e “Ampeks”-ëve.
Më lavdëroi për blerjen e tyre. Unë vetëm i buzëqesha dhe…m’u kujtua etiketimi “idiot në politikë”. Blerja e magnetoskopëve “Ampeks”, vazhdoi deri në prill të vitit 1979. Atë vit kam shkuar në Francë me Hysen Dinen, punonjës i Makina-importit. Blemë tre magnetoskopë, të cilët rezultuan blerja e fundit te amerikanët gjatë regjimit komunist. Magnetoskopët “Ampeks”, mundësuan krijimin e arkivës në shirit magnetik.
Për fat të keq, pas rënies së regjimit komunist, arkiva e RTSH-së (për të cilën shfaqën interes gjermanët dhe italianët, që propozuan të na e bënin falas digjitalizimin e saj, me kusht që t’u jepeshin materialet e kongreseve dhe aktiviteteve politike të PPSH-së), vazhdon të jetë në mëshirën e fatit.
Ajo po vdes mes harrimit dhe kushteve të këqija në të cilat ruhet. Dikush nuk e do atë kujtesë me materiale të shumta të regjimit komunist. Rastësi apo e qëllimtë?! Kur u ktheva në TVSH, pas qëndrimit gati nëntëvjeçar në Fushë-Arrëz, mësova se Shpëtim Ruli nuk jetonte më. Kishte ikur si pasojë e një sëmundje të rëndë. Pas pak iku edhe Hysen Dine, edhe ai nga një sëmundje e rëndë.
Atë e ndoqën pas Andrea Arqimandriti dhe Pandi Papalilo, të cilët, ikën, gjithashtu, nga e njëjta sëmundje. Edhe ata ishin përfshirë në blerjet e “Ampeks”-ëve. Edhe Vullnet Musaraj iku nga një sëmundje e rëndë. Asaj, nuk i shpëtova dot as unë, por rezultova më me fat…! Dukej sikur një mallkim ndiqte nga pas, ata që futën në Shqipëri pajisjet e ndaluara të kompanisë amerikane!
Vitet e fundit më ra në dorë dosja e Sigurimit të Shtetit për RTSH-në (ORV “Objekt Rëndësisë Veçantë” – RTSH). Aty lexova informacionin e një ish-bashkëpunëtori të Sigurimit, që punonte në RTSH. Ai i kishte tërhequr vëmendjen punëtorit operativ, që mbulonte institucionin, “për të kontrolluar personin që dërgonte jashtë shtetit, për riparim, grupet e kakëzave të figurës të magnetoskopëve. Bashkëpunëtori hiqej i sigurtë se; “kokëzave të përdorura u hiqej një pjesëz prej floriri”.
Informatori paskësh zbuluar armikun e radhës! Ai ishte dhëndri i Kadri Hazbiut! Mendova: “Sa informator largpamës”?! Kishte zbuluar armikun, më parë se atë ta zbulonte vetë Enver Hoxha!
Shkruaja, për këtë ngjarje, për të treguar se sa të pasinqertë janë treguar familjarët e Enverit.
Nexhmija, deri sa vdiq, por edhe i biri, Iliri, në kujtimet e tyre kanë shkruajtur se “Perëndimi nuk dërgoi, asnjëherë, asnjë sinjal për shtensionimin e marrëdhënieve me Shqipërinë”. Historia e “Ampeks”-it, tregon të kundërtën. Ajo ishte shenja e parë e SHBA-ve për t’u afruar me vendin tonë.
Amerikanët, pas përmirësimit të marrëdhënieve me kinezët, u përpoqën të afroheshin edhe me Shqipërinë. Ata thyen embargon, pranuan t’i jepnin Shqipërisë pajisje strategjike, të cilat përdoreshin edhe në ushtrinë amerikane. Nuk kishte asnjë aeroplanmbajtëse amerikane, pa magnetoskopë “Ampeks” në bordin e tyre.
Mund të shtrohet pyetja: “Pse SHBA-të nuk e ndërprenë shitjen e pajisjeve të tilla pas fjalimit të Enverit në kongres”? Nuk e bënë, besoj unë, sepse, që kur rusët larguan “Bazën e Vlorës” (pas marrëveshjes midis Kenedit dhe Hrushovit në Vjenë, Austri), amerikanët tregoheshin të kujdesshëm ndaj vendit tonë.
Ata nuk e dëshironin një riafrim të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe vazhdonin politikën e presidentit Willson ndaj Shqipërisë. Edhe kur kishin vendosur të rrëzonin qeverinë komuniste, gjatë ndërhyrjes së tyre (1949-1953), qeveria amerikane ishte shprehur qartë: “Integriteti territorial i Shqipërisë, nuk do preket”, megjithëse Britania e Madhe kishte propozuar që; “territori shqiptar të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë, duke respektuar edhe ndonjë interes të Italisë”.
Për këtë qëndrim të amerikanëve, flasin dokumentet e de-klasifikuara të CIA-s, të cilat i pamë në kapitullin e “Radiolojave të Sigurimit të Shtetit” (shih librin “Operacioni Kundërshtari i Vlefshëm”). Pajisja e TVSH-së me video-regjistruesit (magnetoskopët) “Ampeks”, ishte projekti i parë, i nivelit më të lartë botëror, i realizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar.
Viti 1972-73, Todi Lubonja Drejtor i RTSH-së
Todi Lubonja u emërua drejtor i Përgjithshëm në muajin shkurt 1972. Vinte nga Komiteti i Partisë se rrethit të Korçës, ku kishte punuar sekretar për ideologjinë. E njihja. Njihja edhe të shoqen, Lirinë. Njihja edhe të birin, Fatosin. Emërimi i tij, u prit mirë në RTSH. Ishte anëtar i Komitetit Qendror. Kishte qenë Sekretar i Parë i K. Q. të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë (BRPSH) dhe kryeredaktor i “Zëri i Popullit”. Të tërhiqte paraqitja e tij e jashtme.
Vishej mirë dhe ishte tip sportiv. Todi kishte famën e një njeriu të çlirët nga kufizimet e kohës. Tregohej liberal dhe masovik me vartësit. Me të mund të flisje për çdo problem. Edhe kur ndodhnin defekte të rënda teknike, sidomos në transmetim, ai nuk “të qepej”, nuk të keqtrajtonte, të dëgjonte dhe, pastaj, vendoste. Por, unë i qëndroja larg. Ai mbante një qëndrim jo miqësor ndaj Fatos Arapit, (dajua im), i cili nuk shkonte mirë me Ismail Kadarenë.
Todi Lubonja bëri ndryshime në strukturën organizative të institucionit. Dikë e largoi e dikë e vuri në një karrige më të lartë. Ai krijoi marrëdhënie jo të mira me Klimi Misjen, drejtorin e atëhershëm të TVSH-së. Puna arriti, deri aty, sa Klimi pësoi një infarkt të rëndë, pasojat e të cilit i vuajti deri sa vdiq.
Klimi ishte njeri i mirë dhe gëzonte respekt në kolektivin punonjës të TVSH-së. Në marrëdhëniet e krijuara, mes tij dhe Todit, mjaft prej tyre, si Fuat Bozgo, Kadri Metohu, por edhe të tjerë, që kishin reputacion në TVSH, u radhitën nga ana e Klimit. Kam patur, gjithnjë, mendimin se kjo e dëmtoi, jo pak, Todin.
Todi bëri ndryshime edhe në strukturën programore. Filloi prodhimi i një sërë programesh të reja në televizion dhe në radio. Të gjithë e mbajnë mend fillimin në Radio Tirana të programeve me muzikë perëndimore. Me që, rastësisht u “pleksa” me këto programe, ose, me saktë, me këngët e tyre, dëshiroj të them dy fjalë. Në janarin e vitit 1971, Enver Hoxha kishte patur një bisedë me Agim Meron, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të BRPSH-së. Në këtë bashkëbisedim, Enver Hoxha mori pozat e një liberali.
Ai theksoi se rinia nuk duhej të merrej vetëm me përgatitje ushtarake dhe me punë prodhuese, por (kjo ishte e reja!) asaj duhej t’i krijoheshin mundësi çlodhjeje dhe argëtimi, t’i ofroheshin më shumë filma, koncerte, shfaqje dhe mbrëmje vallëzimi. Dha udhëzim që të luftoheshin shfaqjet e konservatorizmit në qëndrimin e organeve të partisë ndaj saj…
Unë e lexova, të zbardhur, këtë bisedë, të cilën ma solli Liri Aranitasi.
Ku ta dinte ajo, pa le unë që, një vit më pas, në muajin mars 1972, do më jepej rasti të “kontribuoja” në liberalizimin e transmetimeve muzikore të Radio Tiranës. Në shkurt 1972, televizioni, si zakonisht, kishte mbetur pa lëndë të parë për prodhimin e programeve. Mungonin shiritat magnetikë dhe pjesët këmbimi për magnetoskopët. Në fillim të marsit, Todi më nisi me shërbim në Itali. Para nisjes më thirri Nefo Myftiu, në atë kohë Drejtore e Radio Tiranës. Më dha një listë të gjatë këngësh.
Ishin këngë të Bitëllsave, ABBA-ve, Rollingstonsave, të Adriano Çelentanos e të shumë këngëtarëve, të tjerë, perëndimorë. Më porositi që t’i blija në tregun e lirë (në dyqan). Unë, që isha i apasionuar pas Bitëllsave, e shikova me buzëqeshje. “E di Todi këtë”?, e pyeta. “E di”, – m’u përgjigj. “Lista është parë edhe atje”, – ma bëri me shenjë nga ndërtesa e Komitetit Qendror.
Më dhanë dy mijë dollarë për blerjet (shiritat do i blinte përfaqësia jonë tregtare, me kontratë të rregullt). Ato këngë, që filloi të transmetonte Radio-Tirana, ishin këngët që bleva unë (shirita magnetofoni dhe pllaka gramafoni). Transmetimi i tyre pati jehonë të madhe midis të rinjve, por u ndjenë edhe reagime të një pjese të prindërve të tyre.
Madje, një oficer i moshuar, kur dëgjoi këngët, që po dëgjonte i biri, iu përvesh keq atij. Ky, i fundit, iu kthye: “Po çfarë ke, o babi? Këto këngë i transmeton Radio Tirana”! Oficeri u shtang. Kur po bëhej mbledhja e organizatës bazë të partisë, të sektorit ku punonte, ai e tregoi rastin dhe bëri autokritikë; “që nuk po ecte me hapat e kohës” (!). Jam kurioz: Çfarë mendoi ai pas një viti, kur shpërtheu lufta kundër liberalizmit?!
Ishte një udhëtim, që më lodhi shumë, me plot peripeci dhe përplasje të kota me ndonjë punonjës të ambasadës. Sekretari i parë i saj më pyeti, dhe jo një herë, nëse isha i autorizuar për blerje të tilla. I tregova letrën e firmosur nga Nefo, por kjo nuk e qetësoi. Megjithatë, punonjësit e ambasadës më ndihmuan në blerjen e tyre dhe, para se të kthehesha në Tiranë, i regjistruan këngët në magnetofonët personalë (!).
Situata ndryshoi në muajin dhjetor 1972, kur u organizua festivali i 11-të i këngës në Radiotelevizion. Ky festival i hëngri, në fillim, kokën Todi Lubonjës, ndërsa më vonë, kur kritika ndaj liberalizmit u shtri në fushën e artit dhe kulturës, u dënua edhe Fadil Paçrami. Dhe jo vetëm këta.
Përfunduan në burg regjisori i festivalit, Mihallaq Luarasi, dramaturgu Minush Jero dhe u lëvizën nga Tirana dhjetëra artistë e këngëtarë. Në Fushë-Arrëz, ku unë do shkoja pas dhjetë vjetësh, çuan “Adrianon” shqiptar, Françesk Radin. Rrufetë kryesore ranë mbi Todin dhe Fadilin. Përfshinë edhe familjet e tyre. Todit i arrestuan edhe djalin e madh, Fatosin. Nuk është nevoja të zgjatem, sepse fati dhe vuajtjet e tyre njihen.
Ramiz Alia ka shkruar, për të dy, në librin e tij me kujtime “Jeta ime”. Njëzetë vjet, më parë, para botimit të këtij libri, ai kishte dhënë një serë intervistash për tre gazetarë kosovarë. Intervistat u botuan, në formën e një libri, me titullin “Unë Ramiz Alia, dëshmoj për historinë”. Ramizi tregonte se si Enver Hoxha, vendosi t’i godasë Todin dhe Fadilin si liberalë, bile goditi “fort” edhe atë vetë, duke i dhënë masën (më të lehtë partiake), “vërejtje me shënim në kartën e anëtarit të Partisë”.
Todi u dënua me 13 vjet burg, ndërsa Fadili me 15 vjet. Ramizi u radhit në krahë të Enverit dhe mbështeti dënimin e miqve të tij. Foli, kundër tyre (siç dinte ai), edhe në mbledhjen e Byrosë Politike, edhe në mbledhjen e plenumit të Komitetit Qendror. Deri këtu nuk mund t’i vësh faj, duke ditur se në ç’kohë zhvilloheshin ngjarjet.
Hipokrizia e tij, karakteristike, do shfaqej shumë vite më vonë, pikërisht kur ai po shkruante “librin e jetës”: “(Dënimin) e tyre (dhe familjarëve të tyre), nuk e kam miratuar asnjë herë (!). Kam heshtur, duke iu bindur vijës dhe disiplinës së partisë. Bile, edhe kur unë isha në krye të partisë (!), nuk e ndihmova Todin. E ndiej peshën e fajit. Problemet e vështirësitë e mëdha, që kishin të bënin me fatin dhe të ardhmen e të gjithë vendit, kur po ndodhte kapërcimi nga njëri sistem në tjetrin, më vonuan ta ndihmoj shokun tim”.
Ramizi paraqitet ashtu, siç ka qenë tërë jetën, hipokrit dhe i poshtër. Ai e mori pushtetin, në fillimin e vitit 1985, kur kapërcimi, në sistemin tjetër, ishte ende larg. Po të donte, ai mund ta lironte Todin. Kishte një arsye të fortë. Këtë, që po shkruaj më poshtë, ma ka treguar një mjek i njohur. Ai është Hektor Peçi, mjeku i Enver Hoxhës para z. Isuf Kalo. Një ditë Hektorin e njoftuan se duhej të paraqitej në Ministrinë e Brendshme.
Pa ia zgjatur, i thanë se do shkonin në burgun e Burrelit, për të vizituar një të sëmurë. Kur hyri në qeli, Hektori shtangu. Todi ishte i shtrirë mbi çimento. Dihej se ai vuante nga diabeti dhe, në kushtet e burgut, sëmundja ishte përkeqësuar. Nga burgjet dhe internimet ishin liruar të dënuar edhe në kohën e Enver Hoxhës. Ramizi e kishte fuqinë ta lironte Todin, qoftë edhe me pretekstin e sëmundjes. Nuk e bëri kurrë! Dhe nuk mund ta bënte.
Në vitin 1982, në aktakuzën kundër Kadri Hazbiut (lexo: kundër Mehmet Shehut), u vendosën emrat e “puçistëve” (Beqir Balluku me ushtarakët), “sabotatorëve në ekonomi” (Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi e të tjerë), të cilët, nën “drejtimin” e Mehmet Shehut, do “përmbysnin” pushtetin popullor. Me ndërhyrjen e Ramiz Alisë, edhe Todi me Fadilin u futën në grupin e komplotistëve të rekrutuar nga Mehmet Shehu!
Ekzistojnë dëshmi të personave që kanë hartuar akt-akuzën. Njeri prej tyre, i ndjeri Neshat Tozaj, dëshmon për veprimin e Ramizit në librin e tij, “Pse Flas”. Si mund ta lironte ai Todin? Si do e justifikonte akuzën, që i vuri në kurriz? Dhe si do mbyste kundërshtitë e Nexhmijes dhe “hordhisë së 6 shkurtit” (siç i quan byroistët Isai, Çuko, Miska, Stefani, etj., z. Spartak Ngjela?).
Në vitin 1973, kur filloi fushata e goditjes së Todi Lubonjës, në RTSH u bënë mbledhje për t’u solidarizuar me partinë për dënimin e tij. Në mbledhjen e kolektivit të TVSH-së, kur u analizua veprimtaria e tij “armiqësore” njëvjeçare, sepse, në të vërtetë, aq punoi në RTSH, unë isha, njeri prej atyre, që e kritikuan. Ai ma “shpagoi”, gati 20 vjet më vonë. Shkruajti, në librin e tij me kujtime, “Nën peshën e dhunës” se, kur po diskutoja unë, “Atij i dukej sikur dëgjonte një lehje prej qeni. Ishte dhëndri i Kadri Hazbiut”. Absolutisht, nuk më ka mbetur hatëri nga ato fjalë. I lexoja ato rreshta, kur jeta më kishte mësuar shumë gjera…! Por, më duhet të them që, qëndrimi im, në atë kohë, ishte i njëjtë me qëndrimet, që mbante, edhe Todi, kur ishte akoma në pushtet.
Todi u largua nga RTSH në marsin e vitit 1973. U çua ca kohë si drejtor i një ndërmarrjeje ndërtimi në Lezhë, pastaj u arrestua, u dënua dhe dihet fati i tij i mëtejshëm. Në burg përfundoi edhe djali i tij, Fatosi. Familja u internua në një fshat të Lezhës.
Pas daljes nga burgu, Todi u tregua zemërgjerë me Ramiz Alinë. I zgjati dorën ish-mikut të tij persekutor. I qëndroi shok e mik deri në fund të jetës.
Më kujtohet kur e thirrën dëshmitar kundër Ramizit, në “gjyqin e kafeve”. Shpresonin se ai do hakmerrej ndaj tij. Gjyqtarët u bënë dëshmitarë të fisnikërisë së Todi Lubonjës. Ai i dha kurajo shokut të ditëve të dikurshme. E kam parë vetë atë skenë (gjyqin e regjistronte TVSH). Kuptova se vuajtjet e burgut, e kishin bërë më të mirë Todin. Ai diti të falte…! Për këtë meritonte, vetëm, respekt.
Para pallatit të parë të Lanës, janë hapur shumë kafene. Aty shkoja shpesh me mikun tim, tani të ndjerë, Artian Tepelenën. Atje vinte edhe Todi me Agim Meron e Ramiz Alinë. I dëgjonim bisedat e tyre. Todi mburrte Ramizin, i tregonte Agimit se fjalimet Enverit, ia bënte ai. Nuk kishte asnjë mllef, asnjë qejf-mbetje. E dëgjoja dhe mendoja: Ramiz Alia i dorëzoi shokët dhe kolegët e tij (Todin, Fadilin, Agimin). I dorëzoi duke qenë i lirë. Çfarë do kishte bërë, po të kishte rënë në burg?! Pati fat, vdiq në krevatin e tij! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















