• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, June 20, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Dyshimet e mija se kush nga pjesëtarët e grupit të Tiranës apo Durrësit, na dekonspiroi te Sigurimi i Shtetit, që na arrestuan të gjithëve dhe…”! / Kujtimet e ish-kreut të “Grupit Social-Demokrat”

“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Kur Pjetër Arbnori dhe Z.K. do të shkonin në Tiranë në mbledhjen e grupit, si përfaqësues të Durrësit, agjenti ‘Vullnetari’…”/ Dokumentet e panjohura të Sigurimit, për 19 rrethe të vendit
“Kur pa se në sallë ndodhej dikush që i kishte shkaktuar 23 vite burg, ai iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi, më keni nderuar shumë sot, por…”/ Historia tronditëse e të riatdhesuarit nga SHBA-ja
Memorie.al
Letra e 1960-ës për Hysni Kapon / “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali” etj., gjenerali i Sigurimit nxjerr pseudonimet e  Peshkopisë….
Hetuesi dhe Punetori Operativ i Sigurimit te Shtetit duke diskutuar. Foto e viteve 60-70.bmp

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e pestë

                                                       Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Duke parë rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarit, jemi të mendimit, të mos i akordohet falja e kërkuar…”! Zbulohet letra e Manol Konomit, për pushkatimin e Koci Xoxes, 11 qershor 1949

“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambaret e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                  Vijon nga numri i kaluar

Kështu, mua dhe Tanushit na ndodhi tamam si thotë proverbi popullor: “Miun s’e nxë vëra, kërkon dhe kungullin pas”. Ne diskutonim ende punën e Pjetrit, kur na doli dhe një bisht i tij pas! Këtë, në një mënyrë disi më të njerëzishme, ia thashë Pjetrit, a Pjerinit, siç e thërriste Tanushi, që nga koha e njohjes në Shkodër. Dhe atëherë Pjetri na bëri prezantimin, me të dhënat e sipërshënuara. Madje shtoi se Zeqiri e njihte mirë rusishten dhe se kishte çuar për botim një libër (të përkthyer prej tij), të Kuprinit.

Në dukjen e parë Pjetri m’u duk djalë i ri, që sapo kishte nisur të bëhej tullac, me një fytyrë simpatike dhe me sy inteligjentë. Ndërsa Zeqiri, një burrë me i pjekur, me flokë të dendura që sapo kishin nisur të thinjeshin, me mustaqe të trasha, si të Stalinit. Nuk di me siguri se çfarë kishte biseduar Tanushi paraprakisht me Pjetrin, pra nëse e kishte mbajtur porosinë, që me të të bënte vetëm sondazhe dhe të mos i zbulonte aspak, jo me ekzistencën e grupit të Tiranës, por asgjë tjetër me rëndësi.

E them këtë sot, sepse që atëherë vura re që Pjetri sikur nxitonte të hynte shpejt në temë, pas disa lloj “nxemjesh” më gazmore disi me thimth politik, ndaj të cilave unë mbajta përgjithësisht një qëndrim të matur. Por sidoqoftë ishte e pashmangshme ndonjë replikë politike, pa u shtyrë fort. Kurse Pjetri sikur nxitohej të zbrazte tërë arsenalin e vet, pa rezervën më të vogël.

Kështu, kam bindjen edhe sot, siç e pata edhe atëherë, se Pjetri mendonte që ne të katërt, të ishim nismëtarët e një grupi politik, pa e ditur asfare se ne e kishim tashmë prej një viti një grup të tillë dhe se ai takim për ne të Tiranës, nuk ishte veçse një sondazh, asgjë më shumë. Shumë-shumë madje, për ne njohja dhe pranimi i këtyre dy elementëve të rinj, do të mbetej edhe në takimet e tjera të mundshme, vetëm në rangun e kandidatëve të diskutueshëm për t’u pranuar ose jo në grup e, gjithmonë në periferi të tij, të paktën derisa të bindeshim plotësisht e të krijonim besimin e duhur. E kjo ishte më se e natyrshme.

Pjetri a Pjerini, si i thoshte Tanushi që e kishte patur shok të shtatëvjeçares, që nga njohja e parë m’u qep mua pak si fort, madje më shumë se Tanushit, që e kishte patur shok të vjetër. Pse vallë? Mos ngaqë unë isha më i madh se ai në moshë, nja gjashtë vjet, apo se shihte si më respektonte Tanushi dhe kjo i jepte atij të kuptojë, se unë duhej të kisha një peshë disi të veçantë? Po, me këtë nuhatjen time, nuk isha gabuar aspak, sepse përvoja e mëtejshme në jetën e burgut, ma vërtetuan plotësisht këtë hamendjen time. Në fakt, një nga tiparet e tij psikologjike, ishte t’u qepej personave që i dukej atij se kishin “kuotë” dhe mund ta ndihmonin të kapej pas diçkaje që atij i interesonte fort.

Mbiemri Arbnori nuk m’u duk i natyrshëm dhe kur e pyeta për këtë ai më tha se ishte tamam mbiemri i tij, që vinte nga fshati i tij i origjinës së familjes, se paskësh një fshat matanë kufirit, në zonën e Krajës, që quhej Arbnor. Në atë kohë unë nuk dija shumë për gjeografinë dhe sidomos për toponimin e rrethit të Shkodrës, por kur dola nga burgu dhe m’u desh të ambientohesha me Shkodrën, pyeta dhe asnjë shkodran, madje as shirokas si Pjetri, nuk më thanë se me të vërtetë ekzistonte ndonjë fshat i tillë, me mbiemrin Arbnori. Kështu m’u vërtetua dyshimi im i atëhershëm, se ai mbiemër ishte krejtësisht i sajuar, me një synim të dukshëm ambicieje, lavdie, tingëllues…?!

Në takimin e dytë në Tiranë, këtë herë vetëm me Pjetrin, ku ndodhej prapë edhe Tanushi, durrsaku më tha se kishte hartuar një projekt-program, të cilin kishte shumë dëshirë që ta shihnim edhe ne. I thashë Pjetrit, që nuk ishte fare nevoja për një punë të tillë, sigurisht pa i dhënë asfare të kuptojë, se tashmë ne e kishim programin tonë, dhe pse jo të shkruar, si donte ta mbante ai. Por meqë nguli këmbë shumë, i thamë të vinte në Tiranë në datën 27 maj me gjithë Zeqirin, te shtëpia ime, ku do të ishte edhe Tanushi dhe aty do ta shihnin me nge atë që kishte shkruar ai. Takimi ishte në orën dy fiks. Nuk lejohej asnjë vonesë ose mungesë. Mungesa donte të thoshte ose vdekje e ndonjërit prej të dyve, ose arrestim. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë. Mbi rezultatin e takimit, do t’u referonim shokëve të tjerë të grupit tonë të Tiranës.

Në ditën dhe orën e caktuar, ata nuk erdhën. Si morëm vesh më vonë, në orën 09.00 të asaj dite, Sigurimi vajti dhe e arrestoi Zeqirin te zyra e tij, ndërsa po shtypte pjesën e dytë të programit të Pjetrit. Kurse këtë e arrestoi tek kalonte para Degës, në orën 12.00 të drekës. Mua dhe Tanushin na arrestuan rreth orës 07.30 të asaj mbrëmjeje, tek shëtisnim në bulevardin e Tiranës, si do të shikojmë më tutje.

Mbas një hetuesie të gjatë mbi njëvjeçare, më në fund, më datën 8 gusht 1962, na nxorën në gjyq së bashku, “grupin e Tiranës” dhe dy kandidatët e mundshëm të tij, nga Durrësi. Gjyqi vazhdoi katër ditë. Ai u zhvillua në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, që ndodhej atëherë te “Rruga e Durrësit”. Ai u bë me dyer të mbyllura, me ftesa vetëm për partiakë dhe sigurimsa, kurse asnjë nga familjarët tanë, nuk u lejua të jetë i pranishëm.

Gjykimin tonë e bëri një ekip i Gjykatës Ushtarake të Rrethit të Tiranës, me kryetar kolonel Llazi Polenën, anëtar; nënkolonel Reshat Nepravishtën (medemek edhe shkrimtar), dhe kapitenin e parë, njëfarë Mexhiti. Kurse prokuror ishte major Sami Kapllani, i cili, pas disa kohësh nga gjyqi ynë, mora vesh se kishte rënë vetë në burg, si ordiner, më duket për vjedhje. Ditën e katërt të gjyqit u dha vendimi: unë dhe Pjetri me vdekje (me pushkatim), Zeqir Koçi me 20 vjet burgim, Riza Kuçi me 15, Agim Musta dhe Tanush Kaso, me 13 secili dhe, në fund, Kahreman Paftali, me 10 vjet.

Zbulimi dhe arrestimi

Zbulimi i grupit tonë, që solli, domosdo, arrestimin dhe likuidimin e tij, sot e kësaj dite ka mbetur për mua, një ekuacion me shumë të panjohura. Unë kam vetëm dy të dhëna, por të vërtetën e plotë ende nuk e di. Ajo mund të fshihet ende në ndërgjegjen e ndonjë pjesëmarrësi në grup, ose atyre që do t’i atashoheshin atij mundësisht më vonë. Them kështu, sepse kam të dhëna jo të plota e të sakta, se njeri nga anëtarët e grupit, duket i frikësuar nga pjesëmarrja në të, ka vajtur dhe ka denoncuar ekzistencën e tij dhe emrat e pjesëmarrësve, sigurisht në Degën e Brendshme, kohë më parë se të arrestoheshim.

Varianti i dytë, dhe më i besueshëm për mua, është se ne u denoncuam pak kohë mbasi u njohëm, u takuam dhe nisëm të bisedojmë me Pjetër Filipin (Toma ose Arbnori) dhe shokun e tij të ngushtë, Zeqir Koçin, me origjinë nga Golloborda, që të dy atëherë banues në Durrës. Gjatë gjyqit, unë gjeta rastin ta pyes Pjetrin për këtë punë. Dhe ai më tha se e kishte porositur shokun e vet, Zegirin, që, për bisedat që kishin bërë ata mes tyre dhe më pas me mua e me shokun tim të grupit, Tanushin, le të bisedonte po të donte me të gjithë Durrësin, por jo me kushëririn e vet, Zenun Ballën, se ky ishte agjent i Degës. Por Zeqiri kishte bërë të kundërtën dhe si do të shikojmë më tutje, kur të flitet për hetuesinë time të parë në Degën e Tiranës, pas arrestimit, kjo teza e Pjetrit, sikur m’u vërtetua.

Kurse, përsa i përket variantit të dytë, ende nuk kam ndonjë konfirmim të drejtpërdrejtë, apo anësor. A ka variante të tjera në këtë mes? Mundet! Por unë nuk kam fakte dhe nuk e kam zakon të merrem me hamendje. Kjo puna e zbulimit tonë, variantin më i saktë, duhet ta ketë në dosjet operative të Sigurimit. Po ku ta gjej unë atë dosje, ku ta kërkoj, kush ma jep vallë, sot e kësaj dite? Ishte ditë e shtunë, 27 maj 1961. Unë, si u ktheva nga shkolla e fshatit ku jepja mësim, kryesisht gjuhë shqipe dhe elementet e letërsisë, hëngra drekë dhe prita më parë të vinte Tanushi.

Ime më, e shkreta, u kujdes ta nderonte shokun tim, meqë nuk ndodhej në shtëpi ime shoqe, e cila bashkë me djalin, kishin dy javë që ndodheshin në Shkodër, tek e ëma e saj. Dhe pritëm të vinin dy durrsakët. U kisha thënë atyre, se ata jo vetëm duhej të vinin, por të ishin të përpiktë në orar, gjallë a vdekur. Mosardhja do të thoshte ose arrestim, ose ndonjë fatkeqësi më e madhe. Ora kaloi dy e më tutje dhe unë nisa të nervozohesha. Po të vinin me vonesë do t’i prisja me këmbët e para, si thotë një shprehje e shqipes. Por ata vazhdonin të mos vinin.

Tanushi ndihej apo tregohej më i qetë. Kurse unë nisa të shqetësohesha seriozisht. Jo më pse s’po na urdhëronin “zotërinjtë e tyre durrsakë”, por sepse nisa të parandiej rrezikun. Ndërsa Tanushi vazhdonte hamendjet e tij naive dhe ngushëlluese, si një lloj Kandidi i Volterit, me moton e njohur të tij: “Gjithçka shkon nga e mira në këtë botë”. E kishim lënë që, pas takimit, ata të Durrësit, do të ktheheshin në qytetin e tyre, ndërsa unë me Tanushin, do të takoheshim me shokët tanë, në një nga kafenetë e bulevardit, që t’u shpjegonim mbi rezultatet e arritura.

Andej nga ora gjashtë, vesha kostumin e ri që kisha, të vetmin, dhe bashkë me shokun tim, dolëm për në bulevard. Por ndërsa nisëm të largoheshim nga banesa ime, vura re se kisha harruar orën e dorës. Dhe u ktheva në shtëpi që ta marr. Tek dola prapë, vura re se në cepin e pallatit ku banoja atëherë, buzë Lanës, rrinte një njeri me kasketë në kokë, që me ndiqte me sy. Mendja më shkoi fill, se ai do të ishte i Degës, dhe këtë ia thashë edhe Tanushit. Por ai, si gjithnjë, qeshi dhe u çudit me natyrën time sa dyshuese, aq edhe të prirur nga ngjarjet e këqija.

Në bulevard ndeshëm vetëm Agimin, me një shokun e vet, të cilin e njihja edhe unë, por që s’kishte të bënte fare me punët tona. Riza Kuçi, nuk kishte dalë fare, nuk di përse. Dhe vazhduam shëtitjen, siç ishte e zakonshme në ato vite. E bulevardi kishte nisur të mbushej me shëtitës si puna jonë, burra, gra, të rinj, të reja. Por tek ecnim, vura re se pas nesh, në një farë distance, na ndiqnin major Besim Selita, i shoqëruar me ca civile e ushtarakë. Unë e dija se kush ishte ai. Ai ishte kryetari i Degës së Brendshme të Rrethit të Tiranës (jo të qytetit), e njëkohësisht edhe anëtar i Byrosë së Partisë të Rrethit.

Për më tepër e njihja, se e kisha parë të vinte herë pas here në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit dhe se kishte marrë për grua një vajzë nga Petrela, të cilën unë e kisha patur, vite të shkuara, nxënëse në shtatëvjeçaren e Mulletit. Kjo në atë kohë punonte si nëpunëse në aparatin e Komitetit. Dhe unë ia shfaqa dyshimet e mia tashmë, si Tanushit, ashtu edhe Agimit, por ata qeshën me këto dyshime. Sigurisht ua thashë në një mënyrë që të mos e merrte vesh shoku i Agimit, një inxhinier i ri, i quajtur, në mos gaboj, Muharrem Seseri, tiranas.

Atë ditë kishte përfunduar gjyqi i Teme Sejkos dhe i shokëve të tij, dhe vendimi kishte qenë me vdekje, me pushkatim, për nja katër a pesë pjesëtarë të atij grupi. Gjykimi ishte zhvilluar në kinema “Brigada”, një barakë e stërmadhe në sheshin prapa ministrive, ndërtuar në kohën e Italisë. Dhe tek ecnim me Tanushin për të dalë në bulevard, kaluam nga ai shesh, duke shkelur tamam mbi gjurmët e rrotave të makinës, që i kishte marrë me vete të sapo-dënuarit e atij gjyqi, për t’i çuar përpara, skuadrës së pushkatimit. E këtë mendim ia kisha shprehur edhe Tanushit. Por ai prapë qeshi, me atë të qeshurën karakteristike dhe më tha, si me një lloj qortimi, se mua po më bëhej ferra Brahim! Por unë iu përgjigja:

– Ashtu thua ti, Brahim-Brahim, por në shpëtofshim sonte pa arrestuar, ahere do të shpëtojmë për fare!

Dhe fatkeqësisht doli fjala ime dhe jo ajo e tij. Aty ku “Rruga e Dibrës” nxjerr krye në bulevard, më takoi një shoku im, që nuk njihej me të tjerët. Ai ishte me biçikletë. Dhe më kërkoi nja 2.000 lekë (të vjetra), hua për ca ditë, se kishte mbetur pa para buke, për vete e familjen. Unë, domosdo, ia dhashë, megjithëse kisha pak për vete e, familjen time. Tamam në ato çaste, arriti autobusi urban i asaj rruge dhe ndaloi pak, sa për të marrë kthesën e bulevardit. Ato çaste më lindi mendimi, t’ia merrja biçikletën shokut tim dhe të bëhesha erë, nëpër rrugicat e asaj ane, që i njihja mirë, se isha lindur e rritur në Tiranë. Por mendimi, që gjithmonë është më i shpejtë se veprimi, më pengoi.

Së pari, unë nuk do të mund të kthehesha më në shtëpi. Kush do të mund të më strehonte në ilegalitetin e detyruar? Së dyti, e vetmja udhë shpëtimi për mua, do të ishte arratisja përtej kufirit. Po unë nuk i dija as rrugët, as zonat dhe nuk kisha asnjeri që të më ndihmonte. Së treti, ilegal apo i arratisur, do ta pësonte familja, nëna plakë, ime motër e re, vëllai, e sidomos ime shoqe, ende nuse e re dhe djalthi kërthi.

Se katërti, a nuk do të quhej tradhti edhe për shokët e mi të grupit, duke ua lënë gjithë përgjegjësinë atyre? Jo, i thashë vetes, dorëzohu dhe paguaj vetë për punën tënde. Kështu e lashë shokun tim të ikte me biçikletë dhe u bashkova me shokët e mëparshëm të shëtitjes, pa u thënë asnjë fjalë atyre, për ç’kisha menduar më parë. Lexuesi i këtyre radhëve, sot ka të drejtë të gjykojë, për zgjedhjen e alternativave të mia për atëherë: a ishte logjik dhe e drejtë tentimi i arratisjes, pale i mundshëm? Apo ishte i drejtë dorëzimi im? A ishin bindëse arsyet e këtij dorëzimi, apo ishin një budallallëk me brirë?

Kur unë ndalova me shokun tim me biçikletë dhe autobusi urban ndërhyri mes meje dhe gjurmuesve tanë, vura re se gjurmuesit tanë u shqetësuan dhe diç biseduan mes tyre. Pra m’u bë tepër e qartë tashmë, se ata më kishin në objektivin e ndjekjes. Dhe vura re se u afruan edhe më shumë rreth nesh e, diç biseduan njëri me tjetrin. Pra, çasti i aksionit të tyre po afronte. Dhe për këtë u binda plotësisht. Por prapë, një iluzion që s’i ndahet njeriut, si shpresa para rrezikut, sikur më gënjente, duke më thëne se gjithë vrojtimi dhe mendimi im për rrezikun e pritur, s’ishte veçse një hamendje dhe se prania e sigurimsave, nuk ishte veçse një rastësi, dhe asgjë më shumë. E ky iluzion i ngjante fort atij të gomarit të fabulës, që mendonte, duke patur ujkun në shpinë, se ishte vetëm një ëndërr e asgjë tjetër.

Ajo shëtitja jonë e fundit, në fakt, nuk vazhdoi më gjatë, sepse sapo arritëm para Xhamisë së Sahatit, sigurimsat e ngushtuan rrethin, na vunë në mes dhe na shtynë drejt trotuarit të faltores. I pari i tyre, major Besim Selita, foli i pari:

– Mos bëni asnjë veprim që të shkaktojë skandal! – Dhe pas pak shtoi:

– Nxirrni dokumentet!

Isha gati i sigurt se më njihte, duke u nisur nga e shoqja që më kishte patur mësues, siç tregova më parë. Por ai nguli këmbë në të tijën dhe unë nxora letër-njoftimin. Si u sigurua se kush ishim, majori foli prapë:

– Ecni mes nesh, pa folur asnjë fjalë!

Na kapën përkrahësh dhe u vumë në lëvizje drejt rrugës së ngushtë prapa Bashkisë së sotme, rrugë që të çon në drejtim të Ministrisë së Brendshme të atëhershme dhe të sotme. Nuk vura re nëse arrestimi ynë në mes të pjacës, u ra në sy kalimtarëve. Jam i bindur se po, sepse ata ecnin pak metra larg nesh. Dhe ne nuk ishim njerëz fare të panjohur në Tiranë, si qytetarë të vjetër të saj. Fakt është se, si kam marrë vesh vite e vite me vonë, kur qeshë liruar tashmë nga burgu, lajmi i arrestimit tonë u muar vesh shpejt e, po atë natë në Tiranë, duke iu futur dridhmat në shtat, gjithë të njohurve e shokëve tanë.

Vura re mirë, se tre shokët e mi ishin bërë të bardhë në fytyrë. Dhe ai mes nesh, inxhinieri, që nuk ishte fare anëtar i grupit, m’u duk se dridhej si purteka. Veçse çudia më e madhe ishte, se m’u duk se dridheshin edhe arrestuesit tanë. Mos mendonin se ne kishim armë dhe ishim terroristë të stërvitur, që do t’u kundërviheshim dhe t’u merrnim jetën aty për aty, për t’u bërë pastaj erë! Kaq trima na paskëshin qenë sigurimsat? Vërtetë unë vura re shokët e mi dhe vetë sigurimsat, por fytyrën time, nuk e di si e kisha. Ndjeva vetëm se trupi më ishte bërë si prej guri dhe në fytyrë them se do të isha, tepër i vrenjtur.

Ishte diçka sikur në ato çaste një trysni fizike ma kishte mbërthyer trupin, dhe në shpirt, ndieja një revoltë të brendshme, që po më rritej nga çasti në çast. Por për mua, mësimi më i madh i atyre çasteve të rënda, veç të tjerave, qe se sigurimsat, nuk paskëshin qenë ata trimat kapadainj që krekoseshin bulevardit, kur ndeshnin me armikun e vërtetë, dhe pse pa armë, dhe as ata “heronjtë e heshtur” e trima me fletë, për të cilët nxinin aq qartë kalemxhinjtë e regjimit, apo bënin filma të porositur kineastët e asaj kohe.

Te kthesa e rrugicës, mua dhe Tanushin na hipën në një lloj kamionçine, me shpinë nga shoferi. Në të dy krahët, na mbanin fort major Besimi, nga ana ime, dhe një tjetër kalec, nga ana e Tanushit. Vura re se edhe ata ishin të tronditur, madje e ndieja në krahun tim, të dridhurit e majorit. Ç’të ishte kjo e dridhura e tij, tension nervor apo frikë? Apo ndjenja e një “përgjegjësie të madhe”, se kishin arritur të kapnin “gjah fort të majmë” dhe donin ta shpinin “të freskët” në kuzhinën e sulltanit të kuq, si qen të bindur e të stërvitur gjahu, për të siguruar mish të zgjedhur, për sofrën e padronit të tyre?

Mua dhe Tanushin kështu, kurse Agimin dhe shokun e tij, e lanë nën kujdesin e oficerit të rojës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ish- ndërtesa e Bankës së Napolit dikur, që në kohën e Zogut. Pra ishte e qartë që unë dhe Tanushi, paskëshim qenë “pjata e parë”, e zgjedhur, e parapëlqyer. Dy të tjerët, një lloj sallate …!

Rruga nga aty te Dega e atëhershme, nuk ishte larg, sidomos me makinë. E të gjithë tiranasit e dinë që ajo e mallkuar Degë, ndodhej te Selvia. Kjo pemë e lartë, gati më tepër se një minare xhamie të madhe, bashkë me pishën e rrugës së sotme, me emrin “Tefta Tashko”, mund të quhen si monumente kulture natyrore për Tiranën, por në regjimin e Hoxhës, selvia e shkretë ishte bërë një simbol i së keqes, i frikës, i tmerrit për kryeqytetasit.

Ajo ishte bërë si simbol i Degës së Sigurimit pranë saj. Aq sa shprehja kërcënuese apo paralajmëruese; “Mos llap, se do përfundosh te Selvia”, do të thoshte për Tiranën, njësoj si t’i thoje në Moskë një rusi…se; “do shkosh te Lubjanka”! S’ke ç’i thua, komunistët, apo pararoja e tyre, Sigurimi, ishin fort të shkathët, për të krijuar kësi simbolesh tmerri.

E shkreta selvi, kjo pemë e lashtë zbukuruese e paqes, e prandaj edhe e varreve, ishte katandisur në simbiozë të torturës, si paralajmërim i mundimeve të mëdha, vuajtjes infernale, si porta e vdekjes me tmerr. Oh, kushedi se sa ulërima dhimbjeje nga të rrahurat e torturat, kishte dëgjuar ajo pemë e lashtë; sidomos natën, kur lagja aty rrotull strukej nga tmerri dhe njerëzit në gjumë, zgjoheshin të tromaksur e me dridhmat në shtat e, mbulonin edhe kokën me jorgan, si ata fëmijët që duan t’i fshihen, nga frika, imazhit të lugatit.

Njerëzve që u takonte të kalonin para selvisë, shpejtonin hapat, a thua se dera e Degës aty pranë, ishte një lloj thertoreje që, po t’i afroheshe, të thithte brenda saj, nga ku ishte pak si zor të dilje i gjallë. Ajo derë ishte tamam si dera e hyrjes së ferrit të Dantes së madh, këtij perëndie poetike të krijimit të botës së mundimeve, të përtejvarrit.

Kam qenë, pse jo edhe mbetem, që nga rinia e parë, një adhurues pasionant i fiorentinit të madh, aq sa, veç leximeve e studimeve për të, me volume të tëra, dija atëherë përmendësh kantika të plota të “Komedisë hyjnore”. Tamam për këtë, kur kalova ato çaste hyrjen e atij vendi të mallkuar, ju betohem me nderin tim, gati si krejt papritur, në harkun metalik të asaj dere, m’u bë se lexova, shkruar me shkronja të zjarrta, fjalët skulptorike të hyrjes së Ferrit dantesk: “Lini çdo shpresë, o ju që hyni brenda…”! Memorie.al

                                             Vijon numrin e ardhshëm  

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Shtatë burra nga Lajthiza e Oroshit, nuk e lëshuan Dedë Gjo Lulin, në vitin 1915, kur ai u rrethua nga forcat pushtuese serbe, por u vranë bashkë me të...”/ Reportazhi i publicistit të njohur nga Mirdita

Next Post

“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të...”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik

Artikuj të ngjashëm

Fotot e panjohura / Si festohej 1 Maji gjatë periudhës së komunizmit: Nga udhëheqja që përshëndet klasën punëtore e cila “parakalon e lumtur”, te imitimet e “armiqëve”, si Mehdi Frashëri, Qazim Mulleti, etj.
Dossier

“Duke parë rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarit, jemi të mendimit, të mos i akordohet falja e kërkuar…”! Zbulohet letra e Manol Konomit, për pushkatimin e Koci Xoxes, 11 qershor 1949

June 19, 2025
“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik
Dossier

“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik

June 19, 2025
“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës
Dossier

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

June 19, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
Dossier

“Ndryshe nga rregullat që kishim vendosur në grupin tonë, unë pranova të takohesha me Pjetër Arbnorin, që na e solli Tanush Kaso, por ai ishte dhe me një…”/ Kujtimet e ish-kreut të “Grupit Social-Demokrat”

June 18, 2025
“Refat Karamani, zv/komandant batalioni, toger, 5 muaj përgjegjësi në Brigadën VII-të Mbrojtjes së Popullit, s’ka shkollë, është nga Kurveleshi…”/ Lista me 70 emrat e komandantëve dhe komisarëve, në ’45-ën
Dossier

“Ne shqiptarët habitemi se si në Shqipëri, nuk u bë kurrë një gjyq serioz dhe i vërtetë ndaj komunizmit, ndaj enverizmit, përveçse…”?! / Refleksionet e ish-të dënuarit që vuajti 22 vite burg politik

June 17, 2025
“Pasi kemi ecur orë të tëra në këmbë, të lodhur e të dërmuar, forcat serbe na ndalën te stacioni trenit në Prishtinë, ku u ulëm në tokë dhe ata filluan të…”/ Historia tragjike e familjes shqiptare nga Prishtina
Dossier

“Gazetari serb Mifi L., publikoi dëshmi mbi djegin e kufomave të shqiptarëve në shkritoren e aluminit të Surdulicës, por edhe të tjera në Serbi e Kosovë, ku…”/ Libri i politikanit të njohur, që akuzon Serbinë.

June 16, 2025
Next Post
“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik

“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të...”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme