Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Nga familja Golemi qenë arrestue tre vëllazën brenda nji kohe të shkurtë: Nexhipi, Asimi e Sirriu. Nexhipi, që dikur kishte qenë oficer, do të bante fare pak burg, por do të vdiste papritmas e në rrethana të errëta, gja që njerëzit e tij e të tjerët, do të besojshin që ajo vdekje të kishte qenë vepër e Sigurimit. Përmbas Nexhipit, ishte pasë arrestue Sirriu, që gjatë luftës kishte ndërpre studimet universitare në Itali e, i kthyem në Shqipni, ishte inkuadrue në organizatën nacionaliste ‘Balli Kombëtar’. Si i tillë, në verë të vitit 1944, si pjesëtar i batalionit “Besnik Çano”, ai do të merrte pjesë në luftimet për mbrojtjen e tokave shqiptare të Kosovës.
Pak kohë mbas Sirriut ishte arrestue edhe Asimi, që fillimisht kishte pasë qenë arsimtar e mbrapa sekretar prefekture. Si futbollist i ekipit “Vllaznia”, kishte ba dhe shumë fitore të saj të kishin qenë lidhë me emnin e tij. Diku rreth kësaj kohe ishte dorëzue – si mbas amnistisë – Musa Gjylbegu, ish-ministër Botorjet në periudhën e shkurtë të Regjencës, gja për të cilën ai do t’u dënonte e mbas shumë vite burgu, të vdiste në atë të Burrelit.
Ishte ajo kohë e zezë, kur vetëm në njenën shtëpi të Gjylbegajve, të tri nuset që kishte ajo, kunata mes tyne, t’ishin veshun me të zeza, sepse secilës prej tyne pushteti komunist u kishte vra nga nji vëlla: kështu bashkëshortja e Riza Gjylbegut, Xhevria, qe veshë në zi për të vëllanë, Qazim Bushatin; ajo e Osman Gylbegut, Sania, për të vëllanë, Xhemal Mliken; kurse ajo e të tretit e të fundit vëlla, Musasë, Zynia, për të vëllanë, Riza Resulin.
Lidhun me ngjarjet e Postrribës, nga Gjylbegajt qe arrestue Qamili bashkë me të vëllanë, Gjylin, që si Gjylbegaj, ishin pa dyshim ma të pasunit. Ishte arrestue edhe Hamid Gjylbegu, që në Stamboll kishte mbarue shkëlqyeshëm akademinë ushtarake, që kishte qenë veprimtar i lëvizjes për pamvarësi e, që në luftën e Koplikut kishte drejtue me sukses forcat vullnetare, kundër ushtrive malazeze.
Hamid Gjylbegu do t’ishte i vetmi njeri në Shkodër, – e ndoshta edhe në Shipni – që për sa kohë të kishte pasë regjim komunist në Shqipni, ai në shenj zije, t’mos kishte ndezë asnjëherë dritë elektrike në shtëpinë e tij, tue iu pasë kthye edhe kandilit e bishtukut, si në kohë të Turqisë, dhe çdo të ishte edhe ma e rëndësishme, përsëri ndoshta si i vetmi njeri, që nuk do të pranonte me votue asnjiherë gjatë regjimit komunist, pavarësisht presioneve të shumta që do t’iu bajshin herë mbas here, prej njerëzve të pushtetit.
Virtyti, djali i tij i vetëm, student në Elbasan, do t’u arrestonte edhe ai në atë kohë e mbas nji vjeti, kur t’ishte në kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, prej dëshpërimit, të kërkonte vdekjen, për të cilën gja ai nji natë, i mbështjellë me nji çarçaf të bardhë dysheku, do të sulmonte telat me gjemba, me qëllim që t’u vriste prej rojeve, sikurse edhe qe ba me atë rast. Të burgosun nga Elbasani, do të më flitshin fjalët ma të mira për të, për sjelljen e tij prej djali shumë të mirë e me karakter, pa mungue që me dhimbje të vijshin në dukje edhe pamjen e tij të hijshme. Pa dyshim që ai Virtyt, të ketë qenë plaga e shprishun dhe e përhershme në zemrën e prindit Hamid Gjylbegu.
Shpatës së diktaturës nuk do t’i shpëtonte me atë rast as Lec Harapi, bir i dëshmorit Zef Harapi, të vramë në përpjekje me forcat rebele të Haxhi Qamilit e, që vetë kishte shërbye për vite të tana si përkthyes pranë konsullatës italiane në Shkodër, si edhe Simoni, nip i tij, ish-punonjës i shquem në sektorin e pyjeve. Nga familja Kujxhia, me rastin e kryengritjes së Postrribës do t’u arrestonte biri i saj ma i madh Zefi, e mbas tij edhe Vitori, kur ishte student gjimnazi, i cili do të dilte prej burgut mbas tri vjetësh, për t’u ri burgosë mbas disa vjetësh të tjerë, bashkë me të vëllanë ma të vogël, Injacin, që përkatësisht do të vuejshin tetëmbëdhjetë e, dhjetë vjet burg.
Familjes së mirënjohun Kurti, do t’i hyjshin në burg tre bij të saj: Salvatori që kishte adminstrue kafen “Adriatik”, ngjitë e në konkurrencë me “Kafen e Madhe”, Ninoja që në Itali kishte mbarue akademi për xhandarmëni, e që si i implikuem me organizatën “Bashkimi Shqiptar”, do të dënohej me tridhjetë vjet burg, dhe Kolën, që në Padova të Italisë, për arsye lufte, kishte ndërpre studimet për farmaci e, që me rastin e kryengritjes së Postrribës, ishte arrestue e vuejte dhetë vjet burg, e mbrapa katër të tjerë në internim.
Ninoja e Kola kishin për babë Zef Kurtin, muzikantin e njohun e dirigjentin e bandës së qytetit për vite e vite, si dhe profesorin që në gjimnaz na kishte mësue italisht; kurse për axh, Lec Kurtin, ish-kryetar i “Ballit” për Shkodrën, dhe Salvatorin që administronte kafen “Adiatik”, e për gjysh, ish-autorin e të famshmëve “jare” të Shkodrës, Palok Kurtin. Në burg me atë rast edhe Hysen Lohja, nji ndër arsimtarët ma të parë të dalë prej shkollës “Normale” të Elbasanit, të cilin italianët e kishin pasë internue si patriot e legalist. Mbas internimit ai do të dilte në mal me pushkë në dorë, për me luftue pushtuesin. Do të dënohej e të vuente pesë vjet burg.
Me rastin e Kryengritjes së Postrribës, do t’u arrestonte edhe vllau i tij Selimi, që do të bante pak burg, kurse Ragipi, i treti ndër vëllazën, ish- nëpunës i besueshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshmen në kohë të Mbretnisë, e që si atlet dikur kishte përfaqsue Shqipninë në Paris, në garën e vrapimit 100 m., do të vuante dhjetë vjet burg, e mbrapa t’u arratiste në Francë, ku edhe nji ditë do të mbyllte sytë.
Kur Hyseni po mbushte tetëdhjetë vjet moshë, do t’u internonte në të nesërmen e martesës së njenit djalë të tij, me pretekstin ma banal e të pabesueshëm, sepse gjatë asaj natë dasme, ishin pasë këndue kangë sllave. Nji tjetër familje e madhe që komunizmin do ta paguente thuejse me të gjithë meshkujt e saj, do t’ishte edhe ajo e Metejve të “Rusit”, e njohun në Shkodër si shtëpi e qetë e me tradita të mirëfillta qytetare.
Metejt, ishin nji prej atyne familjeve që përgjithësisht çojshin jetë të mirë e që, për nga numri i madh i pjesëtarëve të saj, plot tetëmbëdhjetë, mund të të linte përshtypjen e nji shtëpie që ende t’u sundonte nga norma të ngurrta patriarkale, gja që s’ishte e vërtetë, për nji karakter të butë e tolerant te të gjithë meshkujve të saj. Deri në prag të ardhjes së komunistëve në pushtet, ajo shtëpi e tyne ziente, jo prej numrit të madh të pjesëtarëve të saj, sa nga puna e gëzimi i jetës së tyne, që kishte nisë të merrte nota të reja edhe prej shkollimit të disa prej bijve të saj ma të rritun.
Qysh në ditët ma të para të regjimit komunist, jeta brenda kësaj shtëpie do të ndjente lëkundjet e saj të para, tue pasë marrë shkas prej burgosjes së Shaqirit, birit ma të madh të shtëpisë, që në kohë të Zogut kishte qenë punonjës gjykate e që gjatë pushtimit italian, si patriot e legalist që ishte, kishte dalë në mal me armë në dorë e se në luftën e Reçit, edhe emni i tij do të figuronte mes atyne që ishin dallue në të.
Me rastin e kryengritjes së Postrribës, prej kësaj shtëpie, do t’u burgosshin edhe të tre bijt e tjerë të saj të rritun: Ragipi, ish-arsimtar e dhëndër i Bajram Currit, i akuzuem për lidhje me “Grupin e Deputetëve”; mbas tij Isaja, ish-nëpunës shteti, dhe i fundit ndër vëllazën – veç Lahit e Danishit, ende të pa rritun – do t’u arrestonte Xhevati, që në Itali kishte vazhdue deri ateherë tre vjet universitet për agronomi, e këthye në Shqipni si shumë të tjerë, për arësye luftet.
Ragipi qe dënue me vdekje e nën ankthin e saj do të kalonte nji kohë mjaft të gjatë, derisa me ndërhymjen e Dervishë hanëmit, vjehërr e tij dhe e vejë e Bajram Currit, Enver Hoxha për oportunitet, t’ia falte jetën, por jo vjetët e shumtë të burgut që do të vuante. Në verën e vitit 1948, Isaja do të vdiste në kampin famëkeq të Bedenit, si pasojë e urisë dhe e stërmundimit që atë qysh para disa ditësh e kishin kthye në nji kufomë për së gjalli. Ditën e vdekjes së tij, oficerët e kampit, nuk do të merrshin parasysh lutjen e dhimbshme të Xhevatit që ta varroste vetë të vëllanë, gja që me urdhën do ta kryente nji i burgosun nga Kosmaçi, Kolë Gjergji, tue e mbulue me dhé brenda nji kanali të vogël ekzistues.
Në shtëpinë e Metejve të mbetun pa asnji burrë, veç femnave të shumta që kishte ajo, mes të cilave tri bashkëshortëve me burra të burgosun e, ku dy prej tyne me nga dy vajza fare të vogla, do të kalojshin vite të gjatë mjerimi e trishtimi të thellë, derisa t’u ritshin dy prej meshkujve të tjerë të shtëpisë, Danishi e Lahi, për t’u burgosë edhe ata, kur t’ishin studentë të viteve të para të gjimnazit, kur edhe do të gjejshin në burg Ragipin e Xhevatin, që dojshin edhe shumë vite të tjerë për të plotësue dënimet, përkatësisht gjashtëmbëdhjetë e, tetëmbëdhjetë vjet.
Nga familja Omari, veç Shaqirit, që tue përfitue prej amnistisë, kishte qenë dorëzue mbas dy vjetësh arrati e, që mbrapa do të bante mjaft vite burgu. Me ngjarjet e Postrribës, do t’u burgoste edhe Haxhiu, vëlla i Shaqirit, bashkë me dy djemtë e tij, Xhemalin e Maliqin. Që në atë kohë t’u arrestoshin dy e tre vetë prej nji shtëpie, disa herë tue pasë qenë edhe vëllazën mes tyne, do t’ishte nji gja e përsëritun në sa e sa raste, por që t’u burgosshin dy bija të nji shtëpie, siç do të ndodhte me motrat simpatike Terezina e Liza Pali, mbesa të të vramëve Thani, do t’ishte nji rast disi i veçantë. Pak vjet mbrapa, do t’u burgoste edhe vllau i tyne i vetëm, Tonini.
Vllaznit Mustafa e Sait Pipa, njeni avokat e tjetri farmacist, të ardhun prej Libohovet, por të ngulun në Shkodër që prej dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli, të martuem me dy bija prej një shtëpie, Heqimi, motra mes tyne, do të trashigojshin gjithsej tre djem e dhjetë vajza, që kur t’u ritshin, meshkuj e femna, do të bajshin shenj në Shkodër, për edukatë, kulturë, si edhe për karakter, tue pasë qendrue të papërkulun e të papërkuluna, përballë presioneve të shumta që atyne do t’iu bajshin pa ndërprerje prej pushtetit komunist. Ma për së afërmi na do të njifshim Gjylterin e Simen, si shoqe që i kishim, të cilat vazhdimisht do t’u tregojshin model i nji sfide sa krenarie, aq edhe të guximshme, ndaj çdo presioni e shantazhi që atyne t’u bahej.
Mbasi të kishte mbyllë dyerët e vet “Gjyqi Special” i Tiranës e t’ishin hapë në Shkodër Gjyqet e Popullit, avokati Myzafer Pipa, do t’u shquante për guxim të madh në mbrojtje të viktimave të shumta të qytetit të tij me rrethe, të cilët përgjithësisht duhet t’iu përgjigjeshin Aranit Çelës, për pjesëmarrjen e tyne në partitë nacionaliste të ‘Ballit’ e Legalitetit. Debatet e ashpra të Myzafer Pipës si avokat, me prokurorin tekanjoz e fodull, Aranit Çelën, do të vazhdojshin me u kujtue gjatë shumë viteve prej qytetarëve shkodranë.
Kryengritja e Postrribës, si pretekst për arrestimin e shumë kundërshtarëve të regjimit, do të bante që Myzaferi, si kundërshtar i tij, si edhe personalisht i Aranit Çelës, t’u arrestonte ndër ma të parët. Si ta kishin torturue disa ditë me radhë, nji ditë ai do t’u mbeste i vdekun ndër duar hetuesve kriminelë të Sigurimit, të cilët nga ana e tyne, në orët e vona të nji nate vjeshte me shi, do të shkrehnin dy-tri breshni të shkurta automatiku, për të ba që të nesërmen, populli të mundete me besue në alibinë se; “Myzafer Pipa ishte vra tek po tentonte t’u arratiste prej burgut”! Muzafer Pipa kishte mbarue për Jurisprudencë në Padova të Italisë. Mbas pushtimit të Shqipnisë, Muzaferi do t’u internonte në Ventotene prej italianëve. Kur në Shqipni të ishin futë trupat gjermanë, ai si intelektual e publicist që ishte, bashkë me mikun e tij ma të ri, Qemal Draçinin, do të drejtojshin me sukses revistën “Fryma”, me karakter letrar e shoqnor.
Shokët e tij do ta karakterizojshin Muzaferin si shumë të dashtun e të shkathët, të squet e të guximshëm, si dhe me humor e të talentuem, për të tregue me art çdo gja, paçin qenë ato edhe barceleta. Lidhun me këto të fundit, Arshiu nji herë, mbasi kishte dalë prej burgut Myzafer Pipa, do të më thonte në shtëpinë e tij, ku unë i kisha shkue për vizitë: “Unë për vete, edhe sot nuk dij me tregue nji barceletë, kurse im vëlla, Myzaferi pastë dritë, ishte në gjendje me të mbajtë gjithë natën me to”! Edhe gjermanët do ta internojshin Myzaferin në kampin e Prishtinës, por komunistët, si shumë ma radikalë se dy paraardhësit e tyne, fashistë e nazistë, do ta vritshin atë, si kunorzim të kundërshtimit që Muzafer Pipa u kishte ba tri diktaturave me radhë.
Edhe Arshiu ishte arrestue në Durrës, ndërsa jepte mësim letërsie në gjimnazin e atij qyteti, dhe kur po donte me plotësue dënimin e tij të parë prej dy vitesh burg, i shpifun në gjyq me anë deklaratash prej dy ish nxanësve të tij mosmirënjohës e të përpunuem prej Sigurimit, me emnat Thoma Goxhai e Alfred Kazanxhiu, Arshiu do t’u dënonte edhe me tetë vjet të tjerë burgu, për t’i vuejtë mandej në atë të Burrelit, gjithmonë brenda nji dhomë të sëmurësh me tuberkuloz, siç ishte edhe vetë, e në shoqni, mes tjerëve, edhe te Xhevat Metës e Gac Çunit, bashkëqytetarë të tij.
Me akuzën për Postrribën, nga kjo shtëpi që arrestue edhe Agimja, me rrogën e vetme të së cilës po u mbante deri atëherë njena prej dy familjeve Pipa. Agimja që do të vuente katër vet burg, kishte qenë ajo vajzë me moshë jo ma shumë se njizetenji-njizetedy vjeçe, që me formimin e saj intelektual të parakohshëm, do të tërhiqte vëmendjen e disa prej intelektualëve të rinj ndër ma të shquemit e qytetit. Dy motrat që vijshin mbas Agimes, Fiqireti e Gjylteri, do t’u përjashtojshin nga shkolla, tue pasë qenë dy ndër nxënëset ma të mira të klasave të tyne përkatëse, kurse Simja, nxënëse e zonja, ashtu si dy motrat e saj ma te medhaja, do t’u përjashtonte nga rinia bashkë me mue, pikërisht nji ditë para se të më arrestojshin.
Po si të lidhun me Lëvizjen e Postrribës, qenë arrestue me at rast edhe dy dhëndurët e Pipejve, Teofik Bekteshi, bir i Hasan efendi Bekteshit, që si student kishte mbarue në Grac të Austrisë, e mbas tij ishte arrestue edhe e motra e tij, Adilja, e veja e Adem Isa Boletinit, të vramë me atentat gjatë Luftës- (gjoja pa dashje) – prej komunistëve, por ka disa prej të cilëve, me atë rast, ishin pasë shprehë mes tyne: “Vrasja e tij nuk ishte qëllimi i jonë, megjithatë, mirë që u vra”. Njëkohësisht me Teofikun ishte arrestue edhe baxhanaku i tij, Ibrahim Dibra, që kishte mbarue për stomatologji në Austri e, me të edhe vëllau ma i vogël i tij, Xhabiri, si dhe djali i tyne i axhës, dentisti tjetër, Rifat Dibra.
Familjes Pogu, e njohun në Shkodër edhe për industrinë e sapunit që kishte sjellë prej kohësh në qytetin tonë, do t’i hyjshin në burg të tre bijtë e saj: Simoni, që ndoshta ndër ta ishte ma i vogli e, qe në Paris kishte krye për inxhinieri kimike; Tefa, i njohun në të gjithë Shkodrën për çiltërsinë, bujarinë, si edhe për nji humor të tij origjinal, dhe Lushi, që si mjek, kishte pasë përfaqësue dikur në Shqipni, firmën filantropike amerikane të luftës kundër malarjes. Tre vëllaznit Prendushi, do t’u arrestoshin njeni mbas tjetrit, tue pasë fillue prej Paulinit, që kishte qenë oficer xhandarmërie e mandej me radhë, prifti At’ Matia, i akuzuem më kot për gjoja futjen e armëve në kishë e, mbas tij edhe vëllau tjetër i tyne, Mikeli, ish-oficer ushtrie.
Kemi përmendë ma sipër se nji ndër të pushkatuemit e Fushës së Shtojit në ditën e Kryengritjes së Postrribës, kishte qenë edhe qytetari shkodran, Qazim Rroji. Fill mbas vrasjes së Qazimit, nga ajo shtëpi do t’u arrestonte edhe Vishja, vëllau që vinte mbas tij, e që do të vuante disa vjet burg, ndërsa ma i vogli i tyne, Ruzhdia, si nji ndër ma të flaktët e të rinjve ballistë të Shkodrës, kishte kalue në ilegalitet qysh para se komunistët të ishin futë në qytetin tonë, për të vazhdue deri me datë 17 nandor 1947, ditë kur ai qe rrethue prej forcave të Sigurimit në shtëpinë e tij, e përfundimisht arrestue me atë rast.
Ruzhdia me moshë njëzetetre vjeçare, do të fillonte pushkën menjiherë, i vendosun që i gjallë t’mos binte ndër duer të komunistëve. Në luftim e sipër, ai do të plagoste në vesh nënoficerin Shyqyri Çoku, dhe vetëm ndërhymja e Qamil Gavoçit dhe e Lilo Zenelit, – i pari kryetar i Komitetit Ekzekutiv në atë kohë, dhe i rritun në nji lagje me Ruzhdinë, kurse i dyti, shef Sigurimi- kishin ba të mundun që Ruzhdia të pushonte pushkën, mbasi që prej tyne, në mënyrë të përsëritun, të kishte marrë fjalën për falje jete e, mos keqtrajtim.
Në muzgun e asaj mbramje vjeshte të errun shpejt e me lagështi, qytetarë të rastit kishin mundë të shikojshin të riun Ruzhdi Rroji, që i rrethuem prej nji numri policësh me automatikë ndër duar, të ecshin në nji hap me të në rrugën për në Sigurim. Pamja e Ruzhdi Rrojit sa prekëse aq edhe piktoreske, u kishte pasë ba shumë përshtypje atyne qytetarëve që kishin pasë rast ta shikojshin, të cilët pak a shumë, do ta përshkruejshin kështu: “I lidhun ndër duer e pa këpucë ndër kambë, me mjeker që i zbriste deri në gjoks e, përmbrapa flokët e tij krrela-krrela që iu tundshin për shpinë, me të kujtue nji figurë të denjë për ma të prekëshmen epikë”!
Pamvarësisht fjalës së dhanë prej Qamil Gavoçit e Lilo Zenelit, Ruzhdiu mbas ma shumë se nji vit e gjysë hetuesi, do t’u dënonte me vdekje, dhe gjithçka do të bante me besue, se ai do t’u pushkatonte prej nji ditë në tjetrën, në qoftë se për koincidencë, t’mos kishte ardhë në Shkodër për herë të parë Enver Hoxha, rast ky që publikisht do t’u shfrytëzonte prej plakut Abas Bekteshi, – i cili gëzonte përkrahje prej pushtetit si mbështetës i Luftës, që kishte qenë familjarisht – e që në këtë rast, do t’iu drejtonte Enver Hoxhës me këto fjalë: “T’falem nderës për pushkën që m’ke lanë, që tash jam tuj ta kthye, se dy burra që patën hy garant për jetën e Ruzhdi Rrojit, sot po koriten para popullit, tue pasë dalë të pabesë. Po t’lutem, falja jetën Ruzhdi Rrojit, se asht i ri”!
Dhe Enver Hoxha, për oportunitet, ia fali jetën atij, i cili mandej do të vuante tetëmbëdhjete vjet burg. Nuk mund të kishte ma shumë se dy vetë në të gjithë burgun e Shkodrës, që të dijshin një sekret të Ruzhdi Rrojit, në dukje i parëndësishëm, por domethënës për nji të ri me ideale të forta kombëtare: Ai, në shenj patriotizmi të zjarrtë, për vite e vite burgu, do të gjente ngushëllim të nji flamur të kuqe zi, që mbante të rotulluem rreth gjoksit të tij. Familja e Rusëve, ishte ndër familjet ma të vjetra të lagjes me të njajtin emën (“Rus”) e cila, sidomos deri para se në Shqipni t’u vendoste regjimi komunist, ishte ngritë ekonomikisht, tue pasë futë në punë gjatë okupacionit edhe nji fabrikë të dytë cingaresh e, ndërtue nji shtëpi të madhe e moderne.
Asnji nga të gjashtë djemtë e të nji vajze të Riza Rusit, nuk do të bante përjashtim nga shkollimi. Ma i madhi ndër ta, Sytkia, kishte qenë arsimtar. Mbas tij vinte Fahria, që kishte mbarue për inxhinieri pyjore në Firence, e me radhë Abdyli, që kishte krye për edukatë fizike në Romë, dhe Eqremi që gjithashtu kishte vazhdue për matematikë në Itali e, kthye në Shqipni si të tjerët, për rrethana lufte.
Tre të fundit, Thabiti, Bahria, bashkë me të motrën e tyne të vetme, Makbulen, do të vazhdojshin jeni mbas tjetrit gjimnazin, tue shkëlqye, si mbas traditës së shtëpisë, në landën e matematikës. Sidomos qysh me Lëvizjen e Postrribës, pushteti komunist mbi këtë shtëpi të qetë, intelektualë e me të ardhme të shkëlqyeshme, do të lëshonte rrufetë e tij ma shkatërrimtare, tue ia pasë burgosë njenin mbas tjetrit, tre prej bijve të saj:
Fahrinë, që mbas nji vjeti e gjysë torturash, do ta dënonte me vdekje dhe ta pushkatonte, tue pasë lanë në shtëpi edhe nji bashkëshorte të re; Abdylin, do ta dënonte me pesëmbëdhjetë vjet burg, e mbas tij Thabitin, student gjimnazi, të cilit, Fahri Rusi, ditën kur të plotësonte të shtatë vjetët e dënimit të tij të burgut, do t’i komunikojshin edhe internimin prej gjashtë vjetësh të tjerë! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016