• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, May 11, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën

“Në Titograd një zheskan më pyeste për detyrat që më kishte dhënë Sigurimi, por kur i thashë se; mua m’u mbyt e gjithë familja në liqen, ai…”/ Dëshmia në hetuesi e Hamit Myrtos, për “problemet” me UDB-në
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën
“Hamitin e kishim në tabelën e nderit, ndiqte pak modën e mbante flokët e gjata, por kur afroheshim me varkat afër kufirit, ai na thoshte…”! / Dëshmia në hetuesi për peshkatarin që e ktheu UDB-ja në ’76-ën
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën
“Gruaja dhe tre fëmijët iu mbytën, pasi i’u përmbys lundra nga koha e keqe, kurse ai doli me not dhe u dorëzua në Tivar te…”/ Raporti i UDB-së për ngjarjen tragjike të Hamit Myrtja nga Shkodra, shtator 1976
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën
“Gruaja dhe tre fëmijët iu mbytën, pasi i’u përmbys lundra nga koha e keqe, kurse ai doli me not dhe u dorëzua në Tivar te…”/ Raporti i UDB-së për ngjarjen tragjike të Hamit Myrtja nga Shkodra, shtator 1976
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën
“I dashur shoku Enver, i jam mirënjohës Partisë dhe juve, si udhëheqës largpamës e, jam dakord për çdo…”/ Refleksionet e publicistit nga SHBA-ja, për letrat dërguar diktatorit, nga Balluku, Shehu, Deljana, Xhelo, etj.
“Gruaja dhe tre fëmijët iu mbytën, pasi i’u përmbys lundra nga koha e keqe, kurse ai doli me not dhe u dorëzua në Tivar te…”/ Raporti i UDB-së për ngjarjen tragjike të Hamit Myrtja nga Shkodra, shtator 1976
“Gruaja dhe tre fëmijët iu mbytën, pasi i’u përmbys lundra nga koha e keqe, kurse ai doli me not dhe u dorëzua në Tivar te…”/ Raporti i UDB-së për ngjarjen tragjike të Hamit Myrtja nga Shkodra, shtator 1976
“Kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, sikur të ishte lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjur ktu…”! / Letra e Hamit Myrtja, drejtuar Enver Hoxhës para arratisjes në ’76-ën

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e njëmbëdhjetë

Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.

Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!

Gjithashtu mund të lexoni

“Populli shfaqi dëshirën për ndryshime me themel, por zgjedhjet e bëra nën frikën e qeverisë dhe me hijen e vrasjeve, më detyrojnë që …”/ Viti 1923, kur Faik Konica dha dorëheqjen për parregullsitë në votime

“Kufomës së Muhamet Spahisë, kriminelët Fadil Kapisyzi dhe Dul Rrjolli do t’i kalonin indiferentë, kurse Xhemal Selimi, ma injoranti i atij burgu, i ra me…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!

Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!

Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe stuhi?

Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?

Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?

Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?

Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij, ashtu si dhe të bashkëshortes dhe dy djemve të tyre, që ndodhen në anën tjetër të kufirit, në Malin e Zi?!

Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!

                                                          Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT RIFAT RIZA RREZIA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU

                                                            PROCES-VERBAL

                                                          (I pyetjes së dëshmitarit)

Sot, më datën 29.10.1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitar Rifat Riza Rreza, i datëlindjes 1931, me arsim 8-vjeçar, vend-banimi Zus Shkodër, detyra roje në Inspektoratin e Rojeve Shkodër, A.P., sekretar i organizatës sektorit dhe zv. Sek. i Byrosë, i pa dënuar, Nr. Letërnjoftimit, Identifikue, marrëdhënia me të pandehurin, Indiferent.

Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.

Rifat Rrezia

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:

Pyetje: A e keni njohur të pandehurin dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaj dhe familjes me këtë person dhe familjen e tij?

Përgjigje: Unë Hamit Myrton nga Shiroka e kam dëgjuar si emër por për fytyrë se njoh. Me të si familje, qoftë unë si person dhe qoftë edhe vëllezërit e mi dhe familjet tona, nuk kanë pasë dhe as kemi as një mosmarrëveshje, qoftë të hershme dhe qoftë të vonë.

Pyetje: Çfarë mund të na thoni ju, lidhur me mosmarrëveshjet që kanë pasë, viktima Fadil me të pandehurin Hamit Myrtja?

Përgjigje: Unë nuk e di që midis Fadilit dhe Hamitit të ketë pasë ndonjë mosmarrëveshje, qoftë në punë dhe qoftë jashtë saja. Fadili ishte më i madhi nga neve, neve jemi katër vëllezër, unë jam i treti, Fadili me mue komunikonte shumë dhe çdo gjë ma thoshte, në qoftë se do të kishte ndonjë shqetësim. Pra ay kurrë nuk më rezervonte, po të kishte pasë ndonjë mosmarrëveshje të çastit me Hamit Myrton, do të ma kishte thënë patjetër.

Pyetje: Çfarë njerëz ka në anën e tij, viktima Fadil?

Përgjigje: Fadili ka lënë një djalë rreth 23 vjeç dhe një tjetër 18, gruan dhe të renë. Tjetër në pjesën e tij, nuk ka.

Pyetje: Sa kohë ka shërbyer në qendrën e Peshkimit Fadili?

Përgjigje: Fadili ka nja tre vjet që qëndronte roje natën në qendrën e Peshkimit. Vazhdimisht ai ka shërbyer mirë dhe nga ana e ndërmarrjes dhe atyre që kanë kontrolluar punën e tij, nuk kanë pasë asnjë vërejtje në drejtim të tij.

Pyetje: Çfarë detyre shoqërore ka kryer në fshat Fadili?

Përgjigje: Fadili pas çlirimit, ka qenë për shumë kohë Kr/Këshillit në fshatit Zus qysh nga çlirimi i Shqipërisë, deri në vitin 1958, ka pas këtë detyrë. Më vonë ka marrë pjesë në organizatat e masave, si Kry. i Organizatës së Veteranëve të Luftës, ndihmës gjyqtar. Me një fjalë, jo se e kam pasë vëlla unë, por vazhdimisht ay ka qenë njeri aktiv dhe pro pushtet. Unë s’kam ndonjë gjë tjetër për të thënë, ligjet e shtetit dhe të Partisë sonë, le ta zgjidhin çështjen ashtu siç dinë ata. Unë jam komunist dhe jashtë ligjeve dhe jashtë vijës së Partisë, nuk kërkoi asgjë për të plotësuar kërkesat dhe teket e mija. Edhe njëherë e përsëris, se jam solidar me vendimet e Partisë dhe ligjeve të shtetit tonë. Fadili është vrarë si njeri në krye të detyrës e, në zbatim të detyrës dhe jo për motive personale.

 Dëshmitari                                                                         Hetuesi

Rifart Rrezia                                                                    Jake Tefiku

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT IBRAHIM STANKAJ, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU 

                                                          Proces – Verbal

                                                               (dëshmie)

Shkodër, sot, më datën 29 Tetor 1976, unë Jake Tefiku, hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, mora në pyetje me cilësinë e dëshmitarit Ibrahim Stankaj, i biri i Jonuzit dhe Nurijes, me datëlindje 15.9.1924, lindur dhe banues në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës, me arsim të mesëm, detyra roje në Inspektoratin e Rojeve Shkodër, A.P., i martuar, i pa dënuar, A.P., me detyrë kryetar i Këshillit Popullor të lagjes “Partizani”.

Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.

Dëshmitari

Ibrahim Stankaj

Në lidhje me çështjen që pyetem, di t’ju them se: Unë jam kryetar i Këshillit Popullor të lagjes “Partizani” të qytetit të Shkodrës, midis të tjerave kam njohur dhe të pandehurin Hamit Arif Myrto. Për kohën që unë jam kryetar Këshilli, Hamit Myrto ka ardh nga një lagje tjetër në lagjen tonë si banor, me sa di unë ai ka ardh në lagje se kishte një ngatërresë me njerëzit e familjes së tij, por hollësi nuk di. Fillimisht është strehuar te vjehrri i tij, Xhemal Seferaj dhe më vonë kur na u krijuan mundësitë, e sistemuam në një dhomë të vogël të pamjaftueshme për banimin e tij, por kaq ishin mundësitë tona. Hamit Myrto më pas ka ardhë dhe ka kërkuar zgjerim për banim, duke na paraqitur lutje dhe vërtetim të lëshuar nga Ndërmarrja e Peshkimit.

Unë si kryetar Këshilli, lidhur me kërkesën e Hamitit, i kam dhënë përgjigje, se neve si lagje nuk kemi kontingjent të caktuar banesash për strehimin e banorëve të lagjes sonë, pra edhe kërkesën e tij do t’ja plotësonim, por të na jepej rasti që të lirohej ndonjë banesë me rastin e largimit të ndonjë të pashaportizuari, gjithashtu i kam thënë Hamitit, që krahas kërkesës që paraqiti tek ne si Këshill Lagje, për zgjerimin me strehim, t’i bënte kërkesë Këshillit Popullor të Qytetit, i cili ka më tepër mundësi për ta zgjidhur kërkesën e tij, gjithashtu i kam thënë që për këtë problem, të interesohej edhe nëpërmjet ndërmarrjes ku punon. Me sa di unë, Hamit Myrtja që banon në lagjen tonë, ne nuk na është dhënë rasti që të kishim ndonjë banesë në dispozicion për ta sistemuar, sipas kërkesës që na kish bërë.

Pyetje: I pandehuri Hamit MYrto në hetuesi ka thënë se nga ana e Këshillit Popullor, u janë dhënë banesë personave që nuk kanë qenë të pasaportizuar dhe nuk është marrë parasysh kërkesa ime, megjithëqë kam qenë nevojtar. Çfarë mund të na thoni lidhur me këtë?

Përgjigje: Nuk përjashtohet mundësia që në lagjen tonë të ketë persona të pasaportizuar të cilët kanë qenë me punë në Hidrocentralin “Mao Ce Dun”, të cilëve ju ka dhënë strehim vetë ndërmarrja nga banesat e ndërtuara prej saj, për këto kategori njerëzish dhe kontingjentesh banimi, ne si pushtet në lagje nuk kemi kompetencë të ndërhyjmë. Raste të tjera unë nuk di të kemi shpërnda, ashtu siç e shpjegova unë më lart.

Pyetje: Vetë Hamiti ose gruaja e tij Hasija, a kanë paraqitur ndonjëherë tek ju kërkesë tek ju për ta vendosur në punë gruan e tij të quajturën Hasije Myrtja?

Përgjigje: Me sa më kujtohet mua, nuk na kanë paraqitur kërkesë për vendosjen e Hasijes në punë.

Pyetje: Çfarë mund të na thoni në lidhje me sjelljet dhe qëndrimin e Hamit Myrtos dhe familjes së tij?

Përgjigje: Për sa i përket Hamitit, ai rrallë është pa në lagje, ndonjë shqetësim prej tij ne nuk kemi pasë, edhe familja e tij nuk ka qenë e aktivizuar në lagje, ata kanë shikue punën e tyre.

Procesin e lexova, është shkruar drejt dhe e nënshkruaj.

Dëshmitari                                                                              Hetuesi

Ibrahim Stankaj                                                                   Jake Tefiku

AKT-AKUZA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, DËRGUAR PROKURORISË SË RRETHIT PËR GJYQIN QË DO ZHVILLOHEJ NDAJ TË PANDEHURIT HAMIT ARIF MYRTJA

MIRATOHET                                                                        Dosja hetimore 344

PROKURORI

Faik Minarolli

                                                         AKT – AKUZË

                                                   Kundër të pandehurit

                     HAMIT ARIF MYRTAJ

Të akuzuar sipas neneve 67, 64, e 71/1 të Kodit Penal

Duke zbardhur dita e 1 Shtatorit 1976,e  pikërisht në orët e para të mëngjesit, u gjet i lidhur dhe i vrarë roja shtetërore i Ndërmarrjes së Peshkimit, FADIL RIZA RREZIJA.

Ky akt i tillë indinjoi pa masë punëtorët e kësaj ndërmarrje dhe më vonë banorët dhe ata që morën dijeni mbi ngjarjen. Në veçanti zëmëroi dhe revoltoi të madh e të vogël, kur u mësua se sulmi mbi rojën që kryente detyrën e ngarkuar, ishte kryer nga banditi Hamit Arif Myrtja, në mënyrë të befasishme dhe të pabesë, për të realizuar pa pengesë veprën e tij të tradhtisë ndaj Atdheut në formën e arratisjes për në Jugosllavi. Mbi këtë bazë, organet e hetuesisë së rrethit Shkodër, menjëherë shkuan në vend dhe filluan hetimet, nga të cilat rezultoi si vijon:

I pandehuri Hamit Myrtaj, ndonëse vjen nga një familje e varfër dhe në gjendje politike të mirë, në formë ay ka krijuar përshtypjen e një punëtori të sjellshëm, të kujdesshëm, të disiplinuar e të sakrificës, kurse në botën e tij të brendshme fshihte zemërimin dhe urrejtjen, ambicien dhe hakmarrjen armiqësore, rrinte në pritje për të ngritur thikën që t’ja ngulte në thikë Partisë, pushtetit dhe njerëzve të tij. I pakënaqur deri në palcë për padrejtësitë që i ishin bërë gjoja atij, duke mos i siguruar shtëpi banimi, duke mos i dhënë punë për gruan, që në fakt asnjë kërkesë në zyrat e pushtetit nuk ka në emër të saja, filloi të bisedoje me bashkëshorten e tij, Hasije Myrtja, që ta përgatiste dhe atë për ta vënë në rrugën dhe pikëpamjeve dhe mendimeve armiqësore të tij. Gruaja e tij, Hasije, në vend që ta pengonte dhe ta shmangte të pandehurin Hamit, nga mendimet dhe përgatitjet kriminale, u solidarizua dhe u bashkua plotësisht pa asnjë hezitim me pikëpamjet e të pandehurit Hamit, dhe u bë bashkëpunëtore aktive.

Siç ka rezultuar nga hetimi i gjithanshëm i kësaj çështje, masat e fundit të Partisë sonë të lavdishme dhe të qeverisë, siç ishte ajo e uljes së pagave të larta dhe rishikimi i pagave të disa sektorëve që në këtë kuadër u përfshinë edhe peshkatarë, kudo, në mbarë popullin tonë, punëtorët dhe kuadrot tonë e mirëpritën dhe u solidarizuan plotësisht. Kurse tek i pandehuri Hamit ndodhi e kundërta dhe këto krijuan tek ay një urrejtje sa që nuk mund ta mbante dot më të ndrydhur në botën e tij të brendshme. Kështu ai filloi të diskutoj hapur me gruan e tij, se me të ardhurat mujore “minimale” sipas tij, prej 806 lekë në muaj, nuk mund të kalonte dhe siguronte bukën, vetes, gruas dhe fëmijëve.

Të dy ranë dakord që për të mos “vdekur” për bukë në Shqipëri, të arratiseshin dhe të shkonin “në parajsën” titiste, ku do të gjenin lumturinë dhe rehatinë e tyre. Armiqtë e kanë të zakonshme të shpifin dhe të trillojnë me cinizëm, të helmojnë ndërgjegjen e njerëzve të tjerë të paformuar. Kjo është metoda e njohur e tyre, por bajate. Një ndër këto, është dhe personi i të akuzuarit Hamit Myrtja, i cili pasi inspirohet nga reklama e propagandës titiste, të cilën e shikonte çdo natë në aparatin e televizorit të tij, nuk mungoj të hartonte një letër me përmbajte shpifëse e të neveritshme për ata që e dëgjojnë në adresë të Partisë tonë, për ta goditur politikën e saj ndaj qëndrimit parimor e pa asnjë lëshim ndaj të gjithë armiqve të hershëm dhe të vonshme, deri tek komplotet në ushtri dhe me tradhtarin Beqir Balluku ne krye me bashkëpunëtorët e tij. Dhe ja si shkruan ai në një letër që i është gjetur në banesën e tij:…kufijtë me gardh i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, ba me ken lirshëm si në shtetet e tjera, as 16 vetë s’do kishin ndenjtë...”! Dhe më poshtë thotë: “Prandaj edhe shokët tuaj, Beqir Balluku e……të tradhtuan vëllezërit e tu, sa edhe ata e kanë kuptuar se nuk jetohet kështu, është jetë fukarenjsh, jetë mizore…”!

I pandehuri Hamit Myrtja, i vuri detyrë vetes që për të realizuar veprën e tradhtisë, sa më parë për të shkuar në Jugosllavinë titiste, bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme. Ay hartoi planin, duke caktuar variantin e arratisjes, caktoi itinerarin, grumbulloi mjetet e nevojshme që do t’i shërbenin për të realizuar qëllimin e tij, si; darë, pinca, çelësa, çekiçë, spango, tel, rrjet në formë litari, beze të ndryshme, velë, veshmbathje, thikë, bukë etj. Pasi t’i siguronte këto, mendoi dhe hartoi planin e tij se si duhet të rrëmbente lundrat me motor dhe në pamundësi të kësaj, të atyre me rrema, siguroi se kush ishte roje në ruajtjen dhe sigurimin e tyre, nëse kishin armë dhe gatishmëri, mendoi që kur t’i vinte radha e dezhurnit brigadës së tij, me mashtrime mendoi se mund të merrte detyrën e nëpunësit të rojës natën, dhe aty pasi të mbyste dhe të vriste rojën, të arratisej nëpërmjet liqenit për në Jugosllavi. Të gjitha këto i diskutoi me tradhtaren Hasije Myrtja, bashkëshorten e tij, dhe të dy i miratuan dhe vendosën që natën e marrjes së detyrës së nëpunësit të rojës prej të pandehurit Hamit, të vinin në jetë veprën kriminale. Kështu siç vendosën, vepruan.

Në orën e pasdites së datës 31.8.1976, i pandehuri Hamit Myrtaj, në takim me brigadierin Qazim Ulkonja, i kërkoi këtij të merrte vullnetarisht detyrën e nëpunësit të rojës, se ditën e dytë kishte nevojë dhe do të bënte gjoja pushim. Dëshmitari Qazim Ulkonja, duke mos dyshuar në qëllimin kriminal të pandehurit Hamit, ja aprovoi kërkesën e tij. I pandehuri Hamit, u gëzua që ja arriti qëllimit të merrte detyrën e nëpunësit të rojës, që kishte kohë që mendonte për të. Në orën 15, i pandehuri Hamit kthehet në banesën e tij, ku me entuziazëm vë në dijeni gruan e tij, tradhtaren Hasije. Pa humbur kohën e pritur prej shumë muajsh, bëjnë gati sendet dhe mjetet që do të merrnin me vete. Morën në dy çanta, të gruas dhe të tijën, velën e nxirë me bojë nga gruaja e tij Hasije, për të mos u diktuar natën në liqen, spango, tel bakri, çekiç, thikë, çelësa, regjistrues, pincë dore, rrjeta, shami, veshmbathje, të holla, bukë, biskota, sende veshmbathje etj., dhe kur konstatuan se çdo gjë e kishin plotësuar me përpikëri, për të mos humbur kohë e, për të humbur gjurmët dhe për të mos u diktuar nga mungesa e tyre nga komshit, hapën fjalë se do shkonin atë natë për darkë te halla e tyre. Me sendet e grumbulluara në çantat e tyre, me fëmijët përdore e biçikletën, të dy tradhtarët nisen në formë shëtitje, krah për krah njeri tjetrit, duke biseduar e duke qeshur, shkojnë në verandën e Turizmit, hanë dhe pinë e rreth orës 22.00, nisen në këmbë për në drejtim të ndërmarrjes së Peshkimit. Aty mbërrijnë rreth orës 23. Gjatë rrugës, i pandehuri Hamit Myrtja, përpunon planin se si do të mashtronin rojën Fadil Rrezia, se mos ky do të dyshonte kur të shihte gruan dhe fëmijët e të pandehurit Hamit. Memorie.al

                                                                                      HETUESI

 Shkodër 31.11.1976                                                  Jake Tefiku              

                                          Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Populli shfaqi dëshirën për ndryshime me themel, por zgjedhjet e bëra nën frikën e qeverisë dhe me hijen e vrasjeve, më detyrojnë që ...”/ Viti 1923, kur Faik Konica dha dorëheqjen për parregullsitë në votime

Artikuj të ngjashëm

“Populli shfaqi dëshirën për ndryshime me themel, por zgjedhjet e bëra nën frikën e qeverisë dhe me hijen e vrasjeve, më detyrojnë që …”/ Viti 1923, kur Faik Konica dha dorëheqjen për parregullsitë në votime
Dossier

“Populli shfaqi dëshirën për ndryshime me themel, por zgjedhjet e bëra nën frikën e qeverisë dhe me hijen e vrasjeve, më detyrojnë që …”/ Viti 1923, kur Faik Konica dha dorëheqjen për parregullsitë në votime

May 11, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Dossier

“Kufomës së Muhamet Spahisë, kriminelët Fadil Kapisyzi dhe Dul Rrjolli do t’i kalonin indiferentë, kurse Xhemal Selimi, ma injoranti i atij burgu, i ra me…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 10, 2025
“Hamitin e kishim në tabelën e nderit, ndiqte pak modën e mbante flokët e gjata, por kur afroheshim me varkat afër kufirit, ai na thoshte…”! / Dëshmia në hetuesi për peshkatarin që e ktheu UDB-ja në ’76-ën
Dossier

“Hamitin e kishim në tabelën e nderit, ndiqte pak modën e mbante flokët e gjata, por kur afroheshim me varkat afër kufirit, ai na thoshte…”! / Dëshmia në hetuesi për peshkatarin që e ktheu UDB-ja në ’76-ën

May 11, 2025
“Dom Lekë Sirdanin dhe Dom Pjetër Çunin, pasi i torturuan çnjerëzisht në seksionin e Koplikut, i hodhën të gjallë në një pus ujrash të zeza dhe…”/ Krimi makabër më 31 korrik 1948
Dossier

“Lilo Zeneli mbante në duar nji gjenerator të ngjashëm me nji mulli bloje orizi, kurse Xhemal Selimi, rrotullonte rreth veshëve të mij fijet e korrentit…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit, për torturat në hetuesi

May 11, 2025
“Hasijen e kam pas motër, kurse Hamitin burrin e motrës dhe me të kena shkue vazhdimisht mirë, por ditën e fundit që ata dolën prej shtëpie…”/ Dëshmia në hetuesi e Bukurie Xhemal Xhaferit
Dossier

“Hasijen e kam pas motër, kurse Hamitin burrin e motrës dhe me të kena shkue vazhdimisht mirë, por ditën e fundit që ata dolën prej shtëpie…”/ Dëshmia në hetuesi e Bukurie Xhemal Xhaferit

May 11, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Dossier

“Edhe pas goditjeve me dru që më bënte hetuesi Siri Çarçani në kokë e trup, duke më la në gjak, po u mbajsha në këmbë, por kur ai kapi një dru të ndezur nga stufa…”!/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 11, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!