• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, January 16, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Të Ndryshme

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes Elena, ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

Nga Mr. Sc.  Nikollë LOKA

Pjesa e tretë

Memorie.al / Të parët e familjes Gjika largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Kostandinopojë, në kërkim të një jete më të mirë. Ata u morën me tregti dhe arritën të hynin në lagjen “Fanari”, ku qëndronin të krishterët e pasur të Perandorisë. E vazhduan profesionin e tregtarit, madje edhe Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë, e ushtronte këtë profesion kur u njoh me kryevezirin me origjinë shqiptare, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjiste shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Familja Gjika, ndoshta në kohën e Gjergjit, shpërngulet nga Kostandinopoja dhe vendoset në territoret rumune, që përfitonin prej statusit të “Dar al sulli”, – toka e pajtimit, që u lejonte këtyre territoreve të kishin strukturat e tyre politike, administrative dhe ushtarake, pra të kishin vetëqeverisje të plotë të brendshme, ndërsa politikën e jashtme ishin të detyruar ta harmonizonin me shtetin osman, sipas parimit se principatat danubjane do të ishin “miku i mikut dhe armiku i armikut” të Perandorisë Osmane.

                                                           Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

Përse shteti shqiptar, duhet ta kremtojë 1 Shtatorin – ditën e shpalljes së Mbretërisë?!

Kalendari Historik 2 Dhjetor 2024

Përveç dhjetë princërve sundues të Vllahisë dhe Moldavisë dhe dy kryeministrave të Rumanisë, familja Gjika ka dhënë edhe disa figura të tjera të shquara jo vetëm për shoqërinë rumune të periudhës kur jetuan, por edhe për shoqërinë europiane në tërësi. Madje për personalitetet e shquara të Gjikajve nuk mund të thuhet fjala e fundit, sepse ata janë të shumtë, kudo nëpër botë, në funksione dhe profesione të rëndësishme. Disa nga personalitetet e shquara Gjika do të përmenden në këtë shkrim, ndërkohë që e ndjejmë si detyrim të pasqyrojmë në shkrimet e ardhshme biografi të tjera të tyre, pasi universi i Gjikajve për opinionin shqiptar mbetet ende një botë në zbulim.

Albert Gjika

Përveç princave të njohur Gjika, në kohën e vet përmendet edhe Albert Gjika, i cili kreu misione diplomatike pranë Portës së Lartë. Ai ishte kryetari i Delegacionit të Perandorisë Osmane në bisedimet me Austrinë dhe nënshkrues i Traktatit të Beogradit në vitin 1738.

Elena Gjika

Elena Gjika, e njohur për opinionin publik edhe me pseudonimin e saj letrar Dora D’Istria ishte shkrimtare, historiane, etnografe, alpiniste, luftëtare e shquar për çlirimin e Shqipërisë dhe emancipimin e saj. Elena lindi në Bukuresht më 22 janar të vitit 1828. Ishte bija e Mihal Gjikës (1794-1850) dhe mbesa e princit në detyrë, Grigori IV Gjika. I ati ishte arkeolog dhe numazmatolog, themelues i koleksionit të pullave postare në Muzeumin Kombëtar të Bukureshtit. Ndërsa e ëma, Catincai Gjika (Foca) ishte një shkrimtare dhe përkthyese, grua me bukuri të rrallë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Vetë Elena mori edukim të zgjedhur. Arsimin fillestar dhe të mesëm i kreu në Konstanca e Bukuresht, ndërsa arsimin e lartë e filloi në Vjenë dhe e përfundoi në Drezden dhe Berlin. Elena u bë njëra ndër gratë më të kulturuara europiane të kohës së vet. Që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare dinte nëntë gjuhë të huaja. Në turin e parë europian me familjen, ajo i habiti oborrtarët e Uilliamit IV të Prusisë, kur përktheu në gjermanisht mbishkrimet latinisht të një artefaku të vjetër, që ishte sjellë në Pallat prej Humboldit. Mrekullia e vogël, siç i thoshin në atë periudhë, dinte përmendësh Homerin në gjermanisht. Elena shkroi mjaft libra që trajtojnë çështje të artit, ekonomisë politike, historisë, filozofisë, folklorit, si dhe tregime, mbresa, përshtypje udhëtimi etj. Veprën e saj të parë e botoi në gjuhën frënge në vitin 1855. Në botimet e saj ajo përdori jo vetëm rumanishten, por edhe gjuhën italiane, gjermane, frënge, latine, greqishten e vjetër dhe moderne, rusishten dhe shqipen. Në nëntë prej veprave të saj ajo merret me jetën e shqiptarëve dhe problemet e tyre. Përmendim ndër to librat: Gratë në Lindje, vëllimi I, 1859; Kombi shqiptar pas këngëve popullore, 1866; Vizatime shqiptare, 1868; Shqiptarët e Rumanisë, Florencë 1872. Kultura e saj ishte kozmopolite, megjithëse nga studiuesit shihet si përhapëse e qytetërimit perëndimor në Lindje dhe veprimtare e emancipimit të femrës.

Martesa me princin rus

Elena kaloi një jetë të trazuar. Shpirti i saj romantik nuk u qetësua kur u martua me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij dhe u gjend në Oborrin Perandorak të Carit Nikollai I. Jeta e Pallatit i ndrydhi shpirtin, prandaj largohet prej andej për në Zvicër dhe pastaj udhëton edhe në vende të tjera, deri në Amerikë. Në vitin 1862 bëhet Qytetare Nderi e Athinës, duke u bërë personaliteti i dytë pas Bajronit që e fitoi një nderim të tillë. Ambasadori i Rusisë, duke e prezantuar si princeshë ruse, për shkak të martesës me një princ rus, e paraqiti para Mbretëreshës, Amalia të Greqisë. Vetë Elena në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Ajo e nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Me rëndësi është miqësia dhe letërkëmbimi i gjatë që pati me poetin e shquar arbëresh Jeronim de Rada. Veprimtaria atdhetare e Elena Gjikës mbërriti deri në Shqipërinë e robëruar. Rilindësi shqiptar Zef Jubani i kushtoi një vjershë të frymëzuar, në shenjë mirënjohje për ndihmën e çmuar që kishte dhënë për çështjen shqiptare. Ndërsa një rilindës tjetër, arbëreshi Leonardo de Martino, në emër të treqind vajzave shqiptare, i dhuroi Elena Gjikës një penë të punuar në filigram, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë që kishin vajzat shqiptare për të. Trashëgimia letrare e Elena Gjikës është e shpërndarë në disa vende: Rumani, Shqipëri, Itali, Zvicër dhe Greqi. Në letërkëmbimet e shumta me De Radën, Kamardën, De Martinon, Mitkon, Jubanin, e tjerë; në takimet me personalitete të larta politike të popujve të tjerë si Garibaldi, në takimet me albanologët e shquar Ksilander, Bop, Han, Shlajhner etj., ajo u bë përfaqësuesja më e shquar e femrës shqiptare në botë. Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888. Ajo është konsideruar njëra ndër femrat më të shquara europiane të shekullit XIX.

Vepra letrare e Dora D’Istrias

Tematika e veprave të Elena Gjikës është shumë e gjerë. Në librin Jeta monasticike në kishat lindore (Bruksel 1855; botimi i dytë, Paris 1858) ajo kërkon heqjen e urdhrave monasticikë. Ndërsa në veprën Zvicra Gjermane (Gjenevë 1856 në katër volume; botimi i dytë gjermanisht, Zyrih 1860 në tre volume) bëhet përshkrimi i vendit dhe i njerëzve të Zvicrës. Libri “Femërat e Lindjes” (Zyrih 1859, dy volume) flet për emancipimin e grave në Levant dhe vende të tjera të Lindjes. Aty flitet edhe për gjendjen e gruas shqiptare. Kurse në librin Femra për femrat Dora D’Istria krahason gjendjen e femrës në Europën Latine me Gjermaninë, duke kërkuar me zë të lartë trajtimin e barabartë të grave dhe burrave. Në librin Ekskursione në Rumeli dhe More tregon se Greqia e Vjetër kishte po aq kërkesa qytetëruese sa Gjermania e kohës së saj. Vlen për tu përmendur vepra Shqiptarët e Rumanisë, ku jepet një përshkrim i princërve Gjika nga shekulli XVII deri në shekullin XIX, botuar në Florence në vitin 1873. Elena Gjika botoi edhe librin Poezia e Otomanëve botimi i dytë, Paris 1877. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

Vepra të shkruara për Elena Gjikën

Armand Pommier, Madame la comtesse Dora D’Istria, Brussels 1863 Charles Yriarte, Portraits cosmopolites, Paris 1870 Bartolomeo Ceçhetti, Bibliografia della Principessa Elena Ghica, Dora D’Istria, Florence 1873 Luisa Rossi, Dora D’Istria. I bagni di mare. Una principessa europea alla scoperta della Riviera, Sagep, Genova, 1998. Nicolae Iorga, Lettres de Dora D’Istria, shih në Revue historique du Sudest Europeen nr 1-3, Paris 1932. Dictionar Mondofemina, femei romane, Vol 1: A-K, p.139-140

Ndërkohë që në gjuhën shqipe janë botuar disa vepra të Elena Gjikës, si dhe janë shkruar disa monografi për jetën e saj. Dora D’Istria, “Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003. Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese “Bargjini” 2004. Elena Gjika, “Fyletia arbenore” prej Kanekate Iaoshima, përktheu Demetrio Camarda, Livorno 1867. Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës” (Dora D’Istrias), Rilindja, Prishtinë, 1970. Koli Xoxi, Zvicra dhe Dora D’Istria, Tiranë, Alta 1995. Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë, 1994. Koli Xoxi, “Franca sipas Dora D’Istrias”, Tiranë 1997. Ahmet Kondo, “Dora D’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Tiranë 2002. Cristia Maksutoviç, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Tetovë 2001.

vazhdon…

Pinjollët e fundit të familjes Gjika që drejtuan Rumaninë

Katër figurat e fundit të familjes me gjak shqiptari që sunduan Rumaninë. Kush është Pantazi Gjika, prokurori dhe avokati i njohur

Mr.Sc. Nikollë LOKA

Pantazi Gjika lindi më 15 mars të vitit 1831. Ishte i dymbëdhjeti ndër pesëmbëdhjetë fëmijët e princit Dhimitër Gjika me Maria Campineanu, që rridhte prej familjes fisnike të Campineanuve. Ion, Pantazi, Themistokle dhe Maria ishin katër fëmijët që mundën të jetonin; të tjerët vdiqën. Ashtu si vëllezërit dhe motrat e tij, Pantazi i filloi studimet në Kolegjin Shën Sava në Bukuresht. Pastaj shkoi në Paris dhe qëndroi atje pranë së ëmës. Pantazi u bë politikan dhe jurist, u njoh edhe si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, eseist, komedian, satirist etj. E filloi karrierën politike si pjesëmarrës në revolucionin vllahian të vitit 1848 dhe anëtar i grupit radikal të udhëhequr nga Rosetti. Megjithëse dy herë u përfshi në administratën e kontesë Buzau, Pantazi e kaloi shumicën e kohës në ekzil, apo në Bukuresht. Pas vitit 1875 Pantazi Gjika u bë njëri ndër drejtuesit e Partisë Liberale.

Megjithëse Pantazi përgjithësisht është parë si shkrimtar mesatar, dallohet për marrëdhëniet e ngushta me shkrimtarët si Nicolae Filimon, Vasile Alecsandri, Dimitrie Bolintineanu, Alexandru Odobescu dhe Alexandru Macedonski, si dhe për polemikën e gjatë me shoqatën letrare konservatore “Junimea”. Veprat e Gjikës dhe bindjet e tij politike ishin kritikuar shpesh prej intelektualëve junimistë si Titu Maiorescu, Mihai Eminescu dhe Ion Luca Caragiale. Ai ishte njëri ndër ata politikanë liberalë për të cilët bën fjalë poema e Emineskut “Scrisoara” a III-a.

Rreth vitit 1850, Pantazi ra në dashuri me Camila de Fernex. Ceremonia e dasmës së tyre u zhvillua në kishën ortodokse greke të Marsejës. Vëllezërit Gjika u kthyen në Bukuresh të ndarë. Ardhja e tyre në atdhe u bë në kohën e shpërthimit të luftës së Krimesë. Pantazi Gjika u bashkua me ushtrinë otomane dhe shërbeu si uzbash në trupat kozake. I dekoruar dhe i vlerësuar kthehet në Bukuresht. Me traktatin e Parisit Vllahia lejohej të kishte një administratë të re.

Prokuror, avokat dhe gazetar Në vitet 1856-1858, Pantazi u bë prokuror për kontenë Dambovita, përpara se të kalonte në aktivitet privat si avokat. Përfshihet në politikë dhe bëhet njëri ndër veprimtarët më të dalluar liberal, i lidhur me krahun më radikal të udhëhequr nga Rosetti. Kjo ndodhi në kohën e bashkimit të Vllahisë me Moldavinë nën sundimin e princit Alexander John Cuza. Pas zgjedhjes së princit Cuza, Gjika hyri në shërbimin civil, duke u bërë inspektor në Ministrinë e Drejtësisë dhe pastaj drejtor Departamenti në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kthehet në profesionin e avokatit dhe në vitin 1861 u bë përfaqësues ligjor i njerëzve që u arrestuan gjatë trazirave antiunioniste në Craiova. Një vit më vonë emërohet përfaqësues ligjor në Ministrinë e Arsimit. Në vitin 1859, së bashku me Dimitrie Bolintineanu, botoi revistën Dambovita, por shpejt artikujt e saj shkaktuan skandal dhe Pantazi u arrestua për mungesën e etikës në organin e tij. Ndau të njëjtën qeli me kolegun e tij, Orasanu, një kundërshtar i vendosur i sundimit të mbretit Karol. Pantazi u bë mik me shkrimtarin Alexander Odobescu dhe më vonë, në vitin 1861 bashkëpunoi me revistën e tij letrare, Revista Romana. Po gjatë këtyre viteve, Pantazi Gjika botoi dy revista satirike, Pacala dhe Scranciobul. Në vitin 1863 Pantazi shkoi në Moldavi, ku fillimisht vizitoi kushërirën e tij, Kleopatra Gjika, që ishte martuar në familjen ruse Trubetskoy. Atje mori pjesë edhe në veprimtaritë e shkrimtarit moldavian Iacob Negruzzi, të cilin e kishte paraqitur në rrethin e Rosettit. Duke filluar me vitin 1870, Gjika botoi disa artikuj në revistën e Rosettit, “Romanul”. Gjatë kësaj periudhe filloi të publikojë pjesët e tij letrare në Revista Contimporana.

Në vitin 1866, sundimtari Cuza u zevendësua me Karolin e Hohenzollernit. Pantazi Gjika kishte luajtur një rol të dorës së dytë në përpjekjet për të rrëzuar Cuza-n si komandant lokal i Gardës së Qytetarëve. Atij iu dha detyra e Prefektit të kontesë Buzau. Emërimi ishte mirëpritur nga Vasile Alexander, që kishte patur një korespondencë të gjatë me të dy vëllezërit Gjika. Koha e qëndrimit të tij në detyrë kishte qenë e shkurtër për shkak të antipatisë së Mbretit Karol. U kthye në Bukuresht dhe bleu një vilë në rrugën Cometei. Në kryeqytet u angazhua si përfaqësues i Alexandri-t në një konflikt ligjor me fshatarët që kishin hyrë në pronat e tij.

Vitet e fundit të jetës. Vila e Pantazi Gjikës në Bukuresht u bë vendi i takimit për shumë personalitete letrare të kohës. Gjika ishte i lidhur shumë me poetin simbolist Alexandru Macedonski, që banonte aty afër. Pantazi u bë deputet dhe pastaj senator, duke përfaqësuar atje liberalët dhe në fund të jetës nacional liberalët. Pantazi Gjika vdiq në shtëpinë e tij në rrugën Cometei më 17 korrik 1882. U varros në varrezat familjare në Ghergani. Ai u trashëgua nga e bija Camila Gjika që vdiq në vitin 1908 në moshën tetëdhjetëvjeçare.

Albert Gjika Albert Gjika është pjesëtari i trungut të Gjikajve, që është marrë shumë me çështjen shqiptare. Në drejtimin e tij u mbajt në Bukuresht një kongres mbarëkombëtar i shqiptarëve. Ai bashkëpunoi me rrethet patriotike shqiptare në mërgim dhe me patriotë që jetonin dhe vepronin në Shqipëri. Në nëntor të vitit 1902 formon një komitet shqiptar në Paris dhe u fut në lidhje me shqiptarë të shquar që jetonin në vende të ndryshme të Europës, në Amerikë dhe në Egjipt. Programi politik i Komitetit Shqiptar të Parisit në fillim parashikonte marrëdhënie të mira në mes të shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, por pas vizitës që Gjika bëri në Stamboll u bind se marrëdhëniet e mira me Portën e Lartë nuk ishin në interes të shqiptarëve. Albert Gjika ishte një njeri shumë energjik dhe kishte ambicie për t’u angazhuar në politikën shqiptare. Për të siguruar mbështetje bëri shumë udhëtime nëpër Europë dhe takoi shumë njerëz. Nga fundi i vitit 1904 shkoi në Angli dhe në fillim të vitit 1905 në Itali dhe në Mal të Zi. Ai ishte ndër të parët që i deklaroi ambiciet e tij për t’u bërë Mbret i Shqipërisë së pavarur. Nisur nga pretendimet e tij, si kryetar i kombit, në vitin 1909, kërkoi autonominë e Shqipërisë. Në vitin 1911 u rishfaq në skenën politike me nje deklaratë, ku u drejtohej Fuqive të Mëdha, duke i informuar mbi kryengritjen shqiptare dhe botoi një projekt të kushtetutës së Shqipërisë autonome. Pas shpalljes së pavarësisë edhe zyrtarisht u shfaq si njëri ndër pretendentët për fronin mbretëror të Shqipërisë.

Vladimir Gjika Vladimir Gjika lindi më 25 dhjetor 1873. Ishte diplomat dhe eseist dhe pas konvertimit nga ortodoks në katolik u bë prift. Shërbeu në Transilvani, ku kishte dy milion katolikë, të organizuar në shtatë dioçeza. Arriti të bëhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Rumanisë. Pas vendosjes së regjimit komunist në Rumani arrestohet dhe vdes në burg nga torturat më 17 maj 1954. Për nder të tij është krijuar në Rumani Qendra e Studimeve Katolike që mban emrin e tij.

Dhimitër J. Gjika Dhimitër J. Gjika lindi në vitin 1875 në Bukuresht. U bë ministër në vitet 1919-1922.

Matila Costiesco Gjika Matila Gjika lindi më 13 shtator 1881 në Iasi të Rumanisë dhe i përket familjes fisnike Gjika nga ana e nënës. Prindërit e tij ishin Matila Costiescu dhe Maria Gjika. Ai është stërnipi i Grigor Aleksandër Gjikës, princit të fundit të Moldavisë. Fillimisht studioi në kolegjin jezuit në Jersey, pastaj në Akademinë Detare Franceze në Brest, Shkollën e Lartë Elektrike në Paris dhe së fundit në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Lirë të Brukselit, ku mori edhe doktoratën. Iu bashkua shërbimit diplomatik në vitin 1910 dhe shërbeu në ambasadat rumune në disa kryeqytete të Europës si Romë, Berlin, Londër, Madrid, Paris, Vjenë dhe Stokholm. U bë ambasador i Rumanisë në Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1918 u martua me Eileen O’Conor, vajzën e Sir Nicholas Roderick O’Conor, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Perandorinë Osmane dhe në Rusi. Matila pati formim të gjithanshëm. Ishte oficer marine, diplomat, shkrimtar, matematicien, esteticien, shkrimtar dhe historian. Ai u prezantua në rrethet letrare franceze dhe angleze nga Paul Morand dhe princi Antoine Bibesco. U bë mik i Marcel Prustit dhe poetit Leon-Paul Fargue. Si vizitor i shpeshtë i sallonit letrar të Natalie Cifford Barneyt, ai u takua me shumicën e shkrimtarëve amerikanë, që kishin emigruar në Europë. Interesi kryesor i Matilës ishte gjithmonë sinteza e matematikës me poezinë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në Rumani, Matila Gjika largohet nga vendi dhe shkon të punojë si profesor i estetikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë së Jugut dhe Kolegjin “Mary Ëashington” në Virxhinia. Megjithëse studiues i pasionuar, Matila tregoi interes edhe për politikën. Kujtimet e tij që u publikuan në vitin 1961 përfundojnë me një mesazh besimi mbi natyrën njerëzore.

Princ Matila Gjika vdiq në Londër më 14 korrik 1965, dy vjet pas vdekjes së gruas së tij dhe ishte varrosur në varrezat Gunnersbury të Londrës.

Veprat e Matila Gjikës
Estetika e proporcioneve (1927)
Numri i artë (1931)
Shiu i yjeve (1936),- e vetmja novelë që shkroi.
Ese mbi ritmin (1938), me parathënie të shokut të tij Paul Valéry
Turi i horizontit filozofik (1946)
Magjia e foljes (1949)
Një kronologji dokumentare e historisë rumune prej periudhave parahistorike deri në ditët e sotme (1941)
Gjeometria e artit dhe jetës (1946)
Një doracak i gjeometrisë praktike (1952)
Filozofia dhe mistika e numrave (1952)
Matila Gjika, kujtime (1961)

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Vazhdon dëbora, rrugët me veriun të bllokuara, në Tropojë, derra të egër kanë plagosur një fshatar dhe tentuan të hanë ushtarakë të postave kufitare, në Spaç trupi i të dënuarit...”/ Raporti sekret i 15 janarit ’85

Next Post

Kalendari 16 Janar 2026

Artikuj të ngjashëm

“Kushdo që përdor violencë ose frikësim, për me ndalue ose turbullue mbledhjet e ushtrimin e Trupave gjyqsore, për me influencue mbi vendimet e tyne, dënohet…”/ Çfarë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
Të Ndryshme

Përse shteti shqiptar, duhet ta kremtojë 1 Shtatorin – ditën e shpalljes së Mbretërisë?!

September 3, 2025
“Arshi Pipa, s’kishte dëshirë të fliste për njerëzit që i kishin bërë keq në Shqipëri, por më tha vetëm për profesorin, që kishte marrë pjesë në dënimin e tij, Koço…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit francez
Të Ndryshme

Kalendari Historik 2 Dhjetor 2024

December 1, 2024
Kalendari Historik 1 Nëntor 2024
Kalendari historik

Kalendari Historik 20 Nëntor 2024

November 19, 2024
Kantina “Binjakët” në Tiranë, një atraksion turistik, që po mahnit vizitorët vëndas e të huaj, të cilët e krahasojnë me “Cabernet” të Napa-s, apo “Shtëpitë e Shampanjës” së Francës e, Portugalisë
Të Ndryshme

Kantina “Binjakët” në Tiranë, një atraksion turistik, që po mahnit vizitorët vëndas e të huaj, të cilët e krahasojnë me “Cabernet” të Napa-s, apo “Shtëpitë e Shampanjës” së Francës e, Portugalisë

September 1, 2024
Pamje nga paradat ushtarake të organizuara në Tiranë me pjesëmarrjen e president Ahmet Zogu dhe autoriteteve të kohës në vitet 1926-1927
Të Ndryshme

Riorganizimi i mbretërorëve – domodoshmëri historike

May 22, 2024
‘Integral Albania’ vjen në ndihmë të familjeve shqiptare duke sjellë në Tiranë shkollat më të mira të mesme në të gjithë botën, nga Anglia në Spanjë, Gjermani, Francë e deri në SHBA-ës.
Të Ndryshme

‘Integral Albania’ vjen në ndihmë të familjeve shqiptare duke sjellë në Tiranë shkollat më të mira të mesme në të gjithë botën, nga Anglia në Spanjë, Gjermani, Francë e deri në SHBA-ës.

April 17, 2024
Next Post
Kalendari 1 Janar 2026

Kalendari 16 Janar 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme