Nga Uran Kalakulla
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambaret e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Edhe për qëndrimin e padenjë të disa prej ish-shokëve të mi të grupit, të cilët vërtetë kishin të drejtë të mbronin veten e tyre, por ama mos të kërkonin të shkarkonin barrën nga vetja krejtësisht dhe të ma ngarkonin tërësisht mua. Se, për fatin e keq, kështu ndodhi tërësisht. Dhe me këtë rast, unë provova sa keqardhje të madhe për ta, aq edhe një zhgënjim të madh. Dhe nuk ka gjë më të rëndë, kur zhgënjehet njeriu nga ata tek të cilët ka pasur besim dhe është ndierë i sigurt në vlerësimin e tyre pozitiv.
Burrëria dhe fisnikëria e njeriut, as nuk duket dhe aq më pak ka brirë. Ajo e tregon veten, ndoshta edhe një herë të vetëm në jetën e njeriut, me një qëndrim të caktuar në situata të vështira. Unë, për vete, jam i kënaqur që nga apologjia ime, nga dialogët me trupin gjykues, si dhe gjatë gjithë hetuesisë, asnjëherë nuk kam rënduar ndonjë nga shokët e mi, përkundrazi, i kam dalë së keqes vetë në ballë. Dhe për këtë ndihem krenar.
I vetmi që në gjyq mbajti qëndrim vërtet modest, por dinjitoz (për mua), që shoku im i vjetër, i mirë e gjithnjë fisnik, Riza Kuçi. E bravo i qoftë! Ditën e katërt dhe të fundit u dha vendimi. Për mua dhe Pjetrin, ishte me vdekje (me pushkatim); për shokun e Pjetrit, Zeqirin, 20 vjet burg; për Riza Kuçin, 15 vjet burg; për Agim Mustën dhe Tanush Kason, 13 vjet burg secili dhe për Kahreman Paftalin, 10 vjet.
Ishim ngritur më këmbë. Kur dëgjova vendimin, ndjeva se gjithë trupin, në çast, ma përshkuan ca si mornica, një si rrymë elektrike, por as u zverdha dhe as u mpaka. Nuk e di në kam qenë ndonjëherë trim apo, ca më pak, ta kem deklaruar veten të tillë. Por, për hir të së vërtetës, mund të them se qëndrova i fortë dhe as u tunda vendit. Sigurisht, më erdhi keq për jetën që do të më ndërpritej në moshë të re, por shumë më keq më erdhi për djalthin e vetëm, foshnjë, që do të mbetej përjetë jetim; për gruan e re, që do të mbetej e ve; për nënën plakë, që do të pësonte atë gjëmë të paparë e, me radhë: për vëllanë, motrat.
Ndjeva se trupi sikur m’u bë prej guri dhe në ato çaste trupi gjykues, policët dhe salla plot me sigurimsa, më dukeshin si miza, a thua se unë isha ndonjë katallan e ata liliputë. Nuk e kisha provuar ndonjëherë se edhe drejt vdekjes, mund të shkohet më këmbë, me kokën lart. Dhe, tek i kujtoj sot, pas tridhjetë e ca vjetësh, të them të drejtën, ndiej kënaqësi, kënaqësi që nuk ka të bëjë aspak me mburrjen qesharake, por me një krenari modeste. Madje, edhe për kaq sa po them, i lutem lexuesit të më falë për këtë shfrim të pakontrolluar ndjenje.
Sapo u dha vendimi, rojat, që ishim përreth, na u sulën mua dhe Pjetrit dhe menjëherë na vunë prangat me duar prapa, kurse pesë të tjerët i lidhën me terezi, dy e nga dy, ashtu siç kishin bërë kur na binin për në gjyq. Mos vallë kjo ishte një masë e detyruar, për të na çmobilizuar, se mos bënim ndonjë gjest të papritur dëshpërimi?! Fjala vjen, se mos i turreshim Llaz qelbësirës e, ta kapnim për gryke e, t’i merrnim shpirtin? Mua për vete as më shkoi nëpër mend një gjë e tillë. E ndieja veten shumë më lart moralisht se Llazka e, gjithë të pranishmit e tjerë në sallë.
Na shoqëruan nga dalja poshtë shkallëve. Por, edhe në atë hall, vura re se kishte shumë popull; si nëpër to, ashtu edhe jashtë. Pas një dere xhami, vura re siluetën e sime shoqeje. Kisha më shumë se një vit e gjysmë pa e parë dhe, oh, sa mall kisha për të! Ajo thirri me sa zë kishte: “Mos u mërzit, Uran, mos u mërzit”! Duket, e shkreta, ngaqë kishte dëgjuar që prokurori për mua kishte kërkuar 25 vjet, gjykatësi do ta kishte zbritur në 20, mundohej të më jepte kurajo. Dhe unë iu përgjigja me plot zërin, në zbritje e sipër: “Lamtumirë, Deti”! Atëherë ndjeva se dikush nga prapa më qëlloi me grusht (sa desh rashë nga shkallët) e më tha i tërbuar: “- Të shohësh se çdo të punojë, kur të sosim në burg”.
Ky ishte një kapiten Sigurimi, që po na shoqëronte në krye të policëve. Ishte një keqan qeros (mua sepse m’u duk si xhuxh) dhe ia ktheva në vend, zjarr për zjarr: -“Pushka top t’u bëftë, se s’jam duke pyetur fare për ty”! Tek zbritëm nga makina, në oborrin e pasëm të burgut (që ishte në një farë mënyrë oborri i birucave), shokët e mi, me përjashtim të njërit, po qanin. Dhe më kujtohet fare mirë që, Rizai (gati si ime shoqe), me lot në sy, më tha: “Mos u mërzit Uran, mos u mërzit”! Policët na mbërthyen për krahësh dhe na morën me vete. Kështu u ndamë nga shokët, me rrezik që të mos shiheshim më. Rruga jonë tashmë ishte drejt “dhomës së vdekjes”.
Dhoma e vdekjes
Dhoma ime e vdekjes ishte një birucë e ngushtë, sa mund të zinte vetëm një dyshek. Ajo vërtet ishte e shtruar me dërrasa, por ato ishin gjithë lagështirë dhe myk; ca më tepër, sepse ajo ndodhej jo vetëm ngjitur me nevojtoren e vargut të “birucave të Koçit”, por edhe nën nivelin e saj, gati ndonjë gjysmë metri. Dhe, meqë muri ndarës mes të dyjave, ishte me tek tullë, kuptohet se çfarë pasojash të bukura kishte. Mbi pjesën e sipërme të derës, nga ana e jashtme e saj, ishin shkruar qartë, me shkronja të zeza tamam fjalët “dhomat e vdekjes” e poshtë tyre një kafkë me dy kocinjtë e njohur të kryqëzuar, si të flamuri i piratëve; apo si shenjat e SS-ëve naziste.
Kjo “dhomë” nuk kishte dritare, por (si kam thënë), në vargun e atyre birucave (qenë nja dhjetë), në tavan ishin ca si oxhakë të vegjël, gati sa një shami gruaje, nga ku duhet të hynte drita dhe ajri. Këtej e tutje, unë isha i lidhur me pranga (me duart prapa) dhe ato ishin fiksuar me dry, që unë të mos kisha asnjë mundësi, t’i liroja sadopak. Me këto pranga të vazhdueshme duhej të rrija ditë e natë, deri në momentin kur të dilja para skuadrës së pushkatimit.
E ndoshta do t’i kisha me vete edhe në gropën që duhej të zëvendësonte varrin, derisa të shkrihej krejt trupi, të shpërtheheshin kockat e prangat të bëheshin pjesë e tyre. Po ndoshta pas vrasjes, para se të më tërhiqnin zvarrë për në gropë, policët e skuadrës, mund të m’i hiqnin, sepse ato u duheshin për të lidhur të tjerët që do të vinin pas meje. Aq më shumë kur i kishin importuar nga Gjermania Lindore, ndaj edhe u kishin ngjitur si me mburrje emrin; “gjermanesha”.
Kur hyra në birucë, ndenja një copë të mirë më këmbë. Kisha ne shpirt ende zjarrin e revoltës, të zemërimit, të indinjatës, të urrejtjes. Aty nuk kishe fare ku silleshe, veçse të vije vërdallë si fugë. Nuk kishte më tepër se një metër gjerësi dhe një e gjysmë gjatësi. Ishte gati si një varr mbi tokë, me mure e tavan përsipër, në një gjysmerrësirë të vazhdueshme. Kur vala e zemërimit nisi gradualisht të ftohej, siç ndodh te çdo njeri ende i gjallë, vërtet nuk më qeshej, por të them të drejtën, nuk ndieja aspak frikë. Duket e kisha mbledhur mendjen top, për të pritur momentin fatal me një lloj stoicizmi. Arsyeja kryesore e këtij qëndrimi, besoj se nuk vinte nga ndjenja e një revolte, por nga një bindje e kahershme dhe e thellë imja.
E pashmangshmja në jetë duhet pritur me qetësi, me gjakftohtësi dhe gjithmonë me kurajo e sidomos me dinjitet. Unë mendoj edhe sot e kësaj dite se, kush ka sadopak respekt për veten dhe vë në plan të parë dinjitetin njerëzor, duhet po kështu të presë çdo fatkeqësi që i takon në jetë. Dëshpërimi, telendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla), jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t’u përmbajtur, por të një dobësie të tillë, që i ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhembshuri e tejskajshme), aq edhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten.
Nuk e di nëse kjo teza ime e ka emrin trimëri (dhe pjesa e dytë e kësaj teze e a emrin dobësi), por ja që kështu më ndodhi dhe kështu mendoj edhe sot e kësaj dite. Por ajo që më mundonte ishte koha. Sa kohë do të duhej të duroja në këtë torturë? Pse për mua tani ishte zotërues një mendim i vetëm: më mirë një fund me tmerr, sesa një tmerr pa fund? Ndaj doja që e gjithë kjo histori të merrte fund menjëherë, një sahat e më parë! Domosdo që edhe mua, si çdo qenie njerëzore, më vinte keq për këtë fund jo vetëm të papritur, por edhe të pamerituar:
Se nuk ndieja në vetvete ndonjë faj, nuk kisha asnjë brerje ndërgjegjeje për ç’ka kisha bërë. Po të kisha mundësi të kthehesha në jetë prapë, me siguri që do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht me metoda më të holla e, në një kohë më të studiuar, por ama, do ta bëja prapë! E ndieja se jo vetëm që nuk kisha bërë faj, por, përkundrazi, kisha bërë mirë; kisha bërë detyrën time si qytetar, si shqiptar e, më në fund, detyrën time si njeri. Asgjë më shumë.
Nuk e di se si mund ta kenë përjetuar momentin para ekzekutimit, ata të dënuar me vdekje, që presin nëpër qelitë e botës. Këtu dua të besoj se tek të dënuarit ordinerë, me siguri është në thellësi të ndërgjegjes së tyre, ndjenja e fajit, ndoshta edhe pendimi për ç’ka kanë bërë. Pra, në këtë mes, them me ndershmëri dhe sinqeritet, se nuk kam bërë asnjë trimëri të veçantë, përveçse, si thashë edhe më parë, detyrën time që kisha marrë përsipër të kryeja, në gjirin e shoqërisë sonë të masakruar nga barbaria e diktaturës komuniste; detyrë e marrë përsipër me iniciativën dhe vullnetin tim të lirë.
Kuptohet: kisha keqardhje për jetën time të re, por, ma besoni, kisha shumë më tepër keqardhje për time shoqe të re, për djalin e vogël, i cili do të ishte i dënuar të mbetej jetim. Më vinte keq edhe për lotët e syve të plakur e të lodhur të nënës e, pas saj, edhe të familjarëve të tjerë të mi. Gjithashtu, më vinte keq edhe për veprën time të lënë në mes, për shumë plane që kisha nisur të realizoja në fushën e krijimtarisë letrare e në fushën e studimeve shoqërore. Mbi të gjitha po më vinte keq se do të vdisja i dëshiruar, pa e parë shembjen e zhurmshme dhe të turpshme të kështjellës se përgjakur të pushtetit komunist, të ngritur mbi kockat e viktimave, ashtu siç kisha parë përmbysjen e kështjellës nazi-fashiste. Ja, për të gjitha këto më vinte keq.
Kur i ke duart të lidhura përpara, është gjysma e së keqes, sepse mund të bësh disa veprime: të hash, të pish, të urinosh, të pish një cigare, të bësh luftë me minjtë që të hyjnë në birucë nga e çara e poshtme e derës së birucës, të kruhesh (të paktën kokën e pjesën e përparme të trupit, meqë je i palarë prej kaq kaq kohe), por edhe të shkruash. Mbi të gjitha: mund të flesh. Por provoni t’i bëni të gjitha këto veprime, kur këto të shkreta duar i keni të lidhura prapa! Do të bindeni se ky është një ndryshim shumë i madh, madje themelor. Duket më kishin lidhur me duar prapa, për të mos bërë asnjë nga këto veprime në mënyrë të pavarur, por, sigurisht që edhe të mos kisha asnjë mundësi për të vrarë veten e, t’u hiqnim kënaqësinë e kësaj pune xhelatëve tanë.
Për këtë, të dënuarit me vdekje i lidhin edhe këmbët e në kokë i rrasin të lidhur (që të mos e heq dot), një helmetë, në mënyrë që të mos lëvizë fare e të mos ketë mundësi të derdhë trutë, duke përplasur kokën pas mureve. Kështu e motivon “filozofia zyrtare”, e këtyre punëve të fëlliqura e mizore. Madje, ajo argumenton se e gjitha kjo punë, nuk bëhet për ta munduar me tej të dënuarin, por, përkundrazi, për të bërë të pamundur vetëvrasjen, sepse, ligjërisht, ka gjithnjë shans t’i falet jeta. Mua dhe shokut tim të grupit, as na lidhën këmbët, as na vunë helmetat në kokë. Ç’ishin këto lloj masash gjysmake?
Mos ishte një lloj komedie për të na futur frikën? Këtë nuk mund ta them me siguri, derisa vendimin me vdekje, të dhëne nga Gjykata Ushtarake e Tiranës (si kam treguar), e la në vend edhe Gjykata e Lartë, me kryetar Aranit Çelën famëkeq! Pastaj, nuk e kishin fort në gjak komunistët, të bënin komedi të këtilla, sidomos me “armiqtë e popullit”. Pra, kushedi se si ka qenë puna! Unë edhe sot e kësaj dite, nuk di ti jap përgjigje!
Duke i mbajtur duart prapa gjithë kohën, nisin të të dhembin supet, por belaja më e madhe është kur do të ulesh e të mbështetesh pas murit. Të pengojnë mjaft prangat, të vrasin në kolonë. Edhe më keq, po të kërkosh të shtrihesh për të fjetur. Anash nuk fle dol, se zë përfund trupit krahun dhe ai të mpihet fare. Në shpinë nuk shtrihesh dot. Kuptohet pse. E vetmja mënyrë: të flesh përmbys.
Edhe kështu prapë vuan, sepse me krahët prapa është shumë e mundimshme të shtrihesh përmbys. Pastaj, të merret dhe fryma. Nuk di se si kanë bërë të tjerët, por unë sikur gjeta një mënyrë disi të përshtatshme. E mbështetja trupin e mbajtur pezull, vetëm në tri pika: në faqen e djathtë, në supin e djathtë dhe në gjurin e majtë. Vetëm kështu mund të shplodhesha e të flija disi.
Ndryshe ishte e pamundur. Mos u çuditni! Me çfarë nuk u mësuaka njeriu! Unë flija pak orë gjatë ditës, sepse e dija që nuk vinin të të mermin për ekzekutim ditën. Për shumë arsye të tyret. Ata, zakonisht vinin natën, madje pas mesnate. Ujku gjithmonë parapëlqen mjegullën, kur do të rrëmbejë e shqyejë prenë e vet.
Kështu vepronin edhe sigurims(ujq)it. Pra unë rrija gjithë natën më këmbë, me fytyrën të kthyer nga dera, që, kur ta hapnin, të më gjenin përballë e të gatshëm. Jo të më tërhiqnin zvarrë. Kjo për mua ishte më tepër çështje dinjiteti. Sepse arsyetoja: kur je duke fjetur e, të zgjojnë me përdhunë, ti s’e mbledh dot veten menjëherë e plotësisht dhe, në ato çaste solemne, mund të ligështohesh dhe atëherë gjithë dinjiteti yt zvarritet përdhe. Pastaj, kisha vendosur të hidhja disa parulla, që të dëgjonin të gjithë të dënuarit; sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit.
Për mua, ditën gjendja ishte disi më pak e tendosur. Besoj kështu ishte edhe për atë që kisha pranë, në birucën ngjitur e, po kështu, edhe për tre të tjerë të dënuar me vdekje, në birucat në vazhdim, të cilët kishin mbetur ende prej grupit të Teme Sejkos. Emrat e tyre, s’i mësova dot kurrë.
Ditën ishin edhe shërbimet: dalja tri herë në ditë për të kryer nevojat vetjake (mëngjes, drekë, mbrëmje) dhe të ngrënët dy herë në ditë (drekë e darkë). Kapterët na zgjidhnin duart e na rrinin pranë: tek hanim ose te dera e halesë; nga një për secilin prej nesh të pestëve. Sigurisht këtë e bënin, sepse nuk begenisnin të na jepnin të hanim si foshnjave dhe, aq më pak, të na ulnin e ngrinin pantallonat e brekët e, të na pastronin prapanicën, siç ishte e udhës.
Nuk di sa ditë kishin kaluar nga dënimi im me vdekje, kur, një ditë (më duket ishte e martë), dera e birucës sime u hap papritmas dhe para meje u duk silueta e shtrembër e kapter Rustemit. Ai na përcillte e na sillte nga hetuesia. Po ai na nxirrte para derës së birucës, për të marrë në dorëzim çfarë na kishte sjellë familja. Tash, pse kishte ardhur vallë?! Për hetuesi?! Unë e kisha mbaruar atë hesap dhe tashmë isha “graduar” në shkallën më të lartë! Çfarë donin atëherë?!
– “Çohu, se të kërkojnë”!
– “Kush më kërkon”?
– “Nuk e di, por të kërkojnë. Çohu”!
– “Pa më thënë se kush e pse më kërkon, as nuk çohem dhe as nuk vij”! – iu përgjigja me vendosmëri. E dija se nuk më kërkonin për të më ekzekutuar. Ishte paradite. Ora ishte rreth dhjetë. Pastaj, për atë punë nuk vinte kapter Rustemi. Aq më shumë që ai ishte vetëm. Vinin të tjerë.
– “Çohu, mor jahu, se kështu e kam urdhrin”!
Mendova një çast dhe u ngrita më këmbë. Mendova se ai nuk kishte asnjë faj në këtë mes. Ai ishte vetëm një copë vegël e bindur, në dorë të tjetër kujt. Kishte zgjedhur atë rrugë, për të nxjerrë bukën e kalamajve dhe aq. E ndoqa pas, gjithnjë me duar të lidhura.
Te dera që ndante korridorin e gjatë të birucave me një korridor më të vogël të zyrave të atjeshme të hetuesisë, pashë siluetën e një oficeri Sigurimi (siç dukej nga uniforma). Ndjeva se m’u shtrënguan nofullat vetvetiu dhe balli m’u vrenjt. Kush të ishte ky dhe pse më kishte kërkuar? Si nëpër të, m’u duk (kur iu afrova afër), se atë fytyrë të tharë e antipatike, diku ma kishte zënë syri, në ato ambiente të zymta. Por me të nuk kisha pasur punë asnjëherë. Cili ishte vallë ky tip? Kur u afrova fare afër, ai nisi të flasë me një zë të dridhur, duke iu marrë goja:
– “Shiko, – më tha, gati duke belbëzuar në dialektin shkodran, – ke me ba takim me familjen”!
– “Takim”?!
– “Po, takim”. Nuk di si më erdhi. Ndjeva një tronditje të madhe në shpirt. Ndjeva se në gjoks zemra nisi të më rrahë më me vrull. Ndodhi si me një stuhi të papritur, në sipërfaqen e shtruar të detit. Sikur një si shakullime e ngriti lart ujin e qetë e të ndenjur, duke e sjellë si vorbull gjigant nëpër ajër; me miliarda stërkala, gjithë shkëlqim e dritë, u përhapën përreth.
Isha mësuar me gjendjen time. Shtresimi i zymtë, tashmë kishte zënë vend të qëndrueshëm në shpirt. I isha nënshtruar fatit tim dhe nuk prisja asgjë të re, veç vdekjes. Fjalët e oficerit, sikur qenë një tërheqje e vrullshme, nga buza e varrit drejt fushës së jetës. Dhe kjo lëvizje nuk ishte pak! Megjithatë, arrita të mbledh disi veten dhe e pyeta oficerin që kishte gradën e kapitenit të parë: / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm