Nga Ben Andoni
Memorie.al / Ftohtë. Viti 1948. 13 veta kërkojnë të kalojnë kufirin shtetëror shqiptar. Janë zyrtarë të lartë të Malit të Zi. Të gjithë nga Bjello Polje. Diktohen. Shpërndahen. Vriten një nga një. Është njësiti i parë i Informbyroistëve, që kërkon shpëtim në Shqipëri. Vendin këtej e ka kapur histeria e Koci Xoxes. Ka kudo të dënuar. Terror në Shqipëri, llahtar në Serbi. Vjeshtë 1948. Tre veta dihasin shtigjeve të Vermoshit. Dimitri Jojiç, Sveto Arsenijeviç, Millo Kiçoviç, kishin vendosur të shkonin përtej fshatit të fundit. Do të kalonin kufirin tej vargmalit, që nuk e kishin parë asnjëherë në pjesën tjetër…! Përfunduan nga Vermoshi në Shqipëri. Et’hem Bashiç, do të vinte i vetëm një ditë shkurti në vitin 1950.
Pesë të tjerë, katër prej tyre nga familja Shoshkiç, do të kalonin kufirin, po në vjeshtë. Dobrillo, sot 90 vjeçar, që kujton se ishte më i riu. Të gjithë me pozitë, grada ushtarake dhe në struktura të ndryshme të Partisë Komuniste Jugosllave. Pas tyre familjarë. Të vetëm dhe të kërcënuar. Ata vetë: Luftëtarë. Idealistë.
Idealistët jugosllavë që donin shpëtim tek Enveri
Të gjithë këta ishin pjesë e kontingjentit prej qindra funksionarësh të Jugosllavisë, që erdhën në Shqipëri, për t’i shpëtuar mërisë së Titos dhe njerëzve të tij. Askush nuk e thotë numrin e tyre sot. Dobrillo, me trupin e drejtë dhe me një palë sy të lëmuar që të shikojnë drejt, pohon: “Po, ne ishim qindra vetë…”!
Pakkush e di, që në këtë vend ishin ajka e ushtrisë dhe intelektualëve, që i rezistuan egërsisë së sllavëve titistë. Shumë u vranë, pa mbërritur, ndërsa pjesa më e madhe u fut sërish në aktivitet, por këtë herë kundër ideologjisë së Titos. Nga Shqipëria ata u organizuan “kundër” vendit të tyre, por pa tradhtuar kurrë idealin dhe vendin e tyre të lindjes.
Dalja e Rezolutës së Byrosë Informative mbi gjendjen në Partinë Komuniste Jugosllave ku ata aderonin, kishte tronditur një masë të madhe të komunistëve dhe ish-partizanëve jugosllavë, ndërsa prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u dukej se ishte kulmi i tradhtisë. Në idealin e tyre kishte qenë gjithmonë fakti, se ishte sulmuar vendi i parë i sovjetëve, ndërsa për Titon, do të kujtonte i ndjeri Jojiç (në një intervistë të fundit) “ne kishim dëgjuar vetëm në vitin 1943”.
Deri atëherë personazhet e vërteta të Luftës, ishin krejt të tjerë. “Na bënë thirrje që komunistët jugosllavë, duhet të ngriheshim kundër Titos. Ata (krerët) bënë kongresin e Pestë dhe thanë që jemi me Stalinin dhe vëllazër, por ndërkohë kishin filluar reprezaljet. Thjesht, donin të na ngatërronin, por kryesore ishte që të na fusnin në zhurmë. A e din apo jo?! Ata na mbuluan me të dhëna dhe na përgjonin për çdo njeri dhe në vitin 1948, ata hapën edhe Golin-Otok, që ishte një Kamp Përqendrimi, ku janë bërë masakrat më të mëdha. Ma keq se në Mat’hausen”, – kujton Bashiç me një shqipe ende difektoze.
“Kur kam punuar në Beograd dhe Sarajevo, kisha ndjekur Juridikun. Po të më kishin nxjerrë në lirim, do ta kisha mbaruar mirë shkollën, sepse nëna kishte pension dhe në fshat shumë pasuri. Nuk varesha nga spaletat, por burgun jo. Kishim dhënë gjak për vendin, për idealin”. Këto janë fjalët e Jojiç, që në luftën jugosllave ka qenë një nga partizanët më në zë në Berane. Komisar i një Batalioni, ai luftoi për çlirimin e Beogradit, derisa një ditë do të kuptonte se ishte student dhe se e ndiqnin. Ishte koha e “Lovna Luda” (Gjuetisë së Çmendur). Koha, që do t’i përcillte ata në Shqipëri.
Pse në Shqipëri?
Kësaj pyetje që do ia bënin shpesh në të gjallë burrit simpatik, që ndërroi jetë disa kohë më parë, Z. Dimitri Jojiç, do t’i përgjigjej gjithmonë njësoj: “Një vargmal i ndante fshatrat, dhe idealistët si ai- nuk kishin pasur deri më atëhere asnjë paragjykim etnik, territorial, madje çuditeshin që kishte kufij”. Por e dinte se idealizmit të tij, i kishte ardhur fundi. Një ditë forcat jugosllave arrestojnë Drejtorin e Drejtorisë Operative të Armatës, kolonelin dhe një nga heronjtë e parë të Popullit jugosllav. Që atëherë nuk kishte mëdyshje.
“Po të dija se do të kishte kampe më të këqija se ato të nazizmit në Goli-Otok, atëhere do të largohesha shumë më parë”, – do i thotë miqve vite më vonë. Çetnikët i vrasin dy pjesëtarë të familjes për një javë, në vitin 1941, vëllanë Bajo (“Hero i Popullit” dhe babanë). Dimitri arrin të ngjisë të gjithë hierarkinë ushtarake partizane dhe emërohet shef i Degës së Propagandës së një Brigade, në pranverë të vitit 1945. “Familja Shoshkiç, po nga Berane, në një fshat vetëm 12 kilometra larg Dimitrit, ishte shpërngulur drejt Beogradit”,- kujton Dobrillo.
Në shtëpi kishte lënë motrën dhe nënën, ndërsa ai sapo kishte filluar punën agjitative. At botë, një situatë shumë e vështirë, që sot as mund të imagjinohet, por pikërisht ajo kohë u bë shkak i ardhjes së tij në Shqipëri. Braktis vendin së bashku me disa të afërm, atëhere kuadro të lartë të ushtrisë. Ndërsa, pas, do të lerë braktisjen dhe një dorë të hekurt mbi familjen e tij. Në shkollën nga është larguar me një djalë me mbiemrin Çullapviç, 30 studentë përfundojnë të arrestuar, pastaj dhe plot tetë profesorë të dënuar. Të gjithë marrin ndëshkimin.
Sfondi historik
Në takimin e parë, që bëhet në vitin 1947, me njerëzit e Informbyrosë, përfaqësuesit jugosllavë ngrihen kundër partive që nuk e respektojnë kauzën. Veçanërisht, sulmojnë hapur partitë komuniste italiane dhe frënge, që kishin filluar të angazhohen në koalicionet politike në vendet e tyre. Në atë kohë, qendra e Informbyrosë ishte në Beograd. Edhe pse ka qëndrime pozitive ndaj qëndrimeve ruse- marrëdhëniet mes dy vendeve marrin krisjet e para. Është koha kur Tito kërkon që të dërgojë trupa në Shqipëri, me argumentin për ta mbrojtur nga Lufta Civile në Greqi, pa u konsultuar fare me rusët.
Stalini nuk është dakord edhe me iniciativën tjetër ballkanike të Titos, sipas të cilës- duhej një Federatë me Bullgarinë. Çuditërisht, Dimitrovi, është gati i bindur. Gjeneralisimi edhe pse dikur e ka aprovuar këtë, nuk e pranon se pse tashmë po punohet pa konsultimin rus. Moska i kërkon dy figurave më të njohura të Jugosllavisë së asaj kohe, që të diskutojnë teknikisht për këto gjëra. Milovan Ðilas dhe Eduard Kardelj, dy personazhe të njohura të historisë së Jugosllavisë, shkojnë dhe e kuptojnë situatën, që rusët nuk mund të binden më prej tyre. Është koha që shkëmbehen një seri letrash mes dy Partive.
Në letrën e parë të 27 marsit të vitit 1948, akuzohej Jugosllavia se po përpiqej që të denigronte figurën e Sovjetikëve me deklaratën e bërë. “Socializmi në Bashkimin Sovjetik nuk është më revolucionar”, thonë jugosllavët. Rusët përgjigjen shkurt: “Ne nuk mund ta konsiderojmë sesi një organizim i tillë i Partisë Komuniste, mund të jetë bolshevik”. Serbët bëjnë rolin e patetikëve dhe shtojnë: “Nuk ka rëndësi se sa shumë ne e duam tokën e socializmit, Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, dashuria për vendin tënd është më e madhe”. Përgjigjja e rusëve nuk vonon dhe tash në lojë u hyn historia: Jeni shumë krenarë dhe e teproni me sukseset ndaj gjermanëve. Ishte Ushtria e Kuqe që Ju shpëtoi nga shkatërrimi.
Më 17 maj sllavët përgjigjen sërish, por, këtë herë, duke sqaruar se gjërat duhet të fliteshin në mbledhjen e radhës së Informbyrosë. Tito nuk e ndjek mbledhjen. E di përgjigjen. Anëtarët e tjerë të Informbyrosë e përzënë Jugosllavinë me justifikimin se; “elementë nacionalistë që kishin qenë në pesë gjashtë muajt e fundit në Partisë Komuniste Jugosllave, kishin kapur pozicione dominuese në parti”. Rezoluta i tregon sllavëve, se ishin në rrugën e gabuar në drejtim të kapitalizmit borgjez, në pozitat e nacionalizmit dhe vlerësimit të pozitës së pavarësisë.
Terrori jugosllav
Të gjitha këto, të modifikuara sipas pikëpamjeve të palëve, kishin vërshuar në bazë. Ambasadat e vendeve socialiste shërbenin si pika shpërndarje. Kuadrot jugosllave ishin nën sulmin verbal të një propagande të egër. Ndërkohë, që ishte ngritur Goli Otok dhe kundërshtarët e parë, ose pro sovjetikët e parë jugosllavë, kishin marrë rrugën për ishullin nga ku nuk ktheheshe më. Ky burg, tip-gulagu, ishte njëri prej mitikëve të tmerrit në Ballkan. “Nuk mund ta kuptonim sesi mund të ofendohej vendi për të cilin ne kishim aq shumë idealizëm”, shpjegon Dobrillo. Pas përzënies që iu bë Jugosllavisë, Tito filloi një luftë të ashpër kundër njerëzve që mbështesnin rezolutën, duke i quajtur ata si “Informbyroistë”.
Shumë nga sllavët që do të vinin në Shqipëri kishin eksperienca të tmerrshme përndjekje. “Katër kushërinj të parë kishin përfunduar në burgje dhe kampe përnderimi, kurse miq dhe shokë, mbushnin Goli Otok, një nga vendet më famëkeqe të Jugosllavisë”, do të kujtonte Dimitri. Kudo diskreditoheshin pro-sovjetikët dhe partizanët si ai, që e kishin trupin të mbushur me plagë dhe që kishin luftuar me idealizëm. Dhe, Jojiç ishte legjendë në mes të partizanëve malazezë, për ndershmërinë dhe devocionin. Por edhe kjo shfrytëzohet.
Rusët nuk hezitojnë. Ata fillojnë ndërtimin e strukturave ushtarake në Hungari, nga ku do të drejtohej sulmi kryesor mbi Jugosllavinë. Në ushtrime të përbashkëta ushtarake, ata improvizuan realisht edhe një lojë ushtarake, sikur do të pushtonin Jugosllavinë. Nikita Hrushovi, zëvendësi i Stalinit, do të komentonte vite më vonë sel “Tito ishte sipas llogarisë së listës së Stalinit, pas Koresë”. Që nga ajo kohë titizmi etiketohej për rrugën e socializmit, jo si rusët. Në Shqipëri, të arratisurit jugosllavë kishin drejtim tjetër…! Do të përgatisnin terrenin e çlirimit në vendin e tyre dhe bashkë me të, edhe Partinë e re marksiste.
“Diversantët” e Shqipërisë
Ishin dhjetëra dhe qindra syresh, që ishin në Shqipëri. Ata ishin të vendosur kudo, por pa u trazuar me shqiptarët. Tashmë zaret ishin hedhur. Në Shqipëri dhe në vendet përreth Jugosllavisë bëhet një luftë e tërë diversioniste. Të ardhurit, nuk do e kalonin shumë kohë kohën kot. Deri në vitin 1954, Dimitri Jojiç u mor direkt me çështjen e Jugosllavisë.
Kryeredaktor i revistës “Za Sllobodu” (“Për liri”), ai kishte për detyrë që ta përgatiste dhe përmes kanaleve edhe ta dërgonte atë vetë matanë. Bashkë me miqtë e tij, ata e përgatisnin dhe organizoheshin vetë për ta përcjellë. “Mitan” depërton vetë dhe arrin që të jetë shpesh në shënjestër të shërbimit famëkeq jugosllav.
Por, është e vështirë për ta kapur. Njeh të gjithë zonën dhe familja e tij malazeze, kujton sesi Savo Joksimoviç, një nga zyrtarët e lartë të Malit të Zi (Shok i vëllait hero), i kërkon të ëmës që ta dorëzojë, sepse asgjë nuk do t’i bëjë keq. “Ju e futët në këtë rrugë, i përgjigjet krenare e ëma- tash i dilni zot vetes. Nuk tradhtohet biri”.
– “Vetëm dhe vetëm në mal dhe botë, ai vazhdon për disa vjet kështu. Duhet ta ketë kaluar mbi 30 herë me sukses kufirin”, kujton Dobrilla, që vetë e ka kaluar rreth 18 herë. Në malësi, një rastësi i shpëton jetën, një rastësi e dytë, e shpëton nga një minë në tokë dhe kështu me radhë. “Za Sllobodu” bën një agjitacion të fortë dhe një armiqësi e madhe, e sulmon kudo regjimin…! “Sllavët shqiptarë”, dominojnë në këtë luftë, që bëhet në të gjitha frontet. Janë të vendosur që t’ia arrijnë.
Në Rumani dhe në Timishoara, ka një radiostacion, kurse në Shqipëri dhe në vende të tjera, përgatitet literaturë në përkrahje të komunizmit dhe kundër titistëve…”! E kam gazetën që ka nxjerrë Dimitri”, – kujton krenarisht Et’hem Bashiç. “Ndërsa në Bashkimin Sovjetik, realizohet qendra e rregullimit të refugjatëve sllavë.
Kryetar ishte Popivoda, që kishte ikur më 1948, pas kongresit nga Batajnica…! Ai ishte gjeneral. Po ashtu, mbeti atje një ish-ambasador i Polonisë dhe mbetën shumë edhe kadetë dhe kolonelë, që u solidarizuan me rezolutën e Informbyrosë. Gazeta jonë ‘Za Sllobodo’, shkonte ilegalisht. Vetë Dimitri shkon dy herë në një konferencë në Bukuresht me Pero Popuvoda, për të përkrahur çështjen”.
Ai kujton e flet, por shqipja e tij mbetet shumë e vështirë. Shoshkiç bën të njëjtën rrugë, por nuk thotë shumë. Por nëse do kesh durim dhe të jesh i kulturuar, do të dëgjosh maketin e një historie ndryshe të Jugosllavisë, nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Edhe pse burri simpatik hesht. “E nuk ka kohë”, – thotë me këshillën e një gazetari të vjetër.
Po Enveri?
Vetë Shqipëria është pjesë e lojës dhe Enveri e luan mirë lojën e madhe. Tashmë do t’ia marrë natyrshëm Kosovën, Titos, që e ka prerë njëherë në besë. Përveç diversionit, ai bën dhe hapat e duhura politike: Në një letër të panjohur kohët e fundit dhe që është botuar pas de-klasifikimit të materialeve ruse, Enver Hoxha i shkruan më 2 shtator 1949 Stalinit, me titull; “Mbi Kosovën dhe Metohinë”: “Ne mendojmë që çlirimi i popujve të Jugosllavisë, mund të arrihet vetëm me luftë e gjak. Tjetër rrugë s’ka. Është e domosdoshme që të përmbyset e të asgjësohet klika e Titos.
Lufta për çlirimin kombëtar të Jugosllavisë duhet të zhvillohet nën udhëheqjen e proletariatit jugosllav me në krye partinë e re komuniste, që mbështete mbi bazat marksiste-leniniste-stalinist dhe internacionaliste. Në kushtet e reja, ne jemi të mendimit që qëndrojmë po atje, ku ishim në fillim të luftës popullore-çlirimtare kundër fashizmit. Lufta në Jugosllavi duhet të zhvillohet e ashpër, deri në kryengritje të armatosur kundër fashistëve, imperializmit dhe shërbëtorëve të tyre të brendshëm me agjentin Tito në krye…!
Republika Popullore e Shqipërisë do të bëjë të gjitha përpjekjet, që lufta kundër klikës së Titos në Jugosllavi të zhvillohet dhe të ashpërsohet deri në fitoren e plotë. Ne jemi të mendimit që qëndrimi zyrtar i Shqipërisë në çështjen e Kosovës dhe Metohisë, duhet të jetë i përmbajtur, sepse kjo ndryshe mund të shfrytëzohet nga klika e Titos, si një mjet për të mobilizuar serbomëdhenjtë dhe do të shërbejë si akuzë ndaj Shqipërisë për shovinizmin e të tjera”…!
Në këto rreshta mund të kuptosh dhe kontekstin, që Shqipëria është e përfshirë në fushatën e saj. Nuk shkon shumë. Më 1954, Tito mirëpret Hrushovin në Beograd. Rusia ul hundën. Shtrëngimi i duarve, do të thoshte që lufta kishte marrë fund. Një infrastrukturë e tërë kundër Titos, tashmë nuk ka më vlerë. Serbët kërkojnë që shumë nga të arratisurit të rikthehen. Rehabilitojnë shumë syresh dhe burgosin pak të tjerë. Propaganduesit dhe njerëzit që ishin rropatur maleve për kaq kohë, tashmë u duhet të rrinin në legalitet.
Një pjesë e sllavëve shqiptarë, tërhiqen në Bashkimin Sovjetik. Nuk kishin mësuar ende shqip, sepse shumë prej tyre ishin në mal dhe në diversion matanë, për të shpërndarë idealizmin e tyre. Njësoj ndodh në Rumani dhe në Hungari, apo edhe në vende të tjera ku strehoheshin idealistët e komunizmit. Në fund të vitit 1954, vjen edhe koha që gazeta të mbyllet dhe po ashtu dhe shumë aktivitete të tjera.
“Gjuhën shqip nuk e dija, zanat nuk kisha, rroga u ndërpre”, shkruan Jojiç. Shqiptarët i afrojnë bursa Jojiç, Shoshkiç. Këta nuk refuzojnë. Mbarojnë shkëlqyer degën ekonomike, edhe pse janë vite të tëra, më të mëdhenj se studentët shqiptarë. Falë juridikut që ka bërë në Beograd, Jojiçit “i falin” një vit dhe fillon në vitin e dytë. Kur hyn në auditor, të gjithë kolegët e tij ngrihen në këmbë, që ta përshëndesin si mësues. Është më vjetri, por me shpirt më i riu.
Pak vite më pas është spiker dhe nga shkolla e dikurshme slave, ka nxënë shkëlqyer frëngjisht, gjermanisht, latinishten dhe autodidakt dhe rusishten. Njësoj dhe Dobrillo. Dimitri punon në tregti dhe në ndërmarrjen e tij është i vetmi me shkollën e lartë. Është part-time në Radio në emisionin sllavisht, që nga viti 1969 dhe krijon një familje model, me një grua shqiptare.
Dy mjekë dhe një inxhinier, i shtohen familjes. Nga viti 1961 dhe deri më 1969 dhe pastaj nga 1974 deri më 1978, shërben në ngritjen e seksionit të serbo-kroatishtes në Kinë…! Shoshkiç, një burrë 90 vjeçar modest, një moment përlotet, kur i kujtoj një episod. Ai ka bërë gati të njëjtën rrugë…!
Epilogu
Ky ishte rrëfimi i dhjetëra sllavëve që erdhën në Shqipëri dhe bashkuan jetën e tyre, për idealin e pamundur të komunizmit. Shoshkiç, gjithmonë i heshtur, dhe shumë i përqendruar. Bashiç, që do të tregojë pa fund. Shumë e shumë të tjerë të shpërndarë në Shqipëri dhe të respektuar për burrërinë e tyre të veçantë. Në momentet e fundit, Jojiç, lë amanet të shkojë në fshatin e tij në Berane, në Andrianiovc. “Atje ku prehen prindërit, vëllai dëshmor. Atje të paktën jam i gjallë edhe për njëmijë vjet”, – u thotë të afërmeve, që e marrin vesh vonë kalvarin e jashtëzakonshëm të tij.
Malësorët e presin në rrugëtimin e fundit me piskamat e malit- shenja e lartë e nderimit malësor. Dobrillo Shoshkiç kthehet dhe rri i përmallur me fisin e tij, që tashmë, e respekton si njeri të veçantë. Njësoj fëmijët e të gjithëve, që tashmë e kanë identitetin e prindërve të tyre, martirë të idealizmit. Autoritetet e reja malazeze i respektuan dhe këtë e tregojnë në predispozitën për t’ua rregulluar sërish dokumentacionin. Ndërsa, ata, vetë, nuk e harruan kurrë vendin e tyre, që u fali eksilin, por edhe ndjenjën për të madhërishmen. Këta ishin njëherë… idealistët sllavë në Shqipëri./ Memorie.al