Nga Agim Xh. Dëshnica
Pjesa e dytë
Memorie.al / Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: “Në qiellin e botës kulturore shqiptare shndrijnë tre yje të pashuar, Naimi, Noli dhe Fishta”! Në albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të fllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë”!
Nga një kartolinë me pamjen e kullës “Empire State Building”, dërguar Xhevdet Dëshnicës më 1931, pas fjalëve të ngrohta të përshëndetjes, shkruan: “… kjo bina e lartë që tregon kjo kartolinë… merr brenda Tiranën”!
Nga 281 letrat e botuara, me Zogun shfaqet një e vetme. Në cilat dosje flenë të tjerat? Një trajtim i tillë i letërkëmbimit dhe i ligjërimeve, që u takon fazave të ndryshme të historisë, ndër lexuesit shqiptarë lë hije të errëta. Gjykimi i tyre kundërshtues hedh poshtë dita- ditës qëndrimet përbuzëse ndaj bijve të kombit tonë, të njohur për mirë në historinë botërore.
Letërkëmbimi me njerëz të letrave, si; Mitrush Kuteli, Milto Sotir Gura, Qerim Panariti, Ali Rexha, Xhevat Korça, Nexhat Peshkëpia, Arshi Pipa, Skënder Luarasi etj., natyrisht janë me vlerë, veçse nuk shohim letrat me Faik Konicën, Ahmet Zogun me shqetësime për fatin e Atdheut, as letrat me Tajar Zavalanin, as me Llazar Fundon, me analiza e kritika ndaj ideve komuniste.
Më 1996, në kritikat për “Biografinë dhe Letërkëmbimin”, profesor Jorgaqi, në vend të dokumenteve, përdor hamendjet e veta dhe kujtime pas kujtimesh të stërnipërve. Njoftimet e tyre gojore janë më të varfra, sesa kujtimet e mjegulluara të mërgimtarëve bashkëkohorë. Në shtjellën e hyrjeve dhe parathënieve, lavdet e shumta e frazeologjia stereotipi, përballen e shuhen në lëndën e përzgjedhur për keq. Një mendim përplaset me tjetrin.
Si një kritik që nuk fal asgjë, shkruan: “Subjektivizmi, mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, nga fshehja e dobësive dhe përligja e gabimeve e deri mitivizmi i vetvetes. Kësaj të fundit nuk i ka shpëtuar as Autobiografia e Nolit”.
Më tej shton: “Nga ana tjetër të mos harrojmë se nga të dhënat e dëshmitarëve del që Noli, pas mesit të viteve ’30-të (53 vjeç- A.D.) e sidomos në vitet e pleqërisë, bëri jetën e një njeriu të vetmuar, u bë skeptik e nuk besonte kollaj, nuk i pëlqente të kujtonte të kaluarën, veçanërisht jetën politike e aq më tepër të rrëfehej para opinionit”(!?).
Por faktet kokëforta flasin ndryshe. Edhe pas viteve ’30-të, Noli është në kulmin e veprimtarisë patriotike e krijuese. Takohet me mërgimtarët shqiptarë, mban ligjërata dhe tregon për jetën e tij. Letrat e botuara nuk flasin aspak për Nolin e vërtetë. Letërkëmbimi me miq të shumtë dhe personalitete të kulturës, pothuaj mungon. Profesori mbledh nga kolegët e miqtë e vet, letra, që nuk i rezistuan kohës dhe i bën publike në ditët tona, duke krijuar opinione të turbullta mbi Fan Nolin, për besimin e tij ndaj Zotit, për dashurinë ndaj njeriut, ndaj lirisë dhe Atdheut.
Meqenëse dyshon te “Autobiografia”, me shpresë të zbulojë ndonjë origjinë tjetër, viziton vendlindjen e Nolit. Përralla me “Theofanis Nolis” apo me “Theofanis Mavromatis”, u hynë në punë nënave, kur vënë në gjumë fëmijët. Tashmë anonimet e Nolit njihen me emrat: Ali Baba Qyteza, ABQ, Pesimisti, Mavromati, Ali Asllan Qyteza, Ali Dyrmish Qyteza, Rrushit Bilbil Gramshi, Theofani, Bajram Domosdova, Namik Namazi etj.
Për të plotësuar portretin e Fan Nolit, do të mjaftonte vetëm letërkëmbimi me Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Faik Konicën, Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin, etj. Po ashtu letrat me Xhorxh Bernard Shou-n, Tomas Man-in, me Franz Babinger, Zhan Sibelius etj.
Penat e së vërtetës
Në kohën e demokracisë e vërteta del nga letargjia e flet me një varg librash: “Konica”, nga Prof. Dr. Jup Kastrati (1995), “Noli i Panjohur”, nga Dr. Eftim Dodona (1996), “Federata Pan-shqiptare Vatra” (2002), nga Prof. Dr. Beqir Meta, “Shqipëria dhe problemi Kombëtar, 1918- 1928”, nga Dr. Lush Culaj.
Në gazetën ‘Dielli’, hasim shkrime nga Petër Prifti, At Artur Liolin, Prof. Robert C. Austin, Anton Çefa etj. Ndërkohë profesorët e soc-realizmit, nisin të retushojnë me cilësi të dobët shkrimet e mëparshme.
Kërkesa nga BE, për dënimin e krimeve të komunizmit, na kujton Peshkopin ortodoks Theofan qysh më 1946, me kritikat e rrepta kundër “sjelljeve të autoriteteve të Tiranës”, ashtu si Ati katolik Zef Pllumi sot me dëshmitë rëngjethëse për krimet e komunizmit në Shqipëri.
Noli dhe komunizmi
Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S. Noli nuk ka patur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri ashtu dhe në botë. Mjafton të lexohet vlerësimi negativ i “Manifestit Komunist”. Manifesti i vërtetë i Nolit, është krijimi i ndritur, “Hymni i Flamurit”. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë vetëm dy strofa:
“O Flamur gjak, o Flamur shkabë,
O vënt e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, Flamur i zi !
Flamur që lint Shën Kastandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin ,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi”.
Më 18 tetor 1951, Noli bënte të ditur: “Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizate komuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist ose prokomunist ose antiamerikan. Përkundrazi unë kam lartësuar udhën demokratike amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për independencën e saj krye-krye Amerikës e, në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilin e kryesoj, kjo është në pikëpamjen administrative indipendente.
Unë nuk kam të bëjë as me emërimet as me dorëheqjet e Peshkopëve ose të Arkipeshkopëve në kishat ortodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica”.
Në parathënien e “Albumit –II” 1966, Qerim Panariti shkruan: “Kundërshtarët e Nolit s’kanë hequr dorë as sot, që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot, kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit, vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik, kushtet politike në Shqipëri në Dhjetor, 1924, ishin aq të mërzitura, sa Noli pothuajse po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë, përgjithmonë”!
At Artur Liolin, datë 30 janar 2007, “Noli dhe komunizmi”: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, ai u distancua, gjë që duket qartë kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste – patjetër për qëllime të errta komprometuese – dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegulluara fetare…!
Në fund, si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin, për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963, nëse Noli do të ishte një “komunist”?! Apo si mund ta ftonte Nolin “komunist”, presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964, për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet ndryshe nuk pinë ujë”.
Rrëfimi i Fan Nolit, argumentet e Qerim Panaritit dhe të At Artur Liolinit, janë të qarta si drita e diellit, për qëndrimin e tij ndaj komunizmit. Pra, sado analistët, ndërmjet tyre dhe shumë të mirë, gjejnë në jetën politike qëndrime të ndryshme në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike, udha e atdhetarit e shkelur prej tij, duket qartë tek shkon drejt perëndimit të praruar europian dhe amerikan, për lumturinë e popullit dhe lulëzimin e Atdheut.
Përkujtimi i Nolit
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nolit, në gazetën “Bashkimi” në Tiranë, u botua një shkrim kritik ndaj Fan Nolit, përgatitur nga kalemxhinjtë gjasme “nolistë”, nënshkruar nga Enver Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zëvendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të presidiumit, i ndriçuar nga prozhektorët, qëndronte drejt busti i diktatorit. Lart në këndin e djathë, fotografia e zvogëluar e Nolit, humbiste në muzg.
Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën?! Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë, dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës, të afroheshin në radhët e para. Në ato çaste kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd e, dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla. Ndërkohë “Vatra” dhe UNESKO, në mbledhje të posaçme e konferenca shkencore, e përkujtuan me nderim, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar, Theofan Stilian Nolit.
Në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën botimeve të cunguara, u kuptua se numri i veprave të Nolit, nuk duhej të kapte nivele të larta. Në pallatin e Akademisë së Shkencave, fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhonte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një punonjës i Akademisë, zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluar nga kartonë, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimëkëmbur e mbarti për në Akademi.
Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shemb, shtatoret e tiranëve u rrëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit, u zhdukën. Tashmë çdo vizitor, merr frymë lirisht tek sodit dy buste, Skënderbeun dhe Fan S. Nolin.
Noli dhe shtrembëruesit e sotëm
Në vitin 2006, Prof. Jorgaqi, nuk priti më. Pas shumë të tjerëve arriti të përfundonte librin “Jeta e Fan Nolit”. Në promovimin e librit u shpreh kështu: “Për këtë libër kam punuar 20 vjet dhe arrita të rindërtoj jetën e Fan Nolit“ (?!). Por a mund të rindërtohet jeta e një gjeniu? A u takon, atyre që për 45 vjet me radhë, u përpoqën ta shkatërronin? Dhe a mundën ta kryejnë këtë punë të nderuar, ata që s’kanë trokitur asnjëherë në portën e “Vatrës”?
Me sa duket, artikujt e botuar dhe leksionet si pedagog, që nisin nga vitet ’70-të, pas retushimit të ngutshëm e sipas bindjeve të vjetra, i përfshiu në këtë libër, ku mjegullnajën mbi Nolin e hedh në një trajtë të re, por era e pastër e së vërtetës, e shtyn tutje, përtej maleve. Mesa jemi në dijeni, nëpër librari qarkullon një version i ri i veprave të Nolit, pothuaj i ngjashëm me pesë vëllimet e botuara nga Akademia e Shkencave më 1988.
Del në ballë sërish mbi të gjithë Jorgaqi. Në pasqyrën e lëndës të “Albumit”–1948, shihet pas 60 vjetësh, të ringjallet mjeshtri i kritikës, i paharruari Mitrush Kuteli. Së fundi rreshtohet i dëmtuar edhe “Albumi II”, përgatitur nga Qerim Panariti më 1966, në Boston. Nga Historia e Kishës Shqiptare në Amerikë, vihen re heqje pjesësh të rëndësishme. Ngre krye përsëri sajesa, “Portrete dhe Skica”. Për shqipfolësit shqiptarë “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, jepet dhe në anglisht. Vëllimi i katërt është i ngjeshur me publicistikë nga gazeta arkivore.
Reshtohen rubrikat “Andej- këtej” me lajmërime e ngjarje në shkretëtira dhe vende të largëta, të harruara nga historia. Nga fundi, shfaqet përsëri përkthyesi anti-Nol i letrës së shpifur, Spiro Xhai, nga Athina. Po shohim me habi se si pensionistët, të cilët nuk krijojnë më, marrin të gatshëm krijimtarinë e Nolit dhe me anën e kompjuteristeve të shkathëta, mbushin libra pa nivel shkencor, duke i hedhur në treg për biznes e synime të tjera.
Njëmendësia shqiptare po përjeton çdo dite përpjekje të ethshme të disa profesorëve për të rehabilituar fajtorët që vite me radhë, shkatërruan vlerat kombëtare të vendit tonë, duke u orvatur njëkohësisht të errësojnë veprën e bijve të kombit tonë, të njohur për mirë nga historia botërore, si; Noli, Zogu, Konica, Fishta etj. Deri kur do të vijohet kështu?! Memorie.al