Nga Adem Kormaku
Memorie.al / Një jetë e mbushur me ngjarje. Një jetë, e vrullshme, me punë të lodhshme, por në emër të një ideali, ndërtimit të vendit. Nga Stebleva në Tiranë. Nga Tirana në gjithë rrethet e Shqipërisë. Ishin vitet kur Shqipëria ishte kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Një jetë mbushu me ngjarje, deri diku dhe të pabesueshme për kohën e sotme. Por i tillë ishte ai sistem, e tillë ishte ajo kohë. Ishte periudha kur idealizmi, paraprinte interesave personale ekonomike.
Si i ndërtuam objektet sekrete për kohë lufte?
Në Rezervën e Shtetit, Reparti 101/K, vazhduam punimet për ndërtimin e depove në Baldushk, në Petrelë të Tiranës, ku punonte brigada e Baki Radës, me teknik Rasim Ajazin. Po kështu vazhduam punimet në objektin “Lumi” në Kërrabë (Objekti i thesarit të shtetit) etj….! Nga dita në ditë, punën në këtë ndërmarrje shtoheshin dhe ngarkesa ishte shumë e madhe. Ndërkohë, kur ishim në pikun e punës, marrim urdhër dhe fillojmë punën në objektin “X-79” të thesarit në Linxë të Tiranës, projekt nën administrimin e Ministrisë së Financave.
Pas kësaj, apo thuaj paralel në kohë, na u ngarkua për detyrë ndërtimi i objekteve-banesa, për Ministrinë e Mbrojtjes, për aviatorët, ndërtimi i objektit 7310, në territorin e Spitalit Ushtarak, ndërtimi i Institutit për Mbrojtjen, godina që u kthye në Bankë Kombëtare Tregtare (BKT) etj. Kjo ndërmarrje ndërtoi dy godina për institutin dhe Ndërmarrjen e Kërkimeve Minerare të Gjeologjisë, ku punoi e drejtoi inxhinieri Marketin Topollari.
Gjithashtu, na u ngarkua ndërtimi i dy objekteve të projektuara nga Instituti i Projektimit të Mbrojtjes, ku do të strehohej në situatë lufte Kryeministria dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Këto ishin objekte të rëndësishme për nga funksioni që do të kryenin, por dhe të një vështirësie teknike sepse, kërkonin një siguri të lartë, apo më saktë punime të vështirësive që nuk ishin ndërtuar deri në atë kohë. Njëri nga këto objekte është pranë Kryeministrisë, që iu bashkëngjit objektit ekzistues dhe tjetri pranë Ministrisë së Brendshme, ose më saktë në sheshin midis dy ministrive, midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ndërtimit.
Objekti drejtohej nga inxhinieri Edmond Demiri. Ndërtimi i këtij objekti pati vështirësi të mëdha, që nga punimet në bazament, ndërtimi i mureve të betonit me armatura hekuri të dyfishta, ku vetëm soleta që mbulonte objektin ishte e trashë 2.2 metra, ndërsa armatura e hekurit, vetëm në 50 centimetrat e para, shtatë zgara hekuri e në vazhdim të tjetra, të gjitha me markë betoni 350. Llogaritë ishin të tilla, që dhe bomba të binte mbi të, e ai të ishte plotësisht i qëndrueshëm.
Ndërsa në Kryeministri bëhej soleta me një trashësi 1.8 metra, po me armatura hekuri si e para, me markë betoni 350. Personeli inxhiniero-teknik i ndërmarrjes ishin njerëz të zgjedhur, të devotshëm dhe të sakrificës, të cilët bashkë me specialistët e ndërtimit, minatorët, shoferët, manovratorët, mbanin peshën kryesore të punëve më të vështira në Ndërmarrjes së Ndërtimin Nr.10. Për shkak se volumi i punës ishte tepër i madh, frontet e
punës ishin të shpërndarë në shumë rrethe të Shqipërisë, punonjësve u duhej të rrinin me javë e muaj, larg shtëpive të tyre.
Por njëkohësisht, duhet të përballonin dhe vështirësi të tjera, pasi në dhe trajtimi linte për të dëshiruar, mensat dhe fjetoret në objekte të largëta ishin të improvizuara, ushqimet shkonin me mjetet e furnizimit të materialeve. E them me bindjen e plotë, se këta ishin njerëz të mrekullueshëm, të sakrificës, punëtorë
dhe optimistë, për të realizuar në kohë të gjitha detyrat që iu ngarkuan, pa përfillur sakrificat e mëdha që kërkoheshin. Pikërisht, këtu qëndron dhe realizimi me sukses i objekteve të tilla të rëndësishme.
Njëkohësisht, me të tilla sakrifica, u përballën dhe kuadrot. Është vështirë të harrosh kontributin e tyre, ku ndër ta mund të përmend: Inxhinierët Kosta Bozdo, Arjan Kokolari, Ndriçim Kote, Edmond Demiri, teknikët Mahmut Tola, Rasim Ajazi, mjeshtrat e ndërtimit Adem Durma, Gjergj Panoti, Ferit Rustemi; brigadierët Feta Koçi, Alush Muça, Baki Rada, Izet Ajazi, Shyqyri Shehu, Shaziman Kamberi, Ismet Murati, Sytki Picoku, Mitro Marku, Ismail Kuburi, Bashkim Hasmuça, Tefik Curri etj…!
Nuk mund të harroj dhe mjeshtrit minatorët duarartë Hysni Uka, Tahir Gjoni, Rizman Lami, Dali Uklala, Allaman Bici, Sul Elezi, Sali Shehu, Zyber Billa, Sali Caskoni etj…! Do shtoj këtu dhe njerëzit e sakrificës, heronj të vërtetë shoferët: Taqo Mara, Aristidh Qendro, Bim Subashi, Astrit Kullaku, Edmond Pashai, (Puqo), Lirim Xhelili dhe dy manovratorët e talentuar të bjellorusëve të gërmimit, Elez Dallaku e Ferat Shatku, njerëz e punëtorë të talentuar, që ço detyrë që merrnin, kishe siguri të plotë se do e realizonin me cilësi dhe brenda afatit të dhënë. Një mbështetje të veçantë ka dhënë edhe ofiçina e kësaj ndërmarrje, përgjegjësit të palodhur Thanas dhe përgjegjësit të sektorit të prodhimit, Hamit Driza.
Në “Bllokun” e Udhëheqjes në Tiranë
Një seriozitet pune kemi pasur në sektorin e “Bllokut”, siç e quanim atëherë, ku merreshim me meremetimin e shtëpive të banimit të udhëheqjes së kohës dhe objekteve qeveritare të rëndësishme, që ishin në këtë territor. Këtu, çdo detyrë e vënë është kryer në kohën e duhur dhe me një cilësi të lartë pune. Dy teknikët e ndërtimit, si përgjegjësi i sektorit, Mitro Dhandaniti dhe tekniku mjeshtër, Koço, i qëndruan punës në kokë me përgjegjësi deri në dorëzim. Mjeshtërit që punuan në këtë sektor, i kam përmendur më lart bashkë me njerëz të tjerë të dalluar të kësaj ndërmarrje.
Në periudhën 7 vjeçare që unë drejtova këtë ndërmarrje, në të gjitha sukseset e vlerësimet pa përjashtim, unë pata në krah njerëzit e mrekullueshëm dhe specialistët e aftë, si: Kryeinxhinieri Enver Doda, një inxhinier i ri në moshë, por i aftë e këmbëngulës në profesionin e tij, për të cilin ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të madh; si dhe shumë inxhinierë, kuadro të administratës, brigadierë e punëtorë të thjeshtë, që ishin kurdoherë në ballë të punës, njerëz fisnikë, të palodhur e bashkëpunues.
Kjo ndërmarrje ka pasur specifika të veçanta, të cilat duheshin menaxhuar me sukses, pasi një dështim, qoftë dhe i rastit, kishte pasoja. Ja arritëm të dalim me sukses, falë punës, përkushtimit një aktivitetit të njerëzve të mrekullueshëm, të cilët lanë gjurmë në ndërtimtarinë e këtij sektori të rëndësishëm, të cilët unë i falënderoj pa përjashtim.
Në drejtimin e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Objekteve Sociale (N.M.O.S.)
Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tiranës, për të përmirësuar punën në shërbimet e shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave shëndetësore dhe objekteve të tjera të arsimit, kulturës e shëndetësisë, u krijua Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Objekteve Sociale. Në fillim të vitit 1984, kohë në të cilën kisha një periudhë të gjatë kohe në drejtim e menaxhim të ndërmarrjeve e sektorëve të tjerë të rëndësishëm në fushën e ndërtimeve, më emërojnë drejtor të kësaj ndërmarrje.
Pra krijohej një ndërmarrje e re, me administrim sektorësh të rëndësishëm, e kuptohet, vështirësitë ishin të mëdha e nisnin që nga organizimi i vetë ndërmarrjes, administratës së saj, sektorëve përkatës e deri tek organizimi e drejtimi i punës në objektet konkrete. Unë kisha një eksperiencë të mirë në këto aspekte, por gjithsesi, kërkohej shumë mund, përpjekje e sakrifica për t’ia dalë mbanë me sukses. Nuk kishte kohë më për pritje, por iu vumë punës për organizimin e kësaj ndërmarrje. Ndër të tjera, krijuam sektorët kryesor të kësaj ndërmarrje që ishin: Sektori i bojaxhinjve; sektori i ndërtimit; sektori i specialistëve; (hidraulikë, elektricistë, marangozë); sektorin e prodhimit…!
Në këtë aspekt, shqetësim ndër më kryesorët ishte fakti se objektet e vjetra ekzistuese ishin tejet të amortizuara dhe kërkohej punë shtesë e bazë materiale për ti vënë ato në
funksion të plotë. Por falë profesionalizmit të ekipit me të cilën unë nisa punën në këtë ndërmarrje, mbështetjes nga strukturat shtetërore të kohës e përkushtimit të gjithë punonjësve, personel drejtues, specialistë e punëtorë të thjeshtë, ja arritëm të krijojmë një terren të mirë për ecuri normale të punëve, që dua të theksoj ishin të një game të gjerë e të shumta.
Kontradiktë apo problem tjetër që kërkonte zgjidhje, ishte mospërputhja e fondeve buxhetore me nevojat konkrete të objekteve, ku investimet e reja, zgjerimi i gamës së shërbimeve, kërkonin dhe fonde të tjera shtesë. Por me vështirësitë që lindën, edhe këtë pengesë ne mundëm ta amortizojmë, duke shënuar një nivel të ri në cilësinë dhe kohën e shërbimeve. Në këtë aspekt, brenda një kohe të shkurtër, sektorët morën formë e nisën punën normalisht, duke reflektuar kështu një ndryshim të gjendjes konkrete të shërbimeve.
Gjatë katër viteve që unë drejtova këtë ndërmarrje, ndonëse me ngarkesë të madhe në punë, falë bashkëpunimit me të gjithë faktorët brenda ndërmarrjes e jashtë sajë, unë munda të realizoj në kohë të gjitha detyrat e planifikuara dhe ato që nxirrte koha apo ngarkoheshin nga strukturat eprore të shtetit. Ruaj kujtimet më të mira gjatë kësaj kohe për kolegët, bashkëpunëtorët e deri tek specialistët e thjeshtë.
Në vitin 1988, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, kaloi një studim tjetër për
riorganizimin e ndërmarrjeve komunale, ku aktivitetin e kësaj ndërmarrje ekzistuese, ja kaloi Ndërmarrjes Komunale të Banesave, sipas sektorëve të ngritur në bazë lagje. Në këtë periudhë, unë kalova kryetar i degës së kuadrit në Ndërmarrjen e Gjelbërimit të Tiranës, ku punova deri në vitin 1994.
Tiranë- Mat’hausen-Tiranë (Fragmente nga ditari)
Nuk dimë se përse na kanë thirrur në Ministrinë e Ndërtimit. Ishte 15 gushti i vitit 1968. Na kishte thirrur vetë
ministri, Rrahman Hanku. Aty ishte dhe Robert Kote, projektuesi i memorialit që ishte ngarkuar si specialist që të komunikonte me ne. Ishim unë, Taqo Miho e Llazar Mazniku. Ne që të tre punonim në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” në Tiranë në sektorë të ndryshëm.
Asnjeri nuk e dinte shkakun e kësaj thirrje urgjente. Pasi u përshëndetëm, ministri, Thoma Deliana, na thotë: “Me porosi të udhëheqjes dhe personalisht të shokut Enver Hoxha, Ministra e Arsimit dhe e Kulturës, jemi ngarkuar që të organizojmë punën për ndërtimin e Memorialit, kushtuar të rënëve shqiptarë në kampin famëkeq të Mat’hauzenit në Austri.
Aty, shumë shtete kanë ndërtuar memorialët. Ju jeni ngarkuar për të zbatuar punimet në këtë objekt me rëndësi të veçantë sepse ky objekt do të përfaqësoj shtetin shqiptar…! Roberti, është inxhinieri që ka bërë projektin, ndërsa skulpturën do ta realizoj Odise Paskali. Brenda festave të nëntorit të këtij viti, duhet të ketë përfunduar kjo përmendore. Për këtë, ju bashkë me projektuesit, të zbërtheni projektin, bazën e nevojshme materiale e, deri gjërat më të vogla, pasi do i merrni nga këtu, se atje nuk keni ku i gjeni.
I mendoni gjërat me përgjegjësi e saktësi, që nga veglat e punës deri te materiali më i vogël. I është dhënë porosi Kombinatit të Ndërtimit “Josif Pashko” dhe Ndërmarrjes së Ndërtimit “21 Dhjetori”, për të vënë në dispozicion çdo material të nevojshëm për ndërtimin e këtij objekti, e çdo gjë, me dokumentacion të rregullt. Të gjitha fondet për ndërtimin e këtij objekti disponohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës”.
Ne u mblodhëm menjëherë si grup pune dhe pasi bëmë preventivin e punimeve, si dhe për çdo zë zbërthyem bazën materiale të nevojshme, dërguam porositë për prodhimin e tyre sipas sektorëve, ndërsa ne vetë u morëm me kontrollin e cilësisë së prodhimeve, siç ishin gurët dekorativë, pllakat e mermerit, të veshjes e të shtresës, të germave të broncit për shkrimet në faqet e kolonës, etj….! Pas një muaj përgatitje, bëmë gati të gjithë bazën materiale dhe shkuam siç ishim dhe i raportuam Ministrit Rrahman Hanku. I thamë se ishim gati për t’u nisur.
Në këtë ditë, na thërret edhe Ministri i Kulturës Thoma Deliana. Ku na shpjegoi me hollësi rëndësinë e ndërtimit të këtij memoriali, rëndësinë politike e shtetërore si objekt që përfaqëson shtetin shqiptar. Me ‘të bëmë një bisedë të ngrohtë, duke prekur dhe detaje të vështirësive që mund të na lindnin gjatë punimeve. Ministri kishte një informacion të plotë e të mirë për ne dhe me besim të plotë na uroi që të dalim me sukses në këtë detyrë të rëndësishme.
Pas disa ditësh, na thërret një zyrë e Ministrisë së Brendshme, ku morëm pasaportat e udhëtimit për jashtë shtetit, si dhe disa udhëzime të tjera prej tyre. Ne të tre ishim me emocione, të gëzuar, por dhe në ankth për këtë detyrë të rëndësishme e me përgjegjësi që na ishte ngarkuar. E prisnim me padurim datën e nisjes.
20 shtator 1968
Ishte situatë e rënduar në vend, si pasojë e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, për shkak të agresionit ushtarak të sovjetikëve që pushtuan Çekosllovakinë. Na thërrasin në Degën Ushtarake të Tiranës (fletë-thirrje me vijë të kuqe), për të na mobilizuar si forca rezerviste. U themi për detyrën që kishim marrë e, se ishim gati të niseshim për jashtë shtetit. Pasi pritëm përgjigje gati gjysmë ore, oficeri i kontaktit, na tha të iknim dhe të vazhdonim detyrën që na ishte ngarkuar. Por ishim në tension…! Buçisnin radiot nga fjalimi i Mehmet Shehut që denonconte Traktatin e Varshavës. Në Tiranë bëheshin prova me sirena alarmi dhe fikeshin dritat. Ushtria kishte marrë urdhër për gatishmëri luftarake. Çdo gjë ishte në lëvizje e nën kontroll.
23 shtator 1968
Është dita e nisjes. Është ora 16:30 dhe jemi në ndërmarrjen ’21 Dhjetori’ ku ishin parkuar tri maunet me rimorkio të ngarkuara e bërë gati me kohë. Aty kishin dalë edhe familjet tona për të na
përcjellë. Nëna ime bashkë me gruan, Sanijen dhe djalin e vogël, Përparimin kishin dalë të më përcillnin. U ndamë me mall dhe me lot. U nisëm për të fjetur në Elbasan, për shkak se nesër e kishim më afër pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Fjetëm atë natë në turizmin e Elbasanit. Ishim të emocionuar. Memorie.al