Nga Shefqet Meko
-Duke pështjelluar mendime për miqtë e mi Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, dy mjeshtra të fjalës shqipe, sa të ngjashëm aq dhe të ndryshëm –
Memorie.al / Mbase nuk do t’i kisha shkruar këto radhë, po të mos kisha marrë në dorë librin me tregime të Lazër Stanit “Kohë për nuse”. Ma nisi me entuziazëm nga Nju Jorku, me një dedikim miqësor. E lexova me një frymë. Më pëlqeu pa masë e më shokoi. Mu duk sikur kisha bërë një copë rrugë me Lazrin, diku në Shkodër apo Tiranë. U ndjeva sikur Lazri i urtë, më kishte ardhur në Minneapolis, dhe shëtisnim bashkë buzë Missisipit e, pranë pallatit ku ka jetuar Arshi Pipa. Duke marrë frymë ndryshe, u zhyta në kujtime të së shkuarës që datojnë shekullin e kaluar, vitin 1975…!
Lazër Stani mbetet në memorien time, si i njohuri më i hershëm i të shquarve të brezit tim. Ishte njeriu më i urtë, jashtëzakonisht i paqtë, që kam njohur në shkollën e mesme veterinare në Shkodër. I mbyllur tmerrësisht në vetvete, i respektueshëm, studiues, i sjellshëm, kokulur, kurrë problematik dhe “i thekur për libra”. Ka qenë i vetmi nxënës që harronte të hante darkë dhe shpesh “flinte” në bibliotekën e vogël të shkollës. Qysh ato vite Lazri dukej qartë se shëtiste me vetveten në “stanin” e vet, mbase duke qëmtuar projektet krijuese të së nesërmes që ai i mbajti “top sekret”. Ato kohë unë isha tip i kundërt i Lazër Stanit.
Kisha ambicien të dukesha, të shfaqesha mbi të tjerët, të shkruaja në gazeta e të flisja në Radio-Shkodra, të diskutoja në mbledhje rinie dhe të krijoja profilin tim të “udhëheqësit të rinisë”. Isha i kundërt i shkrimtarit të ardhshëm, por po aq i mirë dhe njerëzor në dëshira si ai. Si i tillë edhe “u zgjodha” sekretar i Komitetit të Rinisë së shkollës, ndërsa miku im në blloçkat e mia të shënimeve të atyre viteve, listohet si propagandist i klasës së tij, që shpesh më mungonte në mbledhjet e formave të edukimit…!
Shoku im i shkollës së mesme, nuk u bë kurrë veteriner, ndërsa unë u diplomova si i tillë, por për fat nuk punova asnjë ditë si doktor kafshësh. Unë dhe Lazër Stani, megjithëse vinim nga e njëjta shkollë e mesme, ishim në udhë-ecje të ndryshme universitare. Kishim marrë me vete kujtimet e shoqërisë së rinisë dhe secili në rrugën e vet. Më ka ngelur në mendje takimi i parë me Lazër Stanin në Tiranë, pas vitesh harrimi nga shkolla e mesme, në Institutin Bujqësor të Kamzës, ku unë bëja punën e kryeredaktorit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Nuk mund të sjell ndonjë ri-takim tjetër aq të nguluar në mendje, sa ai me Lazrin. Me një respekt të skajshëm ndaj meje, si “ish-sekretar rinie”, me një konsideratë të ngjizur në botën e thellë të Stanit, që nuk e di se si më ka “regjistruar” në fantazitë e tij krijuese, ai mu rishfaq i qeshur, po ai dhe po aq ndryshe, për të mos u zbehur kurrë.
Prej asaj dite unë pashë një Lazër mendje-plot, të dalë nga “guaska” e adoleshencës, plot entuziazëm, energjik në mendime, me ide të çuditshme që vinin si “dallgë biologjike” dhe unë prisja se ai mund të bëhej një nga shkencëtarët tanë më të famshëm, të biologjisë shqiptare. Isha i gabuar. Stani kishte tjetër destinacion. Ato vite nuk kishte fakultet gazetarie, dhe të tillët vinin nga fusha të ndryshme pas diplomimeve në fakultete. Ishte ajo kohë brilante kur gazetarët më ta talentuar, u bënë ata që nuk kishin bërë kurrë shkollë gazetarie. Ky fat i qëlloi edhe Lazër Stanit, që duke rënë në “karremin” e Remzi Lanit, u bë gazetari më interesant dhe më i lexueshëm në faqet shkencore të “Zërit të Rinisë”, në vitet 80-të. Ndërkohë unë jam krenar të them, se jam botues i tregimeve të para të Lazër Stanit, në gazetën “Studenti i Bujqësisë”, që ai m’i sillte me një dëshirë të veçantë dhe miqësi të shpallur. Ai mbase e ka harruar këtë të vërtetë, por unë nuk mund ta fsheh.
Ish-kryeredaktori i “Zërit të Rinisë”, Remzi Lani, që padyshim ishte një “i preferuari” i sektorit të shtypit në Komitetin Qendror të PPSh-së, ka bërë një ndër aktet më të guximshme duke bashkuar në gazetën e vet, Lazër Stanin dhe Faruk Murtajn, si “dyshja interesante” e asaj kohe që “vlonte në heshtje”. Kujtoj se do vinte me “valën e poetëve nga jugu” edhe Ilirjan Zhupa në këtë gazetë qendrore rinie, por Myrtaj-Stani, krijuan çiftin e çuditshëm publicistik, që futej çdo ditë pune në derën anash të ndërtesës hijerëndë të Komitetit Qendror. Faruk Murtaj ishte tashmë një emër i njohur në shtypin e kohës dhe në vetë Lidhjen e Shkrimtarëve, ku shpesh përmendej si “talenti që vinte nga galeritë”. Për mua emri Faruk Myrtaj, ndërkohë që nuk ishim parë, më shëmbëllente me një njeri me kapele minatori, madje kisha një lloj afeksioni, sepse edhe vete i kisha provuar galeritë e qymyrgurit, në fshatin tim të lindjes, Pretushë.
Ishin ato vite kur fytyrat e shumicës intelektuale mbeteshin të fshehta ose rrallë të publikuara, ndaj ne që ëndërronim vetëm të përfytyronim dikë pas emrit që lexonim në gazetë apo tek revista “Nëntori”, duke krijuar një profil fantazie. Çdo dalje publike ishte filtruar kujdesshëm, që vështirë ta bësh sot të kuptueshme. Kështu edhe me shkrimtarin e ri të asaj kohe, Faruk Myrtaj. Do ishte prezenca e tij tek “Zëri i rinisë”, që na bëri të takoheshim ballë për ballë. “Talenti i nëntokës” shqiptare, siç e përshkruante kritika e kohës, ishte një njeri i butë dhe i artë në shpirt, si ngjyra e flokëve që kishin filluar t’i binin. Miqësia me të ishte si një “fat i parashkruar”, që për hir të së vërtetës, mbeti e gjallë, me zikzake dhe ulje ngritje edhe këtej matanë Atlantikut, por gjithsesi në “shina” njerëzore.
Faruk Myrtaj ka qenë ndër të “djathtët e parë” që kam debatuar, kur të dy shkruanim për “Partinë e shokut Ramiz”. Të dyve na revoltonte plogështia drejtuese e kohës, por këtë e shikonim nga kënde të ndryshme. Myrtaj ishte qartësisht më i avancuar. Kur shkonim së bashku me tren, apo makina të rastit në Burrel, për të përgatitur gazetën “Vullnetari”, që ishte fokusuar në jetën e rinisë që ndërtonte me aksion hekurudhën Rrëshen-Klos, Faruk Myrtaj do vinte në mendimet e mia, si një “jehonë nga thellësia”. Butësisht siç di të flase ai, por zhurmshëm e tundshëm si një tërmet disa-ballësh. Shkurt, ai mendonte ndryshe nga unë, dhe mendimet ndryshe ishin një lloj manjeti intelektual, që edhe sot na ndajnë dhe bashkojnë. Ndërsa miqësia me shkrimtarin tashmë shqiptaro-kanadez, kaloi në zig-zake interesante, Lazër Stani kishte mbetur në horizontin e Tiranës, si një kujtim i ndritshëm rinie.
Ai mbeti shok që i ke borxh respektin e mirësinë, edhe kur ishte kryeredaktori “RD”-së, edhe kur u bë deputet që nuk mundi të “imitonte Nolin”, edhe kur nuk shiheshim për vite me radhë, edhe kur rastësia na bashkonte në rrugët e Tiranës sonë. Ishte ardhja e tij në Nju-Jork në “vitin e pandemisë”, 2020, të cilën ma bëri të njohur Faruk Myrtaj, që sikur më ribashkoi me dy miqtë e mi të mirë, por krejt të ndryshëm. Ishte sërish një miqësi në distancë, por e lëngshme, emocionale dhe plot mbresa e subjekte interesante, për të diskutuar në largësi. Nuk di si ta falënderoj Faruk Myrtajn, që me mirësinë e tij, tashmë të njohur, më solli në rrethin e miqve të mi të pakët, Lazër Stanin, shkrimtarin tashmë të konfirmuar.
Nuk mund të them se kam lexuar çdo gjë që kanë shkruar Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, por gjithsesi ato që kam lexuar i kam përpirë dhe si një dashamirës, kurrë nuk kam përtuar t’u përcjell mendimet e mia. Veçmas me Faruk Myrtajn, kemi shkëmbyer lloj-lloj bisedash në mënyrë virtuale, i cili shpesh më ka përcjellë krijimet më të fundit, duke kërkuar një mendim si lexues dhe si mik. Kjo nuk ka ndodhur me Lazër Stanin, të cilit nuk ja di as adresën elektronike, por siç shënova më sipër, ai kishte mirësinë të ma dërgonte librin e vet të fundit. Në këto kohë kaq të ndryshme të shekullit të XXI-të, librat janë bërë “rrjetë”, ku bien të kënduarit. Përmes tyre përpiqemi të njohim të pathënat në jetë. Ndërkohë kur libra të tillë, të “gjuajnë” edhe në pafundësinë amerikane, provon një ndjesi elektrike. Shijon radhë pas radhe fabulën, artin e të treguarit, zhdërvjelltësinë e fjalës dhe fundin befasues. Sikurse thotë Lazër Stani; “Shkrimtarit… i duhet të gjejë argumentin, se përse një histori duhet rrëfyer, se përse një histori nuk mund të lihet të vdesë”.
Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, shkrimtarët e brezit tim, janë pikërisht në këtë mision të madh dhe të kurrë arritshëm plotësisht, apo perfektshëm. Ata janë të dy shembull i madh i punës dhe pasionit krijues, modele të ndryshme të qëmtimit të fjalës, momentit psikologjik dhe emocionit, por gjithsesi “kalorës” të talentuar të gjuhës letrare shqipe. Tashmë të dy shkrimtarët bashkëkohësit e mi, janë përkëtej ane të Atlantikut, më pranë meje, por sërish larg. Ashtu si Faruk Myrtaj, që tashmë ka zënë vendin e vet mes shkrimtarëve shqiptarë në perëndim, edhe Lazër Stani, ka për të befasuar edhe më shumë me tregimet dhe romanet e veta, që mbase ende “flenë gjumë” pranë Statujës së Lirisë në Nju Jork. Jam ndjerë i gëzuar kur kam mësuar se publicisti dhe shkrimtari i Londrës, Fatmir Terziu, në librin e vet studimor, “Kritika ndryshe”, i ka rreshtuar mes shkrimtarëve, në antologjinë e madhe të letrave shqipe, edhe Faruk Myrtajn dhe Lazër Stanin, dy prurje të spikatura të brezit tim.
Nuk di si ndihen të tjerët, por brenda meje sikur gufon diçka si gurgullimë ujë-mali, kur dëgjoj fjalë të mira për suksesin e miqve të mi, që ndaj të shkuarën dhe momentet e saj të bukura. Ndaj nuk ngurroj ta përcjellë këtë ndjenjë, jo thjesht si një kënaqësi personale e, si bashkëkohës i tyre, por edhe si një veprim njerëzor, që na ndan nga jonjerëzorja. Deri më tash Lazër Stani, shënohet të ketë botuar 8 libra me tregime, (ndjesë nëse nuk jam i saktë), ndërsa Faruk Myrtaj, duke qenë “brumë i vjetër”, nuk ja numëron dot botimet, me gishtat e dorës. Ai është prodhimtar dhe i shumëllojshëm si në poezi, tregime, publicistikë. Me librin “Nudo zyrtare”, Faruk Myrtaj dhe “Kohë për nuse”, Lazër Stani, janë si dy drita neoni, të fuqisë së gjuhës letrare shqipe. Nuk harroj një moment kur e pyeta Faruk Murtajn, se si do ta komentonte shpërthimin krijues të Stanit nga Dukagjini.
Ai me atë mënyrën e vet të të thënit të gjërave, do më përgjigjej: “Ka një ndryshëm të madh mes nesh. Kur ne edhe lexonim shkrimtarët tanë, e përpiqeshim të shkruanim, Lazër Stani vetëm lexonte në rusisht dhe jo vetëm letërsinë ruse. Pra, kur ne mundoheshim të imitonim ‘të mëdhenjtë e kohës’, ai shoku ynë i përbashkët, vetëm lexonte. Unë nuk kam turp ta them, se kur kam marrë në dorë “Gjeneralin…” e Kadaresë, fillova ta përktheja në anglisht, edhe pse nuk e dija mirë gjuhën, por me një fjalor në dorë përpëlitesha mes shqipes dhe anglishtes….! Nuk e kam bërë kurrë publike këtë gjë…! E, me siguri ato kohë, Lazri vijonte të lexonte letërsi perëndimore…! A e kupton ndryshimin tonë?… Kur kujtoj këtë moment të adoleshencës sime krijuese, qesh gati pa pushim”.
Faruk Myrtaj është një nga njerëzit më të sinqertë që kam njohur. Talentin e tij e ka “bluar” kritika e këtyre midis dy shekujve, ndaj unë nuk mund të sjell asgjë të re. Ajo që unë mund të flas për dy miqtë e mi, Myrtajn dhe Stanin, janë kontributi i tyre i jashtëzakonshëm në arsenalin letrar të gjuhës shqipe, si krijues të zellshëm e po aq të dallueshëm, në vërshimin e madh letrar shqiptar. Në këtë plan ata të dy, veçmas dhe së bashku, sërish janë “kapitenë” të së njëjtës anije lundruese. Në tregimet e Faruk Myrtajt, gurgullon një gjuhë e pasur, e skalitur nga brenda si një “kështjellë mendimi”, me ngjyra të fjalës, me “xhelozi gjuhësore”, duke rrëfyer shqip dhe vetëm shqip, me ca detaje shprehësore që të duket se ka jetuar “tek lagja jote”…! Ai rrëfen butë, pa dramacitet të sforcuar, dhe me fjalën shqip, të “gdhend” bukur çdo personazh, nga “emigrantët mongolë”, deri tek “bletakët” e ekosistemit tonë në tregimin mbi “dashurinë e bletëve”. Këtë të fundit unë do ta quaja “Traktat filozofik të trashëgimisë”, që përcjell mesazhe të mëdha njerëzore dhe përtej.
Tematika që bluan “mulliri” krijues Myrtaj, është si universi pa fund, ku mjeshtëria dhe filozofimi i tij nga “pikla e ujit” si pjesë e turmës, sikur të kthejnë në një “turbinë” dhe të falin dritë. Ai mbetet i tillë edhe në poezi, ku gjuha e zgjedhur, fjala me “penelata shqip”, të mban pezull emocionalisht. Janë të paktë ata poetë të ikur nga Shqipëria, që të shkruajnë me drithërimën e fjalës së Faruk Myrtajt. Ai është i thellë dhe “elektriciteti” që të krijon, të pret si brisk nga brenda. “Vendlindje, djep a lojë…si i bëhet vallë?/ S’po gënjej dot veten të kthehem gjallë”. Ndërsa poezinë; “Emigranti i vonuar”, sikur e ka shkruar për mua, Lazër Stanin e gjithë ata të tjerë që lanë Shqipërinë, kur thotë: “Bekuar durimin, për të qarën time si bebe/ Oqeane kalova, mbështjellë me tokë Prill/ Me sqep zogu provoj të gërvish lëvozhgën e vezës/ Në tokë-djepin e premtuar, në mund të rilind…”! Butësia e fjalës me të cilën Myrtaj përcjell dhimbjen dhe shpresën, të bëjnë të jesh në rezonancë me autorin që shëtit çdo mëngjes parqeve të Torontos, si Lasgushi i madh dikur, buzë-liqenit të Pogradecit.
Befasia e vërtetë ndodh me Lazër Stanin. Kontributi monumental që jep shkrimtari i vërtetë është: pavdekësia e gjuhës që mësuam në shkolla. Unë duartrokas 24 orë rresht shkrimtarin nga Dukagjini Lazër Stani, për profilin tri-dimensional që ai ka krijuar si lëvrues i pashoq i gjuhës së njehsuar shqipe, në tregimet e veta. Mjeshtëria e tij rrëfyese është një ardhje e veçantë në pasurimin e gjuhës sonë, si trashëgimia më e madhe e një kombi dhe mëvetësie unike, siç jemi ne shqiptarët. Si një krijues dhe intelektual ndryshe, me librat e vet, Stani ka “dezertuar” nga ajo ushtri koti, që kërkon ta përmbysë gjuhën e njësuar shqipe, vetëm përmes gulçeve antikomuniste, kur vetë Lazër Stani, është shembulli më kuptimplotë antikomunist. Gjuhëtari i madh dhe autoriteti i stilistikës shqiptare, Prof. Dr. Xhevat Lloshi, kur na jepte leksione pasuniversitare, një ditë do të na thoshte se; fuqia e gjuhës është “tërmeti” që nuk i maten ballët. Sipas Lloshit të madh, mjeshtëria e atyre që shkruajnë shqip, është që të mbajnë gjallë “drithërimat e shqiptare”, pa të cilat kombi vdes…!
Duke lexuar vëllimin e shkrimtarit Lazër Stani “Kohë per use”, unë kam mbetur i shokuar nga pasuria e jashtëzakonshme e nuancave gjuhësore, nga eleganca dhe zhdërvjellëtisa e përdorimit të fjalës në trajtën e kthjelltësinë e duhur, nga galeria pafund e përshkrimeve shokuese me një “gjuhë shqip”, që nuk e ka as Kadare dhe as Agolli, nëse kujtojmë se Lazër Stani ka lindur në Dukagjin të Shkodrës. Me fjalën e kristaltë shqip, (kandilë fitilshkrumbur, shalle leckash, gji-mbajtëse, grindje kotnasikotëshe, sherrnajë sfilitëse, hija e kryqeve, lot të trashë e të turbullt…) Stani të shëtit kudo nëpër Shqipëri, të arratis prej andej drejt Amerikës, “me idiotin në xhep”, të përshkruan në detaje jo vetëm natyrën, mjedisin, botën bimore e gjallesat e pafundme, kulmet emocionale, por po me fjalën shqip, si asnjë shkrimtar tjetër i brezit tim, të “çon” në qiell dhe të fundos në thellësitë e tokës, mbase në “galeritë e shembura”, ku Faruk Myrtaj shtynte “vagonin e fundit”. Befasia e Lazër Stanit në të shkruarin e vet, është se shpesh të përplas fjalë që të duhet të marrësh fjalorin shqip-shqip, që t’u gjesh kuptimin. Kjo ka qenë për mua edhe shkreptima më e bukur krijuese e shkrimtarit Lazër Stani, që sikur e shoh si të përgjumur, tek “shtrati…streha e mëkatit” njerëzor.
Nuk pretendoj se kam lexuar gjithë atë vërshim letrar pas viteve 90-të, por them me bindje se Lazër Stani, me pasionin ndaj gjuhës që u rritëm dhe edukuam, me gjallërinë e saj të pafundme, me mjeshtërinë krijuese të përdorimit të saj, me qëmtimet e kujdesshme të fjalëve, duke “shkelmuar” çdo sajesë e shartim nga gjuhët fqinje, apo ato të perëndimit, duke bërë “kirurgjinë” çdo “çibani” gjuhësor, në shtratin e shëndetshëm të shqipes, është padyshim një “Lazër biblik” i gjuhës letrare shqipe. Vigjilenca e tij biblike, për të treguar çdo histori në shqipen që ai dashuron, sidomos në sulmet e egra ndaj gjuhës së njësuar, që disa duan ta bëjnë “përshesh” përsëri… e vendos Lazër Stanin, në shkrimtarët modernë të kohës që jetojmë. Ai me këtë konsekuencë gjuhësore, bëhet shembulli më i madh i shkrimtarit që shkruan “në një gjuhë kombëtare”.
Unë besoj se koha dhe shoqëria që jetuam në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i ka borxhe popullit dhe kulturës sonë, por njësimi i gjuhës shqipe, ka qenë një nga ato punët lapidare, që bënë brezi i gjuhëtarëve dhe dijetarëve gjithëshqiptarë, që me jo pak mund krijuan një korpus gjuhësor modern, edhe pse nën trysninë e “partisë në udhëheqje”. Gjuha letrare kombëtare, ishte në fund të fundit, një finalizim i mundimshëm, por edhe i mrekullueshëm i përpjekjeve të rilindësve, që hodhën hapin e madh në Kongresin e Manastirit. Në pikëvështrimin tim, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1974, ishte ishte një moment i madh shqiptar në Ballkan, osë një “4 Korrik” i Gjuhës Shqipe. Misioni i brezave është ta pasurojnë këtë arritje, jo duke e “përdhunuar” me lloj-lloj futje fjalë-sajesa nga “gjuhë perëndimore”, apo shartimet dialektore. Fati ynë na bën, të kemi gjuhën më të hershme dhe më të bukur të qytetërimit njerëzor. Një mendje e ndritur, një njeri që e do vendin ku lindi, e kupton këtë dhe as që nuk duhet diskutuar.
Gjuha kombëtare shqipe duhet të mbetet “aksiomë” e jona dhe e brezave. Mendoj se çdo përpjekje për ta bërë “gjuhën shqipe lëmsh” është as më shumë dhe as më pak, por një “talibanizëm gjuhësor” që jo vetëm nuk duhet pranuar, por duhet neveritur nga kushdo veçmas i frymëzuar nga zhanri gjuhësor i Lazër Stanit. Shembulli i “American english”, është një dëshmi dhe rezultante e konsekuencës gjuhësore, si tipari themelor i një kombi të vetëm, përbërë prej shumë kombesh të tjerë. Unë u kuptoj aksentët and thekset veri e jug, të këtij kontinenti kaq të madh, por në fund të fundit të gjithë flasin “të njëjtën gjuhë”. “Anglia dhe Amerika, thotë Bernard Shoë, janë dy vende të ndara nga e njëjta gjuhë”. Kështu duhet ta shohim Shqipërinë e Kosovën, veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin shqiptar. Gjuha letrare shqipe, duhet të jetë “pirmaidë mençurie”, ndaj së cilës të jemi krenarë. Kjo “piramidë”, duhet ruajtur me fanatizëm dhe dashuri, mendoj unë, ndaj çdo “pushtimi modern”, përmes idiotëve të shumtë, në këtë kohë lirie çoroditëse.
Kjo duhet të jetë një emergjencë kombëtare, për Shqipërinë e vogël. Sidomos me këtë vërshim të mendimit të lire, në rrjetet sociale, shqipja rrezikohet të kthehet në “dialekt i Tiranës”. Gjuha krijuese e Lazër Stanit, është në vetvete një kushtrim i sinqertë kulturor, që duhet t’i bashkohen të gjithë krijuesit e talentuar shqiptarë, në çdo cep të globit, ata që duan pavdekësinë e Gjuhës Shqipe. Ky kushtrim duhet të dëgjohet sa në Prishtinë, aq edhe në Tiranë e, kudo ku jetojnë shqiptarë. Kur ja shpreha pa kursim këtë entuziazëm Faruk Murtajt, që ka mbetur i lirë nga dialektalizmat nga vetë origjina, më tha jo pa merak: “Kujdes, kjo është arsyeja që në Shkodër, nuk e duan Lazër Stanin…! Ai nuk është pjesë e “kulisave dialektore”, Lazri është shkrimtari i kompletuar i brezit tonë”.
“Shkrimtar i kompletuar i brezit tonë” – këtë mund ta thotë pa xhelozi, vetëm Faruk Myrtaj nga Toronto, ku ka dekada që jeton duke fantazuar në shqip. Ndaj në këto shënime, unë u përpoqa të sillja diçka të përbashkët dhe të përveçme, për dy miqtë e mi shkrimtarë, që së fundmi të dy jetojnë në një kontinent me mua. Na merr malli, por nuk kemi kohë të shihemi. Gati një dekadë e ca më parë, unë munda të vizitoja Faruk Myrtajn në Kanada dhe kur folëm për libra të tij të pafund, që më rrëfente me sinqeritetin e shkrimtarit, befas ja prita: “Me gjithë këto libra të botuar, me siguri nuk ke asnjë problem financiar”. Ai më qeshi lehtë, siç di të qesh Faruk Myrtaj dhe më tha: “O Shefo, akoma nuk e ke mësuar, që nuk bëhesh i pasur me librat që boton në shqip? Unë shkruaj sepse nuk mund të rri pa shkruar, por fitimi as që diskutohet…! Nuk jeton dot në Toronto, me libra botuar në Tiranë…”!
Faruk Myrtaj ka të drejtë. Shumica e talenteve të mëdhenj në të gjallët e tyre, nuk vlerësohen realisht dhe shumë prej tyre përpëliten financiarisht, ose siç thotë miku im në San Françisko, publicisti Petro Lati, të tillët janë; “pasanikë të varfër”. Kjo është e dhimbshme, por edhe një fakt i njohur. Ndaj edhe në moshë mbi të 60-tat, shkrimtari Lazër Stani emigroi në Amerikë dhe sapo ka filluar punë, që “të përballojë” jetën e shtrenjtë të Nju Jorkut. Nuk di si ta shpreh trishtimin rreth mospërfilljes e përçmimit ndaj mençurisë dhe talentit që dominon shoqërinë e sotme shqiptare. Idiotët sulen në ekrane dhe dërdëllisin, servilët bëhen deputetë, ministra, ambasadorë e kryeidjotët janë “çimentuar”, si kryetarë partish. Servilizmi dhe idiotësia, janë dy armiqtë e mëdhenj të vlerave shqiptare. Mbi “shpinë” të tyre lulëzon makutëria, ligësia dhe sharlatanizmi…! I rrethuar nga kjo lloj egërsie njerëzore alla-shqiptarçe, njeriu i mençur kërkon hapësirë të re, kërkon të ikë “larg rrëmujës dhe rrëmetit”…!
Kështu më duket edhe ardhja e vonshme e shkrimtarit Lazër Stani në Amerikë. Një “ikje nga dëshpërimi”, ikje e dhimbshme nga atdheu, që prap na thërret në shqip: “Ejani kur të keni mall. Unë do t’u rezistoj çmendurive të të mive…! Atdheu juaj nuk vdes”! Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, janë dy shkrimtarë, që me librat e tyre, me talentin e tyre, me urtësinë dhe devotshmërinë shoqërore, me kontributet e mëdha krijuese në gjuhën shqipe, mbeten shembuj të dallueshëm për lexuesit. Ata me veprat e tyre dëshmojnë se nuk është as pengesë, as “rrip i ngushtë”, gjuha letrare shqipe, por ajo mbetet një oqean, ku lundron me guxim talenti, mjeshtëria dhe fantazia pa kufi. Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, janë dy kulme të kësaj të vërtete. Me siguri në vitet që do vijnë, dikush do gërmojë dhe do befasohet nga gjetjet e tjera në dyshen Myrtaj-Stani. Mua më pëlqen t’i shoh dy miqtë e mi, si një “ringjallje”, apo përqasje e çuditshme ndaj Fan Nolit dhe Faik Konicës…!
A thua e teprova!?… Mbase, sepse dashuria për miqtë e talentuar, edhe të verbon gjykimin, por studiuesit kanë për të gjetur ca paralele befasuese, por le t’ja lemë kohës. Në këtë të tashme që shkruaj, unë ndihem me fat dhe disi i privilegjuar, të kem njohur këta autorë, në kohështrirjen e dy shekujve. Njëri nga Selenica e Vlorës e, tjetri nga Dukagjini i Shkodrës, kanë “qëndisur” me një gjuhë shqipe të artë, veprat e tyre, si “histori që nuk duhet të vdesin”, histori që do t’u flasin brezave, me një shqipe të bukur, me një shqipe të kristaltë. Siç ka thënë qysh në shekullin e 18-të, poeti anglez Samuel Taylor Coleridge; gjuha është harmoni e mendjes njerëzore, që përmban trofetë e së shkuarës dhe fitoret e së ardhmes. Kështu qoftë edhe gjuha letrare shqipe. Myrtaj dhe Stani, janë një premtim i madh. Memorie.al