Nga Harallamb Kota
Pjesa e dytë
Memorie.al / Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arsimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I ati ishte njeri shumë praktik, tregtar dhe merrej me tregti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë.
Më 5 shtator 1928, Dr. Koço Kotta u zgjodh kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marrëdhëniet civile, tregtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi.
Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, kryeministri Kotta, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kotta theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.
Në vitin 1930, Koço Kotta u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e parë të tij, zgjodhi Dr. Koço Kotta-n Kryetar Parlamenti. Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për “Reformën Legjislative dhe Kodin Civil”.
Në vitin 1932, Dr. Koço Kotta, mandatohet përsëri deputet i Korçës në Parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqendroheshin mbi problemet e arsimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe traditave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197, 206 e 207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësve, me gra të huaja”.
Mbreti Zog më 9 nëntor 1936, dekretoi Dr. Koço Kotta-n kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare (Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë. Më 31 janar 1937, Parlamenti i dha votëbesimin qeverisë së Koço Kottës.
Në detyrën e kryeministrit, Koço Kotta u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marrë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër Monarkisë.
Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kotta dhe dekretuar nga Mbreti Zog-I-rë, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të merrnin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik.
Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindësi i madh Fan S. Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937, nga Ahmet Zogu dhe Koço Kotta.
Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekret-ligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.
Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Et’hem Toto, ish ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kottën në Paris, për të biseduar me ta, të arrinte kompromise dhe t’u mbushte mendjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave, vendosën kthimin në Shqipëri.
Në gusht të vitit 1938, Koço Kotta vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmendje kryeministrin e i tha: – “Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi”.
Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.
Në shtator 1938, Koço Kotta, Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një marrëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane”, me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marrëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën Kurorën perandorake të Savojës.
Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kottës nga Qeveria”. Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare. Mbreti sapo kapërceu Kapshticën, e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste, në mërgim. Më 7 prill 1939, Koço Kotta i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga Oborri Mbretëror dhe u sistemua në Selanik.
Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish- kryeministri Koço Kotta, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar, nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë e Regjencës, të ngritura nga Ushtria Gjermane.
Në pranverë të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mit’hat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar, federatë apo konfederatë. Sipas Mit’hat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo – përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kotta – përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë, ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke, për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës, në shtetin shqiptar të pasluftës.
Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio-Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranueshëm nga Legaliteti. Dr. Koço Kotta i kërkoi z. Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z. Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi, duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”.
Projekt-idea e fundit, e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk, kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranueshme nga qeveritë kuislingë shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mit’hat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.
Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri
Një rruge në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë, të cilës në vitet ‘30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kotta”, pas pushtimit fashist, italianët asaj rruge ia hoqën emrin “Koço Kota” dhe i vunë emrin “Rruga Galeaco Çiano”, kurse pas vendosjes së regjimit komunist, po asaj rruge, iu hoq emri “Galeaco Ciano” dhe iu vu emri “Rruga Qemal Stafa”.
Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik, së bashku me oficerin shqiptar Andon Sheti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në Gjyqin Special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kotta-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.
Lidhur me mos organizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kotta ka thënë: “Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur….! Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….! Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar, Koço Kotta deklaroi: “Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarrës në bisedime si person privat”. Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të regjimit komunist, Dr. Koço Kotta u gjykua nga gjyqi farës, i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve, Koxi Xoxe.
Ish- kryeministri Koço Kotta, u dënua me burg të përjetshëm nga Gjyqi Special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kottës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eliminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pa kompromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.
Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist
Më 24 nëntor 2014, Dr. Koço Kotta u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit”, pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kotta, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të atdheut e të kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i regjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes së tij, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar. Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr. Koço Kotta./ Memorie.al













