Nga Ali Buzra
Pjesa e tetëmbëdhjetë
JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Vëllezërit Dobra, megjithëse u dogjën dhe u sekuestruan, kishin bërë shtëpinë e kishin shtuar bagëtitë. Në shtëpi, me kushërinjtë kaluan dimrin dhe erdhi pranvera. Familja e vëllezërve Dobra, ishte e bashkuar. Ajo dallohej për unitet e harmoni. Burrat dhe gratë punonin në bujqësi e blegtori. Vërtet me vështirësi, por gjithsesi siguronin bukë e ushqim, por tatimi i rëndë që paguanin në shtet, nuk u mundësonte të përmirësojnë nivelin e jetesës.
Megjithëse trajtoheshin mirë, dy fëmijët e Islamit, ndienin mungesën e nënës e të vëllait, sidomos në darkë, kur kushërinjtë qëndronin pranë prindërve të tyre. Kujtimet e pranverës në Mal të Letmit, në Fushat, që i quajnë ata, për Shefqetin kanë mbetur të pashlyera. Burrat bënin kositjen, ndërsa gratë mblidhnin barin e tharë. Fusha oshtinte nga bagëtitë e fyejt e barinjve. Atje në pranverë e në verë kishte gjallëri. Ndërkohë që dy fëmijët e Islamit, Hatixhja tashmë 17 vjeçe dhe Shefqeti 12 vjeçar, mbanin shpresë se do të vinte edhe nëna me Muhametin.
Një pasdite të qershorit të vitit 1955, tre policë vijnë te shtëpia e tyre. “Kemi urdhër të marrin dy persona”, – thonë ata dhe lexojnë emrat; Hatixhe Dobra dhe Shefqet Dobra. Fëmijët mërziten shumë. Ata i tmerronte Tepelena. Atë natë policët ndenjën aty. Të nesërmen deri në Librazhd, i përcolli xhaxhai i tyre, Brahimi. Të shoqëruar nga policët shkuan në Rrogozhinë, e prej andej, me një karrocë kuajsh që merrnin pasagjerë për në Lushnje, i dërguan në Plug, ku ndodhej nëna e tyre me vëllain e madh, Muhametin.
Kampi i Tepelenës, nga fundi i vitit 1954, e deri në fillim të vitit 1955, u boshatis. Shumicën e atyre njerëzve që mbijetuan nga tmerri, i dërguan në kampe të tjera internimi, por tanimë, jo të rrethuar me tela e policë. Për këtë, Shefqeti në librin e tij shkruan: “Në dhjetor 1954-ës, janar 1955-ës, kampi i Tepelenës, që kishte përpirë qindra e qindra jetë fëmijësh e pleqsh, djem e vajza të reja, vendi ku u sëmurën e u çmendën njerëz, u shndërrua edhe një herë në batalion ushtrie. Ushtarët tani mund të lëviznin lirshëm, ç’minosja e fushës u pagua me qindra jetë të pafajshëm të këtyre njerëzve!
Ushtarët nuk kanë faj, ardhshin shëndoshë në shtëpitë e tyre. Shpirtrat e atyre që nuk mundën të dalin nga ai vend i mallkuar, do u faniten xhelatëve në gjumë…! Nëna me vëllain ishin vendosur në Plug të Lushnjes. Ata u habitën shumë kur na panë. Policët morën një firmë nga nëna që na kishin dorëzuar dhe ikën. U bashkuam edhe një herë si familje. Tepelena ishte shembulli i çmendurisë dhe dhunës, që shpiku shteti shqiptar për ne, vendi ku luftohej me vdekjen dhe fitonte vetëm ajo. Ishte Gulagu shqiptar”.
Në Plug, nuk kishte tela, por çdo natë bëhej apeli, dhe nuk kishin të drejtë të largoheshin pa leje. Shefqetin, nëna e dërgoi në shkollë në Lushnje, ku shkonte çdo ditë më këmbë. Një ditë atje vjen Emini, djali i Beqirit që kishte qenë i veshur oficer në ushtri, por që tani qe liruar. Mësuesi i jep leje, për orët e fundit dhe ata shkuan bashkë në shtëpi. Të nesërmen, atje shkon edhe xhaxha Brahimi. Kaluan një natë të mrekullueshme. Brahimi, tregoi edhe një herë atë natë, për largimin e Islamit, gjashtë vite më parë. Ai shpjegoi, se Islami donte të merrte me vete gjithë familjen, por që vëllezërit nuk e miratuan. Në fund këmbënguli për Muhametin, por ishte me shumë rrezik. Për këto kishte dijeni nëna me Muhametin, ndërsa Hatixheja me Shefqetin, jo. Kushëriri i tij, Muharrem Hasa nga Qarrishta, bashkë me Brahimin, e kishte nxjerrë pa problem matanë kufirit, duke e adresuar te një mik, me të cilin kishin biseduar më parë.
Familjen e Islam Dobrës nuk e lanë gjatë në Plug. Për familjet e internuara, vinin udhëzime të veçanta nga Dega e Punëve të Brendshme të Lushnjës. Të katër i çojnë në fshatrat e Çermës, ku ndërtoheshin argjinatura në anë të lumit Shkumbin, për të penguar përmbytjen. Ata ndajnë kujtimet më të mira për fshatarët lushnjarë të fshatrave të Çermës, të cilët ishin shumë bujarë e mikpritës. Për disa kohë ata kanë qëndruar në shtëpitë e tyre, ndërsa punonin atje. Aty Shefqeti mbaroi klasën e katërt të shkollës fillore. Edhe prej andej i larguan, duke i çuar në barangat e bonifikimit, në një kodër, në Çermë Biçak.
Në vitin 1959, i dërgojnë në Gjazë, ku gjetën mjaft nga bashkëvuajtësit e vet. Pas disa vitesh aty sollën familjet e Fiqiri Dines, Muharrem Bajraktarit, kunatat e Kolë Bibë Mirakës, familjen e Hamit Matjanit, të Ismail Spahisë, të Gjon Marka Gjonit etj., të cilat kishin qenë në Savër. Shefqeti, tani 16 vjeçar, punonte në triorim tërfili, ku trirori ishte mekanik dhe luhej me dorë. Meqenëse, punohej në pluhur e tym, ai kishte siguruar një palë syze me gomë, që puthiteshin mirë në sy. Mirëpo, e sheh agronomi i sektorit, e nuk la fjalë pa i thënë, duke e quajtur mikroborgjez, se “koha juaj ka ikur” etj..
Një natë, teksa punonte në vaditje, e thërresin te zyrat ku agronomi bashkë me disa kuadro të tjerë e mbajnë deri në orën 5 të mëngjesit, duke i bërë presion se do njoftonin Degën e Brendshme, për ta çuar në burg. Shoku me të cilin vadiste, njofton nënën e tij, e ajo shkon te zyrat. Futet brenda e me zemërimin e nënës, u flet, duke u thënë se si nuk ju vinte turp, që mbajtën një fëmijë tërë natën aty. E merr djalin për krahu, e del me të nga dera, duke u thënë se s’kishin ç’të bënin, kur zoti i la në dorën e tyre.
Shefqet Dobra, burri që i mbijetoi internimeve dhe burgut të Spaçit e të Qafë Barit
Në vitin 1966, mbasi ishte liruar nga ushtria, të cilën e kreu në një repart pune, pa të drejtë arme, Shefqeti martohet me Bukurie Shpatën nga Zgoshti. Bukuria u dashurua me Shefqetin dhe nuk hoqi dorë nga martesa me të, me gjithë presionet e vazhdueshme që i bënin. Për një kohë të gjatë, nuk u bënin celebrimin. Asaj nuk i dhanë as lejen para lindjes sipas ligjit në fuqi. Ajo u detyrua të bëjë punë të rënda deri në ditët e fundit të barrës. Lindi djalin, të cilit ia vunë emrin Islam. Edhe Muhameti me Hatixhen qenë martuar më parë, duke krijuar familjet e tyre.
Shefqeti, i etur për dije, me shumë sakrificë përfundoi gjimnazin natën, të cilin e kreu në Krutje, rreth një orë larg vendbanimit. Shumica e familjeve të internuara, mbanin titullin e kulakut. Në ndonjë rast, siç duket, edhe për arsye provokative, bënin edhe ndonjë pranim në radhët e Frontit, por me kusht që ata të mos merrnin kontakt me familjet kulake. Nga internimi, vetëm për arsye të forta, i lejonin të vinin në vendlindje. Kështu, ata, marrin një telegram nga kushëriri i tyre Feta Dobra, të cilit i vdes e ëma. Ai i njofton edhe për orën e varrimit.
Nisen të dy vëllezërit, Muhameti me Shefqetin dhe arrijnë në kohë, në Letëm. Konaku ishte plot e përplot me burra. Në njërën qoshe qëndronte nënkryetari i kooperativës, Emro Biçaku. Muhametin e vendosin afër tij. Në konak disa i përshëndetën e disa jo, por diçka e papëlqyeshme ndodhi. Njëri nga të pranishmit, anëtar partie, nxjerr bllokun dhe shkruan një copë letër, e pasi e palosi ia jep Emros. Emroja, pasi e lexon, e bën shuk dhe e hedh në zjarr, ndërkohë, fillon të bisedojë me Muhametin, që nënkuptonte se nuk e miratonte përmbajtjen e letrës.
Kjo situatë, u mor vesh edhe nga i zoti i shtëpisë, i cili pas pak hyn në derë dhe thotë: Kushërinjtë nga Lushnja, i kam njoftuar unë, të marrin pjesë në varrimin e nënës, se janë njerëz të shtëpisë, kurse për fshatarët i kam rënë lodrës. (Riti i rënies së daulles me një topuz, ruhet edhe sot). Kush do të largohet, rrugën e ka të lirë. Këtu ka vend për të gjithë. Siç u mor vesh më vonë, personi kishte shkruar në letër; “Tani që erdhën çunat e Lamit, nuk ka vend për të gjithë, o ne o ata këtu”! Kaluan vite, dhe Shefqeti e Bukuria lindën e rritën katër fëmijë. Punonin në sektorë të vështirë pune nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në nëntor të vitit 1977, familjet e lagjes ku ishin kryesisht të “deklasuarit”, i dërgojnë për të punuar në sektorin Sulzotaj, ku rriteshin derra.
Çdo mëngjes, në orën gjashtë, vinte një makinë “Zis” për t’i marrë. Sa dëgjohej boria e makinës, duhet të gjendeshe në xhade. Me ta ishte caktuar edhe një komunist. Përgjegjësi i sektorit dhe komunisti qëndronin përpara te shoferi, ndërsa punëtorët hipnin në karrocerinë e makinës, që ishte e zbuluar. Ndodhte, që gratë, duke u marrë me fëmijët në shtëpi, nuk dilnin menjëherë, por që pa arritur ende te makina, përgjegjësi me shokun pranë, i jepnin urdhër shoferit të nisej, duke i lënë ata në këmbë. Ata detyroheshin ta bënin rrugën prej 8 km, në këmbë, në shi e në të ftohtë. Pati edhe raste, që kur mbërrinin aty, brigadieri u thoshte, se kishte marrë urdhër nga përgjegjësi të mos i pranonte në punë. Punëtorët punonin edhe në shi e baltë.
Në këto raste foragjeren e njomë ishin të detyruar ta çonin afro 1 km. me tezgë në duar, sepse nuk hynte mjeti. Para disa kohësh kishin ngordhur ca derra, e çdo ditë flitej për punë armiqësore. Në mbrëmje, në orën pesë mbas dite lihej puna për t’u kthyer në shtëpi. Punëtorët prisnin në xhade duke bërë ecejake nga të ftohtit, të lagur e të lodhur gjatë ditës, por makina nuk vinte në kohë. Ajo kthehej mbasi kishin kryer edhe punë të tjera. Por edhe mbasi vinte makina, përgjegjësi me komunistin, shpesh hanin darkë në mensën e sektorit, e pastaj dale nga dalë hynin edhe një herë nga “meraku”, në stallën e derrave, ndërsa për njerëzit që pritnin në të ftohtë s’pyeste kush. Kur ktheheshin në shtëpi, nënat i gjenin fëmijët në gjumë e po kështu i linin në mëngjes.
Edhe në verë, kujtojnë ata, ky vend ishte shumë i vështirë për ta, mbasi kishte shumë miza, që mbulonin edhe çantat e bukës, të cilat i varnin te plepat. Megjithëse kishte mjet, ata i çonin të ngarkonin me krahë plehun e derrave, në atë temperaturë të lartë, në zhegun e ditës, ku u bllokoheshin hundët nga era e rëndë që kundërmonte plehu. Rimorkoja ishte lartë e duhej që me forcën e krahëve të hidhej plehu me grep. Kashtat u binin në fytyrë. Në atë vapë, kullonin nga djersitja, por fytyrën nuk mund ta fshinin, sepse duart ishin të pista, ndërsa edhe mizat nuk u ndaheshin. Mbasi ngarkonin, hipnin mbi pleh, për ta shkarkuar në parcelë.
Veç punës së rëndë e lodhjes rraskapitëse, ishin të stresuar edhe nga fakti se operativët e Sigurimit e “spiunët 1200-sh”, përgjonin e survejonin pa pushim. Shefqeti, kishte kryer shkollën e mesme, e dallonte për aftësitë e intelektin e tij. Si i biri i ish të arratisurit, ishte në qendër të vëmendjes të punonjësve të Degës. Brigadieri, mbasi u njohën, duke parë jo vetëm aftësitë, por ndoshta, edhe karakterin e tij, prej burri të drejtë e dinjitoz, e caktoi atë zëvendës. Por përgjegjësi i sektorit, i tërheq vërejtjen, se nuk duhet të linte zëvendës Shefqetin. Nuk dihet, nëse kjo qe rastësi apo e porositur?!
Sigurimi i Shtetit vepronte në konspiracion të rreptë me forma nga më të ndryshmet. Fillon ta thërrasë atë operativi i zonës, ndërkohë persona të veçantë, të tjerë, i afrohen duke i bërë biseda provokuese. Ai tashmë, ishte i sigurt, se ishte në shënjestrën e Sigurimit. Në kohën e diktaturës, ka ndodhur, që anëtarë nga familjet e persekutuara, me ose pa dashje, kishin rënë në grackën e ngritur, duke u bërë robër në shërbim të tij. Përballë kësaj situate, tashmë ndodhej edhe Shefqeti. Operativi i zonës, i kërkon bashkëpunim, për të nënshkruar e deklaruar ndaj atyre, që flitnin kundër regjimit.
Për këtë, e thërritën edhe në Lushnje, në Degën e Brendshme. Operativi i zonës, së fundmi iu shpreh se po i dilte borxhit; ose do të bashkëpunonte, që do të jepte dëshmi, për të futur njerëz të dyshuar në burg ose, e priste burgu atë vetë. Shefqeti vazhdonte të punonte në Sulzotaj. Atje shkonin me makinë. Në mëngjesin e 2 nëntorit 1979, fronti i punës për burrat ishte në kositje të jonxhës. Pas disa ditësh me shi, toka ishte ujë. Punonin me çizme, të cilat shumica e burrave i kishin me pulla ose të qepura me penj, që sapo shkelnin në parcelë, u mbusheshin me ujë, e kështu me këmbë të lagura punonin tërë ditën.
Pasi kositën disa rreshta u ulën për të ngrënë mëngjesin. Në këto moment, vjen një person dhe i thotë Shefqetit se po e kërkonte përgjegjësi i sektorit në zyrë. Buka nuk shkonte më. Niset për te zyrat e sektorit, ndërkohë që aty, jo si zakonisht, mbretëronte qetësia. Trokiti në zyrën e përgjegjësit, i cili nuk dukej i qetë. E pyeti përgjegjësin nëse e kishte kërkuar, ndërkohë, ai i tha të ulej, pa e ngritur kokën. Natyrisht, ai ishte urdhëruar, por siç duket, duke mos qenë pjesë e këtij skenari, dukej se ndiente një farë keqardhje. Kjo edhe për faktin se po ndodhte në zyrën e tij. Ndërkohë që për Shefqetin, tashmë situata ishte e qartë, dhe në mendje, i vinte nëna e tij e moshuar dhe tejet e përvuajtur, që prej mbi 35 vitesh.
Hapet dera pa trokitur dhe hyjnë brenda 3-4 veta, policë e civilë. Tre katër të tjerë qëndronin jashtë derës, të armatosur. Nuk iu tha si zakonisht, se në emër të popullit ishte i arrestuar, por njëri prej tyre, i thotë se për të kishin një urdhër arresti nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe që nga ky moment ishte i arrestuar. – “Unë do të jem hetuesi yt, e bashkë do të kemi kohë t’i sqarojmë”, – tha ai dhe fillon t’i lexojë dokumentin: “Arrestohesh se ke kryer veprimtari armiqësore në mënyra të ndryshme, me individë ose me grupe, kur ke mundur, kundër partisë e pushtetit popullor. Mbi këto baza të provuara më së miri, urdhërojmë të arrestohet…..”! Kishin marrë edhe një karakteristikë nga sektori i Çermës dhe një nga fshati ku kishte lindur.
– “Fshati lindjes nuk më njeh, nga atje kam ikur që tre vjeç”, – iu përgjigj Shefqeti. Ia lexon karakteristikën e sjellë nga fshati duke i thënë:
– “Je dakord”?
– “Jo, – i përgjigjet, Shefqeti, – aty nuk ka gjë të vërtetë dhe nuk flitet për mua”!
– “Si nuk flitet për ty”, – i drejtohet i nevrikosur ai .
– “Se nuk pëmendem unë të kem bërë gjë”.
– “Njëlloj është, flitet për tët atë”.
– “S’ka ndonjë ligj të përgjigjem unë për babën”, – tha Shefqeti.
– “Do i sqarojmë në Lushnjë, – vijoi hetuesi, – por duhet të firmosësh këtu”.
– “E kanë firmosur ata që kanë urdhëruar arrestimin”, – përsëriti se fundmi Shefqeti.
I venë hekurat dhe e nisin me makinën “Xhip”, të policisë. Nisen për te shtëpia. Atë të shoqëruar nga dy policë, e nxjerrin dhe e lënë në barangën e berberit, ndërsa grupi tjetër i drejtohet shtëpisë. Shefqeti shikon nënën në kopsht, ku ai vetë kishte punuar pak vend për ta mbjellë qepë, ndërsa e ëma po përpiqej t’i mbillte vetë, që të mos mundoheshin kur ata vinin nga puna. Grupi i posaçëm u fut në shtëpi, duke kontrolluar gjithçka. Prej andej nxorën mjaft thasë me libra, për të seleksionuar më pas, “librat e ndaluar”. Shefqeti, ashtu si dhe Ilir Biçaku, e shumë të persekutuar të tjerë, ishin lexues pasionantë. Ata me kursimet e tyre, kishin blerë shumë libra, gjë që nuk e kishin drejtuesit mediokër të sektorit. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm