Nga Skënder Tufa
Pjesa e dytë
Memorie.al / Pas amnistisë së vitit ‘82 dhe pas vrasjes së Rexhep Gecit, gjendja u rëndua më shumë në burgun e Spaçit, ku policia nisi të shtrëngojë masat e regjimit të brendshëm me oraret, radhët e ushqimit e zgjatjen e kohës së pritjes në tarracë për apel. Në fund janarin e vitit ‘83, na njoftojnë se një pjesë e burgut të Spaçit, do të transferohej. Ishte hapur një burg i ri pranë malit Munellë të Pukës dhe duheshin krahë pune, për shfrytëzim. Punëtorët e fortë dhe problematikët, u futën në listën që do të nisej për në minierën e Pukës. Transferimi i rreth 200 të burgosurve, ishte mundim i madh për ta, pasi duhej të bëheshin dorëzimet e batanijeve, çarçafëve, dyshekëve dhe enëve, si; tas, lugë e pagure, duhej të merrje sendet e tua personale nga depot e, t’i bëje gati për kontroll.
Situata brenda burgut të Qaf-Barit, sa vinte e rëndohej nga shtrëngimet në regjimin e brendshëm dhe në sektorin e punës. Policët konfrontoheshin me të burgosurit në mënyrë provokative si pse nuk e bën krevatin kuti, pse nuk ngrihesh në këmbë, pse më shikon e tjera dhe për këto “shkelje” shpesh merreshin masa, fakt që kishte krijuar një pasiguri dhe makth. Po ashtu të burgosurit punëtorë, që për shkaqe të ndryshme nuk arrinin ta bënin normën, filluan t’i nxirrnin nga dy turne për të plotësuar vagonët e munguar. Binte në sy një tendencë e theksuar provokimesh nga ana e policisë së drejtuar prej shefit, i cili hynte e dilte orar pa orar, duke kontrolluar e udhëzuar policët.
Kohët e fundit edhe operative i Sigurimit, Miti, bënte takime të shpeshta me njerëzit e tij brenda të burgosurve. Prej tyre kishte dalë fjala, se diçka po kurdiset në këtë burg. Në majin e luleve, në majin e freskisë pranverore, do të këputej më në fund ngarkesa e mbi tendosur prej gjendjes së krijuar nga forca e shtetit, për qëllime të paracaktuara! 22 maj, vullkan shpirtrash, jehonë lirie, rizgjim i të pamposhturës. Revolta e të shtypurve nga diktatura komuniste, shpërthen si ajo gonxhja pas dimrit të gjatë dhe vadit me gjak tokën, që aq shumë e duam.
Ky gjak shkroi një faqe të shkëlqyer anti-diktaturë, që duhet të lexohet qartë, sepse është një epope që kulmon. Kjo ngjarje me rëndësi historike, mendoj se duhet të përcillet me dëshmitë e drejtpërdrejta të pjesëmarrësve në të, për ta sjellë atë sa më të plotë e më pranë reales. Duke i mbledhur copat e fakteve të shprehura nga protagonistët, mundë të krijohet një vizion më i plotë, që do t’i ngjante restaurimit të një mozaiku. Nuk e di por i kam si të gjalla ato çaste, kur dalim nga menca, patericat e Pjetër Lulit, në duart e Bajram Vuthit, bashkë me patericat e Roland Toles e të Llazi Koçit, çanë ajrin, një stol i ngritur goditi derën. Policët që ishin në mencë, jo nuk i preku kush. Dera u shqye.
Llava u ngrit, jo për t’u bërë pis!
Tom Ndoja me tullat në dorë, që i shkuli në rrugicën përpara zyrës teknike, duke vrapuar e qëlluar policinë, i ndjekur nga Sokol Sokoli, Martin Leka, Petrit Moriseni, Dush Martini, Lush Bushgjoka, Sokol Progri, Llazi Koçi, plumbi nga karakolli pranë portës kryesore, godet Kostandin Gjordenin në mes të dy dritareve të kuzhinës. Roland Tole, Mirush Osmani, Skënder Tufa, Martin Leka, mbajnë Kostandin Gjordenin e plagosur, Gurali Beshi, merr duhan nga qesja e Dush Martinit dhe ja vendos në plagë.
– “Më qëlluan komunistët, më qëlluan kriminelët. Nuk ndjej asgjë, nuk më dhemb”, – thoshte ai. Hysen Tabaku, Lazër Shkëmbi, Ded Nimani, Nuredin Skrapari, Nikollë Prenga e Ramazan Spahiu, afrohen të shqetësuar, kris breshëria e automatikëve. Disa hapa larg Zyrës Teknike, Haxhi Baxhinovski me zv. komisarin, debate, replikë, ngritje zëri, më pas kapelja e rënë përdhe në këmbët e të dënuarve, rrotullohej sikur të paralajmëronte fundin e yllit të saj komunist, në gjysëm rrethin e formuar nga Fatmir Lakasi, Agron Hoxha, Sali Gaca, Çajup Bejko, Xhemal Tota, Ahmet Tufa, Kol Shkëmbi, Anastas Dhamo, Xhemal Mustafarai. Njerëz me gurë në duar, burgu i çliruar. Bidonat e ujit që unë i mbushja për emergjencë, Sali Gaca gatuan hasuden, që ndahet lart te kuzhina, nga dy topa secilit. Atje nuk ishin më shumë se 30 vetë.
Si filloi revolta…?!
Atë mëngjes, si të gjithë ditët e tjera, ra çanga e zgjimit në orën gjashtë, në orën 06 e 30, turni i parë futet në mensë, për të ngrenë mëngjesin, në orën 07-të, turni i parë niset për në punë, ndërsa turni i dytë, futet në mencë për të ngrënë mëngjesin. Përflitej se në ushqim, futeshin medikamente të dëmshme për shëndetin, në orën 07.30, hynë “papunësia” në mencë e, ndërkohë vjen turni i tretë, i cili ha mëngjesin dhe shkon direkt për të fjetur, numërimi ju bëhej në shtrat, mendonin për forcën e punës, jo për punëtorin.
Pasi mbarova atë lëngun e pështirë që quhej supë e, gëlltitej nga uria, dal në oborrin përpara mensës dhe, tek dera e madhe që ndodhej në mes mencës dhe “Maunes”, (fjetores së “papunësisë”), binin në sy dy të dënuar dhe dy policë, që po u kërkonin të dilnin në punë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolli. Ndreka, një lezhjan që e kishte edhe të vëllain në burgun e Spaçit, ishte njeri baballëk e, nuk prishte qef me kërkënd. Kishim punuar bashkë për disa kohë, në galeri.
I kishin sjell për të ngrënë bukë e, për t’i marrë sërish në punë. Kishin bërë dy turne, 16 orë punë në minierë, tani ju kërkohej të punonin edhe 8 orë të tjera!
– “More zotni, po jemi të lodh e të këput krejt, nuk kena ma takat me shku ke puna e, jo ma me punu. Kena ken dy turne n’punë” – thoshte Ndreka, duke lëvizur duart lart.
– “Unë kam urdhër të vini tashi”, – thotë polici i punës, Fiqiri Çakalli, ndërsa polici i brendshëm, kishte hapura derën e priste.
– “Itash nuk munemi as me qendru m’kam, mer zotni, po pushojmë e dalim turnin tjetër”, – thotë Ndue Pisha.
Kjo bisedë zgjati disa minuta deri sa ra edhe në sy të të tjerëve, të cilët filluan të grumbullohen përreth. Ishte bërë rutinë, që ata të cilët nuk plotësonin vagonët e kërkuar, duhej të dilnin dy turne, 16 orë pa ndërprerje, për t’i plotësuar, nuk pyetej se si ishte fronti i punës, veç duheshin vagonët. Policët i marrin dy të dënuarit në Zyrën Teknike dhe ju thonë; ose në galeri, ose në birucë. Të punoje 16 orë në galeri dhe të tregonin birucën për ndëshkim, kjo nuk ishte vetëm çnjerëzore, por edhe provokim. Jo, prit, ata i kishin bërë dy turne, tani ju kërkohej të dilnin të tretin turn!
Tom Ndoja është futur dhe i ka nxjerr dy të dënuarit nga duart e policëve, duke ju thënë: – “Çfarë po kërkoni more, po edhe këta janë njerëz, jua kena ba normen 140 përqind. Na leni në hallet tona, mos na bini n’ qaf kot. Për sod kta s’jan t’u dal ma n’galeri. Thujini komands, kur të dalim në pun, do të bajme edhe vagonin që se kan ba kta të dy. Edhe kafsha nuk është ndigju ndonjë herë, t’ punojë 24 orë pa pushim”!
Policët tentuan t’i ndalonin, por aty ishin Sokol Sokoli, Sokol Progri dhe një grumbull prej 40-50 të burgosurish, të tendosur nga shtypja dhe poshtërimi, të cilët dukeshin si një masë në shpërthim. Ndërhyrja e Tomës, Sokolave dhe prania e të burgosurve që shtohej rreth tyre, e zgjidhën për momentin këtë situatë. Policët u larguan, dy të burgosurit Nduja dhe Ndreka, shkuan pa ngrënë, për të fjetur, ishin të lodhur.
DALIP ZHABOLLI
“Un kam qenë protagonist i kësaj pune. Atë ditë vjen turni i tretë nga puna e, si gjithmonë bëhet kontrolli rutinë. Dy të burgosur nuk kishin mundur që ta bënin normën. Policët nuk i lanë të hyjnë brenda në fjetore, por ju thanë të shkojnë të bëjnë vagonët që mungonin, aty nisi incidenti”.
SHEFQET DOBRA
“Më 22 maj, është muaji që nuk mund ta harrojmë. Atë dite, sapo mbaruan së ngrëni bukë turni i tretë, shkuan të flinin, disa ishin zhveshur, disa po thithnin fundin e cigares, nuk vonoi shumë, u dëgjua tellalli të thërriste një emër, i cili duhet të dilte përsëri në punë, ky ishte në dhomën tonë. Sakaq, erdhi polici ta merrte! – “Punova dy turne pa pushim, të fle njëherë, se nuk mundem, jam këput për gjumë. Punoj prapë dy turne të tjera”! – tha i dënuari- Nue Pisha – “Ka urdhërua shefi”! – tha polici. Disa të dënuar, iu lutën që të pushonte njëherë, pastaj të punojë prapë dy turne:- “Kështu i thuaj shefit”! – i thanë. –“Dakord”! – tha polici, dhe doli.
Të gjithë u shtrinë të flinin. Kur të gjithë i kishte zënë gjumi, u futën disa policë dhe shefi. Thonë se qeni i mirë po të gjejë në gjumë, të rri te koka të ruan, por,….! Këta njerëz të stërmunduar, që gjithë natën kishin “luftuar” me malin, përballë rrezikut dhe që para një ore ishin përshëndetur me turnin e parë: – “shyqyr që dolët shëndoshë”, -dhe këta u kishin thënë:- “dalshi shëndoshë”- se hyrja dihej, dalja nuk dihej, nuk llogariteshin për qenie humane nga kjo tufë qeniesh abstrakte!
Në dhomë u fut shefi me disa policë nga pas. Unë isha pushim atë ditë, se kisha vrarë një këmbë, isha shtrirë dhe po lexoja “Të mjerët”, sapo pash ata, e futa librin poshtë batanijeve. Shkuan drejt te krevati i atij që duhet të dilte rishtazi në punë, e luajtën për këmbësh: -“Çohu”! – i thanë’ – “Jam lodh more! Jam i marum krejt, po dal dy turnet e tjera”, – ju tha ai
– “Hajde, mos e zgjat! Mos bëj zhurmë, se të tjerët po flenë”! – i than, megjithëse i dënuari po u lutej. – “Nuk munem more, më lini të pushoj se jam i lodhun”!- Por policia i tërhoqi batanijet, i dënuari foli me zë më të lartë, kjo bëri që të zgjoheshin tjerët. – “Ç’keni more, pse na e nxirrni gjumin”?- tha Tom Ndoi – “Kemi punu gjithë natën more, na leni të flemë tashti”! – “Shoku juaj e ka fajin”! – tha shefi. – “Çfarë thua more, pash Zotin?! Ai po flinte, ka punu dy turne, ku ka fuqi ai të bëj zhurmë”?! Polici e kapi për këmbe, ta zbriste poshtë me forcë, po ai u kap për krevati.
Të gjithë iu lutën policisë ta linin, e të punonte prapë dy turne, por lutjet e tyre, nuk u dëgjuan, qetësia u prishë. Disa të dënuar, u ulën ndenjur. Pasi fjalët e urta dhe lutjet e disave nuk bënë efekt, Toma i tha shefit: – “I tash po flem nji herë dhe kur të dalim në punë, të japim fjalën, se ça ka lan mangët Nuja, do e plotësojmë na. I tash na leni të flemë”. Dikush lëshoi një fjalë, po kush e tha këtë nuk e di, se unë nuk e ngrita kokën. Kjo fjalë fyese e acaroi gjendjen.
Dëgjova Tomën të fliste: – “Ne vërtetë jemi të dënuar, po këtu nuk bëjmë regjim burgu, jemi punëtorë, jo fundërrina”! – tha Tom Ndoja dhe e kapën shokun e dhomës, e larguan. Ofeza e acaroi gjendjen, policët u bënë gati të përdornin forcën. Dhoma ishte në formë “L”- ëje, se gjysma e sajë zgjerohej, dera nuk dukej që aty ku ishin këta, dikush nga të dënuarit mbylli derën e dhomës. Shefit ia kapi veshi kërcitjen e rrezes së derës, bëri një buzëqeshje dhe menjëherë ndryshoi taktikë. Ky qe veprimi më i arsyeshëm që bëri në këtë moment.
– “Lëreni, lëreni!- u tha policëve – mirë ishte të merreshim vesh, ne nuk duam ta marrim me zor”- dhe u drejtua nga dera, policët e ndoqën si qengjat pas s’ëmës. Të dënuarit, u shtrinë të flenë. Jashtë mbretëronte qetësia. Turnin e dytë dhe të papunët, i kishin futur në mencë, t’u lexonin veprat. Gjysmë ore më vonë, u dëgjua zëri i tellallit: – “Të gjithë në rresht, para mencës, edhe turni i tretë”! – shtoi ai .
U ngritën nga gjumi dhe u rreshtuan në oborrin e ngushtë mes mencës e pallatit, ku ishin dhomat e gjumit të dënuarve. E gjithë policia ishte e pranishme. Pasi pritën bukur shumë në këmbë, nën vështrimet kërcënuese të policëve, erdhën shefi, komandanti, komisari dhe zv. komisari dhe të gjithë oficerët e nënoficerët. Pasi panë se çdo gjë ishte gati, shefi- urdhëroi: – “Për dy në mencë”!
Në derë ishin dy policë që na numëronin, kur hyri i fundit u mbyll dera. Me të dënuarit brenda, ishin dhe nja dy a tre policë që të ruanin qetësinë. Pas pak dera u hap dhe thanë: – “Kush të dëgjojë emrin, të dalë jashtë”! Fillimisht u dëgjuan emrat e disave të administratës dhe të anëtarëve të këshillit të brendshëm. Sapo dolën ata, u mbyll dera.
Pas disa minutave, thirrën disa tjerë emra, ndërmjet tyre ishte dhe emri i personit që duhet të dilte në punë, përsëri u mbyll dera. Policët me shkopinj gome në dorë, qarkullonin me vështirësi përmes të dënuarve, për të mbajtur gjendjen nënë kontroll.
U dëgjua zëri i shokëve jashtë, policia po i rrihte, të dënuarit kërkuan të hapej dera, policët brenda, kërcënonin nëse nuk rrinin urtë. Brenda ishte një djalë që kishte thyer këmbën në galeri, dy të dënuar ia rrëmbyen patericat, jo për të dëmtuar policët, por për t’u mbrojtur, nëse ishte nevoja. Më në fund shqyen derën.
Dalja e njerëzve të egërsuar, qe vërtet e frikshme! Të rrahurit ishin përgjakur dhe kjo pabesi e tensionoi më shumë gjendjen. U përleshën, disa të dënuar bënë ç’mos të qetësonin gjendjen, ndër të cilët edhe Sandër Sokoli, por pa sukses. Numri i shumtë i policëve nuk bënë efekt, ata u detyruan të ikin, pa e kthyer kokën mbrapa.
Nga zhurma dolën të tjerët nga dhomat dhe ata që u bëhej leximi, të shikonin ç’po ndodhte, nuk merrej vesh ç’bëhej atje, një grumbull njerëzish, veshje me tre ngjyra, të gjelbërta, të zeza dhe e të burgosurve, herë zhdukej njëra, herë dukej tjetra, të dënuarit në përleshje ishin pak vetë të cilët, më shumë mundoheshin të qetësonin gjendjen por, edhe të mbroheshin, kjo bëri që policia të largohet. Njeriu është rob i fjalës së dhënë dhe, përgjegjës nëse nuk mbanë premtimin.
Për këtë ndodhi të panevojshme, kush duhet të përgjigjet? Sigurisht, të pafajshmit! Fajtorët asnjëherë! Një polic, që dikur, kur ishin të dënuarit ordinerë këtu, kishte qenë shef, e që mbahej mend si i tmerrshmi i kampit (Myzaferi), po kaq të tmerrshëm e tregonin edhe tani që ishte i plotfuqishëm në Fushë – Arrëz, këtë e kishin lajmëruar të vinte të përdorte autoritetin e tij, si njëherë e një kohë. Ky u fut brenda rrethimit, me atë kapadaillëkun e dikurshëm.
Fjalët fyese që përdori ai, më shumë e acaruan gjendjen, kur ngriti dorën kundrejt të parit që u gjend aty pran, prej tij mori një grusht të fort e, u shtri për tokë. Nuk vonoi shumë, nga kthesa u duk kolona e makinave ushtarake të mbuluara. Sapo ndalonin, nga pas dukeshin sikur “villnin” turma policësh e ushtarësh.
Ç’duheshin gjithë këto forca? Kur ishin lajmëruar dhe pse? Po si erdhën kaq shpejt nga Tirana? Nuk ishte e nevojshme të shkonte puna deri në këtë gjendje. Mesa dukej nuk ishte rastësi! Gjendja dukej se po shkonte drejt së keqes. Ishte alarmuar qeveria. Shumë shpejt, kampi u ndodh brenda tre rrethimeve. Gratë e fshatarëve ishin lajmëruar të largohen, ato me fëmijë në krahë, duke qarë e duke na mallkuar ne, ngjiteshin malit përpjetë të lemerisura.
Edhe Forcat Vullnetare të fshatrave përreth, ishin thirrur të “mbrojnë” Shqipërinë nga armiqtë. Grupi i vogël i të dënuarve, ishin në sheshin mbi kapanonet. Ata ishin vetëm 24 djem të rinj, që veç duarve, nuk kishin gjë tjetër, aty qëndruan, ç’të bënin?! Të gjitha grykët e armëve, nga çdo ushtar që merrte pjesë në rrethimin e kampit, ishte drejtuar në këta djem. Aty kishte zbarkuar Garda Republikës dhe sampistët e shtetit, siç thanë. Po me kë do luftonin?! Pas kaq kohësh duket absurde! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm