Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Javer bej Hurshitit (me origjinë nga Kaukazia e largët), ish-kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës në vitin 1920, i cili përgjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe atë të pushtimit të vendit (1939-1944), do të shërbente në detyra dhe funksione të larta në administratën shtetërore, si deputet, prefekt dhe ministër, deri sa u arrestua nga komunistët e sapoardhur në pushtet në nëntorin e vitit 1944, të cilët e nxorën në Gjyqin Special në marsin e 1945-ës dhe e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan, edhe pse babai i Enver Hoxhës, Mulla Halili, i tha të birit: “Po pse Javer beun do vrasësh ti?!, dhe Enveri iu përgjigj” “Nuk e vras unë, e vret populli”, si dhe dënimi i të birit të Javerit, Mehmetit, ish-sekretarit të Bashkisë së Tiranës në periudhën e pushtimit, që vuajti 25 vjet në burgun e Burrelit.
Historia e Javer beut dhe familjes së tij, që nga periudha kur ai ishte i vogël dhe u adaptua në Stamboll nga beu i famshëm i Jugut, Maliq Pashai nga Libohova, pasuria që trashëguan pas vdekjes së tij, pjesëmarrja e tij në krye të 450 forcave vullnetare në vitin 1912-të në luftimet për marrjen e Sarandës nga forcat greke duke ngritur flamurin shqiptar aty dhe në Delvinë, shpëtimi i qytetit të Gjirokastrës duke iu paguar 5 mijë napolona floriri grekëve që donin ta digjnin pas vrasjes së Dhespotit, gjë për të cilën shkroi gazeta “Labëria” në marsin e vitit 1925 kur ai vuri kandidaturën për deputet, angazhimi i tij në jetën publike dhe politike me një karrierë të gjatë afro 35 vjeçare, si kryetar bashkie, deputet, prefekt dhe ministër, krushk i Ismail Qemalit dhe Mbretit Zog, mik i ngushtë i Mihal Gramenos, Avni Rustemit, Faik Konicës e Padër Gjergj Fishtës që i pati dhuruar me autograf, “Lahutën…”, organizimi prej tij i ceremonive zyrtare për marrjen e eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit në vitin 1936 në Shkodër, etj., është e shkruar me dorën e tij në katër fletore të trasha, të cilat ruhen nga nipi i tij, Shahin Mehmet Hurshiti.
Kujtimet e Javer Bej Hurshitit
“Kur iku Pashai, Sami Karagjozi më tërhoqi mënjanë dhe më tha se nuk ishte mirë që të firmosnim një telegram të tillë, pasi nuk ia dimë arsyet që e detyruan Sulltanin që të lypi një gjë të tillë. Samiu duke qenë anëtar i atij komiteti, ishte në dijeni se për së shpejti do të imponohesh Sulltanit shpallja e lirisë. Unë e këshillova Myftar aganë që të mos e firmoste atë telegram dhe të deklaronte se ai nuk ishte gjirokastrit dhe se nuk i përkiste të firmoste në parinë e Gjirokastrës. Sa për veten time u mënjanova nga salloni përpara se të kthehej Pashai. Pas dy ditëve, më 11 korrik 1908, afër drekës u përhap lajmi se Sulltani i fali popullit lirinë, d.m.th. dekretoi ardhjen rishtas në fuqi të statuti themeltar që ishte harruar që prej 30 vitesh. Ky lajm, më shumë se këdo, më gëzoi mua pasi më shpëtoi nga ndjekjet e Drejtësisë. Prefekti që përmenda më lart, iku natën nga Gjirokastra. Shpallja e statutit gëzoi të gjithë nacionalistët e kombeve të ndryshme që jetonin në Ballkan. Më zhdukjen e tiranisë së Sulltan Hamitit, shpresonim të gjithë se do të gëzonim lirinë dhe të drejtat e tyre kombëtare dhe në këtë mënyrë do të rronin të qetë si në një shtet feudal. Të gjithë komitët bullgarë, rumunë, grekë dhe shqiptarë që kishin bërë Maqedoninë një fushë lufte, zbritën nga malet dhe hynë në qytet duke gëzuar me popullin që bënte festime. Çeta e Çerçiz Topullit dhe e Demo Eminit (kohë më parë ky kishte braktisur Sarandën dhe plaçkitur arkat e shtetit), zbritën në Manastir, Selanik, Janinë ku u prit me manifestime të jashtëzakonshme. Bajua dhe Çerçizi qëndruan pak muaj në Gjirokastër dhe Janinë e më pas vanë në Stamboll ku të dy u muarrnë në shërbim të shtetit”, përfundon Hurshiti kujtimet e tija lidhur me ngjarjet e vitit 1908 kur edhe ai ndiqej nga turqit.
Kryetar Bashkie dhe deputet i Gjirokastrës
Në vitin 1912-të Javer Bej Hurshiti në krye të 450 vullnetarëve morri pjesë në luftimet e Sarandës kundër grekëve dhe po atë vit ai ngriti flamurin shqiptar në Delvinë dhe në Sarandë. Një vit më vonë, në 1913-ën, ai u caktua nga pala shqiptare në përbërje të Komisionit Ndërkombëtar për Ndarjen e Kufinjëve të Jugut të Shqipërisë, që kryesohej nga gjenerali italian, Telini. Po kështu atë vit ai u bë shpëtimtari i Gjirokastrës prej djegies që do i bënin andartët grekë qytetit, pasi në atë kohë kur po kërkohej copëtimi i Voroi-Epirit, klane të caktuara shqiptare të nxitur dhe paguar nga grekët, vranë në Gjirokastër një dhespot grek me qëllim që të ndërlikonin situatën dhe pastaj fajin t’ua hidhnin shqiptarëve. Kisha greke për vrasjen e Dhespotit kërkoi si dëmshpërblim 5000 napolona flori dhe në të kundërtën, po të mos paguhesh ai haraç, ajo si ndëshkim do të urdhëronte për djegien e qytetit të Gjirokastrës. Pas ultimatumit të Kishës greke, Javer Bej Hurshiti pagoi nga xhepi i tij 5000 napolona flori dhe vetëm pas kësaj situate në qytet u qetësua. Këtë gjest tepër fisnik dhe atdhetar do t’ja përmendte gazeta “Labëria”, në marsin e vitit 1925, kur Javer Beu vuri kandidaturën për deputet në Parlamentin shqiptar, ku midis të tjerash shkruhej: “Prefekti i këtushëm, Javer Bej Hurshiti dha dorëheqjen meqenëse vuri kandidaturën për deputet. Hidhëronemi tepër që na largonet nga kjo prefekturë një nga prefektët më të mirë dhe më të zotë që kanë ardhur deri më sot. Javer Beu është një nga personat më simpatikë për neve, aq sa edhe për të gjithë ata që i njohin punët e tija në dobinë tonë. Shërbimet e Javer Beut në fushën e patriotizmës janë të pa numërta. Përfaqësonjës të kësaj krahine: dhe atje ku do të shkoj Javer Beu do të na shërbejë dhe do të na kërkojë të gjithë të drejtat tona. Populli i Gjirokastrës dhe i gjithë Labërisë i detyrohet shumë Javer Beut, i cili ka marrë pjesë në të gjitha çështjet që kanë lidhje me krahinën tonë, gjithashtu dhe kontributi i tij ka qenë nga më kryesorët sidomos shpëtimi i Gjirokastrës në kohën e okupacionit grek i dedikohet vetëm Javer Beut” (Gazeta “Labëria”, 20 mars 1925). Në vitin 1920, Javer Beu përkrahu me të gjitha fuqitë dhe mundësitë e tija Kongresin e Lushnjes, i cili më pas e zgjodhi në krye të administratës vendore të qytetit të Gjirokastrës. Po kështu gjatë Luftës së Vlorës në 1920-ën, Javer Hurshiti morri pjesë si komandant i forcave vullnetare të Gjirokastrës që shkuan për të luftuar në Vlorë, duke pasur me vete dhe djalin e tij, Mehmetin. Pasi Javer Beu kishte punuar e shërbyer me devotshmëri në funksionet zyrtare më të larta të Gjirokastrës, i zgjedhur nga vetë populli, si: Kryetar i përfaqësisë fshatare të Libohovës dhe Gjirokastrës, (ose siç quhej asokohe si “Kujdestar i Gjirokastrës”), e më pas si Kryetar i Bashkisë, në vitin 1925-së ai u propozua përsëri si deputet për në Parlamentin Shqiptar. Pasi fitoi me rezultat të thellë në votimet që u bënë në atë zonë, në vitin 1927 ai u shpërngul nga Gjirokastra dhe u vendos me banim në Tiranë me gjithë familjen e tij.
Orator i parlamentit
Javer Bej Hurshiti ishte një njeri i shkolluar dhe me kulturë të gjerë, gjë e cila bënte që ai të ishte një nga deputetët më aktivë në Parlamentin Shqiptar të atyre viteve ku gjithashtu ishin personalitete nga më të spikaturat të jetës politike dhe publike të vendit që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitetet e ndryshme të Europës. Nisur nga kjo, Javer Beu respektohej shumë nga kolegët e tij deputetë dhe i dëgjohej fjala në diskutimet e ndryshme për problemet më madhore që shtroheshin aty për zgjidhje. Nisur nga ky fakt, në atë kohë së bashku me Ali Bej Këlcyrën, Javer Bej Hurshiti konsiderohej si një nga “bilbilat” e atij Parlamenti. Po kështu asokohe Javer Beu ngriti zërin në Parlament edhe kur kërkohej që t’ë nëpërkëmbeshin të drejtat e kolegëve të tij deputetë, siç ishte rasti i Kasem Radovickës, ndaj të cilit Ministria e Drejtësisë kërkoi heqjen e mandatit dhe dërgimin e tij para gjyqit. Për këtë, gjatë diskutimeve që u bënë, Javer Beu midis të tjerash tha: “Kolegu im i dashur, Doktor Simonidhi fjalën e nisi të bukur dhe të ëmbël, por e mbaroi me zemërim të madh. Bëri një parathënie e tha se do të flas si një deputet i paanshëm, por më shumë foli si gazetar se sa si deputet. Edhe fytyra e tij tregonte mërinë. Pse flet kështu Doktor Simonidhi, e dimë, ç’bëjmë jashtë si gazetarë, i lëmë jashtë, se këtu s’kemi të bëjmë as me gazetën “Besa” dhe as me “Mikun e Popullit”, Këtu. Si thashë jemi vetëm deputetë të Shqipërisë”. (Arkivi Qendror i Shtetit, Viti 1931, Dosja 94, fq. 312-313). Në një nga seancat e tjera të atij parlamenti në vitin 1931, Javer Bej Hurshiti ngriti zërin në mbrojtje të patriotëve që kishin luftuar për Shqipërinë, siç ishte rasti i Dino Çiços, ku midis të tjerave tha: “Jam i bindur se të gjithë ata që janë marrë me çështjen shqiptare, në mos e kanë njohur, kanë dëgjuar emrin e z. Dino Çiço. Që nga kohërat e vjetra, që at’here kur ne nuk e dinim se ç’është Shqipëria, ky ka punuar dhe ka luftuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e zeza kur qyteti i Gjirokastrës ra në duart e grekëve. Në Luftën e Mashkullorës ka qenë ai që ka luftuar në ballë dhe ka treguar trimëri. Ky njeri sot është plak dhe në nevojë buke, prandj kërkohet një rrogë e vogël. Siç e tha dhe zoti Hiqmet Delvina, na të Gjirokastrës nuk kemi kërkuar rroga apo pensione patriotike, se nuk duam të shpërblehemi në të holla veteranie. Sa për listën që thotë Hazis Xhemali, ne, në atë listë le t’ia kërkojmë Qeverisë t’a kritikojmë, ta rrëzojmë, por kjo jo të përplaset në kokë të Dino Çiços. Pak ditë më parë ju lidh rrogë jetike zotit Hasan Starovë, dhe nuk e kundërshtoi njeri. Tashti dhe këtij pse mos t’i lidhet?! U lutem shokëve që t’a pranojmë dhe nëse dyshojnë në patriotizmin e tij, ju siguroj se është nga më të kulluarit…”.(Arkivi Qendror i Shtetit, Viti 1932, Dosja 68, fq. 11).
Prefekt, deputet, ministër, etj., në vitet 1920-1944
Që nga viti 1920-të kur Javer Bej Hurshit u zgjodh Prefekt i Gjirokastrës e deri në vitin 1944 kur ai dha dorëheqjen nga posti i Prefektit të Shkodrës, për afro 25 vite me radhë ai qëndroi në politikën shqiptare duke mbajtur poste të larta si: Kryetar Bashkie, Deputet (1925-1938), Ministër i Kulturës, zv/ministër i Kulturës, Prefekt, Drejtor i gazetës “Besa”, Anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe Anëtar i Asamblesë Kombëtare. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohe, ai punoi me një përkushtim të lartë në dobi të çështjes kombëtare dhe forcimin e konsolidimin e shtetit shqiptar. Në këtë kuadër, ai bashkëpunoi ngushte me disa nga personalitete nga më të spikaturit të atyre viteve, si Mihal Grameno, Faik Konica, Avni Rustemi, Padër Gjergj Fishta, Qamil Bej Vlora (i biri i Ismail Qemalit), etj. Shumicën e të cilëve ai i kishte miq të ngushtë. Javer Beu gjithashtu ishte një njeri human e besimtar i devotshëm dhe gjatë asaj periudhe kohe që ai ishte në ato funksione të larta, kontribuoi me shumë të mëdha parash duke financuar ngritjen dhe ndërtimin e disa objekteve të kultit e tempujve fetarë, siç ishte Xhamia e madhe e Shkodrës, punimet e së cilës i ndoqi vetë personalisht deri në mbarimin e saj. Po kështu dhe në Tiranë kur ishte në postin e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, (Senati), ai financoi për ngritjen dhe ndërtimin e Teqesë së Bektashinjve. Gjatë periudhës disa vjeçare që Javer Beu ishte në detyrën e Prefektit të Shkodrës, ai pati një miqësi të ngushtë me Padër Gjergj Fishtën, i cili në shenjë nderimi, i dhuroi me autograf veprën e tij madhore, “Lahuta e Malsisë”, (libri ruhet në gjëndje shumë të mirë nga i nipi i tij, Shahin Mehmet Hurshiti), ku ka shkruar: “Të ndritshmet Z. Javer Hurshiti, në peng çmimi dhe nderimi. Auktori, At Gjergj Fishta, 8.XII.1937”. Në vitin 1937, Javer Bej Hurshiti mirëpriti dhe përkrahu me të gjitha mundësitë e tij, iniciativën e parisë nacionaliste dhe administratës vendore të qytetit të Gjirokastrës që kryesohej nga juristi i njohur, Hasan Dosti, (ku bënte pjesë dhe Enver Hoxha, si përfaqësues i “Djemurisë Gjirokastrite”), për të shkuar dhe për të marrë eshtrat e dy patriotëve të mëdhenj, Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, të cilët ishin vrarë nga forcat serbo-malazeze dhe ishin varrosur në Fushën e Shtoit në periferi të Shkodrës. Javer Beu u morr dhe organizoi personalisht të gjithë ceremonitë zyrtare të rastit që u mbajtën atje për tre ditë, duke i përcjellë deri në dalje të qytetit kortezhin mortor. Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga italianët dhe gjermanët, ashtu dhe si shumë patriot e atdhetarë të njohur që sakrifikuan emrin e figurën e tyre në dobi dhe për interesat e larta të çështjes kombëtare shqiptare, edhe Javer Hurshiti, vazhdoi të qëndronte në ato detyra të larta që kishte pasur që nga koha e Monarkisë. Kështu në vitin 1941, gjatë demonstratës antifashiste të 28 nëntorit që u bë nga liceistët në Tiranë, ministri i Brendshëm i asaj kohe e thirri Javerin dhe i tha: ”Më vjen keq Javer Bej që në demonstratë morën pjesë dhe dy vajzat tuaja, Esmaja dhe Dakmareti”! Hurshiti ju përgjigj qetësisht: ”Zoti ministër, qenia ime në këto poste, nuk jua humbet të drejtën dy vajzave të mija për të qenë shqiptare”.
Krushqi me Ahmet Zogun e Ismail Qemalin
Po kështu nga fundi i vitit 1943 dhe fillimi i ‘44-ës, kur Javeri ishte Prefekt në Shkodër pati probleme të mëdha me gjermanët. Ai ndërhyri tek majori Hausding dhe njoftoi Ministrinë e Jashtme me një letër ku thuhej:”Ju bëj me dije se komanda gjermane e këtushme ka arrestuar katër hebrenj dhe ju ka kërkuar një shumë të madhe napolonash ari për lirimin e tyre. Ju lutem njoftoni menjëherë Komandën e Përgjithshme në Tiranë, që ata të mos ndërhyjnë në punët tona të brendshme, kur ato nuk kanë lidhje me ushtrinë gjermane”. Edhe pas kësaj proteste që bëri të mundur lirimin e katër hebrenjve, Hurshiti ndërhyri përsëri tek majori Hausding (shefi iGestapos në Shkodër) duke liruar disa të rinj komunistë shkodranë që priteshin të internoheshin në kampin e Prishtinës. Nga këto ndërhyrje aty nga mesi i vitit 1944, Javer Hurshiti pati konflikte të shumta me ministrin e Brendshëm, Xhafer Deva, duke u detyruar t’i paraqiste atij dorëheqjen e parevokueshme dhe dorëzoi detyrën. Në vitin 1943, familja Hurshiti lidhi krushqi me familjen e Ismail Qemal Vlorës. Kështu në atë kohë, djali i Ismail Qemalit që quhej Qamil (ish Konsull i Shqipërisë në Paris e Beograd) vajti në familjen e Javer Hurshitit në Tiranë dhe kërkoi mbesën e Javerit, Esmanë (vajzën e djalit tij Mehmetit) për ta marrë si nuse për djalin e tij, Ismail Qemalin (kishte emrin e gjyshit). Javeri e pranoi këtë dhe dy familjet Hurshiti dhe Vlora lidhën krushqinë ndërmjet tyre. Vite më pare, Javeri kishte lidhur dhe një krushqi tjetër, pasi Princi Habib i Turqisë që mori për grua motrën e Mbretit Zog, ishte nipi i Javerit (djali i motrës) e cila pas largimit të Javerit për në Shqipëri në vitin 1889, përfundoi në oborrin e Sulltanit ku dhe u martua.
Pushkatohet nga Gjyqi Special
Pas dorëheqjes nga detyra e Prefektit të Shkodrës, Javer Hurshiti u kthye në Tiranë pranë djalit, Mehmetit, që jetonte në një shtëpi me qera tek Pazari i Ri, ku dhe e gjeti mbarimi i Luftës në nëntorin e 1944-ës. Atij as nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend largimi nga Shqipëria, pasi nuk ndjente asnjë brerje në ndërgjegjen e tij, duke qenë se gjithë jetën kishte punuar vetëm për Shqipërinë. Por Javeri duket se ishte gabuar në ato parashikime. Kështu në janarin e vitit 1945-së atë e arrestojnë në shtëpinë e tij së bashku me djalin Mehmetin, dhe e nxjerrin në Gjyqin Special po në marsin e atij viti, ku ai mbajti një qëndrim burrëror. Hurshiti u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua pak ditë pas gjyqit, kurse djali, Mehmeti, u dënua fillimisht me 30 vite burg politik nga ku iu zbritën dhe vuajti 15 vjet. Pas lirimit ai u bashkua me familjen e tij në rrethin e Lusnjes ku ajo ishte e internuar dhe aty ndërroi jetë. Sipas asaj që ai I kishte treguar të birit të tij, Shahinit, pak kohë para se të ndërronte jetë, atë fund marsi të ftohtë të vitit 1945, kur po zhvillohej Gjyqi Special në Tiranë dhe u dhanë dënimet me vdekje për 19 persona që gjykoheshin aty, Mulla Halili, babai i Enver Hoxhës, i tha të birit:”Edhe Javer Beun do vrasësh ti?” Enveri ju përgjigj:”E vret populli, jo unë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016