Nga Jeronim Peroviç*, “Neue Zürcher Zeitung”
Memorie.al / Më 28 qershor 1948, Partia Komuniste e Jugosllavisë u shkëput nga Kominformi, i kontrolluar nga Moska. Kjo ndarje u deklarua se ishte një lëvizje e Beogradit për krijimin e një socializmi të tijin. Dokumentet e zbuluara provojnë se para të gjithash, ishte një përplasje për pushtet politik, që mori flakë nga Shqipëria. Marshalli Josip Broz Tito, lideri i padiskutueshëm komunist, ishte mbushur me vetëbesim pas fitores mbi Gjermaninë naziste. Ushtria e Kuqe e Stalinit, marshoi njëkohësisht me partizanët e Titos, në pranverë të vitit 1945 në Beograd, ndërsa pjesa tjetër e vendit, ishte çliruar nga vetë partizanët e Titos me forcat e tyre. Më pas Tito forcoi pozicionin e tij brenda vendit përmes dhunës që përdori ndaj opozitës.
Përkundrejt fqinjëve të tij, sigurisht që kishte pretendime territoriale. Kur Tito në fund të luftës ngriti pretendime ndaj qytetit italian të Triestes, një konfrontim me forcat aleate perëndimore, mund të shmangej, falë një propozimi kompromisi nga Moska.
TIRANA MES MOSKËS DHE BEOGRADIT
Pavarësisht toneve të larta politike në Ballkanin Perëndimor, Moska po i lëshonte hapësira Titos. Por, kur marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit, në mesin e vitit 1947 po përkeqësoheshin, Moska ndryshoi politikë dhe filloi që të konsolidojë zonën e influencës në Evropën Lindore. Këto përpjekje u kryqëzuan me planet për ekspansion të Beogradit.
Tito aspironte bashkimin me Shqipërinë, mbështeste luftëtarët komunistë në Greqinë fqinje dhe dëshironte të bënte të tijat të gjitha zonat e banuara nga sllavët në territoret bullgare dhe greke të Maqedonisë. Zhvillimet në Ballkan binin ndesh me tendencat për hegjemoni të Stalinit dhe rrisnin gjasat për ndezje gjakrash me Perëndimin, i cili në luftën civile në Greqi, ishte pozicionuar në krah të forcave të qeverisë.
Beogradi e shikonte Shqipërinë si territor jugosllav. Përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi, do të forconte pozitat e kësaj të fundit në Ballkan. Tito e shihte Bashkimin jugosllavo-shqiptar, si një mjet për të neutralizuar problemin e Kosovës dhe hidhte mundësinë për bashkimin me Shqipërinë të këtij territori të banuar nga shqiptarët.
Moska fillimisht nuk e merrte fare parasysh Shqipërinë. Kur shefi i qeverisë shqiptare, Enver Hoxha, në maj të vitit 1947 u ftua për të vizituar Moskën, Kremlini mori më parë aprovimin nga Beogradi.
Por më pas Bashkimi Sovjetik filloi të zgjerojë lidhjet me Shqipërinë, çka në Beograd u pa me sy të keq. Për t’iu kundërvënë ndikimit sovjetik, Beogradi nisi sulmin kundrejt të gjithë atyre udhëheqësve shqiptarë, që njiheshin për orientimin e fortë pro-rus.
NJË VDEKJE DHE PASOJAT E SAJ
Byroja Politike shqiptare nuk ishte unike në kursin e politikës së jashtme. Ndërsa ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Koçi Xoxe, ishte për një afrim me Jugosllavinë, Nako Spiru, që mbante postin e ministrit të Ekonomisë dhe Industrisë, ishte eksponent i linjës sovjetike.
Enver Hoxha luante me të dyja pozicionet, por ndoqi deri në çarjen jugosllavo-sovjetike në vitin 1948, një politikë të qartë pro-jugosllave. Tensioni në Byronë Politike u thellua në nëntor të vitit 1947, kur Beogradi e akuzoi Tiranën, se po ndiqte një kurs armiqësor ndaj Jugosllavisë.
Nën ndikimin e Koci Xoxes, Hoxha pranoi që të nisë një hetim ndaj Nako Spirut. Një gjë e tillë mori jetë pak pas mesazhit të Jugosllavisë. Pakkush mund të mendonte në këtë kohë, se vdekja e Spirut, që kishte kontakte intensive personale me ambasadën sovjetike në Tiranë, do ishte pika e nisjes së konfliktit mes Moskës dhe Beogradit.
Ngjarjet në Shqipëri bënë që vetë Stalini të angazhohej personalisht me këtë çështje. Në fund të dhjetorit 1947, ai i kërkoi Titos me anë të një telegram, që të dërgonte në Moskë “një shok të përgjegjshëm, për shembull Djilasin ose, dikë tjetër, që është familjar me situatën në Shqipëri”.
Në mes të janarit 1948, Milovan Djilas, anëtar i Byrosë Politike jugosllave dhe një nga të besuarit e afërm të Titos, shkoi në Moskë e po në të njëjtën mbrëmje, pati bisedime me Stalinin dhe ministrin e Jashtëm sovjetik, Molotov.
Stalini doli menjëherë në bisedë te vdekja e Spirut dhe i la Djilasit të kuptojë shqetësimin e tij, në lidhje me zhvillimet në Ballkan. Më pas diktatori rus foli edhe për bashkimin e Jugosllavisë me Shqipërinë dhe në mënyrën e tij ambivalente, u përpoq të theksojë se të dy shtetet duhet të presin, derisa të vijë momenti i duhur, për një gjë të tillë.
Se pse Stalini dëshironte që palët të prisnin për bashkimin, kjo nuk bëhet e qartë në dokumentet sovjetike. Vendimtar për zhvillimet e tjera ishte se Djilas, në njoftimin e tij nga Moska, shprehej në mënyrë pozitive për rezultatet e bisedimeve me Stalinin. Tito ndjehej në njëfarë mënyrë i aprovuar në politikën e tij përkundrejt Shqipërisë.
Po në të njëjtën ditë që ai mori telegramin e Djilas, i shprehu Hoxhës dëshirën që trupat jugosllave, të stacionoheshin në një bazë ushtarake në qytetin jugor të Korçës. Si argument për këtë, Tito dha kërcënimet që mund t’i vinin Shqipërisë nga monarko-fashistët grekë.
Edhe pse kontaktet mes Beogradit dhe Tiranës zhvilloheshin në mënyrë të fshehtë, Kremlini nuk ngeli i painformuar. Një ditë pasi Hoxha i dha mirëkuptimin Titos për stacionimin e trupave jugosllave, në Moskë mbërriti një mesazh nga ambasadori sovjetik në Beograd, Anatoli Lavrentev, që informonte për planet jugosllave.
TAKIMI PËRFUNDIMTAR NË KREMLIN
Udhëheqja e Kremlinit ishte e alarmuar. Molotov dënonte qëndrimet e Beogradit me një anë të telegrami të ashpër, ku Titos i përmendej marshimi që do realizonte në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj udhëheqjes jugosllave iu sugjerua një takim urgjent në Moskë.
Beogradi pranoi në çast dhe dërgoi një delegacion të rangut të lartë, që drejtohej nga Edvard Kardelj, anëtar i Byrosë Politike jugosllave dhe njeriu i dytë pa Titos.
Në këtë takim deciziv, që u mbajt më 10 shkurt 1948 në Kremlin, u ftua dhe një delegacion bullgar. Shkak ishin deklaratat e Georgi Dimitrov, kryetar i Partisë Komuniste bullgare, që ishte shprehur publikisht për bashkimin e vendeve të ‘Demokracive Popullore’ të Evropës Lindore, në një federatë.
Deklaratat e Dimitrovit, që nuk ishin bërë në konsultim me Moskën, patën jehonë të madhe në Perëndim, për shkak se drejtuesi komunist bullgar, kishte përfshirë në mënyrë eksplicite në projekt edhe Greqinë.
Molotov lexoi akuzat ndaj tyre. Pikë për pikë ai atakoi ato që u quajtën “gabime të shokëve në Ballkan” dhe bëri të qartë se në të ardhmen të gjitha vendimet e politikës së jashtme, duhej të merrnin miratimin e Kremlinit.
Për çudinë e të gjithë të ftuarve, Stalini u shpreh në mënyrë negative për luftën civile në Greqi, duke theksuar se gjërat në Greqi kishin pak shanse për sukses dhe se kjo mund të sillte komplikacione ndërkombëtare. Ai i sinjalizoi jugosllavët dhe bullgarët që të reduktojnë ndihmën e tyre ushtarake ndaj komunistëve grekë.
KRAHË-MARRJET E BEOGRADIT
Pjesëmarrësit jugosllavë dhe bullgarë, u treguan gjatë takimit të disiplinuar dhe pranuan “gabimet” e tyre. E ndërsa në vijim Bullgaria qëndroi e heshtur, Tito vazhdoi politikën e tij në Ballkan. Vetëm pak ditë pas takimit të Moskës, Tito zhvilloi një takim me një përfaqësi të lartë të partizanëve grekë dhe i siguroi ata, për mbështetjen e mëtejshme të Jugosllavisë.
Ky angazhim i Titos erdhi deri në një pikë, sa situata në kufirin jugosllavo-grek u bë e rrezikshme. Kështu, ambasadori Lavrentev mësoi gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm jugosllav, se Beogradi kishte vendosur të gjithë flotën ajrore në gjendje lufte, për shkak të provokacioneve të pritshme nga ana e monarko-fashistëve grekë.
Jugosllavia nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga ambiciet për Shqipërinë. Por Tito, duke mos dashur të provokojë më shumë situatën me Bashkimin Sovjetik, hoqi dorë nga iniciativa për dërgimin e njësive ushtarake jugosllave në Shqipëri – kur befas Tirana bëri lëvizjet e saj, duke parë këtë zhvillim.
Në fillim të marsit 1948, Plenumi i tetë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, miratoi një rezolutë që e deklaronte orientimin e Shqipërisë për nga Jugosllavia, si linjë zyrtare të partisë. Bashkangjitur delegatët aprovuan një dokument të fshehtë, që përshkruante në mënyrë të detajuar bashkimin e ushtrisë shqiptare, me atë jugosllave.
PRECEDENT PËR AKSIONE PASTRIMI
Kremlini informohej me saktësi për hapat që do ndiqte Jugosllavia nga një kontakt i fshehtë në nivelet e larta të Byrosë Politike jugosllave. Kur Stalinit iu qartësua, se Tito do qëndronte fort në kursin e tij të politikës së jashtme, nisi ofensivën.
Më 18 mars 1948, Moska tërhoqi punonjësit këshilltarët ushtarakë nga Jugosllavia. Më pas udhëheqjes së Beogradit, i mbërritën një seri letrash, në të cilat Stalini dhe Molotov, dënonin veprimet e Partisë Komuniste Jugosllave.
Këto letra mbërrinin dhe në dyert e udhëheqësve të tjerë të partive komuniste në Evropën Lindore, për t’i mobilizuar ata kundër Jugosllavisë dhe që vendimi të merrej në kuadër të Kominformit, një lidhje e partive komuniste evropianolindore, që kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 1956, Nikita Hrushov (Chruschtschev), citonte në fjalimin e famshëm të Kongresit të XX-të të partisë Stalinin dhe fjalët e tij: “Unë thjesht lëviz gishtin e vogël dhe nuk ka më Tito”.
Dokumentet arkivore tregojnë se Stalini në atë kohë nuk donte ta mbyllte me rastin e Titos. Në të vërtetë, shefi i Kremlinit ishte i kënaqur me izolimin e Jugosllavisë, në kampin komunist.
Sulmi i hapur ndaj kreut të partisë në Beograd ishte dhe një mjet për të forcuar Kampin Socialist dhe njëkohësisht një precedent për një aksion pastrimi, që Moska ndërmori në vitet e mëvonshme në partitë e Evropës Lindore.
Izolimi i Jugosllavisë, shkoi dhe kundër interesave sovjetike në Ballkan. Shqipëria u kthye nga Rusia, duke gjetur kështu një padron të ri; Bullgaria u bë një nga kritiket më të ashpra të “klikës së Titos” dhe përfundimisht Beogradi hoqi dorë nga ndihma për partizanët grekë, çka solli dhe humbjen e tyre dhe përfundimin e luftës.
Tito nuk ishte mjaftuar me këtë reaksion të ashpër të Moskës. Shumë shpejt udhëheqësi jugosllav e kuptoi se mund ta përdorte në favor të tij këtë situatë. Tito filloi ta shiste këtë konflikt si rezultat të luftës për një “rrugë të re të socializmit”- një devizë që më vonë u bë arsye kryesore për politikën e suksesshme jugosllave për lirinë e bllokut komunist. / Memorie.al
* Jeronim Peroviç, është bashkëpunëtor shkencor i universitetit të Bazelit, Zvicër