Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, MË DATËN 7 DHE 8 TETOR 1976
PROÇES-VERBAL
Në qytetin e Shkodrës sot më datën 8.10.1976, unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke pasur pasur prezent Nd/Prokurorin Ismet Spahija, mora në pyetje të pandehurin Hamit Arif Myrtja.
Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime, lidhur me akuzat që ju bëhen?
Përgjigje: Siç thashë se posa më çuan në Titograd, më morën dhe më futën atë natë në burg. Ditën e dytë më qitën nga burgu dhe më morën me makinë në një godinë dhe aty më morën në pyetje. Kur më morën në pyetje ishin tre persona, dy ishin burra, njëri prej tyre dinte shqip, kurse ay tjetri nuk dinte, ishte dhe një grua që shkruante në makinë shkrimi. Këtu ata më pyetën për shkakun e arratisjes në Jugosllavi, më pyetën për mënyrën e vrasjes së rojës në Shirokë, (Peshkim) dhe vendin u kam dalë në kufi. Të gjitha ato që më pyetën, unë jua dhashë me hollësi ashtu siç kishte ndodhur në të vërtetë. Më pyet edhe për letrën nëse kisha lënë ose jo, dhe unë u tregova se kam lënë një letër në të cilën kam shpjegue se po largohem prej Shqipërie, se nuk jetoj dot.
Kur unë i shpjegova për mënyrën e mbytjes së rojës së Peshkimit, ay e shkroi por shtoi duke e përsëritur edhe njëherë pyetjen, duke më thënë se mos e ke mbyt rojën me thikë? I thashë; jo, por me qytën e saj, ashtu siç ju shpjegova. Këtu më pyetën nëse njihja një fotograf ose jo, prej Shkodre, i thashë se nuk e kam pas njohur. Më thanë ka ardhur këndej ai dhe ka mundësi që nuk e njeh. I thashë se unë jam marrë me punë. Këtu më morën të gjithë emrat, e vëllait, motrave, dajës dhe të kushërinjve, më pyetën nëse kisha njerëz në Jugosllavi, ose vetë unë, ose njerëzit e mi dhe u thashë se kam daja, njerëz në Muriq, por se si e thonë dhe se çfarë pune bëjnë, unë nuk e dija dhe nuk ua thashë.
Shtoi se, kur ata morën emnat, mbiemnat dhe gjeneralitetet e njerëzve të mi familjar, më pyetën edhe banimin, punën e hollësi të tjera për të gjithë dhe unë ua dhashë. Shtoi se unë tek Brahim Alush Kalimani, kam shkue njëherë në shtëpinë e tij në vitin e kaluar për vizitë dhe aty kam takuar tezen e gruas së tij, që kishte ardhur si vizitore në Shqipëri, e qëndroi dy muaj. Ajo ishte nga Titogradi, Brahimin unë e kam dajë. Bisedova me tezen e gruas së dajës, por as një send për andej nga Jugosllavia, sepse nuk qëndrova shumë aty, sepse ishin grumbulluar shumë gra. Daja banon në lagjen “Lugu” e çezmës këtu në Shkodër e është karrocier. Kur unë i thashë se ka kenë tezja tek daja, ata më pyetën për emnin, por unë nuk ja dija dhe s’kisha se çfarë t’u jepja.
Më pyetën dhe u interesuan se çfarë fliste ajo tezja e gruas së dajës për vendin tonë? I thashë se nuk bisedonte asgjë. Po njerëzit e dajës, përse e pyesnin atë për në Jugosllavi? I thashë se nuk e pyetën për ndonjë gjë. U tregova për interesin e tyre se ku qëndronte dhe u thashë se ajo ka bërë vizita në gjininë e dajës. Të gjitha këto m’i morën me shkrim në gjuhën nashke me makinë dhe unë i nënshkruaja, Unë i kam nënshkruar në fund, të gjitha thanjet e mija. Posa dola nga pyetjet, përsëri me makinë, më kanë çuar në burg, aty ku fjeta natën e parë. Për dy ditë më lanë vetëm në një dhomë.
Në krye të dy ditëve, më bashkuan me disa të dënuar të tjerë, që të gjithë ditën qëndronin në oborrin e burgut dhe në darkë futeshin në burg. Nga të gjithë këta gjithsej ishin katër veta dhe më vonë erdhën dhe dy të tjerë. Njeri prej tyre që ishte 17-18 vjeç, dinte shqip dhe kishte dorën cung, vetëm ky bisedonte ndonjëherë rrallë me mue, por me druajtje se kishte frikë të bisedonte shqip, se nuk e lejonin. Këtij djali, nuk i kam treguar shumë gjëra, por ay më ka pyetur për shkakun e arratisjes dhe unë i tregova shkurt. Me këtë djalin dorë cung, kam qendru 13 ditë dhe pastaj e hoqën prej meje, por përsëri ay qëndronte në burg, me këtë kam qendrue e shoqërue, ky më furnizonte dhe me cigare.
Pas 7-8 ditësh të vajtjes sime në Titograd, erdhi aty një civil me mustak, ky nuk ishte nga ata që më pyetën më përpara, kishte me vete një përkthyes në shqip, me flokë të gjata dhe jo ay i pari. Ky më pyeti dhe ishte interesuar të dinte për Shqipërinë. Kryesisht ata interesoheshin dhe kërkonin të dinin se ku qëndrojnë dhe vuajnë dënimin njerëzit politik, më thanë se a punojnë në Bulqizë. I thashë se nuk dijë, se me të vërtetë nuk dija. Më pyetën për grupin e Beqir Ballukut dhe u thashë se e kanë rrëzuar nga posti dhe e kanë gjykue dhe pushkatue, kurse njerëzit e tij të tjerë në ushtri, i kanë hequr dhe shkarkuar nga detyra. U tregova se këto gjëra na i kanë komunikuar në ndërmarrje, duke punue një letër të gjykatës që dënoi Beqir Ballukun.
Më pyetën nëse dija ndonjë grup tjetër antiparti dhe u thashë se unë nuk kam dijeni. Më pyeti për njerëzit e tjerë të familjes dhe unë u thashë. Këtij i thashë edhe për mosmarrëveshjet që ka pas familja ime dhe i përmenda emrin e motrës që është martuar me Ministrin e Tregtisë. Ju ankova dhe për qëndrimin e këtij indiferent ndaj meje, se po të kishte dashtë ay, mue më kishte rregullue. Më përmendi një emën, nëse e njihja apo jo. Më tha se ky ka qenë fotograf në Shkodër dhe si është e mundur që nuk e njeh?!
Me tha se ka ardhur këtu dhe është këtu. Më kujtohet se më përmendi emnin, por unë nuk e kujtoj se çfarë më tha. Ky person më pyeti, se mos të ka nis me mision Sigurimi Shqiptar dhe unë i thashë se jo, por kam ardhur për arsyet e mija. Këtë gjë ma përmendi nja dy tre herë, deri sa unë u revoltova dhe u thashë se nuk kam ardhur me asnjë mision. Kurse ay më kërkonte, duke më thënë se me çfarë detyrë të kanë nisë, si ke ardhur dhe qysh!
Po ky person më pyeti për mënyrën e gjuetisë në liqen dhe në çfarë kohe dhe hollësi. Unë u thashë ashtu si në të vërtetë gjuajmë me turne ditë e natë. Nuk u kam treguar një rast që neve kemi kaluar në ujërat e tyre gabimisht, që e dija me siguri dhe nuk ua thashë. Pas dy ditësh të pyetjes së këtij personi, erdhi një tjetër aty në burg dhe më mori në një zyrë e më pyetën, ky ishte një burrë zeshkan, afër te 50 vjeç, i cili kishte me vete përkthyesin që ishte me mustaqe.
Ky personi që nuk dinte shqip, më tha me anën e përkthyesit, se neve kemi qejf me ditë për Shkodrën. I thashë se ato që di, do t’ua tregoj. Më pyeti për fshatarët që punojnë në kooperativa bujqësore se a kanë toka të tyre dhe sa lekë marrin, toka u thashë nuk kanë dhe toka është e shtetit, se sa lekë marrin, nuk e di. Më thanë se çfarë bëhet në Fierzë dhe a ka ndodhur ndonjë send dhe ndonjë ngatërresë.
I thashë se atje punohet por nuk kam dijeni nëse ka ndodhur ndonjë send dhe ndonjë ngatërresë. Më pyeti se a e din se në qytetin e Shkodrës kanë hedhur trakte kundër Partisë Komuniste, i thashë se nuk e di dhe në të vërtetë nuk e dija. Ata këmbëngulën dhe thanë se neve e dimë që kanë hedhur trakte. Unë heshta. Të dy këta pyetës mbajtën shënime dhe nuk më kanë marrë firmën në proceset e tyre.
Procesi u ndërpre dhe pasi u lexua, u nënshkrua.
I pandehuri Nd/Prokurori Hetuesi
Hamit A. Myrtja Ismet Spahija Jake Tefiku
PROCES-VERBAL
Në qytetin Shkodër, më 8.10.1976, unë Jake Tefiku, hetues në Degën e P. të Brendshme Shkodër, mora në pyetje të pandehurin Hamit Arif Myrtja.
Pyetje: Cilat janë shkaqet e vërteta që të çuan ty në veprimtarinë kriminale?
Përgjigje: Shkaqet e vërteta që mue më çuan të hyj në veprimtarinë kriminale për të cilat akuzohem, janë: Të ardhurat e pakta që sigurova gjatë verës në punën time si peshkatar, duke mos siguruar dimrin, qenia e gruas pa punë, kërkimet e mija të vazhdueshme me organet shtetërore për t’i siguruara punë gruas, shpresa e humbur për të siguruar fitime për të përballuar nevojat e përditshme për muajt e ftohët, grindja e mos shkuarja mirë me motrat, nanën dhe vëllanë, dalja prej shtëpisë sime për shkak të grindjes, ndarja dhe përpjesëtimi i saj me vëllaun, nanën e motrën nga ana e gjykatës në mënyrë të padrejtë, rrahja e ime dhe shtrimi në spital prej motrave, nxjerrja prej shtëpisë pa asnjë send të luajtshëm, mos folja dhe qëndrimi i tyre ndaj meje prej kaq vitesh i ftohtë dhe moskokëçarja për mue nëse isha gjallë e kisha ndonjë hall!
Unë deri në kohën që u arratisa, me nanë motër e vëlla, nuk kam hyrë dhe nuk kam dalë, nuk kam folë as për gjallë dhe pas për vdekje. I shtyre nga mos shkuarja e familjes me mue mirë, u detyrova mora gruan dhe shkova në shtëpi të vjehrrit tim, ku aty qëndrova tre vjet, më pas rregullova një dhomë tjetër po aty afër vjehrrit, që ishte jo shumë e përshtatshme dhe e ngushtë, kërkesat e shumta në ndërmarrje, këshill dhe në pushtet për t’u strehuar me shtëpi, por kjo për pesë vjet nuk m’u zgjidh asnjëherë. Të gjitha këto mue më vunë në rrugën e pakënaqësisë, duke menduar se s’ka drejtësi dhe nuk më zgjidhet halli që kisha dhe fillova të mendoj për të gjetur rrugëdalje, rrugë dalje e cila më çoi të mendoj të arratisem jashtë shtetit.
Pyetje: Nuk janë këto shkaqet e vërteta që ju shtynë të në veprimtarinë kriminale, prandaj ju bëj thirrje për të thënë të vërtetën?
Përgjigje: Përveç atyre që ju shpjegova, unë kisha raste që shikoja dhe televizorin në stacionin Jugosllav, por këtë rrallë se nuk më linte zhurmuesi. Gjithashtu kisha dëgjuar para se të arratisesha se tre veta nga Kopliku ishin arratisur në Jugosllavi, por nuk mësova se i kthyen Jugosllavët ose jo. Këtë e dëgjova në Peshkim. Dua të shtoj se vjehrri im, kur unë jetoja aty, kishte një dhomë dhe një kuzhinë dhe kishte 7 veta dhe unë isha 4 veta, dhe flinim të gjithë, unë për dy vjet nuk kam fjetur fare me gruan dhe nuk kam hyrë në marrëdhënieje se s’kisha kushte banimi, kunati dhe kunatat ishin të rritura.
Pashë se pasi shkova në atë dhomën që kam sot sendet e mija, ishte vetëm sa shtriheshim për të fjetur, kur u ndërtue një pallat, aty erdhën dy malsorë nga Kopliku dhe pa qenë të pasaportizuar, hynë në dhomë dhe morën shtëpi, unë pëshpërita për këtë, pashë gjithashtu se nga Shëngjini erdhi në barkën “Pionieri”, dhe menjëherë i dhanë shtëpi në pallatin e ri, kurse unë që kam gjashtë vite, nuk më dhanë! Pra edhe këto më dukeshin padrejtësi të hapëta.
Pyetje: Ju në letrën që keni lënë në shtëpinë tuaj, midis të tjerash keni shprehur në të, se ju është thënë nga organet Jugosllav, kush dhe cili person të ka thënë ty në këtë mënyrë?
Përgjigje: Asnjë person nuk më kanë thënë Jugosllavët, por unë e kam menduar se më trajtojnë si Jugosllav, prandaj ja shprehur ashtu në nervozizëm e sipër.
Pyetje: Për kohën që qëndruar nën kujdesin e organeve Jugosllave në Titograd ose Ulqin, me cilët të arratisur shqiptarë jeni takuar?
Përgjigje: Unë deklaroj me përgjegjësi se asnjë person i arratisur prej Shqipërie në Jugosllavi ose jo i arratisur, nuk ka ardhur të më shohi dhe as jam takuar me ta.
Pyetje: Ju keni thënë se njëherë ju dështoi plani i arratisjes, a mund të na thoni konkretisht, se si e kishit përgatit ju planin?
Përgjigje: Më datën 9 gusht 1976, la shërbimin e dezhurnit brigada tjetër e Peshkimit dhe radha më vinte mua, unë kisha mendue se me qenien time dezhurn, të realizoja arratisjen, unë bisedova me brigadierin për dezhurnin, por jo hapët por indirekt, ay më tha se kishte biseduar me drejtorin dhe ay i kishte thënë se dezhurn brigadat do t’i heqim fare, dhe të bëjë administrata, se ishin jo mirë me realizimin e planit. Kështu që me datën 30 gusht 1976, e mori dezhurnin Osman Dragovoja, ditën e dytë brigadieri Qazim Ulkonja, më tha se; sot po bëj vetë dezhurn pranë drejtorisë së Peshkimit, unë duke pasë mendimin e arratisjes, i thashë se kam nevojë për një ditë pushim të më vonshëm, a mundet ta bëjë unë dhe ti pusho?
Ay më tha se mos të bije rëndë? Jo i thashë se më vonë dua një ditë pushim, se ashtu e kam punën, ay nuk dyshoi në fjalët e mija. Unë sahati dy të datës 31 ditën e lashë punën dhe menjëherë shkova në shtëpi dhe vura në dijeni gruan, se sot marr dezhurnin dhe do arratisemi. Unë i kallëzova asaj se fjalën e mora prej brigadierit. Para kësaj ditën e 30 gushtit që bëri dezhurn Osmani, kisha vendosur ta bëja unë, mirëpo e mori ai dezhurnin, unë i dëshpëruar shkova në shtëpi dhe i thashë gruas sime Hasijes, se plani dështoi dhe ne nuk e realizojmë dot arratisjen, sepse aty ku ishim shpresë unë që të bëja dezhurnin, nuk e bëra dot dhe e mori Osmani, gruaja heshti dhe nuk reagoi fare.
Pyetje: Për ditët që ti e vure në dijeni për planin e arratisjes tënde në Jugosllavi, çfarë reagimi shkaktoi tek gruaja tënde një gjë e tillë, a shprehte ajo gëzim apo dëshpërim për prindërit dhe njerëzit e saj, po frikë se si do të kalonit?
Përgjigje: Unë nuk kuptova ndonjë shqetësim, me të bisedova lirisht dhe ajo nuk reagoi, ajo më pyeti se si do të kalojmë dhe unë i thashë se me anën e sules që të rrëmbej, nëpër liqen, kalojmë kufirin. Nuk i kam thënë asgjë me tepër se s’kishim se çfarë t’i thosha?
Pyetje: Ku u sigurove ti se do ta kaloje me siguri në kufi dhe se Jugosllavët nuk do të kthenin këtej?
Përgjigje: As-gjëkundi nuk u sigurova, vetëm ndërmora një veprim të tillë pa mënd në krye dhe vendosa e bëra ashtu siç në fakt bëra.
Pyetje: Çfarë sende të tjera grumbullove ti, për të realizuar planin e arratisjes? A studiove mundësi të tjera, përveç liqenit, për t’u arratisur?
Përgjigje: Unë kisha vendosur se pa pasur gruan me vete, nuk do e realizoja arratisjen, unë kisha mundësi shumë për ta realizuar vetëm arratisjen, se në çdo kohë isha në liqen dhe i kisha të gjitha mundësitë, por këtë nuk e bënja se gruan e doja shumë, fëmijët gjithashtu, me anën e terrenit nuk mund ta realizojë këtë, përveç lundrimit me sule. Kështu që në terren tokësor, nuk kisha mundësi, për shkak të fëmijëve që ishin të vegjël dhe të pengesave që kishte terren tokësor.
Pyetje: Na i shpjegoni edhe njëherë hollësisht, se çfarë përgatitje mjetesh bërë ti, për të realizuar veprën kriminale?
Përgjigje: Siç e kam thënë edhe në procesin e mëparshëm, po e përsëris me hollësi, unë kisha menduar që ta realizoja arratisjen me sule me anë të liqenit, kisha menduar se po të gjeja motor, do ta merrja atë për t’ja vënë sules, por e dina se në ofiçinë kishte të tillë, për këtë qëllim mora me vete e përgatita qysh më parë një çilës englez që e kisha pasë në shtëpi. Bisedova me gruan që ajo të nxinte një çarçaf në bojë që ta kisha si velë në lundër, në rast se nuk do të merrja një lundër me motor, kështu që vela e bardhë natën duket, vela të jep mundësi për shpejtësi në lundrim, gruaja e nxivi në bojë dhe e kishte bërë gati, i thashë që të blinte një palë darë të reja dhe ato i kishte blerë në dyqan, por se sa dhe ku nuk e pyeta, vetëm më tha se i bleva, pincat izoluese i kisha në shtëpi, kisha gjithashtu një çekiç me bisht me sqepar sipër, mora spango për velën, tel bakri, mora përveç këtyre dhe dy copë rrjeta naylon ngjyrë rozë për të lidhur rojën, mora një boçe të bardhë me qëndisje. Të gjitha këto i kam marrë me vete për të realizuar planin e arratisjes.
Pyetje: Na i shpjegoni edhe njëherë planin që hartove për të kapërcyer pengesat që do ju shkaktonte roja shtetërore e ndërmarrjes, në realizimin e arratisjes?
Përgjigje: Unë fillimisht kisha mendimin që rojën ta lidhja në pamundësi për ta bindur që të më lejonte për t’u arratisur. Por kisha mendimin se do ta bindja, që të më lejonte.
Procesin e lexova dhe e nënshkrova. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Hamit Arif Myrtja Jake Tefiku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016