Nga Gjet Ndoj
Pjesa e parë
Memorie.al / Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918 (në dokumente është shënuar dy vjet më vonë, 1920), në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit, Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij, Abaz Kupi, e marrin Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgojnë në Tiranë, në “Strehën Vorfënore”. Këtu Gjini mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar. Në vitet 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme Teknike “Harry Fultz” po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë (vetëm dy muaj), në degën e Bujqësisë. Pas mbarimit të shkollës emërohet agronom në rrethin e Korçës. Në vitin 1945, pas luftës, Gjini, si shumë drejtues të tjerë të luftës, caktohet për të kryer studimet në fushën ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte nga të paktët studentë nga Shqipëria, që vazhdoi akademinë “Voroshillov” në Moskë.
Kjo akademi ishte shkollë që nxirrte specialistë të nivelit më të lartë në fushën ushtarake dhe strategjike në të gjithë botën e asaj kohe. Studimet në këtë akademi Gjini i vazhdoi për tre vjet dhe iu ndërpre e drejt e studimit në vitin e fundit, 1948-1949, për shkak të përplasjeve që pati në Kongresin I-rë të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntor 1948.
Angazhimi në luftë
Sapo u emërua në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri etj., etj., Gjin Marku njihet edhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi fashizmi ishte konsideruar rrezik për njerëzimin shumë vite më parë (sidomos kur Partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit, kishte ardhur në pushtet në Gjermani).
Gjin Marku ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstratë e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane. Në vitin 1940, formohet dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ku njëri prej tyre ishte edhe Gjini.
Në dokumentet e kohës të zyrës Mbretërore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, personat kryesorë, si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaqo Nasto, Niko Llagi, Ali Reçi, Ferit Xhajko, Kajo Karafili etj., ishin në ndjekje nga organet e pushtetit fashist të vendosur në Shqipëri, që më 7 prill të vitit 1939.
Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut në vitin 1941 e në vazhdim, ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente ku bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist. Me 8 nëntor 1941 formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor, të Partisë Komuniste Shqiptare.
Organizata e Pezës
Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor, i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në të gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të Partisë Komuniste Shqiptare, veçanërisht pranë çetave territorial, që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, për të formuar një organizatë partie, ishin krijuar edhe në Pezë.
Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste të udhëhequr nga PKSH-ja. Realisht kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor ngarkoi Gjin Markun për të ndjekur dhe drejtuar këtë mbledhje themeluese në Pezë, pranë çetës. Në takimin themelues morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Starja, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli, me në krye të deleguarin e Komitetit Qendror të PKSH-së, Gjin Marku.
Dëshmia
Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, shprehet se; i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish-shokun e shkollës së “Harri Fultz”-it, Gjinin, si të deleguar të PKSH-së në Pezë. “Mbledhja vazhdoi me debate dhe punën për gjatë dy ditëve; nga data 8-10 dhjetor 1941. Në fillim kandidaturë për sekretar të organizatës u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini, duke sqaruar se Vasili ishte më i madh se sekretar organizate, pasi ishte komisari i kësaj çete.
Pas kësaj ndërhyrjeje u propozua Mihal Duri si sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit. Zëvendëssekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa komandanti Myslim Peza u bë komunist vetëm pas çlirimit, në vitin 1951”, – dëshmon Sali Verdha. Kështu u formua organizata e parë e Partisë Komuniste Shqiptare dhe fati ose diçka tjetër deshi që të ishte Gjin Marku, përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSH-së.
Përtej Pezës
Peza u bë “shkollë” dhe trampolinë për t’u hedhur gjetiu në luftë. Pas transformimit të çetës së Pezës në një çetë partizane, ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të Luftës Nacional-Çlirimtare. Për këtë Sali Verdha kujton: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSH-së, jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak; veçanërisht mësonin përdorimin e armëve të ndryshme, bënin qitje të ndryshme etj.
Kështu, edhe Gjin Marku, para se të shkonte në Qarkun e Beratit, aty ku e caktoi Komiteti Qendror i PKSH-së, ndenji disa ditë në Pezë dhe pastaj u hodh për një mision të gjatë në Berat”. Verdha thotë se’ “Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e çetës së Pezës, komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë ka pasur Mihal Durin”.
At Zef Pllumbi: “Gjin Marku, një nga komandantët-strategë ma të aftë”
“Gjeneral Gjin Marku ishte një njeri me emën në Shqipni. Që në rininë e parë kje nji nga aktivistët ma në za të grupeve komuniste të shpërndamë në të gjithë vendin. Që në fillimet e saj, që u quajt ‘Lufta Nacional-Çlirimtare’, ai kje nji ndër komandantët-strategë ma t’aftë…! Cilsitë e tij fizike, morale e shpirtnore e bajshin atë udhëheqës karizmatik, sado që origjina e tij katolike, veriore, ashtu si ajo e Zef Malës dhe e Tuk Jakovës, ishte e papëlqyeshme për kopilin e bimbashit turk të Gjinokastrës.
Në moshën e tij të re kishte dhe pjekuni politike. Ai e konsideronte luftën si mjetin ma t’fundit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve njerëzore dhe aty ishte trim i çartun. Por para asaj gjendje lufte, parapëlqente bashkëjetesën paqësore dhe kompromisin. Ishte udhëheqës me ndjenja njerëzore, që donte ma shumë jetën se vdekjen”….
Si u çlirua Skrapari nga çeta e Gjin Markut dhe Mestan Ujanikut?
Në dhjetor të vitit 1941, Gjin Marku caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e atdheut. Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut, përfshiu në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e, deri në Skrapar e më gjerë. Kur shkoi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristaq Capon, Kristo Isak, Kristaq Tutulanin etj. Bazat e para të organizimit të luftës u hodhën pikërisht në qytet. Puna u fillua shpejt, me aktivizimin e intelektualëve, të të rinjve të Beratit si dhe formimin e celulave komuniste dhe të njësiteve guerile.
Në fillimin e shkurtit 1942, në lagjen “Mangalem” u formua e para celulë partie për qarkun e Beratit. Në të morën pjesë Gjin Marku, i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, Kristaq Capo, Kristo Isak, Nure Dobruzha e Xhoxhi Bojaxhi. Pak më vonë u kooptuan dhe dy shokë të tjerë: Vasil Lacka dhe Thoma Bello. Për drejtimin e celulës u caktua Kristo Isak. Pas transferimit të Kristos në Korçë, në vend të tij u zgjodh Kristaq Capo. Përveç kësaj celule u formuan dhe celula të tjera, si në “Murat-Çelepias”, me sekretar Iliaz Sevranin.
Ndërsa celula e tretë qe ajo e “Gorricës”, me sekretar Kristaq Tutulanin. Për suksesin e aktivitetit antifashist në këtë qytet, por dhe në të gjithë qarkun e Beratit, pati një rëndësi vendimtare caktimi nga Gjini dhe bashkëpunëtorët e tij të disa bazave ilegale ku do të bëheshin takime, mbledhje dhe plane operacionale në kuadër të Luftës Antifashiste. Këto natyrisht u caktuan pranë familjeve të aktivistëve më të besuar dhe më të devotshëm. Në qytetin e Beratit deri në shtatorin e vitit 1943, numëroheshin mbi 30 baza ilegale. Disa nga familjet e para që shërbyen si baza ilegale që në fundin e dhjetorit 1941 dhe janar-shkurt 1942 kanë qenë:
– Në “Kala”: shtëpia e Kristaq Capos, Cac Dollanit, Vasil Sallabandës, Koço dhe Dhimitër Briskut etj.
– Në “Përrua”: shtëpia e Argjiro Lekës, Jani Gjecit, Muhamet Meqemesë etj.
– Në “Mangalem”: shtëpia e Kristaq Priftit, Kol Myzeqarit etj.
– Në “Gorricë”: shtëpia e Kristaq e Margarita Tutulanit, Nikollaq Sallabandës, Pali Pacukës etj.
– Në “Murat-Çelepias” ishin shtëpitë e Orhan Frashërit, Ajet Xhindolit dhe të Luan Qafzezit.
Njohja me Mestan Ujanikun
Pas kësaj veprimtarie fillestare, por themelore, që do t’i shërbente për gjithë kohën suksesit të veprimtarisë antifashiste në qarkun e Beratit e më gjerë, Gjin Marku e shtriu këtë veprimtari edhe në zonat e fshatrave në të gjithë qarkun. Kjo veprimtari ka të bëjë me ngritjen e njësive luftarake legale, si çeta partizane, batalione, grupe e deri në formimin e Brigadës VII-të Sulmuese, në fillim të vitit 1944. Siç do të shohim, epiqendra e kësaj veprimtarie jo vetëm për qarkun, por për gjithë Shqipërinë, do të bëhet Skrapari me zonat përreth tij, si Gramshi, Frashëri e Dangëllia, Gorë-Opari, Kuçova, Dumreja etj.
Në Berat Gjini u njoh edhe me situatën dhe gjendjen në Skrapar, duke u orientuar shpejt në planin organizativ në të gjithë rajonin. Nëpërmjet Kristo Isak-ut dhe dy arsimtarëve nga Skrapari, Nuro Dobrusha dhe Tajar Grepcka, Gjin Marku u njoh me çetën e Mestan Ujanikut, një grupim territorial kaçakësh, e cila ishte e tillë deri në mars të vitit 1942.
Që në bisedën e parë ku u fol për transformimin nga një çetë territoriale në një organizatë me program antifashist, komandant Mestani e shikoi me shumë simpati Gjin Markun për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante që kishte i ngarkuari nga qendra. Pas këtij momenti, më 14 mars 1942, çeta u transformua nga çetë territoriale, në çetë patriotike-partizane, komandant i së cilës do të ishte deri në fund Mestan Ujaniku, ndërsa komisar Gjin Marku.
Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit. Gjatë këtyre lëvizjeve Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Në lidhje me këtë marrëdhënie shumë të çuditshme të Gjinit me popullin e Skraparit, Skënder Malindi thotë: “Kjo, ndër të tjera, ndodhi edhe për arsyen se dy trevat, Skrapari e Mirdita, ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim fjala e tij ishte ligj”.
Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli (Skraparit), për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj., përbënin tashmë një shqetësim, jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz për autoritetet fashiste italiane deri në Tiranë. Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut, u shtri jo vetëm në qarkun e Beratit që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë-Fier-Mallakastër, por dhe jashtë tij, si: në Vlorë, Tiranë etj.
Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe. Kështu, në një letër të Guiseppe Paglierit, gjeneral brigade, komandant epror, që i dërgon Ministrisë së Brendshme, thuhet: “Kallëzohet se nuk është e pamundur që në rrethanën e krijuar… katundarët, të nxitur nga turbullonjës, të bëjnë një demonstratë kundra regjimit shqiptar dhe Italisë. U muarn masat e vëzhgimit”.
Çlirimi i Skraparit
Në këtë situatë, për goditjen e bazave tashmë të rëndësishme në Skrapar, komanda fashiste nga Tirana planifikojnë dhe dërgojnë njësi milicësh të armatosur të inkuadruar në një kompani prej 63 vetash. Filluan reprezaljet kundër këtyre bazave partizane, dogjën shumë shtëpi, mes tyre dhe shtëpinë e komandantit të çetës së Skraparit, Mestan Ujanikut. Pastaj kompania e milicisë fashiste u përqendrua në fshatin Mëlovë, me synimin që më vonë të rrethohej dhe të asgjësohej çeta dhe drejtuesi i saj, Gjin Marku.
Por si kundërpërgjigje ai mobilizoi çetën dhe fshatarët e asaj zone dhe ishte ai që e futi në rrethim kompaninë e milicisë fashiste. Në mëngjesin e një fund-gushti të vitit 1942, kompania fashiste, e gjendur mes krismave dhe e rrethuar nga të gjitha anët prej forcave të njësitit, u detyrua që të dorëzohej. Gjini në këto kushte i mblodhi fashistët mes fshatit dhe u mori armët. Ata nuk u pushkatuan. Nuk u mori as para e as plaçkë. Atyre iu përcoll mesazhi, se; “ne luftojmë për liri. Ju o të mashtruar nuk duhet t’i shërbeni më fashizmit, pasi herë tjetër nuk ju falim”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












