• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, June 26, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në qelinë e Degës së Durrësit, më sollën Arshi T., nga Armeni i Vlorës, kushëri i Aranit Çelës, një mi birucash, por edhe maniako-seksual, pasi ai…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Tomor Allajbeut, nipit të Abaz Ermenjit, vetëm pse tha; ‘S’punoj unë, të hajë Nexhmija’, pas një muaji hetuesi speciale, i shtuan edhe 13 vjet…” Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit të Spaçit!
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
Memorie.al
“Kur Haxhi Gora, na komunikoi; ‘Kryesia e Kuvendit, s’ua fali jetën, sot në mesnatë, toga e pushkatarëve, do ekzekutojë vendimin për katër shokët tuaj’, ne…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e njëmbëdhjetë

                                                        Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve, dhe…”/ Letrat e panjohura të Nolit me Enverin, për anëtarësimin Shqipërisë në OKB, në ’46-ën

“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit…”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                      Vijon nga numri i kaluar 

E tashti po e lëshon veten? Do të humbasësh respektin e gjithë atyre që të njohin; do të humbasësh, madje, edhe respektin e shoqes sate të jetës; do të fitosh vetëm keqardhjen, mëshirën, ndjenja këto që i ke përbuzur për veten tënde, që kur ishe fare i ri. Kështu i fola vetes dhe atëherë shtrëngova grushtet fort (si të doja të shtrëngoja me to veten time), dhe ndjeva se nisa të qetësohesha menjëherë, si për mrekulli. Atëherë, kuptova se sa fuqi ka në qenien njerëzore vullneti, i cili ushqehet dhe nxitet nga një ndjenjë e fortë dinjiteti.

Dhe, që atë ditë, pas atyre çasteve krize, nuk ndjeva më dobësi e çoroditje, megjithëse kalova, si në biruca, ashtu edhe nëpër gjithë kampet e burgjet, për njëzet e një vjet rresht, vuajtje e mundime shumë më të rënda dhe skena ngjethëse, të llojeve të ndryshme. Madje, mendoj se dalja nga burgu shëndoshë e mirë, edhe pse i dobësuar fizikisht (domosdo), kam bindjen se në pjesën më të madhe, i takon vullnetit tim e, ndoshta, edhe forcës se karakterit e, sidomos, ndjenjës sime të pamposhtur të dinjitetit. Ja, këto qenë levat që më mbajtën gjallë në burg, më nxorën gjallë dhe me mendjen qiqër prej tij.

Përthyerja e natës së Vitit të Ri

Pas takimit me “Gjeneralin e zi, nuk më thirrën më në hetuesi, për gati tre muaj rresht. Ç’kuptim të kishte kjo punë? Mos ishte një taktikë e veçantë, që të kalbeshe në birucë, të të bëhej shpirti derr dhe pastaj t’i bije derës, për të kërkuar me ngulm hetuesin e, të zbrazje tërësisht barkun, pa të dilte ku të dilte, veç të kaloje nëpër gjyq e, pastaj në burg a kamp, ku, të paktën, do mund ta takoje familjen e, të rrije bashkë me shokët?

Sigurisht që unë nuk e bëra një marrëzi të tillë. Nuk doja t’i hapja gropën vetes, me duart e mia. Tashmë e kisha marrë vendimin: do të duroja deri në pikën e fundit, pa të dilte ku të donte. Aq më tepër që tashmë, isha mësuar me jetën e birucës, me të gjitha privacionet e saj. Provokatorin e parë tashmë ma kishin hequr. Pas disa ditësh më hoqën nga biruca 28 dhe më çuan në birucën ngjitur me atë të Tanushit. Praninë e tij e pikasa menjëherë, pasi dëgjova zërin e tij tek recitonte me vete, ca vargje të njohura të Naimit e Nolit.

Kishte prirje letrare Tanushi dhe, siç duket, aty po përpiqej të shfrente dufin e tij poetik. Në birucë, gjeta një surrat të ri. Ishte një djalë rreth moshës sime, por, ndërsa unë duhej të isha bërë i bardhë nga mungesa e diellit, ai dukej si mulat. Më tha, kur e pyeta, se nuk kishte veçse pak ditë që e kishin arrestuar, tek kishte dashur të kapte me not një nga anijet e mëdha të radës së Durrësit dhe t’ia mbathte drejt Perëndimit. Por, e kishte tradhtuar kapiteni i anijes (një çek i mallkuar), dhe ia kishte dorëzuar Degës Brendshme të qytetit. Eh, ç’të sharë që i bënte atij!

Më tha, madje, se ato tesha të vjetra që kishte, ca rroba doku ngjyrë kafeje të dalë boje, ia kishin dhënë ata të Degës, se teshat e tij, i kishte groposur në rërë dhe, kur e kishin arrestuar, ishte vetëm me brekë banjoje. Histori fort e pranueshme kjo, sepse ashtu kishte ndodhur vërtet me shumë të rinj durrsakë, të cilët kishin tentuar të arratiseshin po në atë mënyrë. Këtë biçim e quanin Arshi Taullari. Më tha se kishte qenë student i vitit të tretë të Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës, se ishte nga fshati Armen i Vlorës, se kishte kushërinj të largët Aranit Çelën (atëherë Prokuror i Përgjithshëm), dhe se kishte shumë shpresë te ndihma e tij për t’u dënuar pak, të dilte shpejt nga burgu.

Të them të drejtën, unë i hëngra të gjitha. Ishin sajuar fort bukur e saktë. Kohë më pas, kur zbulova të vërtetën, mes të tjerash, më shkoi mendja edhe tek emri i tij “Arshi” dhe thashë me vete, se mos edhe ky emër ishte i sajuar nga hetuesia, me qëllim që atë majmun ta afroja ca më shumë, ngaqë e kishte emrin njëlloj me atë të kunatit tim të arratisur, Arshi Pipës, të cilin e doja dhe e respektoja shumë. Por, hipoteza ime e vonuar, nuk ishte e vërtetë. Emri kishte qenë real dhe ishte krejt një rastësi, asgjë më shumë.

Megjithatë unë nuk i besova shumë atij, për asnjë çështje që kishte të bënte me punën time në hetuesi, sepse nuk pata asnjë konsideratë për atë njeri, pa e ditur fare, se ai ishte aty enkas për të më “zbërthyer” mua. E para e punës dhe po të kishte qenë vërtet student drejtësie, ai s’dinte asgjë në atë disiplinë, madje ishte krejt injorant, si në të gjitha fushat e tjera të kulturës. Ai ishte vetëm një maniak seksual, saqë masturbohej edhe në sytë e mi, duke më kthyer vetëm shpinën, çka mua, sigurisht, ashtu si manitë e tij erotike, më ngjallnin të pështirë.

Kur dola nëpër kampe pune dhe pyeta nëse e njihnin një dreq si ai, më thanë se quhej vërtet Arshi, veçse kishte ardhur në birucën ku më çuan mua, jo nga arrestimi, por nga kampi i punës nr. 303, ku ishte brigadier, spiun i njohur dhe që e kishin rrahur të burgosurit, nuk di sa herë. Ky spiun maniakoseksual, vërtetë nuk bleu dot gjë nga unë, por më dëmtoi, kur unë u përpoqa të flas me Tanushin, për të ditur se si i kishte punët ai me hetuesinë. Më dëmtoi sepse, me gjithë kujdesin tim, më pikasi tek bisedoja me Tanushin, kapter Karafili dhe puna vajti për dreq.

Pas disa ditësh me hoqën prej andej dhe më futën në një nga birucat karshi të parave. Këto nuk kishin fare dritare. Ato kishin në tavan një si lloj gryke oxhaku, sa për të marrë një çikë ajër. Edhe në mes të ditës, aty ishte aq terr, sa nuk e shihje fare as dorën, as këmbën. Për më tepër, megjithëse nën vete kishe një si tarabë dërrasash, poshtë tyre kishte ujë, sidomos kur binte shi dhe lagështia të hynte jo vetëm në tesha, por edhe në rrobat e trupit e në mish. Mbaj mend se cigaret, kur qëllonte që i kisha, bëheshin edhe së jashtmi ngjyrëkafe, si vetë duhani. Shkrepëset mezi ndizeshin dhe trasta prej lecke e sheqerit lagështohej, aq sa vetë sheqeri squllej dhe bëhej si një masë xhelatinoze.

Unë nuk e di se si kam shpëtuar pa marrë ndonjë përdhes të fortë në atë birucë, numrin e derës të së cilës as nuk e pashë fare. Biruca e katërt dhe e fundit në atë vend mjerimi, ishte ajo karshi kësaj të lagështirës ekstreme. Vërtetë aty s’kishte fort lagështirë, por ditë e natë ndjeje “kënaqësinë” e “erës së mirë” të halesë së përbashkët, të të gjitha birucave, ku zbraznin zorrët jo vetëm ne të burgosurit, por, nganjëherë, edhe vetë policët.

Në birucën time të fundit, ndesha prap një djalë të ri, me rroba ushtari. Nuk ia mbaj mend emrin. Vetëm kujtoj se ishte nga Saranda dhe se e kishin futur aty, gjoja për një veprim jo disiplinor në repartin ku kryente shërbimin. Pra, ishte aty si ordiner. Qe kjo fjala e fundit e tij, që më shpëtoi pa i treguar asgjë nga hallet e mia dhe, prapë, jo se pikasa gjë se ishte spiun i futur për mua, pra, i tretë mi birucash, në “dispozicionin” tim. Edhe ky ishte injorant si i mëparshmi dhe, me të, veç biseda të zakonshme, nuk “pata nderin” të trajtoj asnjë lloj teme me vlerë.

Por, në atë kohë, më kishte ardhur familja dhe më kishte prurë mjaft ushqime, të cilat, kur pashë se ai mavri ishte shumë i uritur dhe nuk i mjaftonte aspak garuzhdja e languriqit të birucave, e ndaja pothuaj gjithë ushqimin me të, madje deri tek cigarja. Kjo punë duket e preku “ushtarin” dhe, më në fund, pak ditë para se ta hiqnin nga biruca, më tha troç, se atë e kishin sjellë aty enkas “për të më zbërthyer” mua. Eh, sa gabim që i kishin bërë hesapet, ata të hetuesisë! Kaq poshtë më kishin vlerësuar, sa më fusnin të tillë malukat, nëpër biruca?!

Tashmë kisha shtatë muaj në birucë. Isha atje që nga fillimi i qershorit. Erdhi edhe 31 dhjetori i atij viti fatkeq, mbrëmja e Vitit të Ri! Me mendje, isha krejtësisht në mes familjes: me gruan, djalin, nënën, motrën e vogël, vëllanë. A thua ishin mbledhur së bashku, për të festuar si gjithë bota, ardhjen e Vitit të Ri? A kishin zemër për një punë të tillë? Po mua, ç’mund të më sillte ai Vit i Ri, që po vinte? Jo, për mua, s’kishte Vit të Ri. E dija ëë ai do të ishte edhe më i keq, edhe më i zi se ky që po mbaronte.

E dija se më priste dënimi, gjyqi. Por çfarë dënimi do të më jepnin? Ashtu siç ishin trashur punët, unë rrezikoja dënimin me vdekje ose, së paku, 25 vjet burg, ç’ka ishte njëlloj si të më dënonin me burgim të përjetshëm. Ishte, pra, një ndarje për së gjalli, si thotë shprehja e popullit, me familjen, me njerëzit e mi më të dashur. Një zymti e madhe ma pushtoi shpirtin. Isha mbledhur kutullaç, në një rrëzë të birucës, si një hije në atë gjysmerrësirë.

Ishte ftohtë, një i ftohtë që të priste. Biruca, nga një saç që kishte qenë në behar, tashmë ishte kthyer në frigorifer. Tani ujë kisha, një pagure plot. Poç’e doja? Po të mos e mbështillja me rrecka, diku në një qoshe të birucës, ai do të ngrinte. Isha i veshur me zhele, tashmë. Pantallonat më ishin ronitur fare. Ato, gati ishin bërë transparente. Xhaketa, gjithashtu prej cope të keqe, ishte katandisur në zhele. Veç kanotjeres, e zhulosur edhe ajo, kisha dhe një këmishë doku blu, që, nga të palarët, dukej si mushama. Çorapeve u kishin mbaruar thembrat dhe gishtat.

Dërrasat e dyshemesë (shyqyr që ishin edhe ato), dukeshin si të zeza, jo vetëm nga pisllëku, por edhe nga të ftohtit, nga të ngrirët. Nuk qaja hallin e ushqimeve, edhe pse kishte mjaft kohë që më ishin mbaruar. Se, sa mund të durojnë ushqimet e një traste? Kishte nja dy muaj që familja s’më kishte sjellë gjë. Kushedi se si e kishin hallin. Fundja, se mos kisha lënë në shtëpi para!

Isha mësuar të mjaftohesha me atë languriqin e kazanit të birucave: një garuzhde në drekë e, një në darkë, me një copë bukë. Të paktën, tashti në dimër, ishte i nxehtë. Dhe nga “menyja” e zakonshme, një lloj llapaje orizi të lëngëzuar e makaronash ose, “kryevepra”, një lëng groshësh, ku, pos ujit, kishte lëkurat e tyre dhe në gjithë tasin, do të kishe fat po të të binin nja dhjetë kokrra të bekuara!

Furnizimi i burgut bëhej nga mbeturinat e tregut të magazinave. Orizi ishte si i nxirë, shpesh me miza, krejtësisht i palarë nga dheu. Makaronat, zakonisht ato në formën e kërmillit, shpesh kishin krimba. Edhe ato ishin të palara. Kurse groshët ishin ose të nxira, ose të rrudhura e të kalbura. Por, nga dy të parat, këto, të paktën, ujin e tyre e kishin me një lloj shijeje, apo më mirë të themi, se lëngu i groshëve dukej më pak i pështirë se ai i orizit dhe i makaronave kërmill. Kështu, ne të birucave, i gëzoheshim këtij lëngu, sepse ai ishte “pjata” më e mirë, më e zgjedhur e tryezës sonë “mbretërore” që përbëhej nga një pjatë, a më mirë të them një garuzhde lëng groshësh! Në drekë unë kisha ngrënë fare pak bukë dhe pjesën më të madhe të saj, e kisha ruajtur për këtë, “darkë të rrallë festive”.

Kështu, përsheshi i bukës në lëngun e groshës, kthimi i ujit nga gryka e pagures në gurmaz herë pas here, përbënin gjithçka në tavolinën time dhe më bëhej se isha shtruar në tryezën festive të familjes, ku përsheshi do të përfaqësonte pjatën e zgjedhur, kurse pagurja e ujit, mbushur në çezmën e nevojtores, do të përfaqësonte shishen e verës, apo të birrës (se shampanja ishte e dënuar si “kapitaliste” apo, më keq akoma, si “imperialiste), në tryezat e zakonshme shqiptare. Ajo nuk mund të “infektonte” veçse tryezat e “Bllokut” të udhëheqjes së lartë komuniste ose, “Pallatin e Brigadave”.

Gjer këtu, puna ishte fare në rregull. Se, fundja, ushqimin ma kishte siguruar Sigurimi i Shtetit. Por punën e kisha fort keq me cigaret, të cilat kishte kohë që më ishin mbaruar. Dhe unë, për dreq, kisha qëlluar duhanxhi i thekur! Aq sa, po të kisha një paketë cigare, nuk them të markës “Samsun” apo “Partizani” por, edhe nga ato tetëlekëshet, “Vullneti”, do të isha dakord të haja vetëm një here, në njëzet e katër orë! Kur kisha cigare, unë i ruaja bishtat e tyre, në një shami. Kur mbaroheshin cigaret u kthehesha bishtave. Por ama, që të bëja një lloj gjysmë-cigareje, me duhej të konsumoja, 4-5 bishta.

Dhe, kështu, vazhdoja të ruaja bishtat e bishtave, derisa, më në fund, mbeteshin pesë bishtat e fundit, që jepnin gjysmë-cigaren e fundit. Në këtë mënyrë, në pesë a gjashtë breza bishtash, duhani ishte bërë i zi si çaj kinez! Dhe aq i fortë, sa, kur e ndizje atë farë cigareje dhe e thithje, qoftë edhe paksa, sa për të nxjerrë dufin, ta jepte mu në çaçkë të kokës! E marr me mend se ç’mund të thotë lexuesi im, kur të lexojë këto radhë. Do të thotë se unë paskësha qëlluar njeri pa vullnet. Nuk them se jo, por ama, vetëm në punë të duhanit. Sepse duhani në burg, sidomos në birucë, ishte një lloj domosdoshmërie për shumë kënd, një lloj droge, po të doni, që unë më mirë do ta quaja një lloj “valvole”, ku ty të dukej se shkarkohej tensioni yt nervor dhe shpirtëror.

Unë në burg kam parë njerëz që racionin e bukës e hanin një herë në dy ditë, se e ndërronin me një paketë cigareje, qoftë edhe tetë-lekëshe, ose me një kaush duhani pesëlekësh, nga ata lloj kaushësh që përmbante të fshirat e magazinave, ku brenda gjeje: spango, gozhdë e deri bishta miu! E në “sindikatën” e këtyre shitësve të racionit të bukës, shpesh herë kam bërë pjesë edhe unë, kur mbetesha fort keq për cigare. Po le të kthehemi te nata ime e Vitit të Ri, 1961-1962. Sapo kisha mbaruar së ngrëni përsheshin tim me lëngun e groshës dhe po thithja gjithë kënaqësi atë gjysmë-cigaren e sajuar, si thashë më lart. E shikoja atë dreq cigareje, si diçka fort të çmuar, si diçka fort të shijshme dhe doja të mos mbaronte aq shpejt, ashtu siç i vjen keq një fëmije, kur sheh se po e mbaron pak si shpejt duke e lëpirë, kallamin e vet të sheqerit. Kur, papritur, dera e birucës u hap me vrull dhe dy keptarët e shoqërimit, u dhanë në derë, duke më komunikuar urdhrin, që t’i mblidhja shpejt rraqet dhe të dilja.

Befasia më tronditi. Ç’të ishte kjo punë, kaq me ngut? Çfarë kishte ndodhur? Lirim?! Bah! Transferim?! Po, ku?! Në ndonjë birucë tjetër, po aty?! Përse?! Prapë në shoqërinë e padëshiruar të ndonjërit? A nuk mund të prisnin, të paktën, të nesërmen apo, së paku, sa të mbaroja së piri atë cigare fort të çmuar për mua? Mos u çuditni tek them kështu, se mendja e njeriut, në një vend aq të izoluar e të ngushtë, në të cilin ndodhesha unë prej aq muajsh, nis e merret edhe me gjëra që, normalisht, janë fort të vogla e të parëndësishme, madje deri në qesharake. Kështu, një gisht i dalë nga çorapja e grisur, të bezdis fort, kur nis e mërdhij më fort se të tjerët apo, kur në birucë, hyn ndonjë grenzë që s’të thumbon vërtetë, por të sillet herë pas here sipër kokës, me zukatjen e saj këmbëngulëse. E kështu me radhë, kësi vogëlsirash.

Policët më nxorën në korridorin e jashtëm dhe, që andej, tek dera kryesore e atij stacioni policie, rajoni a nëndegë. Aty më priste hetuesi i ri, major Llambi Titani, për të cilin do të flas më poshtë. Dhe drejt e në “Gaz”-in e Sigurimit, me gjithë tesha, të cilat i vendosën, në një anë të sediljes së prapme të tij, në mes unë dhe në qoshen tjetër, pranë derës, një oficer. Domosdo, unë isha me pranga në duar. Përpara me shoferin rrinte majori. Dhe drejt pjacës së Durrësit.

Qyteti ishte në festë. Veçanërisht pjaca, plot drita dhe njerëz që shëtisnin ose venin e vinin, si duket për të mbaruar psonisjet e fundit për tryezën e natës së Vitit të Ri. E unë isha gjithë sy, si ai indigjeni që e kanë marrë nga thellësia dhe errësira e xhunglës dhe e çojnë në një metropol evropian, apo amerikan. Ajo botë që e kisha lënë vetëm shtatë muaj më parë, e që nuk më kishte bërë asnjë përshtypje, madje shpesh herë më ngjallte neveri, po më dukej një mrekulli, një parajsë. Se, a nuk kisha dalë nga “ferri”, a nuk kisha dalë nga bota e errësirës, në dritë? Atëherë kuptova mirëfilli, se sa shumë kisha humbur! Pa përmendur këtu familjen dhe ngrohtësinë e saj, Zërin e ëmbël të bashkëshortes së shumëdashur dhe cicërimat prej zogu të djalit, që e adhuroja deri në çmenduri.

“Gaz”-i 59, ecte jo shumë shpejt në sheshin kryesor të qytetit dhe unë i bëja sytë katër, se mos më zinte syri time shoqe me djalin, se mos ajo kish vajtur në Durrës tek e motra, që të kalonin bashkë natën e Vitit të Ri. Por syri nuk ma zuri gjëkundi dhe, atëherë, një hije trishtimi, filloi të ma kaplojë shpirtin. Të burgosurit i krijohet një psikologji e veçantë. Ai e dyzon botën. Bota e parë është ajo e tij, aty ku ndodhet, burgu, jeta në të. Sipas tij kjo kishte me qenë bota reale, me normat, skutat, njerëzit, ashpërsinë, vuajtjet dhe mjerimin e saj. Por ama edhe me luftën, përpjekjet, heroizmin dhe ndershmërinë e saj.

Kurse çka është jashtë hekurave të burgut, apo jashtë telave me gjemba të kamp-burgut, është një botë e gënjeshtërt, që jeton me hipokrizinë, poshtërsitë e vogla, meskinitetin e servilizmit, dallkaukllëkut, qorrsokakut, një botë ku nuk ndihet fare asnjë gjurmë heroizmi. Po të shprehesha ndryshe, bota e burgut i duket të dënuarit, këtij banori të detyrueshëm të tij, ndoshta vërtet një xhungël, ku jeta është në rrezik, në çdo hap të saj. Por ama, ajo është reale, se e tillë është e vërteta e madhe nën regjimin e diktaturës, aq më shumë asaj komuniste. Kurse e ashtuquajtura “jetë e lirë” është vetëm një iluzion, si ajo e filmit artistik, ku njerëzit s’janë veçse aktorë, asgjë më shumë; ku besojnë se janë të lirë, se punojnë për vete, se jetojnë dhe kanë një të ardhme.

Ata nuk e dinë aspak (dhe as që nuk u shkon ndër mend), se nuk janë tjetër, veçse material rezerve, për të mbushur birucat dhe kaushët e burgut, kur t’ia dojë qejfi diktatorit, këtij zoti të vërtetë të kësaj “bote të lirë”, false. Për më tepër, këta “njerëz e qytetarë të lirë”, duke mos patur as idenë më të vogël e të saktë për burgun, janë si ato bagëtitë që kullosin e majmen në favor të kasapit, tregtarit të mishit dhe sofrës së diktatorit e skotës së tij, më të afërt e besnike. Askush nuk e ka jetën të sigurt në “këtë botë të lirë” dhe njerëzit këtu janë gati si fëmijët, të cilët pandehin se me këngë, valle e ledha, do t’u shkojë gjithë jeta, që nuk e dinë fare të keqen, që nuk e njohin fare vdekjen.

Kurse burgu, vërtetë është një realitet dramatik, madje tragjik, por ai i ngjan, së paku, një lloj llogoreje fronti ku ka ndeshje për jetë a vdekje, mes së ndershmes, së vërtetës, së drejtës, heroikes, madhështores dhe së keqes, së shtrembërës, meskines, kriminales. Të paktën, në burg jetohet me sytë e hapur e, jo si jashtë tij, me ëndrrën në sy, se po jeton denjësisht, kur nuk je veçse një pedinë, një vidë në ingranazhin e madh që bluan mishin dhe kullon gjakun e një populli të tërë, të katandisur në skllav!

Ja, të tilla mendime më përshkonin trurin, ndërkohë që “Gaz”-i 59, përshkonte rrugët e qytetit, për t’iu drejtuar Tiranës. Pra, po më kthenin në Tiranë. Kjo, për mua, donte të thoshte se “qendra gravitacionale”, tani ishte “Grupi ynë” i Tiranës e, sigurisht apo fatalisht, në krye të tij, si i pandehuri kryesor, do të isha unë! Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha...”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

Next Post

“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit...”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84

Artikuj të ngjashëm

“Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve, dhe…”/ Letrat e panjohura të Nolit me Enverin, për anëtarësimin Shqipërisë në OKB, në ’46-ën
Dossier

“Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve, dhe…”/ Letrat e panjohura të Nolit me Enverin, për anëtarësimin Shqipërisë në OKB, në ’46-ën

June 25, 2025
“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit…”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84
Dossier

“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit…”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84

June 25, 2025
“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit
Dossier

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

June 25, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi…”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

June 23, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë

June 22, 2025
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit
Dossier

“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

June 21, 2025
Next Post
“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit…”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84

“Revolta e Qaf-Barit u provokua nga Sigurimi, Operativi Miti, përgatiti dosjen me 35 bashkëpuntorët e tij, Shefi i Policisë, E. Caja, zbatoi skenarin, L. Ymeri ekzekutuesi i S. Soklit...”! / Refleksionet e protagonistëve të ngjarjes, 22 maj ‘84

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme