Nga Arben Shahini
Memorie.al / Në datën 19 shkurt ’91 rreth orës 15:00, Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së, del me një deklaratë, duke theksuar se kushtet e jetesës së studentëve janë përmirësuar mjaft dhe u refuzua kërkesa e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, si i pabazuar. Qëndresa e Komitetit Qendror mori fund pas dy muajsh, kur emri Enver Hoxha i Universitetit të Tiranës, u hoq. Forca të shumta speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radio-Televizionit. Gjithashtu për këtë qëllim ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina “IFA” të ushtrisë.
Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijët e vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin.
Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të zmbrapste një pjesë të protestuesve, deri tek ish-Shkolla “Kosova”, ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.
Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radio-Televizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gaz lotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radio-Televizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”.
Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar. Afro 10 deri 15 ushtarë të forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes.
Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U Nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe forcash të ndërhyrjes së shpejtë dhe të rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti “Studenti”.
Adrian Heta: “Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit”
Turma e protestuesve qe dhe më energjike kur arriti në sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”. Në sheshin “Skënderbej” kaloi një auto-veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.
Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit, nëpërmjet “Rrugës së Elbasanit”. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut.
Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në “Bllokun” qeveritar.
Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek Sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër Sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në “Rrugën e Kavajës”, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve, për të gjetur midis tyre një shofer.
Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, Hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth, e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër, kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u sprapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina “IFA” të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale, të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetash, shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat Speciale, të ruajtjes së rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosura me “Shotgun” dhe armë të ndryshme, filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti.
Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të “Rrugës së Durrësit” dhe të “Kavajës” etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebelë.
Por, përpjekjet e policisë dhe të forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit duke bërtitur: “Fitore, Fitore”, u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të Sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli, bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç, i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë.
Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë Ambulancës Nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë. Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me Forcat Speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë “IFA” të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”.
Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapë, se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.
Astrit Hatellari: Unë vura litarin në grykën e diktatorit
Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Nga “Rruga e Durrësit” vijnë dy djem të rinj me një rrotull litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek Sheshi “Skënderbej” makina “IFA” e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin, që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit. Përpjekja e parë dështon sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një kavo çeliku jo shumë të gjatë, të cilën e lidhin me litarin. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër, e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë i ulur poshtë, të monumentit të diktatorit.
Pastaj u larguan të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Afro 100 mijë vetë që ndodheshin tek Sheshi “Skënderbej”, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarjeje të papërsëritshme, filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit. Ndërsa në momentin që do të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të pa përshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim qelbësirën”.
Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme, shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigant. Makina “IFA” e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigant përgjatë Sheshit “Skënderbej”. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej” e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.
Sulo Jaupaj: Me autobusin e minierës hoqa zvarrë Enverin
Pas gjithë këtyre, makina “IFA” e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të “Rrugës së Elbasanit”. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të Përndjekurve Politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigant të diktatorit. Gjithashtu makina “IFA” pëson defekt (i digjet freksioni), për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëput kavon nga makina dhe fillon të tërheqë vetë bustin e diktatorit, deri pranë Parkut të Lodrave në “Rrugën e Elbasanit”. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një “Skodë” e parkut të mallrave, me shofer Sulo Jaupaj.
Shumë demonstrues e lidhin këtë pjesë të mbetur të monumentit me “Skodën”. Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy km. nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të “Rrugës së Elbasanit”, për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur, vjen një autobus me ngjyrë të kuqe, që ishte i punëtorëve të minierës së Kërrabës. Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen Alla. Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve.
Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë. Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen përsëri tek Sheshi “Skënderbej”. Shumë prej tyre filluan të thyejnë bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u errësua, minatorët e Kërrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda, vazhdon itinerarin për tek “Rruga e Kavajës”. Në zonën pranë ambasadave, policia gjuan me snajper autobusin dhe i thyen dy xhama.
Arrestohen dhjetë minatorë, midis tyre; Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për minierën e Kërrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e Gjirokastrës dhe të Korçës, rrëzohen monumentet e diktatorit komunist. Radio-Televizioni Shqiptar, si dhe agjencitë e huaja të lajmeve, jepnin njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigant i diktatorit komunist.
Në ora 20:00 shfaqet në Radio-Televizionin Shqiptar Ramiz Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik ndër të tjera thotë: “Sot kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës”.
Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi Shtetit komunist, bazuar në filmimet e kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70 veta u dënuan me burgime të ndryshme, me akuzat për grumbullime të paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna./ Memorie.al












