Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
PJESA E DYTË
Humori
SHKOLLA, ARSIMI & KULTURA
SIKUR TË ISHA MBRET!
Në Gjirokastër bëheshin kurse për përvetësimin e gjuhëve të huaja nga intelektualët e qytetit. Kryesisht në frëngjisht. Frëngjishtja ishte gjuha e huaj, që mësohej në shkollën e mesme “Asim Zeneli”.
Në librari vinte dhe literaturë në gjuhë të huaj, sipas porosisë së bërë nga individët në katalogët periodikë të literaturës së huaj, si dhe pjesë të ndryshme letrare, përralla etj. Për këtë literaturë interesoheshin pikërisht ata që kishin kryer studime jashtë, si dhe ata që mësonin gjuhën e huaj në Shqipëri. Zotia njihej me të gjithë lexuesit, por sidomos me ata të letërsisë në gjuhë të huaj dhe bënte çmos t’u siguronte librat e porositur.
Një ditë, kur po ju shërbente në librari disa intelektualëve të qytetit, i pyeti edhe për nivelin ku kishin arritur me frëngjishten. E mori fjalën Ai, miku i Zotes, që ishte me i avancuar se shokët. E sqaroi Alizotin se ndiheshin mjaft mirë, kishin përfunduar metodat, po lexonin literaturë …! Zotia donte t’i ngacmonte. Ai e dinte mirë se çdo të thotë të mësosh mirë një gjuhë të huaj, kur përditë e kupton se ke mangësi në “gjuhën e nënës”. Miku i doli në “shteg” me atë entuziazmin që shprehu.
– “Po ja, për shembull, e përktheni dot një shprehje të vogël nga frëngjishtja në shqip”?
– “Thuaje ta dëgjojmë një herë”, – ju përgjigj përsëri miku i Zotes në emër edhe të shokëve të kursit të gjuhës, që ndodheshin bashkë me të në librari.
– “Si zhete rua”, – shqiptoi Zotia në frëngjisht, shprehjen që shkruhet; “Si j’etai roi”!
– “Sikur t’isha mbret”! – u përgjigj me zë të lartë dhe i kënaqur ai, që mundi ta përkthente shprehjen e provës, duke u nderuar para Alizotit dhe të pranishmëve.
– “Do na ruaje… vreshtat”! – iu përgjigj Alizoti thirrjes dëshirore; “Sikur të isha mbret”, të sapo-përkthyer.
Të gjithë qeshën me grackën plot humor, ndonëse me nënkuptim banal, që i ngriti Alizoti miqësisht. Mesazhi i kësaj “gracke” u bë shkak të vazhdojë diskutimi i përbashkët për pafundësinë e gjuhës.
SHKOLLA E NATËS
Në kuadrin e masivizimit të arsimit, politikë kjo e ndjekur në vitet 1955 – ‘75, u hapën shkollat e natës. Në të njëjtat shkolla, ku bëhej mësim ditën me nxënësit e rregullt, bëhej mësim dhe natën, për ata që ishin në marrëdhënie pune. Kështu punëtorët e specialistët e ndërmarrjeve të ndryshme ekonomike, pasi kishin realizuar detyrat në punë, shkonin mbas dite në shkollë, nga ora 16.00 deri 20.00. Pas mësimit shkonin në shtëpi, kuptohet shumë të lodhur, e duhej të mësonin e të bënin detyrat e shtëpisë për ditën tjetër të shkollës.
Mësimi ishte i organizuar një ditë po, një ditë jo. Kuptohet, niveli në shkollën e natës ishte më i ulët se ai i shkollës së ditës, ndonëse sistemi i konsideronte ekuivalente. Ky problem, i cilësisë së mësim-dhënies e veçanërisht, i mësim-nxënies nga nxënësit – punëtorë, diskutohej shpeshherë. U hap kjo temë kur unë po ndihmoja Zoten në librari. Po debatohej ekuivalenca e shkollës së ditës me atë të natës. U krijuan vetvetiu dy grupe, që argumentonin këndvështrime të ndryshme.
Zotia u shmangej diskutimeve në grupe me njerëz të panjohur mirë prej tij. Edhe në këtë rast, ndonëse problemi ishte mjaft i thjeshtë, vështirësia qëndronte tek politizimi, që i bëhej nga fanatikët dhe injorantët. Sido që të jetë, Zotes ju kërkua mendim dhe diçka duhej të thoshte, qoftë dhe me variantin, “as mish as peshk”. Po Zotia e kish të rëndë konformizmin, po që se fliste, dhe u tha:
– “Nuk më mbushet mëndja që shkolla e natës të ketë të njëjtën vlerë si ajo e ditës. Më duket se nuk e bën dot hëna punën e diellit. Dhe dielli është diell! Edhe kungulli që është kungull, i do tre muaj diell që të piqet”!
ARSIMI DHE KULTURA
Rastiste që njerëz me arsim të lartë të mos reflektonin kulturë edhe në sjelljet më të zakonshme. Kjo në Gjirokastër binte menjëherë në sy. Dhe ca më tepër kur kjo rastiste brenda në librari!
– “Nuk i falet, është dhe njeri me kulturë”! – u shpreh dikush nga të pranishmit, sapo doli nga libraria një person, që nuk i respektoi ata.
– “Ah, mos i ngatërroni gjërat! – iu hodh Zotia që, me sa u duk më vonë, nuk ishte i të njëjtit mendim me të -. Me sa di unë, ai ka mbaruar shkollën e lartë për…”!
– “Po pse, pak është, mo Alizot, ç’duhet të bëjë tjetër ki, mo? Mos duhet të bëjë ndonjë fakultet tjetër, që të mësojë të përshëndesë, kur hyn në librari në mes të njerëzve? Uu, mos thotë tjetri as mirëdita! Dhe një pa shkollë nuk e bën atë që bëri ai me ne. Unë çuditem me ti, Alizot, që i del në krah”! – shfaqën vendalinjtë pakënaqësinë, që u ngjalli edhe një detaj i vogël i sjelljes jo të mirë të një individi.
Ndodhi të tilla nuk ishin të shpeshta në Gjirokastër. Romuzet karakteristike të qytetit nuk i favorizonin ato. Kjo mund të ndodhte përkohësisht me ndonjë të porsaardhur, ose ndonjë tjetër, që nuk dëgjonte nga ai vesh. – “Ndaj thashë, që mos t’i ngatërroni gjërat. – vazhdoi arsyetimin Zotia. – Ai ka bënë shkollën e lartë, domethënë është arsimuar dhe ka mësuar një profesion.
Po ta ketë mësuar mirë, mund të quhet njeri i arsimuar, ose profesionist i mirë dhe s’është pak! Kurse me kulturën, me sa kam vënë re unë, s’e lidh gjë fare atë. Ti shikoje, në librari futet një herë në vit dhe blen a s’blen një gazetë. Një njeri, që ka mbaruar shkollën e lartë e, që s’lexon një libër …, s’di ç’emër t’i vë! Apo e kam gabim”? – kërkoi mendim nga të tjerët Alizoti dhe e pa se po e miratonin me kokë.
– “Po ngatërresa time ku vajti, mo Alizot, se më duket po thomi të njëjtën gjë e, s’po merremi vesh”? – e pyeti bashkëbiseduesi.
– “Nuk po themi të njëjtën gjë, këtë dua të shpjegoj. – i tha Alizoti. – Ti të erdhi keq sepse e konsideron njeri me kulturë, ndërsa unë po them tjetrën, që ai ka arsim, po s’ka kulturë. Le ta marrim shtruar. Ti fole për sjelljen. Po ne e dimë mirë se edukata mësohet në familje, ta mëson gjyshja, që s’ka asnjë klasë shkollë, po ka kulturën e trashëguar nga të parët, që ka brenda sjelljen e mirë, ka komunikimin e ëmbël, ka dashurinë për njerëzit, di të respektojë, ka eksperiencën e jetës…!
Këto janë pjesë të rëndësishme të kulturës. Këto që i mungojnë atij. E që ta mbyllim këtë muhabet, mos harroni se ndaj i thonë ‘Ministria e Arsimit dhe e Kulturës’, pra, ka arsim, po ka dhe kulturë! Aq sa janë të lidhura, janë dhe të ndara me njëra – tjetrën. Ne nuk e dimë akoma se Arsimi është vetëm një pjesë e vogël e Kulturës”, – e përfundoi bisedën Alizoti.
* * *
Sa e sa herë e kam dëgjuar Zoten të diskutojë në librari për arsimin dhe kulturën. Atij i vinte keq, që disa njerëz e konsideronin se arsimi i lartë ishte gjithçka, që përmblidhte dijet dhe kulturën. Ata nuk kishin faj. Brezi i tyre pati liceun francez, arsimimin më të lartë në qytet.
Dhe atë nuk kishin mundësi ekonomike ta ndiqnin të gjithë, ndonëse e kishin ëndërr. Por dhe ky lice u transferua nga Gjirokastra në Korçë. Kurse për shkolla të larta, nuk bëhej fjalë. Ato mund të bëheshin vetëm jashtë Shqipërisë nga fëmijët e të pasurve, që përveç pasurisë, kishin edhe mend./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













