Nga Namik Mehmeti
Memorie.al / Një foto e vitit 1974, ku është fiksuar një e sekuencë filmike në ndeshjen miqësore ndërkombëtare në mes “Vllaznisë” dhe skuadrës rumune “ASA -Tergu Mures” (rezultati 1 – 1), e luajtur në stadiumin e Shkodrës “Vojo Kushi”, me shtyri të rikthehem në vite dhe jo më pak se 12 vite më parë, kur u bë inagurimi i këtij stadiumi. Duke u mbështetur më së shumti në një histori që ka botuar gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari, për ndërtimin e të parit stadium në Shqipëri në regjimin komunist, në kujtimet që ka lënë një tjetër gazetar shkodran i ndjeri Rifat Uruçi dhe në kujtimet që kam fiksuar edhe unë edhe pse isha jo më shumë se 12 vjeç, por si vullnetar së bashku me bashkëmoshatarët e shkollës 7 – vjeçare “7 Nëntori” në ndërtimin e këtij stadium, duke lëvizur gurët e pastruar dherat.
Në Shkodër në këtë kantier ndërtimi që realizohej vetëm me punë vullnetare me pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të qytetit të Shkodrës, por edhe fshatarësisë kooperativiste, ndërtimi i stadiumit u mirëprit plotë entuziazëm dhe kjo ishte një dhurate e Partisë së Punës me në krye diktatorin Enver Hoxha, pas tetë viteve persekutimesh, pushkatimesh, internimesh që i kishte bërë popullsisë së Shkodrës e, të gjithë Veriut të Shqipërisë.
Por kjo dhuratë trumbetohej nga Partia në pushtet si një privilegj për qytetin ku kishte lindur futbolli (1905), për qytetin ku ishte zhvilluar ndeshja e parë ndërkombëtare në mes “Independencës” së Shkodrës dhe ushtrive austro – hungareze (1913), për qytetin që kishte pasur privilegjin të priste ndeshjen e parë të Kombëtares sonë me Malin e Zi (5-0, viti 1946) dhe pa dyshim për “Vllazninë” e Shkodrës që ishte shpallur kampione e parë e Shqipërisë në kampionatin e parë kombëtar të pas Luftës.
Për ndërtimin e këtij stadiumi u patë folë shumë për diskutimet që janë bërë, se në cilën zonë të qytetit do të ndërtohej. Sipas kujtimeve të ndjerit, gazetarit Rifat Uruçi, përfaqësueseve të Shtabit të ngritur për këtë qëllim, si zonë e parë e preferuar ka qenë fusha e ish-ndërmarrjes Bujqësore “Perlat Rexhepi”, pas Urës së Thive. Kjo ide nuk u pranue nga drejtuesit e pushtetit lokal e Komiteti i Partisë, pasi kërkonte investim të madh në ngritjen e argjinaturave të lumit Kir, i cili disa herë kishte dal nga shtrati, duke përmbytur lagjet “Qaf-hardhi”, “Perash” etj., e duke dëmtuar shumë ekonomitë private e shtetërore.
Varianti tjetër që u ba realitet ishte të shfrytëzoheshin bahçet (kopshtet) private të qytetarëve shkodranë në lagjen “Zdrale”, zemra e qytetit. Për këtë variant kishte këmbëngulur ish- Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, shkodrani Qamil Gavoçi, variant ky që justifikonte dhe hapjen e disa lagjeve myslimane ndaj lagjeve katolike. Puna që bëhej ishte me shumë me forcën e krahëve, me karroca dore që u morën familjeve shkodrane në lagjet përreth, si “Zdralej”, “Ndocaj”, “Dergut” etj. Ajo që bëri shumë zhurmë, ishte prishja varrezave të Xhamisë “Zdralej”, ku gurët e varreve u përdorën për ndërtimin e shkallëve të stadiumit.
Projekti ishte hartuar nga inxhinier Irfan Tershana, i cili kishte kryer studimet jashtë, por i druhej biografisë, pasi të afërmit e tij nga Dibra e Madhe, si Edip Tershana, Ibrahim Tershana, ishin pushkatuar e dënuar nga diktatura komuniste, të akuzuar si “armiq të popullit”. Ing. Tershana i ndiqte vete punimet në zbatimin e projektit, i cili parashikonte fushën e futbollit me përmasat olimpike të rrethuar me pesë këmbë shkallë të gurta. Si sot më kujtohet se gurët, si material kryesor për ndërtimin, u siguruan nga ulja e mureve të rrethimit të shtëpive private të lagjeve të afërta të stadiumit, fusha e të cilit preku dhe disa sipërfaqe të ekonomive private, ku për rreth kishin mbetur të paprekur e pemët frutore, si fiqt e Balejve, Sokoleve, Dervisheve etj.
Ndërsa vetë objekti u rrethue me plepa, që i kanë qëndruar kohës me vite. Po ashtu fusha e futbollit u rrethue nga pista e atletikës dhe anekset e saj, si pedanat kërcimeve, shtytjes së gjyles e hedhjes së diskut. Pas dy viteve, me 1 maj 1954, u ba inagurimi i ndërtimit, ku shiritin e preu Llazar Lipivani, Kryetar i Komitetit Shtetëror të Fizkulturës dhe Sporteve. Por inagurimi u zbeh disi, për nga mungesa e skuadrave elitare të kampionatit kombëtar për ndeshjen inagurale, si “Vllaznia”, “Dinamo”, “Partizani” e “Tirana”. Po me 1 maj të atij viti, Federata e Futbollit kishte programuar që “Vllaznia” të luante në Tiranë me Partizanin, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 0-4.
Kështu privilegjoheshin në ketë ditë feste dy skuadrat lokale “Spartak” e “Dinamo”, të hynin në histori së bashku me emrin e stadiumit “Vojo Kushi” (“Hero i Popullit”), një sportist gjimnastikant me të dhëna mjeshtërore. Stadiumi në vite pësoj ndryshime projekti. Për disiplinuar hyrjen me bileta, shkallët që ishin ngritur edhe tre më shumë, pra në tetë, u rrethuan me mure. Rrethimi me plepa gjithnjë më shumë krijonte kurorën e vetë, drejtë lartësive, krijonin një freski e që spektatorët guximtar i shfrytëzonin si tribuna pa pagesë. E kjo panorame nuk ndryshoj deri në vitet që u bë rikonstruksioni i plotë i stadiumit.
Pas katër viteve, kur mendohej se ky stadium do t’i afronte “Vllaznisë” përfaqësime dinjitoze, ndodhi e papritura, rënia në kategorinë e dytë. Kjo ngjarje u bë shkak i thashethemeve dhe bisedave bajate, se këtë fat e priste “Vllazninë”, pasi luhej në një tokë vakufi, mbi varrezat e shekullore të Xhamisë se lagjes “Zdralej”. Për të ardhur deri tek inagurimi përfundimtar i Stadiumit “Loro Boriçi” në vitin 2016, stadiumi kishte kalue disa ndryshimesh projekti, duke rritur shkallët e stadiumit, duke i dhënë tribunës qendrore më shumë vlerësime, që autoritetet e pushtetit lokal dhe partiak, të kishin distancim nga tifozët. Një ndryshim projekti me një vizion përtej realitetit ekzistues, u ndërmor nga nisitiva personale e ish- anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së e Sekretar i parë Komitetit Partisë në Shkodër, Muho Asllani.
Flitej se fondet për rikonstruksionin e e stadiumit me kapacitet deri 30.000 vende, siguroheshin nga investimet në Hidrocentralin e Komanit, ku lënda e parë çimento e hekur, shkarkohej nga maunet ditën për diell, në këtë objekt. Flitet se transferimi i Muho Asllanit nga Shkodra, u bë shkak nga vënia dorë pa autorizimin e Qeverisë, të fondeve shtetërore. Aq e vërtetë ishte kjo, sa punimet mbetën të pezulluara për një kohë të gjatë, kur në karrigen e sekretarit të Parë, ishte një tjetër shkodran, Xhemal Dymylja edhe pse shumë sportdashës, nuk kishte kurajën e nisiativen e paraardhësit të tij. Kështu projekti shumë modern i inxhinierit shkodran, Reshat Koçkiqi, u nxor nga arshiva për të përfunduar projektin e lënë përgjysmë.
Pa diskutim që bëhet fjalë për një tjetër situatë politike, ku në fillimin e viteve ’90-të, kishte rënë diktatura komuniste e kishte triumfuar Demokracia. Është koha e artë e ajo pas vendosjes së Demokracisë për “Vllazninë” e Shkodrën, ku biznesmeni i magjepsur pas “Vllaznisë”, i ndjeri Myftar Çela, i cili la në “hipotekën” e fitoreve të titullit kampion të “Vllaznisë”, atë të vitit 2001.
Kanë kaluar plotë 25 vite, pa arritur në suksesin e lënë trashëgim nga Myftar Çela, i cili nga ana tjetër afroi atë siç citon gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari, (i cili po lë gjurmë edhe në drejtim të historisë së sportit shqiptar në përgjithësi dhe historisë së futbollit në veçanti), kur shprehet: “Ai që njeh mjedisin e këtyre tribunave të këtij stadiumi, e kupton se kjo ndeshje, Shqipëria nuk do të çudiste Europën atë vit 1983…! Çela-promotori i pa shlyeshëm në zhvillimin e këtyre mjediseve të ndeshjes Shqipëri – Rusi 3-1, që tregoi një organizim të shkëlqyer”.
Dhe së fundi, do të ishte investimi i Qeverise Rama në vitin 2014-2016, që do t’i jepte dorën e fundit në ndërhyrjen e këtij stadiumi, gjoja edhe kombëtar, por që pas ndeshjes së kombëtares tonë me Rusinë, sportdashësit shkodranë janë privue nga e drejta që të ndiqnin një ndeshje të kombëtares tonë, në këto vitet e fundit. Me parë ish – stadiumi “Vojo Kushi”, një ish gjimnast i talentuar e sot stadiumi “Loro Boriçi” ish – futbollist e trajneri i kalibrit ndërkombëtar në vite, kanë regjistruar edhe ngjarje sportive, si atletikë, mundje, basketboll e volejboll, por futbolli ka një histori të pashlyeshme në kujtesën e shkodranëve. Skuadra me emër në futbollin europian, në këtë stadium janë befasuar së pari nga një tifozeri kalibri, për nga inkurajimi i “Vllaznisë”, por dhe nga rezultatet e parashikueshme.
“Hajduku” i Splitit është larguar nga Shkodra, duke marrë një humbje; 1-2, “Dozha” e Budapestit me 5-6 lojtar të kombëtares hungareze, me krye Ferenc Soza, u largua me një barazim pa gola; 0-0. Një tjetër skuadër europiane që kishte pesë futbollistë të kombëtares austriake, që largoheshin kryelartë nga botërori i 1968-ës, “Austria” e Vjenës, për Kupën e Kampionëve, humbi; 0-2, po të njëjtin fat pësoi për Kupat e Europës “Dinamo” e Tbilisit. Apo fitorja e parë e “Vllaznisë” ndaj një Kombëtareje, siç qe Algjeria; 3-0, në vitin 1976. Nuk numërohen fitoret ndaj skuadrave të Ballkanit për Kupat Ballkanike.
E pa harruar kështu Kombëtaren e Shpresave me trajner të paharruarin Ramazan Rragami, e cila pasi barazoi 1-1 me Gjermaninë e Vogstit e, fitoi 3-0 me Austrinë, u kulifikue për 1/8 e Kampionatit Europian. Për mua edhe sot mbeten të freskëta shumë kronika e episode që janë regjistruar në pistën apo anekset e saj, si prania e atleteve çek me kampionin Skobla, në shtytjen e gjyles, të sprintierit Mandlik në 100 m., ku në finish spangoja në vend që të ishte vendosur në lartësinë e gjoksit, e preu atë në lartësinë e qafës, duke i lënë një vijë të kuqërremtë si kujtim.
Apo prania e rekordmenit botëror, kinezit Nih Chin Chin, në kërcimin së larti. Për të inkurajuar në heshtje, se kështu e kërkonte inkurajimin vetë kinezi, stadiumi “Vojo Kushi” regjistroi një tjetër rekord spektatorësh, pasi tribunat ishin mbushur një orë përpara me nxënësit e shkollave të qytetit. Pra gjithçka në shërbim të Nih Chin Chin, nuk u arrit thyerja e rekordit botëror 2. 29.m, një cm. më shumë se rekordi i tij 2. 28.m. Kjo ishte historia e të parit stadium në Shqipëri në vitet e komunizmit, i cili ka mbushur plotë 70 vite ekzistencë. / Memorie.al












