Nga Ali Buzra
Pjesa e njëzetenëntë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Para gushtit të vitit 1943, në shtëpinë e Nezir Muzhaqit janë strehuar dhjetëra partizanë. Ai, ka komunikuar dhe bashkëpunuar në atë kohë me Petrit Hakanin, Sami Bahollin, Qemal Haxhihysenin, Kadri Hoxhën, Ramadan Çitakun, Ali Myftiun etj., për problemet e luftës kundër fashistëve italianë. Këto dhe të tjera fakte ai i dëshmoi në gjyqin që u organizua kundër tij pas çlirimit të vendit. Me gjithë qëndrimin dhe sjelljen e tij prej atdhetari dhe patrioti të vendosur, komandat partizane vepruan marrëzisht në Polis. Në fillim të pranverës së vitit 1944, një brigadë partizane, thuhet të ketë qenë Brigada III-të, gjatë marshimit në rrugëkalim për Polis, humbasin rrugën. Në këto kushte marrin si shoqërues dy persona.
Në Polis Qendër, shoqëruesit largohen duke u fshehur. Më pas i gjetën shoqëruesit, por si hakmarrje vranë dy burra të fisit Zaimi. Sjellja e tyre ngjalli zemërimin e fshatarëve. Këta të fundit u ngritën dhe u zhvilluan luftime gjatë gjithë natës. Në këto luftime u vranë disa partizanë dhe u kapën robër, kryesisht të plagosur. Neziri nuk ndodhej aty. Të nesërmen kur erdhi, ai i merr robërit partizanë të plagosur, duke i dërguar për t’u mjekuar në Elbasan. Meqenëse në spital kishte edhe gjermanë të plagosur, ai u thotë se të plagosurit janë të Ballit. Edhe ky është një eveniment tjetër që dëshmon për figurën e Nezir Muzhaqit, si burrë paqedashës, i matur e human.
Por hakmarrja partizane, do të bëhet fakt i njohur në Polis. Në maj 1944, vjen një batalion i Brigadës Parë, i cili sulmon Polisin. Neziri, për fat, përsëri nuk u ndodh aty. Qëndresën ndaj sulmit të partizanëve e organizoi Qerim Muzhaqi, dhe vëllai i Nezirit, Kadriu, të ndjekur nga disa burra që ndodheshin në fshat. Ata, mbas disa orë luftimesh, u detyruan të tërhiqen përballë forcave të shumta partizane, të cilat ishin të organizuara mjaft mirë, e të disponuara për të shkatërruar Vilanin, duke ngjallur tmerr e panik te banorët e tij. Mbasi kryen këtë masakër, partizanët largohen, po atë natë nga Polisi.
Gjatë largimit u ndalën në një shtëpi në anë të fshatit. U futën natën në shtëpi dhe nxorën jashtë saj dy vëllezërit, Tahir e Shaqo Muzhaqin, njëri 22 dhe tjetri 24 vjeç. I lidhën sipër shtëpisë së tyre dhe i vranë të dy djelmoshat e pafajshëm. Sot, dëshmitarët e gjallë, Ruzhdi e Sheme Muzhaqi, tregojnë me dhimbje ngjarjen në fjalë, ku partizanët dogjën rreth 30 shtëpi të Muzhaqit, mbi 20 shtëpi të Cekanit, 5-6 shtëpi të Allmetës, në Vilan e Qafë-Buall. Vetëm 2 shtëpi shpëtuan pa u djegur, një Tanush e një Muzhaq. Para djegies ata grabitën nëpër shtëpi mall e bagëti, në qindra e qindra kokë. Në këtë zallahi tmerri, është për t’u përmendur edhe një eveniment rrëqethës që e ka përjetuar i mbijetuari Ruzhdi Muzhaqi, sot 89 vjeçar.
Ai, në atë kohë, pothuaj fëmijë 13-14 vjeçar, në mes të plumbave, zjarrit e flakëve, rrëmben foshnjën dymuajshe, të të vëllait Kadriut dhe vrapon drejt pyllit, për t’i shpëtuar masakrës, duke ndjerë tek i binin mbi kokë degët e pemëve të këputura nga plumbat, si dhe të klithurat e foshnjës që qante. Për fat shpëtuan që të dy. Sot rrëfen për ngjarjen Ruzhdiu, ndërkohë jeton edhe Mit’hati 74 vjeç. Atje, në kodrinën përballë, u grumbulluan shumica e pjesëtarëve të familjeve, që ikën nga sytë këmbët prej tmerrit, duke kërkuar e thërritur njëri-tjetrin në pyll. Në atë natë të errët ogurzezë, nga atje, banorët e Vilanit shihnin tek u shkonte flaka në qiell shtëpive të tyre, të djegura nga partizanët e Brigadës së Parë.
Kjo, ishte “epopeja e lavdishme”, e shkruar në dhjetëra libra të kohës së komunizmit në Shqipëri, ku i thurej lavde Luftës Nacional-Çlirimtare. Ajo është shoqëruar me masakra mbi popullsinë e pafajshme në zona të caktuara të vendit. Është e sigurt, se gjatë këtyre veprimeve me djegie, vrasje e plaçkitje, patjetër që ka patur edhe zhgënjime të partizanëve të thjeshtë ndaj komandave të tyre, të cilët ishin organizatorët e masakrave, të porositura e të iniciuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare e që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare.
Të nesërmen në darkë, vjen në Vilan Neziri me disa pjesëtarë të çetës së tij. E ç’të shihte. I gjithë Vilani ishte bërë shkrumb e hi. Dëshmitarët tregojnë se tymi dukej që nga Elbasani. Familjarët e mbetur pa strehë, u larguan duke u vendosur te miqtë e tyre në Labinot e, fshatra të tjerë, ndërsa disa ndërtuan aty kasolle për të strehuar familjet. Në mënyrë graduale, familjet e mbetura pa strehë e të rrënuara ekonomikisht, fillojnë të kthehen e të rindërtojnë shtëpitë e djegura. Një pjesë e tyre u vunë çati shtëpive të djegura mbi muret që nuk qenë shembur, të tjerë ndërtuan kasolle, ndërsa disa i rindërtuan shtëpitë nga themelet. Familja e Met Muzhaqit, tregon Ruzhdiu, ndenji për disa muaj në një çadër që ua fali Kasem Çerma, një mik i tyre nga Elbasani.
Në vjeshtën e vitit 1944, vjen në Vilan Brigada VII-të partizane e cila kërkon të bëhet një mobilizim i burrave të fshatit për luftë. Mes disa të tjerëve mobilizohet edhe vëllai i Nezirit, Xheviti, si dhe Daut Muzhaqi, djali i Sherifit, të cilët qëndruan atje deri në fund të luftës, e më pas kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ata u liruan në vitin 1947. Qerim Muzhaqi, djali i Sherifit dhe Kadri Muzhaqi, vëllai i Nezirit, nuk u dorëzuan. Ata kaluan në arrati. Qerimi ishte ende i pamartuar, por i fejuar, ndërsa Kadriu, i martuar dhe kishte dy fëmijë të mitur. Kadriu u strehua për disa kohë te një mik i familjes së tyre në fshatin Gostimë të Elbasanit.
Duke qenë edhe i sëmurë, ai natën strehohej aty, ndërsa ditën largohej, sepse shpesh bëheshin kontrolle nga ana e ushtrisë. Një ditë i rënduar nga sëmundja, e gjejnë disa kalimtarë në rrugë. Ata e marrin dhe e dërgojnë në spital. Pas disa orësh ai ndërron jetë. Qerimi, strehohet te një miku i tyre në Kavajë. Thuhet se atje ka ndenjur për disa vite dhe se aty ndërroi jetë. I zoti i shtëpisë e ka varrosur atë në fshehtësi në kopshtin pranë shtëpisë. Në 45 vitet e diktaturës nga frika e përndjekjeve nuk u fol më për të. Gjithsesi koha dhe vendi ku ndërroi jetë ende mbetet enigmë.
Në shkurt 1945, forca të ushtrisë partizane ngjiten përsëri në Vilan dhe u vënë flakën për së dyti shtëpive të rindërtuara e kasolleve ku qenë strehuar familjet. Edhe këtë radhë dëshmitarët tregojnë, se asnjë familje e Muzhaqëve nuk mbeti në këmbë. Pas djegies së fundit, disa qëndruan aty, ndërsa të tjerë largohen në Elbasan. Met Muzhaqi, babai i Nezirit, ndodhej në Elbasan për të siguruar ndonjë mundësi furnizimi për familjen, por e arrestojnë aty nga fillimi i muajit maj 1945.
7.1 Nezir Muzhaqi, duke besuar në pafajësinë e tij vetë-dorëzohet, por dënohet me varje në litar
Nezir Muzhaqi mbas lufte u vetë-dorëzua. Ai e bëri këtë veprim duke qenë koshient për veprimtarinë e tij të matur gjatë luftës. Ai qe kontribuues në luftë, por nuk mendoi se dorëzimi do të qe fatal për të. Në burg, Neziri, ndodhej në një vend me babanë e tij Mehmetin (Metin). Gjatë ditëve të qëndrimit në burg, Neziri u jepte kurajo, jo vetëm babait, por edhe të tjerëve që ndodheshin aty, duke kaluar te secili. Më 14 maj 1945, u bë gjyqi ndaj tij. Djaloshi 28 vjeçar, i shkolluar dhe inteligjent i familjes fisnike të Muzhaqit, nuk e kish menduar skenarin ogurzi që i ishte përgatitur. Ai në fjalën e tij të mbrojtjes, shpjegoi me argumente pozicionimin dhe qëndrimin e tij gjatë luftës në mbrojtje të çështjes kombëtare në përgjithësi, si dhe të zonës së Polisit në veçanti.
Ndërkohë, mjaft bindëse ishin edhe faktet e avokatëve të tij mbrojtës në gjyq të cilat pjesërisht janë të botuara në gazetën “Elbasani” të muajit tetor 2004. Por, as mbrojtja dinjitoze që ai kumtoi në fjalën e tij, po ashtu edhe ajo e avokatëve mbrojtës, nuk do të merreshin parasysh. Diktatori, nuk bënte lëshime me familjen fisnike të Muzhaqëve, ashtu si edhe kudo me familje të tilla në Shqipëri. Aq më tepër, ai nuk do të linte të gjallë, intelektualin largpamës perëndimor e patriot, i cili mund t’i sillte probleme në rrugën e vendosjes së regjimit komunist e, të reformave që do të ndërmerreshin në vend. Vendimi i trupës gjyqësore të ngritur e urdhëruar nga partia-shtet, për Nezir Muzhaqin ishte me vdekje, me varje në litar. Me këtë formë terroriste ekzekutimi, kërkohej të ngjallej frikë e tmerr në popull.
Në burg, babai i tij mësoi për vendimin e gjyqit. Kur do ta merrnin Nezirin, ai u lutej policëve, duke u thënë të merrnin atë, se; “djali është i ri e, nuk ka faj”, “më vritni mue” … etj., por xhelatët e largojnë duke e shtyrë. Ai ndërroi jetë me ankth në zemër, para të birit. Më 4 gusht 1945, ekzekutohet vendimi për Nezir Muzhaqin, me varje në litar, urdhëruar nga diktatori Enver Hoxha. Ai u var te Rrapi i “Bobolles” në qytetin e Elbasanit. U mbyll kështu jeta e intelektualit të shquar, si dhe e të riut largpamës e modern, të familjes Muzhaqi në Polis, Nezir Muzhaqi, i cili ndërpreu studimet jashtë vendit për kauzën kombëtare të Shqipërisë së lire e demokratike pa komunizmin.
Familja e tij tashmë ishte shkatërruar. Babai i tij Mehmeti, ndërroi jetë në burg. Kadriu, në arrati nuk mundi të mbijetojë. Xheviti, i cili u mobilizua me Brigadën VII-të partizane, vazhdonte të kryente shërbimin ushtarak. Nëna e tij, me djalin e vogël 14 vjeçar, Ruzhdiun, sot dëshmitar i gjallë, shkonte herë pas here në Elbasan te burgu, të takojë të birin, por më kot. Ashpërsia dhe egërsia e shtetit komunist, i tejkalon përmasat e arsyes njerëzore. Nënës së Nezirit nuk ia mundësojnë takimin me të birin, edhe para ekzekutimit. Ajo nuk mundi të përqafojë djalin e saj, në këto momente tragjike për ta.
“Në mëngjesin e 4 gushtit 1945, – rrëfen Ruzhdiu, – shkuam me nënën te Rrapi i ‘Bobolles’, mbasi na thanë se ndodhej i varur vëllai. Nëna ia shtrëngonte dhe ia puthte këmbët, sepse te fytyra nuk mund të arrinte. Xhelatët e largonin, e ajo afrohej prapë, derisa na larguan fare”, – kujton Ruzhdiu. O zot, sa ka vuajtur kjo zemër nëne, e cila duke u larguar thoshte: “Hëngshin kokën e njëri tjetrit…”! Dhe në të vërtetë kështu ndodhi. Mallkimin e nënës zoti e ka pranuar.
7.2 Kalvari i vuajtjeve për familjet e Muzhaqëve do të vazhdojë me vite
Vuajtjet dhe stërmundimet për familjet e Muzhaqëve, nuk do të mbaronte me kaq. Në vitin 1946, arrestohet Sadik Muzhaqi, njëri nga shtatë vëllezërit e familjes së madhe të Muzhaqëve. Ai dënohet dhe dërgohet në kënetën e Maliqit, ku të burgosurit kanë provuar tortura nga më çnjerëzoret. Ata punonin në ujë deri në gjunjë e, me raste uji vinte deri në brez. Pa ushqim e pa asnjë mjet mbrojtjeje, shumë të burgosur kanë vdekur nga lodhja, vuajtjet e të ftohtit. Sadiku, ndërroi jetë atje në kushte të rënda dhe sot për të nuk ka një varr.
Për ato familje, që mbas djegies qenë strehuar në qytetin e Elbasanit, u dha urdhri që të shkojnë në fshat. Dhe kështu u bë. Atje, familjarët u përpoqën të rindërtojnë ekonominë e shkatërruar. Në vitin 1947, u kthye nga ushtria Xheviti. Ai qëndroi mbi dhjetë vjet në një familje, bashkë me vëllanë e tij më të vogël, Ruzhdiun. Ata me punë e stërmundim rindërtuan muret e prishura dhe u vunë çatitë shtëpive të djegura, ndërkohë blenë edhe pak bagëti. Siç dihet problem i tyre ishte edhe martesa. Xheviti mori për grua vajzën e Musa Kullollit, nga Poroçani i Gramshit, e cila ishte familje kulakësh. Ruzhdiu, mori të bijën e Beqo Musait, me origjinë nga Kishta e Gramshit, por që banonin në Dragot të Belshit, edhe kjo familje kulake. Të gjitha familjet e barkut të Hasan Muzhaqit në Vilan, mbajtën titullin Kulak.
Nën torturë e gjenocid çnjerëzor, do të vihet edhe familja e Sherif Muzhaqit. Kjo, si presion edhe ndaj djalit të tij Qerimit, i cili nuk u dorëzua. Dëshmitë për këtë i kam marrë nga i mbijetuari Sheme Muzhaqi, sot me banim në Durrës, njëri prej shtatë djemve të Sherif Muzhaqit. Ashtu si dhe të mbijetuarit e tjerë, edhe Shemja përshkruan mjaft ngjarje e momente rrëqethëse nga jeta në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Familjen e tij, bashkë me prindërit, në vitin 1945 i internojnë në Berat. Shemja ishte vetëm 10 vjeç, ndërsa vëllezërit e tjerë, të gjithë të pamartuar, vijonin nga 18-25 vjeç. Atje qëndruan për afro dy vjet, deri në vitin 1947. Burrat dhe gratë i çonin të kryenin punë të rënda.
Aty nga pranvera e këtij viti, i lirojnë e kthehen në shtëpi. Fillimisht ndërtuan një kasolle sa për të futur kokën, ndërkohë që nuk kishin asnjë orendi shtëpiake për të jetuar. Punojnë sa për të mbajtur frymën gjallë. Po këtë vit u lirua nga ushtria edhe vëllai i tyre, Dauti. Mobilizohen për të rindërtuar shtëpinë dhe ekonominë e familjes, por nuk do t’i lënë gjatë. Në muajin maj 1949, policia shkon në Vilan e rrethon familjen e tyre, duke i urdhëruar të dalin nga shtëpia. Marrin disa plaçka të vogla që mezi kishin mundur t’i sigurojnë dhe i nisën për në Librazhd. Nuk i lejuan të marrin tesha për fjetje. Kështu nis “shtegtimin” e pakuptimtë, por mizor, familja e Sherif Muzhaqit, e përbërë nga tre pleq të moshuar mbi 60 vjeç, gjashtë vëllezër dhe pesë motra, gjithsej 14 vetë. Nuk dinin për ku po i çonin.
Ata do të niseshin drejt kampit të përqendrimit në Tepelenë. Ndërkohë bashkë me ta marrin edhe familjen e Ismail Kasës me gjithë vëllezër, nga Gurshpata, i cili kishte vëllanë e tij Rexhep Kasën, të arratisur jashtë vendit, për veprimtari antikomuniste. Në Librazhd, i mbajnë rreth dy javë, derisa u grumbulluan edhe familje të tjera. Me një kamion të madh, ngarkuar në karroceri, i nisën për në Tepelenë, ku i vendosën fillimisht në fshatin Turan. Aty ishin disa gazerma, por për fatin e keq nuk kishte vend brenda, mbasi qenë të mbushura me të ardhur nga rrethe të tjera të vendit, mbërritur aty më parë. Nga muaji maj deri në tetor, ndenjën në qiell të hapur, brenda territorit të kampit, të rrethuar me tela me gjemba. Mbi 5 muaj duruan mbi shpinë shiun, vapën përvëluese, por edhe të ftohtit gjatë netëve, pa shtrojë e pa mbulojë.
Në muajin tetor i dërgojnë në Tepelenë. Edhe këtu qenë të rrethuar me tela me gjemba e, me policë roje. I fusin brenda në gazerma duke u dhënë nga 50 cm. vend për person. Pas këtij kufiri, vinte familja tjetër. Fillimisht u japin vetëm nga 400 gram bukë thatë. Edhe ajo ishte gatuar me mbeturina misri, shpesh ishte e mykur. Filluan vdekjet e pleqve dhe të fëmijëve. Sheme Muzhaqi, 14 vjeçar në atë kohë, sot rrëfen me dhimbje vuajtjet rrëqethëse të jetës në kamp. I kanë mbetur në mendje pamjet makabre kur të vdekurit i varrosnin në gropa, pa dërrasa, që i hapnin vetë njerëzit e kampit, të detyruar nga policët t’ua hidhnin dheun përsipër trupit, ashtu siç ishin me rrobat e leckosura që ata kishin. Vdekje, kishte për çdo ditë. Ngrihet një grup prej 10-15 vetash nga burrat e kampit dhe hapnin gropa.
“Meqenëse, numri i vdekjeve shtohej”, – rrëfen Shemja, – vjen një ekip mjekësh nga Tirana për verifikim. U tha se mjekët arritën në konkluzionin se vdekjet ndodhnin për mungesë ushqimi. Kështu ditët në vazhdim filloi të gatuhej një supë me oriz, bullgur, e në ndonjë rast edhe me fasule, pa yndyrë e cila mbante erë të rëndë. Në të dalloheshin krimbat, të cilët njerëzit i hiqnin e pastaj gëlltitnin supën me uri. Vdekjet vazhdonin në masë. Numri i varreve shtohej çdo ditë. Të afërmit u vinin atyre ndonjë gur, si shenjë për t’i mbajtur mend. Ne, fëmijëve të moshës shkollore, – tregon ai, – filluan të na bëjnë mësim, por pa libra e mjete shkollore. Për disa kohë, kthyen në ‘klasë’, një ambient brenda kampit, ku patëm mësues një nga të internuarit, më pas e vazhduan mësimin në Tepelenë”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm