Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar luftën dhe goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet, burgosjet apo internimet në masë të qindra e qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit e institucioneve fetare, e ndërmori vetëm në vitin 1967. Në atë kohë, pasi e sanksionoi me ligj të veçantë ndalimin e fesë, Tirana zyrtare e shpalli Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë. Ndaj atij vendimi absurd dhe të paparë ndonjëherë që kishte ndërmarrë asokohe udhëheqja e lartë komuniste e PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, gjë e cila fillimisht u kamuflua duke i’a atribuuar atë si një nismë dhe kërkesë të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazeve të Durrësit e Tiranës, pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra si nga besimtarët, ashtu dhe nga klerikët e të tre besimeve, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjioze në vendin tonë.
Por reagimet dhe kundërshtitë e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan edhe më shumë, kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për ndalimin me ligj të fesë dhe prishjen e objekteve të kultit e institucioneve fetare, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit. Ata, duke u kamufluar nën parullën “T‘u shpallim luftë zakoneve prapanike”, filluan menjëherë sulmet ndaj kishave, xhamive, tyrbeve, teqeve, manastireve e objekteve të tjera të kultit, duke i prishur, shkatërruar dhe rrafshuar pjesën më të madhe të tyre, të cilat më pas i kthyen ato në vatra kulture, stalla, magazine, depo drithi etj.
Në ato sulme ndaj institucioneve fetare, fillimisht u dërguan nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë, të cilët vepronin sipas direktivave dhe udhëzimeve që merrnin nga komitetet e partisë të rretheve.
Si fillim ajo gjë iu besua organizatës së rinisë së shkollës së mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit, e cila nën patronazhin e udhëzimet e Komitetit të Partisë së rrethit me në krye sekretarin e parë Rita Marko, u bënë “flamurtarë të asaj nisme”, që ishte ndërmarrë vetëm pak muaj pas krijimit të një sektori të posaçëm pranë Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, (që drejtohej nga Nexhmije Hoxha), i cili do të merrej me botimin e dokumenteve dhe materialeve të Partisë së Punës së Shqipërisë. Që në fakt do të thoshte: “Botimin e veprave të shokut Enver”. Pra, tashmë shqiptarët duhet të besonin vetëm një Zot, dhe ai ishte Enver Hoxha.
Në atë kohë, kur sapo kishte filluar sulmi ndaj religjioneve fetare dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë si dhe besimtarë të shumtë nga i gjithë vendi, kujtonin se ajo gjë ishte vërtet një nismë e organizatave të rinisë shkollore. Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t‘i dërgonin letra në adresë të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhës, ku denonconin veprimet që kishin ndërmarrë ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe. Me ato letra dhe ankesa, ata shpresonin se udhëheqësi kryesor i Partisë, do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do t‘i ndalonte ato veprime që po bëheshin.
Ndërsa një pjesë e madhe e këtyre letrave me reagimet dhe protestat që iu dërguan në atë kohë Enver Hoxhës, (gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë), tashmë janë të njohura, pasi shumë prej tyre janë botuar nga Memorie.al, në këtë shkrim po publikojmë një dokument arkivor i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në qytetin e Durrësit e. pikërisht në gjimnazin “Naim Frashëri”, nga ku me porosi nga “lart”, filloi nisma për prishjen e objekteve të kultit.
Në atë kohë që gjimnazi “Naim Frashëri” “ziente” nga nisma e ndërmarrë për prishjen e kishave, xhamive, manastireve, teqeve e objekteve të tjera të kultit, 52 vjeçari Ahmet Xhemal Mezini (me origjinë nga Peqini dhe banues në Durrës), një besimtar i devotshëm, pasi shkroi disa fletushka me “përmbajtje kundërrevolucionare”, në fundin e dhjetorit të vitit 1967, (me rastin e Krishtlindjeve), i hodhi ato në ambientet e atij gjimnazi. Por fatkeqësisht ai u zbulua nga organet e Sigurimit të Shtetit, të cilat e arrestuan dhe gjyqi që iu bë pikërisht në ambientet e shkollës “Naim Frashëri”, e dënoi me 10 vite burg politik.
Për më shumë rreth kësaj ngjarje dhe fatit tragjik të Ahmet Xhemal Mezinit pas lirimit nga burgu në vitin 1978, na njohin dokumentet në fjalë, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe botohen për herë të parë (bashkë me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al. Për ironi të fatit, ndërsa me emrat e atyre që udhëhoqën asokohe rininë e Durrësit për prishjen e objekteve të kultit, tashmë janë pagëzuar sheshe dhe parqe në këtë qytet, kurse emri i Ahmet Xhemal Mezinit, ka qenë fare i panjohur dhe përmendet për herë të parë në këtë shkrim!
DOKUMENTI SEKRET I MINISTRISË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 8.VI.1978, KU NJOFTOHET NGJARJA PËR VETËVRASJEN E AHMET XHEMAL MEZINIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 8.6.1978
KOMUNIKATË OPERATIVE NR.133
DURRËSI
Më 7.6.1978, u gjet i varur në banesën e tij, Ahmet Xhemal Mezini, vjeç 63, lindur në Peqin dhe banues në Durrës, i dënuar njëherë për veprimtari armiqësore, i cili është liruar nga burgu më 20.5.1978.
Ai ka lënë një letër ku shkruan: “Testament, unë Ahmet Mezini, banues në Durrës, sot i jap fund jetës time, pa asnjë shkasë, pa dënuar asnjeri tjetër, pa pasur ankesë për ndonjë njeri tjetër. Të gjitha teshat që janë këtu, janë të Shaban Mezinit. T’i jepen atij”.
Nga hetimet rezulton se pasi ka dalë nga burgu, gruaja dhe fëmijët nuk e kanë pranuar në shtëpi, ndërsa një vëlla i tij i ka gjetur një dhomë me qera, ku u gjet i varur. Çështja hetohet.
SHËNIMI I MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME KADRI HAZBIU, MBI KOMUNIKATËN OPERATIVE KU ËSHTË PASQYRUAR NGJARJA E VETËVRASJES SË AHMET MEZINIT, ME POROSITË NDAJ ZV. MINISTRIT FEÇOR SHEHU
Feçorit
Kërko dhe shiko se përse ish dënuar, si dhe sa sipër qëndron në hetuesi – gjyq dhe burg, si dhe ç’njerëz janë familjarët që nuk e parandaluan, qëllimi është të shikohen nëse vlen, ka diagnozë, si qëndrimi i mbajtur e kërkoni ndaj njerëzve që dënohen, si nga shoqëria dhe familja.
Kadri Hazbiu
RAPORT – INFORMACIONI I DEGËS SË DYTË TË DREJTORISË SË HETUESISË, DËRGUAR MINISTRISË SË BRENDSHME, PAS KËRKESËS SË MINISTRIT KADRI HAZBIU, LIDHUR ME ARSYET E VETËVRASJES SË AHMET MEZINIT E TË KALUARËN E TIJ
S E K R E T
Ekzemplar Nr. 1
E përkohshme 2 vjet
Tiranë, më 7.6.1978
INFORMACION
MBI VETËVRASJEN E ISH TË DËNUARIT AMHET MEZINI NGA DURRËSI
Në zbatim të porosisë së dhënë nga shoku ministër në komunikatën operative Nr. 133, datë 7.6.1978, “Mbi vetëvrasjen e ish-të dënuarit Ahmet Mezini nga Durrësi”, sqarojmë se;
Me datën 7.6.1978, në banesën e qytetarit Irini Muço, në lagjen 15 Spitallë – Durrës, u gjet i varur me çarçaf, Ahmet Mezini, i dl. 1915, lindur në Peqin dhe banues në Durrës, i ç’kurorëzuar, me 6 fëmijë të rritur. Mbi këtë bazë, sektori i hetimit filloi çështjen penale dhe nga zhvillimi i hetimeve, rezultoi:
Ahmet Mezini, në fund të vitit 1967, arrestohet nga Dega e Punëve të Brendshme Durrës, për krimin e agjitacionit e propagandës. Ai, duke iu kundërvënë iniciativës së shkollës së mesme “Naim Frashëri” Durrës, në luftë kundër zakoneve të vjetra fetare, përgatit dhe hedh në oborrin e kësaj shkolle disa fletushka me përmbajtje kundërrevolucionare, si:
“Rini komuniste, është kampi i njerëzimit, burg”, “Rini, në çdo mënyrë luftoni komunizmin”, etj. Në hetuesi dhe gjatë gjyqit që u zhvillua në shkollën “Naim Frashëri”, Ahmet Mezini ka pranuar plotësisht krimin e kryer dhe në fund u dënua me 10 vjet heqje lirie.
Me datën 28.5.1978, Ahmet Mezini lirohet nga burgu. Në Durrës pritet nga i vëllai i tij, Shaban Mezini, i dënuar më parë me dhjetë vjet heqje lirie, për tentativë arratisje, kurse e shoqja, e ç’kurorëzuar nga ai, menjëherë pas dënimit të tij dhe fëmijët, që nuk e kishin takuar asnjëherë gjatë vuajtjes së dënimit, nuk e pranojnë në shtëpi. Me ndërhyrjen e vëllai, viktima Ahmet Mezini, sistemohet në një dhomë me qera tek banesë e Irini Muços në Spitallë.
Gjatë ditëve që ishte liruar nga burgu, Ahmet Mezini bën përpjekje për t’u afruar me familjen e tij. Kështu me datën 6 qershor 1978, takon njërin nga djemtë dhe i thotë se; çfarë po bisedoni në familje, lidhur me bashkimin me të. Djali i përgjigjet se asnjë pjesëtar në familje, nk ishte dakord. Nga kjo përgjigje, Ahmeti revoltohet dhe i shprehet djalit se; nuk do t’u shoh më me sy.
Në këto rrethana, duke mos pasur asnjë shkak tjetër, më datën 7.6.1978, Ahmet Mezini vetëvaret, fakt që u provua plotësisht gjatë hetimit. Po ashtu në vendin e ngjarjes, u gjet një letër e shkruar prej tij, ku shkruhesh: “Testament, unë Ahmet Mezini, banues në Durrës, i jap fund jetës sime, pa asnjë ankesë, pa dënuar asnjë tjetër, pa asnjë ankesë ndaj tjetrit, të gjitha këto tesha që janë këtu, janë të Shaban Mezinit, vëllait tim….deklaruesi, Ahmet Mezini”.
Meqë gjatë hetimit, nuk u provua ndonjë rrethanë, për shtytjen e tij në vetëvrasje, por vetëm ajo që nuk e pranoi familja në shtëpi, çështja më 28.6.1978, u pushua për mungesë krimi.
OFICERI DREJTIMIT, DEGËS II, DREJTORISË HETUESISË
OSMAN DASHI
Shënim:
Çështja iu raportua shokut ministër dhe ai qe dakord me rezultatet e verifikimit. Porosit që materiali të arshivohet./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016












