Pjesa e dytë
Memorie.al / Në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, ndodhet një shtet i vogël – Shqipëria. Për një turist, vendi do të jetë interesant kryesisht, jo për pamjet e tij natyrore dhe arkitekturore, të cilat praktikisht ekzistojnë me tepri këtu, por për historinë e tij. Fakt është se pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria në atë kohë, me në krye Enver Hoxhën, filloi gradualisht procesin e izolimit të Shqipërisë nga bota e jashtme. Dhe problemi është se; diktatori Hoxha, u tmerrua nga një sulm imagjinar dhe si Don Kishoti, luftoi me mullinjtë e erës. Le të mësojmë më shumë për këtë histori…!
Shepilov, mori pjesë në këtë kongres dhe mbajti një fjalim nga tribuna e tij Në vitet 1948-1951, në të gjithë vendin si dhe organizatat e partisë, u nis një fushatë “për të luftuar armiqtë e popullit dhe agjentët e Titos”. Sipas Kodit Penal shqiptar (1948), afati maksimal i internimit ose i burgimit, ishte 30 vjet.
Kongresi i Dytë i Partisë së Punës së Shqipërisë që u mbajt në vitin 1952, shpalli planet e projektet për rindërtimin e vendit dhe zhvillimin e planifikuar të tij. Plani i parë 5-vjeçar, për Shqipërinë, u zhvillua nga specialistët sovjetikë. Stalini dhe Hoxha, bënë një sërë rregullimesh në këtë plan, pas së cilës ai u dërgua në Shqipëri, ku po shpalosej kolektivizimi i bujqësisë, ndërtimi i termocentraleve dhe ndërmarrjeve që përpunonin lëndë të para të ndryshme shqiptare.
Lidhjet e Shqipërisë me Kinën, Vietnamin, Republikën Demokratike Gjermane dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore të Evropës Lindore, filluan të zhvillohen. Në fillim të viteve 1950-të, u ndërtuan disa fabrika për mirëmbajtjen e automjeteve prodhim sovjetik “ZIS” dhe “ZIM” në Tiranë dhe Durrës, një dhuratë nga Stalini për Shqipërinë. Po ashtu, e ndihmën e BRSS-së (Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike), u ndërtuan hekurudha dhe shkolla, qytete e qyteza të reja dhe u pajis ushtria shqiptare me të gjitha armatimet dhe logjistikën e nevojshme.
Në një fjalim në Kongresin XIX-të të Partisë Komuniste Sovjetike, Hoxha foli për rolin pozitiv të Stalinit, sukseset e BRSS-së, kritikoi SHBA-në, Perëndimin dhe Titon. Ndërsa ishte ende në Moskë, Hoxha miratoi një tjetër “spastrim” në Shqipëri, i cili zgjati deri në vitin 1955. Pas kthimit në Tiranë në janar 1953, pak më vonë, ai mësoi vdekjen e Stalinit. Ai u bë më i kujdesshëm ndaj udhëheqësve të rinj në Moskë dhe më i ngurtë në vendin e tij. Më 5 mars 1953, Hoxha nuk shkoi në funeralin e Stalinit, duke u justifikuar me një sëmundje të papritur. Nuk ishte i pranishëm ato ditë në Moskë, as dhe Mao Ce Duni. Si Hoxha ashtu edhe Mao, dyshonin se pasardhësit e Stalinit, po komplotonin kundër tyre.
Politikë e jashtme e Shqipërisë së Enver Hoxhës
Nga pamja e jashtme asgjë nuk ka ndryshuar: Enver Hoxha, si më parë, në shtypin sovjetik, quhej mik dhe aleat, kurse Shqipëria u quajt si vend vëlla. Por kontradiktat e fshehta u rritën më pas, pasi Hoxha nuk ishte dakord me politikën e Hrushovit, për liberalizimin e jetës së BRSS-së. Në Kongresin XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kur Hrushovi mbajti një raport sekret për “kultin e personalitetit” të Stalinit, Hoxha dhe Çu En Lai, u larguan nga kongresi në shenjë proteste, pa pritur mbylljen e tij.
Pak kohë më pas (në vitin 1956) në Shqipëri u mbajt Kongresi III i PPSH-së (1956), në të cilin shumë delegatë, nën ndikimin e raportit të Hrushovit në Moskë, kritikuan ashpër Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Besohet se ky aksion, është përgatitur me ndihmën e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të udhëhequr e ndikuar prej Nikita Hrushovit.
Mirëpo, në të njëjtin vit, në Shqipëri filloi një fushatë e re kundër “rivendosjeve të kapitalizmit”, gjatë së cilës u arrestuan dhe u dënuan me qindra kundërshtarë të Hoxhës dhe familjet e tyre. Udhëheqja e Shqipërisë (së bashku me krerët e Partisë Komuniste) nuk pranoi të bënë politikat e destalinizimit në jetën e vendit dhe të hiqte gjithashtu emrin e tij me të cilin ishin pagëzuar qytete, ndërmarrje, fabrika, kombinate, rrugë etj., në mbarë vendin.
Madje, në prag të 80-vjetorit të Stalinit, Enver Hoxha vendosi në hierarkinë e medaljeve dhe dekoratave, edhe “Urdhrin e Stalinit”. Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare u përkeqësuan dhe pas disa vitesh, (në 1961) u ndërprenë për fare. Prishja me Shqipërinë, e privoi BRSS-në nga një bazë ushtarake detare shumë e rëndësishme në Ballkan (Baza e Pashalimanit në Vlorë) dhe ajo gjë kontribuoi në rënien e autoritetit të Hrushovit. Në të njëjtën kohë, udhëheqja komuniste shqiptare, u afruan më shumë me Kinën. Udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze, në vitin 1957, i siguroi Hoxhës, mbështetje politike dhe ekonomike.
Në verën e vitit 1959, Hrushovi erdhi në Shqipëri, me shpresën se do t’i detyronte udhëheqësit e saj, të ndryshonin politikat e tyre dhe kërcënoi se do të ndërpriste ndihmën për Tiranën. Por mosmarrëveshjet, nuk mund të zgjidheshin. Në vitin 1962, Shqipëria u tërhoq nga KNER-i (Komiteti i Ndihmës Ekonomike e Reciproke), dhe në vitin 1963, njoftoi se nuk kishte ndërmend të paguante borxhet e BRSS-së dhe aleatëve të saj.
Enver Hoxha u ri fokusua te Kina dhe “e mbylli” vendin me pjesën tjetër të botës. Në vitet 1960-’70-të, Shqipëria bashkëpunoi me Kinën dhe kishte nevojë për ndihmën e saj ekonomike e teknike. Me një shumëllojshmëri burimesh natyrore, vendi kishte nevojë të madhe për industri përpunuese, komunikime, investime dhe personel të kualifikuar. Potenciali mbrojtës i Shqipërisë në ato vite u mbështet edhe nga importet. Prandaj, Hoxha, me gjithë “papajtueshmërinë” ideologjike me maoistët, kontribuoi në çdo mënyrë në bashkëpunimin shqiptaro-kinez.
Nga viti 1962 deri në vitin 1972, Shqipëria përfaqësonte interesat e Partisë Komuniste Kineze në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe që nga viti 1972, kinezët dhe shqiptarët në OKB, kritikuan së bashku udhëheqjen e BRSS-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u kërkuar vendeve në zhvillim, të bashkohen në luftën kundër superfuqive. Për Partinë Komuniste Kineze, Shqipëria për një kohë të gjatë, mbeti e vetmja aleate politike në Evropë dhe botë, një “zëdhënës” në OKB dhe një partner i rëndësishëm propagandistik i saj.
Në fund të viteve 1960, Partia Komuniste Kineze, ra dakord të pajtohej me Perëndimin dhe si rezultat, marrëdhëniet shqiptaro-kineze u përkeqësuan ndjeshëm. Në vitin 1968, Hoxha njoftoi tërheqjen e tij nga Traktati i Varshavës, menjëherë pas hyrjes së trupave sovjetike në Çekosllovaki. I vetmi vend i “Bllokut të Varshavës”, me të cilin ruanin marrëdhëniet shqiptarët, ishte Rumania, lideri i së cilës, Çaushesku, dënoi pushtimin e Çekosllovakisë. Enver Hoxha vazhdoi të ofrojë ndihmë (ideologjike) për Indokinën, vendet arabe, viktimat e “agresionit izraelit” (si dhe Republikën Arabe të Egjiptit, e shpallur në 1967 dhe duke luftuar ndërhyrjen marokene) dhe intensifikoi marrëdhëniet me Kubën.
Për shkak të reduktimit të kontakteve ekonomike me Kinën, Shqipëria rifilloi tregtinë me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, me përjashtim të BRSS-së. Duke vazhduar të kritikonte Titon, Hoxha autorizoi shkëmbime tregtare edhe me Jugosllavinë. Por Shqipëria, ende refuzoi me vendosmëri të bashkëpunonte apo të hapej me Perëndimin.
Enver Hoxha e respektonte De Golin, i cili nga ana e tij simpatizonte Hoxhën dhe Shqipërinë e pavarur nga SHBA-ja dhe BRSS-ja. Kjo kontribuoi në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-franceze, madje thuhet se përfshirë edhe në fushën ushtarake. Për shumë çështje (Palestina, Indokina, Afrika e Jugut, armët bërthamore, etj.), De Gaulle dhe Hoxha, kishin qëndrime të ngjashme. Kongresi VIII-të i Partisë së Punës së Shqipërisë (në nëntor 1981) shpalli fitoren e socializmit dhe fillimin e ndërtimit të komunizmit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, Hoxha filloi përpjekjet për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me jashtë.
Arsyet ekonomike e detyruan Shqipërinë të rriste tregtinë me Jugosllavinë, vendet skandinave, me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (përveç BRSS-së), Iranin etj., dhe të rifillonte tregtinë me Kinën në vitin 1984. Hoxha nuk u pajtua me udhëheqjen e BRSS-së dhe udhëheqja sovjetike, nuk i është përgjigjur kritikave dhe sulmeve ndaj Tiranës, që nga viti 1965. Shqipëria u mbyll me botën e jashtme edhe në mjetet e informimit masiv (Shtypi e Radio-Televizioni) dhe propaganda sovjetike, heshti për zhvillimin e Shqipërisë. Në vitet 1978 dhe 1983, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i ofroi Tiranës, normalizimin e marrëdhënieve, por në këmbim mori kritika dhe ultimatume, të cilat u shpërfillën nga krerët sovjetikë.
Politika e brendshme
Politika e brendshme e Enver Hoxhës, korrespondonte me “modelin stalinist”, të cilin ai e konsideronte si më të pranueshëm dhe kulti i personalitetit të Hoxhës në Shqipëri, i ngjante kultit të personalitetit të Stalinit, të cilin ai e konsideronte një lider model. Në veçanti, uniformat dhe shenjat ushtarake në Shqipëri, u kopjuan nga dizajnët sovjetike të epokës staliniste. Brenda vendit, policia sekrete shqiptare (Sigurimi i Shtetit) përdori metoda represive të huazuara nga KGB-ja dhe Ministria e Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore. Për të zhdukur veprimtarinë e opozitës së brendshme, autoritetet i’u drejtuan “spastrimeve” sistematike – kundërshtarët e regjimit u pushuan nga puna, u dërguan në punë të rënda, u internuan, dhe madje disa u ekzekutuan.
Deri në fund të viteve 1980-të, kulti i Stalinit u ruajt i paprekur në Shqipëri, qyteti modern i Kuçovës mori emrin e tij, veprat e Stalinit u ribotuan (përfshirë në rusisht), ditëlindjet dhe vdekjet e Stalinit, u festuan zyrtarisht gjerësisht (si dhe Ditët e Leninit dhe përvjetori i “Revolucionit të Tetorit”). Tashmë pas vdekjes së Hoxhës, në vitin 1985, me rastin e vdekjes së V. M. Molotovit, në Shqipëri u shpall zi kombëtare. Armiqtë ideologjikë të regjimit komunist në Shqipëri, etiketoheshin “hrushovianë” dhe “titistë”; atyre iu bënë akuza sikur kishin lidhje komunikimi të fshehta me autoritetet e BRSS-së dhe Jugosllavisë, që kufizohesh me Shqipërinë. Përdorimi i këtyre akuzave, ishte i ngjashëm me “trockistët” në BRSS-ën në vitet 1930.
Në kushtet e përballjes me vendet e tjera socialiste të Europës Lindore, Hoxha bëri thirrje për “të jetuar, punuar dhe luftuar si në rrethim”, bazuar në tezën e “ndërtimit të komunizmit të rrethuar nga revizionistët dhe imperialistët”. U adoptuan parullat dhe metodat sovjetike të viteve tridhjetë dhe dyzetë. Në Shqipëri gjithçka iu nënshtrua jetës kolektive. U bënë fushata “anti-revizioniste”, “spastrime” të aparatit shtetëror partiak. Shkëmbimi i produkteve (kleringu) u fut me shpejtësi në vend, duke zëvendësuar marrëdhëniet mall-para. Qytetarëve u ndalohej të kishin makinë, një vilë, të dëgjonin muzikë rock, xhaz, të mbanin xhinse, të përdornin kozmetikë të vendeve “armike”, etj.
Në vitin 1967, pas dy dekadash persekutimi gjithnjë e më të ashpër të Kishës Katolike dhe Ortodokse, si dhe klerit mysliman e bektashinjve, Hoxha e shpalli solemnisht vendin e tij, si shtetin e parë ateist në histori. I frymëzuar nga Revolucioni Kulturor Kinez, ai konfiskoi pronat dhe ndërtesat e xhamive, kishave, manastireve dhe objekteve të tjera të kultit. Shumë nga këto ndërtesa u çmontuan apo u shkatërruan, ndërsa të tjera u kthyen në punishte, magazina, stalla dhe kinema.
Prindërve u ndalohej t’u vendosnin emra fetarë fëmijëve të tyre. Edhe respektimi i fshehtë i riteve fetare, ndalohej me ligj dhe persekutohej. Dihet një rast i ekzekutimit në Krujë, të një prifti katolik (nga fshati Gurëz i Kurbinit), që pagëzoi një fëmijë në shtëpi. Një brez i tërë u rrit në Shqipëri, pa shkuar në kisha dhe xhami. Enver Hoxha tha: “Shqiptarët nuk kanë idhuj dhe perëndi, por ka ideale – ky është emri dhe vepra e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit”.
Hoxha besonte se nëse politikanët dhe aq më tepër komunistët kanë privilegje, atëherë partia nuk mund të konsiderohet komuniste dhe vendi nuk mund të konsiderohet socialist. Që nga mesi i viteve tetëdhjetë, me udhëzimet e tij, punonjësve në aparatin partiak dhe shtetëror, u janë ulur pagat. Kjo bëri të mundur kursimin e parave për rritjen e pensioneve dhe përfitimeve, pagat në bujqësi dhe rritjen e pagave të punëtorëve dhe punonjësve. Në vitin 1960 u hoq tatimi mbi të ardhurat dhe në 1985, u hoq taksa për beqarët dhe familjet e vogla. Nga mesi i viteve shtatëdhjetë, deri në vitin 1990, çmimet me pakicë për shumë mallra dhe shërbime, u ulën çdo vit në vend.
Prishja me Kinën, izolim i plotë
Pas Kongresit të 7-të të PPSH-së (1976), në Shqipëri u miratua një ligj, që ndalonte kreditë dhe huat e huaja. Në atë kohë, në vend funksiononte një mekanizëm social-ekonomik, i cili ishte një kopje e saktë e mekanizmit që funksiononte në 1946-1953, në BRSS. Shqipëria kaloi drejt vetë-mjaftueshmërisë së plotë në ushqime, ilaçe, pajisje industriale dhe energjetike, filloi të eksportonte shumë mallra të përpunuara, duke reduktuar eksportin e lëndëve të para.
Hoxha që nga ajo kohë, mund të përballonte grindjet me Kinën, duke forcuar më tej centralizimin e të gjitha burimeve të Shqipërisë dhe izolimin e saj në politikën e jashtme. Megjithatë, disa nga kolegët e Hoxhës (Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Todi Lubonja), u përpoqën të ndikonin tek ai, që të intensifikojë lidhjet me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe me Jugosllavinë dhe të mos shkojë në një shkëputje “në shkallë të gjerë”, me Partinë Komuniste të Kinës.
Por ai shpalli ata si “armiqtë të popullit dhe të partisë”. Në vend filloi sërish “spastrimi” i personelit në të gjitha nivelet, i cili vazhdoi deri në vdekjen e Enverit. Kina në vitin 1978, ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Hoxha deklaroi se: ish -“miqtë”, janë kthyer në një “bandë oportunistësh dhe mercenarësh të Perëndimit”. Pas një sherri me Kinën, Shqipëria u mbyll edhe më shumë se pas prishjes me BRSS-në. Fushatat neo-staliniste në vend, tashmë ishin të përvitshme. Në të njëjtën kohë, Hoxha akuzoi Moskën dhe Pekinin, për revizionizëm.
Në vitin 1981, Hoxha kreu një spastrim të ri, duke ekzekutuar disa zyrtarë partiakë dhe qeveritarë, me në krye Mehmet Shehun (kryeministër që nga viti 1953) e Kadri Hazbiun. Në vitet 1983-1985, shëndeti i Hoxhës u përkeqësua ndjeshëm, ai pësoi infarkt, goditje në tru dhe iu përkeqësua diabeti. Pas kësaj, ai nuk kontrollonte dot asgjë në drejtimin e vendit, duke ia dorëzuar shumicën e kompetencave dhe detyrave, Ramiz Alisë. Në mars 1985, mjekët i sugjeruan Hoxhës, një pushim të gjatë, për shkak të rritjes së problemeve të funksionimit të zemrës.
Vdekja e Hoxhës
Natën e 11 prillit 1985, pas një hemorragjie në tru, Enver Hoxha vdiq në moshën 76-vjeçare, pikërisht një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet në BRSS. Zia në Shqipëri, zgjati 9 ditë. Nga jashtë, vetëm liderët e “partive të vërteta marksiste-leniniste” dhe emisarët nga Republika Demokratike Popullore e Koresë së Veriut, Vietnami, Kuba, Rumania, Laosi, Kamboxhia, Nikaragua, Irani dhe Iraku, u lejuan në Tiranë. Telegramet e ngushëllimeve të dërguara nga vende të huaja, përfshirë BRSS-ën, Kinën dhe Jugosllavinë, u kthyen nga shqiptarët, përveç ngushëllimeve të Fidel Castro, Nikolae Çausheskut dhe Kim Il Sung. Lamtumira e Hoxhës u bë në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, fare pranë monumentit të Stalinit dhe Leninit.
Rezultatet e udhëheqjes shqiptare!
Enver Hoxha u përpoq të ndërtonte një shtet socialist, sipas modelit sovjetik të periudhës së Stalinit. Ai e udhëhoqi vendin në kushtet e izolimit pothuajse të plotë ndërkombëtar. Propaganda zyrtare shqiptare, pretendonte se Shqipëria komuniste kishte siguruar plotësisht nevojat e saj ushqimore, kishte zhvilluar industrinë, kishte elektrifikuar shumicën e zonave rurale dhe kishte zhdukur analfabetizmin dhe sëmundjet. Me rënien e regjimit komunist, perdja e hekurt u hoq. Shqipëria nuk ishte aspak vendi i industrializuar, i përparuar, siç pretendonte propaganda komuniste. Në fakt, ishte një vend i prapambetur për standarde jo vetëm të vendeve kapitaliste Perëndimore, por edhe të vendeve të Bllokut Lindor, si Bullgaria dhe Rumania.
Industria shqiptare ishte e vjetruar në zhvillim, bujqësia ishte tejet e prapambetur dhe komunikimet telefonike, të përdorura prej kohësh në vendet fqinje, mbetën të paarritshme për të gjithë shqiptarët, me përjashtim të zyrtarëve të lartë të Partisë së Punës. Pagat e punëtorëve dhe standardi i jetesës, ishin shumë të ulëta në krahasim me standardet e çdo vendi europian, gjë që solli emigrimin masiv të punëtorëve shqiptarë drejt Greqisë dhe Italisë fqinje, ku standardi i jetesës edhe tek emigrantët e paligjshëm, ishte më i lartë se në Shqipëri. Memorie.al













